28.2 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 4636

Liria mposht kampionin, për t’ia bërë sefte

0

Skuadra e Lirisë e drejtuar nga Bedridin Gjinali ka shënuar toren e parë të stinorit në xhiron e tretë të Superligës, duke e mposhtur kampionin aktual të Kosovës, Dritën, në një ndeshje ku u panë 5 gola në Përparim Thaqi.

Drita ka qenë dy herë në avantazh gjatë ndeshjes, por Liria përmes Liridon Fetahajt ka kthyer rezultatin në të mirë të saj dhe në fund ka shënuar tore 3-2 për të kapur tre pikëshin e parë të stinorit.

Xhevdet Shabani i dha avantazhin Dritës në minutën e 30-të të ndeshjes, duke shfrytëzuar një gabim të mbrojtësit të Lirisë, Valon Bytyçi.

Por, dy minuta para fundit të pjesës së parë, ka qenë Qëndrim Gashi që me gol nga largësia, rreth 22 metra barazoi në 1-1 duke shënuar në portën e Leotrim Rexhepit.

Në pjesë të dytë, Shabani ishte në rolin e asistuesit. Ai pasoi për Haxhi Nezirajn, që shënoi për 1-2 në të mirë të ekipit të Bekim Isut.

Por, një gabim i Rexhepit në portë të Dritës ka mundësuar rikthimin e Lirisë në lojë, kur Liridon Fetahaj nga gjysma e fushës tentoi të asistonte për sulmuesin bardhezi, e topi pasi që preku fushën, paraboloi Rexhepin për 2-2.

Ky gol i dha krahë Fetahajt që nuk vonoi për të shënuar edhe golin e tij të dytë sot, ndërsa të tores për bardhezinjtë, duke e bërë 3-2 në minutën e 73-të të ndeshjes.

Deri në fund të takimit, rezultati nuk ndërroi dhe Liria kështu arriti te 3 pikët e para të stinorit, derisa Drita pësoi për të dytën herë këtë stinor./borozani/

Ferizaj dhe MKRS vendosin për finalizimin e ndërtimit të Qendrës Rinore

0

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka takuar ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi me ç’rast u diskutua për financimin e projektit për ndërtimin e Qendrës Rinore, projekt ky që ka ndërprerë punimet për një kohë të gjatë për shkak të mungesës së buxhetit.

Gashi i konfirmoi Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të ndaj fonde shtesë për finalizimin e punimeve në këtë godinë, zotim ky që u konkretizua me nënshkrimin e aneks marrëveshjes së bashkëpunimit mes palëve për fonde shtesë për këtë projekt.

Aktualisht, në godinën e re të Qendrës Rinore janë përfunduar punimet e vrazhda dhe kjo marrëveshje e re do të financoj infrastrukturën përcjellëse në fazën e dytë të këtij projekti.

Në këtë takim u diskutuan edhe shumë tema të tjera të fushës së kulturës, rinisë dhe sportit, projekte të ndryshme që do të realizohen për herë të parë në Ferizaj dhe aktivitetet kulturore tradicionale në komunën tonë, për të cilat ministri Gashi shprehi mbështetjen e plotë të institucionit që drejton.

Shaqir Totaj, kritikon qeverisjen e Mytaher Haskukës

0

Ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, ka kritikuar qeverisjen lokale të Mytaher Haskukës.
Sipas tij, ndryshimi i premtuar në këtë qytet, nuk po ndodhë.

“Profili i kryetarit aktual të Prizrenit z. Haskuka aspak nuk është kompatibil me profilin dhe kualitetet e një lideri ashtu si e kërkon posti i të parit të Prizrenit”, tha Totaj, transmeton “PrizrenPress”.

Shaqir Totaj, në zgjedhjet e kaluar lokale, ka humbur balotazhin për pak vota me kandidatin e VV-së, Mytaher Haskuka.

”Kur këtij konstatimi i shtohet edhe filozofia politike dhe veprimet jo konstruktive të VV-së dhe krejt kjo në kombinim me koalicionet e panatyrshme bëhet akoma më e vështirë – nëse jo e pamundur që të ofrohet ndryshimi, i cili u është premtuar qytetarëve të Prizrenit”.

“Trendët e deritanishme të qeverisjes lokale në Prizren ofrojnë materialë të mjaftueshëm për të argumentuar këtë konstatim”./PrizrenPress.com/

Kavalli i Gjinit “dridh” ndjenjat e vizitorëve në ‘Shatërvan” të Prizrenit

0

Tingujt e bukur të fyellit dhe ata të kavallit në Prizren në sheshin ‘Shatërvan” kumbojnë çdo ditë. Me kënaqësi këta tinguj të këngëve folklorike të melosit tonë kombëtar i interpreton Plaku me plis të bardhë si bora, Prenk Gjini. Ai tregon për “Kosova Sot” se tani e një kohë të gjatë ai merret me prodhimin e fyellit. Shton se në një fshat të Gjakovës e ka malin e tij, atje shkon e merr drurin e frashrit dhe pastaj me angazhim të madh e shtet aq sa ka blerës. “Po të shiteshin unë brenda një muaji mundem t’i prodhoj pesë a gjashtë kavalle e pak më shumë fyejë druri”. Plaku shumë mirë e dinte edhe historikun e fyellit dhe të kavallit.

Ai për gazetën thekson se ka lexuar se fyelli është vegël muzikore popullore me frymë e përhapur në të gjitha krahinat, e njohur sidomos si vegla e barinjve. “Trajtat dhe emërtimet e fyellit janë të shumta: çiftelia dhe kavalli, që përdoren më shumë në rrethin e maleve si të Sharrit, Pashtrikiut. Madhësia e fyellit ndryshon sipas llojeve, nga 18 cm (fyelli i shkurtër) deri 90 cm (kavalli) Fyelli ndërtohet prej drurit të frashrit, të shtogut, të panjës, të arrës, por edhe nga gypa metalike, sidomos prej tunxhi e bronzi”, është shprehur ai.

“Fyellin e kavallin i kam dashur gjithnjë”

Fyelli përdoret kryesisht nga burrat. Plaku Gjini thekson se me fyell luhen motive të mirënjohura këngësh e vallesh, nga pjesë solistike të marra nga vajtimet e grave etj.”Figurat muzikore dhe emërtimet e pjesëve instrumentale për fyell lidhen zakonisht me mjediset blegtorale, si “Dhente në kullotë”. “Dhentë në mriz”, “Dhentë tek burimi”, “Zilet e dhenve” etj. Tingujt e fyellit kombinohen bukur me të këmborëve dhe te zileve të bagë- tive gjatë kullotës. Shpesh bashkohen dy fyej, njëri prej tyre luan melodinë dhe tjetri mban iso”, është shprehur ai. Duke i fryrë fyellit i kujtohet koha e rinisë, por tani thotë se koha ka ndërruar shumë. ‘Unë më shumë e dua si zanat sesa që nga kjo mundem të jetoj. Unë po them se të mbijetojë mundet diqysh njeriu, por jo të jetohet nga kjo punë. Por, fyelli e kavallin i kam dashur tepër e tash më është dhënë mundësia t’i bie dhe njerëzit po e shoh se shumë e duan këtë vegël muzikore”.

Instrumenti emeton një diafoni instrumentale

Rënia e fyellit në ‘Shatërvan’ e bën të ndihet mirë plakun Prenk Gjini, duke shtuar se gjatë verës ka shitje më shumë. Fyelli është përdorur për ahengje të ndryshme, melodi, përcjellje të këngëve, si dhe nga barinjtë për të ndjellë qentë, për të nisur delet…Thuhet se prejardhja e fyellit është nga shtetet e lindjes së mesme dhe tregtarët e kanë sjellë në Shqipëri (trojet shqiptare).Kurse kavalli është një ndër instrumentet më tërheqës e më të lashtë në fondin e artë të trashëgimisë muzikorë shqiptare, si dhe një ndër dokumentet më të rëndësishëm të muzikës instrumentale polifonike shqiptare që në mijëvjeçarin I p.e.s.

“Ky instrument konsiderohet si pjesë e rëndësishme e kulturës muzikore tradicionale shqiptare”, tregon profesori i muzikës Vesel Krasniqi. Ai shton se kavalli paraqet një ndër format më të hershme të polifonisë instrumentale. “Këtë fakt e vërteton dokumenti arke-muzikologjik i shek. V p.e.s. përmes një bazorelievi, i zbuluar në territoret shqiptare, i cili pasqyron qartë një instrument të dyfishtë me përmasat dhe tiparet organologjike të kavallit. Tipari themelor i kësaj periudhe, siç gjykohet nga tiparet organologjike të instrumentit me dy tyta, është që në njërin instrument, instrumentisti luan melodinë, ndërsa në tjetrën mban një notë e gjatë, që vazhdon pa ndërprerje në mbështetje të melodisë. Ky pozicion i lojës së këtij instrumenti rezulton se produkti të jep të kuptosh se instrumenti emeton një diafoni instrumentale, që mesa duket, kjo ka qenë edhe praktika e lojës muzikore e shekujve të V-të p.e.s.” tregon ai.

(Kosova Sot)

Zjarr në fabrikën ‘MEKA’ në Dragash, pronari fajëson problemet me rrymë (VIDEO)

0

Fabrika e përpunimit të mishit“Meka-halal food” ka pësuar nga një zjarr që ka kapluar një pjesë të objektit të saj që gjendet në komunën e Dragashit.

Pronari i kësaj fabrike, Pirro Piraj postoi një video në Facebook ku shihen dëmet nga zjarri që sipas tij është shkaktuar nga problemet me rrymë.

“Për shkak te ndërprerjeve të rrymës, e që në vendin ku ndodhet fabrika jonë janë të shpeshta, ka ardhurderi tek ndezja e instalimit elektrik”, tha Piraj për KALLXO.com

Ai tha se probleme të ngjashme kanë pasur edhe në të kaluarën dhe sipas tij dëmet materiale janë të mëdha.

Megjithatë nga kompania përgjegjëse për shpërndarjen e rrymës KEDS, thonë se zjarri nuk ka qenë shkak i problemeve me rrymë të shkaktuara nga kjo kompani.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS tha se ndërprerja e rrymës ishte paralajmëruar.

“Largpërçuesi j Dragashit, prej nga furnizohet edhe konsumatori ne fjale sot ka qene ne shkyçje te planifikuar për mirëmbajtje preventive nga ora 09:00-13:00. Ndërsa, konsumatorit ne fjale i është djegur një kabllo e tij rreth orës 11:00. Por, ka qene duke u furnizuar nga gjeneratori i tij. KEDS i ka njoftuar te gjithë konsumatorët paraprakisht për këtë ndërprerje përmes mediave, ndërsa konsumatorin ne fjale e ka njoftuar edhe përmes komunikimit direkt. Pra, rasti ne fjale është intern dhe nuk ka te beje me KEDS”, tha Buzhala.

 

Toronto, të shtëna me armë zjarri në një qendër tregtare (Video)

0

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në një qendër tregtare në Toronto. Siç raportojnë mediat vendase, qendra ‘Yorkdale’ u evakuua nga policia.

Dëshmitarët kanë përshkruar ngjarjen si të frikshme duke krijuar një gjendje kaotike, por policia nuk raportoi për viktima.

Policia i bëri thirrje njerëzve të shmangin zonën dhe thonë se po kërkojnë për disa persona të dyshuar.

Nga hetimet e para mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti mes dy grupeve rivale. Autoritetet thanë se “Në një moment, një nga individët nga një prej grupeve qëlloi me armë zjarri të paktën dy herë”

Një person në Twitter tha: “Aktualisht i mbyllur në tualetin tim të dyqaneve me klientët sepse ka të shtënë në qendër”.

 

Modriq: Jam jashtëzakonisht i lumtur në Real Madrid

0

Pas spekulimeve rreth Interit, ylli i Kroacisë ka insistuar se ai është më shumë se i kënaqur me kampionët evropianë.

Modriq i cili u titullua Lojtari i Vitit nga UEFA 2017-18, ka qenë në qendër të spekulimeve se ai mund të transferohet në ekipin e Interit të Serie A.

Megjithatë, kapiteni dhe mesfushori i Kroacisë ka thënë se ai nuk mund të jetë më i lumtur me kampionët.

“Unë jam i lumtur me ekipin më të mirë në botë dhe dua të qëndroj këtu” u ka thënë Modriq gazetarëve të sportit.

Ministri Gashi viziton Komunitetin Olimpik të Kosovës, premton mbështetje për KOK-un dhe sportistët kosovarë

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komitetin Olimpik të Kosovës.

Gjatë kësaj vizite ministri Gashi ka takuar presidentin e komunitetit Olimpik të Kosovës Besim Hasani, me të cilin ka diskutuar për rritjen e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komitetit Olimpik të Kosovës.

Ministri Gashi ka diskutuar për nevojat dhe kërkesat që ka Komiteti Olimpik i Kosovës. Ai premtoi mbështetje të vazhdueshme për Komitetin Olimpik si Institucioni më i lartë sportiv në vend dhe premtoi rritje të bashkëpunimit reciprok për identifikimin e problemeve me të cilat përballet sporti kosovar.

“Vizita ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes ministrisë dhe Komitetit Olimpik. Diskutuam për shumë tema edhe për hapësira ku zhvillon aktivitetet Komiteti Olimpik dhe nevoja për hapësira të tjera e më të mëdha. Do të dakordohemi të shohim mundësitë në vitin 2019 pasi jemi edhe në fazën e hartimit të buxhetit të vitit 2019. Po ashtu pajtuar që rregulloret për kategorizim t’i plotësojmë me nevoja dhe kërkesa të reja në mënyrë që të gjitha sportet të përfitojnë nga ky ligj”, tha ministri Gashi.

Përveç tjerash, në këtë takim u fol edhe rreth ndërkombëtarizimit të sportit ku ministri Gashi theksoi: “jemi dakorduar që t’i ftojmë të gjitha Federatat sportive që të mbajnë kuvendet e tyre. Anëtarësimi i sporteve tona në mekanizmat ndërkombëtarë kërkon harmonizimin me dokumentet ndërkombëtare në mënyrë që të kemi një harmonizim të plotë të dokumentacionit sportiv”.

Ministri Gashi po ashtu përmendi edhe licencimin e stadiumit “Fadil Vokrri” nga UEFA, duke e konsideruar si një lajm të rëndësishëm për sportin kosovar.

Ndërkaq kryetari i Komitetit Olimpik Besim Hasani fillimisht tha: “Falënderoj ministrin Gashi që në vazhdimësi po tregon përkushtim për sportin. Mirëpo krahas burimit të financimit nga ministria, ne duhet të jemi më aktivë dhe të gjejmë sponsorë nga biznesi dhe shpresojmë se ligji për sponsorime do të implementohet pasi të kalojë nëpër disa procedura”.

Ai po ashtu shtoi se “ndërkombëtarizimi i sportit ka hapur detyra të mëdha para nesh. Nevojat janë dyfish më të mëdha dhe paraqitet nevoja për zgjerim të hapësirave. Shpresojmë se në të ardhmen do të bëjmë edhe këtë zgjidhje”. /PrizrenPress.com/

Malisheva e pret e gatshme vitin e ri shkollor

0

Komuna e Malishevës e pret e gatshme fillimin e vitit të ri shkollor – 2018-19. Kështu është shprehur drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, gjatë një takimi me drejtorët e të gjitha institucioneve arsimore të komunës.

Në kuadër të përgatitjeve, ai paraqiti para të pranishmëve realizimet dhe përgatitjet për furnizim me tekste mësimore, ku MASHT-i veç ka filluar të furnizojë me libra falas.

Viti i ri shkollor fillon më 3 shtator për të gjitha shkollat, përjashtimisht në ndonjë institucion arsimor ku punimet për rinovimet e objekteve shkollore janë në përfundim e sipër.

Lamtumirë ndërrim ore – Komisioni Europian vendos

0

Pas një sondazhi online për ndërrimin e orës në atë të dimrit dhe të verës, ku shumica e qytetarëve është shprehur kundër, Jean-Claude Juncker, kreu i Komisionit Europian shprehet rregullorja do të shfuqizohet.

Së shpejti nuk do të duhet më të përgatitemi për kohën e dimrit dhe atë të verës përmes orës. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker në një intervistë për programin e mëngjesit të televizionit gjerman ZDF është shprehur, se pasi shumica e qytetarëve i ka thënë jo ndërrimit të orës, Komisioni Europian do të propozojë heqjen e këtij rregulli. “Njerëzit duan që ne ta bëjmë këtë.” Që këtë të premte Komisioni do të marrë vendimin përkatës. Pastaj e kanë radhën shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian, e në fund nuk do të kemi më ndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe të verës, tha Juncker.

Në një sondazh online, ku morën pjesë 4,6 milionë e qytetarëve të BE, shumica janë shprehur për mosndërrimin e orës në kohën e dimrit dhe atë të verës. 3 milionë pjesëmarrës në sondazh ishin nga Gjermania. Aktualisht në të 28 vendet anëtare të BE dhe vende të tjera të Europës dy herë në vit kemi ndërrimin e orës. Qëllimi i ndërrimit të orës ka qenë shfrytëzimi më i mirë i dritës së ditës për të kursyer energji, por vlera e vërtetë e kursimit gjithmonë ka qenë e kontestuar./DW