22.4 C
Prizren
E diel, 8 Qershor, 2025
Home Blog Page 4653

Rrahje në Prizren përdoren edhe armët

0

Armët janë përdorur në një konflikt i cili dyshohet se për bazë kishte një mosmarrëveshje për të paguar lakesën e një gypi metali.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur në Lagjen Dardania të Prizrenit. “Pas hetimeve fillestare bëhet e ditur se dy të dyshuar, hëpërhë të panjohur për policinë, kishin shkuar në një punëtori ku përpunohet metali dhe kishin kërkuar që ta lakojnë një gyp.

Me gjasë nuk kanë rënë në ujdi rreth pagesës për punën e kryer dhe rasti ka dalë jashtë kontrolli duke kaluar në rrahje “thuhet në njoftimin e policisë. Sipas të njëjtit gjatë përleshjes njëri nga punëtorët ka shkrehur disa fishekë nga arma kallashnikov e cila është gjetur e hedhur jashtë oborrit të punëtorisë. Policia sqaron se përpos armës kallashnikov e prodhimit jugosllav janë sekuestruar edhe 22 fishekë dhe katër gëzhoja. /Kallxo.com

Gjenden katër granata dore në Arbanë të Prizrenit

0

Një person nga lagja Arbana e Prizrenit ka raportuar në Polici se dyshon se në një lokacion gjenden mjete të dyshuara shpërthyese të mbetura nga lufta e fundit.

Janë njoftuar njësitë përkatëse dhe në vendin e ngjarjes ka dal njësia e FSK-së dhe për Deminim të cilët kanë larguar mjetet e dyshuara si 4 granata të dorës, 4 detonatorë dhe tre ndezës .

Me urdhër të prokurorit rasti mbyllet me një raport të veçant

Indonezi, rritet në 387 numri i të vdekurve nga tërmeti

0

Numri i të vdekurve nga tërmeti me fuqi ballë 7 që ndodhi të dielën e kaluar në Ishullin Lombok të Indonezisë është rritur në 387.

Zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësisë, Sutopo Purwo Nugroho, në deklaratën e tij theksoi se numri i të vdekurve nga tërmeti është rritur në 387, transmeton AA.

Ai theksoi se mbi 387 mijë persona janë evakuuar në zonat e sigurta. Nugroho më tej duke bërë të ditur se mbi 14 mijë persona janë të plagosur, në përgjithësi janë dëmtuar 67 mijë e 875 shtëpi, 468 shkolla, 15 xhami, 50 mesxhide, 3 spitale, 10 klinika dhe 20 ndërtesa zyrash.

Nugroho tha se pas tërmeti kanë ndodhur mbi 500 tronditje.

Në tërmetin e ndodhur më 29 korrik në Lombok me fuqi ballë 6,4 kishin humbur jetën 16 persona.

Historia e Prizrenit të shekullit XX dokumentohet përmes një ekspozite

0

Një pjesë e historisë kulturore dhe ekonomike të Prizrenit të shekullit XX po dokumentohet përmes projektit “Prizren Urban Memoryscape”.

Ky projekt i cili po realizohet nga “Iniciativa e Historisë Gojore” në bashkëpunim me fondacionin “Lumbardhi” përfshin hulumtimin, arkivimin dhe ekspozimin e tregimeve dhe materialeve të njerëzve që kanë punuar në fushën e ekonomisë dhe kulturës në Prizren gjatë kësaj periudhe.

Erëmirë Krasniqi, drejtore ekzekutive e Iniciativës për Histori Gojore, ka thënë për Kosovapress se pos dokumentimit të së kaluarës, ky projekt ka pasur qëllim që t’i trajnojë studentët në mënyrë që ata të prodhojnë dije rreth historisë së komunitetit të tyre.

“Kemi dashtë brenda këtyre temave me i trajnu, me i pajisë me aftësi studentët, të cilët ishin bërë në njëfarë forme, historianë lokalë, dhe kishin qenë ata, të cilët i kishin mbledhur këto tregime edhe kishin krijuar dije rreth komunitetit të tyre. Jemi fokusuar më shumë në pjesën e dytë të shekullit XX, do të thotë pas Luftës së Dytë Botërore, sepse, në njëfarë forme, çkado që fillon me hulumtu, qoftë kulturë apo ekonomi, apo zhvillim urbanistik, arkitekturë, gjithmonë bazat e secilës i gjen te sistemi jugosllav edhe çka ata kanë ndërtuar, do me thënë memoria institucionale fillon aty”, ka thënë Krasniqi.

Ky projekt, i cili është mbështetur nga fondi Franko-gjerman, ka filluar të implementohet në mars të vitit 2018, ku rreth 13 studentë janë trajnuar në metodologji gojore dhe arkivim, për të filluar më pas me realizimin e intervistave dhe mbledhjen e materialeve.

Krasniqi ka treguar se punën në këtë projekt e kanë bërë në bashkëpunim me Fondacionin “Lumbardhi” si dhe kanë kontraktuar ekspertë nga Gjermania dhe Franca.

“Ky projekt është në bashkëpunim me ‘Lumbardhin’. Na si Iniciativë për Histori Gojore e kemi mbështet projektin kryesisht në aspektin profesional, në ekspertizë. Në fillim e kam bërë atë hulumtim të historisë gojore, po mandej jam unë e cila ka fol me krejt njerëzit tjerë, për me i trajnu pjesëmarrësit në fazat e ardhshme, do me thënë kam qenë pika kontaktuese për me dizajnu edhe me i përzgjedh këta njerëz që kanë ardhë prej Gjermanisë edhe Francës për t’i bërë pjesët e tjera të projektit”, ka thënë Krasniqi.

Krejt kjo punë e stafit dhe organizatave bashkëpunuese dhe e pjesëmarrëseve sipas Krasniqit do të kurorëzohet me një ekspozitë gjatë shtatorit, gjatë së cilës do të dokumentohen materialet dhe tregimet e mbledhura nga kujtesa e njerëzve që kanë kontribuar në forma të ndryshme në ekonomi dhe kulturën e Prizrenit gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX.

“Ekspozita është menduar të mbahet për javën e tretë të shtatorit, pjesëmarrësit tash veç janë duke menduar se çka është me vlerë prej asaj që e kanë mbledh, prej tregimeve edhe jemi duke e shikuar sa kemi material vizuel, sa kemi tregime, edhe çfarë drejtime po duan tregimet e tyre me marrë. Për këtë fazë jemi koncentru shumë në histori ekonomike edhe në historinë kulturore të Prizrenit”, ka thënë Krasniqi.

Disa nga tregimet e mbledhura për këtë projekt, janë publikuar në webin e Iniciativës për Histori Gojore, kurse puna finale do të paraqitet në shtator

Basketbollistët e Kosovës do të shkojnë në Sarajevë

0

Përfaqësuesja U16 e Kosovës në basketboll, më në fund do të udhëtojë drejt Sarajevës për të marrë pjesë në kampionatin Evropian, FIBA-U16.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, tha për Radion Evropa e Lirë se janë njoftuar nga Ambasada e Bosnje e Hercegovinës në Shkup, se ministri i Jashtëm, Igor Crnadak, ka dhënë leje për lëshimin e vizave për basketbollistët e Kosovës.

“Ne kemi filluar përgatitjet, i kemi mbledhur djemtë që të udhëtojmë në drejtim të Bosnje e Hercegovinës. Jemi shumë vonë, jemi tri ditë prapa orarit, do të kemi shumë telashe tjera, por djemtë do të udhëtojnë drejt Bosnje e Hercegovinës”, deklaroi Fetahu.

“Nuk dua të fajësoj askënd pa e kuptuar saktë se te kush është faji. Një gjë ështëe sigurt, se ne e kemi filluar aplikimin për viza më 8 maj, para 3 muajsh dhe problemi te ne nuk është. Ata kanë probleme të brendshme, probleme politike. Viktimë e krejt kësaj ngjarjeje të keqe janë ata djem që të gjithë janë nën 16 vjeç dhe që do të na përfaqësojnë atje”, theksoi kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Ai tha se do të ankohen edhe zyrtarisht në FIBA për këtë pengesë që iu është bërë nga Bosnje e Hercegovina.

Gjashtë të arrestuar për drogë në Prizren

0

Gjashtë persona janë arrestuar për posedim të drogës në Prizren.

Prej tyre dy janë femra, shtetase të Shqipërisë.

Me vendim të prokurorit, tre të dyshuar janë dërguar në mbajtje, ndërsa femrat janë liruar me procedurë të rregullt, transmeton “PrizrenPress”.

Gjatë kontrollit në tendën ku ata qëndronin, policia ka gjetur dhe sekuestruar 150 tableta substancë e dyshuar e llojit ‘Extasy’, 1.6gram kokainë, 50 gram marihuanë, 40 euro, një peshore digjitale për matje, riza mbështjellëse, dhe një pllakë që shërben për përgatitje e substancave. /PrizrenPress.com/

Mbi 13 mijë shtetas të Kosovës për 24 orë kanë hyrë në Shqipëri

0

Fluks i madh turistësh nga Kosova janë regjistruar të kenë hyrë në Shqipëri gjatë 24 orëve të fundit.

Në pikën kufitare të Morinës në Kukës, gjatë 24 orëve kanë hyrë rreth 15 mijë e 20 persona, nga të cilët 13 mijë e 760 janë me nënshtetësi jo shqiptare dhe që vijnë në Shqipëri për qëllime turistike, raporton ATSH.

Sipas ATSH-së në pikën kufitare që lidh Kukësin me Kosovën, përmes rrugës së Kombit ka pasur një rritje të fluksit të hyrjeve.

Zyra e Shtypit e Policisë së Kukësit bëri të ditur për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se fluksi gjatë 24 orëve të fundit ka qenë më i lartë.

“Në pikën kufitare të Morinës janë regjistruar në hyrje 15 mijë e 20 persona, nga të cilët 13 mijë e 760 janë të huaj, ndërsa 1 mijë 260 shtetas ishin shqiptarë. Po ashtu, gjatë këtyre 24 orëve u regjistruan 3 mijë e 125 shtetas shqiptarë që u larguan nga vendi dhe 10 mijë e 3 të huaj që vijuan rrugën në drejtim të Kosovës”, bëri të ditur zyra e shtypit e Policisë së Kukësit për ATSH-në.

“Në hyrje janë regjistruar 714 mjete shqiptare dhe 3 472 me mjete me targa të huaja. Ndërsa në dalje janë regjistruar 1 327 mjete me targa shqiptare dhe 4 571 mjete me targa të huaja.

“DokuFesti” – pasqyra e reflektimit të domosdoshëm

0

Nga filmi i parë i Ingmar Bergmanit e deri te i fundit, pasqyra është një pajisje në të cilën njerëzit – pavarësisht nga ajo që reflektohet – e shohin veten në më shumë se një mënyrë. Regjisori suedez, i cili konsiderohet si një prej filmbërësve më me ndikim i të gjitha kohërave, përmes filmave të tij që sollën një frymë të re në kinematografi gjithmonë ka ngritur pyetje mbi gjendjen njerëzore, shkruan sot Koha Ditore.

Filmat e tij për shkak të mënyrës enigmatike të trajtimit të temave kanë shërbyer për analiza e reflektim mbi misteriozitetin e identitetit. Personazhet e tij shpesh e gjejnë veten në gjendje të tilla, në mes të qenit dhe të parit, derisa pasqyra bëhet portë midis fantazisë dhe realitetit.

Pikërisht këto dy elemente janë bërë shumë të rëndësishme edhe për edicionin e 17-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Pasqyra si element, njëjtë sikur në filmat e Bergmanit, edhe për festivalin qe shumë e rëndësishme. Në këtë rast, pasqyra është thirrje për të reflektuar mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Prizreni për nëntë ditë me radhë u bë qendër për të reflektuar, që njerëzit ta vizitojnë atë “ashtu siç janë” dhe së bashku të reflektojnë. Filmi “Persona” (1966) nuk u shfaq krejt rastësisht në festival, e as masterklasi që iu kushtua Bergmanit.

Zbulohet pse Esat Pasha, nuk pranonte ta quanin komandant të Shkodrës

0

Sezoni politik u mbyll me palët kryesore në politikë duke shkëmbyer disa herë akuza të forta politike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi disa herë se opozita shqiptare është tradhtare ose ‘esadiste’, një term fyes për Esad pashë Toptanin.

Por cila është historia e Esat Pashës? Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë.

Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, publikuar nga UET-PRESS dy vjet më parë.

Gjeni më poshtë fragment nga ky libër.

Lajmi se Mali i Zi i kishte shpallur luftë Turqisë u përhap në Shkodër të mërkurën, më 9 tetor paradite, me anë të tellallit. Qyteti kishte disa ditë që ishte shkëputur nga bota e jashtme, për shkak se linja e vetme telegrafike nëpërmjet Tivarit ishte ndërprerë. Brenda për brenda, komunikimi bëhej me korrierë, të cilët i përcillnin telegramet për në Shëngjin dhe, prej andej, ato

arrinin në Durrës. Në mesditë, nga kalaja e Rozafës krisën tre topa, siç ishte zakoni kur ndodhte diçka me rëndësi. Deri atë ditë, redifet e Esatit mund t’i shihje të shkrehura, duke u sorollatur nëpër pazar. Vetë Esati atë ditë kishte shkuar për të gjuajtur thëllëza.

Dalëngadalë, gjërat po bëheshin më të prekshme. Çdo ditë që kalonte sillte një drithërim të ri në shpirtin e njerëzve, sepse tani askush nuk mund të thoshte me saktësi se ç’po ndodhte dhe nuk dihej se ç’do të sillte dita tjetër. Ankthi u shtua pasditen e 11 tetorit, kur, përveç kërcitjes së topave, që duhet të vinte nga Tuzi, u dëgjuan të shtëna të shumta në formë breshërie në breg të liqenit, mu në rrëzë të Taraboshit, pranë kufirit me Malin e Zi.

Ky shkëmbim i rreptë zgjati deri në orën 7 të mbrëmjes dhe u kushtoi turqve shumë të vrarë e të plagosur.

Mali i Zi kishte marrë Zogajn, në anën jugore të liqenit, afër Shirokës. Nga shtëllungat e zeza të tymit që ngriheshin në atë anë, mund të kuptoje se malazezët po u vinin flakën fshatrave njëri pas tjetrit. Nuk kaloi shumë dhe u mor vesh se bëhej fjalë për një gjëmë të tmerrshme, e cila shfaqej te hutimi dhe pikëllimi i njerëzve që tërhiqnin familje e bagëti për të ikur. Nga ana e malit ishin me mijëra myslimanët që largoheshin. Iknin edhe të krishterët. Para se të niseshin, ata grumbullonin në kishë plaçkat dhe linin në portat e shtëpive kryqe ose figura shenjtësh, që zaptuesi të bënte dallimin me shtëpitë myslimane dhe t’ua kursente flakën. Njerëzit hiqnin këmbët zvarrë nga lodhja, por nuk ndaleshin, sepse Shkodra ishte shpëtimi i vetëm. Kur arrinin në qytet, familjet strehoheshin në hanet e pazarit, ose ku të gjenin shtëpi. Beledia (bashkia) u jepte ndonjë metalik që ata të mund të blinin pak bukë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Por dukej qartë se qeveria ishte e papërgatitur. Një ditë, dyndja e fshatrave drejt Shkodrës u bë e papërballueshme, sepse qyteti po zhytej vetë në krizë. Hasan Rizai dha urdhër të mos lejohej hyrja e të ardhurve. Përballë klithmave, dënesave, lebetitjeve të grave me fëmijë dhe përgjunjieve të burrave që kërkonin të kalonin me çdo kusht, roja kishte vetëm një fjalë: Jazëk! Nuk lejohet, është urdhër i komandantit.

Dara e malazezëve rreth Shkodrës po shtrëngohej. Më 18 tetor ata kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit në veri dhe ishin duke marshuar drejt Kirit. Në jug, ata bombardonin Taraboshin nga pozicionet që kishin kapur në Muriqan. Hasan Rizai prej kohe kishte menduar për mbrojtjen e Shkodrës në rast të një rrethimi. Punimet e fortifikimit kishin filluar të paktën që në muajin

maj në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin vazhdimisht me anije në formë dengjesh sasi të mëdha telash me gjemba. Ishte fortifikuar Taraboshi dhe kjo nuk kishte qenë e lehtë, sepse të hapje llogore aty ishte njëlloj sikur të mihje në shkëmb e gur. Edhe në Fushën e Shtojit drejt Vrakës e Koplikut ishin ndërtuar llogore. Ishin fortifikuar edhe kodrat përtej Kirit, sidomos

Bardhaj i Madh, një pozicion me rëndësi. Për Hasan Rizain, ky pozicion dhe e gjithë vija e mbrojtjes në perëndim të tij, deri në liqen, ishin pika më e dobët e garnizonit që ai komandonte.

Esat Pasha përmendet pak në këtë periudhë të parë të rrethimit. Pak është shkruar edhe për marrëdhëniet e tij me Hasan Riza beun. Në një libër të botuar në vitin 1927, marshalli me origjinë shqiptare Fevzi Çakmak, i cili do të luante rol në themelimin e republikës së Ataturkut, shkruan se çështja e komandës së operacioneve nuk ishte fort e qartë, sepse Hasan Rizai ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel, ndërsa Esati ishte pashë, ishte edhe gjeneral brigade. Në të vërtetë, Esati kishte nën komandë një ushtri më të madhe. Të 15 batalionet e redifeve dhe vullnetarëve të tjerë ishin më të shumtë në numër se sa ushtarët e korpusit turk të Shkodrës. Për nga rangu, ishte Esati që duhet të komandonte, por për nga kompetenca ushtarake, komanda duhet t’i takonte kolonel Hasan Rizait, i cili dikur kishte qenë gjeneral, por ishte ulur në rang kur ushtria turke kishte bërë rivlerësimin e gradave. Çakmak shkruan se paqartësitë në zinxhirin e komandës kishin dobësuar disiplinën dhe kishin çuar në shtimin e komitëve.

Në fillim Esatin e thërrisnin komandant i Shkodrës, por atij nuk i pëlqeu ky titull. U vendos që të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes, dhe kështu nënshkruheshin edhe urdhrat që ai nxirrte me shkrim. Ushtaraku i parë do të ishte Hasan Rizai.

Dy nga oficerët më të lartë të garnizonit turk, Abdurrahman Nafiz Gyrman (Abdürrahman Nafiz Gürman) dhe Qeramudin Koxhaman (Kiramettin Kocaman), i kanë bërë një përshkrim të hollësishëm mbrojtjes së Shkodrës në një libër prej rreth gjashtëqind faqesh, që u botua dy dekada më vonë në Stamboll me miratimin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.

Libri me titull Mbrojtja e Shkodrës në Luftën Ballkanike, duket më tepër si një përmbledhje shënimesh dhe ditarësh pa një kronologji të qartë.

Për arsye që i shpjegojnë edhe në libër, oficerët nuk kishin ndonjë simpati për Esatin. Ata shkruajnë se, pas fillimit të luftës, kreun e redifeve nisi ta brente shqetësimi se malazezët do të arrinin në Shkodër përmes Kirit dhe se qyteti nuk do të mund të mbrohej më. Esat Pasha, thonë ata, donte të shkonte në Tiranë dhe të ruante prej andej lidhjet me Shkodrën.

Këtu, përbuzja e oficerëve është e hapur. Ata e përshkruajnë Esatin si njeri frikacak, që donte t’i shmangej përballjes me malazezët në frontin e Kirit. Pohimet e dy oficerëve nuk vërtetohen nga ndonjë burim tjetër, ndërkohë që dihet se Esati nuk iku nga Shkodra. Sipas asaj që shkruajnë oficerët, ishte Hasan Rizai që arriti ta bindë Esatin të mos largohej. Dëshmitë që ata japin në libër për Esatin janë fragmentare dhe herë-herë kontradiktore, prandaj duhen marrë me rezervë. Ata nuk flasin sidomos për qëllimet me të cilat Esati shkoi në Shkodër. Këto qëllime, me sa duket ishin mjaft të ndryshme nga ato të Hasan Rizait, i cili e mbronte Shkodrën si një qytet turk.

Ka prova që tregojnë se Esati përpiqej të mbante marrëdhënie të mira me katolikët, sepse i shihte me rrezik acarimet fetare mes shqiptarëve. Në një rast, disa nga etërit dhe seminaristët katolikë të Shkodrës, me lejen e valiut po shkonin si zakonisht në vilën e tyre të Bardhajt, nga ku duhet të merrnin ushqime për t’i sjellë në qytet. Papritur, ata u ndaluan nga ushtarët, diku në mesin e shtratit të tharë të Kirit dhe u shoqëruan për në Fushën e Shtojit te një zyrtar, nën të qeshurat dhe romuzet e myslimanëve që bënin sehir.

Zyrtari i dërgoi me një letër përcjellëse tek Esat Pasha, nën shoqërimin e nja dhjetë ushtarëve me bajoneta të ngrehura. Pasi i dëgjoi klerikët, Esati u bërtiti ushtarëve dhe i qortoi që i kishin arrestuar këta njerëz pa arsye. Grupi i katolikëve u la të shkojë në punën e tij.

Hasan Rizai dhe Esat pasha i kishin hyrë një sipërmarrjeje me rreziqe të mëdha, që më vonë do të njihej si mbrojtja e Shkodrës dhe që do të ishte vendimtare për fatin e qytetit. Roli i tyre dhe peripecitë që i ndoqën janë përshkruar nga disa autorë, por për shkak të izolimit të skajshëm të Shkodrës në ato javë dhe muaj tmerri, disa gjëra kanë mbetur të errëta. Për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës, ky libër mbështetet kryesisht te rrëfimet e njerëzve që i kanë jetuar ngjarjet.

Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe një ditë më vonë arritën deri në Bardhajn e Madh në lindje, por ata pothuajse humbën në labirintin që krijonin dredhat e lumit, përroskat dhe vreshtat. Beteja u shndërrua shpejt në një masakër. Sipas disa dëshmive, numri i të vrarëve e të plagosurve, të përhapur gjithandej në fushën e luftimeve, shkonte në mijëra. Spitalet e qytetit, ku ngrihej flamuri i bardhë, numëronin deri në pesë mijë të plagosur. Të gjymtuarit i sillnin me karroca, ndërsa ata që mund të ecnin vetë, vinin dy e nga dy duke u mbajtur në krah të njëri-tjetrit. Karrocat sillnin edhe qivure dhe qëllonte që turku brenda tyre të mos ishte ushtar i thjeshtë por një melazim ose bimbash dhe kjo kuptohej nga shamia e mëndafshtë që i mbulonte fytyrën. Në këto raste, në të dyja anët e karrocës ecnin me hap të nxituar një numër ushtarësh në shenjë nderimi.

Të plagosurit malazezë, veç sfilitjes, u duhej të duronin edhe poshtërimin. Rrugës për te Saraji i Ri në Parrucë, ku ishte spitali, ata shoqëroheshin nga ushtarë turq të armatosur dhe pas tyre vinte një turmë myslimanësh shkodranë që rrihnin shuplakat nga gëzimi duke thirrur Padishahëm, çok

ja shaaa (Rrofsh o Sulltani im)! Më tutje mund të dëgjoje një turmë redifesh shqiptare prej 100 ose 150 vetësh që ia kishin marrë këngës. Ishte një skenë surreale, ku mjerimi përzihej me festën.

Malazezët zienin nga inati, por nuk e jepnin veten. Një oficer i tyre, kur pa turmën gjithë shend, tha në gjuhën e vet: “mos u gëzoni shumë, sepse në Podgoricë kemi mbi tre mijë robër nga tuajit”. Megjithatë, ushtarët e Mbretit Nikollë ishin me fat që kishin mbetur gjallë. Batalioni i tyre do të ishte shuar i tëri, po të mos kishte patur ndihmën e malësorëve të Shalës, të cilët e njihnin mirë vendin.

Për shkak të fillimit të shirave, malazezët u tërhoqën nga Kiri në kërkim të një vendi më të mbrojtur dhe u pozicionuan në zonën mes liqenit dhe Fushës së Shtojit. Durham shkruan se ata nuk e kuptonin rëndësinë e Bardhajt, si kyçi për marrjen e Shkodrës. Hasan Rizai përfitoi nga ikja e malazezëve për ta fortifikuar më shumë atë zonë.

Në fillim të nëntorit, malazezët nisën një taktikë të re, bombardimin e qytetit, për të trembur komandën turke dhe për ta hedhur popullatën në rebelim. Kjo shënoi fillimin e një periudhe frike dhe terrori. Zakonisht, bombardimi fillonte aty nga mbrëmja, pas rënies së kambanave, dhe

vazhdonte deri natën vonë. Për shkak të frikës, një pjesë e mirë e banorëve të lagjeve që bombardoheshin dilnin jashtë në terr, viheshin varg burra, gra e fëmijë dhe nxitonin drejt pjesëve ku nuk besohej se arrinin predhat.

Njerëzit trokisnin në dyert e miqve apo të afërmve për t’u strehuar. Qyteti ishte i traumatizuar.

Më 1 nëntor, pas luftimeve në Kakarriq, malazezët mundën të kontrollojnë përkohësisht hyrjen për në Shkodër nga ana e Lezhës, por turqit arritën t’i sprapsin. Hasan Rizai donte me çdo kusht ta mbante të hapur këtë rrugë, nga i vinin përforcime me redife dhe vullnetarë të tjerë. Megjithatë, Shkodra kishte mbetur thuajse e izoluar. Në veri, malazezët mbanin disa pozicione kyçe në Koplik dhe në Vrakë. Në jugperëndim ata ndodheshin në Muriqan. Në anën lindore, matanë Kirit, vigjilonte ditë e natë një divizion i tyre.

SHBA e thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

0

Lira turke ndodhet në rënie të lirë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump miratoi dyfishimin e doganave për çelikun dhe aluminin turk. Monedha turke humbi për një periudhë kohe rreth një të pestën e vlerës kundrejt dollarit. Se kur do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja amerikane, nuk është bërë e ditur.

Qeveria turke deklaroi se taksat ndëshkimore për çelikun dhe aluminin shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pritet që të gjithë anëtarët e OBT-së t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, u bë e ditur.

Ndërkohë presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje bashkëkombasve të tij që t’i kthejnë valutën dhe arin që kanë në monedhën vendase, për të vepruar kundër rënies së kursit të lirës. Por kjo thirrje e tij mbeti pa efekt. Rënia e lirës ka vazhduar.

Mosmarrëveshje SHBA – Turqi

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Turqisë janë të rënduara aktualisht nga një sërë mosmarrëveshjesh, midis tyre nga arrestimi i priftit amerikan Brunson në Turqi. Washingtoni synon që me doganat më të larta ta detyrojë Turqinë që ta lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Qeveria amerikane ka disa muaj që kërkon lirimin e klerikut evangjelist. Që prej tetorit 2016 ai ndodhet në paraburgim nën akuzën e spiunazhit dhe të mbështetjes së Partisë Punëtore Kurde (PKK), të kategorizuar si organizatë terroriste në Turqi. Turqia e akuzon Brunsonin edhe që mbështet lëvizjen Gylen. Ajo ka propozuar që prifti amerikan të këmbehet me Gylenin, i cili jeton në SHBA, por kjo është refuzuar prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence e paralajmëroi ditët e fundit Presidentin Erdogan që të përgatitet për masat që do të vijnë, nëse nuk e liron priftin amerikan. Meqenëse lirimi nuk ndodhi, javën e kaluar Presidenti Trump vendosi sanksione kundër Ministrit turk të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, që shihen si përgjegjësit kryesorë për rastin e priftit Brunson./dw