22.9 C
Prizren
E enjte, 3 Korrik, 2025
Home Blog Page 4688

Zbulohet pse Esat Pasha, nuk pranonte ta quanin komandant të Shkodrës

0

Sezoni politik u mbyll me palët kryesore në politikë duke shkëmbyer disa herë akuza të forta politike.

Kryeministri Edi Rama deklaroi disa herë se opozita shqiptare është tradhtare ose ‘esadiste’, një term fyes për Esad pashë Toptanin.

Por cila është historia e Esat Pashës? Një nga figurat më komplekse të historisë shqiptare, për të cilin janë botuar disa libra dhe studime, por gjithnjë i vendosur ose si patriot i kulluar, ose si emblemë e tradhtisë –Esat pashë Toptani nga historianët shqiptarë shpesh është refuzuar, duke vlerësuar studimet mbi të si një përpjekje pa vlerë.

Ashtu si vetë jeta e Esat Pashës, komplekse është edhe përgjigja që jep gazetari i “Zërit të Amerikës”, Ilir Ikonomi në librin e tij studimor “Esat pashë Toptani: Njeriu, lufta dhe pushteti”, publikuar nga UET-PRESS dy vjet më parë.

Gjeni më poshtë fragment nga ky libër.

Lajmi se Mali i Zi i kishte shpallur luftë Turqisë u përhap në Shkodër të mërkurën, më 9 tetor paradite, me anë të tellallit. Qyteti kishte disa ditë që ishte shkëputur nga bota e jashtme, për shkak se linja e vetme telegrafike nëpërmjet Tivarit ishte ndërprerë. Brenda për brenda, komunikimi bëhej me korrierë, të cilët i përcillnin telegramet për në Shëngjin dhe, prej andej, ato

arrinin në Durrës. Në mesditë, nga kalaja e Rozafës krisën tre topa, siç ishte zakoni kur ndodhte diçka me rëndësi. Deri atë ditë, redifet e Esatit mund t’i shihje të shkrehura, duke u sorollatur nëpër pazar. Vetë Esati atë ditë kishte shkuar për të gjuajtur thëllëza.

Dalëngadalë, gjërat po bëheshin më të prekshme. Çdo ditë që kalonte sillte një drithërim të ri në shpirtin e njerëzve, sepse tani askush nuk mund të thoshte me saktësi se ç’po ndodhte dhe nuk dihej se ç’do të sillte dita tjetër. Ankthi u shtua pasditen e 11 tetorit, kur, përveç kërcitjes së topave, që duhet të vinte nga Tuzi, u dëgjuan të shtëna të shumta në formë breshërie në breg të liqenit, mu në rrëzë të Taraboshit, pranë kufirit me Malin e Zi.

Ky shkëmbim i rreptë zgjati deri në orën 7 të mbrëmjes dhe u kushtoi turqve shumë të vrarë e të plagosur.

Mali i Zi kishte marrë Zogajn, në anën jugore të liqenit, afër Shirokës. Nga shtëllungat e zeza të tymit që ngriheshin në atë anë, mund të kuptoje se malazezët po u vinin flakën fshatrave njëri pas tjetrit. Nuk kaloi shumë dhe u mor vesh se bëhej fjalë për një gjëmë të tmerrshme, e cila shfaqej te hutimi dhe pikëllimi i njerëzve që tërhiqnin familje e bagëti për të ikur. Nga ana e malit ishin me mijëra myslimanët që largoheshin. Iknin edhe të krishterët. Para se të niseshin, ata grumbullonin në kishë plaçkat dhe linin në portat e shtëpive kryqe ose figura shenjtësh, që zaptuesi të bënte dallimin me shtëpitë myslimane dhe t’ua kursente flakën. Njerëzit hiqnin këmbët zvarrë nga lodhja, por nuk ndaleshin, sepse Shkodra ishte shpëtimi i vetëm. Kur arrinin në qytet, familjet strehoheshin në hanet e pazarit, ose ku të gjenin shtëpi. Beledia (bashkia) u jepte ndonjë metalik që ata të mund të blinin pak bukë sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Por dukej qartë se qeveria ishte e papërgatitur. Një ditë, dyndja e fshatrave drejt Shkodrës u bë e papërballueshme, sepse qyteti po zhytej vetë në krizë. Hasan Rizai dha urdhër të mos lejohej hyrja e të ardhurve. Përballë klithmave, dënesave, lebetitjeve të grave me fëmijë dhe përgjunjieve të burrave që kërkonin të kalonin me çdo kusht, roja kishte vetëm një fjalë: Jazëk! Nuk lejohet, është urdhër i komandantit.

Dara e malazezëve rreth Shkodrës po shtrëngohej. Më 18 tetor ata kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit në veri dhe ishin duke marshuar drejt Kirit. Në jug, ata bombardonin Taraboshin nga pozicionet që kishin kapur në Muriqan. Hasan Rizai prej kohe kishte menduar për mbrojtjen e Shkodrës në rast të një rrethimi. Punimet e fortifikimit kishin filluar të paktën që në muajin

maj në disa vende njëherësh. Në Shkodër arrinin vazhdimisht me anije në formë dengjesh sasi të mëdha telash me gjemba. Ishte fortifikuar Taraboshi dhe kjo nuk kishte qenë e lehtë, sepse të hapje llogore aty ishte njëlloj sikur të mihje në shkëmb e gur. Edhe në Fushën e Shtojit drejt Vrakës e Koplikut ishin ndërtuar llogore. Ishin fortifikuar edhe kodrat përtej Kirit, sidomos

Bardhaj i Madh, një pozicion me rëndësi. Për Hasan Rizain, ky pozicion dhe e gjithë vija e mbrojtjes në perëndim të tij, deri në liqen, ishin pika më e dobët e garnizonit që ai komandonte.

Esat Pasha përmendet pak në këtë periudhë të parë të rrethimit. Pak është shkruar edhe për marrëdhëniet e tij me Hasan Riza beun. Në një libër të botuar në vitin 1927, marshalli me origjinë shqiptare Fevzi Çakmak, i cili do të luante rol në themelimin e republikës së Ataturkut, shkruan se çështja e komandës së operacioneve nuk ishte fort e qartë, sepse Hasan Rizai ishte komandant i korpusit dhe mbante gradën kolonel, ndërsa Esati ishte pashë, ishte edhe gjeneral brigade. Në të vërtetë, Esati kishte nën komandë një ushtri më të madhe. Të 15 batalionet e redifeve dhe vullnetarëve të tjerë ishin më të shumtë në numër se sa ushtarët e korpusit turk të Shkodrës. Për nga rangu, ishte Esati që duhet të komandonte, por për nga kompetenca ushtarake, komanda duhet t’i takonte kolonel Hasan Rizait, i cili dikur kishte qenë gjeneral, por ishte ulur në rang kur ushtria turke kishte bërë rivlerësimin e gradave. Çakmak shkruan se paqartësitë në zinxhirin e komandës kishin dobësuar disiplinën dhe kishin çuar në shtimin e komitëve.

Në fillim Esatin e thërrisnin komandant i Shkodrës, por atij nuk i pëlqeu ky titull. U vendos që të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes, dhe kështu nënshkruheshin edhe urdhrat që ai nxirrte me shkrim. Ushtaraku i parë do të ishte Hasan Rizai.

Dy nga oficerët më të lartë të garnizonit turk, Abdurrahman Nafiz Gyrman (Abdürrahman Nafiz Gürman) dhe Qeramudin Koxhaman (Kiramettin Kocaman), i kanë bërë një përshkrim të hollësishëm mbrojtjes së Shkodrës në një libër prej rreth gjashtëqind faqesh, që u botua dy dekada më vonë në Stamboll me miratimin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë.

Libri me titull Mbrojtja e Shkodrës në Luftën Ballkanike, duket më tepër si një përmbledhje shënimesh dhe ditarësh pa një kronologji të qartë.

Për arsye që i shpjegojnë edhe në libër, oficerët nuk kishin ndonjë simpati për Esatin. Ata shkruajnë se, pas fillimit të luftës, kreun e redifeve nisi ta brente shqetësimi se malazezët do të arrinin në Shkodër përmes Kirit dhe se qyteti nuk do të mund të mbrohej më. Esat Pasha, thonë ata, donte të shkonte në Tiranë dhe të ruante prej andej lidhjet me Shkodrën.

Këtu, përbuzja e oficerëve është e hapur. Ata e përshkruajnë Esatin si njeri frikacak, që donte t’i shmangej përballjes me malazezët në frontin e Kirit. Pohimet e dy oficerëve nuk vërtetohen nga ndonjë burim tjetër, ndërkohë që dihet se Esati nuk iku nga Shkodra. Sipas asaj që shkruajnë oficerët, ishte Hasan Rizai që arriti ta bindë Esatin të mos largohej. Dëshmitë që ata japin në libër për Esatin janë fragmentare dhe herë-herë kontradiktore, prandaj duhen marrë me rezervë. Ata nuk flasin sidomos për qëllimet me të cilat Esati shkoi në Shkodër. Këto qëllime, me sa duket ishin mjaft të ndryshme nga ato të Hasan Rizait, i cili e mbronte Shkodrën si një qytet turk.

Ka prova që tregojnë se Esati përpiqej të mbante marrëdhënie të mira me katolikët, sepse i shihte me rrezik acarimet fetare mes shqiptarëve. Në një rast, disa nga etërit dhe seminaristët katolikë të Shkodrës, me lejen e valiut po shkonin si zakonisht në vilën e tyre të Bardhajt, nga ku duhet të merrnin ushqime për t’i sjellë në qytet. Papritur, ata u ndaluan nga ushtarët, diku në mesin e shtratit të tharë të Kirit dhe u shoqëruan për në Fushën e Shtojit te një zyrtar, nën të qeshurat dhe romuzet e myslimanëve që bënin sehir.

Zyrtari i dërgoi me një letër përcjellëse tek Esat Pasha, nën shoqërimin e nja dhjetë ushtarëve me bajoneta të ngrehura. Pasi i dëgjoi klerikët, Esati u bërtiti ushtarëve dhe i qortoi që i kishin arrestuar këta njerëz pa arsye. Grupi i katolikëve u la të shkojë në punën e tij.

Hasan Rizai dhe Esat pasha i kishin hyrë një sipërmarrjeje me rreziqe të mëdha, që më vonë do të njihej si mbrojtja e Shkodrës dhe që do të ishte vendimtare për fatin e qytetit. Roli i tyre dhe peripecitë që i ndoqën janë përshkruar nga disa autorë, por për shkak të izolimit të skajshëm të Shkodrës në ato javë dhe muaj tmerri, disa gjëra kanë mbetur të errëta. Për t’iu afruar sa më shumë të vërtetës, ky libër mbështetet kryesisht te rrëfimet e njerëzve që i kanë jetuar ngjarjet.

Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe një ditë më vonë arritën deri në Bardhajn e Madh në lindje, por ata pothuajse humbën në labirintin që krijonin dredhat e lumit, përroskat dhe vreshtat. Beteja u shndërrua shpejt në një masakër. Sipas disa dëshmive, numri i të vrarëve e të plagosurve, të përhapur gjithandej në fushën e luftimeve, shkonte në mijëra. Spitalet e qytetit, ku ngrihej flamuri i bardhë, numëronin deri në pesë mijë të plagosur. Të gjymtuarit i sillnin me karroca, ndërsa ata që mund të ecnin vetë, vinin dy e nga dy duke u mbajtur në krah të njëri-tjetrit. Karrocat sillnin edhe qivure dhe qëllonte që turku brenda tyre të mos ishte ushtar i thjeshtë por një melazim ose bimbash dhe kjo kuptohej nga shamia e mëndafshtë që i mbulonte fytyrën. Në këto raste, në të dyja anët e karrocës ecnin me hap të nxituar një numër ushtarësh në shenjë nderimi.

Të plagosurit malazezë, veç sfilitjes, u duhej të duronin edhe poshtërimin. Rrugës për te Saraji i Ri në Parrucë, ku ishte spitali, ata shoqëroheshin nga ushtarë turq të armatosur dhe pas tyre vinte një turmë myslimanësh shkodranë që rrihnin shuplakat nga gëzimi duke thirrur Padishahëm, çok

ja shaaa (Rrofsh o Sulltani im)! Më tutje mund të dëgjoje një turmë redifesh shqiptare prej 100 ose 150 vetësh që ia kishin marrë këngës. Ishte një skenë surreale, ku mjerimi përzihej me festën.

Malazezët zienin nga inati, por nuk e jepnin veten. Një oficer i tyre, kur pa turmën gjithë shend, tha në gjuhën e vet: “mos u gëzoni shumë, sepse në Podgoricë kemi mbi tre mijë robër nga tuajit”. Megjithatë, ushtarët e Mbretit Nikollë ishin me fat që kishin mbetur gjallë. Batalioni i tyre do të ishte shuar i tëri, po të mos kishte patur ndihmën e malësorëve të Shalës, të cilët e njihnin mirë vendin.

Për shkak të fillimit të shirave, malazezët u tërhoqën nga Kiri në kërkim të një vendi më të mbrojtur dhe u pozicionuan në zonën mes liqenit dhe Fushës së Shtojit. Durham shkruan se ata nuk e kuptonin rëndësinë e Bardhajt, si kyçi për marrjen e Shkodrës. Hasan Rizai përfitoi nga ikja e malazezëve për ta fortifikuar më shumë atë zonë.

Në fillim të nëntorit, malazezët nisën një taktikë të re, bombardimin e qytetit, për të trembur komandën turke dhe për ta hedhur popullatën në rebelim. Kjo shënoi fillimin e një periudhe frike dhe terrori. Zakonisht, bombardimi fillonte aty nga mbrëmja, pas rënies së kambanave, dhe

vazhdonte deri natën vonë. Për shkak të frikës, një pjesë e mirë e banorëve të lagjeve që bombardoheshin dilnin jashtë në terr, viheshin varg burra, gra e fëmijë dhe nxitonin drejt pjesëve ku nuk besohej se arrinin predhat.

Njerëzit trokisnin në dyert e miqve apo të afërmve për t’u strehuar. Qyteti ishte i traumatizuar.

Më 1 nëntor, pas luftimeve në Kakarriq, malazezët mundën të kontrollojnë përkohësisht hyrjen për në Shkodër nga ana e Lezhës, por turqit arritën t’i sprapsin. Hasan Rizai donte me çdo kusht ta mbante të hapur këtë rrugë, nga i vinin përforcime me redife dhe vullnetarë të tjerë. Megjithatë, Shkodra kishte mbetur thuajse e izoluar. Në veri, malazezët mbanin disa pozicione kyçe në Koplik dhe në Vrakë. Në jugperëndim ata ndodheshin në Muriqan. Në anën lindore, matanë Kirit, vigjilonte ditë e natë një divizion i tyre.

SHBA e thellojnë me sanksionet e reja krizën e monedhës turke

0

Lira turke ndodhet në rënie të lirë, pasi Presidenti i SHBA Donald Trump miratoi dyfishimin e doganave për çelikun dhe aluminin turk. Monedha turke humbi për një periudhë kohe rreth një të pestën e vlerës kundrejt dollarit. Se kur do të hyjnë në fuqi sanksionet e reja amerikane, nuk është bërë e ditur.

Qeveria turke deklaroi se taksat ndëshkimore për çelikun dhe aluminin shkelin rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Pritet që të gjithë anëtarët e OBT-së t’u përmbahen marrëveshjeve ndërkombëtare, u bë e ditur.

Ndërkohë presidenti turk Erdogan u ka bërë thirrje bashkëkombasve të tij që t’i kthejnë valutën dhe arin që kanë në monedhën vendase, për të vepruar kundër rënies së kursit të lirës. Por kjo thirrje e tij mbeti pa efekt. Rënia e lirës ka vazhduar.

Mosmarrëveshje SHBA – Turqi

Marrëdhëniet midis SHBA dhe Turqisë janë të rënduara aktualisht nga një sërë mosmarrëveshjesh, midis tyre nga arrestimi i priftit amerikan Brunson në Turqi. Washingtoni synon që me doganat më të larta ta detyrojë Turqinë që ta lirojë priftin Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë.

Qeveria amerikane ka disa muaj që kërkon lirimin e klerikut evangjelist. Që prej tetorit 2016 ai ndodhet në paraburgim nën akuzën e spiunazhit dhe të mbështetjes së Partisë Punëtore Kurde (PKK), të kategorizuar si organizatë terroriste në Turqi. Turqia e akuzon Brunsonin edhe që mbështet lëvizjen Gylen. Ajo ka propozuar që prifti amerikan të këmbehet me Gylenin, i cili jeton në SHBA, por kjo është refuzuar prerë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëvendëspresidenti i SHBA, Mike Pence e paralajmëroi ditët e fundit Presidentin Erdogan që të përgatitet për masat që do të vijnë, nëse nuk e liron priftin amerikan. Meqenëse lirimi nuk ndodhi, javën e kaluar Presidenti Trump vendosi sanksione kundër Ministrit turk të Brendshëm dhe atij të Drejtësisë, që shihen si përgjegjësit kryesorë për rastin e priftit Brunson./dw

Ftesë për Ditën Ndërkombëtare të Rinisë – 12 gusht 2018

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës – Departamenti i Rinisë ju ftojnë të merrni pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes së aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë – 12 Gusht 2018, duke filluar në ora 10:30 në Bulevardin Nëna Terezë para objektit të Ministrisë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit. .

Gjithashtu rekomandojmë të përcjellni ngjarjen tjetër qendrore ku i pranishëm do të jetë edhe ministri z. Kujtim Gashi, ku do të trajtohet mundësia e plotësim-ndryshimit të Ligjit për Fuqizimin dhe Pjesëmarrjen të Rinisë, përmes motos “Hapësira të Sigurta për Rini”. Kjo moto është rekomanduar për qeveritë në mbarë globin nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ky koncept ka promovimin e hapësirave të sigurta për të rinjtë si dhe synim i Departamentit të Rinisë është të ofrojmë mundësi të shumta, kreative dhe të sigurta për të gjithë të rinjtë pa dallime racore, gjinore, fetare ose prejardhja kulturore për të kontribuar lirshëm në komunitet.

“Kur të rinjtë kanë hapësira të sigurta për t’u angazhuar, ata mund të kontribuojnë në mënyrë efektive në zhvillim, duke përfshirë paqen dhe kohezionin social”.

Të bashkangjitur (attachment) e gjeni listën e aktiviteteve për nderë të 12 Gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Rinisë. Duke marrë parasysh numrin e madhë të aktiviteteve që përmban agjenda aktiviteteve e bashkë organizuar nga MKRS / Departamenti i Rinisë dhe Shoqëria Civile, aktivitetet fillojnë me 11 Gusht dhe përmbyllën me 12 Gusht 2018!

Klopp: Më mirë një humbës se sa një fitues si Ramos

0

Jurgen Klopp nuk e fshin dot nga mendja humbjen në finale nga Real Madridi.

Duket sikur i peshon aq shumë sa çdo herë që i vjen rasti, nuk nguron t’a përmendë dhe të arsyetohet. Mbase në këtë formë edhe tenton të shfajësohet.

”Nuk dua të fitoj me çdo kusht. Natyrisht që do të më pëlqente të fitoja Champions Leaguen dhe nuk do e ktheja titullin nëse do bëheshin gjëra pa vend. Nuk e pres këtë nga ai (Ramos), pres vetëm që ai të reflektoje më tepër në vlerësimin e disa situatave të caktuara,” u shpreh Jurgen Klopp.

”Mbase ishte rastësi, por Mohamed Salah u nxor nga ndeshja gjatë një faze të jashtëzakonshme në karierën e tij si futbollist, në mesin e fushës. Shumë njerëz do të thonë që këto gjëra ndodhin, por nëse ky është mesazhi që do u japim fëmijëve tanë, që asgjë nuk është bërë nga kockat dhe gjithçka që vlen është fitorja, atëherë unë do të jem krenar që do të largohem nga ky planet brenda 40 viteve”, vazhdoi ai.

”A jam një humbës i keq? Jo. Por gjatë përgaditjeve tona kishim një diskutim për Ramos sepse ai ishte prej atyre që vendosi finalen e vitit të kaluar me një simulim dhe një karton të kuq për Cuadradon ndaj Juventus. Real Madridi meritoi të fitonte Championsin, askush nuk ka thënë asgjë për këtë, por a duhet t’i mendosh këto situata me Ramos? Jo, nuk duhet!”, përfundoi Klopp.

Perez përgatit blerjen 300 milionëshe

0

Koha kalon me shpejtësi dhe deri tani Real Madrid ka dështuar në blerjen e të paktën një futbollisti galaktik në gjëndje që të bëjë të hedhë në harresë largimin e Cristiano Ronaldos, futbollistit lider i Los Blancos që u transferua te Juventus.

Gjithsesi, sipas raportimeve të “Don Balon”, presidenti Florentino Perez ka një plan. Në mendjen e numrit 1 të klubit madrilen qëndron një blereje galaktike që do të mbërrijë në Santiago Bernabéu përpara mbylljes së merkato së verës. Dhe madje me një çmim që do të vendosë rekordin e ri, plot 300 milionë euro.

Pereze po punon në hije. Plani i presidentit të Real Madrid është që bëjë blerjen e madhe në limitet e merkatos, më pas të bëjë publik transaksionin. Një strategji që funksionoi në perfeksion për blerjen e yjeve si Zinedine Zidane, David Beckham dhe Ronaldo Fenomenin.

Një taktikë që gjithsesi përfshin edhe rrezikun, si në rastin e tratativave për blerjen e David de Gea, që dështoi në skadimin e merkatos. Gjithsesi këtë herë gjërat do të jenë ndryshe, të paktën kështu është i bindur Florentino Perez.

Pas disa vite pa shumë shpenzime në blerje, dhe me shumë arkëtime, përfshirë edhe 100 milionët e siguruar nga shitja e CR7, paratë nuk janë një problem për presidentin Perez dhe Real Madrid që pret një blerje të shtrenjtë galaktike.

Sa afër Mbappes ishte United?

0

Manchester United i ishte afruar Paris Saint-Germainit gjatë verës për të parë mundësinë e një marrëveshje për kalimin e francezit, Kylian Mbappe, shkruan Mirror, njofton Klan Kosova.

Por, si gati me çdo lojtar tjetër këtë afat kalimtar Djajtë e Kuqë dështuan në fund.

Ata ishin kthyer prapa me përgjigje negative nga Parisi për Mbappen.

Zyrtarët francez i kishin bërë me die Ed Woodward-it të United se tinejxheri nuk e ka ndërmend të lëvizë nga Franca.

Shqipëri: Arrestohet vrasësi i 8 personave

0

Është arrestuar pas 12 orësh kërkime vrasësi i shumëfishtë, Ritvan Zykaj, i cili mbrëmjen e djeshme vrau tetë persona të fisit të tij në fshatin Resulaj të Vlorës në Shqipëri.

Arrestimi i 24 vjeçarit u bë mëngjesin e sotëm, ndërkohë që nuk jepen informacione se në çfarë rrethanash është kryer arrestimi i Zykaj.

Në kërkimin e Zykaj morën pjesë repartet më të specializuara të policisë shqiptare.

Zykaj vrau pasditen e djeshme vëllanë e gjyshit të tij si edhe shtatë anëtarë të familjes duke përfshirë edhe dy fëmijë. /klankosova.tv

Kosovari dyshohet se e përdhunoi turisten angleze në Prizren teksa po e vizitonte Kalanë

0

Rruga për këmbësorë, e cila duhet kaluar për të vizituar Kalanë në Prizren është shndërruar në makth para katër ditësh për një turiste angleze. Aty një mashkull shqiptar i Kosovës, me inicialet M.K., thuhet se e ka detyruar që të kryejë marrëdhënie seksuale, përkundër refuzimit.

Ngjarja besohet të ketë ndodhur rreth orës 21:30 minuta në mbrëmje, ditën e martë, 7 gusht 2018, shkruan sot Koha Ditore.

Viktima ka qenë e vetme, duke shkuar për të vizituar Kalanë. Pas kësaj, siç ka mësuar “Koha Ditore”, shtetasja e huaj, përmes një familjeje kosovare, e ka denoncuar rastin në polici. Ajo, sipas burimeve të gazetës, ka deklaruar se nuk e kishte njohur më parë të dyshuarin.

I dyshuari M.K. nga fshati Hoqë, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren është dërguar në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji..

E pazakont: Në rrugën Prizren-Dragash gjenden disa vezë! [Foto]

0

Në rrugën Prizren-Dragash ka ndodhur një ngjarje e pazakont.

Sipas disa fotografive shihet se në rrugë janë vendosur disa vezë, derisa nuk dihet arsyeja se pse persona të panjohur i kanë lënë aty,  shkruan Indeksonline.

Nuk dihet ende se kush e ka bërë këtë gjest, mirëpo për disa çaste rruga ka mbetur me vezët në tokë.

Më poshtë fotot habitëse:

Sponsored by Revcontent

Y

“Triumph”, përveç emocioneve dhe krenarisë, solli edhe Lorik Canën në DokuFest

0

Mbrëmë në kuadër të DokuFesti-të është dhënë premiera e dokumentarit “Triumph” i cili në qendër të tij ka lojtarët e kombëtares shqiptare dhe rrugëtimin e tyre në Kampionatin Evropian 2016, të gërshetuar së bashku me historinë dhe kulturën shqiptare.

Dhjetëra adhurues të filmit por edhe të sportit janë bërë mbrëmë së bashku në ambientin e hapur në Kino Lumbardhi për të parë premierën kombëtare të dokumentarit “Triumph”.

Filmi në fokusin e tij ka lojtarët e kombëtares, shumica e të cilëve janë fëmijë të imigrantëve të cilët kanë lënë Kosovës si pasoje e luftës që ka ndodhur, apo kanë lënë Shqipërinë si pasoje e varfërisë dhe sistemit komunistë të atëhershëm. Të rritur në vende të tjera, ka qenë Shqipëria dhe fanellat kuq e zi që i kanë bërë së bashku këta shqiptarë.

Pikërisht kjo histori dhe bashkimi i këtyre të rinjve ka nxitur edhe regjisorët Kreshnik Jonuzi dhe Luftar Van Rama që të bëjnë një dokumentar për kombëtaren.

“Mendova se sa mirë do të ishte sikur të arrija që të bëja një dokumentar për ekipin kombëtar, kjo ishte pas ndeshjes së parë me Portugalinë. E menduam këtë pasi që tek lojtarët unë dhe Luftari e shihnim vetën tonë, historinë tonë. Edhe ne jemi rritur në Amerikë duke pasur gjithmonë shumë dashuri për Shqipërinë. Lojtarët ishin njerëz të cilët janë nga vendet e tjera por që janë bërë së bashku për të bërë diçka më shumë për popullin e vet”, tregon Kreshnik Jonuzi.

Gjersa Jonuzi flet kuptohet se ai nuk është rritur në trojet shqiptare. Mirëpo, ai duke zgjedhur me kujdes fjalët në gjuhën shqipe në mënyrë që të mos gabojë në formulimin e fjalive, zgjedh fjalët më të bukura që i di dhe flet me shumë dashuri për shqiptarët.

“Emocionet e lojtarëve ishin interesant por nuk e menduam se ky dokumentar do i interesonte gjithë botës derisa ndodhi shfaqja e dronit në Beograd. Ajo ishte si vetëtimë dhe e thirra Luftarin dhe i thash: Ne duhet me e bo deri në fund këtë dokumentar dhe prej asaj natë nuk kemi shikuar asnjëherë prapa”, tregon regjisori duke e konsideruar këtë moment edhe pikën më dramatike të dokumentarit.

Më 14 tetor në vitin 2014, Shqipëria dhe Serbia u përballën në stadiumin e Partizanit në Beograd. Pikërisht kjo ndeshje shënon edhe kulminacionin e dokumentarit. Në këtë ndeshje nuk u lejua që të merrnin pjese tifozët shqiptarë ndërsa ata serb brohorisnin “Vritni, vritni, shqiptarët” dhe “Kosova është Serbi”. Gjatë ndeshjes pati incidente të shumta por kulmi arriti kur në stacion përmes dronit u valëvit flamuri i Shqipërisë etnike i cili kishte në njërën anë fotografinë e Ismail Qemailit e në tjetrën atë të Isa Boletinit, ndërsa poshtë shkruhej “Autoktonë”. Mjaftoi kjo për të nxitur akoma më shumë situatën në stadium ku me pas tifozët sulmuan edhe lojtarët shqiptarë.

Por përveç kësaj pjese çdo gjë brenda dokumentarit për 88 minuta, sa edhe zgjatë ai, të bënë që të mos i ndash sytë nga ekrani. Kjo ndodh pasi që dokumentari përveç që tregon atë që ka ndodhur gjatë ndeshjeve, shfaqë edhe emocionet dhe mendimet e lojtarëve. Ai shfaq shakat e tyre gjatë udhëtimeve, luftën e tyre në fushë për të arritur fitoren, dashurinë që kanë për njëri-tjetrin por edhe historitë e tyre personale që u bënë pjesë e këtij rrugëtimi.

“Kemi gjetur shumë mbështetje te ekipi pasi që na ndihmonin të bënim atë që ne kishim dëshirë. Prej që kemi filluar kemi xhiruar sa më shumë që kemi pasur mundësi pasi që nuk e dinim se çfarë do nxjerrim”, u shpreh Jonuzi.

Filmi sjellë histori të ndryshme duke prekur aspektet kulturore, politike dhe historike. Sipas Kreshnik Jonuzit, filmi po ashtu tregon sesi shqiptarët arrijnë diçka që para 20 vite as që kanë pasur mundësi ta imagjinonin dhe pikërisht kjo sipas tij duhet që të jetë një shtytje përpara që të punojmë edhe më shumë që pas 20 viteve të arrijmë akoma më shumë.

Filmi “Triumph” është shfaqur edhe në Varshavë, Dallas, Berlin, e vende të tjera mirëpo sipas regjisorit Luftar Von Rama, këtij filmi i kishte munguar një premierë në trojet shqiptare.

“Është shumë interesant pasi që ne pamë emocione të njerëzve nga e gjithë bota dhe ata ishin çuditur se sa emocionues ishte historia dhe sesi ky vend që shumica e tyre nuk e dini as që ekzistonte, kishte një histori të tillë. Të gjithë ata njerëz në fund kanë brohoritur për ne dhe kjo është pjesa më e mahnitshme e kësaj historie dhe jemi shumë të lumtur që jemi këtu”, u shpreh ai.

Dokumentari është bërë me vetëfinancim kurse regjisorët janë ndihmuar edhe nga komuniteti i shqiptarëve në Amerikë për të realizuar këtë film. I pranishëm në premierën kombëtare në Prizren ishte edhe ish-kapiteni i kombëtares, Lorik Cana.

Ai diskutoi me publikun dyshimet që kishin pasur gjatë këtij rrugëtimi dhe sesi nuk kishin menduar se do të arrinin aq sa kana rritu. Mirëpo sipas tij pikërisht kjo arritje do të shërbej si shtytje që çdo herë të kërkojnë më shumë.

“Është për tu duartrokitur mënyra sesi regjisorët kanë arrit t’i përçojnë mesazhet. Ata kanë qenë me fat që kanë arritur të pranohen brenda ekipit kombëtar në të cilin ne jemi të izoluar, jo sepse nuk dëshirojmë që të shfaqemi por sepse duhet të jemi të përqendrua në detyrën tonë. Ata kanë pasur mundësi që ti ndajë këto momente dhe ta arkivojë një histori të sportit dhe të vendit tonë dhe kjo e bënë këtë mundësi të jashtëzakonshme dhe për mendimin tim kjo është bërë shumë, shumë mirë”, theksoi Cana i cili pranoi edhe një dhuratë nga tifozët Kuq e Zi të Prizrenit.

Në ‘Triumph’, bëjnë pjesë personazhe si Lorik Cana, Gianni DeBiasi, Paolo Tramezzanni, Shkëlzen Gashi, Blendi Fevziu, Dritan Shakohoxha, e të tjerë./ KultPlus.com