27.5 C
Prizren
E shtunë, 5 Korrik, 2025
Home Blog Page 4698

Në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë do të investohen rreth 10 milionë euro

0

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, bashkë me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Ministrin e Financave Bedri Hamza, kanë vizituar sot Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Në kuadër të kësaj vizite, ata kanë parë nga afër situatën e tanishme të stadiumit dhe janë pajtuar që kjo arenë sportive të shndërrohet në stadium të kategorisë së katërt sipas standardeve të UEFA-së.

Ministri Gashi ka deklaruar se MKRS-ja është në procedura që edhe stadiumin në Mitrovicë ta shndërrojnë në kategorinë e katërt. “Jemi në procedura që ta shndërrojmë stadiumin në Mitrovicë në të kategorisë së katërt në mënyrë që reprezentacioni i Kosovës të ketë mundësi t’i zhvillojë ndeshjet edhe në këtë stadium”, tha mes tjerash ministri.

Ai paralajmëroi se do të ketë investime të reja e të mëdha në stadiumin në Mitrovicë dhe Kosova do t’i ketë dy stadiume të kategorisë së katërt. “Dalëngadalë po i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe kriteret e UEFA-së që Kosova përfundimisht të gjitha t’i zhvillon në Kosovë pa pasur nevojë t’i shfrytëzojë stadiumet e shteteve përreth”, ka thënë ministri.

“Jam shumë i bindur që në vitin 2019 stadiumi ‘Adem Jashari’ do të jetë i gatshëm dhe të kthehet në kategorinë e katërt dhe do të jetë ndër stadiumet më të bukura edhe për shkak të kapaciteteve që ka ky stadium”, paralajmëroi ministri Gashi.

Ndërkaq, Kryetari i Kuvendit deklaroi se Mitrovica, sporti dhe ekonomia janë interesa strategjike të vendit tonë. “Vizitat që po i realizojmë ditëve të fundit tregojnë për një përkushtim të qartë tonin për modernizimin e sportit në vendin tonë”.

“Në bazë të asaj që kam biseduar me ministrin e sportit dhe atë të financave, në stadiumin e Mitrovicës do të investohen rreth 10 milionë euro, ku do t’i ndërrohet tërë fasada e jashtme dhe do të modernizohet infrastruktura e brendshme e këtij stadiumi”, ka njoftuar Veseli.

Ndërsa, Ministri i Financave, Bedri Hamza deklaroi se Qeveria e Republikës së Kosovës përveç se do të sigurojë financim të qëndrueshëm për objektet sportive do të vazhdohet me financimin e projekteve të fuqishme në Mitrovicë.

Rahovecasi i dehur rrah anëtarët e familjes

0

Të mërkurën në Rahovec, është arrestuar një burrë, pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit ka sulmuar fizikisht anëtarët e familjes si dhe ka dëmtuar orenditë shtëpiake.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Nxënësit e Mamushës kërkojnë rifunksionalizimin e Shtëpisë së Kulturës

0

Është realizuar iniciativa “Rifunksionalizimi i Shtëpisë së Kulturës” në Mamushë.

“Kërkesa për futjen në funksion të kësaj ndërtese ka ardhur nga nxënësit e Shkollës për aftësimin e të rinjve për aktivizëm në komunitet të mbajtur në kuadër të projektit AktRural (RuralAct) – aktivizmi i të rinjve në zonat rurale të Kosovës. Bashkëpunëtorë të kësaj iniciative janë edhe Komuna e Mamushës, me ndihmën e të cilëve është bërë pastrimi i ndërtesës dhe shfaqja e një filmi për banorët e këtij vendi”, thuhet në komunikatën e organizatës jo-qeveritare EC Ma Ndryshe.

Ky aktivitet është financuar nga projekti “Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë, financuar nga Qeveria e Dukatit të madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).”

79 aksidente trafiku brenda 24 orëve të fundit

0

Policia e Kosovës ka raportuar se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur gjithsejtë 79 aksidente trafiku, prej të cilave 27 kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 52 të tjera me dëme materiale.

Të dhënat e policisë flasin për një rritje të numrit të gjobave në trafik që nga krijimi i një “Task Force” e cila si synim ka parandalimin e aksidenteve në trafik.

Vetëm brenda 24 orëve, policia rrugore ka ndëshkuar 1 759 pjesëmarrës që kanë thyer rregullat e komunikacionit.

Ishulli indonezian përballet me një tjetër tërmet të fuqishëm

0

Ishulli indonezian, Lombok është goditur nga një tërmet i fuqishëm, teksa ende është duke u përballur me pasojat e dridhjeve të së dielës.

Vëzhguesi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara ka njoftuar se tërmeti ka qenë 5.9 shkallë dhe është raportuar se mund të ketë rrëzuar disa ndërtesa.

Ekipet e shpëtimit janë ende duke kërkuar nën rrënoja, në tentim për t’iu ndihmuar viktimave që ka shkaktuar tërmeti i kaluar.

Kryqi i Kuq ka thënë se incidenti, i cili ka lënë të vdekur të paktën 131 persona ka qenë “jashtëzakonisht shkatërrues”.

Disa fshatra “janë dëmtuar plotësisht”, ka njoftuar zyrtari i Kryqit të Kuq në Lombok, Christopher Rassi.

Shifra zyrtare e personave të vdekur arrin në 131 ndonëse mediat lokale kanë raportuar për 347 të tillë.

Qeveria ka deklaruar që më shumë se 1,400 persona janë plagosur dhe se rreth 156,000 të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Chelsea insiston për mbrojtësin e Juventusit

0

Skuadra londineze është e interesuar që ta ketë mbrojtësin italian në radhët e veta për edicionin e radhës, meqë trajneri italian është i interesuar në forcimin e vijës së fundit

Chelsea ka bërë një ofertë prej 40 milionë eurosh për mbrojtësin e Juventus, Daniele Rugani, raportojnë mediat britanike.

Menaxheri i ri Maurizio Sarri ka punuar me Rugani tek Empoli, për dy vjet, dhe tani do që italianin ta ketë sërish nën urdhrat e tij.

Blutë janë të përgatitur t’ia dyfishojnë rrogën atij në përpjekje për ta bindur që të kalojë në Londër gjatë këtij afati kalimtar.

Real s’do ta shesë Modriq, i ofron kontratë të re

0

Real Madrid nuk është i interesuar ta shesë mesfushorin kroat Luka Modriq, ndaj i ka ofruar kontratë të re për ta mbajtur në Spanjë.

Në javët e fundit kroati ka qenë i lidhur me një kalim tek gjiganti italian Inter, që është raportuar të ketë goxha interesim për ta blerë.

Madje mediat italiane kanë shkruar se Modriq ka arritur marrëveshje në parim me skuadrën nga Guiseppe Meazza dhe pret vetëm aprovimin e skuadrës spanjolle.

Por vet mesfushori nuk ka folur akoma, ndërsa Të Bardhët raportohet të mos jenë të gatshëm ta lënë të largohet këtë verë.

“DokuFesti” për hapjen e dyerve drejt “Evropës kreative”

0

Pas suksesit të kinematografisë kosovare jashtë vendit, me shfaqjen e filmave nëpër festivale të kategorisë “A”, shumë njerëz e panë potencialin e biznesit dhe investimit në këtë fushë, shkruan sot Koha Ditore.

Mundësitë që kjo industri të zhvillohet edhe më shumë janë të qarta, por ajo që mungon janë mbështetja dhe zhvillimi i duhur i saj.

Një formë e mirë për të ecur një hap më tej në këtë drejtim është konsideruar nënprogrami për media i “Evropës kreative”. Pas pranimit të Kosovës në këtë program shumë të rëndësishëm, synimi i radhës është qasja në të. Prandaj festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, në kuadër të programit të tij ka realizuar programin “Kosova kreative” me qëllim të zhvillimit të rrjetit evropian dhe rajonal të partneritetit kulturor dhe ngritjen e kapacitetit të sektorit kulturor dhe krijues në vend, në përgatitje për pranimin e aplikacioneve në programin e “Evropës krative”. Kjo do t’i paraprijë edhe përgatitjes për praninë në nënprogramin e tij.

Në korrik të këtij viti, në një mbledhje të Qeverisë, është miratuar marrëveshja e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje të vendit në programin “Evropa kreative”. Tani procesi ka mbetur te ratifikimi i kësaj marrëveshjeje.

PSG kontakte me yllin e Barcës, kërkon t’i paguaj klauzolën

0

Forma e mirë në Kupën e Botës e Ivan Rakitic nuk ka mbetur pa u vënë re nga klubet e mëdha evropiane.

Kroati, në sezonin e kaluar ishte futbollisti më i përdorur nga Erneste Valvede dhe që nga ardhja e tij në Camp Nou ka qenë i padiskutueshëm në 11-shën e parë.

Sipas Mundo Deportivo, finalisti i Kupës së Botës ka patur kontakte me skuadrën franceze, PSG, shkruan indeksonline.

Edhe pse lojtari nuk u shpreh i gatshëm për tu larguar, më shqetësuese është klauzola e lirimit të tij.

Francezët duhet të paguajnë 125 milionë euro në arkat e Barcës nëse arrijnë marrëveshje personale me lojtarin.

Rakitic ka kontratë me pesë herë kampionët e Evropës deri në vitin 2021.

Tentim vrasje në Suharekë pas mosmarrëveshjes rreth një parkingu

0

Një rast i tentim vrasjes ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Suharekë.

Sipas Policisë Rajonale të Prizrenit, e cila sapo ka dërguar njoftimin, rasti ka ndodhur rreth orës 19:30, në rrugën e “Buzhalëve” në Shirokë të Suharekës.

Policia njofton se aty ka ndodhur një ngatërresë, e cila ka përfunduar me përdorimin e armës.

Sipas raporteve hetimore, dyshohet se tre të dyshuar: dy vëllezër dhe një tjetër, kanë pasur një mosmarrëveshje rreth një parkingu të automjeteve e më pas janë përleshur.

Pas përleshjes, njëri nga të dyshuarit ka shkuar me automjet në një lokal dhe e ka marrë një armë me të cilën ka shtënë në drejtim të kundërshtarit por nuk e ka qëlluar.

Të dyshuarit janë marrë në pyetje për rastin.

Ndërkaq, një kalimtar ka kërkuar ndihmë mjekësore pasi që kishte pësuar një gërvishtje të lehtë në qafë e që mjeku nuk ka mundur ta përcaktojë se me çfarë ishte shkaktuar lëndimi dhe mbetet për t’u sqaruar në hetimet e mëtejme.

Me këtë rast është sekuestruar një pistoletë e llojit “Parabellum”, prodhim korean, me 7 fishekë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari ndalet nën masën e arrestit policor.