24.6 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025
Home Blog Page 4714

Ministria e Kulturës do të investojë 800 mijë euro në Dragash

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Komunën e Dragashit ku është takuar me kryetarin e komunës së Dragashit, Shaban Shabani.

Nën shoqërimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që vijnë nga Regjioni i Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, Duda Balje dhe Nezir Çoçaj, ministri Gashi e kryetari Shabani kanë nënshkruar dy memorandume bashkëpunimi, ndërtimin e palestrës sportive në Dragash, në vlerë financiare prej 700 mijë euro dhe ndërtimin e stadiumit në Dragash në vlerë prej 100 mijë euro.

Projekti i ndërtimit të palestrës sportive, në bazë të memorandumit, do të implementohet në dy faza. MKRS do të ndajë 200 mijë euro për vitin 2018, ndërkaq për vitin 2019 do të ndajë 500 mijë euro. Ndërsa, për projektin e stadiumit, ministria do të ndajë 100 mijë eurot e parapara në vitin 2019.

Me këtë rast, Ministri Kujtim Gashi, tha se MKRS-ja po investon në infrastrukturën sportive ashtu që të përmirësojë kushtet për të rinjtë e Kosovës që të merren me sport. “Sigurisht që edhe kjo vizitë është në kuadër të vizitave që po bëjmë nëpër komunat e Kosovës me qëllimin që t’i ndihmojë ato veçanërisht komunave të vogla që kanë më pak buxhet”, tha ministri Gashi.

“Bashkë me deputetët jemi sot këtu edhe për ta konfirmuar mbështetjen për kryetarin e komunës. Jam i lumtur që kemi arritur deri te konkretizimi i marrëveshjes për palestrën sportive i cili ka pasur fat të keq të mos ndërtohet deri tani. Kryetari ka pasur vazhdimisht kërkesë për ndërtimin e stadiumit të qytetit. Jemi pajtuar që edhe ky projekt të përfundojë dhe ai do të filloj në vitin 2019. Kemi pasur edhe një kërkesë nga deputetja znj. Balje për të investuar në vendbanimet që banojnë komuniteti boshnjak në këtë zonë. Edhe aty do të kemi një teren sportiv në mënyrë që ky komunitet të jetë pjesë e të gjitha aktiviteteve sportive që zhvillohen në komunën e Dragashit”, ka thënë mes tjerash ministri Gashi.

Ndërkaq, Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, e falënderoi ministri Gashi për angazhimin e tij për investimet në komunën që ai udhëheq dhe tha se sot ndjehen të nderuar si Komunë e Dragashit pas kësaj vizite të këtij delegacioni të zgjeruar. “Memorandumet që nënshkruam sot me ministrin Gashi janë dy projekte madhore për Komunën e Dragashit, projekte që do të rrisin nivelin e aktiviteteve sportive dhe gjithsesi do të krijojnë kushte më të mira për sportistët tanë” u shpreh kryetari.

Florenzi vazhdon kontratën me Romën

0

Mbrojtësi i krahut të djathtë ka pranuar që të që qëndrojë edhe për pesë vite te skuadra romake.

Alessandro Florenzi shuan dyshimet rreth së ardhmes së tij tek Roma. Kjo pasi mbrojtësi ka vendosur më në fund të rinovojë kontratën e tij me verdhekuqtë, duke e vazhduar atë deri në verën e vitit 2023.Lajmi është bërë i ditur nga Roma dhe lojtari, nëpërmjet faqeve zyrtare.

Nuk dihet ende se sa do të jetë rroga e Florenzit tashmë, por e sigurt është se termat financiarë janë përmirësuar ndjeshëm. “Jam shumë krenar dhe i lumtur që jam lidhur përjetësisht me qytetin tim të lindjes, Romën”, ka thënë Florenzi.

“Kam dhënë gjithmonë gjithçka për këtë skuadër dhe kam vendosur gjithmonë zemrën në fushë,. Kam vendosur të jem një shembull për të gjithë lojtarët që kemi blerë këtë vit dhe do të afrojmë në vitet në vijim”, theksoi ai. 27-vjeçari luan prej shtatë sezonesh te Roma, teksa ka zhvilluar plot 183 ndeshje, duke shënuar edhe 22 gola me verdhekuqtë.

Plagosje me armë zjarri në Suharekë

0

Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në fshatin Samadrexhë të Suharekës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë në rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi.

“ Po, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri në fshatin Samadrexhë të Suharekës. Njësitet policore janë në vendin e ngjarjes dhe po merren me rastin”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ai shtoi se nga informacionet e para nga vendi i ngjarjes është plagosur një person rreth moshës 33 vjeçare, por është jashtë rrezikut për jetë.

Gashi shtoi se ende nuk dihen motivet e plagosjes.

“Ende nuk dihen motivet e plagosjes, hetuesit po merren me rastin”, tha Gashi për KALLXO.com.

Ai shtoi se të dyshuarit për rastin janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Nisin hetimet ndaj Osman Ismajlit, komandant i Policisë në Rahovec

0

Drejtoria Rajonale në Gjakovë  ka njoftuar se pas raportimit të KALLXO.com  me titull “Gruaja e komandantit vozitet me veturë zyrtare”, kanë  filluar hetimet për komandantin e stacionit të policisë në Rahovec, Osman Ismajli.

KALLXO.com ka publikuar dje video në të cilat shihet se në së paku tetë raste Lirije Osmani, bashkëshortja e komandantit të policisë në stacionin e Rahovecit, Osman Ismajlit ka udhëtuar me veturë zyrtare.

“Është iniciuar procedura ligjore ndaj komandantit të stacionit policor në Rahovec, ku fillimisht çështja është dërguar për shqyrtim në Inspektoratin Policor të Kosovës e paralelisht është njoftuar edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale e Policisë së Kosovës dhe varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat adekuate”, thuhet në përgjigjen e drejtorisë rajonale në Gjakovë dhënë për KALLXO.com.

Drejtoria Rajonale në Gjakovë ka thënë për KALLXO.com se çështja e shfrytëzimit të automjeteve të Policisë së Kosovës është e rregulluar përmes rregulloreve të brendshme ku përcaktohen edhe kufizimit e përdorimit të tyre.

“Për çdo identifikim apo raportim të keqpërdorimit të automjeteve zyrtare ndërmerren veprime sipas procedurave standarde disiplinore”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Ndryshe komandanti Osman Ismajli, në një prononcim të tij dhënë përmes telefonit për KALLXO.com ka deklaruar fillimisht se bashkëshortja e tij ‘udhëton me autobus’. Mirëpo, kur është pyetur se ka filmime ku bashkëshortja e tij shihet duke udhëtuar me veturën zyrtare të policisë, Ismajli ka deklaruar më pas se ‘kjo ka ndodhur, por se nuk do të ndodhë më’.

Dhuna, brutaliteti, kalemi dhe kritika e PDK-së në Prizren

0

Kryesuesi i Kuvendit të Prizren, Artan Abrashi, ka komentuar shkurt akuzat e PDK-së.

“Fakti se PDK krahas dhunës dhe brutalitetit primitiv din të përdor kalemin për komunikatë dhe kritikën për konferencë, është lajmi më inkurajues në këto 18-të vitet e fundit, dhe këtë proces të civilizimit dhe qytetërimit nuk dua ta prishë me kundërkritikë”, tha Abrashi, shkruan “PrizrePress”.

“Thjeshtë i përgëzoj, dhe në këtë pikë e kanë mbështetjen time të pa rezervë si kryesues i Kuvendit”.
Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Artan Abrashi, në seancën e fundit, është gjuajtur me shishe të ujit nga kuvendari i PDK-së, Bardh Avdaj.

PDK, akuzoi sot Abrasin, si shkaktar të skandalit në seancën e fundit.

Sipas këtij subjekti politik, Abrashi ka improvizuar rendin e ditës në seancën e Kuvendit./PrizrenPress.com/

PDK në Prizren, akuza të rënda kundër kryesuesit të Kuvendit, Artan Abrashi

0

Shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së, Simir Krasniqi,ka akuzuar kryesuesin e Kuvendit në Prizren, Artan Abrashin, si shkaktar të skandalit në seancën e fundit.

Sipas tij, Abrashi ka improvizuar rendin e ditës në seancën e Kuvendit.

“I drejtohem qytetarëve të komunës së Prizrenit dhe opinionit publik se shkaktar i situatës së ngritjes së tensioneve në seancën e rregulltë të Kuvendit Komunal të Prizrenit të mbajtur më datë 31.07.2018. është kryesuesi i kuvendit dhe kryetari i komunës duke improvizuar rend dite, diktat të debatit me qëllim të shmangies nga realiteti prej të cilit ka devijuar qeverisja e shantazhuar nga humbësit e zgjedhjeve qe janë partnere të koalicionit”, tha Krasniqi.

“Në seancën e mbajtur të kuvendit Komunal në Komunën e Prizrenit, kishte skenar per shkelje të rregullores së punës së Kuvendit dhe Ligjit për Qeverisje Lokale. Udhëheqja e dobët dhe drejtimi i punimeve të seancës në mënyre autokratike dhe të njëanshme nga kryesuesi i Kuvendit ishte reflektim i krizës në të cilën gjendet koalicionit i qeverisë Haskuka”.

“ Është e përcaktuar me ligj dhe me rregullore që gjate debatit në rendin e ditës kur përmendet me emër dhe mbiemër ndonjë kuvendar ka të drejt replike dhe nuk është çështje vullnetit të kryesuesit por obligim ligjor që ti jepet fjala. Këtë e precizon shumë mirë, neni 6. pika 6 të rregullorës së punës së kuvendit. Mosdhënia e fjales dhe nderprerja arbitrare e seances deri në pauzë është shkelje ligjore”.

“Asnjë kryesues kuvendi nuk mund t’ia mohoj deklarimin asnjë kuvendari aq me pak kuvendarit të grupit më të madh parlamentar”.

“PDK dënon udhëheqjen autokratike të seancës nga kryesuesi, sjellja a tij prej monarku e mohon debatin dhe dobëson demokracinë përfaqësuese të qytetarëve”.

“PDK kërkon nga kryesuesi i Kuvendit dhe kryetari i Komunës që të braktisin skenarin e grupeve paramilitare të VV për të luajtur rolin e viktimës dhe rolin e të debatit për të arsyetuar skandalet në DKA, në kuvendin komunal dhe skandalet ne mënyre zëngjirore të shpenzimeve dhe keqpërdorimeve financiare të buxhetit komunal. Nuk mund të orkestroni kriza politike për të mbuluar e kamufluar dështimet tuaja. Bllokada e funksionimit të koalicionit për drejtor dhe zv.drejtor shkollash e punësime në komunë me e pa konkurs për llogari të tre kryetareve të koalicionit të cilët janë kryetarët real të udhëheqjes së qytetit e bëjnë jo vetëm një kryetar kukull, por edhe qesharak e të hutuar në rolin e vet kryetarit aksidental të Prizrenit”, /PrizrenPress.com/

UPZ, memorandum bashkëpunimi me “Open Data Kosovo”

0

Dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Asoc.Dr. Samedin Krrabaj, të hënën ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet OJQ “Open Data Kosovo” (ODK) dhe Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Në një komunikatë për media thuhet se, ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim përcaktimin e fushave të bashkëveprimit në mes të dy palëve në kuadër të projektit Open ICT Education for Youth Employability dhe projekteve të tjera që mund të zhvillohen ndërmjet Open Data Kosovo dhe Fakultetit te Shkencave Kompjuterike të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

Fakulteti i Shkencave Kompjuterike i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren dhe Open Data Kosovo pajtohen të bashkëpunojnë në këto fusha:

· Ofrim të kurseve të hapura online ekstrakurrikulare për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike;
· Ofrim të këshillimit dhe mentorimit të punës së studentëve në kuadër të kurseve online, me qëllim të përfitimit të një niveli të lartë të njohurive dhe zhvillimit të shkathtësive praktike për aplikim të njohurive të fituara gjatë kurseve të përmendura;
· Në evente të organizuara në kuadër të projektit me qëllim të rrjetëzimit të studentëve me sektorin e biznesit, dhe në evente që kanë për qëllim informimin e studentëve për trendet dhe mundësitë të cilat ofrohen në fushën e TIK-ut.

Ky memorandum bashkëpunimi obligon Open Data Kosovo, për(në):

· Ofrimin e qasjes në platformën e kurseve masive te hapura online për studentët e Fakultetit të Shkencave Kompjuterike të Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”;
· Prezantimin e projektit për kurset e hapura online para studentëve;
· Ofrimin e informatave dhe udhëzimeve teknike rreth qasjes në platformë;
· Ofrimin e këshillimit dhe mentorimit të studentëve në oraret e disenjuara për këtë (2 orë në javë përgjatë 19 muajsh);
· Përzgjedhjen e studentëve me rezultatet më të mira, për pjesëmarrje në bootcamp;
· Promovimin e vazhdueshëm të studentëve të suksesshëm të kurseve online në rrjetet sociale dhe në materialet e tjera promovuese të parapara të zhvillohen në kuadër të projektit;
· Dhurimin e 4 kompjuterëve për sallën e kompjuterëve të Fakultetit të Shkencave Kompjuterike;
· Koordinimin me Fakultetin e Shkencave Kompjuterike të të gjitha aktiviteteve që zhvillohen me studentët e këtij fakulteti. /PrizrenPress.com/

Sekuestrohet një armë në një shtëpi në Korishë të Prizrenit

0

Të martën në fshatin Korishë të Prizrenit, gjatë kontrollit në shtëpinë e një të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një AK-47, shkruan PrizrenPress.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar.

Rasti vazhdon të hetohet, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Meteoalarmi: Kroacia është vendi më i rrezikshëm në Evropë

0

Meteoalrami i kuq është ndezur për tërë bregdetin Adriatik, nga Istra deri në jugun e skajshëm të Kroacisë.

Kroacia, krahas disa pjesëve të Spanjës e Portugalisë është vendi më i rrezikshëm në Evropë sa u përket temperaturave të larta, transmeton gazetametro.net.

Index.hr bën të ditur se meteoalrami i kuq është ndezur për tërë bregdetin Adriatik, nga Istra deri në jugun e skajshëm të Kroacisë.

Më herët është njoftuar se një pjesë e gadishullit Iberik e ka përfshirë një valë e madhe e nxhtësisë, si dhe pritet që temperaturat në fundjavë të arrijnë edhe 47 gradë në jug të Portugalisë.

Zyrtarët kanë tërhequr vërejtjen se temperatura po ngritet për shkak të masës së ajrit të valë, e cila po lëviz nga veriu i Afrikës.

Kapet me drogë, arrestohet një burrë në Prizren

0

Policia në Prizren ka arrestuar një burrë pasi që te i njëjti gjatë kontrollit janë gjetë dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë me peshë 1.23 gram, shkruan PrizrenPress.

Sipas Policis, i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt. / PrizrenPress.com/