15.8 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4723

Katër të lënduar pas një aksidenti në Prizren

0

Të martën në Prizren raportohet për një aksident trafiku në mes të dy automjeteve, njëri me targa vendore dhe automjeti tjetër me targa të huaja, dhe me vozitës shqiptarë.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë marrë dy vozitësit dhe katër pasagjerë, një i mitur dhe tri femra.

Pas tretmanit mjekësor në spitalin e Prizrenit, të lënduarit janë liruar.

Me vendimin e prokurorit rasti do të inicohet dhe mbetet të hetohet, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Inter po përgatit ofertë për Modriq

0

Inter është duke përgatitur një ofertë për ta transferuar asin e Kroacisë dhe të Real Madrid, Luka Modriq.

Skuadra nga Serie A ka vënë kontakt me agjentin e mesfushorit për të diskutuar mundësinë e blerjes gjatë verës.

Për këtë gjë Modriq folur edhe me bashkëlojtarët tek Kroacia Ivan Perisiq dhe Marcelo Brozoviq gjatë Kupës të Botës.

Si rezultat i interesimit në Modriq, skuadra nga Guiseppe Meazza ka pezulluar operacionin për blerjen e Arturo Vidal.

Nisma në Prizren: Bardh Avdaj, tregoi fytyrën e vërtet të PDK-së

0

Partia Nisma ka reaguar ndaj sulmit të kuvendarit të PDK-së, Bardh Avaj, ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Artan Abrashi.

“Në demokraci, përdorimi i forcës nënkupton humbje të logjikës së shëndoshë”, thuhet në reagimin e Nismës në Prizren.

“Atë që pamë sot në Kuvendin Komunal të Prizrenit, tregon qartë fytyrën e vërtetë të PDK-së. Tregon se kjo parti brenda vetes ka kultivuar gjithçka amorale e abuzuese, e aspak demokratizim të brendshëm partiak”.

“Prandaj sulmi ndaj kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit, veçse e dëshmoi këtë përmes një kuvendari i cili, sigurisht se nuk ia ka haber se çdo të thotë norma, rregulli e rendi demokratik. Aty është vendi i debatit dhe i rivalitetit të vlerave, dhe destruksioneve kreative e logjike, e jo vend për të treguar muskujë e forcë”.

“Prizreni ka ditur dhe ka reflektuar gjithnjë kulturë komunikimi, prandaj shpresojmë qe të vazhdojë edhe me tej kështu dhe për t’mos e humbur këtë vlerë që kemi, është e domosdoshme një kërkimfalje e menjëhershme nga ana e PDK-së në këtë situatë..”/PrizrenPress.com/

“Sofra Gurbetqare” përçon vlera të mirëfillta kulturore shqiptare  

0

 

Nën përkujdesjen e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur sonte “Sofra Gurbetqare” në Shatërvan të Prizrenit, ku Ansambli “Emin Duraku” nga Zhuri dhe grupe e solistë tjerë mysafirë kanë performuar me këngë e valle për bashkatdhetarët që cilët po kryejnë pushimet e tyre verore në vendlindje.

“Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë.

Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të Mërgatës, u shpërndanë edhe mirënjohje për individë dhe organizatë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet e Mërgatës ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë.

Me këtë rast, ministri Gashi, i cili mori pjesë në këtë organizim, u shpreh se me kënaqësi MKRS-ja dhe pa hezitim e ka përkrahur këtë ngjarje. “Aktivitete të kësaj natyre që përpos shprehjes së falënderimit për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Ministria po mbështetë edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore. Ne po punojmë vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”, u shpreh ndër të tjera ministri.

â??Sofra Gurbetqareâ?, shtrohet në Prizren

Ankohet invalidi i UÇK-së në Prizren (Video)

0

Dyzetedy mijë euro i kishte ndarë Qeveria e Kosovës që Florim Kryeziu nga Prizreni të shkojë në Gjermani e të ndërrojë protezën e këmbës.

Kryeziu i cili gëzon statusin e invalidit të luftës, u trajtua për tetë ditë në bazë të një marrëveshje të arritur mes Shoqatës së Invalidëve të Luftës dhe kompanisë protetike ORS.

Por, dy muaj pas kthimit nga atje, ai po ankohet se dikush i keqpërdori mjetet financiare të ndara për të.

 

Kanceri që mori jetën e tre personaliteteve brenda 2 muajve

0

Brenda pak më shumë se dy muaj, sëmundja e kancerit ua mori jetën tre personaliteteve të njohura të artit në Kosovë. Kujtim Paçakut, Ragip Sylajt dhe Bekim Lumit. Të tre këta, për një kohë gjatë vuanin nga sëmundja e kancerit. Ata vdiqën duke lënë lënë pas vetës krijimtari të madhe letrare: libra, poezi, dhe shfaqje.

Ish-deputeti dhe ish-autor i shumë poezive, Kujtim Paçku, sëmundja e kancerit ia kishte marrë jetën më 17 maj të këtij viti.

Paçku kishte lindur në mars të 1959, në Prizren. Ai kreu studimet e degës së Muzikës në Akademinë e Arteve, dhe ato postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore, për t’u bërë më vonë edhe nxënës në klasën e legjendës së filmit Faruk Begollit, në Akademinë për Aktrim dhe Regji.

Ish-deputeti rom i Kuvendit të Kosovës, për disa mandate, po ashtu kishte diplomuar në romologji në Universitetin e Sorbonës në Paris. Por, para se të merret me politikë, ku përfaqësoi komunitetin e tij, për disa vite, sa ishte i ri, Kujtim Paçaku punoi si arsimtar në një shkollë fillore në Suharekë, e më vonë ligjëroi edhe në shkolla verore të organizuara për pjesëtarët e komunitetit rom në Kosovë, pjesë e të cilit ishte.

Pas luftës, Paçaku ishte angazhuar edhe si gazetar në një media multietnike, e më vonë drejtoi edhe një OJQ që mbronte të drejtat e komunitetit. Ai ishte shpallur edhe ambasador i paqes në Ballkan, për këso lloj angazhimi në të drejtat e komunitetit rom dhe komuniteteve tjera pakicë. Ish-deputeti tashmë i ndjerë u mor edhe me shkrime letrare e poezi, duke botuar edhe libra.

FOTO: Kujtim Paçaku, ish- deputet dhe shkrimtar

Nga sëmundja e kancerit, në moshën 59-vjeçare, ka vdekur shkrimtari dhe gazetari Ragip Sylaj. Sylaj punoi si mësimdhënës në shkollën “Skender Luarasi” në Suharekë, ndërsa veprimtarinë e tij prej gazetarit e ushtroi si gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e Re” si dhe në dy të përditshmet tjera “Bota sot” dhe “Zëri”.

Shkrimtari Sylaj botoi 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë. Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme.

Që nga 3 maji 2009, Sylaj punoi si Zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

FOTO: Ragip Sylaj, ish- gazetar dhe shkrimtar

Për dy vjet me radhë, profesori dhe regjisori i njohur, Bekim Lumi, ishte përballur me sëmundjen e kancerit. Kjo sëmundje, atij ia mori jetën më 30 korrik. Lumi numëron dhjetëra shfaqje të realizuara, e që kanë rezultuar të suksesshme.

Në 20-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike, regjisori Lumi, në qershor të këtij viti dha premierën e shfaqjes së tij të fundit “Arturo Ui”, që erdhi në përvjetorin e 120-të të lindjes së autorit të saj, Bertolt Brecht.

Kurse, gjatë ditës së sotme, është mbajtur mbledhja përkujtimore kushtuar regjisorit Lumi. Në kuadër të këtij organizimi në Teatrin Kombëtar, me arkivolin në prapavijë është luajtur pjesa e fundit e shfaqjes “Arturo Ui” – dhe kështu është plotësuar amaneti i Lumit, që të përcillej me shfaqjen Arturo Ui./Insajderi.com

FOTO: Bekim Lumi, ish-profesor dhe regjisor 

VV e quan gangster asamblistin e PDK-së, Bardh Avdaj

0

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për siç thuhet ndaj sulmit të një asambelisti të PDK-së ndaj kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Artan Abrashit.

Komunikata e plotë e Vetëvendosjes:

Sulmi i sotëm nga një asambelist i PDK-së ndaj Kryesuesit të Kuvendit Komunal dhe kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prizren, Artan Abrashit, aq sa shpërfaqë logjikën e tyre jopolitike, reflekton mllefin që vije nga fakti që qeverisja në komunën e Prizrenit është shkëputur njëherë e përgjithnjë nga kthetrat keqpërdoruese e korruptive të kësaj partie.

Kuvendi Komunal është organ i rëndësishëm i demokracisë lokale dhe hapësirë e pamohueshme e diskutimeve politike mbi politikat e çështjet lokale, por nuk mund të shndërrohet asnjëherë në shënjestër sulmesh e shpërthimesh të atyre që kishin keqpërdorur për vite të tëra qeverisjen lokale për interesa personale e klanore, e të cilët të ndëshkuar nga votuesit nuk po e përballojnë dot ndryshimin e përditshëm të Prizrenit me qeverisjen e mirë, profesionale dhe shërbyese të Lëvizjes VETËVENDOSJE! përmes kryetarit Mytaher Haskuka.

Ne dënojmë sjelljen prej gangsteri të asambleistit të PDK-së dhe sulmin mbi kryesuesin Artan Abrashi dhe garantojmë të gjithë qytetarët e komunës së Prizrenit se angazhimi i kryetarit, asambleistëve dhe drejtorëve komunalë të Lëvizjes do të jetë i paluhatshëm në ofrimin e një qeverisje efikase, të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve, ashtu siç jemi zotuar e për çfarë kanë zgjedhur qytetarët e Prizrenit.Ne ftojmë të gjithë asambleistët e opozitës në Prizren që të përmbushin rolin e tyre si asambleistë dhe mos të përpiqen të dëmtojnë interesat e qytetarëve të Prizrenit. Kurrfarë sulmi a kërcënimi nuk do të ndalë ligjshmërinë dhe vendosjen e gjërave në vendin e duhur në komunën e Prizrenit.

Flet asamblisti i PDK-së, që hodhi shishe drejt kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit

0

Ka eskaluar sot situata në Kuvendin Komunal të Prizrenit, ku pas një tollovie të krijuar, asamblisti i PDK-së, Bardh Avdaj, ka gjuajtur me shishe të ujit në drejtim të kryesuesit të Kuvendit, Artan Abrashit.

Nëpërmjet videove të shprëndara nga mediat lokale atje, shihet moment i eskalimit të situatës. Mirëpo, i kontaktuar nga lajmi.net, Avdaj tha se e tëra ajo situatë ishte eskalim i çastit, dhe se nuk kishte të bënte me ndonjë qëllim tjetër.

I njëjti për lajmi.net tha se e drejta për replikë gjatë seancës i është mohuar pa të drejtë. Megjithatë, Avdaj thotë se ndjen keqardhje me atë se çfarë ka ndodhur.

“Gjithçka që ka qenë, ishte thjeshtë një eskalim situate, i nxitur nga kreret e Kuvendit. I kisha lutur të gjithë që ta përcjellin tërë seancën dhe aty do shihet se si e drejta ime për replikë është mohuar. Unë me profesion jam fizioterapeut dhe synimi im është të ruaj shëndetin e qytetarëve, e jo ta dëmtoj, prandaj kjo që ndodhi ishte një eskalim i situatës për të cilën ndihem keq”, ka deklaruar Avdaj.

Një muaj arrest shtëpiak për tentim vrasje në Zhur

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale D.B. nga fshati Zhur, komuna e Prizrenit, me vendbanim të përkohshëm në Francë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë nga nenin 179 paragrafi 1 nënparag.1.5. lidhur me nenin 28 të KPRK-së, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

E gjithashtu edhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.

Masa e arrestit shtëpiak prej një (1) muaji do të llogaritet prej kohës së arrestimit datë 28.07.2018 nga ora 23:20 minuta dhe do të zgjasë deri me datën 27.08.2018.

Gjykata thotë se kjo ka ndodhur sepse me datën 28.07.2018 rreth orës 22:30 minuta, në fshatin Zhur, tenton ta privojë nga jeta personin tjetër, këtu të dëmtuarin me iniciale SH.K. dhe me atë rast me dashje vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave të tjerë, në atë mënyrë që vetëm disa minuta më parë para se të ndodhte rasti kritik, vëllai i të dëmtuarit me iniciale N.K., SH.K. ka pasur një ngatërresë me të pandehurin, për shkak se ky i fundit sipas të pandehurit kishte vozitur me një shpejtësi të madhe në rrugën ku i pandehuri e kishte shtëpinë, me ç’rast i pandehuri ia kishte tërhequr vërejtjen për këtë gjë dhe pasi vëllai i të dëmtuarit largohet dhe për këtë i tregon të dëmtuarit me iniciale N.K., dhe ky i fundit së bashku me një grup persona shkojnë në rrugën ku i pandehuri e ka shtëpinë, ku në mes tyre vije deri te një ngatërresë verbale, pastaj edhe konfrontim fizik me ç’ rast i pandehuri me një pistoletë shtien dy herë dhe me një plumb godet këtu të dëmtuarin me iniciale N.K. në këmbën e majtë, si pasoj e së cilës goditje dërgohet në Spitalin Rajonal në Prizren për tu transferuar më pas në QKUK në Prishtinë.

Qeveria miraton marrëveshjen për programin “Evropa Kreative”

0

 

Sot, në mbledhjen e Qeverisë, është miratuar marrëveshja e arritur mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesmarrje të Kosovës në programin “Evropa Kreative”, pas propozimit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, për Ratifikimin e Marrëveshjes.

 Ministri në ekspozenë e tij para kabinetit qeveritar arsyetoi se është i nevojshëm miratimi i marrëveshjes me qëllim të krijimit të kushteve më të mira për zhvillimin e kulturës në fushën ndërkombëtare. “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit mbetet në vazhdimësi e përkushtuar që të krijojë dhe të zhvillojë politika të qëndrueshme në funksion të përmbushjes së objektivave ligjore.

Duke pasur parasysh këtë rëndësi të zhvillimit të kulturës, MKRS-ja ka nënshkruar Marrëveshjen Ndërkombëtare në mes të Kosovës dhe BE-së, lidhur me pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa Kreative”, për sektorët kulturorë dhe kreativë”, ka thënë Ministri Gashi. Ministri po ashtu u shpreh se pjesëmarrja në këtë program do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve të kulturës, si dhe organizatave krijuese, të punojnë së bashku dhe t’i bëjnë veprat e tyre krijuese për konkurrim me vendet e BE-së.

Aprovimi i Projektligjit për pjesëmarrje në kuadër të Programit “ Evropa Kreative” njëherazi do të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve të sektorit kulturor dhe krijues, përmes promovimit të platformave kulturore dhe përmirësimit të akcesit ndaj krijimeve evropiane kulturore, dhe fuqizimit të audiencës, si dhe forcimit të inovacionit dhe krijimtarisë në fushën e kulturës. Gjithashtu, ndikim të veçantë do të ketë edhe në bashkëpunimin për rritjen e inovacionit, mobilitetit ndërshtetëror dhe shkëmbimit të praktikave më të mira në fushën e kulturës.

Kostoja vjetore financiare që Kosova duhet t’i paguajë Buxhetit të Përgjithshëm të Bashkimit Evropian për të marrë pjesë në Nën-programin e Kulturës dhe në fushat ndërsektoriale të do të jetë 35,000 euro. Këtë shumë financiare Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka paraparë në buxhetin e saj dhe e njëjta do t’i procedohet BE-së sipas Marrëveshjes.