22.7 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4726

Shkëndija synon historinë

0

Shkëndija e Tetovës sot luan për historinë por edhe për milionat që jep UEFA. Në orën 19:00 në Tiraspol të Moldavisë, kuqezinjtë tetovarë do të sfidojnë Sherffin vendas në sfidën e kthimit të turit të dytë kualifikues të Champions League.

Objektivi i vetëm i skuadrës së Qatip Osmanit është të mbrojë fitoren 1-0 të ndeshjes së parë për t’u kualifikuar në raundin tjetër të kompeticionit më të rëndësishëm për klube, kualifikim që do t’i siguronte Shkëndijës minimalisht pjesëmarrjen në play-offin e Europa League për të tretin sezon radhazi.

Deri tani bilanci i kuqezinjëve tetovarë në Europë është i njëjtë pasi numërojnë 11 fitore 3 barazime dhe 11 humbje. Një statistikë shumë interesante që rrit shanset e Shkëndijës për kualifikim është fakti se skuadra shqiptare nuk është eliminuar në asnjë nga 6 rastet e mëparshme kur në ndeshjet shtëpiake ka fituar pa pësuar gol. Sulmi i mbështetur te treshja Junior-Emini-Ibraimi është pika më e fortë e Shkëndijës ndërkohë që duhet theksuar se do të mungojë për një kohë të gjatë talenti Marjan Radeski.

Për të avancuar më tej Shkëndijës do ti mjaftonte edhe një humbje minimale 2-1, 3-2 ose 4-3 në Moldavi ndaj Sheriffit. Skuadra që kalon këtë raund në turin e tretë do të ketë përballë gjigandët austriakë të Salzburgut, megjithatë pozitiv është fakti që edhe nëse eliminohen nga Salzburgu për shkak të koeficientit të lartë të austriakëve në short, Shkëndija ose Sheriffi do të kenë mundësi të peshkojnë një kundërshtar jo shumë të fortë në play-offin e Europa League, pasi në momentin e hedhjes së shortit do të jenë në vazon e skuadrave favorite. /SS/

Gjidhënia në publik tani është legale në çdo shtet amerikan

0

Gratë vazhdimisht janë kritikuar për gjidhënien në publik, mirëpo që nga tani një gjë e tillë është krejtësisht legale në çdo shtet të Amerikës.

Për vite kanë qenë vetëm dy shtetet – Utah dhe Idaho, që nuk kishin ligje për mbrojtjen e nënave që kishin nevojë të kryejnë gjidhënien në publik. Mirëpo, me legjislacionin e ri edhe këto dy vende e kanë rregulluar këtë gjë, përcjell ksp.

“Një grua e ka të lejuar t’i jap gji fëmijës në çdo vend në publik”, thuhet në ligjin e ri, pasi u largua pjesa që i lejonte gruas që ta kishte gjirin e zbuluar gjatë gjidhënies.

Me disa paqartësi të vogla, tani është zyrtarisht legale gjidhënia në 50 shtetet amerikane. Amerika u bashkohet Britanisë së Madhe, Australisë në mbrojtjen që ato sigurojnë për nënat ushqyese.

Homazhe për Bekim Lumin

0

Teatri Kombëtar i Kosovës sot duke filluar nga ora 12:00, do të organizojë homazhe dhe mbledhje komemorative për aktorin dhe regjisorin Bekim Lumi.

Lajmin e bëri të ditur për për KosovaPress, ushtruesi i detyrës së Teatrit Kombëtar, Milot Mustafa, i cili tha se është formuar një Këshill organizativ i cili ka vendosur që në orën 14:00, të jetë ceremonia e varrimit.

Bekim Lumi ka vdekur dje pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje të rëndë.

Aksident me të lënduar në Landovicë të Prizrenit (Foto)

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Landovicë të Prizrenit.

Në këtë aksident janë të përfshira dy automjete. Sipas një lexuesi të Indeksonline si pasojë  kanë pësuar lëndime të lehta dy persona.

Po ashtu, nga ky aksident janë krijuar edhe kolona të gjata.

Njësitet përkatese të Policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes.

Vlen të theksojmë se në këtë rrugë pothuajse çdo javë ka aksidente.

Kujtojmë, se Indeksonline ka raportuar më herët se pikërisht në  këtë vend ka pasur aksidente edhe me pasoja fatale.

Më poshtë shikoni fotot:

 

T

Prizren: Realizohet kampanjë vetëdijësuese për kujdes gjatë vozitjes

0

Sot është realizuar kampanja vetëdijësuese kundër përdorimit të telefonave gjatë vozitjes e cila shërben si një thirrje e radhës për ngasësit e automjeteve që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

EC Ma Ndryshe ka organizuar Shkollën e Aktivizmit me nxënës të shkollave të mesme nga ku edhe ka dalur si shqetësim përdorimi i telefonave nga ngasësit gjatë vozitjes, duke cënuar sigurinë në trafik, njofton Klan Kosova.

Si rrjedhojë e kësaj ka dalur edhe idea për realizimin e kësaj kampanje vetëdijësuese nga nxënësja Kleita Koci, për kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Ky aktivitet është organizuar në bashkëpunim me KVRL- Gjakovë dhe qytetarët e qytetit të Gjakovës, me ç’rast është bërë shpërndarja e fletushkave që përmbajnë mesazhe sensibilizuese dhe statistika të aksidenteve që kanë ndodhur që nga viti 2017 në rajonin e Gjakovës dhe në tërë Kosovën.

Bazuar në statistikat e marra nga Policia e Kosovës vërehet një rënie në numrin e aksidenteve por prapë numri i atyre me fatalitet në trafik vazhdon të jetë shqetësues. Në rajonin e Gjakovës gjatë vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 1094 aksidente, 11 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet me 14 persona të vdekur ndërsa në periudhën janar-qershor 2018 kanë ndodhur 372 aksidente, 4 prej tyre fatale me 4 persona të vdekur.

Sa i përket territorit të Kosovës gjatë vitit 2017 kanë ndodhur gjithsej 17695 aksidente ku 122 prej tyre kanë qenë fatale dhe kanë rezultuar me 137 persona të vdekur. Gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti kanë ndodhur gjithsej 7003 aksidente ku 41 prej tyre kanë përfunduar me fatalitet dhe me 52 persona të vdekur.

Kjo kampanjë shërben si thirrje për vozitësit që të shtojnë kujdesin në trafik duke mos përdorur telefonat, duke repektuar rregullat e komunikacionit, të vendosin rripin e sigurisë dhe ta përshtasin shpejtësinë sipas shenjave të urdhërave të prera. Në krahasim me vitin e kaluar vërehet një rënie në numrin e aksidenteve të trafikut ndërsa rritje në numrin e tiketave të shqiptuara andaj edhe ky aktivitet shërben edhe si një thirrje ndaj institucioneve që të vazhdojnë të ndërmarrin hapa konkret në shtimin e sigurisë në komunikacion.

Ky grant është financuar nga projekti ‘Përkrahja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, financuar nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Dukatit të Madh të Luksemburgut dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), thuhet në komunikatën e dërguar,

Rexhaj: Shkëmbimi territorial do të thotë thirrje për luftë

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj nuk kanë më kredenciale për të udhëhequr me pozitat që kanë dhe ata duhet të shkojnë në shtëpi.

Ai gjatë fjalimit në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës tha se në dialogun me Serbinë asnjëherë nuk u kërkua zgjidhje për çështjen e të pagjeturve, kompensim për dëmet e luftës, kthimin e artefakteve, reciprocitetin, të drejtat për shqiptarët në Serbi.Ai ndërkaq tërhoqi vërejtjen se nëse në tavolinë do të jetë opsioni për shkëmbim të territoreve, atëherë kjo nënkupton thirrje për luftë, shkruan KP.

“Si Thaçi, si Ramushi nuk kanë më kredenciale, njëri duke bërë kompromise mbi kurriz të të tjerëve, tjetri duke mos pasur fuqi as në numra për të shtyrë përpara asnjë çështje, veçse një argat i Thaçit në Bruksel, prandaj këta duhet të shkojnë menjëherë në shtëpi… Tash së fundi deklarohen se nuk kanë vija të kuqe, flasin për shkëmbim të territoreve dhe hapin këtë temë. Në të vërtetë këta janë dezertuesit e shtetit, të demokracisë dhe institucioneve të Kosovës. Nëse në tavolinë do të jenë shkëmbimi territorial, kjo do të thotë thirrje për luftë,” tha ai.

Ministri Gashi: Sot, të rinjtë do të kenë një hapësirë të re dhe moderne për aftësim dhe edukim

0

Sot në Pjetërshan të Gjakovës u vu gurthemeli i Qendrës së edukimit jo-formal për rini, si një qendër rekreative për fëmijë dhe të rinj, arritur sipas marrëveshjes në muajin maj, mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe OJQ “George Williams Youth Association in Kosovo” (GWY).

Në ceremoninë e organizuar, ndër pjesëmarrësit e shumtë, mori pjesë edhe Ministri Kujtim Gashi. Në ndërtimin e kësaj qendre parashihet që MKRS-ja të investojë 150 mijë euro.

Me këtë rast, ministri Gashi u shpreh se ndërtimi i qendrës të cilës iu vendos gurthemeli sot është një projekt kapital i cili do të ofrojë kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve të të rinjve dhe edukimin e mëtejmë të tyre.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se “Ky gurthemel ka qenë një ëndërr e gjithë neve gjeneratave të kaluara. Kosova duhet të ketë një qendër nacionale të edukimit joformal, por asnjëherë nuk kemi arritur këtë deri sa janë bashkuar shume forca, palë, njerëz e mbi të gjitha persona të vullnetit të mirë”, tha Gashi.

“Me këtë investim bashkërisht me palët e përfshira në projekt ne po mundësojmë krijimin e një hapësire të re e moderne për të rinjtë e Kosovës. Ndjehem i lumtur që po realizojmë zotimin e ditëve më parë kur patëm nënshkruar një memorandum për këtë projekt. Dua të sigurojë të gjithë që bashkëpunimi i MKRS-së me organizata dhe partnerë që punojnë në aftësimin dhe edukimin e të rinjve do të jetë maksimal”, tha ministri.

“Ky projekt që po fillon sot, ka qenë një ide e YMCA dhe vullnetarëve dhe më duket që pas një ose dy muajve të mandatit që mora për udhëheqjeje në moment kur u prezantua ky projekt unë menjëherë kam thënë po”, shtoi Gashi, duke treguar se kampi do të jetë i një modeli amerikan duke e sjellë edhe përvojën amerikane në Kosovë.

“Pjetërshani po bëhet Amerikë e vogël brenda Kosovës në këtë kamp. Falënderoj banorët që kanë pranuar një kamp të tillë në hapësira të Pjetërshanit. Projekti është i ndarë në dy faza, objekti që do bëhet këtu dhe implementimi i programeve”, u shpreh mes tjerash ministri Gashi, duke vënë theksin edhe te programet e edukimit të cilat do të fillojnë të implementohen në kamp nga viti ardhshëm i cili synon të jetë edhe nikoqir i të rinjve nga vende të ndryshme të botës.

“Si ministër dhe MKRS-ja, do ta mbështesim fuqizimin dhe aftësimin e të rinjve të Republikës së Kosovës si një ndër asetin më të çmuar që ka vendin ynë. Ne, në vazhdimësi e kemi rritur buxhetin për rininë, kemi rritur përkrahjen, kemi avancuar edhe legjislacionin dhe aspektin strategjik. Çdo vit, ministria përmes subvencioneve përkrah financiarisht organizatat rinore në projekte të ndryshme në ndërmarrësi, në sigurinë njerëzore, në edukimin shëndetësor, në edukimin jo-formal. Kemi ndërtuar qendra të rinisë nëpër lokacione të ndryshme anekënd Kosovës, siç po nis edhe ky projekt i sotshëm”, ka shpjeguar për fund ministri.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Adrian Gjini tha se komuna dhe Kosova në përgjithësi ka përfituar nga ky projekt. Ai tha se ky vend është atraktiv edhe në sezonin dimëror. Ai shpreson që kampi do të ekzistojë për ndërtimin e solidaritetit mes njerëzve.

“Komuna ka marrë përsipër të ndërtojë rrugën deri këtu, rruga do të ndërtohet pas mbarimit të ndërtimit të objektit dhe është buxhetuar për vitin tjetër, ku shpresoj që vitin e ardhshëm do të jenë të gjitha gati”, tha Gjini.

Presidenti i Bordit të Drejtorëve të organizatës YMCA, Petrit Bejdoni falënderoi të gjithë bashkëpunëtoret të cilët ndihmuan për këtë ditë të implementimit të këtij projekti për qendrën e të rinjve, që komuna e Gjakovës tani do ta ketë.

“Ditë historike për ne që kemi qenë pjesë e imagjinatës, dizajnimit dhe planit të kësaj qendre. Besoj që jemi duke bërë një hap përpara me ju dhe falënderimi i shkon Ministrisë së Kulturës me mbështetje të YMCA në SHBA dhe Finlande dhe Komunës së Gjakovës gjithashtu”, tha Bejdoni.

Telegram ngushëllimi i ministrit Gashi me rastin e ndarjes nga jeta të regjisorit Bekim Lumi

0

 

 

E nderuara familja Lumi,

Lajmin për vdekjen e parakohshme e të dashurit tuaj, Bekimit, profesorit e regjisorit tonë të madh e të zellshëm, e morëm me pikëllim të madh.

Pas një lufte më shumë se dy vjeçare me një sëmundje të rëndë, bota e artit shqiptar dhe jo vetëm, e ka humbur një prej pedagogëve dhe regjisorëve më të talentuar.

Regjisori Bekim Lumi, i cili me shfaqjet e tij të shumta e që karakterizoheshin me aspektin minimalist dhe eksperimental, e ka përfaqësuar vendin tonë në shumë festivale teatrore brenda dhe jashtë Kosovës, duke e prezantuar suksesshëm artin teatror ku u nderua edhe me çmime të shumta.

Skenës teatrore të vendit tonë do t’i mungojë zelli dhe kreativiteti i Bekimit dhe për kulturën shqiptare ndarja e parakohshme e tij nga jeta nga beteja me sëmundjen, është një humbje e madhe.

Angazhimi dhe suksesi i tij për familjen duhet të jenë krenari dhe jo dhimbje kurse për ne, shokët, kolegët dhe artdashësit duhet të jetë nxitje dhe frymëzim.

Ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirëve të Bekim Lumit.

Vdes gazetari dhe shkrimtari Ragip Sylaj

0

Ka vdekur në moshën 59 vjeçare pas një sëmundjeje gjatë ditës së sotme gazetari dhe shkrimtari kosovar, Ragip Sylaj.

Ragp Sylaj u lind më 25. XI. 1959 në Sllapuzhan të Suharekës, ku i ka mbaruar mësimet e fillores dhe të gjimnazit. Ka kryer studimet master për teknologji në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.

Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.

Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.

Ka kryer disa trajnime që kanë të bëjnë me lëmin e marrëdhënieve me publikun.

Që nga 3 maj 2009 punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për inat të Trumpit, Erdogan afrohet me Putinin

0

Thellimi i përçarjeve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara po nxit spekulimet se Turqia po i jep shtysë të mëtejshme forcimit të lidhjeve me Rusinë.

Të hënën zyrtarët e lartë turq u takuan me homologët e tyre ruse dhe iranianë në vendpushimin detar rus të Soçit, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes vendeve për zgjidhjen e luftës civile në Siri.

“Mund të ndjekim rrugën tonë”, shkruante shtypi turk duke iu referuar një deklarate të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. “Shtetet e Bashkuara mund të humbasin një aleat besnik dhe të vlefshëm”, shtonte zoti Erdogan, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, tensionet Turqi-SHBA u përshkallëzuan me shpejtësi kur Presidenti Donald Trump paralajmëroi “sanksione të ashpra” nëse Turqia nuk do të lironte nga paraburgimi pastorin amerikan Andrew Brunson. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si “të pabazuara”. Ankaraja thotë se çështja u takon gjykatave.

Ndërkohë, Rusia po përpiqet me sukses të tërheqë Turqinë. “Këto janë marrëdhëniet më të ngrohta që kemi pasur në historinë e republikës turke”, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Lindjen e Mesme. Dy vendet i kanë thelluar shumë marrëdhëniet e bashkëpunim lidhur me luftën civile në Siri dhe tregtinë.

Vendimi i Turqisë për të blerë raketa S-400 nga Rusia po rrit shqetësimet mes aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Uashingtoni paralajmëroi se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Turqia dhe SHBA janë aleatë në NATO.

Shqetësimi i aleatëve

Analistët sugjerojnë se qasja gjithnjë e më e ashpër e Uashingtonit ndaj Ankarasë lidhur me çështjen e pastorit Brunson, mund të shpjegohet pjesërisht me shqetësimet më të gjera lidhur me besnikërinë e Turqisë ndaj aleatëve të saj perëndimorë.

Kërcënimi i zotit Trump për sanksione mund të jetë një mundësi për presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që Putini po i shet Erdoganit një lloj garancie për siguri, përkundrejt zemërimit amerikan”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i “Global Source Partners”. “Putin ka gjithçka për të cilën ka nevojë Turqia, përveç parave. Dhe Turqia ka nevojë të dëshpëruar për fonde të huaja. Por vetëm Perëndimi mund t’i japë kredi”.

Kongresi amerikan i vetëdijshëm për varësinë e fortë të ekonomisë turke ndaj huamarrjes së huaj, po kërcënon me masa për të kufizuar aftësinë e Turqisë për të marrë hua.

Ekspertët gjithashtu vënë në dyshim nëse zoti Putini ka vërtet interes të thellojë më tej marrëdhëniet me Ankaranë.

“Nuk mendoj se Moska dëshiron ta ketë Turqinë më pranë se kaq”, thotë ish-diplomati Selcen. “Për ta mjafton loja për ta mbajtur NATO-n të dobët, për ta mbajtur Turqinë me një këmbë në Perëndim dhe një në Lindje, sepse nuk është në interesin e presidentit Putin që Turqia të jetë e varur sikurse Bjellorusia. Le të kujtojmë që ekonomia ruse është më e vogël se ajo e Kalifornisë. Rusia nuk mund të mbajë barrën e Turqisë. Madje as të Sirisë”.

Turqia dhe Rusia kanë qenë historikisht rivalë rajonalë. “Turqia i ka balancuar gjithnjë marrëdhëniet e saj mes Perëndimit dhe Lindjes”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. “Turqia i di kufizimet e bashkëpunimit me Rusinë”.

Siria si katalizator

Një këshilltar i presidentit Erdogan, që foli në kushte anonimiteti, theksoi muajin e kaluar se Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj aleancave të saj perëndimore dhe se marrëdhëniet me Rusinë bazohen tek domosdoshmëria e zgjidhjes së luftës civile në Siri dhe tregtia.

Bashkëpunimi i Ankarasë me Moskën lidhur me Sirinë përballet me tendosje në rritje. Zyrtarët turq akuzojnë Rusinë për mos respektimin e një marrëveshje për të krijuar zonat pa konflikt, ku një armëpushim do të mbronte rebelët sirianë. Zonat u krijuan si pjesë e atij që njihet si “Procesi i Astana-s” në kuadër të të cilit Irani, Turqia dhe Rusia bashkëpunojnë për të zgjidhur luftën siriane.

Pjesa më e madhe e zemërimit të Ankarasë, lidhet me atë që forcat e regjimit sirian të mbështetura nga forcat ajrore ruse janë duke e tejkaluar gradualisht zonat pa konflikt. Presidenti Erdogan është zotuar të mbrojë zonën e fundit kryesore në Idlib, në kufirin me Turqinë. Takimi i së hënës në Soçi i zyrtarëve turk, iranianë dhe rusë pritet të përqëndrohet në të ardhmen e enklavës së Idlib-it.

Takimi i nivelit të lartë në Helsinki mes zotit Putin dhe zotit Trump gjatë muajit korrik mund t’i tendosë edhe më tej lidhjet turko-ruse. “Në Helsinki u zhvillua një takim prej katër orësh. Kishte thelb! Ekziston tashmë baza për një marrëveshje përfundimtare politike lidhur me Sirinë”, thotë ish-diplomati turk Selçen.

“Presidenti Trump, më shumë se Presidenti Barak Obama, është i gatshëm t’ia dorëzojë Sirinë Presidentit Bashar Assad, sapo IS-isi të jetë mundur,” thotë zoti Selcen. Sipas tij kjo tregon se “Moska dhe SHBA-ja mund të bien dakord mbi Sirinë, duke lënë jashtë Turqinë”. /VoA

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/per-inat-te-trumpit-erdogan-afrohet-me-putinin-563252/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright