25.6 C
Prizren
E premte, 11 Korrik, 2025
Home Blog Page 4727

Vdes gazetari dhe shkrimtari Ragip Sylaj

0

Ka vdekur në moshën 59 vjeçare pas një sëmundjeje gjatë ditës së sotme gazetari dhe shkrimtari kosovar, Ragip Sylaj.

Ragp Sylaj u lind më 25. XI. 1959 në Sllapuzhan të Suharekës, ku i ka mbaruar mësimet e fillores dhe të gjimnazit. Ka kryer studimet master për teknologji në Universitetin e Prishtinës.

Ka punuar mësimdhënës në vendlindje e në SHMT “Skënder Luarasi” në Suharekë, gazetar e redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re”, në të përditshmet “Bota sot” e “Zëri” të Prishtinës.

Ka botuar 15 vepra letrare, ku hyjnë librat e poezisë, të prozës, dramës e të esesë.

Për veprimtarinë letrare dhe publicistike disa herë është nderuar me çmime e mirënjohje të ndryshme. Ndërkaq, poezi dhe tregime të tij janë përfshirë në antologji të ndryshme, në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të huaja.

Ka kryer disa trajnime që kanë të bëjnë me lëmin e marrëdhënieve me publikun.

Që nga 3 maj 2009 punoi si zyrtar i lartë për publikime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për inat të Trumpit, Erdogan afrohet me Putinin

0

Thellimi i përçarjeve mes Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara po nxit spekulimet se Turqia po i jep shtysë të mëtejshme forcimit të lidhjeve me Rusinë.

Të hënën zyrtarët e lartë turq u takuan me homologët e tyre ruse dhe iranianë në vendpushimin detar rus të Soçit, si pjesë e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes vendeve për zgjidhjen e luftës civile në Siri.

“Mund të ndjekim rrugën tonë”, shkruante shtypi turk duke iu referuar një deklarate të presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan. “Shtetet e Bashkuara mund të humbasin një aleat besnik dhe të vlefshëm”, shtonte zoti Erdogan, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Shteteve të Bashkuara.

Javën e kaluar, tensionet Turqi-SHBA u përshkallëzuan me shpejtësi kur Presidenti Donald Trump paralajmëroi “sanksione të ashpra” nëse Turqia nuk do të lironte nga paraburgimi pastorin amerikan Andrew Brunson. Ai ndodhet nën arrest shtëpiak i akuzuar për terrorizëm, akuza që Uashingtoni i ka hedhur poshtë si “të pabazuara”. Ankaraja thotë se çështja u takon gjykatave.

Ndërkohë, Rusia po përpiqet me sukses të tërheqë Turqinë. “Këto janë marrëdhëniet më të ngrohta që kemi pasur në historinë e republikës turke”, thotë ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington dhe në Lindjen e Mesme. Dy vendet i kanë thelluar shumë marrëdhëniet e bashkëpunim lidhur me luftën civile në Siri dhe tregtinë.

Vendimi i Turqisë për të blerë raketa S-400 nga Rusia po rrit shqetësimet mes aleatëve perëndimorë të Ankarasë. Uashingtoni paralajmëroi se raketat kërcënojnë të komprometojnë sistemet e mbrojtjes së NATO-s. Turqia dhe SHBA janë aleatë në NATO.

Shqetësimi i aleatëve

Analistët sugjerojnë se qasja gjithnjë e më e ashpër e Uashingtonit ndaj Ankarasë lidhur me çështjen e pastorit Brunson, mund të shpjegohet pjesërisht me shqetësimet më të gjera lidhur me besnikërinë e Turqisë ndaj aleatëve të saj perëndimorë.

Kërcënimi i zotit Trump për sanksione mund të jetë një mundësi për presidentin e Rusisë Vladimir Putin.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që Putini po i shet Erdoganit një lloj garancie për siguri, përkundrejt zemërimit amerikan”, thotë analisti politik Atilla Yesilada i “Global Source Partners”. “Putin ka gjithçka për të cilën ka nevojë Turqia, përveç parave. Dhe Turqia ka nevojë të dëshpëruar për fonde të huaja. Por vetëm Perëndimi mund t’i japë kredi”.

Kongresi amerikan i vetëdijshëm për varësinë e fortë të ekonomisë turke ndaj huamarrjes së huaj, po kërcënon me masa për të kufizuar aftësinë e Turqisë për të marrë hua.

Ekspertët gjithashtu vënë në dyshim nëse zoti Putini ka vërtet interes të thellojë më tej marrëdhëniet me Ankaranë.

“Nuk mendoj se Moska dëshiron ta ketë Turqinë më pranë se kaq”, thotë ish-diplomati Selcen. “Për ta mjafton loja për ta mbajtur NATO-n të dobët, për ta mbajtur Turqinë me një këmbë në Perëndim dhe një në Lindje, sepse nuk është në interesin e presidentit Putin që Turqia të jetë e varur sikurse Bjellorusia. Le të kujtojmë që ekonomia ruse është më e vogël se ajo e Kalifornisë. Rusia nuk mund të mbajë barrën e Turqisë. Madje as të Sirisë”.

Turqia dhe Rusia kanë qenë historikisht rivalë rajonalë. “Turqia i ka balancuar gjithnjë marrëdhëniet e saj mes Perëndimit dhe Lindjes”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Huseyin Bagci i universitetit Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara. “Turqia i di kufizimet e bashkëpunimit me Rusinë”.

Siria si katalizator

Një këshilltar i presidentit Erdogan, që foli në kushte anonimiteti, theksoi muajin e kaluar se Ankaraja mbetet e përkushtuar ndaj aleancave të saj perëndimore dhe se marrëdhëniet me Rusinë bazohen tek domosdoshmëria e zgjidhjes së luftës civile në Siri dhe tregtia.

Bashkëpunimi i Ankarasë me Moskën lidhur me Sirinë përballet me tendosje në rritje. Zyrtarët turq akuzojnë Rusinë për mos respektimin e një marrëveshje për të krijuar zonat pa konflikt, ku një armëpushim do të mbronte rebelët sirianë. Zonat u krijuan si pjesë e atij që njihet si “Procesi i Astana-s” në kuadër të të cilit Irani, Turqia dhe Rusia bashkëpunojnë për të zgjidhur luftën siriane.

Pjesa më e madhe e zemërimit të Ankarasë, lidhet me atë që forcat e regjimit sirian të mbështetura nga forcat ajrore ruse janë duke e tejkaluar gradualisht zonat pa konflikt. Presidenti Erdogan është zotuar të mbrojë zonën e fundit kryesore në Idlib, në kufirin me Turqinë. Takimi i së hënës në Soçi i zyrtarëve turk, iranianë dhe rusë pritet të përqëndrohet në të ardhmen e enklavës së Idlib-it.

Takimi i nivelit të lartë në Helsinki mes zotit Putin dhe zotit Trump gjatë muajit korrik mund t’i tendosë edhe më tej lidhjet turko-ruse. “Në Helsinki u zhvillua një takim prej katër orësh. Kishte thelb! Ekziston tashmë baza për një marrëveshje përfundimtare politike lidhur me Sirinë”, thotë ish-diplomati turk Selçen.

“Presidenti Trump, më shumë se Presidenti Barak Obama, është i gatshëm t’ia dorëzojë Sirinë Presidentit Bashar Assad, sapo IS-isi të jetë mundur,” thotë zoti Selcen. Sipas tij kjo tregon se “Moska dhe SHBA-ja mund të bien dakord mbi Sirinë, duke lënë jashtë Turqinë”. /VoA

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/per-inat-te-trumpit-erdogan-afrohet-me-putinin-563252/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Prizren: Mungon i akuzuari për kanosje, ndaj tij lëshohet urdhër për sjellje me forcë

0

Mungesa e të akuzuarit për kanosje të një biznesmeni, M. M., është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore të paraparë të mbahej të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren.

Në këtë seancë gjyqësore ishte prezent prokurori Besim Susuri, i dëmtuari R. M. dhe përfaqësuesi i tij ligjor, avokati Ethem Rogova, mirëpo ka munguar i akuzuari Mazrek megjithëse, sipas gjyqtares së rastit, i njëjti ishte ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata.

Në këto rrethana, gjyqtarja e rastit, Teuta Krusha, ka thënë se pasi që i akuzuari ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt për kohën dhe vendin e mbajtjes së seancës gjyqësore dhe mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, për të lëshohet urdhër për sjellje me forcë për seancën e radhës.

Seanca e radhës në këtë çështje penale do të mbahet më 4 shtator 2018, në ora 10:00.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 25 janar 2018, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Mehmet Mazrek, të cilin e akuzon se më 13 dhjetor 2017, rreth orës 18:00, ka kanosur biznesmenin R. M. për shkak të një mosmarrëveshjeje.

Sipas aktakuzës, në ditën kritike, i akuzuari ka shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit dhe ka kërkuar që i njëjti të mos i privatizojë disa prona që ai i ka në shfrytëzim, ndërsa pasi që i dëmtuari nuk kishte pranuar një kërkesë të tillë, i akuzuari duke dalë nga shtëpia i ka thënë të dëmtuarit se nëse nuk tërhiqet nga privatizimi i pronës, do t’ia vrasë fëmijët./betimiperdrejtesi/

Paraburgim të dyshuarit për tentim vrasje në Prizren

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale SH.G. nga një fshat i Komunës së Prizrenit për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Masa e paraburgimit prej një muaji do ti llogaritet prej kohës së arrestimit datë 27 korrik 2018 nga ora 18:30 minuta dhe do të zgjasë deri me datën 26 gusht 2018.

Deri te masa e paraburgimit sipas Gjykatës Themelore në Prizren ka ardhur sepsee me datën 01.07.2018 rreth orës 12:10 minuta, në Prizren, tenton ta privoj nga jeta personin tjetër, këtu të dëmtuarin me iniciale L.N., dhe në atë rast me dashje vë në rrezik jetën e një ose më shumë personave tjerë.

Sipas njoftimit të Gjykatës në Prizren, i dyshuari ka vepruar në atë mënyrë që derisa i dëmtuari me iniciale L.N. ka qenë në motoçikletë me shokun e tij me iniciale M.E. (ky i fundit si pasagjer), ndërsa vëllai i tij me iniciale M.N. në motoçikletë me T.L. (ky i fundit si pasagjer), duke shkuar në drejtim të pishinës “Gold Pol”, me ç ‘rast me të arritur te udhëkryqi paraqitet këtu i pandehuri, i cili ka qenë duke drejtuar automjetin e markës VË ”Vento” i cili me të vërejtur të dëmtuarin me iniciale L.N., kalon në shiritin e tyre, dhe niset me vrull në drejtim të tyre dhe godet motoçikletën të cilën e drejtonte L.N.

Gjithnjë sipas njoftimit të Gjykatës në Prizren, pastaj motoçikleta e të dëmtuarit godet motoçikletën e të dëmtuarit me iniciale M.N., me ç ‘rast M.E. dhe T.L., arrijnë të kërcejnë nga motoçikleta, derisa i dëmtuari L.N. dhe M.N. rrëzohen në tokë, ndërsa i pandehuri në këto momente sërish me veturën e tij lëvizë mbrapa me qëllim ta shkelë të dëmtuarin L.N. dhe arrin ta futë nën veturë dhe pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.

Njoftimi i Gjykatës në Prizren thekson se i dyshuari ka qenë në arrati nga data kritike deri me datën 27 korrik 2018.

Ky vendim i Gjykatës Themelore të Prizrenit mund të ankimohet në Gjykatën e Apelit.

Zëvendësministri Bekteshi i raporton Haradinajt se ku e festoi 10 vjetorin e Pavarësisë

0

“Në vigjilje të 10 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, më 17 shkurt isha pjesëmarrës në manifestimet që u mbajtën me Diasporën në Mynih të Gjermanisë”, i tregon Kryeministrit, zëvendësi i Dardan Gashit.

Zëvendësministri i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Afrim Bekteshi në raportin 100 ditor të punës së tij, të cilin e ka siguruar KALLXO.com i tregon Kryeministrit në detaje për vizitat jashtë vendit.

Bekteshi, në fillim të raportit të punës së tij thotë s e “mënyra e një raportimi të performancës së zëvendësministrave, tregon më së miri se Qeveria në krye me Ju, z,. Kryeministër është tejet e përgjegjshme dhe shumë transparente në raport me qytetarin”.

Zëvendësiministri i Diasporës raportimin e nisë duke i treguar shefit të Qeverisë se takimin e parë e ka pasur me ministrin e tij, Dardan Gashin. Kësaj  Bekteshi ia ka bashkangjitur edhe një fotografi.

Më pas ka listuar takime të cilat i ka ilustruar po me fotografi.

Thotë se ka pasur vizitë në Malmo të Suedisë, të cilin ai e cilëson “shumë të rëndësishëm”, ngase është njoftuar nga afër me nxitjen e investimeve strategjike. Më pas thotë se e ka vizituar edhe Suedinë, ndërsa në 10 vjetorin e Kosovës shtet, thotë se ishte në Gjermani.

“Në vigjilie të 10 vjetorit të shtetësisë së Kosovës, më 17 shkurt isha pjesëmarrës në manifestimet që u mbajtën me Diasporën në Mynih të Gjermanisë”, thotë zëvendësministri.

Ndërsa një ditë pas thotë se ishte në qytetin tjetër të Gjermanisë, Bavari.

Ai ka listuar edhe vizitat e takimet tjera brenda dhe jashtë vendit.

KËTU mund të lexoni raportin e plotë të zëvendësministrit Afrim Bekteshi.

Bersant Celina me skuadër të re

0

Futbollisti kosovar Bersant Celina ka ndërruar skuadër.

Ai është bërë pjesë e Swansea për 5 milion euro, transmeton Klan Kosova.

Sa ishte në huazim tek skuadra Ipswichin, 21 vjeçari kishte 35 dhe ka shënuar 7 gola.

Swansea mbylli sezonin e kaluar në vendin e 18 – të me 33 pikë të akumuluara.

Buffon premton se do të luftojë për vendin e titullarit te PSG

0

Portieri legjendar italian nuk e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën te Paris Saint-Germain.

Gianluigi Buffon pësoi tre gola në sfidën ndaj Arsenalit dhe në njërin prej tyre ishte vetë fajtor.

Menjëherë pas ndeshjes miqësore, trajneri i PSG, Thomas Tuchel hodhi dyshime mbi faktin se Buffon do të luajë titullar, transmeton ksp. Ai tha se vendimi nuk është marrë akoma.

“Konkurrenca për këtë rol është shumë e fortë, por do të vendos shumë shpejt se cili do të jetë titullari. Do ta bëj kur të tre portierët që kam në dispozicion të jenë 100% në formë”, u shpreh trajneri gjerman.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i Buffonit, i cili theksoi se e mirëpret sfidën dhe se do të punojë maksimalisht për të merituar fanellën e titullarit të skuadrës franceze.

“Në 24 vite askush nuk më ka dhuruar asgjë. Kam qenë gjithmonë titullar sepse kam punuar shumë dhe sepse e kam merituar. Erdha te PSG i bindur se kam ende mundësi të meritoj fanellën e titullarit”, deklaroi Buffon.

Në Malishevë filloi “Java e mërgimtarëve”

0

Sot në Komunën e Malishevës ka nisur “Java e mërgimtarëve”, gjatë së cilës do të mbahen një varg aktivitetesh, e të cilat do të kurorëzohen me mbajtjen e Festivalit Folklorik Mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”.

Aktivitetet kanë nisur me mbajtjen e një kuizi, mes shkollave, ku pjesëmarrës ishin nxënësit e shkollave dhe fëmijët mërgimtarë që ndjekin shkollimin shqip, me moton “Kultura dhe Dituria janë vlera tona të përbashkëta”.

Gjatë “Javës së mërgimtarëve” do të ketë edhe ekspozita, shfaqja, ekskursione, sofra, aktivitete të cilat zhvillohen bashkë me OJQ “LEDS”, e të cilat vazhdojnë me aktivitetet e organizuara nga Komuna e Malishevës, me panairin artizanal, sesioni shkencor për folklorin në trevën e Llapushës, dhe të gjitha aktivitetet, do të përmbyllen me 1 dhe 2 gusht, me festivalin folklorik mbarëkombëtar “Oda e Llapushës”, edicioni i pestë.

3 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë personit që kreu vjedhje të rëndë

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Përgjithshëm Penal ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit me iniciale J.B. nga fshati Negroc, Komuna e Drenasit për shkak se ka kryer veprën penale “vjedhje e rëndë”.

Të akuzuarin J.B. , gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro, si dhe dënimin me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 3 vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

“Me datën 06.01.2018, rreth orës 13:10 minuta në magjistralen Prizren-Suharekë, i pandehuri së bashku me të pandehurin me iniciale F.H., me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo personin tjetër, me përdorimin e forcës, marrin pasurinë e të dëmtuarit me iniciale B dhe F. K. në atë mënyrë që shfrytëzojnë momentin e volitshëm mos prezencën e të dëmtuarit, i afrohen automjetit të dëmtuarit dhe me përdorimin e forcës me mjet të përshtatshëm, thyejnë xhamin nga ana e shoferit të automjetit me targa zvicerane nga ku marrin shuma të konsiderueshme para, një letërnjoftim, patentë shoferin e Kosovës, kartelat e bankës, kuleta e punës, kartela e sigurimit dhe largohen nga vendi i ngjarjes”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Gjykata duke pasur parasysh se i njëjti është recidivist i veprave penale, fakt ky që vërtetohet nga të dhënat e lëndëve pranë kësaj gjykate ku i njëjti është gjykuar në çështje penale me aktgjykim, si dhe lëndët tjera të cilat janë në vijim e sipër dhe së fundi ndaj të pandehuri masa e arrestit shtëpiak është zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacion policor, deri me datën 05.02.2018, ku i njëjti nën këtë masë përsëri ka vazhduar me kryerjen e veprave të njëjta penale, respektivisht të vjedhjes së rëndë. Andaj gjykata i shqiptoi dënimin me gjobë dhe dënimin me burgim efektiv.

Djali i Ukshin Hotit: Dua ta di ku e kam babanë

0

Deputeti i PDK-s Andin Hoti, tha se kërkohet unitet dhe ka kërkuar nga subjektet politike që të lihen anash politikat ditore, inatet partiake dhe ti dalim zot vendit për atë që janë zotuar.

“Përveç që nuk shoh asnjë problem që presidenti të udhëheq dialogun natyrisht në koordinim me kuvendin mendoj që është njeriu më adekuat i mundshëm sepse i njëjti njeri ka udhëheq edhe kauzat tjera, ka udhëhequr edhe dialoget e tjera dhe ka dal i suksesshëm deri më sot”, tha Hoti.

Sipas tij, presidenti ka thënë se marrëveshja do të jetë e dhembshme dhe për këtë ka pas edhe reagime.

“Është normale të jetë e dhimbshme madje është shumë e dhimbshme të bëhet marrëveshje me armikun tënd. Është e dhimbshme sepse neve ende na mungojnë 1600 persona është e dhimbshme sepse të njëjtit na kanë vrarë, masakruar, është e dhimbshme sepse sot pas 19 vitesh sheh lot në sytë e nënave”, tha Hoti, duke shtuar se më e dhimbshme se kaq nuk mund të jetë dhe nuk mund të bëhet dhe nuk do ta lejojnë të bëhet asnjëherë.

Ai ka kërkuar nga presidenti, kryeministri e Kuvendi, që pjesë e dialiogut të jetë zbardhja e fatit të personave të zhdukur.

“Të bëhet zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë bazuar në të drejtën ndërkombëtare përfshirë konventën e Gjenevës. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë të vendoset si parakusht në dialogun Kosovë serbi dhe të bëhet pjesë e platformës shtetërore për dialogun”, shtoi Hoti.

“Kërkoj nga presidenti, kërkoj nga kryeministri edhe nga kuvendi ta fusin këtë pikë në dialogun me Serbinë dhe të jetë njëra ndër pikat e para që diskutohet në nivelin e lartë në nivel presidentësh. Unë dua ta di ku e kom babin, familjet duan ta dinë ku i kanë më të dashurit e tyre edhe 1652, kjo nuk guxon të kaloj në heshtje dhe pa këtë nuk ka kuptim asnjë marrëveshje që bëhet me Serbinë”, përfundoi Hoti.