12.2 C
Prizren
E premte, 16 Maj, 2025
Home Blog Page 4875

Policia: Ndalohet përkohësisht qarkullimi i automjeteve Vërmicë – Morinë

0

Policia ka njoftuar se nga ora 11:20 është mbyllur përkohësisht Pika Kufitare Vërmicë – Morinë nga autoritete shqiptare, njofton Klan Kosova.

“Ndalimi i qarkullimit nga autoritetet e Shqipërisë, sipas tyre është bërë për arsye të protestës që po mbahet nga qytetarët në afërsi të tunelit të Kalimashit, dhe në pa mundësi për të lëvizur automjetet dhe për shkaqe të sigurisë së qytetarëve nuk po lejohet qarkullimi-hyrja e mjeteve në Republikën e Shqipërisë deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Sot gjatë ditës është protestuar në Kalimash për shkak të taksës rrugore të vendosur nga shteti shqiptar.

Si pasojë e kësaj janë lënduar pesë pjesëtarë të forcave të policisë shqiptare si dhe 12 qytetarë pjesëmarrës në protestë si dhe janë djegur sportelet që ishin dedikuar për pagesën e taksës rrugore.

Presidenti Meta shpreh shqetësimin për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit

0

Qindra protestues sot janë përplasur me policinë e Shqipërisë pranë sporteleve ku duhet të bëhet pagesa për taksën e Rrugës së Kombit në Kalimash, duke kundërshtuar kështu vendim për vendosjen e taksës prej pesë eurosh.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka shprehur shqetësimin e tij për situatën e krijuar në Rrugën e Kombit dhe keqardhjen për personat e lënduar gjatë protestës së sotme.

Presidenti Meta përmes një deklarate për medie ka bërë thirrje për evitimin e dhunës, për vetëpërmbajtje dhe dialog e mirëkuptim, me qëllim normalizimin e situatës dhe kthimin e lëvizjes normale të automjeteve dhe qytetarëve në pritje. /Epoka e re/

Përkujtohet masakra e Burimit në Malishevë

0

Sot, mbushen 19 vite nga ngjarja më e rëndë në Malishevë, përkatësisht nga masakra e Burimit, ku u vranë dhe u masakruan, 42 civil shqiptar. Masakra e Burimit, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Malishevë gjatë luftës së fundit, ndërsa deri më sot, për këtë ngjarje dhe për asnjë vrasje tjetër gjatë luftës, nuk është dënuar askush.

Në përkujtim të kësaj ngjarje, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Malishevës, është mbajtur një seancë përkujtimore e Kuvendit të Komunës së Malishevës dhe më pas janë bërë nderime dhe homazhe në varrezat e vrarëve në Dragobil, si dhe tek Vrella e Mëhillit në Burim, ku edhe ka ndodhur kjo masakër.

Në fjalimin e tij, në seancën përkujtimore, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se “masakra e Burimit dhe masakrat tjera, ishin një hakmarrje e pushtuesit serb”. ” Luftën nuk e do askush, por neve na është imponuar lufta. Dalja në skenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkrahja që mori ushtria jonë në popull, ishte grushti më i fortë për armikun.  Duke mos mundur ta shuaj luftën, sepse populli e donte lirinë dhe ishte më i vendosur se kurrë të fitonte lirinë, dhe duke parë përkrahjen e fuqive të mëdha dhe të botës demokratike, armiku ynë i përjetshëm, mori hak në popullatën civile. Pavarësisht humbjes dhe dhimbjes së madhe që kemi bashkë, ju familjarë, të jeni krenarë, sepse gjaku i tyre dhe i dëshmorëve tjerë, është burimi i lirisë që sot e gëzojmë”, tha mes tjerash në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Ndërsa kryesuesi i KK të Malishevës, Rrahim Morina, në mënyrë kronologjike, e ka prezantuar masakrën e Burimit, duke filluar nga rrethimi i plotë që i është bërë Malishevës, e deri te rasti i ndodhur në Burim, ku u vranë civil të pafajshëm.

Më 31 mars të vitit 1999, tek vendi i quajtur Vrella e Mëhillit, në Burim të Komunës së Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civil, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Komunës së Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë. Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civil të tjerë.

Për këtë masakër, deri më sot, nuk është dënuar asnjë kryes i këtij krimi të rëndë dhe asnjë urdhërdhënës për vrasjen, dhe familjarët, kërkojnë që rasti i masakrës së Burimit, të ndriçohet dhe autorët e këtij krimi, të dënohen.

Inspektorati rrënon një objekt pa leje në Prizren

0

Drejtoria e Inspektoratit, e Prizrenit, ka bërë rrënimin e një objekti pa leje në lagjen “Bajram Curri” të qytetit.

Objekti në fjalë sipas kreut të Prizrenit Haskuka ka qenë tërësisht pa leje, derisa ka pasur shpërfillje të urdhrave të inspektorëve, shkruan sot Koha Ditore.

“Pronari gjatë ndërtimit kishte shpërfillur dy herë urdhëresën e inspektorëve ndërtimorë për ndërprerjen e punimeve.

Pronari ka vazhduar ndërtimin, prandaj si masë e fundit sipas ligjeve në fuqi është bërë rrënimi i objektit”, ka njoftuar Haskuka.

Bileta ka vetëm në “kulm” të stadiumit – Joshua vs Parker do ta mbushë Principalityn

0

Meçi midis Anthony Joshuas dhe Joseph Parkerit zhvillohet në Prinicipality Stadium në Kardif, një arenë që ka kapacitet prej 78 mijë ulëseve dhe duket se do të jetë e mbushur deri në ulësen e fundit.Ulëset VIP dhe ato pak më të mirë kuptohet që janë shitur moti, poir besoni ose jo, bileta për këtë meç mund te blihen edhe sot në ueb faqet e shitësve zyrtarë. Nëse paguani 40 funte mund të merrni një bileta në “kulm” të stadiumit Principlaity, gjegjësisht në katin më të lartë të stadiumit kur vështirë se do të mund të shihni diçka nga ringu që është i vendosur në qendër.

Çmimet e biletave VIP kanë qenë fillimisht 2,000 funte, por më pas një biletë e këtillë është shitur për dyfishin e këtij çmimi, kurse biletat për ulëse me pozita që mund të shihet mirë aksioni në ring kanë kushtuar 300 funte e më shtrenjtë.Joshua dhe Parker, përveç për unifikim të titullit të boks në kategorinë e rëndë në boksin profesionist, sonte do të luftojnë edhe për një fond masiv të shpërblimeve, që arrin 20 milionë funte dhe pritet të ndahet në favor të Joshuas sipas formulës për të cilën Insporti kishte raportuar më herët.

Joshua vs Parker – statistikat, orari, parameçet, detajet

0

Insporti ju sjell krahasimin midis dy boksierëve, orarin e meçit kryesor, detajet e titujve, paralajmërimet e para meçeve dhe të gjitha detajet tjera.

Meçi midis Anthony Joshua dhe Joseph Parker zhvillohet për unifikim të titullit të botës në kategorinë e rëndë në boksin profesionist. Anthony Joshua është kampion aktual në versionet WBA, IBF dhe IBO, kurse Parker është kampion bote në versionin WBO dhe fituesi i këtij meçi do të mbajë titullin e kampionit të botës në të katër këto versione.

Fituesit të këtij meçi më pas i mbetet që të duelojë me Deontay Wilder, i cili mbetet kampion bote ne kategorinë e rëndë në versionin WBC dhe për herë të parë, pas një kohe shumë të gjatë mund të kemi kampion absolut të kategorisë së rëndë dhe boksier i cili mban tituj  në katër versionet e mëdha (WBC, WBA, IBF dhe WBO).

Meçi zhvillohet në Principality Stadium në Kardif të Uellsit, ku i zhvillon meçet kombëtarja e Uellsit në futboll dhe ku dikur është zhvilluar edhe finalja e Kupës FA dhe ngarjet tjera të mëdha të futbollit anglez e evropian.

Meçi është paraparë të fillojë rreth orës 23:30 sipas kohës sonë, duke bërë kështu një kompromis midis kërkesave të tregut në Britani të Madhe, Evropë dhe tregut në Shtetet e Bashkuara.

Në program janë edhe tetë parameçe dhe ndër to dueli më interesant është ai midis rusit Alexander Povetkin dhe britanikut  David Price, që ë meçi i fundit para atij kryesor.

Përplasje mes protestuesve dhe policisë në Rrugën e Kombit

0

Pranë tunelit të Kalimashit ka nisur protesta kundër vendosjes së taksës për Rrugën e Kombit.

Top Chanel raporton se situata është tensionuar menjëherë dhe protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.

Protestuesit kanë goditur me gurë punonjësit e policisë, të cilët vendosën një kordon para për të penguar dëmtimin e vendit ku bëhet pagesa. Protestuesit kanë thyer xhamat në sportelet për pagesën e taksës.

Nga përplasja mes policisë dhe protestuesve mësohet se ka edhe persona të lënduar.

Agjentët në terren janë duke bërë verifikimet dhe do të nisin procedim për disa nga protestuesit.

Më herët, policia bllokoi automjetet që vinin nga Kosova për t’u bashkuar në protestën kundër vendojes së taksës për Rrugën e Kombit.

10:20- Policia shqiptare ka bllokuar në Kukës automjetet nga Kosova.

Lajmin e ka bërë me dije Top Channel, me një fjali, ku shkruan se “policia bllokon drejtuesit e automjeteve nga Kosova për në Shqipëri”.

Kujtojmë se sot para tunelit të Kalimashit është paralajmëruar protestë kundër vendosjes së taksës rrugore.

Protesta është thirrur nga aktivistë dhe qytetarë të Kukësit, të cilët përmes protestës kërkojnë heqjen e taksës rrugore.

“Ora 11:30 te tuneli i Kalimashit, mbahet protestë qytetare, pa ndikime partiake, për t’i thënë ndal taksimit të padrejtë të Rrugës së Kombit”, thuhet në njoftim.

Të rinjtë, të rrezikuar nga drogat e reja në treg

0

Numri i përdoruesve të substancave narkotike është mjaft i madh dhe në rritje, bëjnë të ditur zyrtarë që merren me këtë çështje. Shqetësues mbetet fakti se në Kosovë në vazhdimësi hyjnë droga të reja, e që përdoren nga të rinjtë pa pasur njohuri për to.

Kështu thotë për Radion Evropa e Lirë, Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, sipas të cilit droga më e re që ka hyrë në treg është ajo e quajtur ‘ DOC’(Chloro-2,5-dimethoxyamphetamine), e që është tip i halucinogjenëve.

Siç thotë Blakaj, edhe droga ‘GHB’ (Hydroxybutyric acid) është njëra nga më problematiket, e që po përdoret shumë nga të rinjtë prej vitesh.

Por, sipas tij, shqetësues mbetet fakti se fëmijët e moshës 12-vjeçare në Kosovë përdorin marihuanë.

Sipas statistikave që qendra “Labirinti” posedon, rreth 20 për qind e nxënësve në shkolla, përdorin substanca narkotike, derisa në gjithë Kosovën thuhet se janë rreth 5 mijë përdorues të drogave në mënyrë aktive, derisa 25 mijë përdorues që herë pas herë përdorin droga.

“Sa i përket moshës mesatare të personave që përdorin droga, posaçërisht vitin e fundit ka rënë dukshëm, është 16 vjeç. Kjo është një rënie e dukshme nëse krahasohet me vitet paraprake. Mosha ekstreme që është paraqitur, e që nuk kanë qenë (raste) të shumta, ka qenë mosha 12 vjeç. Droga më e përdorur është marihuana, derisa në Prishtinë paraqiten kohë pas kohe edhe droga të reja e që janë të tipave halucinogjenëve, e që quhet DOC. Kjo përdoret në formë tablete. Moshat që e përdorin këtë drogë janë kryesisht 16 deri në 23 vjeç. Gjithashtu, GHB, një tjetër drogë përdoret shumë e që është në formë të lëngët”, thotë Blakaj.

NYT e quan marrëzi projektin “Shkupi 2014”

0

Kjo anije piratësh mbi në lumin Vardar që përshkon Shkupin konsiderohet nga prestigjiozja amerikane “New York Times” si pjesë e marrëzisë së madhe të projektit “Shkupi 2014”.

Një projekt me një vlerë prej 750 milionë dollarësh, nismëtar i të cilit ishte ish-kryeministri Nikolla Gruevski, që do të përmbyllej atë vit, por në fakt është ende sot i papërfunduar. Madje për këtë projekt, vetë Gruevski po përballet me akuzat për korrupsion.

Në shkrimin e gjatë kritik të publikuar nga e përditshmja amerikane pamja e re që i ka dhënë ky projekt, kryeqytetit të Maqedonisë konsiderohet “false”, një përzierje e neveritjes, zemërimit dhe konfuzionit, shkruan Atsh.

Ndërtesat e epokës komuniste në qendër të Shkupit janë veshur me stilin “Kiç”, që në fakt nuk i takon pasi arkitekturën e ndërtesave e përcakton shoqëria që i ndërton, që sipas New York Times nuk ka lidhje me atë model.

Projekti “Shkupi 2014” konsiderohet si përpjekje e Gruevskit për të pretenduar trashëgiminë nga Greqia e Lashtë. Përmes kësaj u përpoq të fuqizonte krenarinë kombëtare, në përpjekje për të shtuar elektoratin. Por ky projekt shtoi tensionet me Greqinë, për çështjen e emrit dhe identitetit të Maqedonisë. Grekët pretendojnë se Maqedonia e vërtetë i takon kulturës helenistike, të cilën e trashëgojnë vetëm ata.

Funksionalizimi i rezervuarit të ujit në Gjonaj, peng i investimeve shtesë

0

Rezervuari i ujit të pijshëm në fshatin Gjonaj është ndërtuar me mjete të buxhetit komunal, por ky projekt megjithatë nuk e ka zbutur problemin e furnizimit në këtë lokalitet.

Kjo për faktin se ka probleme teknike që duhen rregulluar me investime shtesë. Pikërisht në këtë drejtim, udhëheqësit e kompanisë rajonale të ujësjellësit “Hidrorajioni jugor” po kërkojnë donatorë për investimet shtesë, shkruan sot Koha Ditore.

Haziz Hodaj nga Gjonaj, këshilltar i LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur se ky projekt është neglizhuar nga pushteti i kaluar komunal, pasi që ndërtimi i rezervuarit të ujit të pijshëm ka zgjatur 3 vjet. “Ka 3 vjet që ka nisur ndërtimi i këtij rezervuari. Vitin e kaluar ka përfunduar ndërtimi, me investimin e Komunës së Prizrenit, mirëpo ai ende nuk është vënë në funksion.