11.6 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025
Home Blog Page 5219

KQZ decertifikon Zafir Berishën, i pamundësohet gara për Prizren

0

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) ka miratuar decertifikimin e 86 kandidatëve nga pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, të cilët kanë vendim përfundimtar nga gjykatat e Kosovës.

Tetë vota ishin për, një kundër dhe një abstenim. Kundër këtij decertifikimit ishte përfaqësuesi i Nismës në KQZ, Eshref Vishi, ndërsa ka abstenuar përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi.

Me këtë vendim kandidati i Nisma për Kosovën për kryetar të Prizrenit Zafir Berisha decertifikohet dhe i pamundësohet gara për të parin e Prizrenit.

Ky vendin ishte paraparë që të merrej në mbledhjen e djeshme mirëpo një gjë e tillë nuk ndodhi pas anëtarët vlerësuan që kanë nevojë për një analizim të aktvendimeve, raporton Ekonomia Online.

NISMA ndahet nga PAN-i, operon si grup i vetëm parlamentar

0

Partia e Fatmir Limajt, Nisma, së shpejti nuk do të jetë pjesë e PAN-it. Ata kanë vendosur që tash e tutje të veprojnë si grup i vetëm Parlamentar.

Këtë e ka konfirmuar për Express të martën, sekretari i përgjithshëm i Nismës, Bilall Sherifi.

“Po e kemi proceduar në Kuvend informatën që në të ardhmen do të funksionojmë si grup i veçantë parlamentar”, u shpreh deputeti i Nismës.

Ai sqaroi se ky veprim ka qenë vendim i partisë qysh në fillim.

Sidoqoftë, kujtojmë se PAN kishte arritur koalicion parazgjedhor me partinë e Limajt, ku kjo e fundit mori udhëheqjen e dy ministrive, atë të Ministrisë së Arsimit dhe MTI-së, ndërkaq Zëvendëskryeministër, Fatmir Limaj.

Ramush Haradinaj të shtunën mori mbështetjen  e 61 deputetëve që të jetë në krye të Qeverisë, me 21 Ministra. /Express/

Poeti i njohur që Gjergj Fishta admironte

0

Atë Gjergj Fishta është një ndër figurat më të rëndësishme të historisë, letërsisë e kulturës shqiptare. Në poliedrinë e tij, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në të mirë të atdheut. Por edhe ai, si çdo njeri tjetër kishte miq, shokë e të afërt, punën dhe shpirtin e të cilëve admironte.

I tillë është edhe Atë Anton Xanoni, meshtari jezuit i lindur në Durrës në vitin 1863 dhe i rritur në Shkodër ku edhe vdiq në vitin 1915. Për plot 22 vite, pas shkollës së bërë jashtë Shqipërisë dhe misioneve të shkurtra në Torino e Poloni, i shërbeu atdheut si studiues, shkrimtar, mësues, përkthyes e meshtar.

Atë Anton Xanoni

Në biografinë e shkurtër shkruar nga Gaetano Petrotta, ai ishte adhurues i letërsisë greke dhe romake si dhe njohës shumë i mirë i këtyre gjuhëve nga të cilat nisi të përkthente vepra të rëndësishme. Pavarësisht kësaj, asnjëherë nuk e la pas dore dashurinë për gjuhën amtare, dashuri të cilën e manifestoi me studimin e saj dhe duke e përdorur për të shkruar poezi e proza mbresëlënëse.

Si studiues i gjuhës shqipe, studioi dialektet e saj si dhe librat e Pjetër Budit e Pjetër Bogdanit. Gjithashtu mblodhi lëndë të rëndësishme për gramatikën duke i përmbledhur në një libër prej 230 faqesh të cilin e la në dorëshkrim. Gjithashtu mblodhi edhe shprehje e fraza të përdorura në malet e veriut, qoftë vetë, qoftë ua la si detyrë vëllezërve jezuitë të cilët shërbenin atje në misionet shëtitëse.

Në vitin 1909 botoi librin Gramatika Shqipe duke mos përfshirë çdo gjë, me shpresën e parealizuar, t’i botonte më vonë në një libër më vete.

Shkroi edhe për retorikën dhe stilistikën e gjuhës shqipe, artikuj të cilët u botuan në revistën “Lajm’tari i Zemrës s’Jezu Krishtit” nga numri i parë në 1911 e në vazhdim, edhe pas vdekjes së tij.

Prej librave të shumtë të Atë Xanonit, mund të veçojmë: Nji gjeografi e Shqipnisë”, “Nji përmbledhje historie”, “Lexime për shkollat fillore”, “Trembëdhjetë të martat e Shna Ndout”, “Jeta e Shën Françesk Saverit” e të tjerë.

Në Shqipëri, Atë Xanoni u bë i njohur me përkthimin e romanit Gjinovefa di Barbante” pjesë të të cilit u botuan fillimisht në revistën e përmendur më lart dhe më pas në trajtën e një libri.

Atë Xanoni shkroi artikuj të shumtë studimorë e kulturorë në periodikët më në zë të kohës, qoftë ato të etërve jezuitë, qoftë edhe të tjerë si “Hylli i Dritës”, si dhe disa tregime, novela e poezi, kryesisht për fëmijë.

Gjithsesi, pjesa më e madhe e punimeve të tij mbeten (dhe vazhdojnë të jenë) të pabotuar, tani ndoshta edhe të humbur gjatë periudhës komuniste.

Atë Anton Xanoni i dha gjallëri letërsisë shqipe duke e pasuruar atë me leksikun e larmishëm të veprave të tij.

Vdiq me 16 shkurt të vitit 1915 duke hidhëruar të gjithë atdhedashësit dhe vëllezërit meshtarë, por mbi të gjitha, Atë Gjergj Fishtën me të cilin e lidhte një miqësi vëllazërore. Ai ishte admirues i shpirtit, mendjes dhe kulturës së tij të gjerë, aq sa pas vdekjes, i shkroi një elegji të ndjerë. /Konica.al

Dhjetë libra që çdo grua duhet t’i lexojë

0

1. “Gra të vogla”, Louisa May Alcott

“Gra të vogla” është janë një klasik i dashur i shekullit të 19-të, që ende lexohet sot dhe i pëlqen të gjithëve, veçanërisht grave nga e gjithë bota. Romani flet për katër motra që rriten së bashku, për dashurinë familjare, për rivalitetet mes tyre, për kërkimin e identitetit, për dashurinë dhe marrëdhëniet, varfërinë, pasurinë, përparësitë në jetë dhe, më e rëndësishmja, përqëndrohet në pavarësinë e femrave. Në atë kohë, një grua e re nuk mund të konkuronte me shokët e saj meshkuj. Ky roman thyen stereotipet.

2. “Krenari dhe paragjykime”, nga Jane Austen

Ky libër është konsideruar si një i preferuar personal nga shumë gra. Një nga veprat më të famshme të Jane Austenit, “Krenari dhe Paragjykime”, ofron dy mësime të vlefshme në jetë që çdo vajzë duhet të mësojë: përshtypjet e para nuk janë gjithmonë të duhurat, dhe secili ka nevojë për shanse të dyta. Gjithashtu mëson se kur bie në dashuri, krenaria duhet të ketë përulësi, dhe paragjykimet duhet të zhduken.

3. “Matilda” nga Ronald Dahl

Matilda është një vajzë e re, e cila është lënë pas dore nga familja e saj. Ajo është e zgjuar dhe shumë e talentuar. Më vonë zbulohet se ajo zotëron fuqi magjike. Dhe kjo fuqi inkurajohet më shumë, nga një mësues i mirë i klasës së saj. Më pas, Matilda merr kontrollin e jetës dhe vendos fatin e saj. Ky roman për fëmijë është i rëndësishëm për një grua, sepse mëson që ajo ka vlerë, përtej asaj që të tjerët shohin tek ajo.

4. “Të vrasësh zogun që përqesh”, nga Harper Lee

Një klasik i bukur, ky roman merret me një protagoniste 6 vjeçare, e cila spikat si ikonë feministe dhe që refuzon të pranojë standardet e shoqërisë, në vend të kësaj bën përpjekjepër të nxitur barazinë gjinore. Romani i vendos ngjarjet gjatë Depresionit të Madh, dhe deri sot, mësimet e jetës së protagonistes janë të zbatueshme për lexuesit e kohëve moderne.

5. “Ditari i një vajze të re” nga Anne Frank

Gjatë pushtimit nazist të Holandës, mijëra hebrenj u larguan e u fshehën. Anne Frank ishte një prej tyre. Dhe ajo që e bën atë të veçantë dhe të dashur për miliona njerëz në mbarë botën, është ditari që ajo shkroi gjatë kohës që qëndroi e fshehur. Ky ditar i famshëm tregon, sidomos për gratë e reja anembanë botës, detajet e vogla të një vajze të re që rritej: ndërgjegjja tipike e vajzave, miqësia me vajzat e tjera, pëlqimet e djemve, si ka ndikuar në jetën e saj pesha historike, dhe vetmia e saj.

6. “Unë e di përse këndon zogu në kafaz” nga Maya Angelou

Maya Angelou e shkroi këtë autobiografi në vitin 1969. Ky roman është një shembull i fortë se si një grua mund të qëndrojë e fortë, pavarësisht nga padrejtësitë shoqërore dhe personale. Me luftën kundër racizmit, seksizmit dhe traumave personale, ky libër tregon se sa e lehtë është të brendësosh këto forca negative dhe sa e fuqishme mund të bëhet një grua duke u rezistuar atyre.

7. “Ella e magjepsur”, nga Gail Carson Levile

Ella është inteligjente, e mprehtë dhe aventureske. Ajo është si Hirushja moderne por me një ndryshim. Ajo ka një princ simpatik që bie në dashuri me të dhe nuk është ai, por Ella, e cili është e aftë të shpëtojë veten. Ky libër tregon një heroinë të pavarur që lufton kundër mallkimit të bindjes dhe nuk ka nevojë për një kalorës me armaturë argjendi për ta shpëtuar.

8. “Ngjitja e Esperanzas” nga Pam Munoz Ryan

Ky roman për të rritur është vendosur gjatë Depresionit të Madh. Ngjarjet zhvillohen në Meksikë dhe Kaliforni. Esperanza është një vajzë e pasur që lufton kur familja e saj bie në varfëri. Historia është një reflektim mbi pikënisjen për vajzat që fillojnë të mësojnë për jetën e emigrantëve, mbivendosjen e kulturave dhe sfidën e varfërisë.

9. “Bossypants” nga Tina Fey

Kush tha se gratë nuk mund të jenë me humor? E pra, komediania Tina Fey e di mirë rrugën e saj në botë, për të rrëfyer se gratë mund të jenë argëtuese. Kjo autobiografi komike gjithashtu hedh dritë mbi mësimet e vlefshme rreth feminizmit dhe imazhit të trupit, diçka që çdo grua duhet ta mësojë.

10. “Inkheart” nga Cornelia Funke

Meggie dhe babai i saj kanë një fuqi të veçantë: kur lexojnë me zë, të këqinjtë e fantazisë hyjnë në botën reale. Një natë, kur babai i saj po lexonte me zë një libër, zogjtë hynë në dhomën e tyre të ndenies dhe e lanë Meggiën pa zgjidhje tjetër, përveçse ta luftonte atë dhe të shpëtonte. “Inkheart” është një libër për aventurën e fantazisë, për feminizmin e fortë, për imagjinatën, dhe më e rëndësishmja, për jetën, shkruan bota. al.

Një libër mund të jetë miku më i mirë i një gruaje.

Librat mund të frymëzojnë për të bërë kaq shumë gjëra, për të kapërcyer emocionet, për ta kuptuar qëndrimin e dikujt në këtë botë dhe, sigurisht, të frymëzojnë për të qenë e pavarur dhe të ngresh zërin për barazinë gjinore.

Një grua duhet të lexojë shumë libra për të patur një kuptim më të mirë të botës dhe vendit të saj në të. 

HardhFest shënon një sukses të paharruar

0

Me orën poetike, hapjen e ekspozitës së artistëve, pjesëmarrës në Kononinë e Artit dhe me përzgjedhjen e mbretëreshës së Rrushit, të dielën është përmbyllur edicioni i 16-të i Festës së Vjeljes së Rrushit HardhFest.

Këtë vit, numri i pjesëmarrësve në HardhFest arriti mbi 50 mijë, gjë që tregon se interesimi për këtë festë është duke u rritur.

E veçanta e këtij edicioni ishte performanca e legjendës së rokut, Joe Lynn Turner, ish vokalist i grupeve ndër më të njohura të rokut klasik, Deep Purple dhe Rainbow, si dhe George Giakis dhe grupin Troublemakers.

Gjithashtu HardhFest këtë vit riktheu në skenë grupin 403, të cilët për një kohë të gjatë nuk u panë në skena të mëdha.

Gjatë katër ditëve festive, n’Konak dhe në qendër të Rahovecit, u mbajtën aktivitete të ndryshme tradicionale e artistike.

Hapja e festivalit filloi të enjten, me 7 shtator. Parakalimi i mekanizmit bujqësor, nga qendra e qytetit, deri tek Konaku, ishte aktiviteti i parë që i dha frymën e festivalit dhe qytetit të Rahovecit.

Ndërsa, me prerjen e Kalaveshit të rrushit, filloi ceremonia zyrtare, ku të pranishëm ishin akterë politikë, e që fjalën e mori i pari i Rahovecit, Idriz Vehapi, si dhe nikoqirja e festës, Djellza Jaha. Gjatë kësaj ceremonie u bë edhe shpallja e vreshtarëve dhe vertarëve më të mirë.

Interesim të madh kishin secila nga aktivitetet e mbajtura, si vizita në vreshta HardhTour, garat në shpejtësinë e vjeljes dhe shtrydhjes së rrushit, Karnavali në Qytetin e Rahovecit, Demonstrimi i pjekjes së rakisë, etj. Ndërsa në panairin e verës dhe rakisë, për të cilin organizohet i gjithë festivali, u pa një interesim i jashtëzakonshëm i vizitorëve vendorë e turistë të huaj, të cilët degustonin verërat në secilën verari, e cila ishte e hapur për gjatë 4 ditëve të festës.

Dita e parë u përmbyll me Sofra tradicionale, e përcjellë me instrumentistë dhe këngëtarë të muzikës tradicionale shqiptare si dhe me performimin unplugged të bandit Magnituta n’Konak rreth “kazanit” dhe vazhdoi në HardhCamp.

E të nesërmen me 8 shtator, festa nisi me performimin e dj në Promo Skenat n`Konak të cilët po argëtonin publikun. Demonstrimi i pjekjes së rakisë po vazhdonte, si dhe artistë nga vende të ndryshme të botës, vazhdonin të pikturonin në Kolonia e Artit.

Në anën tjetër, HardhTour vazhdoi vizitën në monumente të ndryshme të trashëgimisë kulturore si dhe vizitë bodurmeve të Rahovecit.

E n ‘Konak po mblidheshin publiku nga anë e mbanë Kosova dhe turistë nga vende të ndryshme të botës, për t`u argëtuar me koncertin e parë të kësaj feste, ku të parët që hipën në skenën e madhe ishin familja Shtavica, rok grup ky i përbërë nga tri gjeneratat e kësaj familje, e pas tyre atmosferën e ndezën Offchestra, për të pritur në skenë rikthimin e grupit 403. Mbas performimit të 403 për më shumë se një orë, dj Maarvel, dj Mickey dhe dj NWE, mbajtën publikun të ndezur deri mbas mesnate.

HardhCamp ishte një ndër atraksionet më të mëdha të festës, ku ishin kampistët të parët që fillonin festën n`Konak, e që përcillnin gjitha aktivitetet e festës.

Më datë 9 shtator, aktivitetet vazhdonin të kishin interesim nga turistët, të cilët prisnin me padurim koncertin e dytë të kësaj feste.

Koncerti madhështor filloi me muzikën cover të muzikantit nga Rahoveci Naser Dula, e më pas rok grupi nga Ssuedia Memory Writws. Një roker mjaftë i dashur për publikun BB Poqi vazhdoi të performonte si dhe mbas tij, paragrup i kësaj mbrëmje ishte George Giakis si dhe Troublemaker nga Greqia.

Rreth orës 23, me të hyrë në skenë ikona e muzikës rock Joe Lynn Turner, së bashku me pjesëtarë të grupit, atmosfera arriti kulmin, ku pothuajse për gjithë publikun, ishte hera e parë që po i dëgjonin live në një koncert këngët e grupit Deep Purple dhe Rainbow.

Gamblemania & BAND, nga Prishtina, dj Oda dhe dj Gruda, mbanë të zgjuar publikun deri në mëngjesin e së dielës.

Edhe në ditën e tretë – të dielën (10 shtator) atmosfera si n’Konak ashtu edhe në qytetin e Rahovecit, nuk kishte të ndalur deri në orët e vona, kur edhe u përmbyll me hapjen e ekspozitës së artistëve të Kolonia e Artit si dhe orën poetike, me poezitë e poetit nga Rahoveci, Xhevdet Bajraj.

Për këtë edicion që vulosi një sukses mjaft të madh, duke sjell në Rahovec mbi 50 mijë vizitorë, HardhFest falënderon të gjithë ata që mundësuan një organizim të tillë. Falënderon qytetarët e Rahovecit, për bujarinë dhe mikpritjen e treguar për të gjithë vizitorët dhe turistët, për të cilët bënë konakë gjatë katër ditëve, Vreshtarët dhe Vertarët e Rahovecit, pa të cilët një organizim i tillë s`do të kishte vlerë dhe gjithë artistët që morën pjesë në festival.

Sponsorët e “Hardhfestit” të cilët mundësuan që kjo festë të kishte nivelin e duhur e gjithashtu edhe partnerin e festivalit “Stone Castle”. Një përkrahje të madhe dhanë edhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural si dhe Komuna e Rahovecit, nën patronatin e të cilëve organizohet edhe Festa e Vjeljes së Rrushit.

Të palodhshëm u treguan edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës, për të cilët HardhFest u është shumë mirënjohës dhe falënderues për kontributin e tyre.

Festa e vjeljes së rrushit Hardhfest ka tri vite që është ri brenduar me format të ri dhe që po mbahet në Rahovec, duke arritur nivelin e organizimeve më të rëndësishme në Kosovë, e që është duke sjell emra të njohur botërorë. Këtë vit festa e madhe e rrushit u mbajt me sloganin “Mbas Verës vjen Vera”. /PrizrenPress.com/

Aksident i rëndë në Rahovec: 1 i vdekur dhe 11 të lënduar

0

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur dje në fshatin Mrasor të Rahovecit.

Nga ky aksident, sipas raportit të Policisë, një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë lënduar, shkruan PrizrenPress.

“Deri te aksidenti ka ardhur derisa një automjet udhëtarësh hyn në tejkalim në mënyrë të pasigurt dhe godet dy automjete tjera që lëviznin në drejtim të kundërt. Si pasojë e aksidentit humb jetën në vendin e ngjarjes ngasësi i automjetit që ka shkaktuar aksidentin dhe lëndohen 11 të tjerë të cilët dërgohen në qendrat Emergjente në Gjakovë, Pejë dhe në QKUK”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Nga i njëjti raport bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion. /PrizrenPress.com/

Arrestohen katër persona për prostitucion në Prizren

0

Të hënën në Prizren, janë arrestuar katër të dyshuar, një femër shqiptare shtetase e Shqipërisë dhe tre meshkuj shqiptarë, me dyshimin e bazuar për marrje me prostitucion, shkruan PrizrenPress.

Policia e Kosovës njofton se të dyshuarit janë dërguar në procedurë të shpejtë në gjykatë, dhe janë liruar në procedurë të rregullt, /PrizrenPress.com/

Kapet duke vjedhur në një butik në Malishevë

0

Në Malishevë është arrestuar një i dyshuar, pasi që i njëjti është kapur ne flagrancë duke vjedhur gjësende në një butik.

Policia njofton se rasti ka ndodhur pasditen e djeshme, shkruan PrizrenPress.

ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Shtetasi i Shqipërisë kalon kufirin ilegalisht në Kosovë

0

Është arrestuar një mashkull, shtetas i Shqipërisë, pasi ai kishte kaluar ilegalisht kufirin në Qafë Morinë.

Rasti, sipas Policia e Kosovës, ka ndodhur dje, shkruan PrizrenPress.

Me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Njeriu nga Prizreni që ka pajtuar 18 familje

0

Maxhun Liman Gashi shpesh është në oda pajtimesh. Ai për “Kosova Sot” tregon se ishte bashkëveprimtar i Anton Çetttës e shumë pajtimtarëve të tjerë dhe ka marrë pjesë në 134 pajtime në atë kohë. Nga pas lufta, ai me shokët e tij ka pajtuar jo më pak se 18 familje

Haxhi Maxhun Liman Gashi nga Landovica është në moshën 72- vjeçare, por shumicën e kohës e kalon në oda pajtimesh. Ai ka vendosur që për herë të parë të flasë për “Kosova Sot” për pajtimet e gjaqeve tek shqiptarët. Ai thotë se ka marrë pjesë bashkë me Anton Çettën në 134 pajtime gjaqesh në kohën e okupimit serb. “Mirëpo, pas lufte, unë si anëtar i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve vendosa që këtë punë humane ta vazhdoj së bashku me të tjerët, pa kurrfarë pagese. Kjo na bëri të respektuar kudo që kemi shkuar dhe kjo na bëri të gëzuar, ngase kemi pajtuar 18 familje”, thotë Gashi, duke shtuar se kjo punë i nderon atë dhe shokët e tij.

Gjakmarrja është një çmenduri

Edhe pse në këtë moshë, ai mban në mend dhe citon pjesë të shumta të Kanunit e të Kuranit, sepse pohon se duke sjellë pjesë të këtyre dy kodeve të mirëfillta njerëzore ata edhe u binden fakteve se gjakmarrja është një çmenduri. Gashi falënderon edhe klerikët, si hoxhallarët dhe priftërinjtë e shehlerët, që ishin të thuash shpesh edhe bazamenti parësor për të pajtuar një familje. “Në ato momente kur e shohim se humaniteti apo ligjet në fuqi nuk e ndihmojnë familjen, atëherë kalojmë në historinë e popullit shqiptar, tradita ka rol të veçantë, sidomos kur flitet për Kanunin e Lek Dukagjinit, i cili përbënte bazat juridike dhe etiko-morale të shoqërisë shqiptare, pra përfshin ligjet, rregullat, normat, zakonet, doket, të cilat dhe pse nuk kanë qenë shkruar, kanë mbijetuar me shekuj, sepse janë ruajtur me fanatizëm në kujtesën e të parëve dhe janë transmetuar gojarisht nga populli ynë, me të njëjtin mekanizëm si janë ruajtur dhe transmetuar gjuha e bukur shqipe, folklori i pasur, zakonet fisnike dhe historia jonë e gjatë dhe e lavdishme”, thotë Gashi, duke shtuar se kishte mësuar nga babai i tij Liman Xhelili, siç e kanë quajtur. “Babai më pati thënë se po shkove në pajtim, kur mos lakmo, po shkove në pajtim, kur mos ano dhe po shkove në pajtim kurrë mos fol pa kandar, që do të thotë pa e matur mirë fjalën”, thotë ai, duke veçuar disa pajtime të mëdha në Rogovë, në Pnish dhe në Krumë të Shqipërisë, ku ishin ngatërruar dy familje për një lis. “Njëri nga ata pati rastin të kërkojë gjakun, sepse me një plumb kishte vrarë një mashkull shtëpie. Kurse po ai mashkull kishte shkrepur dy plumba dhe tjetri kishte mbetur gjallë. Pastaj kemi pajtuar raste shumë të rënda, pa i përmendur ato që tash lidhen me martesa e shkurorëzime dhe që janë mjaft të rënda, por që lidhen me çështje morali familjar”, thotë Gashi.

Nuk flinte as nga një javë

Maxhun Liman Gashi, i vetëdijshëm për rëndësinë e familjeve dhe të shuajnë ngatërresa, tregon se shpesh kanë konsultuar edhe pjesën kryesore të Kanunit, që përcakton në mënyrë të qartë se gjaku i derdhur duhet të shpaguhet, kuptohet se hakmarrja është e lidhur pazgjidhshmërisht me konceptin e “Gjakut”. Kërkimi i shkaqeve të një dhune të tillë kaq shpaguese, e cila si pasojë rezulton në gjakderdhje, na pajis ne me çelësin për të shkuar drejt koncepteve të cilat ndërtojnë strukturën etike të Kanunit. Është e lehtë të zbulosh se katër konceptet, “Betimi”-“Beja”, “Besa” (besa është një betim për armëpushim), “Nderi” dhe “Miku”, bashkëshoqërohen me “Hakmarrjen”. Për shembull, kur një burrë është fyer, ai ka të gjitha të drejtat për ta rivendosur në vend nderin e tij duke vrarë fyesin. Kur një burrë ose një mik është vrarë, gjaku i derdhur duhet të shpaguhet. Në këtë mënyrë, që të katër konceptet, “Betimi”, “Besa”, “Nderi” dhe “Miku” do të puqen mbi konceptin e “gjakut” nëpërmjet një dhune hakmarrëse. “Prandaj, edhe unë mund të them se shesh për ‘Besë’, për ‘Benë’ më ka rënë të mos fle edhe deri në një javë. Por, ajo që më gëzon mua dhe të gjithë pajtimtarët është kur shtrihet dora e pajtimit dhe fillojnë ato familje të duhen e të respektohen sikur që janë respektuar para ngatërresës. Ky është kulmi i një pajtim dhe kjo më jep frymë dhe kurajë që në oda të pajtimeve të mbërrijë të vdesë, sepse kjo më frymëzon shpirtin. Jemi popull i vogël të kemi ende hasmëri’, tregon për “Kosova Sot” Maxhun Liman Gashi.