Nga Zafir Berisha
01.09.1998 dita e marte, 07,30h në vend të fillimit të vitit shkollor, fillojë ofenziva e madhe serbo-sllave mbi UÇK në Vrri të Prizrenit/
Një natë para ofensivës së shtatorit, kishim informacione për lëvizje të mëdha të trupave serbe rreth territoreve ku ne i kishim pozicionet tona. Megjithatë ushtarët tanë ishin vënë të gjithë në gjendje gatishmërie, pra të gjithë nëpër pozicionet e veta. Natyrisht edhe komanda e brigadës ishte e vënë në veprim sipas detyrave të përcaktuara më 28 gusht 1998. Në zonën e përgjegjësisë së Batalionit të Parë, pasi që veç ishin vërejtur lëvizje të mëdha të forcave armike, sidomos drejt majës së Cyilenit, nga ana jonë kishte shkuar në atë pjesë për ndihmë edhe komandanti i policisë ushtarake Salajdin Berisha me një pjesë të policisë.
Atje kishte shkuar edhe komandanti i ZKZ-së Xhevat Berisha, ndërsa gjatë ditës kishte qenë në lëvizje edhe vetë komandanti i Brigadës Ekrem RexhaDrini dhe komandanti i logjistikës Selim Krasniqi. Në atë pjesë kishin shkuar edhe anëtarë të Operativës si Skender Hoxha dhe Ismail Kryeziu, pra me një fjalë ishte vënë në lëvizje e gjithë komanda e Brigadës 125.
Ofensiva e madhe e ndërmarrë nga forcat serbe kundër pozicioneve të Brigadës 125 që vepronte në kuadër të zonës së lirë në Vërri dhe kundër fshatrave të Vërrinit, në përgjithësi, ishte njëra nga ofensivat më të ashpra që përjetuam ne ushtarët e UÇK-së, por në anën tjetër ne ishin të vendosur që të përballemi me forcat okupuese.
Në rrethin e Prizrenit, armiku serb kishte aktivizuar rreth 4000 forca ushtarake policore serbe, në mesin e të cilëve kishte edhe paramilitarë, mercenarë ukrainas, rusë e të viseve tjera, që e përkrahnin luftën okupuese serbe dhe këtë herë për ta mposhtur Vërrinin si një rajon me pozitë gjeografike, që nuk i konvenonte okupatorit serb të jetë nën kontrollin e UÇK-së.
Rajoni i Vërrinit në kuadër të operacioneve që bënte UÇK-ja, në gjithë Kosovën ishte një territor me strategji të veçantë dhe pikërisht për këtë pushtuesi serb aktivizoi shumë forca dhe më 1 shtator 1998 rreth orës 7 të mëngjesit filloi sulmi i forcave armike serbe mbi pozicionet e UÇK-së. Fillimisht sulmi filloi në fshatin Lez, ku zhvillohet një luftë shumë e ashpër dhe këtu bëhet një rezistencë titanike e ushtarëve të UÇK-së nëpër të gjitha pozicionet.
Në këtë betejë, kishin shkuar në përforcim edhe komandanti i ZKZ-së, Xhevat Berisha dhe ai i policisë ushtarake, Salajdin Berisha me një pjesë të ushtarëve.Në Lez, u zhvillua njëra nga betejat më të mëdha deri atëherë, që ishin zhvilluar në Kosovë e sidomos në rrethin e Prizrenit.
Luftimet pastaj u përhapën nëpër gjithë territorin e Vërrinit, por është me rëndësi se në këtë luftë forcat serbe sipas planeve të tyre gjatë gjithë kohës i granatonin pozicionet e Batalionit të Dytë nga largësia, ndërsa në ato të Batalionit të Parë, tentohej të futej këmbësoria. Dhe kështu, në ditën e parë rreth orës 17 pas thyerjes së një pike të kompanisë në Lez, forcat serbe depërtojnë deri në fshat. Në këtë luftë të ashpër dhe të përgjakshme, që zhvillohet në mes të forcave të UÇK-së dhe forcave armike, heroikisht në vijën e parë të frontit bien si, Xhevat Berisha,Selajdin Berisha, Shefqet Berisha, Hasim Berisha, Nehat Berisha, Alajdin Berisha, Bekim Berisha, Shahadin Berisha, Naip Berisha, Samidin Emini dhe Ibrahim Osmani, të cilët u dëshmuan me heroizmin e vet edhe më herët, e më vonë bien edhe dy pleqtë, Asllan Berisha dhe Izair Berisha. Gjatë po asaj nate, derisa po e vëzhgonin terrenin në mes të fshatit Kushnin dhe Arbëri, bien në pritë edhe ushtarët Tamil Shala, Refki Shala dhe Milaim Thaçi nga Kushnini. Dhe kështu filloi depërtimi i armikut në drejtim të territorit, që deri atëherë ishte i kontrolluar nga ushtarët e UÇK-së. Kjo ishte një ofensivë, e cila me vete mori edhe shumë civilë, sepse në të njëjtën kohë pa ndërprerë nga forcat barbare serbe, granatohej fshati Malësi e Vërrinit, Kushnini, Arbëria, Lezi, selia e shtabit të Brigadës 125, në Jeshkovë dhe vetë fshati, Hoça e Qytetit, Kushtrimi, Gurra si dhe të gjitha pikat e pozicioneve tona.
Granatimet e ushtrisë barbare serbe bëheshin me të gjitha mjetet dhe artilerinë që kishte në dispozicion ushtria dhe policia serbo-jugosllave. Luftimet vazhduan edhe më 2 shtator dhe atë ditë më të ashpra ishin ato në fshatin Jeshkovë, sepse këmbëngulja e forcave serbe ishte që me çdo kusht të depërtonin deri në Shtabin e Brigadës 125.
Gjatë kësaj lufte heroike, diku pasdite bie njëri nga luftëtarët, njëri nga ata ushtarë që vështirë të lindë nëna më trim të atillë në rrethin e Prizrenit, e ky ishte Agim Shala, i cili bie në altarin e lirisë së bashku me babanë e tij Avdi Shalën, djalin e axhës të tyre, Besim Shalën dhe njëri nga policët e policisë ushtarake të UÇK-së, Fatmir Berisha.
Gjatë gjithë kësaj lufte, forcat barbare serbe gjuanin pa ndërprerje në pozicionet e fshatit Kushtrim, dhe tentonin të futeshin në Dushkajë të Poslishtit, pastaj në pikën e Tusuzit, por pasi që veç nga shpina ishin thyer pozicionet e Batalionit të Parë, rrezikohej edhe vija e parë e frontit në Tusuz dhe natyrisht komanda e Batalionit të Parë tërhiqet në fshatin Arbëri, ndërsa ne vazhdojmë të mbesim në pozicionet e Batalionit të Dytë derisa në kuadër të të gjitha këtyre luftimeve dita e tretë e gjeti në një pozitë të palakmueshme popullatën civile, sepse të gjithë ushtarët dhe burrat e Vërrinit të moshës mbi 18 vjeç ishin nëpër vijat e frontit.
Pra, këtu u zhvillua edhe një luftë speciale në brendi të popullatës civile, një thashetheme, e cila ishte lansuar nga njerëzit e shitur të Serbisë, brenda zonës, se popullata civile duhet të mblidhet në fshatin Poslisht. Kjo ishte ajo fatkeqësia dhe taktika që e përdori armiku përmes njerëzve të tij, me qëllimet më ogurzeza për të na thyer edhe moralisht, pra edhe në atë pikë ku qëndronte edhe vetë forca e UÇK-së. Gjatë gjithë kohës sa ne ishim nëpër pozicione, popullata e katër fshatrave ishte mbledhur në fshatin Poslisht, pra banorët e fshatrave që ishin në kuadër të Batalionit të Dytë. Dhe në natën e tretë, kushtëzoheshin nga armiku që po të bëjmë ne ushtarët e UÇK-së edhe më tej rezistencë të armatosur, pamëshirshëm do të garantohet fshati Poslisht ku gjendej e mbledhur popullsia civile me rreth 3000 deri në 4000 banorë, gjë që edhe një granatë më e vogël po të binte në atë fshat do të kishte pasoja shumë të mëdha në njerëz të pafajshëm, të pambrojtur dhe të pamundshëm për t‘iu kundërvënë armikut barbar.
Banorët e tubuar kërcënoheshin dhe kushtëzoheshin se nëse shkëmbehet edhe një plumb, do ta granatonin Poslishtin. Zona e përgjegjësisë e Batalionit të Parë veç ishte në flakë, ndërsa zona e Batalionit të Dytë ishte nën granatime, pra digjeshin të gjitha fshatrat. Ishte momenti kur edhe selia e Brigadës 125 kishte rënë në duart e okupatorit barbar. Ne një numër i caktuar i ushtarëve, gjatë asaj kohe qëndronim të paluhatshëm në pozicionet tona mbi fshatin Kushtrim, por më e keqja ishte se në ato momente kishim të shkëputura lidhjet me trupin komandues të brigadës e sidomos me Batalionin e Parë, kështu që ishte shumë e vështirë të merrej ndonjë vendim i qëlluar. Ishte ky njëmoment i rëndë, megjithatë ne vendosëm që të bëjmë një lëvizje me ata ushtarë që kishim mbetur deri në ditën e katërt edhe pa ushqime.

Pra, tanimë dihet se popullata ishte e rrezikuar dhe ishte e pamundur të qëndrohet, sepse një pjesë e zonës së lirë e UÇK-së duke përfshirë edhe selinë e Brigadës 125, kishte rënë në duar të armikut. Ato ditë, në shtëpinë e tyre në Prizren, vriten edhe dy ushtarë të shkëlqyeshëm të Brigadës 125, Astret Poniku dhe tekniku medicinal në spitalin ushtarak në Malësi të Vërrinit, studenti Arsim Poniku. Është me rëndësi të thuhet se në kuadër të kësaj lufte, nga granatimet serbe kanë rënë edhe një numër i njerëzve nga radhët e popullatës civile si për shembull më datën 1 shtator në fshatin Malësi të Vërrinit, nga këto granatime ka rënë vogëlushi 5-vjeçar, Arlind A. Kryeziu, ndërsa në fshatin Jeshkovë, plaka Kadishe Berisha. Kurse në fshatin Hoçë të Qytetit kanë rënë Xhemil Krasniqi dhe Hatë Shala. Duhet shtuar edhe faktin se në momentin kur forcat serbe kanë hyrë nëpër këto fshatra, kanë bërë edhe ekzekutimin e disa pleqve, fëmijëve dhe grave. Po ashtu forcat serbe gjatë tërheqjes nga fshati Malësi e Vërrinit, në fund të këtij fshati vranë Arsim Maliqajn, nga fshati Poslisht. Në fshatin Malësi të Vërrinit, më 2 shtator 1998 vriten edhe pleqtë si, Nesim Krasniqi, i cili bie me pushkë në dorë, duke bërë rezistencë kundër paramilitarëve serbë, që kishin zbritur nga kodra e Cyilenit. Po atë ditë vritet edhe Bajram Thaçi, pastaj vriten Mursel Halilaj, Skender Memedaj, Agush Kryeziu dhe Qazim Poniku. Në fshatin Jeshkovë, nga forcat serbe u vranë edhe Merxhan Shala, Fatime Shala (nëna e dëshmorit Besim Shala) dhe Myrvete Shala.
Armiku serb gjate ofenzives me njerëzit e tij k ishte përhapur një propagandë, ku popullatës civile i ishte thënë se: “ Të gjithë do t’i falim për veç Zafir Berishën…” dhe shumë e shumë fjalë të tjera. Kjo vetëm ishte një sekuencë e propagandës së armikut, që mua të më lënë të vetmuar dhe pa përkrahës, por e kishte të kotë Serbia, sepse djemtë e Vërrinit, të cilët ishin me mua nuk pranuan në asnjë mënyrë të bien pre e kësaj propagande.
Lufta per liri vazhdoj pavarësisht humbjeve dhe me 12 qershor 1999 u kurorizua me fitoren e madhe kunder okupatorit serbo-sllave…. Lavdi e përjetshme te gjithë atyre qe u flijuan per Kosove.
Me respekt Zafa