Tre persona të gjinisë mashkullore janë arrestuar në fshatin Jeshovë të Prizrenit, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje rreth një kablloje të rrymës janë rrahur në mes veti.
Policia bënë të ditur se në rrahje janë përdorur shkopinj druri dhe thikë me ç ‘rast të njëjtit kanë pësuar dhe lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor, shkruan PrizrenPress.
“Me urdhër të prokurorit të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/
Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se populli i Kosovës ka organizuar zgjedhje të mira dhe për këtë duhet të vlerësuar.
“Tani kemi parlamentin e ri dhe atij i takon ta formojë qeverinë. Franca do ta njoh secilin qeveri që do të zgjedhet nga Kuvendi i Kosovës dhe në bazë të Kushtetutës”, ka thënë ambasadori francez për RTK-në.
Ai ka theksuar se Franca e dëshiron një qeveri e cila do t’i shtyjë përpara reformat.
“Ka një pritje nga popullata e Kosovës në sferën ekonomike, në luftën kundër korrupsionit. Duhet të kemi reforma në arsim që të rinjtë të edukohen dhe të gjejnë punë. Janë reforma të domosdoshme. Qeveria e ardhme duhet ta bëjë këtë. Reformat nuk janë të lehta, por duhet të kalojnë. Duhet të kemi një mazhorancë e cila i përgjigjet nevojave për të ecur në rrugën evropiane”, ka thënë ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Vetëm gjatë katër ditëve të para të shpalljes së konkursit për pranim në vitin e parë akademik, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë konkurruar mbi 12 mijë maturantë, derisa është planifikuar të pranohen rreth 6800 studentë. Konkursi është i hapur deri të hënën e ardhshme, shkruan sot, gazeta Zeri.
Mbi 12 mijë kandidatë kanë aplikuar për studime në Universitetin e Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina”. Ky numër është paraqitur në konkurrencë vetëm në katër ditët e para të hapjes së konkursit për pranimin e studentëve të rinj në studimet bachelor për vitin akademik 2017/18.
Kurse në këtë universitet në afatin e parë të konkursit UP-ja do t’i regjistrojë 6869 studentë, prej të cilëve 5969 studentë të rregullt dhe 900 studentë me korrespondencë.
Interesim më i madh për të studiuar vërehet në Fakultetin e Edukimit, në të Mjekësisë, në Fakultetin Ekonomik, në Filozofik dhe në atë të Filologjisë.
Drejtori i Zyrës për Teknologji të Informacionit në UP, Isak Shabani, ka bërë të ditur për gazetën “Zëri” se sipas statistikave të grumbulluara deri të enjten, në orën 13:00, për regjistrim në programet e studimeve në UP janë paraqitur 12202 kandidatë, prej të cilëve 10723 veta janë verifikuar, ndërsa 1479 pritet të verifikohen. Sipas këtyre statistikave, me kërkesa për studim prin Fakulteti i Mjekësisë, me gjithsej 1772 kandidatë, prej tyre 779 vetëm në drejtimin e Mjekësisë së Përgjithshme…(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri, ose në versionin online me parapagim online.zeri.info…)
Ramush Haradinaj, kandidat i koalicionit PAN për kryeministër të Kosovës, së shpejtit pritet të mandatohet nga presidenti Hashim Thaçi. Për formimin e Qeverisë nevojiten minimalisht 61 vota, ndërsa Haradinaj besohet t’i ketë 62, njofton Klan Kosova.
Ramush Haradinaj ka pasur një takim informal të enjten me Hashim Thaçin dhe e ka njoftuar atë se ai i ka votat e nevojshme (minimalisht 61) për formimin e Qeverisë, njofton Klan Kosova.
Burime të Klanit bëjnë të ditur se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet javën e ardhshme – ku më pas besohet se do të formohet edhe qeveria e re.
Të enjten, pas takimit të kandidatit të koalicionit fitues PAN dhe presidentit të vendit, në një deklarim për media Haradinaj ka pohuar se në takim nuk ka pasur akordim për datën e saktë të thirrjes së seancës konstituive të legjislaturës së re.
Përkundër Haradinajt, Thaçi nuk është deklaruar fare për takimin.
Takimi i djeshëm u zhvillua jo në ndonjë seli institucioni, por në një restorant në kryeqytet.
Pos, Haradinajt e Thaçit të pranishëm ishin edhe nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, si dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tani analist e gazetar, Dardan Gashi.
Kur flitet për Prizrenin dhe kur flitet për historinë e këtij qyteti domosdo se duhet të flitet edhe për Ramadan Zaskocin.
Profesor dr. Mejdi Elezi për “Kosova Sot” tha se Ramadan Zaskoci nga Mamzi ishte i dalluar në lëvizjen antiosmane e antiserbe në vitet 1876-1914 dhe mori pjesë në lëvizjen kundër Mehmet Ali pashë Maxharrit në Prizren e Gjakovë (1878) dhe në mbrojtjen e tokave shqiptare nga shovinistët malazezë (1879) si dhe në luftimet kundër ushtrive osmane (1881), por sidomos në krye të malësorëve lumjanë, bashkë me krerë të tjerë. Shton se mori pjesë edhe në luftimet kundër forcave osmane që hynë në Lumë në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 20 (1903 -1904, 1909, 1910) dhe atyre serbe në nëntor 1912.
Elezi thotë se Zaskoci qe ndër udhëheqësit e kryengritjes së shtatorit 1913 kundër pushtuesve serbë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Organizator i shquar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Kurse profesor Saimir Krasniqi është shprehur për gazetën se aksioni i 27 gushtit 1878, që u organizua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u realizua me sukses nga Ramadan Zaskoci.
“Në një dokument turk thuhet: “Nëpunësi (telegrafisti), me nxitjen e parisë (udhëheqësit e Lidhjes), u vra me paramendim nga Ramadan Zaskoci… Mareshali Mehmet Ali pashë Maxharri, me të dëgjuar ngjarjen, rrethoi Prizrenin dhe kërkoi dorëzimin e atentatorit, por ata e maskuan dhe e dërguan në Lumë”, shprehet ai.
Ndërsa për aksionin që u krye kundër agjentit austro-hungarez, Balto Tarabulluzit, natën e 12 gushtit 1880, në një letër që i dërgonte Ëngjëll Çoba nga Shkodra, firmës së Stef Binakut në Venedik më 19 gusht thuhet se “Balton me gjithë grua e kanë vrarë brenda në shtëpi. Atë natë në shtëpi i kishin hyrë 20 vetë dhe i kishin shpërthyer penxheren. Baltoja kishte vrarë dy vetë dhe dy të tjerë i kishte plagosur…
“Të gjithë këta që kanë marrë pjesë në kryerjen e këtij akti janë lumjanë prej një katundi afër Prizrenit”, tregon Krasniqi.
Ai shton se tashmë dihet se në hijen e rrapit shekullor në lagjen “Marashi” Ramadan Zaskoci e ka vrarë telegrafistin turk.
Nderi i Prizrenit
Derisa Samir Hoxha, drejtor i QRTK në Prizren, lidhur me këtë pjesë të historisë kombëtare tregon se tashmë në kuadër të zbatimit të aktiviteteve konservuese – restauruese për vitin 2017, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren ka filluar me ndërmarrjen e masave të riparimit emergjente në ndërtesat-monumentet arkitekturale të rrezikuara, në zonën historike të Prizrenit dhe objektet e tjera që gjendën në Listën e Trashëgimisë Kulturore në Mbrojtje të Përkohshme.
Realizimi i masave për ndërhyrje dhe riparime emergjente në ndërtesa – monumente arkitekturale të rrezikuara, financohet nga buxheti i shtetit. Ndërsa, zbatimi i punimeve në këto ndërtesa po bëhet nga ana e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, sipas projekteve dhe planeve teknike të miratuara nga Komisioni për Vlerësimin e Projekteve restauruese – konzervuese në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Kurse shumë qytetarë të Prizrenit si Hamit Gashi, Afrim Berisha dhe të tjerë janë shprehur Ramadan Zaskoci i bën nderë qytetit të Prizrenit që dikur ishte qytet i rëndësishëm i gjithë Shqipërisë.
Afrim Berisha për “Kosova Sot” u shpreh se Qeveria e Kosovës duhet që Prizrenit t’ia kthejë vendin meritor në histori. (Kosova Sot)
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Emergjencave dhe Sigurisë në Komunën e Prizrenit, Bedrija Ejupagic, për veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm dhe mos evitim të rrezikut në rastin e vdekjes së Xheneta Gashit nga shembja e një shtëpie në Qendrën Historike në Prizren.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit B.E., për shkak të veprave penale, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 2 të KP-ës dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës”, thuhet në komunikatë.
“Sipas aktakuzës i akuzuari B.E., në cilësi të personit përgjegjës pranë Komunës së Prizrenit, përkatësisht drejtor i Drejtorisë për Emergjenca dhe Siguri në Komunën e Prizrenit, nga pakujdesia nuk ka ndërmarr masat për vendosjen e pajisjeve mbrojtëse përreth shtëpive para shembjes, në rrugën ,,Marin Barleti” në Prizren për të evituar rrezikun, në atë mënyrë që me datë 06.06.2016, rreth orës 15:30 minuta., fëmija Xh.G., e lindur me datë 07.08.2012 derisa ishte duke luajtur në rrugë nga shembja e shtëpisë pëson plagë në kokë dhe në trup, ashtu që nga plagët e marra ndërron jetë”.
“Me këto veprime i akuzuari B.E., ka kryer veprat penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 365 paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe 2 të KP-ës dhe mos evitimi i rrezikut nga neni 370 paragrafi 1 të KP-ës”.
Kur thirrja e seancës konstituive të Kuvendit, e cila hap rrugën për krijimin e qeverisë, ka mbetur çështje ditësh, edhe bisedat brenda partiake janë shtuar.
Haradinaj, i cili po takohet me të gjithë për të siguruar votat, ka shpresë që nëse nuk arrin koalicion me ndonjërën nga partitë shqiptare, të merr disa deputetë që do t’ia mundësonin votimin e qeverisë së tij, shkruan gazetametro.net.
E, siç merr vesh Metro, në rast se nuk ka koalicion, janë tre deputetë të koalicionit LAA që do të mund ta votonin Haradinajn, e ndaj të cilëve LDK’ja po ka një lloj frike. Bëhet fjalë për vajzën e presidentit historik Ibrahim Rugova, Teuta Rugovën, për të cilën Metro kishte raportuar edhe më herët se mund ta votonte Haradinajn. Dy deputetë të tjerë që po u frikësohet LDK’ja, janë Labinot Tahiri dhe Ramiz Kelmendi.
Siç kishte shkruar Metro kohë më parë, familja Rugova e Haradinaj kanë krijuar një afërsi, e cila mund të përdoret për të shtyrë deputeten Rugova ta votojë Haradinajn. Kjo, madje, do të bëhej me ‘presionin’ direkt të vëllait të saj, Ukës, i cili ka një miqësi me deputetin e AAK’së, Daut Haradinaj.
Për Labinot Tahirin është e dijshme edhe publikisht që mund ta votojë Haradinajn, pasi e ka thënë vetë. Madje Tahiri e kishte quajtuar ‘hero’ Haradinajn, duke u dhënë kritika më pas partnerëve të koalicionit që nuk kishin pranuar të takoheshin me Ramush Haradinajn.
Ndërkaq, deputeti i tretë që do të mund ta votonte Haradinajn, e për të cilin po frikësohen brenda LDK’së, është Ramiz Kelmendi, i cili kohë më parë kishte qenë pjesë e partisë së Haradinajt. Duke parë një lidhje të më hershme dhe një ambicie të përhershme të Kelmendit për të marrë postin e zëvendëskryeministrit, brenda LDK’së mendojnë se ai mund ta votojë ish-shefin e vetë.
Ndryshe, Haradinaj dhe koalicioni i tij kanë fituar 39 deputetë në Kuvend, ndërkohë që nëse arrijnë marrëveshje me pakicat përsëri s’do të mund të arrinin numrin e nevojshëm të votave për të krijuar Qeverinë e re. Megjithatë, Haradinaj ka potencuar se i ka numrat për ta bërë atë, e në rast se ka votat e këtyre tre deputetëve, do të arrinte në 62 vota, të mjaftueshme për të krijuar qeverinë e ardhshme.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur sot takimin e parë publik për vitin 2017, lidhur me realizimin e projekteve dhe buxhetit komunal, në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti.
Me këtë rast Begaj, i ka informuar qytetarët lidhur me punët dhe aktivitetet në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, dhe më pas është zhvilluar edhe debat me të pranishmit.
“Fillimisht, është prezantuar botimi i një fletëpalosje, lidhur me buxhetin dhe investimet e Komunës së Malishevës, në gjashtë mujorin e parë të këtij viti, botimi i së cilës është mundësuar nga OSBE dhe më pas, në mënyrë kronologjike, kryetari i ka informuar qytetarët për investimet dhe buxhetin e shpenzuar gjatë periudhës janar-qershor 2017”, njofton Zyra për Informim Publik e Komunës së Malishevës.
“Bazuar në këtë raport, buxheti komunal është shpenzuar në masën 47.62 për qind, ndërsa në pjesën e investimeve kapitale, nga 4.15 milion, është shpenzuar në masën 42.97 për qind e planifikimit. Sa i përket realizimit të projekteve, kryetari Begaj, tha se prioritet nga lista e investimeve kapitale, i është dhënë infrastrukturës shkollore, ku në gjashtë mujorin e parë është filluar me ndërtimin e tri objekteve të reja shkollore, pastaj vëmendje e veçantë i është dhënë edhe bujqësisë, infrastrukturës rrugore, ndërtimi i sistemeve të kanalizimeve, mirëmbajtja e tyre dhe projekte tjera. Të gjitha këto investime kapitale, kryetari Begaj, i ka përmendur një nga një”.
“Pas prezantimit të investimeve dhe shpenzimit të buxhetit komunal, është zhvilluar një debat me të pranishmit, të cilët, kryesisht kanë kërkuar më shumë investime, sidomos në rrjetet e kanalizimeve dhe në mirëmbajtjen e tyre. Po ashtu, ata kanë bërë edhe pyetje në të cilat është përgjigjur kryetari Begaj, apo përgjegjësit e drejtorive komunale”. /PrizrenPress.com/
Hylli i Dritës u themelua në vitin 1913 nga atë Gjergj Fishta bashkë me françeskanët e tjerë. Në gjithë ekzistencën e vet, Hylli i Dritës njohu peripeci të pafunda. Botimi i tij u ndalua disa herë për arsye të ndryshme, kryesisht politike, por vlerat që tejçoheshin prej tij në shoqëri nuk harroheshin asnjëherë.
Krijimtaria e forcave shkencore, që u lidhën me këtë qendër studimesh, e nxiti Fishtën të mendonte për të nisur punën për të krijuar një organ shkencor. Ai e realizoi këtë ide pak vjet pas Kongresit të Manastirit dhe një vit pas Shpalljes së Pavarësisë. Fishta, revistën Hylli i Dritës” arriti ta bëjë shpejt, jo vetëm publikuese të krijimeve të bashkëpunëtorëve të saj, por edhe një polemizuese të fuqishme për mbrojtjen e idealit kombëtar.
Ai, për ta mbajtur në këmbë këtë revistë, pati shumë shqetësime. U sulmua shpesh nga forca të ndryshme, të brendshme dhe të jashtme, që nuk mund të duronin tendencën e saj për t’i paraqitur gjërat ashtu siç ishin.
Amaneti i themeluesit të tij, në çastet e vdekjes ishte: “Hylli të jetojë!”
Nën zë lexoheshin poezitë e atë Vinçenc Prennushit kur errësira komuniste nuk e linte Hyllin e Dritës të ndrinte i lirë. Pranë vatrave lexoheshin “Prrallat Kombtare” të cilat, para se të botoheshin së bashku në një libër, qenë shkruar te Hylli. Ithtarët e Fishtës me mburrje lexonin letrën e tij drejtuar Hilë Mosit, kur ky i fundit e kishte kundërshtuar në disa pika. Por cili ishte kontributi i drejtpërdrejtë që Hylli i dha Shqipërisë?
Hylli i Dritës ishte i ndarë në disa nënkategori, ku dy më kryesoret, njëlloj si motoja e françeskanëve, ishin Fe dhe Atdhe. Përpos kësaj, aty botoheshin studime historike, gjuhësore e letrare. Rëndësi shumë të madhe patën botimet folklorike, ku përfshihen “Kanuni i Lekë Dukagjinit” mbledhur prej atë Shtjefën Gjeçovit dhe “Prralla Kombtare” mbledhur nga atë Donat Kurti.
Periudhat e botimit të Hyllit janë disa. E para i përket viteve 1913-1914, kur Hylli filloi të njihej mbarëkombëtarisht. Gjatë këtij viti u diskutua aftësia e shqiptarëve për t’u vetëqeverisur.
Këto shkrime, të cilat cenonin autoritetin e Fuqive të Mëdha, për të cilat atë Gjergj Fishta në “Lahuta e Malcis” shkruan “O Evropë, ti kurvë e motit/Që i re mohit besës t’Zotit”, i shtynë ato që me anë të një politike intrigante ta mbyllnin atë, si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga fuqia e penës së atë Gjergjit, pasi ky i fundit shkroi “Nji komedi e pandershme e shekullit XX” duke shigjetuar Fuqitë e Mëdha.
Kopertina e dorëshkrimit të “Lahuta e Malcis”
Periudha e dytë i takon viteve 1921-1924, në të cilën u trajtuan apekte kulturore, politike, arsimore e kombëtare. Kjo periudhë cilësohej nga Hylli si periudha më demokratike e historisë së shtetit të ri shqiptar, por gjithçka mbaroi në dhjetorin e vitit 1924, kur pasi u përmbys regjimi i Ahmet Zogut nga lëvizja e Fan Nolit, Zogu u kthye sërish në pushtet. Kështu françeskanët e ndërprenë botimin e Hyllit, duke pritur një moment më të favorshëm.
Periudha e tretë i takon viteve 1930-1944, e cila mund të cilësohet si periudha më e ndritur e Hyllit të Dritës. Gjatë kësaj periudhe, Hylli u vlerësua me çmime kombëtare e ndërkombëtare, ndërkohë që temat e lëvruara sa vinin e zgjeroheshin.
Autorët e studimeve nuk ishin vetëm shqiptarë, por edhe të huaj, ku veçohen Norbert Jokl, Georg Stadtmüller e të tjerë. Ndër botuesit shqiptarë u dallua atë Anton Harapi, i cili shkroi në vitin 1944 një analizë tepër të mprehtë mbi çështjen shqiptare.
Por gjithë kjo histori e lavdishme kulture e shkence u ndërpre me ardhjen e komunizmit. Në vitin 1944 u ndalua çdo aktivitet privat dhe u sekuestrua çdo shtypshkronjë në rang kombëtar. Kështu edhe botimi i Hyllit të Dritës reshti përkohësisht duke shënuar “Të premten më të zezë”, pas së cilës “E Diela më e bardhë e pashkës” do të vinte në vitin 1993, kur me insistimin e atë Zef Pllumit do të niste rishtazi botimi i Hyllit të Dritës.
Atë Zef Pllumi
Hera e fundit kur botimi u ndërpre ishte viti 1997, kur, për arsye politike, Shqipëria kaloi në anarki.
Në vitin 2013, me rastin e 100-vjetorit të botimit të “Hylli i Dritës”, drejtori i asaj kohe, Ardian Ndreca, thoshte se “Hylli bën përpjekje që të ecë me kohën, t’u përgjigjet sfidave me gjuhën e shkencës, duke prekur fushat si gjuhësia, albanologjia, historia e të tjera.”
Ftesa me rastin e 100 vjetorit të “Hylli i Dritës”
Kështu “Hylli i Dritës” ka dhënë, po jep dhe ka për të dhënë edhe në të ardhmen kontributin e patjetërsueshëm në krijimin e një identiteti shqiptar në çdo fushë.
Sot “Hylli” kërkohet nga studentët për të përgatitur tema studimi dhe nga punonjësit shkencorë për të studiuar probleme të veçanta të profilit të tyre. Amaneti i Fishtës: “Hylli të jetojë” u bë realitet. /Konica.al/
“Joshua Three” është albumi që i kataluptoi drejt famës, e tani, grupi i famshëm irlandez U2 po i rikthehet publikut pas 30 vitesh, duke e nisur nga Londra turin promovues në Europë.
Me në krye tashmë 57-vjeçarin Bono, grupi legjendar po i rikthehet publikut të hershëm e po i risjell atij të ri këngë që bënë epokë si “With or Without You” apo “I Still Haven’t Found What I’m Looking For”.
Spektaklin e Londrës, megjithatë, vendosën ta nisin me “Sunday Bloody Sunday” dhe “Pride”-n e frymëzuar nga jeta e Martin Luther King.
Kryeqytetit britanik, Bono dhe pjesa tjetër e grupit i dhanë atë që kërkonte: emocionin e muzikës së vërtetë dhe këngëve të mëdha.
“Është një shfaqje shumë moderne, – këmbëngul ai. – Po e interpretojmë ‘Joshua Three’ sikur të kishte dalë në treg javën e kaluar”.
Nuk është një spektakël nostalgjie. Në një pjesë të kohës, Bono e la muzikën të fliste vet, edhe pse në një moment, një personazh i quajtur “Trump” u cilësua si gënjeshtar nga një kauboj i mirë në një videoklip të stilit “Western”.
Më shumë se 25 milionë kopje të “The Joshua Tree” u shitën në mbarë botën, duke shënuar pikën kulmore të grupit, që përmes muzikës Rock preku edhe çështje sociale e politike.
Turneu do të vazhdojë në 7 qytete të tjera të mëdha europiane: Berlin, Romë, Barcelone, Dublin, Paris e Amsterdam, dhe përfundon në Bruksel më 1 gusht, për t’u kthyer pastaj në Shtetet e Bashkuara në muajin shtator.