27.3 C
Prizren
E mërkurë, 6 Gusht, 2025
Home Blog Page 5328

LDK-ja i përgjigjet ftesës së Zafir Berishës për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’

0

Ftesës së deputeti të Nismës, Zafir Berisha, drejtuar dy partive opozitare, “Vetëvendosjes” dhe LDK-së, për ta t’i bërë votat e nevojshme për rrëzimin e Qeverisë ‘Haradinaj’, i është përgjigjur LDK-ja.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës do t’i përdorë të gjitha veprimet demokratike për rrëzimin e kësaj Qeverie.

Madje Hoti ka thënë se është në interes të vendit që sa më parë të dalë koalicioni dhe kryeministri të japin vetë dorëheqje, të mos presin.

“Është në interes të vendit që sa më parë vetë publikisht koalicioni dhe vetë kryeministri të japin dorëheqje, mos ta presin rrëzimin e Qeverisë, sepse sot nuk i kanë 61 vota në Kuvend të Kosovës dhe kështu nuk funksionon Kuvendi… Do t’i përdorim të gjitha veprimet demokratike për të mos lejuar që të qeveriset vendi kështu”, ka thënë ai për “Zërin”.

Sipas Hotit, kjo Qeveri qysh në fillim ka filluar duke u shkelur rregulloret, duke u shkelur Kushtetutën dhe është pa asnjë program të qartë. “Kemi për ta siguruar rrugën pro evropiane që ne e kemi nisur me Qeverinë e kaluar bashkë me partnerët tanë”, theksoi Hoti.

Hatim Baxhaku sot shpalosë Platformën për Prizrenin

0

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Hatim Baxhaku, shpalosë sot Platoformën e qeverisjes 2018-2022”.

Ai, shpalosjen e kësaj platforme do ta bëjë në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha” në ora 17:00.

I pranishëm do të jetë edhe kryetari i LDK-së , Isa Mustafa./PrizrenPress.com/

Nisma: Qeveria në ikje e Mujës, nënshkruan kontrata të dyshimta milionëshe

0

Nisma në Prizren, akuzon Qeverinë e Ramadan Mujës, se ka nënshkruar kontrata të dyshimta milionëshe.

“Qeveria në ikje e Klanit “Pronto” në Prizren, nga dje ka filluar të lidh kontrata milionëshe me operatorët ekonomik, të cilët janë të lidhur me parapolitikën e partisë në pushtet, të cilët janë të vetëdijshëm se i kanë ditët e numëruara, prandaj bëjnë edhe kontrata “.

Reagimi i plotë i Nismës

 

Te dhënat publike se qeveria e të denuarit per krim dhe korrupcion Ramadan Muja, se në 3.200 raste është e paditur nga qytetar dhe subjekte të cilave i është bërë padrejtësi, vërteton të dhënat dhe faktet tona, të thëna për disa vite rresht, se qeverisjes së klanit “Pronto” Prizreni do t’ia sheh sherrin edhe për 50 vite të ardhshme.

Humbja edhe e vetëm një kontesti, shpeshherë edhe me qëllim, mund ti kushtoj buxhetit të komunes me miliona euro, prandaj ftesa jonë është që organet e drejtësisë të mirren me këtë pushtet të kriminalizuar, ndërsa qytetaret ti denojnë me voten e tyre me 22. Tetor.
Qeveria në ikje e klanit “Pronto” në Prizren, nga dje ka filluar të lidh kontrata milionëshe me operatorët ekonomik të cilët janë të lidhur me parapolitiken e partisë në pushtet, të cilët janë të vetëdijshem se i kanë ditët e numëruara, prandaj bëjnë edhe kontrata trevjeqare me qëllim që edhe qeverisja e re pas zgjedhjeve të 22. Tetorit, të ketë suksesin e pritur nga qytetarët.

Për shkak të infektimit nga sëmundja e tenderomanisë, Prizreni vazhdon e te mbetet si qytet i vetëm në Kosovë i cili nuk ka tabela emërtuese për rrugët dhe sheshet, si dhe shenjëzimin horizontal të trafikut, për arsye sepse për katër herë rresht me ndihmen edhe të OSHP-së, nuk mund ta favorizojnë operatorin ekonomik që është i lidhur me krimin e organizuar.

DEGA e NISMA në Prizren, pret që fuqishëm të ndëshkohet pushteti aktual me voten e qytetarëve në zgjedhjet lokale të 22. Tetorit.

Zyra për informim,

NISMA-DEGA Prizren

S’ka universitete private në Kosovë

0

Edhe këtë vit asnjë nga bartësit privat të arsimit të lartë nuk i kanë plotësuar kushtet të akreditohen si universitete, thonë udhëheqës të Agjencisë se Kosovës për Akreditim.

Në Kosovë veprojnë 30 institucione të arsimit të lartë. Nga ky numër, nëntë janë të akredituara në rajone të ndryshme të vendit si universitete publike, kurse 21 janë kolegje private dhe asnjë universitet privat.

Akreditimi është një procedurë formale dhe transparente e kontrollimit të cilësisë, gjatë së cilës një organ i pavarur vërteton në bazë të standardeve të definuara, ndërkombëtarisht të njohura, nëse institucionet e arsimit të lartë, përkatësisht programet e studimeve i përmbushin kërkesat minimale të cilësisë.

Blerim Rexha, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, këshill ky që funksion si organ qeverisës i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, thotë për Radion Evropa e Lirë se akreditimi është proces në vazhdimësi, por deri më tani thotë ai, asnjë kolegj privat i arsimit të lartë, nuk ka arritur që të marrë titullin e universitetit.

“Por, presim që disa nga këto institucione, në vitet në vijim, të përkushtohen dhe të bashkojnë energjitë e tyre dhe të arrijnë kushtet e duhura që ndoshta në një të ardhme të afërt të marrin edhe titullin e universitetit”, tha Rexha.

Ai tregon se cilat kritere të nevojshme për akreditim si universitete private nuk i kanë plotësuar kolegjet që veprojnë në vend.

“Kriteri themelor është që të ketë studime të doktoratës dhe për këto studime, kolegjet së pari duhet të plotësojnë studimet e nivelit Master, ku kërkohen komponentë shkencore dhe kreative”.

 

“Pastaj, kjo komponentë shkencore kreative të thellohet edhe me studime të doktoratës. Këtu çalojnë institucionet e arsimit të lartë privat në Kosovë, e po ashtu edhe disa publike”, thotë Rexha.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje të arsimit thonë se cilësia e arsimit vazhdimisht është vlerësuar nën nivelin e duhur dhe për këtë arsye, kolegjet private nuk mund të akreditohen si universitete.

Ata madje shprehen se në Kosovë duhet të zvogëlohet numri i kolegjeve private.

Halim Hyseni, nga Qendra për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, thotë se arsimi i lartë në tregun e Kosovës është tërësisht i çrregulluar për shkak të se cilësisë ulët dhe numrit të madh të kolegjeve dhe studentëve të regjistruara në to.

Ai vlerëson se qëllimi kryesor i veprimit të kolegjeve private në Kosovë është përfitimi dhe jo arsimi.

“Nuk ka cilësi as në universitetet private dhe as në ato publike. Dhe nevojitet një ndryshim radikal në zhvillimin e politikave në fushën e arsimit, pjesë e së cilës duhet të jetë edhe arsimi i lartë’’.

“Trajtimi i ndarjes së arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë ka bërë që të krijohet një gjendje kaotike e cila nuk po lejon që të kemi një vizion në çfarë drejtimi duhet të shkojë zhvillimi i arsimit të Kosovës”, ka thënë Hyseni për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, akreditimi në fushën e arsimit të lartë i ofron shoqërisë dhe të gjitha grupeve të përfshira të interesit, siguri se cilësia e mësimdhënies dhe studimit i përmbushë standardet minimale ndërkombëtare. /Rel/

Qeveria ‘Haradinaj’ mund të testohet me mocion mosbesimi

0

Se sa e fortë është Qeveria “Haradinaj” kjo mund të testohet shumë shpejt në Kuvendin e Kosovës. Përçarjet brenda koalicionit qeverisës kanë bërë që deputetë brenda llojit të dalin jo vetëm kundër politikave të partisë, por edhe të propozojnë mocione për rrëzimin e saj, shkruan sot, gazeta Zeri.

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, ka qenë i pari që u ka bërë ftesë publike dy partive opozitare, “Vetëvendosjes” dhe LDK-së, për ta bërë këtë.

Berisha ka ofruar edhe votën e tij nëse këto dy parti do t’i bëjnë 60 vota. Pro propozimit të Berishës dhe përkrahës të tij janë deklaruar edhe në lëvizjen “Vetëvendosje”, kurse tentimet për ta rrëzuar atë nuk i kanë fshehur as në mesin e LDK-së. Se kryeministri Haradinaj mund të jetë “kurban” i pazarit të tij këtë e thonë edhe analistët kosovarë.

Berisha: Unë do të jem vota e 61-të për rrëzimin e Qeverisë

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, pavarësisht faktit se partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës, nuk do të mendohet dy herë për ta dhënë votën e tij pro rrëzimit të saj. Kështu ka thënë ai për gazetën “Zëri”, pasi që dyshon se kundër po zhvillohet një fushatë e qëllimshme politike.

“Meqë në adresën time ka një komplot institucional, i ndikuar nga banditët që e kanë kapur shtetin dhe ju e dini se kam një pengesë nga këta banditë që janë në këto institucione lidhur me garën time në Prizren, atëherë unë edhe kam dalë me këtë ofertë publike për LDK-në dhe ‘Vetëvendosjen’”,ka thënë Berisha.

Më tutje Berisha ka thënë se ende as nuk ka folur me askënd nga LDK-ja dhe ‘Vetëvendosja’ e askush prej tyre nuk e ka telefonuar për të kaluar në hapa konkretë. Megjithatë ka shtuar se kurdo që një mocion i tillë do të vijë në Kuvend ai do të jetë vota shtesë për ta. “Nuk më është përgjigjur askush ende, mirëpo arsyeja është publike. Nëse ‘Vetëvendosja’ dhe LDK-ja vendosin që ta bëjnë ndonjë mocion për rrëzimin e Qeverisë, atëherë unë do të jem aty. Do të jem i 61-ti”, ka thënë Berisha

Ekipi i Unitetit, gracka e re e presidentit

0

Angazhimi ditëve të fundit i presidentit Thaçi, që me çdo kusht të aktivizohet, që të formohet një i ashtuquajtur Ekip i Unitetit politik në vazhdim të agjendës së mëtutjeshme të bisedimeve me Beogradin, nga njohësit e skenës politike në vend po shihet me një sy shumë kritik, duke e cilësuar atë si një kamuflim të ish- kryeministrit të Kosovës përballë dështimeve të tij në procesin e deritanishëm të dështimeve, të cilat dëshiron t’i mbulojë duke ndarë përgjegjësinë për dëmin e shkaktuar vendit edhe me një partneritet më të gjerë politik, duke përfshirë pozitën dhe opozitën në këtë proces të dështuar deri më tani.

Duke u nisur nga fakti, që dialogu me shtetin fqinjë, armiqësor, është bërë edhe detyrim ndërkombëtar ndaj shtetit të Kosovës, njohësit e rrethanave politike kërkojnë që në çfarëdo forme, nëse fillohet një proces i ri, ai duhet detyrimisht të kushtëzohet me heqjen dorë të shtetit fqinj për ta penguar rrugën e integrimeve rajonale e evropiane, sikur edhe duke paguar dëmet e luftës dhe të zbardhë fatin e të pagjeturve. Sipas tyre, fillimisht një shtet që bëhet pengesë e Kosovës në marrëdhëniet rajonale e ndërkombëtare, duhet të kushtëzohet edhe nga bashkësia ndërkombëtare, sepse nuk mund të ketë pajtim, përderisa ende ka sjellje armiqësore ndaj vendit tonë.

Kryenegociatori të përgjigjet penalisht

Prof. Muhamet Kelmendi konsideron se kjo kërkesë e tanishme e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse që të mundohet përmes një ekipi gjithëpërfshirës të unitetit t’i mbulojë dhe t’i bëjë të heshtura të gjitha gabimet e deritanishme në procesin e bisedimeve me Beogradin, timonier i të cilave ka qenë që nga fillimi i tyre, e për të cilat gabime do të mund të dënohej edhe me burg. ” Thaçi ka bërë gabime dhe lëshime të mëdha që nga momenti i fillimit të “bisedimeve” me shtetin serb, nën udhëheqjen e tij. Ai ka vazhduar marrëveshje pas marrëveshjeje, deri te humbja e shtetësisë së Kosovës dhe ndarja territoriale e vendit, në atë serbe dhe në atë shqiptare, duke krijuar bazë politike për subjekt të ri me emrin Asociacion”, tha ai.

Sipas tij çështja e tillë ka filluar me marrëveshjet e para, derisa kulmi ka arritur me disa marrëveshjet më kritike, si: 1. Me Marrëveshjen për themelimin e organeve të drejtësisë dhe të organeve të pushtetit shtetëror; 2. Me Marrëveshjen për amnistinë e kriminelëve të quajtur “Rojat e Urës”, të cilët u futën në polici dhe në administratë në veri, ndërsa tash punojnë kryesisht për Qeverinë e Beogradit, me uniformë të Kosovës; 3. Me Marrëveshjen për themelimin e një subjekti të ri politike, që e ka emërtimin: “Lista Serbe” dhe 4. Me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit serb në Kosovë. Sipas Kelmendit, këto marrëveshje, sidomos kjo e Asociacionit dhe Lista Serbe kanë krijuar gjendje tepër të rëndë e të dëmshme për vendin që në një shtet normal do të ndëshkoheshin me dënimet më të rënda. “Duke u nisur nga këto çrregullime dhe shkelje të të drejtës në fuqi, si të Kushtetutës dhe të KP të Kosovës, për shkeljet që thashë dënimi është burgu. Por, në vend të kësaj, z. Thaçi po do për të krijuar një grup punues me emërtim Ekipi i Unitetit, që kryesisht qëllimi është largimi i përgjegjë- sisë penale të Hashim Thaçit nga shkeljet e rënda kushtetuese dhe penale, e ku dënimi shkon deri me burg të përjetshëm. Kjo është kështu e sanksionuar në Kodin Penal të Kosovës’,tha prof Kelmendi për “Kosova Sot”

Image

Lojë tinëzare politike

Edhe analisti Hidajet Ahmeti thotë se tentativa e zotit Thaçi për të aktivizuar një të ashtuquajtur Ekip të Unitetit është lojë e tij e pastër politike për t’u liruar nga përgjegjësia e tij personale e institucionale, pasi procesin e dështimit të dialogut Kosovë-Serbi po mundohet ta konvertojë në bashkëpërgjegjësi politike me të gjitha forcat politike. Sidoqoftë, Ahmeti thotë se nuk duhet të ketë dialog të ri në vazhdim, pa strategji të re dhe pa qenë të dyja shtetet në pozita të barabarta. “Dialogu me Serbinë duhet të zhvillohet me një nivel të barabartë në mes dy shteteve të barabarta, të pavarura e sovrane e jo dialogu të jetë nën agjendën dhe ombrellën e shtetit serb. Kjo logjikë e zhvillimit të dialogut ka prodhuar një ndasi më të madhe jo vetëm ndaj dy shteteve pretendente për në strukturat euroatlantike, por një ndasi edhe më të madhe ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë, e veçanërisht në mes komunitetit serb dhe shqiptar”, u shpreh ai. “BE-ja, si ndërmjetëse e dialogut Kosovë-Serbi, duhet të jetë më konstruktive, pasi qasja e tillë në dialog nuk prodhon një shpresë afatgjate, e cila do të reflektonte pozitivisht për avancimin e Kosovës në rrugën euroatlantike. Gjykoj se Kosova duhet të hartojë një strategji afatgjate për dialogun e jo të vazhdoj një dialog pa strategji e në dëm të Republikës së Kosovës dhe duke afruar Serbinë drejtë BE-së”, tha Ahmeti.

Bisedimet sollën lëshime me pasoja

Një gjykim të tillë ka edhe Skënder Mulliqi. Ai thotë se bisedimet maratonike me Serbinë, që u zhvilluan në të kaluarën e afërt, për shumë çështje të hapura midis dy shteteve, nga ky hark kohor shihet se nuk i sollën të mira Kosovës. “Nga ato bisedime po i bartim edhe sot lëshimet karshi Kosovës, e në favor të Serbisë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe është prodhim i Grupit të Unitetit e shumëçka tjetër .

Pas Grupit të Unitetit bisedimet për një kohë të gjatë i udhëhoqi Hashim Thaçi, i cili firmosi shumë marrëveshje teknike e të karakterit politik, të cilat shumë pak ose fare nuk u implementuan nga pala serbe, edhe ashtu jo të favorshme për Kosovën. Thaçi e pranoi edhe Fusnotën famoze në përfaqësimet e Kosovës në tubimet rajonale, e cila nuk doli flluskë sapuni, sipas Edita Tahirit. Demarkacioni ishte lëshimi i radhës i Thaçit, duke pranua që Kosova të humbë territor me Mal të Zi etj.”, potencoi Mulliqi.

Ai thekson se tani, nëse është aq e domosdoshme që të formohet ndonjë Grup i ri i Unitetit, do të duhej domosdo t’i parashtrohen kushte palës serbe, edhe pse me vonesë, siç është fillimisht pranimi i pavarësisë së Kosovës, për të vazhduar një nga një edhe me kushte të tjera. “Serbia ta heqë menjëherë nga preambula kushtetuese e saj Kosovën si pjesë integrale. Kushtet r tjera do të ishin pagimi i dëmeve të luftës, zbardhja e fatit të të pagjeturve, të gjallë apo të vdekur në Serbi, për të cilët pala serbe i ka të gjitha informacionet. Janë krejt broçkulla politike ato kur po pohohet se kështu apo ashtu po insiston bashkësia ndërkombëtare rreth marrëveshjeve të ndryshme bilaterale me Serbinë fqinje. Faktori politik shqiptar, në përgjithësi, duhet të jetë unik në qëndrimet e veta, duke ia bërë me dijë palës serbe se bisedimet mund të vazhdohen vetëm si dy shtete fqinje që janë, e jo mbi ndonjë bazë tjetër politike apo çfarëdo qoftë ajo”, tha Mulliqi për “Kosova Sot”.

Image

Rishikim të marrëveshjeve

Një gjykim krejt më të veçantë e ka analisti Jeton Kelmendi. Ai thotë se ideja e presidentit Thaçi ka qëllim krejtësisht të përfitimit personal në raport me Gjykatën ndërkombëtare, përmes pazareve të rrezikshme ku do ta futë gjithë klasën politike të vendit. “Mendoj se Thaçi nuk e ka shumë hall punën e Kosovës, sepse nuk e ka pasur kurrë, por ky njeri mendon për veten. Tani, kur i ka humbur primati, ai nuk mendoj se po tenton ta ndajë fajin me të tjetër, duke krijuar grupe uniteti, sepse krejt çka ka bërë në dëm të Kosovës me negociatat me Serbinë e ka bërë me vetëdije, por negociatat me Serbinë i kanë zgjatur pushtetin këtij politikani makiavelist”,tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Mirëpo, njohësi i zhvillimeve politike në vend, Mustafë Kadrijaj tha se, pavarësisht gabimeve që mund të jenë bërë në të kaluarën në këtë proces, finalja e këtij dialogu do të duhej përmbyllur edhe duke bërë revidimin e atyre lëshimeve të së kaluarës, por duke vendosur kushte konkrete për shtetin serb para se të arrihet marrëveshja e plotë për pajtim dhe normalizim të raporteve mes dy vendeve. “Duke e njohur figurën e presidentit Thaçi, si një njeri që deri tani të gjitha lëvizjet politike i ka bërë për të akomoduar vetveten si nga ana politike dhe kombëtare, mendoj që ka vend për dyshime, sepse kanë vendosur nënshkrime në shumë marrëveshje, që nuk i dinë forcat politike dhe opinioni, kështu që kreditin politik e ka marrë tani ai, nevojitet vetëm akomodimi në aspektin kombëtar, që mos të dalë si një figurë që nuk ka punuar në interes të vendit”, u shpreh ai. “Parimisht jam për një grup të një unitetit që është dëshmuar, sikurse në Rambuje, po ashtu edhe në bisedimet për pavarësi”, tha njohësi i zhvillimeve politike dhe ekonomike, Mustafë Kadrijaj.

LB-ja kërkon platformë dhe konsensus nacional

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate për medie, ka propozuar një platformë për bisedime me Serbinë para Ekipit të Unitetit. “Kohëve të fundit nga president i vendit u shtrua nevoja për formimin e Ekipit të Unitetit për të përmbyllur negociatat me Serbinë. Për më tepër, presidenti shtoi se për rezultatet e këtyre negociatave do të vendosë populli përmes një referendumi, deklaratë e cila shkaktoi jo pak habi, për shkak të spekulimeve që u përhapën për rezultatet e mundshme të këtyre negociatave”, thuhet në kumtesën e LB-së. Lëvizja për Bashkim edhe njëherë konstaton se dialogu politik me Serbinë është i domosdoshëm për zgjidhjen e problemeve të mbetura shqiptaro-serbe. “Ne konsiderojmë se rruga e ndjekur e deritanishme në negociata ka qenë e gabuar.

Përqendrimi në çështje bilaterale teknike, në ato të brendshme të Kosovës dhe trajtimi kryesisht i pozitës së serbëve në Kosovë nuk mund të sjellë rezultate pozitive. Një qasje e tillë vazhdon ta lërë Kosovën jofunksionale e të varur nga pakica serbe dhe në anën tjetër i lë në harresë krejtësisht shqiptarët në Kosovën Lindore”, thuhet në njoftim. “Ndryshimi i qasjes së dialogut nuk ka dyshim se kërkon një konsensus politik të forcave politike shqiptare në Kosovë. Por, para krijimit të çfarëdo ekipi të unitetit, forcat politike shqiptare do të duhej të ndërtonin një platformë të përbashkët politike për bisedimet me Serbinë. Ndërtimi i një platforme të përbashkët do të vendoste institucionet e Kosovës në pozicion shumë më serioz se deri më tani si në raport me Serbinë, ashtu edhe me BE-në, do të ndikonte në sqarimin e pozicioneve të forcave të ndryshme politike, do të ndihmonte në krijimin e një stabiliteti më të madh politik të brendshëm si dhe rezultatet e këtij dialogu politik do të ishin më të parashikueshme”, thuhet në qëndrimin e LB-së.

“Duet më dallëndyshet” fitues e festivalit për fëmijë “Fluturat 2017”

0

Në kopshtin e Kino Lumbardhit në Prizren, të hënën në mbrëmje u mbajt festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”.

Juria e festivalit: Xhylfidane Hoxha, Gazmend Kraja dhe Shefqet Hoxha – Sheki, çmimin e parë ia ndau këngës “Duhet me dallëndyshet” kënduar nga Mario Zaja, e kompozuar nga Ylli Kalaja. Shpërblimin e parë e ndau ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, raporton Koha.net.

Vendin e dytë juria ia ndau këngës “Kush e hëngri mjaltin”, të kënduar nga Emi Bakia, ndërsa e kompozuar nga Artan Bakia.

Vendi i tretë iu nda këngës “Udha e re”, e kënduar nga Ela Kazaz dhe e kompozuar nga Reshit Ismet.

Dueti më i mirë u shpall ai i Zana dhe Edon Ramadanit, ndërsa për paraqitje më të mirë skenike u vlerësua Kejixhi Bilalaj.

Gjithashtu u nda edhe shpërblimi i revistës “Fidani” për tekstin më të mirë. Kryeredaktori i Revistës “Fidani”, Berat Batiu, “Penën e artë” ia ndau tekstit të këngës “Princeshat”, të autores Hatixhe Ademaj.

Në ndarje të çmimeve Gazmend Kraja shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e festivalit, siç tha ai, mirë të organizuar.

Për 8 muaj, 84 të vdekur në aksidente komunikacioni

0

Gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, shihet se në aksidente komunikacioni 84 persona kanë gjetur vdekjen. Në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak sivjet kemi 13 të vdekur më shumë, shkruan sot, gazeta Zeri

Vetëm nga janari e deri në fund të muajit gusht të këtij viti në aksidente komunikacioni kanë humbur jetën 84 persona, derisa në periudhën e njëjtë të vitit paraprak si pasojë e aksidenteve në rrugë kanë gjetur vdekjen 71 persona.

Në bazë të të dhënave të Policisë së Kosovës, numri total i aksidenteve gjatë këtyre muajve ka qenë gjithsej 12.017, ku pothuajse numër i njëjtë i aksidenteve ka qenë edhe në vitin 2016, me 12776 aksidente. Të kontaktuar nga gazeta “Zëri”, zyrtarë të Policisë së Kosovës thonë se është tejet shqetësuese rrija e vazhdueshme e numrit të aksidenteve me pasoja fatale.

Në anën tjetër, njohës të komunikacionit thonë se janë disa faktorë që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve. Sipas profesorit të Komunikacionit, Musli Bajraktari, siguria në komunikacion kohëve të fundit është mjaft e rrezikshme.

Sipas tij, mosrespektimi i ligjeve të komunikacionit është njëri nga shkaktarët kryesorë të shkaktimit të aksidenteve.

“Siguria në komunikacion kohët e fundit është rrezikuar mjaft, e për këtë janë disa faktorë. E para është faktori subjektiv, vetë vozitësi, pasi që nuk po u përmbahen rregullave, e në veçanti gjatë stinës së verës. E dyta është Policia e vendit, pasi që duhen të zbatohen masat të cilat janë të parashikuara me ligje, në një mënyrë do të ndikonte në uljen e aksidenteve. E treta është faktori automjet, pasi që në vendin tonë një numër mjaft i madh i automjeteve e kalojnë vjetërsinë e tyre, pra janë mjaft të vjetruara, por që me ligjin që është shpresojmë që të këtë edhe kufizime në vitet e automjetit”, ka thënë Bajraktari për gazetën “Zëri”

Zafir Berisha: Ku prek Hashim Thaçi, “aty s’del më bari”

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka thënë se ai mbetet ende pjesë e këtij subjekti politik.

“Valdete Daka e KQZ-së është vënë në test nga bandat e politikës, për të marrë vendim ndaj meje, prandaj unë kam shkruar për rrëzimin e Qeverisë”, thotë Berisha, ndërsa e ka përsëritë se nëse nesër do të bëheshin 60 vota, ai do ta jepte votën e 61-të për rrëzimin e Qeverisë.

Ai ka mohuar ta ketë marrë ndonjë telefonatë nga opozita lidhur me deklaratat e tij.

“Opozita e ka të vështirë t’i bëjë 59 vota, për fatin e keq të opozitarizmit në Kosovë”, shprehet ai, shkruan Rrokum TV.

Deputeti Berisha ka sqaruar pse nuk e ka votuar Qeverinë Haradinaj.

“Kam ndjerë keqardhje për pozitën e rëndë, në të cilën e ka sjellë Ramush Haradinaj, por unë ia kam komunikuar vendimin tim, sepse me gjithë respektin e madh për të, respekti im më i madh është për Kosovën”, është shprehur Berisha.

Ndër arsyet kryesore përse nuk ka votuar për këtë qeveri, Berisha përmend ndikimin e presidentit Hashim Thaçi, sipas tij në bërjen e koalicionit qeverisës.

“Me inicimin e Hashim Thaçit është bërë ky koalicion”, thotë ai.

Deputeti Berisha në vazhdim e ka quajtur të padrejtë vendimin e KQZ-së për largimin e tij nga gara për kryetar të Prizrenit.

“Krejt kjo ka të bëjë me një gjobë në shumë prej 140 euro”, thotë ai, duke shtuar se dikush ka qenë i rrezikuar nga kandidimi i tij në Prizren.

“Kanë menduar se me ‘eliminimin’ tim, elektorati i Nismës ka me votuar për PDK-në”, shprehet Berisha.

Berisha thotë se nesër pret vendimin e Supremes për vendimin ndaj tij, ndërsa paralajmëron se nuk do të ndalet me ankesa për këtë çështje, edhe nëse Supremja e vërteton vendimin në fjalë.

Në fund, Berisha thotë se është i bindur në fitoren e Nismës në Prizren në zgjedhjet e 22 Tetorit, me apo pa kandidimin e tij. /Telegrafi/

Flet Visar Korenica: Këtë e thashë për Izraelin

0

Visar Korenica, kandidat për kryetar të Komunës së Rahovecit nga Lëvizja Vetëvendosje, është përballur me një sërë reagimesh pas publikimit të një statusi në Facebook mbi veprimet e shtetit te Izraelit ndaj palestinezëve.

Korenica për herë të parë ka folur për RTV Dukagjinin në lidhje me këtë çështje. Statusin e tij ai e ka quajtur reagim momental emocional dhe ka thënë se ky status është plotësisht qëndrim personal.

“Atë çka kam deklaru në facebook, ka qenë një moment emocional dhe është bërë para fushatës dhe nuk ka të bëjë asgjë me Lëvizjen pasi edhe Lëvizja e ka qëndrimin e vet për popullin palestinez”, thotë Korenica për RTV Dukagjinin, transmeton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se tashmë e ka përmbyllur këtë temë dhe gjithë fokusin e tij e ka të përqendruar në fushatën zgjedhore.

“Ne jemi të përkushtuar që fushatën tonë me përqendru në nivel lokal dhe nuk ka më çka të thuhet. Dje unë e kam bërë një deklarim publik. Të gjitha mediat munden me pa dhe me lexu, të gjithë ata që duan me ditë mendimin tim rreth atij postimi”, tha ai.

Korenica tha se programi qeverisës është në përfundim e sipër, ku vëmendje e veçantë i është kushtuar bujqësisë.

“Në program ne kemi 10 zotime, ku në qendër te vëmendjes do të jetë bujqësia pasi Rahoveci njihet si vend ku njerëzit merren me bujqësi. Një ndryshim do të jetë në departizimin e institucioneve që janë kapur nga qeverisja aktuale. Do të shfaqim program të denjë në arsim”, tha Korenica, që në garë për të parin e Rahovecit, ka edhe katër kundërkandidatë. /Telegrafi/