37.5 C
Prizren
E shtunë, 26 Korrik, 2025
Home Blog Page 5350

Linkin Park me organizim publik në nderim të Bennington

0

Linkin Park do ta mbajë një organizim publik në Los Angeles që ta nderojë këngëtarin e tyre të ndjerë, Chester Bennington.

Bendi bëri të ditur planet e veta në një njoftim të shkurtër por të prekshëm në Facebook, duke thënë se do t’i ndajnë detajet së shpejti.

Bennington ishte vetëvrarë më 20 korrik të këtij viti.

Ja pse nuk merr pjesë në zgjedhje Partia Konservatore e Kosovës 

0

Kryetari i Partisë Konservatore e Kosovës, Munir Basha ka treguar arsyet e mospjesëmarrjes në zgjedhjet e 22 tetorit.

“Edhe përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme për unifikimin e forcave politike konservatore të fragmentarizuara viteve të fundit e sidomos para zgjedhjeve parlamentare 2017, rezultuan jo vetëm pa sukses por edhe pa ndonjë reflektim serioz tek ish bashkë-partiakët dhe bashkëveprimtarët e platformës konservatore”, thotë ai.

Komunikata e plotë:

Pas takimeve dhe konsultave të shumta për gjendjen aktuale politike në vend dhenë veçanti në spektrin politik konservator, Kryesia e Partisë Konservatore e Kosovës  njofton anëtarësinë dhe opinionin e gjerë se PK-ja nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale 2017.

Edhe përkundër përpjekjeve tona të vazhdueshme për unifikimin e forcave politike konservatore të fragmentarizuara viteve të fundit e sidomos para zgjedhjeve parlamentare 2017, rezultuan jo vetëm pa sukses por edhe pa ndonjë reflektim serioz tek ish bashkë-partiakët dhe bashkëveprimtarët e platformës konservatore.

Duke marrë parasysh këtë gjendje, Kryesia e PK–së, e ndërgjegjshme për bindjet dhe përkushtimin e anëtarësisë dhe votuesve të Partisë sonë në mbledhjen e saj të datës 20.08.2017 ka marrë vendim për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale 2017.

Këtë vendim Partia Konservatore e Kosovës e konsideron më tepër si një moratorium dhe të domosdoshëm për subjektet e spektrit konservator në mënyrë që të reflektojnë me sinqeritet dhe përgjegjësi morale dhe politike për fatin e kësaj platforme.

PK kërkon mirëkuptim nga anëtarësia dhe votuesit e vet për këtë vendim, të cilin Kryesia e partisë e konsideron si vendim të rëndë, por edhe të ndërgjegjshëm karshi bindjeve politike të anëtarësisë dhe të shtresave konservatore në përgjithësi. Njëkohësisht, sigurojmë anëtarësinë tonë të nderuar se  udhëheqësia e PK-së do të vazhdoj të mbetet unike edhe në të ardhmen në përpjekjet e saj për unifikimin dhe fuqizimin e potencialit politik konservator në vendin tonë.

Partia Konservatore e Kosovës uron që zgjedhjet e 22.10.2017 të kalojnë në një ambient të qetë dhe demokratik si dhe të sjellin ndryshime pozitive për të mirën e qytetarëve.

Partia Konservatore e Kosovës

Munir BashaKryetar

Studentja e UPZ-së fiton bursë për kursin veror në Universitetin e Passau-t

0

Studentja e dalluar Vlora Berisha nga Departamenti Gjuhë dhe Letërsi Gjermane ka fituar bursën BAYHOST për kursin veror në Universitetin e Passau-t

Studentja e dalluar Vlora Berisha, përfaqësuese e studentëve në Departamentin e Gjuhë dhe Letërsi Gjermane në Universitetit „Ukshin Hoti” Prizren e fitoi bursën nga oranizata BAYHOST (Bavarian Academic Center for Central, Eastern and Southeastern Europe including Russia) në konkurencë me studentë nga gjithë bota.

Në këtë konkurencë kanë aplikuar më shumë se 1000 kandidatë për 58 bursa, dhe e vetmja nga Kosova studentja Vlora Berisha ka arritur të fitoj këtë bursë, e cila e përfaqëson jo vetëm Universitetin e Prizrenit por tërë Kosovën në mënyrën më të dinjitetshme dhe më cilësore, ashtu që në testin për klasifikimin e niveleve të gjuhës gjermane e ka arritur nivelin më të lartë C1 i cili krasohet si nivel i barazvlershëm me gjuhën amtare.

Këtë kurs e ndjekin studentë të cilët e studjojnë gjuhën gjermane në Universitete të ndryshme botërore si psh. nga Brazili, USA; Kina, Europa madje edhe nga Kenia. Kursi mbahet në Universitetin e Pasaut me ligjërata të ndryshme në lëminë e gjuhës gjermane me shumë aktivitete kulturore dhe artistike. Përvojën nga ky kurs Vlora Berisha do ta bart edhe tek studentët e tjerë të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane dhe kjo është një ambasadore e re e Kosovës, që e dëshmon se Kosova ka studentë të dalluar.

Aksident në Xërxë të Rahovecit, të lënduarit dërgohen në QKUK

0

Një aksident trafiku ka ndodhur dje në fshatin Xërxë të Rahovecit.

Një veturë e tipit “Pasat”’ e drejtuar nga një burrë ka dalë nga rruga pasi ka humbur kontrollin.

“Raportohet se i dyshuari mashkull K-Shqiptar përderisa ishte duke lëvizur me veturën “Pasat” me targa lokale, duke mos iu përshtatur shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës, humb kontrollin mbi veturën dhe del jashtë rruge”, thuhet në raportin e Policisë, përcjell PrizrenPress.

Në veturë ishte një pasagjere femër, e cila ka pësuar lëndime trupore si shoferi. Të dy të lënduarit janë transportuar në QKUK për tretman mjekësor.

“Si pasojë e aksidentit, i dyshuari dhe një pasagjere femër K-Shqiptare kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK”, thuhet në raport. /PrizrenPress.com/

Prizren: Arrestohet hajni i arkës së destinuar për bamirësi

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një burrë të komunitetit rom në Prizren, pasi i njëjti dyshohet të ketë vjedhur një arkë të destinuar për bamirësi, shkruan PrizrenPress.

Policia thotë se ai kishte vjedhur arkën për bamirësi me 150 euro të mbledhur në zyrën e Regjistrimit Civil më 14 gusht të këtij viti.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Letrat e Lasgush Poradecit për Ismail Kadarenë

0

Lasgush Poradeci dhe Ismail Kadare kanë pasur dhe raporte miqësie. Përveç lidhjes me letërsinë, ata kanë ndarë bashkë dhe shqetësime të jetës nën diktaturë.

Në disa letra të shkruara në vitin 1978, shihet besimi që Lasgush Poradeci kishte tek shkrimtari Kadare, të cilit i kërkon ta ndihmojë dhe për emërimin e vajzës së tij Kostandina, mësonjëse në Pogradec.

Dihet që Lasgushi bëri një jetë të tërhequr në qytetin e tij të lindjes duke iu përkushtuar vetëm letërsisë. Në këto letra shihet besimi dhe vlerësimi që dy figurat e rëndësishme të letrave shqipe kanë për njëri tjetrin.

Ismail Kadare e ka treguar raportin me poetin në librin “Ftesë në studio”, dhe vlerësimin për qëndrimin dhe vargjet e tij në korpusin e letrave shqipe.

Tiranë, nëntor 2002

———————–

Letra e parë

Merr: Ismail Kadare

Pogradec, 8 korrik 1978

I dashur Kadare

Nuk di ç’u bë me emërimin e çupës sime (Kostandina Gusho) si Mësonjëse në Pogradec pasi u fjalosmë në Tiranë më 25 maj. Në mbrojtjen e Diplomës në letërsi ajo mori notën 9. Pas dëshirës sime, e cila është një nevojë imja e madhe (fort shumë e madhe siç të fola në Tiranë), më gëzove dhe mora një kurajë që në dëshpërimin tim më the përnjëherësh do t’i thuash Ministrit. Mora kurajë meqë unë këtu në Pogradec ku ri për shëndet në shtëpi të babajt ku kam lindur jam i vetëm pa asnjeri familjeje dhe pa asnjë shërbim prej asnjeriu. Merre me ment sa keq, në ç’nevojë të madhe jam, fort shumë të madhe jam.

Këtu në Pogradec Mësonjësja e letërsisë Ana Jovan duke i vdekur bashkëshorti u transferua me kërkesën e saj për në Shkodër ku ka prindërit shkodranë. Posti i Ana-s si Mësonjëse letërsie mbeti në Pogradec vakant. Lutem folë ku duhet, që të destinohet për Kostandinën ky post vakant, duke u emëruar ajo provizorisht Mësonjëse për në Pogradec pa ia hequr pasaportizimin prej Tirane- ashtu siç është praktika e administratës, sikundër praktikisht që dërgohen provizorisht, që transferohen provizorisht nëpunësit për në tjetër vend, për në tjetër post pa jua hequr pasaportizimin prej vendit origjinar, prej postit origjinar. Shtoj se këtu në Komitetin ekzekutiv Kryetari (që vendos për transferimet) me pranoi me gatishmëri për dëshirën dhe nevojën time, dhe pret pa kundërshtim – Shkresën e Ministrisë.

Të fala edhe të përqafoj

Lasgushi Poradeci,

—————

Letra e dytë

Pogradec, 1 Shtator 1978

I dashur Kadare,

Sot në mëngjes më 1 Shtator vajta në Komitetin ekz., pyeta Shefin e Kuadrit të Arësimit, Nella Çobanin: pse nuk m’a emëruat çupën në Mbledhjen e caktimit të Kuadrit, kur se më kini pritur gjer më sot kaq mirë, më kini thënë se do t’a emëroni edhe në një vend sa më të mirë?

Shefi i Kuadrit më tha: Në mbledhjen e djeshme muarmë në shqyrtim më parë emërimin e çupës suaj, por me qenë se s’kishin ndonjë Shkresë ose ndonjë Telegram nga ana e Ministrisë së Arësimit, ndonjë Dokument nga ana e Ministrisë mbi të cilin të bazohemi për emërimin – nuk mundim të vendosim për emërimin. Po të na bëjë Ministria qoftë edhe një telegram që: emëroj aty në Pogradec si Mësonjëse vajzën e Lasgush Poradecit, neve e emërojmë menjëherë duke patur ku bazohemi në një Shkresë zyrtare, në një dokument zyrtar, sepse edhe telegrami është për neve një bazë zyrtare, një Shkresë zyrtare, një dokument zyrtar. Ne s’kemi këtu në Komitet kompetencë që të bëjmë asnjë emërim pa urdhërin e Ministrisë së Arësimit. Kështu më tha, Kadare, sot në mëngjes më 1 Shtator Shefi i Kuadrit të arësimit.

Lutem, le të bëjë Ministria një telegram – telegram sa më urgjent për emërimin e çupës sime, Konstandina Gusho, si Mësonjëse në Pogradec, le t’a bëjë Telegramin sa më urgjentisht, meqë shkollat sot më 1 Shtator filluan, dhe mua këtu në Kuadër, sot më thanë që i kanë ruajtur cupës sime një vend vakant, vend të krijuar duke nxjerrë në prituni, me të drejtë rroge, një Mësues shumë të merituar po që vuan prej vitesh nga nervat e tronditura gjatë shërbimit të tij ushtarak nënëdetësor.

Unë po përsëris, që, më parë se nga çdo gjë tjetër, Ministria të dërgojë këtu një telegram, në mbështetjen e të cilit Kuadri i Pogradecit të mund të bëjë pa vonesë emërimin. Pastaj, pas dërgimit të telegramit, Ministria le të kërkojë Dosjen e studentes së diplomuar Kostandina Gusho në Seksionin e arësimit të komitetit ekz. të Tiranës, për t’a dërguar Ministria Dosjen këtu në Pogradec; ose, në qoftë se Dosja dërgohet prej vetë Seksionit të Arësimit të Komitetit ekz. të Tiranës, le t’a dërgojë këtu Dosjen Komiteti ekz. i Tiranës.

Unë, i dashur Ismail, po e dërgoj çupën në Tiranë në datën 2 Shtator, ditë e Djelë, ka këtë letër, për t’jua dhënë juve çupa letrën në dorë që sot të Djelën me këto shpjegime të hollësishme nga ana ime, shpjegime të cilat edhe nuk janë të nevojshme pas fjalimeve tona këtu në Pogradec, veç se ato janë shprehje e shqetësimit tim, e shqetësimit tim të madh si edhe e shpresës sime të madhe (shpresës absolute) për emërimin e çupës pas ndërhyrjes sate kaq mirëdashëse për mua.

Me dashuri dhe mirënjohje të përqafon Lasgushi.

Asambleistja e LDK-së në Malishevë kalon në NISMA

0

Asamblistja e LDK-së në Komunën e Malishevës, Filloreta Bytyqi, sot i është bashkuar Nismës për Kosovën, raporto Malisheva Magazine.

Bytyqi e cila deri më tani ishte pjesë e LDK-së në Malishevë, e zgjedhur si asambleiste në dy legjislatura, do të jetë pjesë e listës së Nismas në zgjedhjet e 22 tetorit.

Ish-anëtarja e LDK-së u prit nga Ragip Begaj me bashkëpunëtor, ku ndër të tjera Begaj e ka falënderuar Bytyqin për besimin që ia ka dhënë. /Malisheva Magazine

QNR i futet punes

0

Pas përfundimit të punës për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 11 qershorit në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve kanë filluar përgatitjet për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Koordinatori i Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve (QNR), Burim Ahmetaj, ka than për Ekonomia Online se janë në proces e sipër të përgatitjeve për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 22 tetor.

“Procesi i punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar në momentin kur janë certifikuar rezultatet më 8 korrik 2017, pra i gjithë procesi është kompletuar dhe është përmbyllur dhe më pastaj kemi filluar me procesin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale, pra procesi veç është i kompletuar i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe tash jemi në proces e sipër jemi duke u përgatitur për procesin e punës për zgjedhjet lokale”, tha Ahmetaj.

Ai ka thënë ka shpjeguar procesin e punës e cila bëhet brenda QNR-së.

“Faktikisht duhet të rregullohet objekti, hapësirat brenda QNR-së, duhet të zhvillohen trajnimet e stafit jopermanent që do të punojnë, pra janë procedurat, është planifikimi, buxhetet, blerjet që do të thotë të gjitha përgatitjet në aspektin e përgatitjeve për zgjedhjet lokale”, duke shtuar se rëndësi të veçante i kushtohet procesit të trajnimt të stafit që punojnë në këtë qendër.

“Rëndësi të veçantë i kushtojmë paradites së zgjedhjeve, trajnimit të stafit që do të bëhet në seanca të ndryshme ku do të trinohet stafi i qendrës së numërimit dhe rezultateve dhe stafi që do të bëjnë transmetimin e rezultateve preliminare pra stafi K voting pra të gjitha këto trajnime do të bëhen brenda objektit të Qendrës së Numërimit dhe Rezultateve, që më pastaj për të filluar me procesin e pas ditës së zgjedhjeve me procesin e zgjedhjeve”.

Sa i përket fletëvotimeve Ahmetaj ka thënë se për dizajnin cilësinë dhe kualitetin e fletëvotimeve duhet miratimi nga Komisioni Qendrorë Zgjedhor (KQZ).

“Numri i fletëvotimeve reflekton edhe numrin e votuesve të regjistruar në listat përfundimtare të votuesve, sigurisht që po aq sa ka votues do të ketë edhe fletëvotime dhe sigurisht që janë procedurat ato të cilat duhet të kryhen para se të printohen fletëvotimet, sigurisht duhet të pritet edhe miratimi nga KQZ-ja për dizajnin, cilësinë dhe kualitetin e fletëvotimeve”, përfundoi ai, raporton EO.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në zgjedhjet komunale të 22 tetorit do të garojnë 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike.

PAN-i dhe AKR-ja po diskutojnë për formimin e institucioneve

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovë (AAK) dhe kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije të martën se janë në konsultime me AKR-në në lidhje me formimin e Qeverisë.

Ai ka theksuar se qeverisja gjithëpërfshirëse është një nga mundësitë për seancën e 24 gushtit. Kurse lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se Kosovës tani i nevojitet udhëheqësi gjithëpërfshirëse, e cila do ta nxirrte atë nga ngërçi politik. /Epoka e re/

Zef Toçi, njeriu që “shkriu” gjithë jetën në dobi të kombit

0

Zef Toçi në atelienë e tij në Prizren ka rreth 400 piktura. “Aty kam ‘shkri’ gjithë jetën time, gjithë mundin, dijen dhe përkushtimin tim. Unë e di se piktura është përkushtim dhe jam i kënaqur me atë që kam bërë”, është shprehur ai për “Kosova Sot”. Ai shton se është gjynah që veprat e tij të mëdha të rrinë të mbyllura në shtëpi. Toçi tregon se në moshën 76-vjeçare nuk mundet më të organizojë ekspozita personale, dikur s’ka pasur vend ku nuk ka ekspozuar punimet e tij, por tani është plakur. Për katër dekada me radhë, ka arritur të punojë rreth një mijë piktura artistike. Treqind prej tyre gjenden jashtë ateliesë së tij, si në Amsterdam, Bruksel, Kanada, Zagreb, Lubjanë, Sarajevë, Prishtinë dhe në Prizren. Disa prej pikturave janë në pronësi të galerive të tij, ndërsa disa të tjera vazhdojnë të mbeten në pronësi të individëve, e që janë jo më pak se 400 adhurues të artit pamor.

Pas lufte punoi Adem Jasharin

Zef Toçi i takon gjeneratës së parë të Shoqatës së Piktorëve të Kosovës dhe është i vetmi piktor që nuk ka katalog. Gjatë karrierës Toçi ka prezantuar punimet e tij nëpër shumë ekspozita brenda dhe jashtë Kosovës. Pjesën më të madhe të prezantimeve i ka bërë në mënyrë kolektive. Në vitin 1972, ai e ka hapur ekspozitën e parë jashtë Kosovës, në Bruksel, në Mol në vitin 1971, në Opati në vitin 1968, në Sarajevë në vitin 1970, ndërsa në Prishtinë ekspozitën personale e ka hapur në vitin 1968. Në vitin 1973, 1974, 1975, 2005,Toçi ka prezantuar punimet e tij personale dhe kolektive në Prizren. Ai thotë se mbi 160 piktura qëndrojnë të mbyllura padrejtësisht në atelienë e shtëpisë së tij. Piktura e parë që ka punuar pas përfundimit të luftës Toçi ka qenë ajo e komandantit legjendar Adem Jashari. Ndonëse kanë kaluar shtatë vjet prej se është punuar, ajo vazhdon të qëndrojë karshi pikturës së Skënderbeut, brenda mureve të shtëpisë së Toçit. “Këto dy piktura në mënyrë artistike prezantojnë dy epoka të lavdishme të shqiptarëve, që janë vazhdimësi e të njëjtit ideal”, tregon Toçi. Dy epokat historike të paraqitura në pikturën e Adem Jasharit,sipas tij, shënojnë lavdinë e popullit shqiptar. “Prandaj, do të ishte mëkat për krijuesit që këto dy epoka të mos i shkrijnë në vepra apo kryevepra artistike”.

Toçi thotë se motivi kryesor për të vazhduar krijimtarinë në fushën e pikturës, pas përfundimit të luftës, ka qenë pikërisht figura e komandantit legjendar, Adem Jashari. “Disa muaj me radhë kam menduar se si t’i përcaktohem vazhdimit të krijimtarisë në fushën e pikturës. Adem Jashari ka qenë motivi kryesor i vazhdimit të punës sime”,tregon ai. Në kompozicionin e pikturës së Adem Jasharit,përveç figurës qendrore dhe luftës së lavdishme e UÇK-së, ai tregon se zënë vend masakrat, ndarjet e nënave shqiptare nga fëmijët e tyre, plisat e bardhë dhe simboli i lirisë – pëllumbi. Figura e Adem Jasharit dhe shqiponja, sipas tij, i kanë shikimet e mbërthyera për sulm, përkatësisht për mbrojtje të dinjitetshëm të çdo gjëje shqiptare. Toçi mendon se arti dhe kultura në përgjithësi nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për ta shprehur artisti gjithë punën dhe vullnetin e tij. “Politika jonë duhet ta kuptojë se epoka e Adem Jasharit, Kosovës ia ka hapur dyert drejt integrimeve. Prandaj, kjo epokë duhet të jetë temë për të gjithë krijuesit e të gjitha gjinive artistike.

Veprat e tij dëshiron të mbërrijnë gjithandej

Toçi thotë se njëra ndër dëshirat që ka si krijues i pikturës është edhe hapja e një ekspozite në Galerinë e Arteve në Prishtinë. “I takoj gjeneratës që e kemi formuar Shoqatën e Piktorëve të Kosovës. Sipas tij, nuk i mjafton vetëm një galeri e arteve.”Duhet të ketë më shumë, sepse vetëm në këtë mënyrë puna e krijuesve tanë mund të bëhet publike dhe ta shohë dritën e vet ose t’u ekspozohet atyre për të cilët edhe krijohet- artdashësve”. Ai tani bën jetën e një njeriu të moshuar, ku bashkë me plot shokë të tij ish-profesorë pinë kafen pranë Lumëbardhit dhe tregon se ende ka shumë frymëzim, por po e “tradhton” dora, por kurrsesi dëshira për artin. Ai thotë se nuk ka nevojë që t’i shesë veprat e tij, por dëshiron që ato të mbërrijnë gjithandej.

(Kosova Sot)