17.6 C
Prizren
E enjte, 17 Korrik, 2025
Home Blog Page 5363

Demalia: Letrën e Kadaresë dërguar Enverit e botova si reagim ndaj pseudointelektualëve që mbështesin manipulimet

0

Personi që botoi letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës dhe që ngjalli debat në media, Ilir Demalia, shkruan në profilin e tij në Facebook se letra nuk kishte të bënte me mbrojtjen e motrës së shkrimtarit.

Për Ilir Demalinë – i njohur si “lideri” i njerëzve që hynë në ambasada në vitin 1990 – çështja e motrës së Kadaresë ishte mbyllur, ndërsa letra është shkruar më vonë kur Kadare kërkonte të dilte jashtë vendit. Sipas tij, Kadare i kujtonte regjimit të gjithë besnikërinë e tij, duke përmendur edhe motrën që ia kishte mbyllur derën.

Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Pse e botova letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës!

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës.

Sëpari, për t’ju pergjigjur pyetjeve se nga e kam marrë këtë letër, apo “konspiracioneve” të Ismail Kadaresë, se këto letra duket sikur kanë dalë nga kasaforta e Enver Hoxhës apo Nexhmie Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit, po ju përgjigjem: kjo letër është marrë nga Arkiva Shtetit si dokument i deklasifikuar dhe nuk përbën asnjë sekret. I vetmi “sekret” është se studies, historianë, apo më saktë, rrëmues-rrënues arkivash, si dhe gazetarë dhe pseudointelektualë me kulturën e manipuluesit dhe jo të studiuesit e të kërkuesit të së vërtetës i përdorin arkivat në mënyrë të njëanshme, për t’i shërbyer njerëzve të regjimit politik, kulturor të dje-sotmes, ndër të cilët kampioni është Ismail Kadareja.

Këtë letër dhe të tjera, kisha kohë që i disponoja. I kanë dhe të tjerë, dhe sigurisht i kanë parë edhe manipuluesit të biografisë së Kadaresë kur kanë rrëmuar në arkiva për “Kadarenë e denoncuar”.

Mendova që ta nxjerr këtë letër jo pse nuk e kuptoj kontekstin se si e kur është shkruar por mbi të gjitha si reagim ndaj kësaj kulture të së dje-sotmes, duke qenë se Ismail Kadare, prej vitesh nuk bën gjë tjetër, por në mënyrë të përherëshme dhe të vazhdueshme, tjetërson duke manipuluar mardhëniet e tij me regjimin komunist, si njeriu që ka mbajtur mbi kurriz “Peshën e kryqit” ne diktaturë, dhe sëfundi, në intervistën e “De Welt”, na tregon edhe se si rregjimi Hoxhës i kishte pregatitur arkivolin.

E botova edhe si reagim ndaj gjithë atyre pseudointelektualëve të djeshëm dhe të sotëm që në vend se të thonë të vërtetën heshtin apo e mbështesin këtë manipulim si duket nga komplekset e të kaluarës së tyre. Sepse jam i bindur që janë të shumtë ata që e dinë se si kanë qenë realisht mardhëniet e Ismail Kadaresë me regjimin dhe vëtë diktatorin Hoxha. Atë e tregojnë jo vetëm këto letra që kam botuar unë, por e tregon vepra e tij, publicistika e tij dhe qëndrimet e tij gjatë regjimit komunist.

Unë qendrimet e mija ndaj Kadaresë, nuk i kam shprehur sot, por që që në gushtin e 1990, publikisht në intervistën e “Zërit Amerikës” kamë thënë: Ismail Kadare nuk mund të jetë një Havel për Shqipërinë se ai ka thurur himne për partinë dhe Enver Hoxhën.

Kam shkruar vazhdimisht, se kujt i shërbeu ai me talentin e tij, për mardhëniet e tij me pushtetin si dje dhe sot, për rolin e tij si intelktual dhe shfryzimin që i bën dhe i ka bërë ai pushteteve në shërbim të së keqes.

Zhgënjyes ishte për mua qëndrimi i shumicës së njerëve të medias pas botimit të letrës (në ndryshim nga njerëzit e thjeshtë që e komentuan atë në rrjete sociale) për të kuptuar më mire gjithë situatën dhe manipulimin. Kadare lëshoi menjëherë ushtrinë e sahanlëpirësve të tij dhe të regjimit duke rimanipuluar letrën dhe qëndrimet e tij. Në vend që të hapej nje debat (që duhet të ishte hapur me kohë), jo vetëm për qëndrimet politike dhe mardhëniet me pushtetin dje dhe sot të shkrimtarit, por edhe për veprën e tij letrare, media mundohet të na e tregojë këtë letër dhe gjithë mardhënien e tij me shtetin diktatorial të Enver Hoxhës si një mardhënie ku shkrimtari ka qenë gjatë gjithë kohës me gijotinën mbi kokë.

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës. Dosja e së motrës ishte mbyllur ne vitin 1978 me një këshillim dhe, po në këtë vit është thirrur Kadare në Komitetin e Partisë së Tiranës nga Xhelil Gjoni për ti treguar rreth së motrës. Letra drejtuar Enver Hoxhës shkruhet në prill të 1980 nga shkrimtari Ismail Kadare. Pasi Kadare i kishte drejtuar letër qeverisë siç del edhe nga letra e Manush Myftiut dërgur Ramiz Alisë, shkrimtari Ismail Kadare i drejtohet Enver Hoxhës për të zgjidhur problemin e daljes jashtë shtetit siç dhe u zgjidh me urdhër të Enver Hoxhës. Për këtë i kujton edhe një herë shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, veçanërisht diktatorit me lartësimin e figurës së tij dhe për të treguar se sa besnik është i thotë se i ka mbyllur derën të motrës dhe i ka thënë të gjithë fisit të veprojë kështu. Kjo tregon vërtet kohën e tmerrshme që kemi jetuar, por edhe se çfarë intelektualësh kemi pasur, që e hyjnizuan këtë regjim, sepse regjimi nuk ishte vetëm Enver Hoxha.

E pamoralëshme, turpëshme për këtë media dhe për këtë varfërim intelektual për raportin me të vërtetën që pamë në këtë rast si shumë herë të tjera.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në vëndin tim në vëndin tënd, është pikërisht kjo media që i shërben bandave politike si shpërblim financiar nëpërmjet krimit ekonomik të pushtetarëve. Është pikërisht kjo media që po shërben të keqes nëpërmjet manipulimit duke paraqitur të keqen, vjedhjen, abuzimin me pushtetin, krimin vulgaritetin kulturor, letrar si model suksesi.

Letra Manush Myftiut për çështjen Ismail Kadare për filmin “Gjenerali ushtrisë së vdekur” qe do xhirohej ne Francë që te kuptohet më e qarte e gjithë mardhënia e Kadarese me shtetin diktatorial dhe vete diktatorin.

Bashkangjitur Relacioni që Isamil Kadare i dërgon Komitetit Qëndror lidhur me botimin e librit “Dimri madh” në Jugosllavi më 21.3. 1980

Relacion

Lidhur me botimin e romanit “Dimri madh” ne Jugosllavi.

Më 17 mars 1980 studjuesi Kosovar Hasan Mekuli kërkoi një takim me mua për të më parashtruar një kërkesë të Shtëpisë botuesë jugosllave “Prosvjet” të Beogradit, e cila ka ndërmend të botojë të përkthyer në serbokroatisht romanin “Dimri madh”.

Qëllimi i takimit të Hasan Mekulit me mua, ishte që të merrte vesh në se unë si autor do të isha dakort që tekstit të ramanit t’i bëhej ndonjë shkurtim prej Shtëpisë botuese “Prosvjet”. Para ca kohe Shtëpia botuese franceze “Fayard” më njoftoi se ishte në traktativë me jugosllavët për botimin e “Dimrit te madh” në serbisht. Me sa duket, përpara se të vendosë përfundimisht për të bërë një kontratë, Shtëpia botuese jugosllave kërkon të dijë nëse autori do të lejojë të bëhet ndonjë heqje në tekst. Shtëpia botuese “Fayard”, në bazë të marrveshjes me autorin, nuk lejon të bëhet asnjë shkurtim dhe prandaj botuesit jugosllavë kanë vënë si ndërmjetës Hasan Mekulin, për të nxjerrë lejen e shkurtimit direkt nga autori.

Kërkova nga Hasan Mekuli të informohem se për çfarë shkurtimimesh bëhet fjalë, dhe ai tha se është fjala vetëm për disa pasazhe që kanë lidhje me Jugosllavinë. I thashë paraprakisht duke ruajtur rezervën që përgjigjen e saktë t’ia jap më vonë, se mund të diskutonim po t’ishte fjala për pasazhe apo fragmente fare të shkurtër, të cilat do ti tregohen konkretisht autorit.

Hasan Mekuli tha pastaj se pas botimit në serbokroatisht, bëhej i mundur dhe botimi i romanit “Dimri i madh” në Kosovë.

Mendimi im si autor është që nëqoftëse shkurtimet janë të tillë që s’prekin asgjë ne thelbin e romanit (pasazhet pë Jugosllavinë nuk zënë më shumë se 3 ose 3 faqe), ato të pranohen.

Sidoqoftë për përgjigjen përfundimtare [res mendimintuaj.

Tiranë, më 17 mars 1980

Ismail Kadare” (sic.), ka shkruar Demalia. /Telegrafi/

Bie në humnerë një veturë në Dragash

0

Një veturë ka rënë në humnerë në fshatin Glloboqicë të Dragashit.

Policia e Kosovës njofton se vozitësi ka pësuar lëndime trupore.

“Vozitësi me veturën e tij me targa të Malit te Zi, derisa ka qenë në lëvizje ka humbur kontrollin dhe ka rënë në një humnerë”.

“Ai, ka pësuar lëndime dhe është dërguar për tretman mjekësor”.

Njësia përkatëse policor është duke hetuar rastin./PrizrenPress,com/

Aksidentohet një motoçiklist në Kushnin të Hasit

0

Një motoçiklist është aksidentuar në fshatin Kushnin të Hasit.

Aksidenti ka ndodhur gjata ngjitjes me motoçikletë ne Kodrinat e Pashtrikut

Policia e Kosovës njofton se viktimës i është dhënë ndihma e parë në Spitalin e Gjakovës, ndërsa më pas është dërguar në QKUK në Prishtinë./PrizrenPress.com/

Të shtënat në dasma, dhjetë raste, nëntë të plagosur

0

Qytetarët e Kosovës si duket se kanë kuptuar ende moton “Festo me zemër, jo me armë”. Kjo moto ka disa vjet që është lansuar nga Policia e Kosovës në çdo verë, stinë kjo kur bëhen dasmat.

Por të shtënat nëpër festa dhe ahengje veç sa shtohen çdo vit, madje ndonjëherë duke marrë edhe jetë njerëzish.

Këtë vit fatmirësisht nuk ka pasur ndonjë rast me fatalitet nga të shtënat nëpër dasma ndonëse në një fshat të Suharekës është shënuar një rast i tillë.

Nga plumbat e armëve që u shkrepën nga gëzimi, pësuan me lëndime të lehta tri gra të shtëpisë.

Në Policinë e Kosovës janë raportuar vetëm dhjetë raste të gjuajtjeve me armë zjarri, dhe numri i personave të lënduar gjatë këtyre incidenteve është gjithsej nëntë.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në muajt qershor dhe korrik të këtij viti janë raportuar 10 raste e që nënkupton në rënie të rasteve të gjuajtjeve me armë zjarri në dasma dhe ahengje.

Nga këto dhjetë raste të regjistruara janë lënduar nëntë persona, ndërsa në këto operacione janë arrestuar 14 persona dhe janë konfiskuar 58 municione dhe 17 armë të llojeve të ndryshme.

Dukuria e gjuajtjeve me armë zjarri nëpër ahengje familjare është prezente pothuajse në të gjithë rajonet e Kosovës, mirëpo sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxha , në rajonin e Prishtinës janë raportuar rastet më të shpeshta për shtënie me armë.

Arsyen e gjuajtjes me armë në momente gëzimi e shpjegon sociologu Ferdi Kamberi.

Ai në një përgjigje elektronike për KosovaPress tha se afektin dhe traditën i sheh si faktorë të cilët i shtyjnë njerëzit që të gjuajnë me armë gjatë ahengjeve të ndryshme familjare. Sipas tij si pasojë e këtyre tradive një gëzim familjar lehtë mund të shndërrohet në një tragjedi familjare.

Ndryshe Policia e Kosovës me qëllim të reduktimit të përdorimit të armëve të zjarrit ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Kosovës që qytetarët që t’iu iu shmangen përdorimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit për arsye se armët paraqesin rrezik potencial.

Policia po ashtu njfton se të gjithë ata të cilët në mënyrë të kundërligjshme përdorin armët apo bartin ato në mënyrë të paligjshme, pa autorizim, ndaj tyre do të ndermirën të gjitha masat e nevojshme ligjore për kompletim dhe procedim të këtyre rasteve tek organet kompetente të drejtësisë.

Zjarri rrezikon vreshtat në Krushë të Rahovecit(Foto)

0

Temperaturat e larta që po mbretërojnë këto ditë kanë bërë që të bien shumë zjarre gjithandej vendit.Një zjarr ka shpërthyer mbi kodrinat e Krushës së Madhe në Rahovec, duke rrezikuar dhe vreshtat.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Degës së AAK-së në Rahovec, Smajl Latifi,“Tashmë një sipërfaqe e madhe është djegur, madje edhe një rend me vreshta. Flakët janë duke u përhapur dhe ka rrezik t’ju afrohen edhe shtëpive”, alarmon Latifi.

Ai i ka bërë thirrje zyrtarëve komunalë dhe ekipeve të zjarrfikësve që të marrin masa dhe të vijnë sa më shpejtë në këtë vend.“Ndryshe, vapa e madhe e përcjellë me një erë të lehtë përbën rrezik nga flakët që e kanë përfshirë malin përreth”.

Vatra zjarri kanë shpërthyer dhe në Vushtrri, Mitrovicë, Podujevë etj.

Blerim Kuçi thotë se zhbllokimi i Parlamentit është në dorën e Opozitës

0

Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Kuçi ka thënë se konstituimi i institucioneve nuk do të vonohet siç kishte ndodhur pas zgjedhjeve të vitit 2014, megjithatë ai ka thënë se është edhe në dorën e opozitës, (e që sipas tij janë Lëvizjes Vetëvendosje dhe të koalicioni LDK-AKR), që të mos të ketë bllokadë institucionale.
Ai ka thënë për lajmi.net se edhe subjektet opozitare duhet ta mbështesin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit nga koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN), pasi ky post në aspektin kushtetues i takon këtij koalicioni.

“Nuk ka me zgjatë shumë çështja e konstituimit të institucioneve, por kjo çështje sigurisht se është edhe në dorën, kushtimisht po e them, të opozitës. Në aspektin kushtetues PAN-it i takon kryetari i Kuvendit dhe duhet të lëvizet tutje. Kurse sa i përket konstituimit të Qeverisë është një procedurë ligjore, ku çdo njëri e ka afatin e vet”, ka deklaruar Kuçi.

Ai më tej ka thënë se nuk mund të thuhet se ky koalicion nuk i ka votat, pasi ende nuk është hy në votim për ta vërtetuar një gjë të tillë. Sidoqoftë ai thotë se vullneti i mirë për zhbllokimin e funksionalitetit të shtetit nënkupton votimin e kryetari i Kuvendit nga radhët e koalicionit fitues.

“Vullneti i mirë do të ishte që për ta liruar funksionimin e shtetit, të votohet kryetari i Kuvendit. Na kujtohet neve kur ishin si koalicion VLAN, atëherë Gjykata Kushtetuese e kishte sjellë vendimin që partisë fituese i takon kryetari i Kuvendit. Nuk e di pse po luhet me këtë lojë tani nga subjektet që më shumë po akuzojnë për bllokadë e në fakt ato po marrin veprime që janë dëm të funksionimit të shtetit”, ka shtuar Kuçi

Haxhi Avdyli : Nëse s’ka marrëveshje duhet shkuar në zgjedhje

0

Deputeti i zgjedhur i LDK’së, Haxhi Avdyli ka përmendur opsionin e zgjedhjeve të reja nëse partitë politike nuk arrijnë të merren vesh për kompromis për të bashkëqeverisur.

“Ata që mirren vesh të krijojnë shumicën parlamentare e të qeverisin. S’behet kiameti që edhe nëse s’arrijmë t’i kënaqim ambiciet tona ndonjëherë sepse ardhmëria e fëmijëve tanë është më e rëndësishmesh. Nëse s’mirremi vesh, shkojmë në zgjedhje tjera e ia shpenzojmë edhe nja 5 milion buxhetit të Kosovës. Por së paku secili deputet aty ku beson ka shanse të renditet në listë”, ka propozuar Avdyli, shkruan Express.

Ky deputet i LDK’së ka thënë se marrëveshje me një apo dy deputetë nuk duhet të bëhen por duhet të ketë marrëveshje ndërmjet partive për bashkëqeverisje.

“Prandaj koha është për reflektim , e jo për aventura me shtetin. Të ulemi, të bisedojmë, si parti e koalicione”, ka shtuar ai.

Postimi i plotë i Haxhi Avdylit:

Situata është shumë e thjeshtë.

Bllokues të krijimit të institucioneve janë ata që sipas interpretimit (të praptë) kushtetues kanë drejtë që të parët të propozojnë, pra PAN.

Ata janë të parët ,por jo fitues dhe as shumicë

Ata kanë 39 nga 120 deputetë që pa marreveshje me partitë shqiptare asesi skalojnë 61 e nevojshme.

Tendenca e krijimit të shumicës, jo permes marreveshjes ndërpartiake , por përmes tjetërsimit të vullnetit të ndonjë deputeti është bllokadë edhe m? madhe e aspak zgjidhje.

Nuk do duhej të ketë as mirëkuptim as arsyetim për asnjë deputet që tjetërson vullnetin e qytetarëve votues.

Zgjidhja para zgjedhjeve ishte e thjeshtë për kandidatët.

PAN, LAA,VV ishin opcionet për tu kandiduar si deputet. Unë dhe 109 kandidatë besuam që Avdullah Hoti me ekip mundet me qeverisë më mirë. Po të besoja në fillim ndryshe do isha në listën tjetër do loboja dhe do dilja para qytetarëve me listën me tjeter kandidat për kryeministër. Tani marreveshjet për koalicione i bëjne partitë me dialog e negocim e jo individët. Krijimi qeverisë me 2 deputet të tjetërsuar politikisht është thyrje e rregullave politike , fyrje e vullnetit të qytetarëve, presion i pandershëm në emër të jaranisë ndaj deputetëve apo joshje korruptive si veper penale. Ndoshta dikush bënë edhe këtë kalim, edhe pse sbesoj që kaq lehtë mund ta tradhëtoi besimin e mijera votuesve, por kjo edhe nuk prodhon zgjidhje politike per vendin, as për PAN-in e më së paku i nderon ata 2 deputetë kushdo qofshin. Mos kofsha në lekurën e tyre , sepse më së rëndi do e kenë ata 2 ,se kushdo nga ne që të shikojmë votuesit në sy.

Prandaj koha është për reflektim , e jo për aventura me shtetin.

Të ulemi, të bisedojmë, si parti e koalicione.

Ata që mirren vesh të krijonë shumicën parlamentare e të qeverisin. Sbehet kiameti që edhe nëse sarrijmë ti kënaqim ambiciet tona ndonjeherë sepse ardhmeria e fëmijeve tanë është më e rendesishme. Nëse s’mirremi vesh, shkojmë në zgjedhje tjera e ia shpenzojmë edhe nja 5 milion bugjetit të Kosovës. Por së paku secili deputet aty ku beson ka shansë të renditet në listë.

Kurti kujton vdekjen e Deharit

0

Deputeti i VV-së, Albin Kurti, me anë të një postimi në Facebook ka përkujtuar nëntëmujorin e vdekjes së aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit.

“Sot janë mbushur nëntë muaj prej se Astrit Dehari u mbyt në Burgun e Prizrenit. Krimi mbi Astritin po shtohet me drejtësinë e munguar. Ne duam drejtësi pa hakmarrje.

Na kanë mbajtur e po na mbajnë burgjeve pa faj – Atdhe Arifi aktualisht ndodhet në burgun e Pejës. Sikur ne të kishim të bëjmë me korrupsionin në institucione apo krimet e pasluftës moti do t’i kishim pranuar ofertat e PDK-së për t’iu bashkangjitur në qeverisje.

Republika e Kosovës është shtet i kapur, ku kapësit e shtetit po qahen e po ankohen, po shajnë e po shpifin. Nuk mund të kthehemi para 11 qershorit. As para 11 qershorit 1999, as para 11 qershorit 2017!

Qytetarët duan drejtësi e punësim, liri e barazi, siguri e demokraci. Qytetarët duan ndryshime. Le t’i duam qytetarët!” (sic.), ka shkruar Kurti në Facebook. /Telegrafi/

VV në Malishevë: Qeverisja Begaj po helmon hektarë të tërë tokash

0

Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë ka akuzuar qeverisjen komunale të drejtuar nga Ragip Begaj, se nuk është duke punuar për interesat e qytetarëve dhe se këtë e dëshmon gjendja e rëndë e kanalizimeve në fshatin Mleqan.

Përmes një komunikate për media, Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se para disa ditësh kanë vizituar fshatin Mleqan ku kanë parë nga afër gjendjen skandaloze të kanalizimeve në këtë fshat.

Pamjet e regjistruara, sipas Lëvizjes Vetëvendosje në Malishevë, tregojnë për gjendjen e këtyre kanalizimeve për të cilat janë shpenzuar mijëra euro nga buxheti i taksapaguesve, por që i ka shndërruar livadhet dhe arat e këtij fshati në moçalishte ku përveç kundërmimit janë infektuar hektarë të tërë duke shkaktuar ndotje enorme me pasoja për shëndetin e banorëve pasi që shumë nga bagëtitë kullosin në këto ara dhe livadhe.

“Kryerja shkel e shko e punëve dhe pa plan projektues duke i lënë gypat e kanalizimit të rrjedhin jashtë tokës vetëm disa metra lag shtëpive të fshatit tregon për papërgjegjësinë e qeverisjes komunale e udhëhequr dje nga Kilaj dhe sot nga Begaj me të njëjtin model i cili kudo që prek e bën gjendjen edhe më të keqe se sa që ka qenë”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Vetëvendosje përkujton se kjo formë e investimeve, në vend që t’ua lehtësojë jetën banorëve në fakt po u vështirëson edhe më shumë atë, duke ua rrezikuar shëndetin dhe dëmtuar mjedisin që ka sjellë deri tek shkatërrimi i hektarëve të tërë të tokave dhe arave të bukës gjë që përbën rrezikim të shëndetit dhe dëmtim të pasurisë së tyre që sipas nenit 347 kodit penal janë të cilësuar si vepra penale që sanksionohen me burim deri në 8 vite.

Oferta e Veselit vlen deri të mërkurën

0

Oferta e Kadri Veselit për t’u tërhequr nga pozita e kandidatit për Kryetar të Kuvendit vlen vetëm deri të mekurën. Nëse deri atëherë LAA dhe Vetëvendosje nuk e përmbushin kushtin e Kryetarit të PDK’së për të votuar Qeverinë Haradinaj, atëherë, edhe oferta e Veselit do të përfundojë.

Kështu ka thënë Nënkryetari i PDK’së, Rexhep Hoti, teksa ka komentuar idenë e partive opozitare, se Veseli do të tërhiqet edhe pa iu plotësuar kushti për votimin e Haradinajt për Kryeministër.

“Kushti i vetëm ishte që institucionet nuk duhet të bllokohen. Në fakt, kjo ofertë vlen vetëm deri të mekurën. Mandej të shohim. Kjo është e vërteta e asaj që është bërë deri më tash”, ka thënë Hoti, për Express.

Kryetari i PDK’së, Kadri Veseli, ka thënë se është i gatshëm të tërhiqet nga pozita për Kryetar të Kuvendit vetëm nëse opozita e voton Haradinajn për Kryeministër. Mirëpo, LAA dhe Vetëvendosje kanë thënë se e mirëpresin idenë e tërheqjes së Veselit, por s’e pranojnë kushtin e tij për votimin e Qeverisë së PAN’it.

Sidoqoftë, Rexhep Hoti thotë se kjo do të jetë sakrifica e fundit e PDK’së që të tërhiqet nga pozitat që i takojnë me Kushtetutë. Ka thënë se s’do të ketë më tërheqje.

“E drejta kushtetuese është e PDK’së. Pas ofertës së Veselit, më kurrë nuk do ta tradhtojë votuesin e vet. PDK do të rikthejet fuqishëm votuesit të vetë. Sepse votuesi i PDK’së është garant i sovranitetit që e gëzojmë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se deklarimi i Kryetarit të PDK’së se tërhiqet kishte ardhur për të mos mbetur të bllokuara institucionet.

“Deklarimi i z. Veseli ka ardhur pas zhurmës së madhe të skenës politike rreth përcaktimit edhe të agjendës tonë brenda PDK’së se kush duhet të jetë Kryetar i Kuvendit. Kishte një ndërhyrje flagrante për të në dëshmuar se kënd duhet ta vendosim në mënyrë që konkurentet politikë, bëri që z. Veseli t’ua bënte një ofertë fer. Kërkesa e partive opozitare është jokorrekte, jopolitike dhe jokushtetuese”, ka shtuar ai.

Ky zyrtar i PDK’së ka mohuar mundësinë që partia e tij ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, Adem Mikullovcin, për gabimet që ka bërë gjatë udhëheqjes së seancës konstituive. Mirëpo, ka thënë se ka mbetur i habitur me frikën e Kryesuesit ndaj zyrtarëve të Vetëvendosjes, kur kishte vendosur të mos largohej nga seanca pavarësisht se e kishte mbyllur atë.

“Parimisht, nuk jam për ta gjykuar z. Mikullovci. E pamë frikën e tij për gabimin që bëri dhe gati vdiq prej frikës së Vetëvendosjes. Jam që ta lëmë të qetë. Më ka shokuar gjesti i njeriut, i cili nga frika nuk guxonte as ta lëshonte sallën e Parlamentit. Kjo dëshmon për tiraninë që ekziston në Vetëvendosje. Nuk do t’ia preferoja PDK’së ta çojë në Gjykatë Kushtetuese”, ka thënë ai.

Seanca konstitutive e Kuvendit e mbajtur të enjten ka dështuar për shkak se PDK nuk e propozoi kandidatin për Kryetar të Kuvendit. PDK kishte kërkuar pauzë, kurse, Kryesuesi e kishte mbyllur seancën pa përfunduar procedurat e zgjedhjes se Kryeparlaemmtarit. Edhe të premten ka pasur një seancë plenare, por ka munguar PDK’ja.

Tash, Kryesuesi Mikullovci, i ka ftuar partitë të mërkurën për konsultime për të vazhduar seancën.