30.3 C
Prizren
E mërkurë, 16 Korrik, 2025
Home Blog Page 5366

Ardit Bajraktari i akuzuar për mashtrim me subvencione pranon fajësinë, dënohet me 1400 euro gjobë

0

Ardit Bajraktari nga Suhareka, i cili së bashku me 12 persona tjerë akuzohet për mashtrim me subvencione, të mërkurën, gjatë shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë për veprën penale që i ngarkohej dhe është dënuar me 1400 euro gjobë.

Ndërsa, të akuzuarit tjerë, Afrim Sallauka, Iljaz Sopi, Ermir Sallauka, Alban Sopi, Veton Kabashi, Avni Palushi, Lulzim Palushi, Xhavit Sallauka, Labinot Telaku, Xhemajl Sallauka dhe Fatos Hoti, nuk e kanë pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Në këtë seancë nuk e ka pranuar fajësinë edhe zyrtari për pagesa në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), Luan Statovci, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

I akuzuari Ardit Bajraktari, para se të pranonte fajësinë është konsultuar me mbrojtësin e tij, avokatin Florent Latifaj. Po ashtu edhe avokati Latifaj ka deklaruar se i akuzuari me vullnet të plotë ka vendosur të pranojë fajësinë duke i ditur favoret dhe disfavoret që sjell një gjë e tillë.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, nuk e ka kundërshtuar pranimin e fajësisë nga i akuzuari Bajraktari duke thënë se një gjë e tillë është bërë duke u bazuar në dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka pranuar fajësinë e të akuzuarit Bajraktari, të njëjtit ia ka ndarë lëndën penale dhe i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 1400 euro. Po ashtu Sejrani ka njoftuar të akuzuarit tjerë që nuk e kanë pranuar fajësinë se deri në shqyrtim të dytë kanë të drejtë të paraqesin kundërshtimet e tyre rreth aktakuzës dhe provave ë përmban ajo.

Shqyrtimi i dytë, në këtë çështje penale, është caktuar për 12 shtator 2017, në ora 13:15.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, me të cilën të pandehurit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentin “Certifikata e vreshtarit” për të përfituar subvencione në mënyrë të paligjshme.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke u paraqitur rrejshëm në MBPZHR si kultivues të vreshtave, kanë përdorur “Certifikatat e vreshtarit” të falsifikuara, me ç’rast kanë përfituar subvencione në shumë deri në 3 mijë euro.

Ndërsa, zyrtari për pagesa në MBPZHR, Luan Statovci, akuzohet se pa verifikuar dokumentet e fermerëve dhe gjendjen në teren, ka lejuar të ekzekutohen pagesa direkte në emër të subvencioneve për aplikantët, me ç’rast i ka shkaktuar buxhetit të shtetit humbje në vlerë prej rreth 30 mijë euro./betimiperdrejtesi/

Dy të akuzuar për narkotikë kanë një kërkesë nga Gjykata e Prizrenit

0

Gjon Krevja dhe Kristina Zefi, të dytë nga Shqipëria, të mërkurën, përmes mbrojtësve kanë kërkuar që aktakuza ndaj tyre për blerje, posedim, transport dhe shitje të narkotikëve, të hedhet poshtë si e pabazuar.

Në shqyrtimin e dytë të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, mbrojtësi i të akuzuarit Krevja, avokati Betim Shala, ka deklaruar se nuk ka prova brenda shkresave të lëndës që tregon saktë vendin dhe datën e kryerjes së veprës penale të pretenduar.

Tutje, Shala, ka shtuar se nuk gjendet asnjë dokument raportues nga policia në fazën e hetimeve që të tregojë se çka është zbuluar gjatë përgjimeve të bëra. Sipas tij, po ashtu mungon raporti i bastisjes dhe zinxhiri i provave, i cili do të tregonte saktë se për cilën ditë po behët fjalë dhe në bazë të cilës urdhëresë është bërë përgjimi i telefonatave, andaj ka kërkuar që të hedhet poshtë aktakuza si e pabazuar.

Gjithashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarës Kristina Zefi, avokati Skender Morina, ka kërkuar që aktakuza ndaj të mbrojturës së tij të hedhet poshtë sepse, siç thotë ajo bazohet në supozime dhe nuk ka prova të mjaftueshme për të formuar dyshimin e bazuar mirë se e akuzuara ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

Prokurori i rastit, Mehdi Sefa, ka kërkuar nga gjykata që të refuzojë si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për kundërshtimin e provave dhe për hedhjen e aktakuzës. Sefa ka thënë se aktakuza bazohet në prova të ligjshme dhe të pranueshme për gjykatën e të cilat formojnë dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka njoftuar palët se rreth kërkesave të mbrojtjes do të vendosë jashtë seance.

Gjon Krevja dhe Kristina Zefi, akuzohen se në bashkëkryerje kanë ndërmjetësuar transportin e substancës narkotike në sasi prej rreth 40 kg, nga Shqipëria për në Kosovë, me qëllim që të njëjtën ta shesin.

Sipas aktakuzës, të pandehurit pasi kanë rënë dakord me shitësit nga Shqipëria, kanë angazhuar personin Afrim Milla, që substancën narkotike në sasi prej 40 kg, ta transportojë ilegalisht përmes kufirit Shqipëri-Kosovë.

Aktakuza përshkruan se si Afrim Milla, i cili po ashtu akuzohet për këtë rast në një tjetër lëndë penale, duke shfrytëzuar bregun e liqenit të fshatit Vërmicë, ka bartur dy thasë me marihuanë me qëllim që t’ua dorëzojë dy të akuzuarve Krevja dhe Zefi. Ai ishte hasur nga policia kufitare e Kosovës, andaj i njëjti kishte hedhur thasët dhe duke vrapuar, para se të arrestohej, kishte thirrur në telefon të akuzuarit për t’iu treguar se është kapur nga policia./betimiperdrejtesi/

Shpallen juritë e Dokufest

0

Dokufest ka shpallur emrat e anëtarëve të jurisë së këtij edicioni. Nëpërmjet gjashtë kategorive, kjo përzierje eklektike e profesionistëve dhe entuziastëve të filmit do të shikojnë dhe përzgjedhin filmat e tyre të preferuar nga 102 sa janë në garë, përcjellë KultPlus.

BALKAN DOX

Image

Karen Cirillo është një krijuese dhe programuese multi- mediale e specializuar në filma të shkrutër jo-fiksion. Megjithëse një njujorkeze, ajo aktualisht është e vendosur në Stamboll, ku punon për Qendrën Rajonale të UNDP-së për Europën dhe Azinë Qendrore si një komunikuese dhe një specialiste e multimedias. Ajo themeloi dhe kuron Doxita, një program udhëtimi i kinemasë të shkurtër jo-fiksion. Ajo ishte Programuese e Filmave të Shkurtë për Festivalin True/False, Drejtoreshë e Asociuar – Programim për Festivalin e Filmit të Plotë të Kornizës, dhe ka programuar për festivale dhe organizata të tjera, duke përfshirë edhe Duke University Screen Society. Ajo më parë ka punuar për UNICEF ku menaxhoi një iniciativë transmetimi ndërkombëtar të fëmijëve dhe projektin global OneMinutesJr, duke bashkëpunuar me artistë për të prodhuar punëtori me të rinj në mbarë botën.

Mimi Brody është një programuese e filmit dhe kuratore për festivalet e filmave dhe filmat kinematikë. Ajo ka punuar me festivalet e filmave San Francisco International dhe Los Angeles, me Festivalet e Filmit dhe Televizionit të UCLA-s, Block Cinema dhe më së fundi si Programues i Festivalit të Filmit AFI DOCS në Uashington, DC.

Ognjen Glavoniq (1985, Jugosllavi) u diplomua në drejtimin e Filmit dhe Televizionin në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd. Filmat e tij të shkurtër janë shfaqur në më shumë se 50 festivale ndërkombëtare të filmit. Dokumentari i tij i mesëm i gjatë Zivan Makes a Punk Festival u shfaq në IFF Rotterdam, Cinéma du Réel, IndieLisboa, CPH: DOX, ndër të tjera. Depth Two u shfaq në Berlinale në vitin 2016, dhe është dokumentari i parë i Ognjen-it. Deri më tani është shfaqur në 50 festivale, duke fituar çmimet e Grand Prix në Festival dei Popoli (Itali), ZagrebDox (Kroaci), Open City Documentary Festival (Britani të Mashe), Dokufest (Kosovë), Message to Men (Rusi) Kasseler Dokfest (Gjermani), Belgrade Documentary and Short Film Festival (Serbi) dhe Atlantida Film Festival (Spanjë). Glavoni? është aktualisht në fazën e post-produksionit të filmit të tij të parë fiction The Load. Ai është drejtor dhe bashkë-themelues i Festivalit të Filmit Pançevo (Serbi).

GREEN DOX

Image

Bilge Ebiri është një kritik dhe shkrimtar i filmit për Village Voice. Puna e tij është shfaqur gjithashtu nëNew York Magazine, në Rolling Stone, në New York Times, në Criterion Collection dhe në vende të tjera.

Riina Zachariassen u trajnua si avokat në universitetet e Kopenhagës dhe Edinburgut dhe u bashkua me Copenhagen Film Festivals (CPH: DOX & CPH PIX) në 2006 si Menaxhere e Industrisë. Në vitin 2012 ajo filloi prodhimin e filmave fiction dhe dokumentarë. Në mesin e titujve të tjerë ajo bashkë-prodhoi MOUNTAIN Yaelle Kayam (Venecia dhe Toronto IFF 2015), prodhoi OBAIDAH ZYTOON & Andreas Dalsgaard & THE WAR SHOW dhe filmi i saj i parë DRIB pati premierën në SXSW dhe CPH: DOX në vitin 2017.

Uta Ibrahimi ka lindur në Kosovë. Ka punuar në fushat e marketingut deri në vitin 2015 kur ajo e la punën dhe nisi një udhëtim e saj të ri si një alpiniste dhe udhërrëfyes. Sot, Uta po ndjek projekte të ndryshme turistike siç janë Projekti Via Dinarica dhe Reel Rock Festival. Ajo është pronare e një kompanie që ofron turne në natyrë në Ballkan. Në maj të vitit 2017, Uta u bë gruaja e parë shqiptare të arrijë në majën e malit Everest 8848m. Qëllimi i saj është të vazhdojë të ngjitet në majat e tjera 8000m, të rrezatoj pozitivitet dhe të ekspozojë bukurinë e Kosovës.

INT’L DOX

Image

Carmen Grey ka lindur në Zelandën e Re dhe tani jeton në Berlin. Ajo ka qenë kritike dhe gazetare për më shumë se një dekadë dhe ka shkruar botime për The Guardian, The Observer, Sight & Sound, Screen International, The Calvert Journal, Filmmaker Magazine dhe Sirp Estonia. Ajo është ish-redaktore e revistës “Dazed & Confused” në Londër. Ajo është gjithashtu një programuese e filmit dhe aktualisht është në përzgjedhje të komisionit për Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër Winterthur në Zvicër. Ajo rregullisht ligjeron punëtori me shkrime për kritikët e rinj në Poloni, Estoni dhe Serbi.

Cíntia Gli Diplomoi në Filozofi në Universitetin e Portso pasi mori pjesë në kursin e Kinemasë në Shkollën Portugeze të Kinemasë dhe Teatrit. Ka punuar si një studiuese për një tezë të doktoraturës në Grupin Hulumtues të “Aesthetikës, Politikës dhe Arteve” të Institutit Filozofik të Universitetit të Portos. Ndërmjet viteve 2001 dhe 2007 ka punuar në prodhimin e disa filmave. Ajo gjithashtu ka dhënë mësim në Shkollën e Filmit dhe Dokumentarin e Kinemasë të Abrantes. Cíntia ishte anëtare e komitetit për përzgjedhjen e festivalit “Vila do Conde Shortfilm”. Që nga viti 2012 ajo është bashkëdrejtuese e Doclisboa, si për drejtimin artistik ashtu edhe për atë ekzekutiv. Që nga viti 2015, ajo është gjithashtu anëtare e bordit të Shoqatës Dokumentare të Apordoc-Portugalisë.

Melody Gilbert është një regjisore dhe profesoreshë e filmit, e cila ka drejtuar, prodhuar, xhiruar (dhe nganjëherë redaktoi) shtatë filma dokumentarë që nga viti 2002 përmes kompanisë së saj të prodhimit Frozen Feet Films. Të gjitha filmat e Melody kanë shfaqur premierën në festivale prestigjioze të filmit dhe janë transmetuar ndërkombëtarisht. Melody është gjithashtu një edukatore e cila ka ligjeruar klasë për filmat dokumentarë në Universitetin Amerikan në Bullgari për katër vjet. Aktualisht ajo mëson klasa master dhe workshope të tilla si “Documentary Boot Camp “, duke punuar me regjisorët e tjerë të rinj dhe duke avanduar më tutje prodhuesit e filmave në rritje në mbarë botën.

Rodolfo Castillo-Morales: regjisor dhe programues meksikan. Ka marrë pjesë në disa filma të shkurtër dokumentarë dhe fiksion si producent, drejtor, drejtor i fotografisë dhe redaktor, si dhe drejtor i fotografisë në veçoritë dokumentare. Ai gjithashtu ka përvojë në reklama, televizion, video muzikore dhe përmbajtje interneti. Ai shfaqi shfaqjen e tij të dokumentarit debutues në vitin 2013, The Wind’s Song, i cili u shfaq në mbi 20 festivale dhe shfaqje të përkushtuara për çështjet indigjene në mbarë botën. Aktualisht ai punon si Koordinator i Programimit të DocsMX (i njohur më parë si DocsDF), Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar i Qytetit të Meksikës që nga viti 2011.

Wood LIN Lindur në 1981, Wood LIN mori diplomën e tij Master nga Instituti i Studimeve Sound dhe Imazhit në Tainan National University of Arts. LIN është një kritik i filmit dhe organizator i festivalit i specializuar në dokumentar. Ai ishte pjesë e jurisë së Golden Horse Award, DMZ IDFF, IFF Rotterdam, Jihlava IDFF dhe Hong Kong IFF. Ai tani është drejtor ekzekutiv i Bashkimit të Filmit dokumentar të Tajvanit dhe drejtori i programit të Festivalit Ndërkombëtar të Dokumentarëve të Taivanit.

HUMAN RIGHTS DOX

Image

Laura Limani është redaktore, shkrimtare dhe hulumtuese e bazuar në Prishtinë, Kosovë. Ajo është kryeredaktore e Prishtina Insight, një revistë online në anglisht e botuar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë. Ajo gjithashtu kontribuon si redaktore në zinën e pavarur Lirindja dhe si një bashkëpunëtore kërkimore me Iniciativën e Historisë Orale të Kosovës.

Mante Valiunaite është një programuese në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar për të Drejtat e Njeriut “Filmat e Papërshtatshëm” dhe Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Vilnius “Kino pavasaris”. Ajo është lektore në Akademinë Lituaneze të Muzikës dhe Teatrit. Përveç kësaj, Mante koordinon projekte të ndryshme në OJQ “Meno avilys”, e cila punon gjerësisht në trashëgiminë dhe arsimin e kinemasë. Ajo është gjithashtu një kritike e filmit dhe shkruan rregullisht për revistën “Kinas” dhe “7 Days of Art”.

Miranda Pennel fillimisht u trajnua për valle bashkëkohore para se të bënte filma dhe më vonë studioi antropologji vizuale. Filmat dhe videot e saj që eksplorojnë forma të ndryshme të performancës kolektive, qoftë të valltarëve, ushtarëve apo mundësve, janë transmetuar gjerësisht ndërkombëtarisht dhe janë paraqitur në kontekste të festivalit dhe galerisë. Filmat e saj të fundit përdorin material arkivor si pikënisje për një reflektim mbi imagjinatën koloniale. Filmi i saj Pse u zhduk kolonel Bunny (2010) shqyrton takime koloniale në kufijtë afgane në fillim të shekullit të 20-të. Host (2015), një film ese që heton imazhet nga arkiva e kompanisë anglo-iraniane të naftës (now BP), fitoi çmimin Punto de Vista për filmin më të mirë (Pamplona) në vitin 2017.

INT’L SHORTS

Image

Afolabi (Afo) Kuti është producent fitues i çmimit BAFTA i cili filloi karrierën e tij të filmit duke punuar në botën e festivaleve të filmit për Sundance dhe BFI London Film Festivals. Përvoja e tij përfshinë shitjet ndërkombëtare të filmit, shpërndarjen, publicitetin, edukimi për filmin dhe prodhimin e tyre duk punuar për kompani të tilla si Number 9, Salt dhe DDA PR. Në maj 2012 ai u zgjodh si një nga udhëheqësit e Screen International 50 Future në film. Tani, duke punuar si producent nën kompaninë e tij Broedmachine, Afo ka projekte në zhvillim me BBC Films, Ffilm Cymru, Ingenious dhe Revolution Films. Në vitin 2017, Afo ka prodhuar filmin e shkurtër HOME, fitues i BAFTA nga regjisori/shkrimtari Daniel Mulloy dhe filmin I AM NOT A SERIAL KILLER me regji të Billy O’Brien.

Jasmin Basic, historian dhe programues i filmit, Master i Arteve në Kinema dhe Anglisht. Bashkëpunime me disa festivale, në Zvicër dhe jashtë saj: Visions du Réel Nyon, Kinema Tous Ecrans, Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Splitit, Ambulante Mexico, NIFFF Neuchâtel, Animafest Zagreb, Festivali Ndërkombëtar i Filmit dhe Forumi për të Drejtat e Njeriut Gjenevë, Solothurn Film Festival, Fantoche dhe Internationale Kurzfilmtage Winterthur. Ajo ka kuruar retrospektivat për Michael Mann, Charles Burnett, David Cronenberg, Michael Snow, Harun Farocki, Atom Egoyan dhe për Yugoslav Black Wave dhe ka zhvilluar programe dhe ngjarje të fokusuara në seritë televizive ndërkombëtare. Ajo ishte eksperte e caktuar për Zyrën Federale Zvicerane të Kulturës për dramë dhe seri televizive dhe anëtare e Bordit të Komisionit të Filmit të Gjenevës.

Trimor Dhomi, kompozitor i rreth 100 filmave dhe veprave teatrore, zhanre të ndryshme nga muzika dhome, simfonike deri te baletet moderne, opera dhe muzikël. Komozoi muzikën për SHOK – film i nominuar për Oscar për Best Live Action Short 2016. Ligjëron muzikë për filmin dhe teatrin në të dy Universitetet Shtetërore të Prishtinës dhe Pejës.

NATIONAL

Image

Astrit Kabashi I lindur në vitin 1975 në Pejë, Kosovë. Ka mbaruar studimet Bachelor dhe Master në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Që nga viti 2003 filloi të punojë si asistent i profesorit në Fakultetin e Arteve, dhe tani vazhdon të punojë si profesor. Ai luajti në teatër, kryesisht në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Kabashi luajti gjithashtu në filma, si: “Sonte është anuluar” nga Brendan Grant, “Kaseta e dasmës” nga Ariel Shaban, “Vdekja nga ngulfatja” nga Visar Morina, “Shok” nga Jamie Donoghue, “Exit” nga Lendita & Blerta Zeqiraj, “Tytgat Chocolat” nga Marc Bryssinck dhe Filip Lenaerts, “Babai” nga Visar Morina dhe kohët e fundit “Fusha e mëllenjave” nga Arzana Kraja. Ai u vlerësua si aktori më i mirë për rolin e tij në filmin “Babai” në Mynih Film Festival, Gjermani. Si dhe aktori më i mirë në Angers Premier Plans Festival Evropian.

Iris Elezi studioi teorinë e filmit dhe kritikën, antropologjinë dhe studimet e grave para se të përfundonte studimet e saj të filmit në NYU në 2001. Një seri e dokumentacionit të saj të Balkan-it UNDER CONSTRUCTION (2007) u transmetua në televizionet kryesore rajonale me episodin e saj “Heroët e Flakshëm” Nga Amnesty International, duke u bërë pjesë e shfaqjeve ‘Films that Matter”. Debutimi i saj, BOTA (2014), një bashkëprodhim shqiptaro/italian/kosovar, mori tetë çmime ndërkombëtare në mbarë botën dhe u bë filmi përfaqësues i Shqipërisë për çmimin e Akademisë Amerikane në 2016. Së bashku me arkivisten amerikane, Regina Longo dhe filmistin Thomas Logoreci, Iris themeloi në vitin 2012, Projektin e Kinemasë Shqiptare, një iniciativë për të rivendosur dhe promovuar kinemanë shqiptare.

Jing Hasse është Menaxher i Tregut në Nordisk Panorama, një organizatë jofitimprurëse e dedikuar për promovimin e filmave nordik dhe dokumentar. Çdo vit Nordisk Panorama organizon festivalin e filmit Panorama Nordisk, duke shfaqur filma të shkurtra dhe dokumentarë më të mirë nga pesë vendet nordike. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Jing ka organizuar Tregun e NP-së, dhomën e ekranit në internet dhe një seri bisedimesh me profesionistë të tregut, si dhe ka promovuar filma të regjistruar në Nordisk Panorama ndërkombëtarisht dhe ka ofruar këshilla për shpërndarjen ndërkombëtare të filmave të shkurtër. Nga gushti Jing do të shkojë në aventura të reja si menaxher i festivalit për filma të shkurtër dhe dokumentarë në Institutin e Filmit Suedez.

Vetëvendosje! fillon aplikimin për kandidatë të Asamblesë në Prizren

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka hapur aplikimin për kandidatë për këshilltarë të Asamblesë Komunale.

“Njoftohen të gjithë aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, se aplikimi bëhet pranë zyrës së Lëvizjes Vetëvendosje! Qendra Prizren nga data 03.08.2017 deri më datën 10.08.2017, ora 10;00 – 15;00”, njofton VV në Prizren.

“Aplikimi vlen vetëm për ¾ e listës së kandidatëve për Këshilltarë për Asamble nga numri i përgjithshëm i listës”.

“Për informata më të hollësishme mund të drejtoheni në zyrën e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prizren, pranë KZAQ-së”./PrizrenPress.com/

Begaj priti kolonelin Mustafa Tavazar

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot komandantin e KFOR-it, brigada e jugut, kolonelin Mustafa Tavazar, i cili është edhe komandant i kontingjentit turk të KFOR-it.

Ky takim kishte karakter njohës, mes komandantit Tavazar dhe kryetarit Begaj, të cilët biseduan për bashkëpunimin mes Komunës së Malishevës dhe KFOR-it.

Pasi e falënderoi për vizitën, kryetari Ragip Begaj, e njoftoi kolonelin Tavazar, për situatën e përgjithshme në Malishevë, si dhe e falënderoi për bashkëpunimin e mirë me të gjitha organizmat e KFOR-it.

Edhe komandanti i brigadës së jugut të KFOR-it, Mustafa Tavazar, e vlerësoi lartë bashkëpunimin me Komunën e Malishevës, dhe u zotua për rritje të bashkëpunimit. Koloneli Tavazar, e falënderoi kryetarin Begaj, për pritjen e bërë.

Kryetari Begaj dhe koloneli Tavazar, u zotuan për vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit mes Komunës së Malishevës dhe KFOR-it. /PrizrenPress.com/

Fluks nga Kosova drejt Shqipërisë, kolonë 1 km në Vërmicë-Morinë

0

Mëngjesin e sotëm, në vendkalimin kryesor në autostradën e kombit, në Vërmicë-Morinë, ka pasur fluks të udhëtarëve nga Kosova drejt bregdetit të Shqipërisë, ku kalohej në kolonë 1000 metra për 50 deri 60 minuta.

Në dy vendkalimet tjera kufitare, në Qafë të Prushit kalohej për 2-3 minuta e në Qafë të Morinës për 1-2, bën të ditur Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

Në Shqipëri këtë javë është parashikuar mot i nxehtë me temperatura që arrijnë deri në 41 gradë Celcius.

 

Konfuci, një filozof për të gjitha kohët

0

Ne dimë shumë pak gjëra me siguri, rreth jetës së filozofit kinez Konfuci (një version perëndimor i emrit të tij, që do të thotë ‘Mësuesi Kong’). Ai thuhet se ka lindur në vitin 551 para Krishtit në Kinë. Ai mund të ketë qenë student i mësuesit Daoist Lao Tzu. Sipas gojëdhënave, ai filloi shërbimin në qeveri në moshën 32 vjeçare dhe ka shërbyer në shumë role, duke përfshirë Ministrin e Krimit nën sundimin e Dukës Ding në shtetin e Lu. Sidoqoftë, kur Konfuci ishte 56 vjeç, ai dhe duka u përplasën mbi ekseset e ushtrisë, kështu që Konfuci u largua nga gjykata dhe nisi endjet e tij për 12 vjet.

Konfuci paraqitej si një ‘transmetues i cili nuk kish shpikur asgjë’, sepse ai besonte se po mësonte rrugën natyrore drejt sjelljes së mirë, e cila kalonte nga mësuesit më të mëdhenj, hyjnorë. Rreth shekullit të dytë para Krishtit, veprat e Konfucit u mblodhën në Analektet (Lunyu), një koleksion thëniesh të shkruara nga ndjekësit e tij. Këto nuk janë gjithmonë urdhëresa, sepse Konfuci nuk pëlqente të ofronte rregulla strikte. Përkundrazi, ai besonte se nëse thjesht jetonte me virtytin, ai do t’i frymëzonte të tjerët të bënin të njëjtën gjë. Për shembull, një nga pasazhet e shkurtra në Analektet është:

Ahuri u dogj kur Konfuci ishte në gjykatë. Me t’u kthyer, ai tha: “A ka ndonjë njeri të lënduar?” Ai as nuk pyeti për kuajt.

Në këtë histori të thjeshtë me tre fjali, ne jemi në gjendje të mendojmë për vlerën e nënkuptuar të jetës njerëzore mbi sendet apo kuajt, dhe të pyesim nëse do të kishim bërë të njëjtën gjë.

Disa prej moraleve që mësoi Konfuci janë lehtësisht të dallueshme – më së shumti versioni i tij i ‘Rregullt të Artë’: ‘Mos u bëni të tjerëve, atë që nuk dëshironi t’ua bëjnë ju’. Por disa prej tyre gjithashtu tingëllojnë shumë të çuditshme ose të vjetëruara për veshët moderne (sidomos ato perëndimorë). Na duhet këshilla e tij edhe më shumë për këtë arsye. Ai shërben si një antidot ndaj problemeve me të cilat ballafaqohemi sot. Ja disa shembuj të asaj që Konfuci na ndihmon të kujtojmë:

Ceremonia është e rëndësishme

Analektet janë një libër i shkurtër dhe në dukje i çorganizuar me ngjarje të shkurtra, të mbushura me biseda të çuditshme, midis Konfuçit dhe dishepujve të tij, si kjo:

‘Tsze-kung dëshironte t’ia hidhte me ofrimin e një deleje, të lidhur me inaugurimin e ditës së parë të çdo muaji.

Mësuesi tha: ‘Tsze, ti e do delen; Unë dua ceremoninë’.

Në fillim kjo është e habitshme, nëse mos plot humor. Por Konfuci po i kujton Tsesë – dhe ne – rëndësinë e ceremonisë.

Në botën moderne ne tentojmë të shmangim ceremonitë dhe ta shohim këtë si një gjë të mirë – një shenjë intimiteti, ose mungese pretendimesh. Shumë prej nesh kërkojnë informalitet dhe nuk dëshirojnë asgjë më shumë, sesa t’ju thuhet ‘thjesht ndihuni si në shtëpi’ kur vizitojnë një mik. Por Konfuci këmbëngulte në rëndësinë e ritualeve. Arsyeja që ai i donte ceremonitë më shumë se delja, ishte se ai besonte në vlerën e etikës, traditës dhe ritualit.

Kjo mund të duket shumë e vjetëruar dhe konservatore në shikim të parë. Por në fakt, shumë prej nesh i dëshirojmë ritualet e veçanta – ajo gjellë që na përgatiste nëna sa herë që ishim të sëmurë, për shembull, ose përvjetori i ditëlindjes, ose betimet e dasmës. Ne e kuptojmë se disa gjeste të paramenduara, të qëllimshme dhe të sakta ndezin emocionet tona më të thella. Ritualet i bëjnë qëllimet tona të qarta dhe na ndihmojnë të kuptojmë se si të sillemi. Konfuci mësonte se një person që e kombinon dashurinë (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) është një ‘njeri superior’, i virtytshëm dhe moralisht i fuqishëm.

Duhet t’i trajtojmë prindërit tanë me nderim

Konfuci kishte ide shumë strikte se si duhet të sillemi me prindërit. Ai besonte se duhet t’u bindemi kur jemi të rinj, të kujdesemi për ata kur janë të moshuar, të vajtojmë kur vdesin dhe të bëjmë flijime në kujtim të tyre më pas. “Duke u shërbyer prindërve, një djalë mund të kundërvihet, por me butësi”, thoshte ai. ‘Kur sheh se nuk priren ta ndjekin këshillën e tij, ai duhet të tregojë një shkallë më të lartë nderimi, por nuk e braktis qëllimin e tij; Dhe nëse ata e dënojnë, ai nuk duhet t’i lejojë vetes që të murmurisë”. Ai madje thoshte se nuk duhet të udhëtojmë larg, ndërsa prindërit tanë janë gjallë dhe duhet të mbulojmë shkeljet e tyre. Ky qëndrim njihet si devotshmëria filiale (‘xiào’).

Kjo tingëllon e çuditshme në epokën moderne, kur shumë prej nesh lënë shtëpitë e prindërve si adoleshentë dhe rrallë kthehen të vizitojnë. Ne madje mund t’i shohim ata si të huaj, që fati na i ka hedhur në mënyrë arbitrare. Në fund të fundit, prindërit tanë janë kaq jashtë realiteti, kaq humanë në të metat e tyre, kaq të vështirë, kaq gjykues – dhe ata kanë shije kaq të keqe në muzikë! Megjithatë, Konfuci e kuptonte se në shumë drejtime, jeta morale fillon në familje. Ne nuk mund të jemi me të vërtetë të kujdesshëm, të mençur, mirënjohës dhe të ndërgjegjshëm nëse nuk kujtojmë ditëlindjen e mamasë dhe nuk takojmë babanë për drekë.

Duhet të jemi të bindur ndaj njerëzve të nderuar

Shoqëria moderne është shumë egalitare. Ne besojmë se kemi lindur të barabartë, secili unik e i veçantë, dhe në fund duhet të jemi në gjendje të themi dhe të bëjmë atë që na pëlqen. Ne hedhim poshtë shumë role të ngurta hierarkike. Megjithatë, Konfuçi u thoshte ithtarëve të tij: “Lëreni sundimtarin të jetë sundimtar, të sunduarin të sunduar, babain baba dhe birin bir”.

Kjo mund të tingëllojë e tmerrshme, por është e rëndësishme të kuptojmë se ka njerëz që meritojnë nderimin tonë të thellë, madje edhe bindjen tonë të thjeshtë e të përulur. Ne duhet të jemi aq modestë sa për të njohur njerëzit, eksperiencat ose arritjet e të cilëve janë më të mëdha se tonat. Ne gjithashtu duhet të praktikojmë paqësisht, atë që këta njerëz kanë nevojë, kërkojnë ose urdhërojnë. Konfuci shpjegonte: “Marrëdhënia midis eprorëve dhe vartësve është si ajo midis erës dhe barit. Bari duhet të përkulet, kur era fryn mbi të”. Përkulja në fakt nuk është një shenjë dobësie, por një gjest përulësie dhe respekti.

Dija e kultivuar mund të jetë më e rëndësishme se sa kreativiteti

Kultura moderne i kushton shumë rëndësi krijimtarisë – shpërthimeve unike krijuese, që na vijnë papritur. Por Konfuci ishte i palëkundur për rëndësinë e mençurisë universale, që vjen nga vitet e punës së madhe dhe reflektimit. Ai përmendte dhembshurinë e lartpërmendur (‘ren’) dhe ritualet (‘li’) midis tri virtyteve të tjera: drejtësisë (‘yi’), dijes (‘zhi’) dhe integritetit (‘xin’). Këto njiheshin si ‘Pesë virtytet konstante’. Ndërsa Konfuci besonte se njerëzit ishin në thelb të mirë, ai gjithashtu thoshte se virtytet si këto duhet të kultivohen vazhdimisht, ashtu si bimët në një kopsht. Ai u thoshte ithtarëve të tij: ‘Në të pesëmbëdhjetat, kisha prirjen të mësoja. Në të tridhjetat, qëndroja i patundur. Në të dyzetat, nuk kisha dyshime. Në të pesëdhjetat, i njihja urdhëresat e Qiellit. Në të gjashtëdhjetat, veshi im ishte një organ i bindur për të pritur të vërtetën. Në të shtatëdhjetat, mund të ndiqja atë që dëshironte zemra ime, pa shkelur atë që ishte e drejtë”. Ai fliste për karakterin moral dhe mençurinë, si vepra të një jete. (Tani mund të kuptojmë pse ai kishte një nderim të tillë për pleqtë!)

Natyrisht, një shpërthim i frymëzimit mund të jetë ajo që na duhet, për të filluar biznesin ose ta ribëjmë jetën tonë. Por nëse jemi shumë të ndershëm me veten, do të duhet të pranojmë se edhe vetë duhet të kushtojmë më shumë energji për të ndryshuar ngadalë zakonet tona. Kjo, më shumë se çdo gjë tjetër, është ajo që na pengon të bëhemi me të vërtetë inteligjentë, të realizuar dhe të mençur.

***

Pas udhëtimit për shumë vite, Konfuçi u kthye në atdheun e tij në moshën 68 vjeç dhe iu kushtua mësimdhënies. Ai thuhet se ndërroi jetë në vitin 479 para Krishtit, në moshën 72 vjeç – një numër i mbarë dhe magjik. Ai vdiq pa reformuar dukën dhe zyrtarët e tij. Por pas vdekjes së tij, pasuesit e Konfucit krijuan shkolla dhe tempuj në nder të tij në Azinë Lindore, duke përcjellë mësimet e tij për më shumë se 2,000 vjet.

Në fillim, dijetarët konfucianë u persekutuan në disa zona gjatë dinastisë Qin (shek III para Krishtit). Por, në dinastinë Han (shekulli III para Krishtit deri në shekullin III pas Krishtit), konfucianizmi u bë filozofia zyrtare e qeverisë kineze dhe qëndroi në qendër të burokracisë së Kinës, për gati dy mijë vjet. Për një kohë, mësimet e tij lidheshin me ato të Lao Tzu dhe Budës, në mënyrë që taoizmi, konfucianizmi dhe budizmi të mbaheshin si praktika shpirtërore plotësisht të pajtueshme. Ndoshta më e rëndësishmja, mendimi i Konfucit ka patur një ndikim i madh në idetë politike lindore në lidhje me moralin, bindjen dhe udhëheqjen e mirë.

Sot miliona njerëz vazhdojnë të ndjekin mësimet e Konfuci si një disiplinë shpirtërore ose fetare dhe madje edhe të respektojnë ritualet konfuciane në tempuj dhe në shtëpi.

Ne mund t’i konsiderojmë virtytet konfuciane pak të çuditshme ose të vjetëruara, por kjo është ajo që në fund të fundit, i bën ato më të rëndësishme dhe më bindëse. Ne kemi nevojë për to, si një korrektues për ekseset tona. Bota moderne është pothuajse çuditërisht jo-konfuciane – joformale, egalitare dhe plot me risi. Pra, ne jemi në rrezik të bëhemi impulsivë, të parespektueshëm, dhe të rrëmbyer, pa një këshillë të vogël nga Konfuci … / Bota.al

Fryma kozmike e një poezie të Bob Dylanit me një këngë të njohur shqiptare

0

Bob Dylan, i njohur me emrin Robert Allen Zimmerman, lindur në 24 maj të vitit 1941 është kantautor, këngëtar, piktor dhe shkrimtar. Ai influencoi muzikën dhe kulturën popullore për 5 dekada dhe në vitin 1960 u quajt “Zëri i gjeneratës së re”. U bë shumë i njohur me këngët “Blowin in the wind” dhe “The time they are a-changin”.

Tekstet e Dylanit mbartin një domethënie të gjerë politike, sociale, filozofike duke kaluar kufijtë kombëtarë. Ai eksperimentoi në disa zhanre muzikore duke shitur anekënd botës 100 milionë disqe. Vitin e kaluar Bob Dylan fitoi çmimin Nobel në letërsi.

Një nga poezitë e tij më të bukura të këngëve të tij është dhe kjo që po ju përcjellim. Në fakt motivi i kësaj poezie ngjan shumë me një këngë popullore shqiptare “Bjeri gajdes, gajdexhi”, që ne po e sjellim në interpretimin e një grupi gjerman.

Zoti Dajrexhi

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Perandoria e mbrëmjes është bërë pluhur e hi

M’u tret nëpër duar tani

më la të verbër në vetmi, pa gjumë me mendje trazuar

lodhur e mërzitur deri në çmenduri, me këmbët përvëluar

të njohur asnjë s’kam takuar

Dhe e lashta rrugë e zbrazët, gjithë ëndrrat i ka dëbuar

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Unë nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

më vozit edhe mua hareshëm mbi anijen tënde magjike

Shqisat më janë bjerrur, duart nuk ndjejnë prekje

Këmbët e mpira, veç për të mbathur çizmat janë në pritje

që pastaj rrugëve të endem

jam gati të shkoj kudo, jam gati të zhdukem

Në paradën time, në magjinë e vallëzimit tënd të zhytem

Që pastaj në të të tretem

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjume dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

E nëse dëgjon të qeshin, të hidhen e përdridhen nëpër diell marrëzisht

Askënd nuk ngacmojnë sinqerisht

Është thjesht një vrap në arrati

drejt qiellit që gardhe e kufij nuk njeh

Dhe nëse dëgjon përhumbur një rimë që përsëritet

e në ritmin e dajres tënde përdridhet,

është thjesht një klloun që vërtitet

një i pavlerë që nuk shqitet

është thjesht një hije që përpiqet

ta shohësh ti, se këmba-këmbës po të ndjek.

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjumë dhe ku të shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur unë pas teje do të vij

Më zhduk pastaj nëpër rrathët e tymit të trurit tim

Përposhtë rrënojave të kohës në mjegullim

Larg gjetheve të ngrira

Tek pemët strukur e harruar,

Në plazhin me erë harbuar

Larg nga laku i shtrënguar

I të çmendurit trishtim

Do të vallezoj me duart drejt qiellit në liri

me siluetën e detit pa kufij

Zhytur në rërë si në cirk

Futur thellë nën valë me nxitim

Deri nesër, të sotmen po e le në harrim

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Une nuk kam gjumë dhe ku te shkoj nuk di

Hej! Bjeri dajres zoti Dajrexhi

Në mëngjesin e xhindosur une pas teje do të vij

(Përkthyer nga N. P) / Konica.al

Gati për turizëm kulturor, ja librat që duhet të lexoni

0

Kur themi pushime në verë automatikisht i lidhim me detin, rërën, diellin.

Megjithatë, ka njerëz që më shumë sesa turizmin detar preferojnë atë kulturor dhe zgjedhin që në vend të detit t’i kalojnë ditët në qytete të mëdha.

Në raste të tilla, planifikimi është shumë i rëndësishëm: vendet që do të vizitohen, lista me muzetë, restorantet tradicionale etj.

Por ka njerëz që nuk janë shumë të dhënë pas udhërrëfyesve. Ata janë të  apasionuar pas letërsisë, i pëlqejnë librat në të cilat vendi i ngjarjes është po aq i rëndësishëm sa personazhet, shkruan botimeshqip.com

Nëse keni bërë plan të udhëtoni jashtë vendit, ja disa nga librat që mund të zgjidhni të merrni me vete, në varësi të vendit që do të vizitoni.

  1. Pragë – “Shakaja”, Milan Kundera

Nëse do të udhëtoni në Pragë, lexoni “Shakaja” të Milan Kunderës. Një libër që e rekomandoj gjithnjë. Një histori e vendosur gjysmë shekulli më parë, megjithatë është një libër brilant, i përshkuar nga një humor i hollë dhe përshkrimi me detaje i një pjese të folklorit vendas i jep ngjyra realitetit gri të periudhës komuniste në ish-Çekosllovaki.

  1. Barcelonë – “Hija e erës”, Carlos R. Zafon

I vendosur në Barcelonën e pasluftës, libri rrëfen jetën e Daniel Sempere, ende fëmijë, që mrekullohet nga Varreza e Librave të Humbur. Në raftet e panumërta ai tërheq një libër: “Hija e erës” nga Julian Karaks. Pasi e lexon librin me një frymë, Daniel vihet në kërkim të librave të tjerë të Karaksit, kërkim që do të zgjasë me vite, duke zbuluar një nga një ngjarje të dhimbshme dhe fate të humbura.

  1. Tokio – “Kronika e zogut kurdisës”, Haruki Murakami

Në rrethinat e Tokios, jeta e Okadas, një burrë në moshë të re, do të ndryshojë pas telefonatës së rastësishme të një gruaje…

  1. Kejp Taun – “Turpi”, J.M.Coetzee

Pasi ka dhënë mësime për vite me radhë në Universitetin Teknik të Kejp Taunit, David Luri, një burrë rreth të pesëdhjetave, dy herë i shkurorëzuar, ka një lidhje të zjarrtë dashurie me një studenten e tij.

  1. Stamboll – “Muzeu i pafajësisë”, Orhan Pamuk

Libri ndjek jetën e një sërë personazhesh në një Turqi që po zhvillohet, europianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit. Ky roman është një dedikim ndaj “pafajësive” të mëdha të turkut të fundshekullit të kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit europian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s’janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t’i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën…

  1. Paris – “Kodi Da Vinçi”, Dan Brown

Një triller interesant, që pavarësisht pretendimeve për gabime historike apo kritikave për prozë të dobët, të mban mbërthyer deri në fund. Nga rrugët e Parisit, në kisha e galeritë e Luvrit, një libër që ia vlen të lexohet.

Aksident me të lënduar në Prizren, arrestohet vozitësi

0

Një aksident trafiku ka ndodhur mbrëmë në Prizren në mes një veture dhe një motoçiklete.

Si pasojë e aksidentit vozitësi i motoçikletës mashkull ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor, ndërsa pasagjerja në veturë ka pësuar lëndime të lehta trupore, shkruan PrizrenPress.

“Me urdhër të prokurorit është arrestuar vozitësi i veturës dhe është dërguar në mbajtje”, njofton Policia./PrizrenPress.com/