28 C
Prizren
E hënë, 28 Korrik, 2025
Home Blog Page 5390

MASHT tekste falas vetëm nga klasa e parë deri të pestën

0

Ministria e Arsimit nuk do t’i shpërndajë më tekstet falas nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, por vetëm nga klasa e parë deri në të pestën.

Sipas zyrtarëve të Ministrisë, ky vendim është marrë pasi janë grumbulluar shumë tekste të cilat mund të shfrytëzohen edhe pas përdorimit. Gjithashtu, u tha se shpërndarja e teksteve falas i ka kushtuar shumë Qeverisë së Kosovës, deri në 7 milionë euro në vit.

Shpërndarja e teksteve falas nga klasa e parë deri në të nëntën ka kushtuar shumë, thonë zyrtarë të Ministrisë së Arsimit. Për të kursyer buxhetin dhe për të shfrytëzuar librat e grumbulluar, të cilat mund të përdoren përsëri, është marrë vendimi që të mos shpërndahen falas librat nga klasa e gjashtë deri në të nëntën.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Mustafë Kadriu tha për Radio Kosovën se komisioni i formuar për këtë çështje ka konstatuar se tekstet nga klasa e gjashtë deri në të nëntën mund të shfrytëzohen edhe një vit nga gjenerata paraprake. Gjithashtu, kjo është një mundësi për të kursyer buxhetin e Kosovës, tha Kadriu.

“Arsyeja e parë është që shteti i Kosovës mund të kursejë ku ka mundësi të kursejë, sepse teksti mund të shfrytëzohet, arsyeja tjetër është që të krijojmë një kulturë të ruajtjeve të teksteve, një kulturë të punës. Diku rreth 4 milionë euro në vit kanë mundësi të ruhen ose të shfrytëzohen për ndonjë formë tjetër.”

Kadriu bëri të ditur se çdo vit janë shpenzuar rreth 7 milionë euro për shpërndarjen e librave falas, ndërsa këtë vit do të shpenzohen 3 milionë e 600 mijë euro për librat nga klasa e parë deri në të pestën. Ai shtoi se tashmë shtëpitë botuese e dinë paraprakisht se sa libra do të prodhojnë për këtë vit.

“Ne kemi thënë se nëse brenda një shkolle të një komune nuk ka tekste të mjaftueshme mund të shkojmë në një shkollë tjetër që ka. Në bazë të analizave që kemi bërë të numrit të nxënësve kemi parë se çdo gjeneratë ka më pak nxënës se gjenerata paraprake. Udhëzimi administrativ e përcakton saktë se kujdestari i klasës, prindi dhe nxënësi janë përgjegjës për t’i kthyer tekstet.”

Kadriu tha se librat mund të plotësohen edhe nga stoqet që janë krijuar në vitet paraprake, të cilat janë të shfrytëzueshme. Ai bëri të ditur se është planifikuar që për vitin 2018/2019, do të nxirren tekstet e reja për klasën e parë, të gjashtë dhe të dhjetë, kështu në mënyrë lineare të plotësohen me të reja duke shfrytëzuar të vjetrat me mundësi të pakta shpenzimi.

Përkujtohen dëshmorët Behamir Memaj, Nexhat Fanaj e Ajdin Rramanaj

0

Në vitin 1998 në betejë të drejtëpërdrejtë me forcat militare e paramilitare serbe u ndeshën ushtarët e Lirisë së Kosovës. Po bartnin armatim nga Shqipëria për luftën e shenjtë të Kosovës. Në fshatin Buqe të Opojës në mëngjesin e hershëm të 28 korrikut të atij viti, iu dalin në pritë forcat militare e paramilitare serbe. Në këtë ditë para 19 viteve në luftë të drejtpërdrejtë me forcat serbe ranë për të mos vdekur kurrë dëshmorët Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj.

Në përkujtim të 19 vjetorit të rënies u përkujtua edhe dëshmori Ajdin Rramanaj.

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja me bashkëpunëtorë, bashkëluftëtarë e familjarë të dëshmorëve, në 19 vjetorin e rënies bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Kryetari Ramadan Muja, tha me këtë rast se përkujtimi është i mbështjellë me dhembje por më shumë me krenari për veprën e tyre sublime për Lirinë që ne po e gëzojmë sot.

“Me armët e tyre iu kundërvunë okupatorit shekullor në luftën për çlirimin definitiv të vendit nga sundimi i huaj. Ishin pikërisht këta dëshmorë të kombit bashkë me luftëtarë të tjerë që luftuan me përkushtim të madh për çlirimin e vendit. Ne sot po e gëzojmë lirinë në saje të gjakut të dëshmorëve”, tha kryetari Muja.

Adil Memaj familjar i dëshmorit Behamir Memaj, tha se familja ndjehet krenare që ia dha lirisë së Kosovës dhe idealit për bashkim kombëtar njërin nga djemtë më të mirë.

“Behamiri ra heroikisht në ballë të frontit në përballje me forcat serbe në fshatin Buqe, duke u bërë mburojë e shokëve të tij, të cilët së bashku kishin për synim furnizimin me armë të shtabit të Vrrinit, në krye me Komandant Remzi Ademajn” tha Memaj.

Bashkëluftëtari i dëshmorëve Malush Fanaj kërkoi më shumë angazhim nga institucionet sepse shprehu frikën se mund të në zë nëma e dëshmorëve.

“Behamir Memaj ka shku në Shqipëri për armatim me grupin e të rinjëve nga Kosova, ndërsa Nexhat Fanaj ka ardhur nga Zvicra ku ka punuar me gjithë familje. Ka qenë nata e 27 korrikut kur ka filluar beteja me forcat serbe, në të cilën në luftime të drejtëpërdrejta ranë Nexhati e Behamiri” tha Fanaj. Gazetaere.com/

Zafir Berisha përkujton dëshmorët, Behamir Memaj dhe Nexhat Fanaj

0

Ish- komandanti i UCK-së, Zafir Berisha, ka përkujtuar dy dëshmorët e kombit, Behamir Memaj dhe Nexhat Fanaj, në 19- vjetorin e reinës.

Postimi i plotë në Facebook

• Më 28 korrik 1998, duke u kthyer nga Shqipëria, një grup prej 63 luftëtarëve që kishin qenë për armatim, bie në pritë të forcave serbe dhe, në luftimet e ashpra që u zhvilluan atëkohë në fshatin Buçe dhe mbi fshatin Brezne (krahina e Opojës) bien heroikisht dy ushtarët tanë, Beamir Memaj dhe Nexhat Fanaj.
Rënia në krye të detyrës e këtyre dy ushtarëve të zellshëm dhe trima, për ne ishte një humbje e madhe. Humbëm dy ushtarët tanë trima, të cilët çdo herë ishin në krye të detyrës për furnizimin e ushtarëve të UÇK-së me armatim.

Nexhati ishte nga ata mërgimtarë që e kishte lënë Zvicrën dhe kishte ardhur për të luftuar për lirinë e vendit, ndërsa familjen e kishte lënë atje. Kurse, Beamiri ishte nga ata djem të ri zhurjanë, i cili kishte ardhur vullnetar në radhët e UÇK-së. Ai ishte me mision në njësitin për furnizim me armatim. Edhe pas rënies së këtyre dy trimave, lufta dhe furnizimi me armë ka vazhduar.

Në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi, në fshatin Buçe dhe në malet e fshatit Brezne, iu shkojmë në ndihmë, unë me një pjesë të Kompanisë së fshatit Kushtrim, pasi ishte pozicionim më i afërt i UÇK-së me fushëbetejën.

Në këtë aksion kanë qenë edhe policia ushtarake dhe, është me rëndësi të thuhet se, në Shtabin Lokal (më vonë Brigada 125) ka qenë edhe Ekrem Rexha – komandant Drini, i cili pas ofensivës së 16 korrikut të vitit 1998 ishte vendosur në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri dhe kishte detyrën e shefit të Operativës së Shtabit, i cili ishte edhe pjesë e operacionit për nxjerrjen e dy kufomave të dëshmorëve në luftimet e Buçes dhe Breznes, si dhe të plagosurve, ku ishte edhe një pjesë e komandës së Shtabit Lokal dhe një pjesë e Batalionit të Parë dhe Dytë, si dhe komplet Policia Ushtarake, e udhëhequr nga Salajdin Berisha dhe Xhevat Berisha, i shoqëruar nga luftëtarë nga Vërmica dhe Zhuri.

Vlenë të theksohet edhe kontributi i madh i banorëve të këtyre dy fshatrave të Opojës (Buçe dhe Brezne), për t’i dalë në ndihmë luftëtarëve të lirisë, në mesin e të cilëve kishte shumë të plagosur në këtë betejë. Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja të tjera kundër okupatorit serb, deri më 12 qershor 1999, ku përfundimisht iu dha fund sundimit sllav në tokat tona.

Nudot e vona të Maks Velos

0

Ka një histori përtej çdo gruaje të zhveshur. Një histori të cilën ajo përpiqet ta harrojë teksa i buzëqesh pasqyrës të veshur me një kornizë të verdhë.

Me flokët e kapur pas, reflektimi i saj në pasqyrë duket i bukur. “Nudo para pasqyrës”, është një tablo që Maks Velo e ka pikturuar vitet e fundit. Artisti I njohur për vizatimet, apo skulturat dhe shkrimet vitet e fundit ka një cikël të tërë punësh në nudo. Me sytë e mbyllur një tjetër femër qëndron e shtrirë me duart e vendosura në kokë bri një shtrati të purpurt.

Ngjyrat janë një aromë që Velo i vendos butë, për të mbështjellë trishtimin që mund të fshihet në sytë e mbyllur. Me kokën e kthyer nga një hapësirë e gjelbër, një tjetër nudo kërkon të harrojë diçka. E realizuar në vitin 2013, artisti e ka quajtur “Nudo në plazh”.

E gjelbra rrethon dhe “Nudon në pyll” realizuar në vitin 2014. Prej vitit 2010 e deri tashmë vonë, Velo ka realizuar një cikël nudosh, ku shprehet një përkryerje ngjyrash në lakuriqësi. Duket si një kthim në kohë të arta, për të kuptuar atë çfarë trupi femëror mbart, misterin e botës.

Ajo çfarë i bën ndryshe këto nudo, është portreti. Fytyrat e femrave janë të qarta, dhe nuk kërkojnë të fshehin natyralitetin që shtrihet poshtë vështrimit. Krenare dhe të bukura, ato zbulojnë atë që është po aq e rëndësishme, brëndësinë e tyre.

Për Velon këto tablo janë një udhëtim në botën femërore, për të zbuluar dalngadalë misterin që mbart gruaja. /Shqip/

Violinisti rock që bashkon Mazart dhe Metallica

0

Asnjë muzikant tjetër nuk i bashkon njerëzit e të gjitha moshave, si dhe të marrë vlerësimet maksimalisht në një spektër të gjerë stilesh muzikore, por David Garret mundet ta bëjë.

Në koncertet e tij, publiku hipnotizohet nga talenti dhe pasioni që ai përçon në interpretim dhe mënyrën në të cilën ai zbulon gamën e plotë të asaj që është e arrihet në luajtjen e violinës.

Përgjatë turneut të tij vjetor ai realizon rreth 160 koncerte në të gjithë botën.

Numrin më të madh të publikut Garret i ka në vendlindjen e tij në Gjermani, ku pjesëmarrja në një nga koncertet e tij shkon rreth 65,000 persona në stadiume, ose open air koncert e çmimet variojnë nga 300 euro deri në 85 euro për person dhe bileta janë “Sold out”- të shitura, në dy muajt e parë të vitit.

Koncertet e tij më të sukseshme transmetohen në Tv ZDF ekskluzivisht. Më pas renditet Amerika, vendlindja e nënës së tij, ku publiku shkon rreth 45,000 persona në një koncert dhe ku çmimet variojnë nga 230 USD deri ne 70 USD.

Në repertori i tij në koncerte ai përfshin muzikë klasike të ripërpunuar, si dhe pjesë të njohura të muzikës rock, blues të përshtatura për violinë.

Garrett ka sjellë një formë tërësisht të re shoë muzikor midis klasikes dhe modernes që ka tërhequr jashtmase audiencë në koncertet e ndryshme që ai realizon, shkruan Top-channel.

Shumë fansa të tij, si dhe publiku ka vlerësuar përshtatjen dhe risjelljen në violinë të disa prej hiteve më të njohura botërore nga Nirvana, Metallica, Guns ‘N Rosses, Pink Floyd, si dhe tribute e disa prej hiteve të Michael Jackson të realizuar enkas.

David Garret mësimet e para në violinë i mori në moshën 4-vjeçare dhe u regjistrua në konservatorin e Lubeck në moshën 7-vjeçare. Garrett iu dha falë bujarisë së presidentit gjerman në atë kohë Richard Von Weizsacker në moshën 11-vjeçare violina Stradivarius në përdorim.

Garret njihet si një ndër violinistët më të mirë botërorë dhe mban rekordin Guinness si violinisti që luan më shpejt.

Të ardhurat e tij vjetore, përveç koncerteve janë dhe nga imazhi i tij, ku realizon sete fotografike dhe spote komerciale të disa prej kompanive më të njohura botërore.

Apeli liron nga akuza kryetarin e OSHP-së, Hysni Hoxha

0

Gjykata e Apelit e Kosovës e ka aprovuar si të bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 23.12.2016, njoftoi ajo përmes një komunikate për medie.

I akuzuari Hysni Hoxha konform nenit 364 paragrafi 1, të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, është liruar nga akuza se në cilësi të personit zyrtar – kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, ka kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 i Kodit Penal të Kosovës.

Kolegji profesional prej tre gjyqtarësh i kësaj gjykate, nder të tjera ka gjetur se në rastin konkret nuk është vërtetuar dashja direkte e të akuzuarit Hysni Hoxha, për të kryer veprën penale si element konstituiv i veprës, si dhe nuk është vërtetuar se me veprimin e tij ka përfituar për vete apo tjetrin dobi pasurore, prandaj vendosi ta lirojë atë nga përgjegjësia penale me bindje të thellë se veprimet e tij nuk hyjnë në sferën penale.

Skeptikët e PAN-it do të marrin përgjigje më 3 gusht

0

Ish-shefja e grupit parlamentar e Nismës, aktualisht anëtare e kryesisë së kësaj partie, Valdete Bajrami, ka bërë me dije se koalicioni PDK-AAK-Nisma më 3 gusht do t’i formojë institucionet e reja.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Bajrami ka theksuar se në Qeverinë Haradinaj do të ketë individë të cilët tashmë janë të dëshmuar në projekte madhore që kanë bërë për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Ajo ka theksuar se të gjithë ata që ishin skeptikë për PAN-in, përgjigjen do ta marrin më 3 gusht.

Në këtë intervistë Bajrami ka folur edhe për pamundësinë për t’u bërë deputete e legjislaturës së gjashtë. Ajo ka thënë se për këtë kanë ndikuar shumë faktorë.

Bajrami nuk e ka përjashtuar mundësinë të jetë pjesë e Qeverisë së re.

Veseli mund ta çojë vendin në krizë

0

Koalicioni PDK-AAK-Nisma (PAN) nuk dihet ende nëse i ka apo jo numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin në seancën e 3 gushtit. Kandidati (jozyrtar), si emri i vetëm i përfolur për këtë pozitë, Kadri Veseli, nuk e gëzon mbështetjen e partive të tjera jashtë PAN-it. Kështu së paku kanë deklaruar përfaqësuesit e “Vetëvendosjes” dhe të koalicionit LAA. Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve legjislative bëjnë të ditur se nuk ka asnjë kufizim kohor për zgjedhjen e kryeparlamentarit, shkruan “Zeri”.

Pra, nëse PAN-i dështon një herë, mund të provojë sërish ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit. Por, sipas tyre, nëse PAN-i dështon disa herë ta zgjedhë kryekuvendarin vendi do të kalojë në një krizë të thellë institucionale, por jo të shkojë në zgjedhje. Ata madje nuk përjashtojnë mundësinë që edhe këtë herë të përsëritet kriza e vitit 2014. Mirëpo, përfaqësuesit e të tria blloqeve politike, të koalicionit PAN, të “Vetëvendosjes” dhe të koalicionit LAA, shprehen optimistë se nuk do të ketë krizë.

E përderisa PAN-i është i bindur se do t’ia dalë t’i formojë institucionet, LVV-ja e LAA-ja thonë se një gjë të tillë do ta bëjnë pikërisht këto dy grupe. /Zëri/

Driton Selmanaj është i gatshëm për të konkurruar në Prizren

0

Driton Selmanaj doli i treti më i votuari në koalicionin LDK-AKR-Alternativa, duke siguruar përkrahje të madhe, të cilën ai tregon se s’i planifikon të kapitalizojë politikisht.

Selmanaj tregon se cilën do të zgjedhtë mes qëndrimit në Kuvend si deputet dhe pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të cilat mbahen më 22 tetor.

Deputeti i LDK’së është përmendur si kandidat i mundshëm i kësaj partie në komunën e Prizrenit, e ai vet thotë se do të pranonte të garonte, nëse këtë ia kërkon partia.

Mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar tregon degradimin e drejtësisë

0

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë thonë se mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe për vepra abuzive me ligjin, tregon më së miri gjendjen e degradimit të sistemit të drejtësisë, i cili nuk mund të jetë i pavarur dhe i paanshëm, ashtu sikur edhe parashihet me Kushtetutë, si dhe me ligje të vendit. Së këndejmi sipas tyre qytetarët në Kosovë po vazhdojnë të jetojnë në një shtet ku nuk ka ligj dhe as nuk sundon ligji, ngase shumica e vendimeve gjyqësore dyshohet se merren përmes influencave politike e korruptive, në mënyrë të paligjshme e me metoda korruptimi, derisa në anën tjetër thuaja asnjë gjykatës (përjashto aty këtu ndonjë prej tyre), deri më sot nuk ka shkuar në burg, teksa kemi disa aktakuza, por asnjë vendim të prerë për gjykatësit që shkelin ligjin. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen për diskutim se çfarë pasojash të rënda për drejtësinë po sjell mosvlerësimi serioz për shumë vite i performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve nga “mbikëqyrësit” e sistemit të drejtësisë. Pra, një drejtësi që nuk pastron të korruptuarit e sistemit dhe ata që nuk kanë perfomancë të mirë nuk mund të ecë përpara assesi. Në vijim po japim vlerësimet e njohësve të kësaj fushe lidhur me çështjet në fjalë.

Shumë gjyqtarë e prokurorë janë të korruptuar

Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se në sistemin e drejtësisë fatkeqësisht ka shumë gjyqtarë e prokurorë të korruptuar, dhe për më keq kjo drejtësi mbetet e papastruar nga të korruptuarit, por që edhe “mbikëqyrësit” e sistemit të drejtësisë për vite nuk është se kanë vlerësuar gjithaq dhe seriozisht performancën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, prandaj sigurisht se kjo ka pasojat e veta për drejtësinë. “Mosndëshkimi i gjyqtarëve të korruptuar dhe për vepra abuzive me ligjin tregon më së miri gjendjen e degradimit të sistemit, i cili nuk mund të jetë i pavarur dhe i paanshëm, ashtu sikur edhe parashihet me Kushtetutë e me ligje të vendit”, theksoi ai.

“Këtu në vendin tonë fatkeqësisht sikur nuk sundon ligji dhe e drejta dhe derisa vendimet gjyqësore në ndarjen e drejtësisë merren edhe përmes influencave politike e korruptive apo në mënyrë të paligjshme atëherë nuk mund të flitet për një shtet të mirë- filltë ligjor dhe shtet të së drejtës e as me integritet e të pavarur”, u shpreh analisti Naim Kelmendi.

Mungon llogaridhënia

Hasan Preteni, nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’, thotë se mungesa e llogaridhënies është problem madhor, pasi nëse gjyqtarët dhe prokurorët nuk japin llogari për punën apo mospunën e tyre nuk mund të priten rezultate.

“Kjo e ka zanafillën nga ajo se Kryeprokurori i Shtetit kurrë nuk ka raportuar në Kuvendin e Kosovës e as në komisione adekuate, nuk jep llogari kryeprokurori, nuk raporton kryegjykatësi e si të raportojnë pastaj prokurorët dhe gjyqtarët e thjeshtë. Pra, nuk ka transparencë, nuk ka llogaridhënie, andaj ‘normalisht’ që ka mospunë dhe korrupsion”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” Hasan Preteni nga ‘Qendra për etikë, transparencë dhe integritet’.

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu ka nënvizuar se nuk mund të presim një përgjegjësi në një sistem gjyqësor e prokurorial në qoftë se, siç tha, nuk ka gjykatës dhe prokurorë, të cilët kanë shkuar në burg për vendimet e tyre joligjore. “Vërtet duhet për të pasur një hapësirë d.m.th. të mendimit të lirë të gjyqtarit e prokurorit për çështje të caktuara, të cilat mund të korrigjohen me mbase vendime të një shkalle më të lartë në apel, ose në gjykatë supreme, etj., por ne kemi raste kur gjykatësit dyshohet se japin vendime përmes influencave politike e korruptive, pra në mënyrë të paligjshme dhe duke shkelur ligjin, andaj mendoj se këtu nuk mund të flitet për mendim të lirë të gjyqtarit”, spikati për gazetën “Kosova Sot” profesori universitar Nexhmedin Spahiu.