27.7 C
Prizren
E mërkurë, 6 Gusht, 2025
Home Blog Page 5542

Vjedhje e rëndë në Malishevë

0

Policia ka njoftuar se në Malishevë, në një shtëpi kanë hyrë persona të panjohur dhe nga aty kanë vjedhur pajisje dhe gjera të ndryshme.

“Ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar me forcë brenda objektit, me c’rast kanë vjedhur pajisje dhe gjera te ndryshme”, njofton Policia, përcjellë PrizrenPress.

Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com/

UNICEF-i mbështet projektin e vizitave shtëpiake të lehonave dhe foshnjave në Prizren

0

Drejtues të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, të hënën, kanë takuar zyrtarët komunalë të Prizrenit, me të cilët janë dakorduar për jetësimin e projektit të vizitave shtëpiake, kushtuar kujdesit ndaj lehonave dhe të porsalindurve.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit shefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Brandao Co dhe zëvendësshefi i zyrës, James Mugaju janë takuar me kryetarin e Komunës, Ramadan Muja, ku është diskutuar rreth përkrahjes së vizitave për shëndetin e nënave dhe fëmijëve në Komunën e Prizrenit. Takimi është mbajtur me dyer të mbyllura, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pas vizitës së zyrtarëve të lartë të UNICEF-it, drejtoresha e Shëndetësisë e Prizrenit, Shpresa Goçaj ka thënë se bëhet fjalë për një projekt me mjaft rëndësi dhe implemtimi ka nisur disa kohë më parë.

Kompletohet Dega e PDK-së në Has

0

Durim Shehu është zgjedhur kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës, ndërsa Albulena Hodaj, e Gruas Demokratike në Has.

Kryetari i Degës së PDK-së në Has, Nezir Çoçaj tha se me këto zgjedhje është konstatuar kjo degë.

“Falënderoj pjesëmarrësit që ishin prezent në këtë proces zgjedhor”, shkruan Çoçaj në Facebook./PrizrenPress.com/

Korishasit nuk e harrojnë natën e tmerrit kur u vranë 77 më të dashurit e tyre

0

Edhe pse po bëhen 18 vjet kur ndodhi kjo tragjedi, ende familjarët e kanë të freskët humbjen e 77 më të dashurve të tyre, kur ata u dogjën për së gjalli. Zejnije Ahmetaj tregon se çdo natë e sheh flakën e zjarrit mbi trupat e bijave të saj, tani të vrara, Arbërores dhe Sarandës. I harrojë plagët e mia që i kam në trup, zjarri i fëmijës e djeg gurin e lëre më zemrën e nënës” tregon ajo,transmeton gazeta Kosova Sot.

Korishën tani e plot 18 vjet radhazi në çdo 13 maj e mbulon pikëllimi i madh. Kjo datë në fshatin Korishë nxjerr në pah dhembjen, por edhe përkujton burrërinë e kësaj treve nëpër dekada e shekuj. Kjo trevë ka pasur burra që për çështjen e atdheut kanë dhënë shumë e jo pak syresh janë flijuar. Po këtë ditë bashkërisht me të rënët e fundit të 13 majit të vitit 1999 përkujtohen edhe burrat e Kabashit e Korishës. Në këtë datë përkujtimore përkujtohen burrat, si Sali Kabashi e të tjerë. Mirëpo, kulmi i dhembjes së muajit maj vazhdon të mbetet pikërisht 13 maji i vitit ’99, i rënies së 77 martirëve, derisa forcat militare dhe paramilitare serbe ishin vendosur me arsenal të madh armatimi në një cep të magjistrales në afërsi të fshatit Korishë, ato forca ishin fokusuar nga NATO-ja, mirëpo dredhia serbe ishte aq e egër dhe barbare dhe këto forca i largoi, kurse në vend të tyre vendosi trupat e pafajshme të civilëve, nga 2 e deri në 70 vjeç, që t’i përdorë si trupa të gjallë për bombardimet e pritura. Atë natë të dhembshme mbi ato trupa fëmijësh, dhe pleqsh bien bombat,ku gjetën vdekjen 77 martirë të pafajshëm. Për këtë flet edhe Rexhe Ukaj, duke potencuar se “Serbia këtu përdori trëndafila të paçelur mirë, i shfrytëzoi si mburojë trupore. Mirëpo, gjaku i këtyre ishte edhe thirrje për paqe. Kjo tokë duhet të mbajë mend se këtu u flijuan 77 margaritarë të lirisë”, tha Ukaj për “Kosova Sot”. Sanije Rexhepi, duke rrëfyer dhembjen e madhe, tha se këtu ka të rënë vajzën Hysnijen bashkë me dy fëmijë.

Dyshohet se mjekët serbë i vrisnin të plagosurit në spitale

Kjo dhembje e madhe padyshim se është gjithnjë, por në këtë datë ajo edhe shtohet. Kështu Zejnije Ahmetaj rrëfen se çdo natë e sheh flakën e zjarrit mbi trupat e bijave të saj tani të vrara, Arbërores dhe Sarandës, në momentin kur binin bombat dhe evokon secilën natë njësoj atë dhembje. “ I harroj plagët e mia, që i kam në trup, sepse zjarri i fëmijës e djeg gurin e lëre më zemrën e nënës”, tregon ajo. Ahmetaj pastaj shpjegon se ajo në këtë rast ka humbur edhe bashkëshortin Hamdiun. Mirëpo, ajo pohon se tani pas 18 vjetësh dhe pasi ka parë disa sekuenca filmike të televizioneve të huaja po e sheh se Hamdiun, burrin e saj, e kanë vrarë mjekët serbë, ngase ai ka folur haptas për shokët e tij luftëtarë të UÇK- së, duke mos u frikësuar fare nga fakti se ishte në spital. Mirëpo, pos plagëve të trupit, ajo mendon se dhembja e shpirtit është e përhershme. Fahrije Halimi, bijë nga familja Ahmetaj, rrëfehet se në këtë tragjedi ka humbur jo më pak se 41 anëtarë, kurse ajo nga familja e ngushtë ka humbur tetë anëtarë. “Dhembja është si një sëmundje e rëndë jo që shënohet, por ajo vjen dhe bëhet gjithnjë e më rëndë”, thotë Fahrija. Kurse Osman Ahmetaj rikujton rastin e 13 majit të vitit 1999:”Në këtë cep rruge, para se të na ndalonin neve, këtu ishin strehuar shumë tanke serbe. Mirëpo, siç duket, serbët këtë gjë e kishin mësuar gjatë ditës. Posa në buzëmbrëmje kemi kaluar aty, ata i kanë hequr tanket e tyre dhe aty na kanë vendosur neve me traktorë, ashtu siç ishim përgatitur që ne të shkonim drejt Shqipërisë. Në orët e vona të natës, së pari është hapur një dritë e fuqishme, pas kësaj një aeroplan ka filluar të gjuajë, duke menduar se aty janë tanket serbe. Ka pasur lemeri të madhe, zëra njerëzish, Aty ka qene vetë xhehenemi”, tregon ai dhe nuk mundet më shumë të vazhdojë rrëfimin.

Kemi qepur edhe me gjilpërë dore mbi 100 të plagosur

Kurse, mjeku i asaj kohe, që ishte në afërsi, dr. Haxhi Avdyli, mjek i UÇK-së, rrëfen ngjarjen e tmerrshme. “Kemi arritur që t’i ndihmojmë afërsisht nga 100 të lënduar, por lëndimet ishin shumë të rënda, andaj edhe ishin rreth 100 të tjerë që patën marrë rrugën për në spitalin e Prizrenit. Pastaj patëm informacione se atje nuk janë trajtuar ashtu siç duhet, por ne nuk e dimë atë. Kurse ne si UÇK jemi munduar shumë për të dhënë ndihmën me ato pak mjet që kishin. Ende i kam të freskëta ato dhembje deri në kupë qielli, siç thuhet”, tregon dr. Avdyli. Me këtë rast ai bën publik edhe një pjesë të Ditarit të tij të luftës.”Pas rreth 6 javësh sulmesh të vazhdueshme, vija frontit në Buzhalë, Krushicë, Budakovë filloi të binte. Më 8 maj 1999, në mesnatë u mblodhëm në një kodër në lagjen e Hoxhëve në Budakovë. Armatimi për rezistencë të mëtutjeshme i ushtarëve mbaroi. Grupi ynë ishim diku 200 ushtarë e civilë dhe vendosëm që të tërhiqemi në Bjeshkën e Kabashit. Të tjerë morën kahe të tjera. Vendosëm që rrugëtimin ta bëjmë mbi majat e bjeshkëve mbi Vraniq, Maqitevë, Delloc, të dilnim në malet mbi Grejkovc. Marshimi vazhdonte natën, ditën pushonim nën lisa, në shi. Pas 3 ditësh marshim arritëm për herë të flinim në shtëpinë e Kicajve në Grejkovc. Serbët ishin të vendosur në shtëpitë nën xhami , kurse ne shtëpitë mbi xhami rrëzë malit. Aeroplanët e NATO-së fluturonin mbi ne dhe bombardonin gjithandej caqet serbe. Serbët po ashtu gjuanin me arsenalin e saj mbi civilë, ku mundnin dhe ku dinin që të na shkaktonin dëm. Pas natës se parë te Kicajt u nisëm për Kabash me dr. Sinan Sopën, stomatolog nga Suhareka, të shoqëruar me disa ushtarë, për të parë gjendjen shëndetësore të dhjetëra ushtarëve të plagosur dhe mijëra civilë të sëmurë. Në lagjen e Sahit Ukajve na mirëpriti Komandant Drini dhe komandant Luli ( Lulzim Kabashi). Aty u bashkuam me dr. Jemin Zeqirin e Mushtishtit e infermiere vendor. Bashkë filluam të trajtojmë ushtarët e plagosur, por edhe qindra civilë të sëmurë me ato pak barna që kishim, të cilat i kishin siguruar banorët e Korishës, e Skorobishtit dhe ushtria. Ushtarët trima të plagosur, si Gani Muqaj, qëndronin stoikisht. Komandant Drini e Luli gjithandej ngrisnin moralin e ushtarëve e civilëve se liria po vjen. Por, mijëra civil në Kabash e Muzhlak tashmë të sfilitur në tenda llastiku po shteronin ushqimet. Edhe pse me një bukë e kishin dhjetëra civilë sapo shkonim ekipi i mjekëve, shpirti bujar i tyre s’na lëshonim pa na dhënë një kafshatë apo një gotë qumësht edhe ne 3 mjekëve. Por, ende s’e dinim se kataklizmi i madh po vinte. Askush s’e dinte se kasaphania e madhe e popullatës civile të Korishës po përgatitej nga soldateska serbe. E kjo ishte 13 maji. Kurse pas kësaj ne si mjekë patën mundësi të qepim edhe me gjilpër të dore të plagosurit, ku i trajtuan 100 pacientë “, shkruan në Ditarin e tij dr. Avdyli.

Varrimi nën frikën e vdekjes

Derisa Asllan Asllani, veprimtar i çështjes atdhetare, tregon rastin kur të vrarët u lejuan të varrosen. “Ishin më shumë se 88 të vrarë, sepse numri prej 77 ishte bërë 88, kufoma, me këtë rast, në vendin e quajtur “Boka”, kur nuk arritën t’i varrosim secilin një nga një, edhe për shkak të rrezikut mbi kokë. Kemi filluar të përdorim ekskavatorin dhe me rrezik me jetë që t’i varrosin të gjithë”, tregon ai. Kurse Xhemajl Ahemtaj tregon se ai natën e 13 majit ishte në Lubjanë, dhe po atë natë nuk ka mundur assesi të bëjë gjumë. “Kam parë ëndrra, e kam parë djalin e vëllait tërë natën në ëndërr. E shihja nënën time. Dhe, në mëngjes u tregova familjarëve, por derisa fillova të tregoja, bota kishte kuptuar se në Korishë ishin vrarë 41 anëtarë të familjes sonë. Këtu më pushuan tanimë ëndërrimet që i kisha ende të freskëta dhe besoni e dija saktë se ata ishin vrarë” rrëfen Xhemajl Ahmetaj tmerrin e natës së 15 majit, të cilit pos lotëve pothuajse nuk i kishte mbetur asgjë .

(Kosova Sot)

Zafir Berisha e kujton “Drinin”

0

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Zafir Berisha, ka kujtuar bashkëluftetarin Ekrem Rexha-Drini në 17 vjetorin e vrasjese së tij.
Ai thotë se “Drini” ka dhënë në kontribut të madh në çlirimin e vendit.

“Në Vrri të Prizrenit erdhë në korrik të vitit 1998 me sygjerim të SHP të UÇK-së. Ushtroi detyra shumë të rendësishëme në organizim dhe moboilizim të njësive të UÇK-së”, kujton Berisha.

“Ai mori pjesë në nxjerrjen e ushtarëve nga rrethimi, në fshatin Buçe dhe në malet e fshatit Brezne, ku shkojmë në ndihmë, unë me një pjesë të Kompanisë së fshatit Kushtrim, pasi ishte pozicionim më i afërt i UÇK-së me fushëbetejën”.
“Në këtë aksion kanë qenë edhe policia ushtarake dhe, është me rëndësi të thuhet se, në Shtabin Lokal (më vonë Brigada 125) ka qenë edhe Ekrem Rexha – komandant “Drini”, i cili pas ofensivës së 16 korrikut të vitit 1998, ishte vendosur në Shtabin Lokal të UÇK-së në Vërri dhe kishte detyrën e shefit të Operativës së Shtabit /komi së cilës ishte Remzi Ademaj-Petriti, i cili ishte edhe pjesë e operacionit për nxjerrjen e dy kufomave të dëshmorëve në luftimet e Buçes dhe Breznes, si dhe të plagosurve, ku ishte edhe një pjesë e komandës së Shtabit Lokal dhe një pjesë e Batalionit të Parë dhe Dytë, si dhe komplet Policia Ushtarake, e udhëhequr nga Salajdin Berisha dhe Xhevat Berisha, i shoqëruar nga luftëtarë nga Vërmica dhe Zhuri”.

“Ekrem Rexha-Drini muar pjes në shum beteja për liri, ishte i plagosur në luftë por i pa-nënshtrum, ishte kom i Br-125 ,Kom i ZOP të UÇK-së, antarë i SH.P- UÇK-së…”

“Lufta për lirinë e Kosovës vazhdoi me shumë beteja kundër okupatorit serb, deri më 12 qershor 1999 ku Drini kishte rolë të veçant dhe ku përfundimisht iu dha fund sundimit sllav në tokat tona.
Do të jetë i paharruar kujtimi për Drinin”./PrizrenPress.com/

Monumenti i mbrojtur në prag të shkatërrimit të tërësishëm në Prizren

0

Veprimet shkatërruese ndaj monumentit të mbrojtur në kuadër të kompleksit të Kishës Katolike në Prizren po vazhdojnë. Në rrethana ende të pasqaruara nga autoritetet, gjysma e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore tashmë është rrënuar. Një gjë e tillë ka ndodhur pas disa rasteve të shpërthimit të zjarrit në këtë ndërtesë. Thirrjet e deritanishme për intervenim me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së këtij objekti janë injoruar nga institucionet përgjegjëse.

Lidhur me rastin e zjarrit në ndërtesën afër Katedrales së Zonjës Ndihmëtare hetuesit policorë patën intervistuar disa persona, por nuk ka pas ndonjë njoftim të mëtutjeshëm rreth rrjedhës së hetimeve.

Një vit më parë edhe Këshilli i Trashëgimisë Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit pat kërkuar që institucionet të hetojnë rastin në fjalë, sikurse që MKRS-ja dhe Komuna e Prizrenit të themelojnë një fond emergjent me karakter shpëtimi për riparim të dëmeve dhe ndërhyrjen në të gjitha objektet që janë të rrezikuara nga shembja, për të parandaluar degradimin në zonën e mbrojtur.

Në raport me monumentin e mbrojtur në kuadër të kompleksit të Kishës Katolike në Prizren nuk është ndërmarrë asnjë veprim mbrojtës, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj rrezikut të shkatërrimit të tërësishëm.

Bilbili i këngës shqipe festoi 84-vjetorin e lindjes

0

Nexhmije Pagarusha ndër vite ka treguar se ishte një artiste e kompletuar, këngëtare e mrekullueshme, por edhe aktore e dalluar filmi.

Këngëtarja që njihet si “Bilbili i Kosovës” dhe si “Mbretëresha e muzikës shqiptare”, të dielën festoi 84-vjetorin e lindjes.
Ajo u lind më 7 maj të vitit 1933 në fshatin Pagarushë të Malishevës. Nexhmije Pagarusha ka ndjekur shkollën e muzikës në Beograd, për të filluar karrierën si këngëtare në Radio Prishtina në vitin 1948, e për të vazhduar për 40 vite të tjera të pushtojë botën e muzikës.

Pavarësisht se këngëtarja nuk ishte e përcaktuar se cilin zhanër të muzikës e kultivonte, këngët e saj u dëgjuan me ëndje çdo herë dhe nga të gjitha moshat.

Në Kosovë, Nexhmije Pagarusha është shpallur si ‘Këngëtarja e Shekullit” kurse në vitin 2012 presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar me titullin “Nderi i Kombit”.

“Baresha” është një ndër kryeveprat e interpretimit të saj. Kjo këngë u kompozua nga bashkëshorti i saj Rexho Mulliqi, me tekstin e poetit të mirënjohur Rifat Kukaj.

Nexhmije Pagarusha interpretoi në një koncert të muzikës klasike edhe vepra të përkthyera shqip të Bethovenit, Puçinit, Verdit, etj. Ky koncert ka qenë i pari i këtij lloji por fatkeqësisht nuk është regjistruar.

Për fat të keq, nuk janë evidentuar as të gjitha koncertet dhe repertori i këngëve të kënduara nga ajo, ngaqë, siç ka thënë ajo një herë, për të vetëm muzika ishte me rëndësi, ajo dhe muzika ishin një. Mendohet se ajo ka interpretuar mbi 150 këngë.

Pagarusha ishte pjesëmarrëse e koncerteve në Kosovë, Shqipëri, Bullgari, Izrael, etj. Karrierën muzikore e përfundoi në vitin 1984, pas një koncerti në Sarajevë.

Pas 16 vjetësh larg skenës, ajo u paraqit në vitin 2000 me këngën “Për ty” në një emision të udhëhequr nga Ardit Gjebrea, i cili e bindi të bëjë këtë. Në vitin 2005 ajo ishte pjesë e jurisë së festivalit “Kënga magjike”.

Pagarusha është paraqitur para publikut shqiptar edhe me disa role në teatër e në film. Ajo aktroi në “Dasma e përgjakur”, “I ikuri”, “Lepuri me pesë këmbë”, “Fluturimi i Micakut”, “Rexha i nënës në grazhd të kalit”, e të tjera projekte./Zeri/

17- vjet nga vrasja misterioze e komandant “Drinit”

0

Në 17-vjetorin e vrasjes, është nderuar sot vepra dhe heroizmi i Ekrem Rexhës, i njohur në luftën për çlirimin e Kosovës si komandant “Drini”.

“Drini” u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar.

Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje. Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Në anën tjetër bashkëshortja e “Drinit”, Hajrie Rexha, thotë se 17 pas vrasjes së burrit është e pakënaqur me organet ndërkombëtare dhe këto vendore të drejtësisë, pasi e tëra ka rezultuar pa suksese rreth ndriçimit të rastit, që ndodhi në qendër të Prizrenit.

“S’doli asgjë nga 32 seancat gjyqësore e as ato në Gjykatën Supreme, edhe pse ne kemi ndihmuar gjykatat me dëshmitë dhe dëshmitarët tanë”, ka thënë ajo. Ajo thotë se në familjen e saj pas vrasjes kanë qenë të gjithë liderët politikë dhe ata ushtarakë të vendit.

Me mallin për babanë janë rritur edhe dy fëmijët.

Hajria rrëfen se fëmijëve ua ka treguar të vërtetën për rastin e babait, pasi ka lexuar libra botërore, sipas të cilave fëmijët duhet ta dinë të vërtetën dhe tregon se i tërë angazhimi i saj tashmë është në edukimin e tyre.

Po ashtu, bashkëshortja e komandant “Drinit” thotë se dëshira e saj jetësore është zbardhja e vrasjes së burrit, pasi duke njohur karakterin dhe sjelljen e tij të mirë me bashkëluftëtarë dhe familjarë, në asnjë mënyrë nuk mund t’i kuptojë motivet e vrasjes.

“Pas luftës nuk ka pëlqyer t’i sistemojë njerëzit që nuk kanë kontribuuar, por ata që ndihmuan lirinë e vendit duke i dhënë prioritet atyre me gjendje më të rëndë ekonomike”, tregon ajo.

Komandant “Drini” ka themeluar Shoqatën e Veteranëve të Luftës në Prizren, që ishte e para e këtillë në vend./PrizrenPress.com/

Prizren: Një person kanoset me armë zjarri

0

Një person është kërcënuar me armë në Prizren

Policia e Kosovës njofton se me urdhër të prokurorit është bastisur shtëpia e të dyshuarit me ç’rast në tavanin e shtëpisë janë gjetur tri granata dore pa siguresa, të cilat janë tërhequr nga njësiti për çminim i PK-së.

Nuk raportohet për të arrestuar./PrizrenPress.com/

Zafir Berisha- LDK-së: S’po ju dojnë as gratë e juaja, le më PDK-ja

0

Deputeti i Nisma për Kosovën Zafr Berisha duke iu referuar koalicionit qeverisës LDK-PDK, ka thënë se nuk mbahet “bashkëjetesa me zor”.

“O nuk po ju dojnë më as gratë e juaja, jo më PDK që se do as veten kur i rrezikohet interesi, mos vajtoni se nuk bëhet nami.

LDK aq po i dhimbset karriga e pushtetit, sa që deri te këmbët e kalit të Skënderbeut në Prishtinë me pru “Crnagorën” me kufi s’është ka mërzitet, vetëm me ja u zgjatë Zoti edhe ndonjë ditë me rrjepë Kosovën”, ka shkruar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.

Berisha ka thënë poashtu se se din a e din presidenti i vendit, Hashim Thaçi çfarë të keqe i ka bërë Kosovës.

“S’di a po bindet Hashim i Burojës se çfarë të zeze i ka bërë vendit kur një titist e ka pru në krye të ekzekutivit. Me një dorë e ka ngritur, tash edhe me grushta nuk bjen ku e ka vendin. Kuku Hashim çka i ke bërë Kosovës”, ka përfunduar ai.

(Kosova Sot)