17.6 C
Prizren
E mërkurë, 6 Gusht, 2025
Home Blog Page 5543

“Deputetët e PDK-së do të votojnë pro-mocionit”

0

Java e ardhshme pritet që të jetë vendimtare për mandatin e Qeverisë së Kosovës, sepse sipas paralajmërimeve të hënën është caktuar seanca për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa të mërkurën ajo e mocionit e iniciuar nga partia NISMA, e cila pretendon se i ka nënshkrimet e mjaftueshme të deputetëve të kuvendit, për rrëzimin e Qeverisë.

Lidhur me këtë, analisti i çështjeve politike Nexhmedin Spahiu ka treguar se marrëveshja e demarkacionit nuk do të kalojë, dhe sipas tij nuk është aspak mirë që kjo të kalojë.

Ndërsa sa i përket mocionit të iniciuar nga opozita, Spahiu thotë se një pjesë e deputetëve të PDK-së e kanë nënshkruar, andaj kjo na bënë të mendojmë se mocionin do ta votojnë edhe deputet tjerë të kësaj partie.

“Për mocionin e rrëzimit të qeverisë nuk e di por besoj që megjithatë ka një numër të madh i deputetëve të cilët janë nga Partia Demokratike e Kosovës që e kanë nënshkruar mocionin. Atëherë kjo na bënë të mendojmë që edhe deputetët tjerë të kësaj partie do ta votojnë këtë mocion dhe Qeveria do të bije”, ka thënë Spahiu për Indeksonline.

Ai ka përmendur edhe disa nga të arriturat që kjo qeveri i ka bërë, ku sipas tij Ministria e Punës, sidomos Ministria e Financave e cila është treguar më e suksesshmja prej të gjitha ministrive.

“Por kjo nuk është e mjaftueshme që një Qeveri të qëndrojë edhe më tutje, pasi që ajo ka dështuar në gjërat kruciale për Kosovën”, ka përfunduar ai./Indeksonline/

Krasniqi: Kjo Qeveri duhet të bie

0

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Krasniqi në një opinion të tij, ka theksuar se mocioni është kërkesë dhe mjet demokratik në të gjitha vendet që shquhen me demokraci të konsoliduar, të cilin mund ta përdorë opozita, sa herë që ajo mendon se vendi po qeveriset keq, e zgjidhja e së keqes janë zgjedhjet.

“Edhe pozita e ka të drejtën t’i përgjigjet me mjete demokratike, me kulturë e edukatë njerëzore kërkesës së ligjshme parashtruesve të mocionit të mosbesimit, duke ofruar fakte e dëshmi që tregojnë të kundërtën. Konsideroj se vetë mënyra sesi qeveritarët po e kundërshtojnë mocionin e mosbesimit, si vendorët e po ashtu edhe jovendorët, duhet ta kuptojnë se kjo qeveri duhet të bie e vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Krasniqi.

Ju kujtoj

0

Skender Berisha 

* Shokëve dëshmorë

Rodhën kohë e kohë
Vitet nuk e pritën njëri-tjetrin
Ju mbetët të njëjtit
Petritë se petritë

Tashti rrini gatitu në sheshet e lirisë
Dhe një dritë e kuqrremtë bie
Sheshit ndrit përditë

Ju zemra e të ritë tim
Që më flitni ditë e përditë
E më thoni qetë me pëshpërimë
Për fillim e mbarim

Krejt për një stinë
Kur endet lis për lis
Një murmurimë e pambarim
Si fillim o fillim

5 maj 2017

Zafir Berisha: Hashim Thaçi ka dalë nga rruga e Zotit

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka devijuar nga rruga të cilën e kishte nisur që nga koha kur ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emisionin “Personale” në TV Dukagjini, Berisha ka dhënë detaje për jetën dhe vdekjen e komandant Drinit por edhe të bashkluftarëve të tjerë të UÇK-së.

“Unë kam shumë fjalë për të, por do ta them së është një njeri që ka dalë nga udha e zotit dhe nuk është duke e ditur as çka është duke bërë. Deri në vitin 2002 apo 2003, ai ka qenë krejt tjetër njeri”, ka thënë shkurt Zafir Berisha.
Ai ka rrëfyer se si ishte përjashtuar nga shkolla për shkak se e kishte shkruar parullën ‘Kosova Republikë’.

Zafir Berisha më herët kishte qenë bashkpartiak i Hashim Thaçit në Partinë Demokratike të Kosovës

Ditët e fundit të Qeverisë “Mustafa”

0

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të thërrasë seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, më 10 maj. Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë e tjera, përfshirë edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Nënshkrues të mocionit janë edhe tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës janë paraqitur para medieve menjëherë pasi kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkaq, kjo e fundit ka caktuar seancën për datën 10 maj.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami tha se ka edhe deputetë të tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presin që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie. Rrëzimi i Qeverisë mbetet ekskluzivisht çështje e partive të koalicionit, pasi nevojiten edhe 19 vota të deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, tha se është evidente që nuk ka vendimmarrje të duhur në Kosovë. Andaj, ai tha se ndërkohë do të bisedohet edhe me Lidhjen Demokratike për të parë se si do të veprohet deri të mërkurën.

“Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë. Nuk është gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur dhe as qytetarët e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë do ta vazhdoj komunikimin me partnerin e koalicionit (LDK-në). Nuk është opozita ajo që e rrëzon Qeverinë, e thashë do të bisedojmë me partnerin e koalicionit”, ka thënë Veseli.

PDK-ja, e pakënaqur me vendimmarrjen

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar gjendjen politike në vend, por nuk ka dalë ende me një qëndrim të prerë rreth çështjes së zgjedhjeve të parakohshme. Pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie politike, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se do të diskutohet edhe me partinë partnere në koalicion, Lidhjen Demokratike të Kosovës për hapat që do të ndiqen. Ai nuk e ka mbështetur as kundërshtuar mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Kurse nënshkrimet e tetë deputetëve të PDK-së në mocionin e opozitës, Kuçi i ka cilësuar si vendime individuale dhe jopartiake. Kuçi, megjithatë, ka pranuar që vendimmarrja nga ana e Qeverisë nuk ka qenë në nivelin e pritur.

“Ka munguar vendimmarrja e plotë, kurse opozita ka qenë jo çdo herë konstruktive”, ka thënë Kuçi. PDK-ja, ka shtuar ai, do të marrë vendimin duhur në ditët në vijim, duke mos përjashtuar as zgjedhjet. Po ashtu, Kuçi e ka konfirmuar interesimin e PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli, që në të ardhmen të ketë nën drejtim postin e kryeministrit të Kosovës. “Secili që është kryetar partie në këtë vend përgatitet që të bëhet kryeministër”, ka thënë Kuçi. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se gjithçka mbetet të vendoset mes partnerëve të koalicionit, ngase opozita, sipas tij, nuk e ka fuqinë e ndryshimeve apo rrëzimit të Qeverisë. Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se tre vjet të kësaj Qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi për këto tre vjet, sipas tij, kishte vetëm keqqeverisje.

Zgjedhje në prag të furtunës së Speciales

Futja e mocionit të opozitës parlamentare në procedurën kuvendore, dhe nënshkrimi i tij edhe nga disa deputetë të pozitës, kryesisht nga radhët e PDK-së, nga analistët politikë po shihet si një situatë shumë delikate para së cilës gjendet Qeveria “Mustafa”. Profesor Riza Smaka thotë se, pavarësisht kalkulimeve dhe paragjykimeve të ndryshme, kjo Qeveri jofunksionale ka kohë që është dashur të rrezohet, prandaj është shumë optimist që ky proces do të realizohet tani përmes këtij mocioni të iniciuar nga opozita.

“Gjasat janë se PDK-së i përshtatet rënia e Qeverisë aktuale, ashtu sikundër edhe opozitës parlamentare të mbështetur fuqishëm nga pjesë e konsideruar e qytetarëve tejet të pakë- naqur me keqqeverisjen dhe shumë dështime e papërgjegjësi të saj. Sa më parë, aq më mirë do të ishte për vendin tonë që kjo Qeveri të rrëzohej dhe të shpalleshin zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme”, tha Smaka për “Kosova Sot”.

Edhe analisti politik, Naim Kelmendi shpreh mendimin e tij se në këtë situatë të zhvillimeve shumë komplekse në mes partive në pushtet dhe opozitës, është sidomos PDK-ja e interesuar për ta prishur koalicionin dhe që të shkojnë në zgjedhje, pikërisht pse po pritet një furtunë brenda PDK-së nga Gjykata Speciale, e që sikur dihet potencialisht se janë disa personalitete të kësaj partie që gjenden në krye të raportit të Dik Martit, nga i cili edhe do të ketë nismën kjo gjykatë, e që sot janë në krye të institucioneve të shtetit. “Mendoj se nisma për mocionin nga Nisma për Kosovën duket se do të arrijë ta bëjë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për rrëzimin e kësaj Qeverie, kështu që numri i deputetëve nga koalicioni do të vazhdojë të rritet pro mocionit të opozitës. Mund të them se për tre vjet të qeverisjes së këtij koalicioni asgjë të mirë nuk i ka sjellë vendit, përkundrazi në asnjë drejtim nuk ka arritur të jetë e suksesshme, mbase edhe më keq se është kreatore e dy projekteve shumë të dëmshme për shtetin, siç janë Asociacioni i komunave serbe dhe Demarkacioni”, theksoi Kelmendit.

Përfundoi festivali “Hasi Jehon 2017” – këto janë çmimet

0

Në natën e tretë në festivalin “Hasi jehon” u paraqitën 5 ShKA ndërsa mbylljen e bëri ShKA “Malësori”.

Derisa u paraqit në skenë ShKA “Malësori”, juria në përbërje të Dilaver Kryeziut, Sami Pirajt dhe Hysen Didës, vendosën për çmimet tradicionale të festivalit, shkruan PrizrenPress.

“Publik i mrekullueshëm si zakonisht. E meritoni notën më të lartë për qëndrueshmërinë dhe për kulturën që e keni si publik”, tha Dilaver Kryeziu kryetar i jurisë.

Juria i ndau këto çmime:

Çmimi e parë “Malësorin” juria ia ndau Ansamblit “Mati” nga Burreli

Çmimi i dytë “Malësorja” iu nda ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova

Çmimi i tretë “Lahuta” sipas jurisë iu takoi ShKA “Januz Ramadani” nga Smira dhe Ansamblit “Rugova” nga Peja

Çmimi “Nazmije Tota” iu nda trios së këngëtareve nga Mati

Valltari më i dalluar u vlerësua Muhamet Sinani i ShKA “Bresana” nga Bresana

Valltarja më e mirë Elizabeta Zeneli nga ShKA “Prishtina”

Dyshja më e mirë e valltareve Vjollca Hajrullau dhe Ermira Sheta nga Kruma e Hasit

Koreografia më e mirë u shpall ajo e koreografit Mehmet Xhemajli nga ShKA “Prishtina”

Loja më e mirë popullore ShKA “Katarina Josipi”

Kostumet ShKA “Rapsha” nga Tuzi

Rituali më objektiv iu nda Ansamblit Muharrem e Xhevat Qenaj nga Ramaja

Çmimi rapsodi më i mirë i festivalit iu nda raspodes Xhevrije Vataj

Grupi i rapsodëve më të mirë Hamit Kastrati e Përparim Brati nga Hasi i Shqipërisë

Orkestra më e mire ShKA “Shote Galica” nga Drenasi

Instrumentisti më i dalluar klarinetisti nga Kavaja

Krejt në fund, drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, çmimin e parë të festivalit ia “ndau” publikut.

“Juria ndau çmimet për Ansamblet ndërsa unë them se çmimi i parë si zakonisht ju takon juve që e përcillni me kujdes paraqitjen e çdo grupi”, tha Hodaj. /PrizrenPress.com/

Goranët e Dragashit nuk e njohin Kosovën si shtet

0

Goranët kanë festuar sot ditën e Shën Gjergjit në Dragash. Dita e Shën Gjergjit festohet për ta përjetuar ndaljen e dimrit dhe ardhjen e stinës së verës.

Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev dhe deputeti goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha.

Në këtë ditë është mbajtur edhe një seancën e të ashtuquajturës Komunë e Gorës, ku është folur për “mundësinë që Qeveria e Serbisë t’i ndihmojë goranët në ruajtjen e identitetit të tyre”, transmeton lajmi.net.

E deputeti Adem Hoxha, i cili bënë pjesën në Grupin Parlamentar të Listës Serbe ka thënë:

“Do t’i falënderoj të gjithë miqtë tonë, dua të falënderoj shtetin e Serbisë dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq i cili na ka dërguar urime për Ditën e Goranëve. Po ashtu dua ta falënderoj edhe kryeministrin (Vuçiq). Kjo tregon se nuk ka qëndrueshme të goranëve dhe Gorës pa shtetin e Serbisë”.

Dita e Shën Gjergjit karakterizohet me lojëra të shumta, me fluks të madh të shqiptarëve në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, apo ndonjë vendbanimi të lashtë.

Një familje në Suharekë kërcënohet me eksploziv TNT (VIDEO)

0

Copëza betoni mbetën nga kova, ku ishin fshehur 400gr eksploziv “TNT”.

Por, sasia e mjetit shpërthyes u largua pa u aktivizuar, nga oborri i Sejdi Bytyqit.

Banori i Semetishtit të Suharekës, posa e pa objektin e dyshimtë në mëngjesin e 5 majit, lajmëroi policinë, njofton Klan Kosova.

Mirëpo, ndryshe nga raporti i forcave të rendit, ku thuhet se personi që lajmëroi rastin thotë se nuk i njeh të dyshuarit, ekipit të Klan Kosovës, ai jo vetëm që i përmend emër por edhe shkak.

Nga personi që tani jeton në Francë, thonë se kishin pasur edhe një rast të tillë dy vite më parë, mirëpo atëkohë eksplozivi kishte shpërthyer.

Ndërsa, vëllai i Sejdiut, Haxhiu, thotë se dy vite më parë kur këta kishin rregulluar rrugën, murin gati të rrëzuar të komshiut e kishin zëvendësuar me diçka tjetër, e që më pas kishte ndodhur shpërthimi.

Sivjet në Prizren

0

Nuk e di kush e ka shpikur këtë, supozoj ndonjëri nga organizatat djathtiste serbe si për shembull “Obraz”, “1389” apo “Zavetnik”, mirëpo, para disa vjetësh filluan të shihen në Beograd grafitet me mbishkrimin “Vitin e ardhshëm në Prizren”, shkruan Aleksandar Pavloviq në Shtojcën për Kulturë të Kohës Ditore.

Natyrisht, fjala është për versionin serb të atij viti hebraik “Vitin e ardhshëm në Jerusalem”, të cilin hebrenjtë, duke jetuar të shpërndarë nëpër botë, me shekuj e kanë thënë gjatë solemniteteve të tyre. Porosia është e qartë, ndonëse pas vitit 2000, nëse do të mund të mbrojmë qytetin e Carit, Prizrenin, në zemrat tona, “sikur hebrenjtë Jerusalemin”, do të kthehemi atje dhe ai do të jetë sërish yni, i serbëve.

Më pak për atë që nuk jam ithtar i djathtistëve të përmendur, por më shumë që thjesht nuk jam i prirë të pres, për Zotin, shkova unë në Prizren tani, e jo vitin tjetër. “Ruaje shpinën” më kanë thënë disa të njohur, gjë që e përshkruan mirë idenë të cilën në Beograd e kultivojnë për Prizrenin dhe në përgjithësi për Kosovën, si vende me rrezik të lartë për vizitorët nga Serbia.

I gatshëm për t’u kujdesur, që më ka mbrojtur në kohët e vështira, e kam pyetur mikun tim nga Prishtina, Jeton Nezirajn, se a është rrezik nëse në Prizren shëtis me çantën e cila ka mbishkrimin “Instituti i Filozofisë dhe i Teorisë Shoqërore”, në të cilin punoj. “Në Prizren mund të shëtisësh edhe në brekë”, m’u përgjigj Jetoni, dhe do të thosha se kishte të drejtë.

Historiani Drançolli: Origjina hasiane (kosovare) e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut

0

Historiani i njohur Jahja Drançolli ka postuar një artikull të gjatë sot në rastin e ditës së lindjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Ka thënë se në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për çudi në çdo artikull përsëritet në trajtë shablloni origjina dibrane e tij, çështje kjo që, sipas tij, nuk mund t’i bëjë ballë kritikës shkencore.

“Në të vërtetë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun”, ka thënë Drançolli.

Më poshtë është i plotë artikulli që grumbullon argumentet e historianit Drançolli:

Në shtypin ditor të sotëm në gjuhën shqipe me të drejtë shënohet 6 maji, ditëlindja e Heroit, por për qudi në çdo artikull përseritet në trajtë shablloni origjina dibrane e Heroit, çështje kjo që nuk mund ti bëjë ball kritikës shkencore. Në të vëretë zulma e Heroit ka qenë e fuqishme në shekullin e XV jo vetëm në Arbëri, por edhe në gjithë Europën. Së këtejmi, janë të njohura edhe luhatjet e historiografisë tonë për ta caktuar vendlindjen, si dhe përpjekjet e vendeve fqinjë për ta përvetësuar Skënderbeun.

***

Sipas burimeve më të verifikuara, familje bujare e princërore e origjinës arbërore e dokumentuar për herë të parë në vitin 1368. Në mungesë të burimeve relevante zyrtare, edhe sot diskutohet për vendlindjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Nga një pasazh i librit të Jak Lukari, “Analet e Raguzës” (1605), dëshmohet origjina hasiane e Haroit: “Gjon Kastrioti zotërues i Krujës, të cilit familja i rrjedh nga fshati Kastrat nën jurisdkisionin e Hasit të Arbërisë, jo fortë larg nga lumi Dri”. Kjo dëshmi për origjinën hasiane të familjës Kastrioti provohet tërësisht edhe nga Frang Bardhi në veprën e tij kushtuar Skënderbeut (1636), si dhe në një manuskript shek. XVI thuhet se, “[…] Kastriotët ishin nga provinca HAS-i në Epir” (“[…] Castrioti in provincia Az in Epiro”). Në favor të kësaj shkon edhe njoftimi se emri i tyre vjetër ka dalë nga fshati Mazrek i Hasit, ku përveç këtij fshati në këtë regjion zotëronin edhe fshatra të tjera, si Kostur dhe Ujmishte (Vumestje). Sipas kryeveprës së Marin Barlecit, kushtuar jetës dhe veprave të Skënderbeut, origjinën e Kastriotëve duhet kërkuar në regjionin e Matit (“krerët re fisit të Kastriotëve kanë rrjedhur nga Emati”). Janë ruajtur edhe burime të tjera që e kundërshtojnë tezën e prejardhjes Hasianë të Kastriotëve. Ndonjë historian, duke u mbështetur në burime dytësore, origjinën e Kastriotëve e kërkon në DIBËR, KANINË ose në MIRDITË.

Burimet historike hedhin dritë se, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405-1468), është shquar për burrështeti të Arbërisë, strateg ushtarak, si dhe Hero Kombëtar e Ndërkombëtar. Për veprën dhe jetën e tij edhe sot ruhen mijëra dokument zyrtare, vëllime historike e letrare-artistike të shkruara në më se 20 gjuhë; u realizuan gjithashtu edhe vepra nga artet figurative, muzika, teatri, filmi, etj. Të pakta janë figurat mesjetare që kanë gjetur një pasqyrim kaq të gjërë e jetëgjërë në letërsinë botërore, siç ka gjetur Skënderbeu. Pothuaj i tërë opusi historiko-letrar dhe artistik kushtuar atij, ushqehet para se gjithash nga veprat e humanistëve arbërorë. Së pari nga Novobërdasi Martin Segoni (1480), dhe më pastaj nga Barleci, Beçikemi, Frëngu, Bardhi, e ndonjë tjetër. Në këtë frymë, që nga fillimet e shek. XVI e deri në ditët e sotme kanë shkruar shumë historianë, italianë, gjermanë, anglezë, frëngë, sllavë, etj. Ndërsa, iluministi madh frëng, Voltaire (1694-1778), në veprën e tij filozofike-historiko, “Sprovë për doket dhe shpirtin e kombeve” (1756), shkruante: “Sikur perandorët bizantinë të ishin si Skënderbeu, Perandoria e Bizantit, do të kishte qëndruar në këmb”. Po ashtu, janë realizuar qindëra vepra nga artet, si, portreti i Heroit nga Gentile Bellini (1466); nga muzika, libreta e operës me titull, “Scanderbeg” të kompozitorit, Antonio Vivaldi (1718); nga poezia, poeti Henry Longfellow (SHBA, 1807-1882), ia kushton 173 vargje në, “Përrallat e bujtinës anës rrugës” (“Tales of an Innside Inn”, 1863), etj.

Vitet e para të fëmijërisë së Skënderbeut shoqëroheshin me lulëzimit e principatës së Kastriotëve. Mirëpo, pas rënies së Krujës nën osmanët (1415), ai qe detyruar të shkonte peng në oborrin e sulltanit. Çështja se kur u mor peng Skënderbeu, në historiografi përgjithësishtë ka disa pasaktësi; 9 vjeçar ose 18 vjeçar; dorëzimi ka mundur të ndodhë në vitin 1415 ose 1423. Atje, Gjergji ishte konvertuar në musliman dhe mori emrin Skënder (nga Aleksandër), si dhe u edukua në shkollën e iç-ogllanëve. Në kushte të reja, ai qe i detyruar të merrte pjesë në fushata ushtarake kundër të krishterëve, për ç’arsye babai tij ishte detyruar të kërkonte falje nga Senatit i Venedikut (1428). Për veprat e tij ushtarake, ai qe nderuar me titullin bej, dhe kështu emri Skënderbej (Scanderbeg), do të bëhej i njohur në gjithë botën.

Në vitin 1438, pasi që kishte fituar besimin e Muratit II (1421-1451), Skënderbeu qe emëruar për komandant ushtarak i kështjellës së Krujës, si dhe kishte vendosur kontakte me Venedikun (1438) dhe Raguzën (1439); Raguza më 1439 e kishte shpallur Skënderbeun për qytetar nderi, ndërsa një vit më parë këtë e kishte bërë edhe Venediku. Në një dokument osman nga vitet 1438-1443 ruhet ky njoftim: “Iskënderi [i biri Gjonit] kishte hyrë në [kuadrot] e timareve, duke dalë nga Porta e lartë”. Brenda viteve në fjalë e ndeshim për sanxhakbej në Dibër (1440). Pas Betejës së Nishit (nëntor 1443), kur trupat osmane kishin pësuar me rastin e një ofensive hungareze të Janosh Huniadit, Skënderbeu, dhe nipi i tij Hamza, si dhe 300 kalorës kishin braktisur forcat osmane, për tu drejtuar në Krujë, dhe atje më 28 nëntor 1443 u ngritë përsëri flamuri i Kastriotëve, që më pastaj do të ruante simbolikën historike në luftëra të popullit shqiptar për liri: “Lirinë nuk jua solla unë, por e gjeta këtu në mes tuaj, armët nuk jua ngjesha unë, por ju gjeta të armatosur, lirinë e kishit kudo, në krahnor, në ballë, në shpatë, në ushtat!”. Për të konsoliduar pushtetin e tij, Skënderbeu kishte formuar aleanca përmes martesës me pjesëtarët familjeve kryesore. Ai, u martua me Donikën, bijën e Gjergj Arianitit, ndërsa motra tij, Mamica, ndërkaq u martua me Karl Muzak Topinë, etj.

Ishte meritë e Skënderbeut, që mori përsipër për të themeluar Lidhjen e princave arbërorë në Lezhë më 2 mars 1444 (njoftimin për datën e ndeshim te, G. Biemmi, një biograf italian i Skënderbeut). Qyteti në fjalë, dikur ishte kryeqendra e Dukagjinëve; në kohën e Kuvendit ajo ishte nën Venedikun. Po nga kjo qendër, është zgjatur rruga e njohur që lidhte bregdetin me qendra të Kosovës. Kuvendi i Lezhës u mbajt mbi bazën e traditave më të hershme arbërore. Sipas Barlecit, morën pjesë shumë princër nga pjesë të ndryshme të Arbërisë. Kuvendi i Lezhës mori një sërë vendimesh të rëndësishme, të cilat përcaktuan edhe natyrën juridike të këtij organi. Me gjithë diversitetet që vinin si shprehje e interesave të ngushta, kryezotërinjtë pjesëmarrës në Kuvend u shprehën për bashkimin e tyre në luftë kundër pushtimit osman. Barleci theksonte se Kuvendi, “vendosi para së gjithash, se duhet hyrë në një aleancë dhe në njëfarë besëlidhje të përhershme me princërit dhe sundimtarët fqinjë […]”. Gjithashtu, u vendos për formimin e një ushtrie të përbashkët (federale); sipas traditave të lashta qe themeluar Besëlidhja, që është konsideruar si një lloj federate me një kryetarë të vetëm, që ishte Skënderbeu i quajtur, “Primus inter pares” (“i pari ndër të barabartit”). Krahas politikës së brendshme, rëndësi të madhe Skënderbeu i ka kushtuar edhe politikës së jashtme. Në skënën europiane Skënderbeu kishte hyrë kur ajo ishte e përçarë, sikurse edhe Arbëria. Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, Skënderbeun do të zëvendësonin një sërë diplomatësh, kryesisht nga radhët e klerit katolik, siç ishte arqipeshkvi, Pal Engjëlli, abati Lazar, abati Gjergj Pelini i Novobërdës, e ndonjë tjetër. Rol kyç në diplomacinë skënderbejane kanë luajtur vëllezërit Gazulli (Gjini e Pali), të cilët kishin specializuar për çështje të marrëdhënieve të Skënderbeut me Raguzën, Shtetin e Papës dhe Mbretërinë e Hungarisë, që gjatë viteve 1443-1444, si dhe 1448-1456, Skënderbeu e kishte bërë shok Janosh Huniadin për të luftuar në Fushë Kosovë, si dhe në Beograd.

Rezultatet e para do të shprehen me rekrutimin e luftëtarëve; Skënderbeu ishte i zoti t’u vinte për ballë fuqive të sulltanit me një ushtri prej 15000-20000 vetash. Me këtë ushtri, vetëm në vitet 1444-1446 Skënderbeu i përmbysi 13 sulme osmane (Beteja e Torviollit, 1444). Gjatë viteve 1446-1448, 1450-1457, 1462-1465, u arritën suksese, në Dibër, Pollog, fushën e Domosdove, Fushë Kosovë, grykat e luginat e Drinit e Shkumbinit, Livadhi të Ohrit (1462), fusha e Vajkalit (1465), etj. Ka mbetur e pashlyeshme në dokumente relevante të kohës, disfata e Muratit II, të cilin e shoqëruan rreth 100.000 ushtarë, për t’i rrethuar fortifikatat e Dibrës, Sfetigradit (1448) dhe të Krujës (1450), por pasi që rrethimet nuk rezultuan me sukses, sulltani u detyrua të tërhiqej. Nga vargu i gjatë i fitoreve duhet veçuar, sidomos atë në Ujëbardhë (1457), ku sulltani për ta mundur Skënderbeun i kishte dërguar 20.000 kalorës. Përveç dhjetëra dokumenteve zyrtare për këtë ngjarje, është i njohur edhe vlerësimi i kalorësit anglez, John Newport, një pjesëmarrës vullnetar i betejës. Gjatë qëndrimit të tij në Romë (1458), ai kishte deklaruar: “Po të bjerë kështjella arbërore, pushtimi i Europës nga osmanët është i sigurt, pasi nuk ka fuqi tjetër që ta bejë këtë rezistencë”.

Rezistenca e madhe në Krujë (1450), si dhe fitorët e mëparshe (1443-1450), mundësuan Arbërinë të rifillonte procesin historik, krijimin e shtetit të njësuar të Arbërit, që ishte ndërprerë nga pushtimet osmane. Pas Krujës, më 1451, Skënderbeu, zuri të quhet zyrtarisht “zot i Arbërisë” (“dominus Albaniae”). Në ndërkohë, marrëdhëniet e Skënderbeut me Venedikun ishin përkeqësuar për shkak të aspiratave venedikase ndaj krahinës së Dejës. Konflikti mes tyre është zgjedhur më një traktat paqeje (1448).

Në luftërat e tij, Skënderbeu kishte pasur mbështetjen e Shtetit të Papës, Republikës së Venedikut e të Raguzës, Mbretërisë së Napolit, si dhe të Mbretërisë së Hungarisë. Mbështetje, më të madhe e gjente te mbreti aragonez, Alfonsi V i Napolit, i cili sipas Traktatit të Gaetës (1451), Skënderbeun do ta kthente për vasal në ato toka, që do të çliroheshin me forca të përbashkëta. Pavarësisht nga kjo, osmanët arritën të ngadhnjejnë në Berat (1455), për ta detyruar më pastaj që Skënderbeu të transferohet në Napoli me 2.500 trupa për të përbushur detyrimin e tij sipas Traktatit. Ferdinand I (1458-1494), pasuesi i Alfonsit V (1458), kërkonte ndihmë për të mposhtur rivalin e tij, Dukën Anzhu, që aspironte ta sundonte Napolin. Në Barletta dhe Trani, ai arriti të mposhtë rivalin kryesor të Ferdinantit, Gian Antonio Orsini, princin e Tarantos. Pas fushatës, një pjesë e ushtrisë së Skënderbeut mbeti në Itali për ta themeluar koloninë e parë arbreshe në Kalabri. Më 1462, Skënderbeu u kthye në Arbëri. Në ndërkohë janë bërë përpjekje që të funksionalizohën luftërat e Skënderbeut edhe në planin europian. Së pari, në konferencën në Mantova (1458), si dhe më pastaj (1464), nga Papa Pius II.

Pas mbrojtjes heroike të Krujës gjatë rrethimeve II dhe III (1466/7), ku sulltani kishte angazhuar më se 150.000 ushtarë, Mehmeti II iu kishte drejtuar viseve tjera të lira arbërore për qëllime të shkatërrimit sistematik të vendit. Këtej, nuk u kursye askush. Për ta përballuar gjendjen, Skënderbeu u kishte kërkuar ndihmë shteve mike. Në Romë, popullata e të gjitha shtresave kishte vërshuar qytetin për ta parë Heroin e lavdishëm. Ndërsa, sipas një akti të Senatit të Republikës së Venedikut (1467), bëhet e njohur: “Nëse pushtohet bregdeti i Arbërisë, Ruajna o Zot!, armikut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të hidhet kur të dojë në Itali”. Skënderbeu, vdiq në Lezhë më 17 janar 1468.

Fëmijtë e Skënderbeut ishin Gjoni II (1454 – pas 1502) dhe Vojsava. Gjoni II, pas vdekjës së Skënderbeut (1468), qytetin e Krujës, iu kishte dhënë venedikasëve, dhe së bashku me nënën, Donika Kastrioti, bijë e Gjergj Arianit Komnenit (e martuar më Skënderbeun, 1451), ishin vendosur në feudet e Kastriotëve në Gargano të mbretërisë së Napolit (1474). Kishte tre fëmijë: Kostantini, Ferrante dhe Gjergji II Kastrioti i quajtur, Skënderbeu i Ri (1476-?), i cili doli në skenën historike gjatë kryengritjejës së vitit 1499, që kishte rezultuar me sukses. Pasardhësit e Gjonit II Kastrioti u shuan në brezin e dytë. E fundit, që i përkiste kësaj dinastie me siguri ishte princesha e Shën Pjetrit, Irena, bija e princ Ferrantit, e martuar me Pietrantonio Sanseverino (1539), princ nga Bisignano.