21.1 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 5555

Maqedoni: Dhuna u ndërpre, por situata mbetet e tensionuar

0

Gjendja në Maqedoni është vënë nën kontroll, por tensionet mbetet. BE ka dënuar dhunën në Parlamentin e vendit duke theksuar, se ajo nuk pajtohet me demokracinë. Kërkohet dialogu politik brenda institucioneve.

Deri në 45 vetë u lënduan në Parlamentin e Maqedonisë gjatë trazirave të së enjtes (27.04) në mesin e të cilëve ka pasur deputetë, policë, të punësuar në parlament, gazetarë dhe protestues. Ata kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në Klinikën kirurgjike “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Drejtoresha e Klinikës, Jasminka Çabukovska tha se katër prej tyre janë mbajtur për trajtim të mëtejshëm.

Para mesnate njësitë e forcave speciale të policisë përfunduan evakuimin e deputetëve të fundit, të cilët kanë qenë cak i sulmit nga huligan dhe protestues të dhunshëm që u futën në Parlament. Forcat e sigurisë kanë shpërndarë turmën përmes përdorimit të gazit lotsjellës. Protestuesit e iniciativës “Për Maqedoni të përbashkët” kanë vendosur tenda para Parlamentit të Maqedonisë ku kanë qëndruar tërë natën.

LSDM: Dhuna e përgjakshme – rezultat i Gruevskit dhe Ivanovit

Pas mesnate të gjithë deputetët e opozitës nga radhët e LSDM-s janë tubuar në selinë e partisë, nga e cila është lëshuar reagimi i parë zyrtar për incidentin në Parlament. “Do të ketë pasoja për përgjegjësit e dhunës së përgjakshme që ndodhi në Parlamentin e Maqedonisë. Dhuna e përgjakshme është rezultat i dhunës, në të cilën gjatë periudhës së fundit ka bërë thirrje Nikolla Gruevski, si dhe provokimet, urrejtjet, ndarjet e Gruevskit, Ivanovit, Veljanoskit, grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe bashkëpunëtorëve të tijë”, theksojnë nga LSDM.

Deputeti shqiptar në gjendje të përmirësuar

Sekretari i LR-PDSH-së, Arben Taravari ka thënë se deputeti Ziadin Sela është në gjendje të mirë dhe është trajtuar në klinikat e Shkupit. “Situata ka qenë kritike, ku kryetari i LR-PDSH-së ka qenë i ngujuar në një nga zyrat e Parlamentit por është shpëtuar nga kolegët e tij”, ka thënë Arben Taravari.

Pse nuk reagoi policia në kohë?

Ministri i punëve të Brendshme, Agim Nuhiu thotë se vlerësimet e para janë që policia nuk ka qenë në detyrë në mënyrë efikase për ta zbatuar planin që e bëmë më parë. “Tani për tani situata po qetësohet, kemi deputetë, gazetarë dhe policë të lënduar, por nuk mund të flas me shifra. Sigurisht që do të kërkoj përgjegjësi për ata që kanë marrë detyra dhe të japin përgjigje, se përse policia nuk reagoi në kohë”, ka deklaruar ministri i Punëve të Brendshme Agim Nuhiu.

Ivanov: Fton liderët në takim

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në një paraqitje të jashtëzakonshme ka bërë thirrje për një takim të liderëve të partive politike, ndërsa ka dënuar veprimet që sipas tij janë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet e Maqedonisë. Ivanov tha se nuk ka kontest që nuk mund të zgjidhet, por se për këtë nevojitet përgjegjësi në përputhje me ligjet e vendit.

Ivanov zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit e quajti veprim antiligjor. “Apeloj për uljen e tensioneve dhe sjellje të përgjegjshme në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Deputetët janë përgjegjës për çdo veprim të tyre. Çdokush duhet të jetë përgjegjës për veprimet e veta. Vetëm përmes respektimit të kushtetutës dhe të ligjeve dhe të rendit kushtetues mund të ketë zgjidhje. Nuk ka çështje, për të cilat nuk mund të arrihet epilog, por vetëm përmes respektimit të ligjeve dhe kushtetues. Ftoj në takim liderët e të gjitha partive politike pasi ata kanë fituar besimin dhe janë përgjegjës për kapërcimin e gjendjes. Akush nga jashtë nuk na zgjidhin problemet nëse këtë vet nuk e bëjmë”, ka deklaruar presidenti Gjorge Ivanov.

Gruevski: Dhuna nuk është zgjidhje

Pas ngjarjeve në Parlament ka reaguar edhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. “Është e nevojshme që të ulen gjakrat. VMRO-DPMNE do të jetë përballë procedurave të LSDM-së kundër shtetit nëpërmjet mjeteve juridike dhe politike”, thotë Gruevski.

Partia Demokratike Shqiptare i ndjek me vëmendje zhvillimet e situatës së krijuar pas incidentit të dhunshëm në Parlament dhe fuqimisht e dënon dhunën e ushtruar ndaj deputetëve dhe gazetarëve. PDSH apelon tek shqiptarët që në asnjë mënyrë të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë gjakftohtësinë.

Reagime ndërkombëtare

Ngjarjet e djeshme në Parlamentin e Maqedonisë kanë shkaktuar reagime ndërkombëtare. Dhuna nuk pajtohet me demokracinë. Ky është qëndrimi i përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Federika Mogherini në reagimin e saj përmes një letre të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Europian. Ajo ka dënuar aktin e dhunës në ambientet e Parlamentit të Maqedonisë duke bërë thirrje që organet e rendit të marin masa dhe të sigurojnë anëtarët e Parlamentit.

Dialogu politik në institucione

“Demokracia duhet të veprojë, ashtu siç jemi informuar për zgjedhjen e Talat Xhaferit për kryeparlamentar, ne kemi marrë notë pozitive për zgjedhjen e tij. BE-ja konsideron se dialogu politik në institucione është rruga e vetme që duhet ndjekur dhe urgjentisht partitë politike dhe aktorët politik të bëjnë konstituimin e institucioneve të vendit si një akt demokratik. Maqedonia është shtet kandidat i BE-së dhe BE-ja është e gatshme të bashkëpunojë me parlamentin në reformat e nevojshme që të lëvizë shtetin në rrugën euroatlantike”, thuhet në reagimin e lëshuar nga Mogherini.

Ndaj zhvillimeve të djeshme në Parlamentin e Maqedonisë ka reaguar edhe eurokomisioneri për zgjerim Johanes Hahn. “Dënoj sulmet ndaj deputetëve në Shkup me notat më të forta. Dhuna nuk ka vend në Parlament. Demokracia duhet të vazhdoj rrugën e saj”, ka thënë Hahn.

Reagimi vjen edhe nga shefja e misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen, e cila ka bërë thirrje për ndërprerjen e dhunës në Parlament. “Situatë e tensionuar në Shkup. Aktet e dhunshme duhet të ndalen, policia të siguroj Parlamentin dhe deputetët”, ka shkruar ajo në twitter.

Ambasada e SHBA në Shkup poashtu ka dënuar dhunën në Parlament në çdo kuptim të fjalës. “Ajo nuk është në pajtim me demokracinë dhe nuk është e pranueshme për të zgjidhur mosmarrëveshjet. Kjo është kritike. Të gjitha palët të respektojnë proceset demokratike, sipas ligjeve dhe u bëjmë thirrje që të përmbahen nga veprimet e dhunshme të cilat përkeqësojnë situatën. Shumica e deputetëve ka zgjedhur Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit gjatë një seance të rregullt konstituive të Parlamentit. Ne do të punojmë me të për të mbështetur demokracinë dhe për të çuar përpara interesat e Maqedonisë”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Shkup. reagime të ashpra të ndërkombëtarëve. / Deutsche Welle

Sot zgjedhet presidenti i ri i Shqipërisë, kandidat – Ilir Meta

0

Parlamenti i Shqipërisë, sigurisht pa opozitën, do të zgjedhë sot Presidentin e ri të Republikës, njoftonë mediet e Tiranës.

Ilir Meta është kandidatura unanime e aleancës PS-LSI-PDIU për këtë detyrë të lartë.

Grupi Parlamentar i LSI-së propozoi emrin e kreut të kësaj force politike Ilir Meta dhe atë të Ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili si kandidatët për kreun e shtetit. Pas negociatave mes LSI dhe PS, kryesia e selisë rozë ka dalë dje me një vendim unanim për të mbështetur Ilir Metën si kandidat për postin e Presidentit të Republikës.

Mbështetja totale e PS-së për Ilir Metën dhe mos nxjerrja e asnjë kandidature tjetër, bënë që mazhoranca të shkojë e unifikuar në votim e sotëm.

Sot në orën 17:00 pritet të mbahet votimi në Kuvend. Shqipëria do të ketë presidentin e ri.

Vendimi i PS-së u zyrtarizua mbrëmjen e djeshme duke i hapur rrugë procesit të votimit në Kuvend dhe duke i dhënë fund ngërçit politik. Zgjedhja e kreut të ri të shtetit vjen pas një serë tentativash për të pasur një konsensus mes opozitës dhe mazhorancës. Kuvendi zhvilloi tre raunde votimesh për kreun e shtetit pa asnjë kandidat. Kreu i Kuvendit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama kërkuan publikisht që në tre raundet e para Partia Demokratike të sillte kandidatët e saj për votim. Mazhoranca ishte e gatshme të votonte një kandidatur të pranueshme nga PD-ja. Por opozita bojkotoi të tre raundet duke rrezikuar të çojë vendin në krizë presidenciale, përveç krizës zgjedhore ku është futur prej disa javësh.

Në këto kushte mazhoranca u detyrua të zgjedh mes zgjedhjeve të parakohshme për shkak të mungesës së një presidenti, apo të zgjedh një emër nga radhët e saj. Emri i Ilir Metës është më përfaqësuesi jo vetëm i aleancës PS-LSI, por edhe i gjithë klasës politike. Përveçse ka një karrierë brilante politike si Ministër, Zv/Kryeministër, Kryeministër, Kryetar Parlamenti dhe drejtues i një force të rëndësishme politike, Ilir Meta ka prestigjin e lartë për të qenë drejtues shteti. Ilir Meta ka mbështetjen absolute të koalicionit PS-LSI-PDIU për kreun e shtetit, por gjithashtu gëzon dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Edhe pse dje kreu i PD-së, Lulzim Basha foli nga çadra me tonë të forta, dikur ishte vetë Lulzim Basha ai që vlerësonte qëndrimet e Metës dhe LSI për situatën politike. Nuk është çudi që sot Meta si kandidat për President të marrë dhe mbështetjen e Partisë Demokratike.

Ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-lideri historik i Partisë Demokratike, edhe sot, e sheh Ilir Metën dhe rolin e tij në politikë mjaft pozitiv për zhvillimet politike në vend. Dy ditë më parë, në intervistën e dhënë për “Ora Neës”, Berisha tha: “Përpjekjet e Ilir Metës janë për t’u vlerësuar. Një njeri që thotë se mandatet e mia janë në favor të zgjidhjes së krizës, unë mendoj se ai ka bërë detyrën e tij me përgjegjësi. Çdo politikan që ka nuhatje politike e sheh që vendi është zgrip”,- ka komentuar ish kryeministri Sali Berisha gjatë intervistës së tij në “Tonight Ilva Tare”. Me shumë se sa Sali Berisha nuk mund të gjykojë njeri tjetër në PD, pasi PD-ja shtyllë kurrizore ka Berishën.

Edhe Edi Rama u shpreh në Top Story: “Është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani. Është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses tek të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon. Kjo është një zgjidhje ideale edhe për vetë PD”- tha kryeministri.

Sot Shqipëria do ketë Presidentin e ri të Republikës.

Prizren| Prokurorja: Dëshmitarët e fajdeve i ndryshuan dëshmitë

0

Gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurores speciale për të dëgjuar dëshminë e zyrtarëve policorë që i kishin intervistuar dëshmitarët e rastit të fajdeve në Prizren.

Prokurorja Merita Bina-Rugova e bëri këtë kërkesë me arsyetimin se dëshmitarët kanë ndryshuar dëshmitë e tyre nga frika e hakmarrjes nga të akuzuarit.

“Konsideroj se deklarimi i këtyre dëshmitarëve është i domosdoshëm për sqarimin e gjendjes faktike në këtë rast penal dhe për sqarimin e faktit se përse shumica e dëshmitarëve në tërësi i kanë ndërruar deklaratat të cilat i kanë dhënë më herët”, tha prokurorja speciale.

Prokurorja e bëri kërkesën pasi që në seancën e sotme gjyqësore në rastin e 14 të akuzuarve për fajde e vepra të tjera penale munguan sërish dëshmitarët e ftuar nga Gjykata.

Trupi gjykues njoftoi të pranishmit se për shumicën e dëshmitarëve ka marrë informacion se gjenden jashtë vendit.

Po ashtu, trupi gjykues mori vendim që të mos lexohen dëshmitë e dëshmitarëve të cilët nuk kanë dhënë dëshmitë e tyre para gjykatës.

I vetmi dëshmitar që prezantoi në Gjykatë ishte Avdi Zukaj. Ai para trupit gjykues deklaroi se e njeh vetëm të akuzuarin Gëzim Kqira, ndërsa tha se kishte pasur një herë një takim edhe me të akuzuarin Kastriot Kqira.

Dëshmitari Zukaj tha se të akuzuarit Gëzim Kqira i kishte shitur një parcelë, e cila më pas nuk kishte dal[ në rregull me dokumentacion dhe më pas Gëzimi i kishte kërkuar kthimin e të hollave.

Mirëpo, në këtë rast reagoi prokurorja duke i cituar dëshminë e tij të dhënë në procedurë hetimore.

“Isha në vështirësi financiare dhe e kam thirrë Gëzimin në telefon, i thash se jam keq për do pare dhe ai më tha a ke diçka që mundesh me lënë garancë, unë i thash e kam një pllac në Kolovicë, në Prishtinë, me tre ari, ai më tha ani mirë eja sonte me ma nënshkru te avokati e po t’i jepi 10 mijë euro”, lexoi prokurorja dëshminë e dëshmitarit dhënë në procedurën hetimore.

Pas këtij ballafaqimi dëshmitari e pranoi këtë pohim. “Po është e vërtetë kjo që kam deklaruar”, tha ai.

Në kontratën e nënshkruar te avokati në Pejë, prokurorja tha se dëshmitari ka deklaruar se parcela ka vlerën 30 mijë euro dhe kinse ka pranuar 12 mijë euro nga Gëzimi.

Këtë pohim dëshmitari e arsyetoi para Gjykatës duke deklaruar se nga i akuzuari Gëzim Kqira kishte marrë 12 mijë euro dhe jo 10 mijë siç kishte deklaruar më herët për t’i kthyer edhe 2,000 të tjera në formë të kamatës.

Ai tha se 2 mijë euro i kishte marrë nga Gëzimi paraprakisht për nevoja të shkollimit të fëmijëve mirëpo që nuk i kujtohej data kur i kishte marrë ato të holla dhe 10 mijë të tjera në këtë rast kur kishte lënë garancë parcelën e tij në Prishtinë.

Dëshmitari tha se paratë borxh ia kishte kërkuar vetëm Gëzimi dhe atë pa kurrfarë presioni, ndërsa tha se askush tjetër nuk e kishte thirrur për këtë punë.

Në ballafaqimin me dëshminë e tij, prokurorja i rikujtoi se kishte deklaruar se kishte pasur thirrje edhe nga Kastriot Kqira, gjë për të cilën dëshmitari në gjykatë tha se nuk i kujtohej.

Po ashtu, trupi gjykues refuzoi kërkesën e avokatit Azem Vllasi që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet babai i të akuzuarit Tunë Kqira, Gjergji, për të dëshmuar mbi mënyrën e fitimit të pasurisë së familjes Kqira.

Gjykata refuzoi edhe kërkesat për ndërprerjen e masës së paraburgimit për Marian e Kastriot Kqirën si dhe për Besfort Omajn e Benson Buzën dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj Tunë e Gjon Kqirës.

Në seancën e radhës do të dëgjohen ekspertët financiarë Riza Blakaj e Vehbi Imeri.

Sipas Prokurorisë Speciale, gjatë disa viteve të kaluara, të pandehurit Tunë, Kastriot, Gjon, Marjan, Gjekson e Gëzim Kqira dhe Benson Buza kanë vepruar si grup i organizuar kriminal më qëllim të përfitimit të drejtpërdrejtë të dobisë financiare, duke kryer vepra të rënda penale.

Sipas aktakuzës, Tunë Kqira i ka mbikëqyrur dhe i ka drejtuar veprimet e këtij grupi kriminal.

Grupi ka shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare ose papërvojën e të dëmtuarve dhe u ka dhënë para me fajde.

Pastaj, duke përdorur kërcënimet e rënda, i kanë detyruar të paguajnë kamata dukshëm joproporcionale ose të kryejnë ndonjë veprim tjetër në dëm të pasurisë së tyre. / KALLXO.com

NISMA, optimiste për suksesin e mocionit

0

Nisma për Kosovën mbetet optimiste se në ditët në vijim do të arrijë t’i mbledhë 40 nënshkrime të deputetëve për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Shefja e grupit parlamentar e Nismës, Valdete Bajrami, beson se këtë iniciativë do ta mbështesin edhe deputetët e pozitës.

“Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë deputetët, pavarësisht se të dy partnerët e koalicionit po bëjnë presione të ndryshme mbi deputetët e tyre për të mos e nënshkruar këtë mocion. Shpresoj se deputetët e pozitës, të cilët e kanë kundërshtuar këtë Qeveri, madje edhe ata që nuk e kanë votuar këtë Qeveri, do t’u qëndrojnë besnikë bindjeve të tyre për ndërrim të Qeverisë. Ne jemi këmbëngulës në iniciativën tonë dhe do të vazhdojmë deri në fund derisa t’ia arrijmë qëllimit për rrëzimin e kësaj Qeverie”, ka thënë Bajrami për gazetën “Epoka e re”.

Ajo ka treguar se tashmë i kanë mbledhur nënshkrimet e deputetëve të subjekteve politike opozitare dhe atyre të pavarur.

“Nënshkrimet e deputetëve të opozitës i kemi qysh në fillim të takimeve tona dhe këto dy ditët e fundit kemi pasur nënshkrime të deputetëve të pozitës, të deputetit të PDK-së, Nait Hasanit dhe të deputetit të pavarur, Gëzim Kelmendi. Ne vazhdimisht jemi në kontakt me deputetët të cilëve ua kërkojmë votën e tyre në momentin që do ta procedojmë më tutje. Prandaj, puna e mocionit është duke shkuar mirë dhe shpresojmë se brenda javës së ardhshme t’i japim kah drejt procedimit, në mënyrë që sa më parë ta mbajmë seancën e jashtëzakonshme dhe ta kemi votën pro të pozitës për rrëzim të kësaj Qeverie”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se edhe me deputetin Ilir Deda janë marrë veshë. “Z. Deda ka marrë miratimin e partisë së tij dhe shumë shpejt do ta takojmë edhe atë për ta marrë nënshkrimin. Ai edhe publikisht është deklaruar se e përkrah iniciativën e z. Limaj”, është shprehur Bajrami.

Madje, sipas shefes së grupit parlamentar të Nismës, rrëzimin e Qeverisë aktuale do ta lehtësojë edhe fakti se ky koalicion është i panatyrshëm.

“Po të ishte ky koalicion i mirëfilltë dhe po të ishte ndërtuar mbi bazën e interesave të qytetarëve as opozita nuk do ta kërkonte dorëheqjen e kësaj Qeverie. Por, dihet se ky koalicion është ndërtuar mbi pazare të PDK-së, të LDK-së dhe të të Listës Serbe, pazare këto që i kanë dëmtuar interesat e vendit dhe kanë shkelur Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë deputetja e Nismës.

Qeveria tashmë ka rënë

Shefja e grupit parlamentar e Nismës, Valdete Bajrami, ka thënë se Qeveria ka rënë me refuzimin që Brukseli i ka bërë kërkesës së kryeministrit për prolongim të demarkacionit me Malin e Zi. Sipas saj, opozita do të bëjë çfarë është e mundur për ta çuar vendin në zgjedhje të reja.

“Ky koalicion nuk po mund t’i përmbush më detyrat për të cilat është zotuar se do t’i kryej. Kjo u dëshmua me shkuarjen e z. Mustafa në Bruksel. Prandaj nuk e di se çka presin më PDK-ja dhe LDK-ja dhe pse akuzojnë opozitën për dështimet e tyre. Mendoj se është momenti që këto dy subjekte politike të japin llogari për të gjitha të këqijat që ua kanë bërë qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Nisma për Kosovën, së bashku me subjektet opozitare dhe deputetët e pozitës, do të insistojnë që sa më parë t’ua japin të drejtën qytetarëve për të vendosur për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ajo.

Bajrami ka vlerësuar se mocioni i mosbesimit do të jetë vetëm vulë formale për rrëzimin e kësaj Qeverie.

“Kjo Qeveri vetëm ka rënë të martën kur z. Mustafa dështoi ta shtyjë më tutje në Bruksel kërkesën e tij për prolongimin e demarkacionit, e cila ishte një përpjekje e tij qesharake, ngaqë para dy vjetëve ka shkuar në Bruksel për të kërkuar që demarkacioni të jetë kusht për viza, ndërsa tash kërkon prolongimin e tij. Ne mendojmë se kjo Qeveri ka rënë tashmë, por për t’ia dhënë vulën përfundimtare do ta dërgojmë mocionin në Kuvend dhe në një seancë të jashtëzakonshme deputetët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar pro rrëzimit të Qeverisë”, ka thënë deputetja e Nismës, Valdete Bajrami. / Epoka e re

‘Plas’ një tjetër tradhti brenda shtëpisë së Big Brother

0

Mendohej sa ato ishin çifte solidë por shikoni çfarë ndodhi këtë pasdite.

Xheni dhe Musa kërkojnë të bëjnë xheloze Donën dhe shtrihen së bashku në të njëjtin krevat.

“Sot kam për të përfunduar jashtë, do ngel pa krevat”, thotë Musa.

“Ky tjetri më ka harruar komplet. A i ndërrojmë çiftet?”, e pyet me shaka Xheni Musën.

Ndërkohë, Dona ishte në banjo dhe pasi ajo vjen. Musa thotë: Unë nuk di gjë dhe largohet nga Xheni, ndërsa kjo e fundit i thotë se ishte Musa ai që e thirri.

Dona futet në mes të dyve në krevat, ndërsa Xheni largohet menjëherë.

Vetëvendosje! aksion simbolik për punët jocilësore në Malishevë

0

Komuna e Malishevës po vazhdon me logjikën e njëjtë te qeverisjes se kaluar, duke realizuar projekte pa përfillur procedurat ligjore dhe pa respektuar standardet elementare dhe të domosdoshme para dhe gjatë kryerjes së punimeve në projekte të ndryshme infrastrukturore dhe urbanistike, vlerëson Lëvizja Vetëvendosje në Malishevë.

“Rast konkret i këtyre shkeljeve ligjore dhe procedurale nga ana e komunës, është fillimi i punimeve për rindërtimin e këndit të lojërave për fëmijë në “Sheshin e Dëshmorëve” në Malishevë. Por, ky nuk është rasti i vetëm sepse qytetarët po e shohin cilësinë e dobët të projekteve çdo ditë e më shumë dhe shumë prej tyre po shkatërrohen ende pa përfunduar”.

“Këto punime si shumë të tjera po realizohen pa asnjë debat publik me qytetarë e madje pa pasur as edhe një njoftim publik në ueb faqen zyrtare të komunës, as në tabelën e shpalljeve dhe as në media”.

“ Pra, kjo është mungesë e transparencës dhe e llogaridhënies nga ana e qeverisjes Begaj edhe pse ky ishte një nga premtimet kryesore të tij gjatë fushatës”.

“Në këtë mënyrë Komuna e Malishevës po merre vendime për projekte duke mos respektuar kështu asnjë normë ndërtimore dhe pa ndërmarr masat elementare dhe të domosdoshme për të siguruar hapësirën përreth vendit ku kryhen punimet”.

“Mungesa për ndërmarrjen e këtyre masave paraprake edhe në këtë projekt ashtu si edhe në projektet tjera, ka vënë në pah edhe njëherë mos profesionalizmin dhe ndërtimet shkel e shko që Komuna e Malishevës po vazhdon t’i bëjë”.

“Po ashtu, mungesa e vendosjes së një tabele informuese dhe mungesa e shenjave tjera sinjalizuese dhe mbrojtëse pranë vendit ku po zhvillohen punimet, tregon më së miri për mos kujdesin ndaj sigurisë së qytetarëve, mos profesionalizmin në realizimin e projekteve dhe jo transparencën ndaj parasë publike që Komuna e Malishevës vazhdon ta ketë”.

“Prandaj, nëpërmjet këtij aktiviteti simbolik, që ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë, sot po e realizojmë edhe njëherë po ja përkujtojmë Komunës së Malishevës, gjegjësisht kryetarit dhe drejtorëve të tij, disa nga parakushtet dhe standardet të cilat ata duhet t’i ndërmarrin gjatë realizimit të projekteve. Qëllimi ynë është që nëpërmjet këtij aktiviteti të vëmë në pah rrezikshmërinë dhe pasojat që mund të vijnë si pasojë e mungesës së respektimit të standardeve elementar gjatë realizimit të projekteve ndërtimore, si dhe papërgjegjshmërinë e komunës në realizimin e këtyre punimeve”.

“Po ashtu, të tregojmë se ne dimë të japim alternativë ashtu siç dimë të angazhohemi pareshtur për t’i dhënë zgjidhje problemeve dhe mangësive të qeverisjes aktuale. Përmes këtij aktiviteti ne po vendosim një tabelë pranë vendit ku kompania ndërtimore e kontraktuar nga komuna po vazhdon ti kryej punimet, në këtë tabelë informuese kemi listuar informatat lidhur me projektin që po realizohet, e që një praktikë e tillë do duhej të bëhej model i përhershëm në çdo rast në vendet ku realizohen punimet”/PrizrenPress.com/

Shehu shpërblehet në konkursin ndërkombëtar letrar

0

Poeti nga Kosova me famë botërore, Fahredin Shehu, është e shpërblyer në konkursin ndërkombëtar letrar të organizuar në Itali nga “VELIERO” Organizata Artistike për Letërsi dhe Kinema.

Kjo organizatë e ka ftuar poetin Shehu që nga 4 deri më 7 maj të vitit 2017 të jetë prezent në Itali. Poeti rahovecian në këtë konkurs ka konkurruar me poezinë

“Shirat dhe erërat e mia”, e cila është përkthyer nga Mario Rigli. Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet më 7 maj 2017 në “Grand Hotel BALESRIERI” (Torre Melissa).

Bellerin, objektivi numër një i Barcelonës

0

Sipas medieve në Spanjë, mbrojtësi Arsenalit, Hector Bellerin ka dalë si objektivi kryesor i transferimeve të Barcelonës për këtë afat të verës.

Të gjithë mediat spanjolle dhe evropiane janë njëzëri për të ardhmen e mbrojtësit spanjoll, Hector Bellerin.

Sipas gazetës Marca, 22-vjeçari spanjoll do të ketë përparësi si prioriteti numër një i Blaugranëve në tregun e transferimeve.

Edhe raportet e mëparshme në El Mundo Deportivo dhe Diario Sport thonë se ai mund të jetë i destinuar për të kaluar në Camp Nou, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshje gjashtë-vjeçare në fillim të sezonit me Arsenalin.

Katalanasit kanë mungesë në krahun e djathtë të mbrojtjes pas largimit të Dani Alves në Juventus së bashku me formën e dobët dhe lëndimin e Aleix Vidal, duke e lënë vetëm Sergi Roberto si alternativë të këtij krahu.

Bellerin u diplomua në akademinë La Masia të Barcelonës, përpara se të transferohej në skuadrën londineze në vitin 2011, ku ka bërë 102 ndeshje në katër sezonet në skuadrën e parë, duke shënuar tre gola.

Në raportet thuhet se Arsenali do të kërkojë 40 milionë euro për Bellerinin, ndërsa muajin e kaluar drejtori sportiv i Barcelonës, Robert Fernandez pranoi se çdo marrëveshje me të do të ishte e vështirë.

Betonizohet Prizreni

0

Prona publike në komunën e Prizrenit nuk është shfrytëzuar si duhet për të bërë sa më shumë hapësira gjelbëruese në Prizren. Kështu së paku mendojnë përfaqësues të shoqërisë civile, por edhe të opozitës. Ismet Kryeziu, drejtor i KDI-së, organizatë e shoqërisë civile, shprehet për “Kosova Sot” se Prizreni me disa qëndrime dhe propozime për pronën komunale, e cila ka qenë e shfrytëzuar nga operatorë ekonomikë, nuk e ka menaxhuar mirë atë pronë për të shndërruar në hapësira gjelbëruese, të cilat i mungojnë Prizrenit. Ai me këtë rast tha se një hapësirë gjelbëruese i duhet këtij qyteti tek lagjja “Bazhdarhanë”, që do të mund të shfrytëzohej edhe nga lagjja”Dardania”.

“Duke mos dashur të vlerësoj procedurat e zgjatjes së kontratave me operatorët ekonomikë, meqë për raste të caktuara ka të ngritura edhe hetime nga organet kompetente dhe duke parë gjendjen ekzistuese të këtyre pronave komunale, duke parë tendencat që këto prona komunale të kthehen në ndërtim dhe betonim, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kërkon që prona e tillë komunale t’u kthehet qytetarëve në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacion”, është shprehur ai,shkruan gazeta Kosova Sot.

Të ndalen tendencat e uzurpimit të hapësirave publike

Mungesa e hapësirave publike dhe uzurpimi i saj paraqesin ndër problemet me të theksuara për banorët e lagjeve të qytetit të Prizrenit.”Në qytetin e Prizrenit, brenda zonës së banimit, aktualisht ekziston vetëm një hapësirë gjelbëruese (park) me përmasa më të gjëra, që mund të cilësohet si hapësirë që i plotëson nevojat për rekreacion dhe shëtitje të qytetarëve. Jeta dinamike, mungesa e hapësirave rekreative brenda lagjeve të Prizrenit dhe mungesa e parqeve brenda zonave të banimit, shtojnë domosdoshmërinë që qasja në planifikimet urbane të ndryshojë. Planet rregulluese të dy lagjeve, të cilat tanimë janë kthyer në ndërtesa kolektive dhe të betonuara tej mase, janë pa hapësira gjelbëruese dhe rekreacioni.

Tanimë Prizreni dhe banorët e disa lagjeve, por edhe të gjithë qytetarëve mund të kenë hapësirën gjelbëruese (parkun). Kthimi i pronës komunale 85.93 ari dhe integrimi i parcelave të tjera përcjellëse të pronës komunale në hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni janë zgjidhja adekuate”, është shprehur Kryeziu. Sipas tij, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), duke parë si të nevojshme hapësirat gjelbëruese dhe rekreative për qytetarët e Prizrenit, rekomandon institucionet lokale që sa më parë të ndalojnë tendencat e uzurpimit të kësaj prone komunale dhe të ndërmarrin hapat e nevojshëm që kjo pjesë të mbetet si hapësirë gjelbëruese dhe rekreacioni (park) për qytetarët prizrenas dhe nëse është nevoja të fillohet edhe me ndryshimin e dy planeve rregullative ekzistuese.

Berisha: Ne kemi vendim që secili projekt inxhinierie të ketë hapësirat gjelbëruese

Me këto konstatime nuk pajtohet zëdhënësi i komunës së Prizrenit, Ymer Berisha:”Të thuash se Prizreni ka më së paku gjelbërim këtë nuk e beson askush, sepse fakti është i dukshëm. Ne kemi vendim që secili projekt inxhinierie të ketë hapësirat gjelbëruese. Kemi parkun e madh, kemi parqe brenda qytetit dhe kemi parqe në secilën lagje. Komuna e Prizrenit nuk ka marrë asnjë vendim deri më sot që të realizojë një projekt ku plani inxhinierik të mos ketë parësor problemin e gjelbërimit”, është shprehur ai. Shton se secili vizitor që vjen në Prizren këtë mund ta vërtetojnë edhe shoqëria civile dhe opozita”, është shprehur ai për “Kosova Sot”.

Berisha pohon ne nuk e dimë se cila ka qenë formula që ata e kanë llogaritur për hapësirat gjelbëruese. Ai përmend edhe parkun e qytetit, pastaj kompleksin “Marash”, kompleksin “Andrra”, e sa e sa parqe që i ka Prizreni.

“Jemi komuna e vetme që ndajmë mjete të konsideruara për gjelbërim dhe për drurë dekorativë”, theksoi ai. Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, pohon se LDK-ja, duke marrë parasysh nevojën e madhe të qytetarëve të Prizrenit për hapësira të gjelbra dhe parqe, del në përkrahje të iniciativës së shoqërisë civile për më shumë hapësira të gjelbra edhe brenda lagjeve të banuara. Avdyli tha se Dega e LDK-së në Prizren do të përkrahë mundësinë për hapësira publike të gjelbëruara.

(Kosova Sot)

Dy ushtarë amerikanë vriten në një sulm të ISIS-it në Afganistan

0

Dy amerikanë janë vrarë në një sulm në Afganistan kundër militantëve të grupit të Shtetit Islamik, konfirmoi Pentagoni.

‘Personeli ushtarak vdiq në luftime në provincën Nangahar’, tha një zyrtar i mbrojtjes në SHBA.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ende nuk janë bërë të ditur detajet e tjera rreth këtij sulmi.