Rasti i një grabitjeje shumë të rëndë që kohë më parë ndodhi në fshatin Damjan të komunës së Gjakovës, që është pjesë e trevës së Hasit të Thatë, me ç’rast, siç u tha në raportin policor, në një shtëpi ishin vjedhur rreth 130 mijë euro të holla kesh dhe stoli në vlerë prej rreth 30 mijë eurove, edhe një herë e ka aktualizuar nivelin e sigurisë së qytetarëve të komunës së Gjakovës, e në veçanti të atyre që jetojnë në zonat rurale. Përfaqësuesit e fshatrave në institucionet komunale shumë herë deri më tash janë ankuar se janë në hall të madh me hajnat, të cilët gjithnjë e më shpesh plaçkitin shtëpitë, ndërsa më të rrezikuarat janë shtëpitë e mërgimtarëve që, për shkak se pronarët e tyre jetojnë dhe veprojnë në diasporë, kanë ngelur të zbrazëta. Shih për këtë disa herë është kërkuar që patrullimet e policisë nëpër zonat rurale të jenë sa më të shpeshta, ndërsa ka edhe raste që është kërkuar që në disa fshatra të formohen nënstacionet e policisë, të cilat mendohet se do ta shtonin nivelin e sigurisë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Mungesa e nënstacionit të policisë thuajse po i stimulon hajnat
Një kërkesë e tillë ka ardhur edhe nga treva e Hasit të Thatë, respektivisht nga qendra e kësaj treve, fshati Rogovë. Kjo kërkesë është përsëritur nga disa zyrtarë të këtij fshati, por gjithsesi se më së shpeshti është potencuar nga Ilhami Shala, këshilltar komunal që vjen nga ky fshat. “Rogova, si fshat i madh, ka shumë nevojë të ketë një nënstacion të policisë, gjë që e kemi kërkuar shumë herë, por gjithnjë na është thënë se mungon kuadri i mjaftueshëm. Mungesa e një stacioni të tillë, si duket po e stimulon dukurinë e thyerjes dhe plaçkitjes së shtëpive në fshatin tonë, në shumicën e rasteve të shtëpive të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë e punojnë në Perëndim. Fjala vjen, për vetëm rreth dy muaj, kemi pasur më shumë se 20 raste të plaçkitjeve të tilla”, ka thënë Shala. Se hasjanët e Rogovës vërtet nuk ndihen të sigurt e pohon edhe banori i kësaj treve, Valmir Gashi, i cili, siç thotë, është i brengosur për sigurinë e familjeve të kësaj treve.”Vërtet ndihemi shumë të rrezikuar edhe në familjet tona edhe në shtëpitë tona. Kjo është pasojë e shumë rasteve të grabitjeve që kanë ndodhur nëpër shtëpitë e këtij dhe fshatrave përreth. Duhet thënë se posaçërisht janë të rrezikuara shtëpitë ku nuk banojnë njerëz, respektivisht pronarët e të cilave jetojnë në kurbet dhe shtëpitë i kanë lënë të zbrazëta”, ka thënë Valmiri.
Pak shpresa për jetësimin e kërkesës së hasjanëve!
I nxitur nga kjo situatë dhe nga kërkesat e vazhdueshme të hasjanëve, Islam Gashi, kryetar i Këshillit Lokal të fshatit Rogovë, thotë se si struktura të fshatit nuk kanë qëndruar duarkryq. “Hasjanët janë të bindur se ky problem më së miri do të zgjidhej me krijimin e një nënstacioni të policisë në këtë fshat. Në takimet që kemi pasur me strukturat komunale dhe ato të policisë, kemi bë kërkesa që të gjendet mënyra që të ndalet kjo hajni që po shkakton kaq shumë shqetësim dhe frikë tek hasjanët. I jemi drejtuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës me kërkesën për ta hapur një nënstacion policor në fshatin tonë, aq më parë kur një nënstacion i tillë në Rogovë ka funksionuar edhe para luftës së fundit.
Një nënstacion i policisë jemi të bindur se do të përmirësonte situatën jo vetëm në Rogovë, por edhe në tërë trevën e Hasit, sepse edhe në viset e tjera të Hasit ka probleme të kësaj natyre”, ka thënë Gashi. Mirëpo, si duket, kërkesa e hasjanëve për një nënstacion policor në fshatin Rogovë ka pak gjasa të përmbushet shpejt. Këtë e thotë edhe Ahmet Hasi, drejtor i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë. “Aktualisht rajoni i Gjakovës ka vetëm një nënstacion policor, në Ponoshec. Nuk kemi pasur mundësi buxhetore për nënstacione të tjera, por njëkohësisht edhe kemi vlerësuar se nuk është interesi që në të gjitha këto treva të hapim nënstacione të tilla. Tash janë krijuar rrethana të reja dhe PK është e pajisur me mjetet më moderne që e shtojnë shumë mundësinë e intervenimit nga stacioni bazë, në cilindo prej fshatrave”, ka thënë Hasi.