21.2 C
Prizren
E martë, 15 Korrik, 2025
Home Blog Page 5754

Ethet e Speciales afrojnë datën e zgjedhjeve

0

F unksionimi i brishtë i koalicionit PDK- LDK, sidomos në këta muajt e fundit, dhe fillimi i përplasjeve të hapura brenda Qeverisë për buxhetin, shto edhe disa zëra deputetësh nga PDKja, që po kërkojnë ndërprerjen e mandatit dhe zgjedhje të parakohshme, sipas analistëve politikë paralajmëron zgjedhje të reja në pranverën e vitit 2017. Në Lidhjen Demokratike, edhe pse nuk preferojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja pa e përfunduar mandatin e plotë dhe pa i realizuar disa pika të programit qeveritar, edhe opsionin e zgjedhjeve të parakohshme e pranojnë, nëse imponohet me marrëveshje politike.

“Ndërsa sa u takon disa zërave dhe deklaratave që po dalin tani për zgjedhje të reja, më habit pak apo shumë motivi i kësaj kërkese, sepse kjo ose është revoltë, ose janë interesa të ngushta”, tha Sadri Ferati nga LDK-ja. Sipas tij, vazhdimi i punës së Qeverisë, tejkalimi i këtyre pengesave dhe kthimi i punës në temat për të cilat janë më së shumti qytetarët e Kosovë, zhvillimi ekonomik, rritja e punësimit, integrimet, liberalizimi i vizave, do të ishte dashur të jenë interesi i përgjithshëm për të gjitha subjektet politike, para interesit për zgjedhje të parakohshme. Ai mohoi se kjo parti po “fërkon” duart nga dëmi që Gjykata Speciale mund t’ia shkaktojë PDK-së, shkruan gazeta Kosova Sot.

Përfundimi i mandatit, mision i pamundur

Pavarësisht reagimit të matur në LDK, analistët politikë nuk shohin vazhdim stabil të qeverisjes përtej pranverës së vitit që vjen. Analisti politik, Islam Krasniqi nuk sheh vazhdim të mbijetesës së koalicionit përtej pranverës së vitit vijues 2017, e sheh fituese të situatës LDK-në dhe krejtësisht të katandisur dhe humbësen më të madhe nga Gjykata Speciale, PDK-në. “Zgjedhjet qendrore po priten të mbahen në pranverë, ku LDK-ja po e sheh si të përshtatshme këtë kohe, sepse atëherë fillon edhe aksioni i Gjykatës Speciale ndaj deputetëve të PDK-së, duke ia dobësuar pushtetin dhe duke ia humbur fuqinë, që në zgjedhje të jetë e copëtuar, e përçarë. LDK-ja ka marrë mësim nga PDK-ja, që partitë e koalicionit t’i djegë, ketë gjë po mundohet t’ia kthejë PDK-së bash duke e goditur në plagën e hapur, që nê zgjedhje të jetë e shkatërruar tërësisht. Afati i fundit i zgjedhjeve pritet të jetë pranvera, ku edhe LDK-ja do të përgatitur deri atëherë, sepse edhe tani ka filluar të japë edhe një sinjal qe po vjen era zgjedhje”, tha analisti Krasniqi për “Kosova Sot”.

Sipas politologut Arsim Haziri, vetë deklarimi ì disa deputetëve është dëshmia më e mirë se vendi qysh në pranverën e hershme do t’i nënshtrohet një verifikimi elektoral. “Në vazhdën e kësaj fryme shkon edhe pamundësia parlamentare për t’i dhënë legjitimitet edhe çështjes së Demarkacionit, që njëherësh ka qenë kërkesë evropiane, nëse Kosova ka synim zonën Schengen”, ka thënë ai. “Aktualisht, janë të gjitha dëshmitë se ky koalicion vështirë ka për të përfunduar mandatin e plotë, përpos fillesat që ishin të imponueshme dhe jo të natyrshme, ajo pengesë ose defekt është pasuar edhe në momentet e sotshme, duke bërë që gjendja e brendshme me gjithë deklarimet të jetë e vështirë.”, u shpreh më tej ai. “Pranvera e hershme përfaqëson kohën ideale drejt një riverifikimi elektoral, kjo me sa shihet e kuptohet shkon edhe në interes të vetë subjekteve politike, duke ndëshkuar kështu dy subjektet pozitare”, tha Arsim Haziri.

Thaçit i përzihen kompetencat, sillet si ‘shef’ i PDK-së

0

Presidenti, Hashim Thaçi, para pak ditësh mori pjesë në një takim me mësimdhënësit e komunës së Kaçanikut, por edhe me disa militantë të Malishevës. Ai gjatë këtij takimi u premtoi mësimdhënësve se nëse vjen vendimi për rritje pagash, ai do ta përkrahë. Analistët politikë dhe opozita këto takime të Thaçit i konsiderojnë antikushtetuese. Sipas tyre, Thaçi akoma po sillet si “shefi” i PDK-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po vazhdon të frymojë si kryeministër i vendit dhe lider partie duke u takuar me mësimdhënës e militantë partiakë të PDK-së, partisë që e drejtoi zyrtarisht 16 vjet.

Ai madje nuk po heziton t’u premtojë rritje pagash e “beneficione” të tjera mësimdhënësve, kryesisht në vendet ku ka më shumë mbështetje.

Por, pjesëmarrja e tij nëpër takime me mësimdhënësit e anëtarët e PDK-së shihet si një veprim jo i duhur dhe antikushtetues nga opozita, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Madje edhe shoqëria civile dhe politologët kosovarë kanë vërejtje në mënyrën sesi po sillet Thaçi si president.

Madje disa po vlerësojnë se Thaçit po i përzihen kompetencat, pasi për 16 vjet është thirrur si “Shefi i Madh”.

Analistët politikë vlerësojnë se presidenti, Hashim Thaçi, mbetet një figurë jounifikuese për qytetarët e Kosovës.

Sipas tyre, Thaçi paraqitet me deklarata që e cenojnë nenin e Kushtetutës, i cili e sanksionon rolin e presidentit si figurë politike unifikuese karshi interesave të qytetarëve./zeri/

Burri i Vitit

0

Është konceptuar si një ceremoni që u dedikohet femrave, por këtë herë “Glamour Woman of the Year” ka bërë një përjashtim, duke zgjedhur jo gruan, por burrin e vitit.

Duke thyer traditën 36-vjeçare, revista nderoi me çmimin e përvitshëm yllin irlandez të rokut, Bono Vox, i cili siç tha kishte punuar përgjatë gjithë jetës për të drejtat e grave dhe vajzave në botë.

“Ne jemi krenar ta shpallim atë si njeriun tonë të vitit”, thuhet në ëebsajtin e revistës.

Vokalisti i grupit U2, krijoi në 2015-n, fushatën e quajtur “Varfëria është seksiste”, që synon të ndihmojë gratë më të varfra të “otes” të kenë qasje më të mirë ndaj arsimit, shërbimeve shëndetësore dhe mundësive të biznesit.

Bono falenderoi revistën “Glamour” për çmimin dhe tha se beteja për barazi gjinore nuk mund të fitohet nëse ajo nuk drejtohet bashkërisht, nga gratë e burrat. Mbrëmja gala nderon ata që jo vetëm bëjnë diferencën në stil, por edhe në politikë, biznes dhe aktivizëm.

Mes atyre që u vlerësuan me çmim ishin stilistja Miuccia Prada, këngëtarja Guen Stefani, themelueset e fushatës “Jetët e personave me ngjyrë vlejnë”, etj. Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, u vlerësua për arritjet gjatë karrierës.

“E di që i frymëzoj gratë pasi ato më ndalojnë nëpër rrugë dhe më thonë që duan të bëjnë të njëjtën gjë. Më thonë se kanë nevojë për shembuj për t’u ndjekur, për besim në të ardhmen e për njerëz që pavarësisht goditjeve vazhdojnë të qëndrojnë në këmbë e të buzëqeshin”.

Në ceremoni ishin të pranishme edhe këngëtarja Leona Lewis, aktorja Amber Heard dhe modelja britanike Cara Delevingne.

Letra e Cohen për muzën e tij

0

Leonard Cohen, i cili javën e kaluar vdiq, në korrik të këtij viti i kishte shkruar një letër të fundit, shumë prekëse, muzës, dashurisë dhe mikeshës së tij, Marianne Ihlen, sapo dëgjoi që ajo po vdiste.

“Ne jemi vërtet kaq të moshuar dhe trupat tanë po shpërbëhen, dhe mendoj se do të vij shumë shpejt te ti”, kishte shkruar ai.

Cohen e takoi Ihlenin në ishullin grek të Hydras në vitet 1960, dhe ndonëse ai do të kishte marrëdhënie të tjera, të cilat do i sillnin fëmijë e nipër e mbesa, ajo mbeti në zemrën e tij.

Shoku i ngushtë i Ihlen, Jan Chrstian Mollestad, kujtonte se pasi kontaktoi me Cohen “u deshën vetëm dy orë, dhe u krijua kjo letër e mrekullueshme nga Leonard, për Marianne”.

“Ne ia sollëm të nesërmen, dhe ajo ishte krejt e vetëdijshme, dhe kaq e lumtur që ai kishte shkruar këtë letër për të”.

Duke folur për detajet e letrës, ai i tha stacionit radiofonik kanadez, CBC:

“Në të thuhej: “Epo, Marianne, ka ardhur një kohë kur ne jemi vërtetë shumë të plakur dhe trupat po na shpërbëhen, dhe unë mendoj se do të ndjek pas shumë shpejt. Ta dish që jam kaq pranë pas teje, saqë po të zgjasësh dorën, do të më kapësh. Dhe ta dish që të kam dashur gjithmonë, për bukurinë dhe urtësinë tënde, por nuk ka nevojë të them më shumë për këtë gjë, pasi ti tashmë di shumë për të. Por tani, dua vetëm të të uroj një udhëtim shumë të mbarë. Mirupafshim mike e vjetër. Dashuri pa fund, shihemi rrugës”.

Mollestad tha se kur lexoi rreshtin “të zgjasësh dorën”, Ihlen me të vërtetë zgjat dorën.

“Vetëm dy ditë më vonë, ajo humbi vetëdijen, dhe rrëshkiti drejt vdekjes”, shtoi Mollestad.

“I shkruajta më pas Leonard Cohen, duke i thënë se në momentet e saj të fundit, unë i pëshpërita “Zogu në tel”, sepse ajo ishte kënga që ajo ndiente më pranë. Dhe më pas e putha në dorë dhe dola nga dhoma, dhe i thashë: “Lamtumirë, Marianne”.

“Lamtumirë Marianne” ishte emri i një kënge të vitit 1967, që Cohen kishte shkruar për të.

Mbulesa i nxjerr probleme mësimdhënëses në Malishevë

0

Është salla e arsimtarëve, por asnjë prej tyre nuk gjendet në tubim.

Janë prindërit e nxënësve të shkollës fillore “Visar Krasniqi” në Drenoc të Malishevës, që diskutuan për një hall që e kanë me mësimdhënësen e matematikës në këtë institucion arsimor, njofton Klan Kosova.

Për ta po del të jetë problem mbulesa e arsimtares Fatmire Bujupi, dhe frika se ajo do mbajë ligjërata për fe në orën e mësimit. Në këtë situatë, e cila dikë po e bënë me lot, fëmijët ka dy ditë që nuk vijnë në shkollë.

Bile njëri prej tyre tregon edhe se çfarë i tha mbesa e tij kur e ka parë arsimtaren për herë të parë.

Vetë Arsimtarja, Fatmire Bujupi , po thotë se po i bëhet e padrejtë nga nxënësit e prindërit, pasi ajo ligjëron lëndën e saj si të tjerë mësimdhënës. Kjo pretendon se është qëllimi që të sjellet një mësues tjetër këtu, e jo puna e shamisë.

Mehmedali Gashi: Çdo i dhjeti vuan nga sheqeri në gjak

0

Dikur numri i atyre që ishin të prekur nga diabeti, apo si njihet në popull sheqeri në gjak, ishte mjaft i vogël, derisa tani kjo sëmundje ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Sipas autoriteteve shëndetësore në Prizren, numri i të prekurve shkon në 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, aq sa është shkalla e të prekurve edhe në vendet e tjera. Përndryshe, kjo sëmundje ka një kosto tejet të lartë, që rëndon shtetet e varfra si Kosova.

Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, pohon se të sëmurit me diabet në Prizren trajtohen dhe furnizohen mirë me barëra të nevojshme.

“Insulina vjen nga ministria dhe ka pasur furnizim të mirë këtë vit”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Ashtu, si edhe në rastet e sëmundjeve të tjera, edhe në këtë rast ka rëndësi identifikimi i hershëm i sëmundjes. Për këtë qëllim, institucionet shëndetësore organizojnë shpesh edhe teste falas për qytetarët. Një fushatë e tillë është ndërmarrë ditët e fundit edhe në Prizren. Qytetari Izet Xhaferi pohon se ky organizim ndihmon sidomos pleqtë.

Shërbime falas për qytetarët

Mehmedali Gashi, drejtor i QKMF-së në Prizren, shprehet se kjo sëmundje është kthyer në pandemi botërore. Por, autoritetet lokale shëndetësore në vendin tonë ende nuk e kanë një shifër të saktë të prekurve me diabet.

“Ne nuk kemi shifra të sakta, por supozohet se në komunën e Prizrenit janë 10 për qind e qytetarëve të sëmurë nga kjo sëmundje”, ka thënë Gashi. Ndryshe, 14 nëntori është Dita Botërore e Diabetit, prandaj ky institucion shëndetësor ka ofruar shërbime falas në qendër të qytetit, ku me këtë rast qindra qytetarë kanë bërë matjen e sheqerit në gjak dhe kanë marrë shërbime tjera shëndetësore.

Shpresa Goçaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, pohon se diabeti është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve sheqernave, yndyrave dhe proteinave. “Ky çrregullim apo më mirë të themi kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë, ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë”, shprehet Goçaj.

Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme, ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak. “Nga kjo sëmundje janë të sëmurë rreth 10 për qind e popullatës së botës, kurse për shërimin e kësaj sëmundje harxhohet 12 për qind e buxhetit botëror dhe është sëmundje që shkakton vdekjen e një personi në çdo 6 sekonda në botë. Kurse edhe në Kosovë janë të sëmurë afërsisht 10 për qind e popullatës”, thotë Goçaj.

Sëmundje që kërkon një regjim të rreptë

Qytetari Izet Xhaferi shprehet se duhet të ketë më shumë organizime të tilla falas për qytetarët. “Njerëzit duhet të kontrollohen. Unë e kam pasur 5 e sot e kisha 9 nivelin. Unë sheqerin e mati ma shpesh. Kurse për ne ky aktivitet është i mirëseardhur”, potencoi Xhaferi.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne e marrim me ushqimet e ndryshme. Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme (simptoma) si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet.
Almir Gashi është 32-vjeçar dhe është diagnostikuar me diabet dhe përdor insulinë. Sipas tij, këtë vit furnizimi me insulinë në Prizren ka qenë i mirë.“Kjo edhe na ka lehtësuar pak a shumë sëmundjen tonë. Kjo sëmundje ndryshe quhet edhe sëmundje e zotërisë, por nëse nuk i rri gati është sëmundje shumë e vështirë dhe e rëndë”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo sëmundje definitvisht kërkon në lloj regjimi të jetës.

(Kosova Sot)

Protestojnë pronarët e tokave në Vlashnjë

0

Të martën kanë filluar punimet në hapjen e një kanali dhe matjet në vendin ku është paraparë ndërtimi i impiantit të ujërave të zeza në Vlashnje. Por, një pjesë e madhe e pronarëve të tokave kanë kundërshtuar një gjë të tillë, duke thënë se janë të pakënaqur më vlerën e shpronësimit të pronave të tyre, dhe se kjo çështje tashmë është në kontest gjyqësor. Pronarët e tokave ku është paraparë ndërtimi i impiantit të martën janë tubuar sërish për të kundërshtuar fillimin e punimeve në afërsi të Autostradës.

Në vendngjarje përveç punëtorëve të kompanisë së kontraktuar për realizimin e punimeve ndodheshin edhe zyrtarë të komunës së Prizrenit, ata nga KRU “ Hidroregjioni jugor” si dhe forca të policisë. Në emër të banorëve të pakënaqur, ka folur Pelivan Hoxhaj, i cili tha se këto punime po fillojnë dhunshëm, sepse rasti tashmë është dërguar në organet e drejtësisë por se deri më tani nuk është shqyrtuar në asnjë seancë, theksoi ai, duke vijuar se ata do të ankohen nëse është nevoja edhe në Gjykatën e Strasburgut. Në vendngjarje gjithashtu ndodhej edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Lokale të Zhurit, Behar Begaj, i cili në mes tjerash tha se ky shqetësim i pronarëve të tokave mund të rishqyrtohet edhe një herë nga komisioni për shpronësim ose Gjykata të jep zgjidhjen e duhur për t’iu shmangur problemeve të mundshme, ndërsa projektin e vlerësoi të rëndësishëm për tërë komunën e Prizrenit.

Në anën tjetër, zyrtari komunal për informimYmer Berisha , tha se kjo çështje ka marrë epilog pas vlerësimit që ka dhënë komisioni për shpronësim nga ministria e Mjedisit, dhe shqetësimet e pronarëve kanë adresë vetëm në Gjykatë, theksoi ai. Ndërkaq, avokati i angazhuar nga pronarët e tokave , Esat Gutaj, na tha përmes telefonit se “ Unë si përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar ose pronarëve që janë shpronësuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit, kam bërë padi në Gjykatën Themelore në Prizren për rritje të vlerës së çmimit të tregut sepse mendojmë se kompensimi është bërë në bazë joligjore me vlera më të vogla. Sa i përket punimeve i kisha lutur banorët të mos bëjnë pengesa sepse edhe këto punime janë interes i përgjithshëm, dhe se ne duhet ti kërkojmë të drejtat tona vetëm përmes rrugëve ligjore. Gjykata gjithsesi do të vendos në bazë të ligjit, dhe se për një gjë të tillë do të vndosin ekspertë të lëmisë përkatëse”, theksoi avokati Gutaj./TV Prizreni/

Sylë Hoxha: Në fund të javës rezultatet e autopsisë së Deharit

0

Kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha tha për KALLXO.com se deri në fund të javës pritet të dalin rezultatet e autopsisë për Astrit Deharin.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit Sylë Hoxha, pret që rezultatet e autopsisë që do të tregojnë shkaqet e vdekjes së Astrit Deharit të dalin deri në fund të javës.

“Po i presim rezultatet e autopsisë dhe ekspertizat e dërguara në laboratorin e forenzikës. Pritet që deri në fund të javës të dalim me rezultate preliminare,” tha Hoxha për KALLXO.com.

Hoxha tregoi gjithashtu që “jemi shumë afër në lidhje me mbledhjen e provave dhe fakteve tjera në lidhje me këtë rast”.

Astrit Dehari, aktivist i “Vetëvendosjes” vdiq të shtunën e kaluar më 5 nëntor në rrethana ende të pasqaruara, ndërsa autopsia e tij u krye dy ditë më pas.

Ai po mbahej i paraburgosur nën dyshimin për sulmin me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht.

Sylë Hoxha, vdekjen e tij e cilësoi të dyshimtë, ditën kur ajo ndodhi.

Prizren: I mituri vjedh stoli ari, arrestohet nga policia

0

Policia e Prizrenit ka arrestuar një të mitur, mashkull, shqiptar, mbi dyshimet se i njëjti ka kryer vjedhje të rëndë në shtëpinë e një personi tjetër.

Sipas raportimeve, tashmë i arrestuari ka vjedhur stoli ari, vlera e të cilave nuk është shifruar.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari i mitur, është dërguar në mbajtje.

Gjendet një bombë dore në Prizren

0

Mëngjesin e ditës së hënë në një objekt të vjetër banesor, në rrugën “De Rada” në Prizren është raportuar për një mjet shpërthyes.

Sipas raportit të policisë, një person përderisa ishte duke punuar në objektin e lartpërmendur ka hasur në një mjet që dyshohet të jetë bombë dore.

Njësiti policor ka siguruar vendin e ngjarjes ndërsa njësiti për deminim i FSK-së ka bërë tërheqjen e mjetit të dyshuar në mënyrë të sigurt, thuhet në raportin e policisë.