19.4 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025
Home Blog Page 5760

Një miliard euro në vit nga diaspora në Kosovë

0

Remitancat nga diaspora që marrin qytetarët e vendeve të rajonit luajnë një rol të rëndësishëm në gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve.

Në disa familje remitancat janë burimi i vetëm i të ardhurave të tyre dhe ndikojnë dukshëm në standardin e jetesës, ndërsa pa këto të ardhura për disa familje do të ishte shumë më vështirë se sa tani.

Sipas të dhënave të marra nga (AA), Kosova është vendi i cili fiton më shumë remitanca nga mërgimtarët e diasporës, me një shumë prej 700 milion euro në vit, pastaj vijon Shqipëria me mbi 500 milion euro dhe Maqedonia me të paktën 400 milion dollarë. Këto informacione tregojnë se qytetarët të ardhurat nga diaspora, kryesisht i përdorin për nevojat themelore për jetesë.

Edhe pse duket se deri më tani është vështirë që këto të ardhura të përdoren për diçka tjetër, analistët e ekonomisë rekomandojnë se fondet nga remitancat mund të përdoren për fillimin e programeve për mikro-ndërmarrjet apo përdorimin e tyre për ndonjë program për punësim ose vetëpunësim.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Diasporës, Kushtrim Sheremeti, për AA bëri të ditur se diaspora e përbën fuqinë më të madhe ekonomike të Kosovës. Ai duke vënë në dukje se të ardhurat nga diaspora janë rreth 700 milion euro në vit, theksoi se, “Një prej të hyrave kryesore që shteti i Kosovës merr janë remitancat nga diaspora që jetojnë gjithandej botës.”

Ai shtoi se këto shuma janë sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Kosovës dhe nënvizoi se një shumë tjetër e madhe vjen në mënyra jo formale tek familjarët e diasporës, të cilat nuk i monitoron Banka Qendrore.

“Gati secila familje kosovare pranon remitanca nga diaspora. Nëse llogariten edhe këto mund të themi që të ardhurat nga diaspora për një vit janë rreth 1 miliardë euro”, tha Sheremeti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se përveç remitancave, diaspora kontribuon edhe nëpërmjet asaj që quhen investime të huaja direkte. “Një pjesë e madhe e këtyre investimeve janë investime pikërisht të diasporës sonë, por trajtohen si investime të huaja për shkak se pjesëtarët e diasporës tonë janë njëkohësisht edhe shtetas të huaj”, tha ai.

Sa i përket shfrytëzimit të këtyre remitancave, Sheremeti theksoi se ekzistojnë disa programe, nëpërmjet të cilave që nga viti i ardhshëm këto të ardhura do të kanalizohen në zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e bujqësisë dhe në atë të teknologjisë informative.

(Kosova Sot)

PDK-ja shpërbleu kompanitë donatore në vlera qindra-milionëshe

0

Transparenca e partive politike në fushën e financave të tyre, veç- mas pjesa e donacioneve që ato marrin sidomos gjatë fushatave zgjedhore, vazhdon të jetë pjesa më e errët e funksionit të tyre dhe pa informacione në raport me qytetarin. KQZ-ja e ka bërë publike për herë të fundit në vitin 2011 një dosje të informimit publik, që ka të bëjë me financat e partive politike, listën e donatorëve në zgjedhje, por që nga ajo kohë, pas ndryshimit të Ligjit për financimin e partive politike, ky institucion vazhdon të mbetet krejtësisht i mbyllur sa i takon publikimit të këtyre të dhënave. Kjo fshehje e këtyre të dhënave konsiderohet nga analistët politikë dhe njohësit e tjerë të kësaj fushe si një mungesë joserioze e transparencës, që bën për të dyshuar se partitë në pushtet abuzojnë rëndë me buxhetin e shtetit pas përfundimit të zgjedhjeve, duke shpërblyer me tenderë të shtrenjtë, në shuma marramendëse, qindra milionëshe bizneset që kanë financuar paraprakisht fushatat e tyre zgjedhore. Abuzuesi më i madh për vite të tëra dyshohet të ketë qenë dhe të mbetet PDK-ja, subjekt politik, i cili ka hezituar të japë çfarëdo informacioni lidhur me listën e donatorëve edhe në insistimin më të ri të gazetës.

Shpërblimi korruptiv Sipas dosjes së informimit publik të KQZ-së të vitit 2011, si dhe organizatës për antikorrupsion “Çohu” dhe rrjetit të gazetarëve hulumtues të Kosovës PREPORTR, të publikuar para një viti, konstatohet se falë lidhjeve të politikës me biznesin, këmbimit të ndërsjellë të të mirave materiale, mbështetjes financiare me donacione nga bizneset për partitë politike, dhe favoret që u bëhen atyre nga politika pas përfundimit të zgjedhjeve, del se një shifër prej rreth 220 milionë euro i kanë përfituar financuesit e partive politike nga tenderët publikë përgjatë një periudhe të monitoruar kohore mes zgjedhjeve, që përfshin periudhën gusht 2007 – maj 2014. Në këtë raport del se PDK-ja gjatë viteve 2009-2012 ka marrë nga bizneset gjoja vetëm 333 mijë e 460 euro, të deklaruara, e kushedi sa të tjera kanë përfunduar në xhepat e “shefave”, të cilat kanë përfituar në tenderë në vlerën e 162 milionë eurove. Tani nga njohësit e funksionimit të këtij sistemi konsiderohet se pikërisht kjo është mënyra e shpërblimit korruptiv, që kompanitë që financojnë partitë gjatë fushatës zgjedhore, janë ato që gjatë qeverisjes së atij subjekti politik përfitojnë benefitet në të gjitha mënyrat e mundshme, derisaAgjencia Kundër Korrupsionit dhe Prokuroria e Shtetit asnjëherë nuk janë marrë me trajtimin e një fenomeni të tillë të lidhjeve kriminale mes politikës dhe rrjetit të bizneseve.

Hulumtimi i organizatës për antikorrupsion “Çohu” tregon se financuesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), që për shtatë vite drejtoi Qeverinë e Kosovës, janë në krye të listës së përfituesve nga tenderët publikë. Në total, specifikohet se financuesit e PDK-së kanë përfituar mbi 160 milionë euro nga tenderët, saktë- sisht nga partia në pushtet PDK, për mbështetjen financiare që kanë dhënë donatorët gjatë fushatave zgjedhore. Ky hulumtim, kur u referohet prokurimeve publike, nxjerr të dhëna, sipas të cilave miliona të buxhetit të shpërndarë nga partia e ishkryeministrit Thaçi, tani president i vendit, thotë se për kompanitë që atij ia zgjatën dorën gjatë fushatave zgjedhore shkojnë në rreth 100 milionë, si këmbim për donacionet në shumën prej 280 mijë euro. “Nga dokumentet zyrtare ky hulumtim ka gjetur se 43 subjekte të ndryshme, kryesisht kompani ndërtimore si biznese dhe persona fizikë financuan Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), në dy fushatat e fundit elektorale kanë përfituar rreth 100 milionë euro nga tenderët publikë.

Sipas Raportit të auditimit të financave të partive për fushatën e vitit 2009 dhe atij për fushatën e vitit 2010, shuma e donacioneve që këto 43 subjekte dhanë për PDK-në është pak më shumë se 280 mijë euro. Për 11 nga to u shkel edhe ligji dhe u dëmtua buxheti për t’i shpërblyer. Kjo i bie që kompanitë kanë rritur të ardhurat e tyre nga pushteti për mbi 350 herë në krahasim me atë që i dhanë donacion partisë në pushtet”, thuhet në këtë raport.

Raporti në fjalë konstaton se këtu flitet vetëm për kompanitë, për të cilat ka mbështetje me dokumente zyrtare se janë të përfshira në financimin e partisë në pushtet, por duhet pasur parasysh se një numër i madh i tenderëve publikë u jepet kompanive që janë të afërta me PDKnë, por se nuk kanë ndonjë bashkëpronësi formale, apo nuk dalin as si financues të partive politike. Sipas këtij raporti të organizatës për antikorrupsion “Çohu” dhe rrjetit të gazetarëve hulumtues të Kosovës PREPORTR , “Al-Trade”, pronë e Bajram Gashanit, është një kompani shumë e pranishme në tenderët publikë, pronari i së cilës është me origjinë nga bastioni i PDK-së, Drenasi. Kjo kompani,sipas këtij raporti, vetëm në Ministrinë e Arsimit ka marrë shtatë tenderë me vlerë prej afro 9 milionë euro. Kjo kompani në konsorcium me kompaninë “Ada Consalting Group”, pronë e zyrtarit të Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Avni Kastrati, ka marrë një tender prej 600 mijë eurosh nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Megjithëse, sipas Auditorit Gjeneral, ishin shkelur kërkesat e donatorit, Ambasadës britanike për procedura të veçanta të prokurimit, Ministria e Kthimit ia ka vazhduar kontratën kësaj kompanie për projektin për ndërtimin e banesave për minoritete.

Financuesit e PDK-së pothuajse tradicionalisht janë edhe kontraktorë të komunave që drejton kjo parti PDK-ja, sipas hulumtimit të organizatës për antikorrupsion “Çohu”, ka shpërblyer edhe të afërmit e gazetarëve që mbajtën anën e kësaj partie. Kompania “Albes” nga Istogu, pronë e Hajredin Mavrajt, ka marrë nga 5.7 milionë euro vetëm nga MASHT-i, kur atë e udhëhiqte ish-ministri Enver Hoxhaj, tash kryediplomat i Kosovës. Kjo kompani, pos tenderëve në MASHT, ka marrë tender milionësh edhe nga institucionet e tjera që udhëhiqen nga njerëzit e PDK-së, madje edhe duke ofertuar me çmime 1200 % më të shtrenjta se ato në treg. Gjithnjë sipas këtij hulumtimi dhe raportit të tyre, në tenderin e Ministrisë së Administratës Publike (MAP) “Ndërtimi i ndërtesës së Prokurorisë së Qarkut në Pejë”, përfaqësuesi i kompanisë “Albes”, në seancën e mbajtur në OSHP në lidhje me problemet që dolën me këtë tender, e pranon publikisht se qëllimisht ka përdorur çmime 1200 % më të shtrenjta sesa në treg. Në po këtë seancë, përfaqësuesi i kësaj kompanie thotë se të njëjtën, sipas tij strategji, e ka aplikuar edhe në mbi 100 projekte tjera, por megjithatë është shpërblyer me kontratë.

Financuesit e PDK-së pothuajse tradicionalisht janë edhe kontraktorë të komunave që drejton kjo parti, por si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal, për t’u dhënë kontratat publike atyre institucionet nuk ishin “kursyer” në shkeljen e ligjit. “Preportr” ka gjetur se nga 43 financues të PDK-së, duke përfshirë këtu edhe ata që donacionet për partinë në pushtet i dhanë si biznese, por edhe ata që i dhanë si persona fizikë, por me kompanitë e tyre përfituan kontrata publike, për 11 prej tyre, pa përfshirë këtu kontratën mes Postës dhe Telekomit të Kosovës (PTK dhe “Devolli Group”, u shkel Ligji për t’i shpërblyer ato. Shkeljet në këto raste janë konstatuar nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm (ZAP) dhe nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP). Sipas “Preportr” , “Devolli Group”, pronë e vëllezërve Blerim e Shkëlqim Devolli, edhe pse zyrtarisht për PDK-në ka dhënë vetëm 1 mijë euro, dhe atë vetëm për degën e saj në Pejë, kjo korporatë u shpërblye me tenderin për operatorin virtual në kuadër të telefonisë mobile publike, ‘Vala 900’, të njohur në treg si “Z-Mobile”. Kjo kontratë, nga e cila kompania “Devolli”, realizon miliona euro qarkullim është nënshkruar, pos nga ish-kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Shyqri Haxha, edhe nga kryetari i Bordit të kësaj korporate, Rexhë Gjonbalaj, ish-kryetar i degës së PDK-së në Pejë”, ka konstatuar raporti i para një viti. Aty zë vend edhe konstatimi tjetër i shpërblimit të Devollit nga politika, kur “Devolli Group” privatizoi dy ndërmarrje: “Amortizatorët” dhe “Emin Duraku”- n.(Më gjersisht mund t’a lexoni në numrin e sotëm të gazetës Kosova Sot)

(Kosova Sot)

Floresha Dado, Lexuesi në kurth: Eseistika e Kadaresë

0

Studiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore…

Nga Diana Çuli

“Kisha lexuar, në intervale të ndryshme kohore, një pjesë të mirë të shkrimeve eseistike të këtij shkrimtari të shquar. Por, ndonëse kishin hyrë në perceptimin tim si krijime mjaft interesante, përsëri vëmendja rendte gjithnjë drejt prozës artistike të tij…Nuk e kisha kuptuar se kjo rendje e njëkahshme, pa u ndalur sa duhet tek eseistika, ishte gabim i madh, ishte sikur ta copëtoje individualitetin e këtij krijuesi në dy pjesë: njera e ndritshme, kurse tjetra kalimtare.”

Kështu shkruan Floresha Dado në hyrje të kësaj vepre, që nuk është vetëm një hap i mëtejshëm i përsosjes e përkryerjes së nivelit studimor të autores, – por edhe një shembull origjinal, i pashkelur e i paarritur më parë për nga metodologjia e nga pikëvështrimi.

Po të shfletojmë fjalorët e enciklopeditë, eseja përcaktohet si sprovë, përpjekje, shprehje e subjektivitetit – siç ngulmojnë francezët, përpunuesit e paepur të mendimit – që përpiqet të bindë lexuesin, të cilit i drejtohet, të nxisë diçka tek ai. Është një tekst që sjell në diskutim një çështje, një reflektim, një analizë, një tekst që luhatet, për nga përmbajtja, midis letërsisë dhe filozofisë. Këtë ka bërë shkrimtari ynë i madh, që prej fillimeve me Autobiografinë e popullit në vargje, e deri te veprat me ese, që janë botuar pareshtur në njëzetepesë vitet e fundit.

Studiuesja Floresha Dado i hyn një pune titanike, po të marrim parasysh gjerësinë dhe thellësinë e veprës që ajo ka zbërthyer e studiuar, përmasat e pamata të përsiatjeve mbi ekzistencën, justifikimin e kësaj ekzistence, letërsinë, figurat e veçanta, mbi identitetin e popullit shqiptar, natyrave të luftrave, trajektoren e historisë, politikën e hershme dhe të sotme, reflektimin mbi njeriun dhe rrethanat, ndikimet e ndërsjellta, vdekjen, pushtetin, tjetrin, jetën shoqërore – pra një univers të shumëfishtë, ku duket sikur sa më shumë të depërtosh, aq më i pafundmë ai është.

Libri ndahet në disa kapituj të veçantë, që ta orientojnë lexuesin apo studiuesin e veprës së Kadaresë dhe këtu po përmendim vetëm disa prej tyre: Sa është studiuar estetika e Kadaresë? ku autorja i jep përgjigje të sakta kësaj pyetjeje, kapituj me bazë estetike si: Shkon letërsia tek eseja apo vjen eseja tek letërsia, Estetikë apo kritikë letrare, Mënyra eseistike e kuptimit të arteve, Ese poetike, e llojit impresionist? Po edhe kapituj si Mbi problematikën politike, historike, sociale e filozofike – ku ka nën –kapituj si Ese-psiko-sociale, psiko – politike, etnopsikologjike, etnokulturë e të tjera. Ka edhe diskutime mbi keqkuptimet e esesë së Kadaresë, ka histori të esesë shqiptare, etj.

Ajo që një lexues, padyshim i stërvitur me veprat studimore dhe i etur të hyjë në mushkëritë e korpusit të veprës së shkrimtarëve, do të gjejë përgjigje të shumta në Eseistikën e Kadaresë të Floresha Dados. Po edhe hamendje, debat, diskutim, spjegime, analizë, psikanalizë, rolin e intuitës, vetëdijës e pavetëdijës, ndikimin e intelektualit apo të shkrimtarit apo të të gjithë kësaj marrëdhënieje të ndërlikuar në veprën e Kadaresë, si dhe hedhje drite mbi gjithçka që mund të ketë kaluar me shpejtësi, pa u vënë re, me nxitimin dhe lehtësinë që na karakterizon, që na pengon të ndalemi të mendohemi një çast, një grimë përsa po na ndodh, për çfarë na ka ngjarë e për çfarë mund të na ngjasë. Esetë e Kadaresë, më duket sikur më thotë Floresha Dado përmes rreshtave të saj, janë e tashmja e së tashmes, e kaluara brenda së tashmes, e ardhmja në filiz, brenda së tashmes. Eshtë kjo përmasë e veprës eseistike të Kadaresë që ka sjellë Floresha Dado në këtë vepër me mjeshtëri të rrallë analitike e filozofike, përveç metodologjisë shkencore.

Mendoj se një vepër e tillë si Lexuesi në kurth : eseistika e Kadaresë na spjegon edhe përse në këto periudha të sotme, le t’i quajmë post-moderne, siç i qujanë shpesh kritikët perëndimorë, ku mungesa e pikave referuese ideologjike koherente i jep shumë rëndësi kërkimit përmes esesë të përgjigjeve të reja, mënyrave të reja të mendimit, jo aq përmes demonstrimit të plotë, por më tepër përmes intuitës reflektive, përmes kësaj fushe ideore të lirë dhe bredharake.

Floresha Dado me këtë vepër ka sjellë një kontribut të ri të sajin jo vetëm në studimin e veprës së Kadaresë, por në gjithë fushën studimore të letërsisë shqiptare, siç ka bërë për dyzet vjet me radhë, pa u ndalur, pa u tërhequr, po gjithnjë duke ecur përpara, gjithnjë në ngritje të gjithçkaje që ajo merr përsipër të studiojë.

Kur lexojmë të tilla vepra, mund të marrim frymë të lehtësuar e të mendojmë se nuk duhet të dëshpërohemi, siç bëjmë shpesh, pa u menduar shumë. Këta studiues të paepur e të palodhur kanë jetuar e jetojnë mes nesh dhe, pa zulmë e bujë, vendosin gurët në kështjellën e studimeve të letërsisë shqipe.

Thaçi dekoron shkrimtarin Dritëro Agolli

0

Ambasada e Kosovës në Shqipëri me anë të një njoftimi për media se nesër presidenti Hashim Thaçi do ta dekorojë shkrimtarin e njohur shqiptar Dritëro Agolli.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë,  më 3 tetor, në ora 14:10,  do do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritëro Agolli dhe me këtë rast do ta dekorojë shkrimtarin shqiptar për kontributin e tij në letërsinë shqipe si dhe për angazhimin në shërbim të kauzës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Sipas këtij njoftimi, presidenti  Thaçi po ashtu do të dekorojë edhe personalitet tjera shqiptare nga fusha e kulturës dhe shkencës për rolin e tyre të veçantë në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Aksident në Malishevë, lëndohet motoçiklisti

0

Në Malishevë raportohet për një aksident trafiku ku i lënduar rëndë ka mbetur një drejtues i motoçikletës.

Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur mbrëmë në rrugën “Rilindja Kombëtare” në Malishevë ku i dyshuari me veturën e tij e godet motoçikletën me ç‘rast lëndime trupore merr viktima, i nacionalitetit rom.

I dyshuari me urdhër te prokurorit dërgohet në mbajtje ndërsa viktima dërgohet për tretman mjekësor.

Gjatë 24 orëve, 36 aksidente dhe 746 gjoba

0

Gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Kosovës, policia raporton se kanë ndodhur 36 aksidente të trafikut rrugor.

Sipas të dhenave 17 aksidente kanë përfunduar me lëndime trupore, ndërsa 19 aksidente tjera kanë qënë vetëm me dëme materiale.

Ndërkaq njësitet e trafikut rrugor kanë shqiptuar 746 gjoba për vozitësit të cilët kanë rënë ndesh me rregullat e trafikut.

Perdet e Thaçit kushtojnë 553 euro

0

Zyra e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, që nga e hëna do të duket ndryshe. Kjo ngase i pari i shtetit ka vendosur që ti ndërroj perdet.
Në tenderin e bërë publik nga zyra e Presidentit Thaçi “Furnizim me perde shirit për nevojat e Zyrës se Presidentit të Republikës së Kosovës”, do të harxhohen afro 600 euro për blerjen e tyre.

Kontrata është nënshkruar më 30 shtator.

Berisha: Qeveria po i përulet Serbisë

0

Deputeti nga ‘Nisma’ për Kosovën, Zafir Berisha ka ripërsëritur atë se bisedimet me Serbinë as që është dashur të fillonin në këtë format, ngase siç tha formati i bisedimeve ka treguar ligështinë e përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës, pasi është hyrë të bisedohet me një Serbi, e cila ka qenë okupuese dhe ka bërë gjenocid në Kosovë, dhe me një Serbi, e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, etj.

“Në momentin kur është futur në bisedime kjo garniturë e korruptuar politike e institucioneve të Kosovës është dashur t’i parashohë dhe t’i ketë parasysh disa parakushte, të cilat është dashur të plotësoheshin për të mundur të bisedohej si dy shtete. Pra, gabimi i parë në hapa është bërë këtu, pastaj gabimet kanë vazhduar një pas një dhe Serbia tani sillet si padron edhe mbi qytetarët e Kosovës, duke arrestuar edhe zyrtarë të lartë të shtetit, siç është rasti i fundit me Thaçin, që është komandant regjional në Mitrovicë dhe ndoshta ky duhet të jetë momentumi si rast që të vetëdijesohen institucionet e Kosovës që të ndryshojë sjellja me Serbinë, e cila po e poshtëron tërë sakrificën shekullore e deri tek lufta e UÇK-së për liri dhe pavarësi”.

Më tej, Berisha ka shtuar se kjo garniturë politike ju ka nënshtruar deri në atë shkallë Serbisë, saqë ata në një kohë të caktuar duhet të japin edhe përgjegjësi për këtë, pasi, siç tha, Serbia përfundimisht duhet ta pranojë se ka kryer gjenocid në Kosovë, po ashtu të kërkojë falje dhe të tregojë për 1600 qytetarët e Kosovës se ku gjenden, të cilët janë zhdukur që nga lufta, dhe për shumë e shumë çështje të tjera.

“Përfundimisht është dashur që atë ditë kur është arrestuar Thaçi, Qeveria e Kosovës t’i ngrijë bisedimet ashtu të dështuara dhe t’i tregojë Serbisë se ne jemi shtet dhe nuk lejojmë më ulët. Por, kjo nuk besoj se do të ndodhë, sepse kemi të riciklim në institucionet e Kosovës, njerëz të cilët i kanë shërbyer regjimit të Serbisë siç është Isa Mustafa dhe njerëz, të cilët koha po tregon se veprimet e tyre politike janë tepër të dyshimta, siç është Hashim Thaçi”

(Kosova Sot)

Carrasca, objektiv i Barcelonës

0

Sezoni sapo ka filluar, dhe Barcelona qysh tash është duke menduar për përforcime për sezonin e ardhshëm.

Mediat spanjolle raportojnë se objektivi kryesor i kampionëve spanjollë verën e ardhshme do të jetë lojtari i krahut te Atletico, Yannick Carrasca.

Roberto Fernandez, drejtor sporti te ‘Blaugranat’ mendon se Carrasca mund të luajë në nivele të larta. Thuhet se 30 katalonasit janë duke përgatitur një ofertë joshëse në adresë te Atletico Madridit për 23 vjeçarin.

100 anëtarë të rinj, aderojnë në Nisma për Kosovë në Prizren

0

Nisma në Prizren ka paralajmëruar aderime të reja. 100 anëtarë të rinj, javën e ardhshme do t’i bashkohen këtij subjekti politik.

Ata do të mirëpriten nga kryetari i Nisma-s, Fatmir Limaj, Jakup Krasniqi dhe Zafir Berisha.

Librezat shpërndahen të premten në Shtëpinë e Kulturës në Prizren në ora 19:00./PrizrenPress.com/