Në fshatin Trepenicë të Prizrenit, dje rreth orës 15:40 ka ndodhur një aksident trafiku në mes të dy automjeteve, njofton Policia, shkruan PrizrenPress.
Sipas Policisë, si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar tre meshkuj dhe një femër, të cilët janë dërguar për trajtim mjekësor.
Njësitë policore janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com/
Goal.com ka publikuar formacionin e dështakëve nga xhiro e parë e fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve.
Pjesë e formacionit të dështakëve janë edhe yjet si: Edison Cavani (PSG), Harry Kane (Tottenham), Christoph Kramer (Borussia M’gladbach) dhe Moussa Dembele (Celtic).
Sot, në ora 19:00, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës do të hapet ekspozita “Metamorfoza e kujtesës”, e dy autorëve të njohur në skenën e artit bashkëkohor shqiptar Lulzime Leka Mulaku dhe Zenun Sherifi.
Autorët janë profesorë të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Tetovës, të cilët përfaqësojnë brezin e artistëve që filluan në mënyrë intensive me aktivitetet e tyre me shprehje vizuale në mes të viteve ’90.
Kuratorja e kësaj ekspozite, Jelldez Asani, për pikturat e Lulzime Mulakut thotë se: “Lëvizja e portreteve të deformuara, apo pamjet e trishta, torturuese e abstrakte, krijojnë emocione të fuqishme në komunikim me publikun.”
Ndërsa për autorin Zenun Sherifi, ndër të tjera, thekson se: “Kësaj radhe krijon vepra që janë një zgjerim logjik i mendimeve për përcaktimin e produktit artistik”
Kjo ekspozitë financohet dhe drejtohet nga Galeria e Ministrisë së Kulturës. /PrizrenPress.com/
Në Komunën e Malishevës, procesi mësimor ka filluar në të gjitha shkollat, mirëpo e veçantë e këtij viti, është edhe një pilot projekt i ri, i digjitalizimit të shkollave, ku nxënësit përveç mësimit që do ta marrin përmes shpjegimit klasik, do të kenë mundësi që të mësojnë edhe përmes monitorëve të vendosur në klasa. Kjo formë e mësimit ka filluar të aplikohet në Sh.M.U. “Ismail Qemaili” në Bellanicë.
Po ashtu kjo shkollë, ka përfituar edhe një kabinet të informatikës, falë një donacioni nga mërgimtari Bashkim Ferat Shala nga Guncati, i cili ka kompletuar kabinetin e informatikës me kompjuter, në mënyrë që nxënësit të mësojmë në mënyrë praktike.
Për këtë qëllim, sot këtë shkollë, e kanë vizituar kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe drejtori i Arsimit, Avdi Morina, të cilët janë njoftuar me këtë formë të re të organizimit të mësimit. Begaj dhe Morina, i kanë përgëzuar mësimdhënësit dhe nxënësit, për këtë formë moderne të mësimdhënies dhe mësimnxënies.
Po ashtu Begaj, Morina dhe drejtori i shkollës Isuf Sertolli, e kanë falënderuar bashkatdhetarin Shala, për këtë ndihmë në kompletimin dhe futjen në funksion të kabinetit të informatikës, si dhe për ndihmën e vazhdueshme të tij. /PrizrenPress.com/
Gjykata Speciale Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar për herë të parë sot do të mbajnë konferencë për shtyp në Hagë.
Administratorja e Speciales, Fidelma Donlon, në këtë konferencë pritet të shpjegojë procesin e themelimit të Dhomave të Specializuara, që sipas tyre po shkon sipas planit.
“Dhomat e Specializuara do të fillojnë komunikim të drejtpërdrejtë dhe dr. Donlon do të prezantojë faqen e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Internet”, thuhet në njoftimin.
Pas shpjegimit nga Fidelma Donlon në konferencë për media do të flasë prokurori i specializuar, David Schwendiman.
Schwendiman do të flasë për emërimin e tij të së fundi si Prokuror i Specializuar dhe do të shpalosë këndvështrimin e tij mbi rolin dhe përgjegjësinë e Prokurorit të Specializuar dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Dhomat e Specializuara janë vendosur në Hagë, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe autoritetet holandeze. Gjykata do të përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës.
David Schwendiman është emëruar kryeprokuror i Gjykatës së re Speciale me bazë në Hagë.
Ky nuk është emërimi i parë në Ballkan për Schwendiman, i cili ka punuar si prokuror ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë nga viti 2006 deri në vitin 2009, dhe ka kryesuar departamentin special për krimet e luftës në prokurorinë boshnjake gjatë dy viteve të fundit që ai ishte në vend.
Ndryshe, flitet se aktakuzat e para të ngriten në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.
Drejtoria e Arsimit në Prizren, sot do të shpallë konkursin e tretë për mësimdhënës. Hapjen e konkursit të ri e bëri të ditur drejtori, Zahadin Shemsedini.
“ Arsyeja e hapjes së këtij konkursi është si rrjedhojë e kërkesave të drejtorëve të disa shkollave në Prizren, për përzgjedhjen e mësimdhënëseve, të cilat do të angazhohen në punë për një afat të caktuar kohor, për t’i zëvendësuar të punësuarat që janë në pushimin e lehonisë”, tha Shemsedini për TV Prizrenin.
Sipas drejtorit Shemsedini, në dy konkurset e mëhershme kanë konkurruar mbi 600 kandidatë për 90 vende të punës.
Dita e Dëshmorëve, shënohet sot në Prizren. Sekretari i OVL-së Isa Berisha tha se për shënimin e kësaj dite janë paraparë disa aktivitete.
“Fillimisht do të bëjmë homazhe para varrezave të dëshmorëve në Landovicë,kures pastaj edhe para shtatorëve në qytet”, tha Berisha për TV Besën.
Ai tregon se në kuadër të aktiviteteve, do të vizitohen edhe vendet ku kanë rënë dëshmorët në luftimet me forcat serbe.
“Po ashtu do të përurojmë edhe shtëpinë e veteranit Bashkim Qengajt, e cila është ndërtuar me angazhimin e veteranëve dhe përkrahjen e bizneseve”, tha Berisha. /PrizrenPress.com/
Pianisti vetëm 13-vjeçar i “Jazz”-it, Joey Alexander, sapo ka nxjerrë albumin e tij të dytë dhe përpara dy vitesh u bë artisti më i ri i nominuar për një çmim “Grammy”, por mos e quani “një fëmijë mrekulli”.
“Jam thjesht shumë mirënjohës. Nuk mendoj se jam një gjeni. Jam vetëm mirënjohës për dhuratën që më ka bërë Zoti, duke më lejuar të intepretoj muzikën që dua”, tha Joey Alexander.
Alexander nisi të luante në piano në moshën 6-vjeçare, pasi prindërit i kishin blerë një tastierë të vogël elektronike. Ai praktikisht është autodidakt. E mësoi vet sesi të intepretonte “Well, You Needn’t” të grupit “Thelonious Monk’s”.
Tani me albumin e dytë “Countdown”, ai ka eksploruar pak më shumë me “cover”-a të të mëdhenjve të “Jazz”-it, Thelonious Monk, Billy Strayhorn dhe “Countdown” të John Coltrane.
“Më pëlqen muzika e tyre, e kam dëgjuar që kur isha i vogël. Rrija bashkë me babain e ndiqnim vijën melodike sidomos të ‘Countdown’-it. Është goxha e vështirë për t’u luajtur. Shumë e bukur është edhe ‘Giant Steps’, por ‘Countdown’-i se ç’ka diçka të veçantë, një hapësirë ndryshe”, tha Alexander.
Albumi përmban edhe 3 kompozime origjinale të 13-vjeçarit. Alexander, i lindur në Bali, studion gati dy apo 3 orë çdo ditë. Muzika – thotë ai, – nuk ka të bëjë vetëm me teknikën. Ajo është ndjesia e mënyrës sesi luan dhe liria që të jep. Dhe kur zhytesh në studimin e saj, provon gjëra që nuk i ke provuar ndonjëherë më parë.
Për publikun e gjerë, albumi do të jetë në shitje më 16 shtator. / Top Channel
Champions League: Real Madrid fiton me vuajtje. Juventus ndalet.
Real Madrid e nis sezonin europian me një fitore spektakolare në Santiago Bernabeu.
Skuadra e Zinedine Zidane fiton në shtëpi ndaj Sportingut të Lisbonës pas 95 minutave që dhuruan tre gola në Madrid ku fillimisht portugezët kaluan në avantazh me Bruno Cesar, ndërsa Cristiano Ronaldo barazoi në minutën e fundit.
Ishte Alvaro Morata ai që shënoi golin e fitores në minutën e 5 shtesë, duke shpëtuar kampionët e Europës nga hapi fals në ndeshjen e parë të Grupit F – ku Borussia e Dortmundit shkatërroi 6-0 Legian e Varshavës. Serinë e golave në kryeqytetin polak e hapi Gotze që në minutat e para, ndërsa në fund ishte Aubameyang ai që vulosi fitoren tenistike të gjermanëve.
Në Torino, Juventusi nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Sevillas.
Skuadra e Allegrit zhgënjeu jo vetëm në rezultat por nuk tregoi pothuajse asgjë nga potenciali i saj edhe në lojë. Pak raste dhe shumë paqartësi në sulmin bardhezi për një barazim të bardhë ndaj kampionëve në fuqi të Europa League.
Po në grupin H, Lyoni kaloi 3-0 Dinamon e Zagrebit. Në Grupin E, Monaco siguroi një fitore të artë 2-1 ndaj Tottenham Hotspur ndërsa Bayer Leverkusen barazoi 2-2 ndaj CSKA-se së Moskës.
Ndërkohë, kampionët e Anglisë, Leicester City nuk e patën të vështirë në Brugge ku shënuan tre gola ndaj vendasve që nuk e gjetën asnjëherë rrjetën, ndërsa Porto u ndal në shtëpi 1-1 nga Kopenhagen.
Në takimin e fundit mes Manchester City dhe Borussia Mounchengladbach, skuadra e Guardiolës shkatërroi gjermanët me rezultatin 4-0 ku tre gola u shënuan nga Kun Aguero.