16.9 C
Prizren
E enjte, 19 Qershor, 2025
Home Blog Page 5897

“HU” shfaq jetën e dervishëve në Prizren

0

Premiera e këtij filmi do të shfaqet sonte (e diel) prej orës 20:00 në Prizren në kuadër të festivalit Dokufest.

Jeta e dervishëve nga Prizreni është pasqyruar në një film dokumentar të titullluar “HU”. Premiera e këtij filmi do të shfaqet sonte prej orës 20:00 në Prizren në kuadër të festivalit Dokufest.

Filmi flet për një ditë të enjte, jo shumë të zakonshme për dervishet e Teçesë “Halveti” në Prizren.

Qetësia, meditimi, paqja dhe mikpritja janë gjërat që i karakterizojnë dervishët dhe me këtë film pritet një eksperiencë me pamje ekskluzive në një udhëtim shumë të thellë dhe spirituoz gjatë shikimit të ritualit të tyre me një akustikë rrënqethëse.

Dervishët shpesh nënçmohen dhe diskriminohen gjatë jetës së përditshme, por në anën tjeter ata vazhdojnë dhe jetojnë në botën e tyre pa u ndikuar shumë nga bota e jashtme.

Filmi është punuar me shumë përkushtim nga Quentin Laurent, Alex Jovanovska, Lucian Casu dhe Leonard Matei./KultPlus.com

Gjendet e vdekur në një hotel në Sarandë një turiste norvegjeze

0

Një shtetase norvegjeze u gjet e pajetë mëngjesin e sotëm në Sarandë

Brigite Fratzke, 57 vjeç, u gjet e pajetë në dhomën e hotelit nga familjarët, raporton Shekulli.

Sipas policisë së Sarandës, në trupin e gruas nuk ka pasur shenja dhune.

Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore të zbardhë shkaqet e vdekjes së 57-vjeçares.

Bakër Spaçi për antena dhe pushkë erotike

0

Një Shqipëri tjetër, veç asaj që rri mbi brigje dhe rrëzë maleve, është mbytur dhe është fundosur tashmë prej shekujsh dhe historikisht nën det. Në këtë kontekst më vjen ndërmend një imazh poezie, në të cilën shqiptarët, në vend të këpucëve dhe opingave mbathin në këmbë varka, anije, sanallë dhe çdo mjet lundrimi, për të nisur në arrati. Imazhi i njerëzve që largohen nga vendet të tyre, duke mbathur këpucë-gomone apo duke lundruar mbi fuçi, është bërë i shpeshtë…

Nga Arian Leka

parfum dhe plumb

Asgjë nuk i ngjan njeriut më shumë se deti përballë të cilit jeton. I nënshtruar, kokëulur, i bindur, i mundur, mëditës, i kërrusur dhe argat: det i shfrytëzuar deri në palcë, det që punonte me tre turne për të sjellë bukë të zezë në shtëpi. Imazhi i rrënuar i këtij deti zhelan e shndërroi heroin e fëmijërisë sime në një hamall pa vlerë, që mbante mbi shpinë vetëm anije të rëndomta mineralidhe mallrash. Detet e të tjerëve përkundnin jahte, hotele lundrues, anije me vela të bukura dhe iluzionin tim për një botë ku jetohej më mirë.

Hapësira e rrethuar nga telat me gjemba, përballë së cilës jetuam, që ruhej me armë nga ushtarët dhe që mbrohej me anije luftarake, mund të quhet port po aq sa i burgosuri do të quhej person i lirë. Ndaj dhe gëzimet për ato që mbërritën dikur prej andej, vijnë të ndotura, sa herë kujtoj mëtimet e dështuara për të thyer kufirin detar, vejushat dhe fëmijët e mbetur jetim, ikjet kuturu me not drejt ujërave ndërkombëtare, të humburit, të cilëve deri nuk ua ktheu kurrë trupat, ndëshkimet e atyre që tentuan të arratisen dhe eksodet e vitit 1991.

Pas portit zinte fill një hapësira e zbrazët, asgjëja blu deri në fund të horizontit. Asnjë velë. Asnjë anije turistike. Asnjë notar. As marinarë të huaj, nga ata që, esëll apo tapë, i gjen mbi çdo mol. Dikush përshëndeste në gjuhë të huaj, nxitonte dhe, si të qenkësh nga lloji i kometave me bisht, nuk linte pas vetes dritë e flakë, por një aromë të këndshme, me të cilën identifikuam të huajin, Perëndimin. Gëzimi strukej, sapo kujtoje se jo shumë kohë më parë dy poetë, Blloshmi dhe Leka, ishin ekzekutuar se lexuan letërsinë e Perëndimit dhe mësuan frëngjisht. Në revistat me humor politik kisha parë karikatura me trupin e kapitalizmit kufomë. Përplasje përfytyrimesh. Kapitalisti shëtiste në bregun e detit shqiptar. Kufoma e kapitalizmit shëtitës mbante aromë të mirë. Plumb dhe parfum.

Për shumëçka mund të mos jesh i sigurt, por ato që e mbrojtën portin nuk ishin armët. Sidomos pushkët në duart e ushtarëve, me të cilët kisha të njëjtën moshë. Prekja për herë të parë e armës ishte njohje me trupin erotik. Koha kur filluam të mësojmë diçka mbi anatominë e trupit femëror përkoi me vitin kur mësuam pjesët e pushkës model 57. Jo vetëm gjinia ishte femërore tek pushka. Në orën e provimit, kur duhej të emërtonim pjesët e pushkës, secili mbyllte sytë, si për t’u përqendruar dhe përsëriste në jerm: Gushaaa… Qafaaa… Këëëmbëzaaa… Shtjeeekëëzaa…

Vështruar me ata sy, trupi i pushkës dilte se qe më sensual se trupi i shoqes së bankës. Pushka kishte gushë (të lëmuar). Kishte qafë (të gjatë). Kishte grykën, kishte shtjekëzën (si të buzëve), kishte edhe këmbëz të vogël në mes të çarkut, pa përmendur thepin që hovte përpjetë. Dhe, si të qenkësh vajzë e sprovuar me aventura dhe udhëtime, arma luftarake me të cilën stërviteshim mbartte një botë imtësish femërore: kishte krehër dhe gjilpërë, kishte shishen me vaj për të lyer pjesë të veçanta të trupit, kishte çantë (për karikatorin), kishte pece, kishte dhe fishekët që, edhe pse metalikë, s’na kujtonin gjë tjetër veç të kuqin e buzëve.

Si kishte mundur pra, që ky trup ndjellës dhe ata ushtarë hollakë, të na trembnin dhe të na mbanin larg nga porti, nga deti, anijet dhe lundrimet? Porti nuk u pushtua nga ne. Porti “ra, siç bie një trup i vdekur”. Ndërkohë, kishin filluar eksodet e para vetiake. Arratisesha çdo mbrëmje, kapërceja kufirin, por kthehesha në mëngjes. Formë eksodi ishte edhe zhytja nën det.

maska dhe antena

Mes xhamit të maskës së zhytjes dhe ekranit të televizorit ka ngjashmëri. Të dy i zbukurojnë pamjet dhe janë një lloj tabele emulacioni. Në ballkon nuk dilja gjatë ditës, por natën. Shkak bëhej antena. Duhej rrotulluar. Nga mali i Dajtit drejt detit, prej nga depërtonin sinjalet e televizioneve të Perëndimit. Teksa kërkoja sinjal të qartë televiziv, unë nuk e dija se bakri i shufrave të antenës që sillnin tek ne ato sinjale prodhohej nga minerali që nxirrnin në Spaç të burgosurit politik. Takon absurdin po ta ndjekësh këtë përfytyrimin. Bakër i burgosur në thellësi të galerive të minierës.

Të burgosur që shtyjnë vagonë. Minerali dilte jashtë burgut, por jo nxjerrësit e tij. Përmes barkrit të antenave të burgosurit ndihmonin të shihnim imazhet e Europës së penguar me zhurmues sinjalesh. Imazhet e Perëndimit kapërcenin detin, thyenin kufirin detar, mbërrinin dhe na shijonin si çdo gjë e ndaluar. Por hera-herës ekrani mjegullohej.

Në ekran mbërrinin zhurma që të kujtonin ngashërimat. Aty shfaqeshin fasha dhe rripa të zinj, që të kujtonin veshjet e të burgosurve që nga koha e Chaplin-it. Duhet kthjelltësi mendore, jo magjepsje dhe mistikë, për ta besuar se kanë qenë duart e poetëve, të artistëve, të piktorëve, të klerikëve, të përkthyesve dhe të mendimtarëve të burgosur që zgjateshin nga galeritë. Ato duar rrotullonin tubat që antenat, të cilat ditën drejtoheshin nga Tirana dhe natën nga stacionet perëndimore – prej nga mbërrinin pamje të klonuara të Shqipërisë bahçe me lule dhe të parajsës së reklamave – të ktheheshin drejt burgjeve dhe kampeve. Grykat e galerive nuk u bënë dot ekrane prej nga mund të shihej më thellë. Tunelet e nëndheshëm nuk u bënë dot tejqyrë për të parë më larg. Burgjet politik u hapën në të njëjtën kohë me eksodet, kur ajo që ishte rrënuar u shthur dhe, ata që duhet të rrinin në vend, ikën larg.

Duhej shpikur një tjetër realitet dhe për këtë lipsej maska. Nuk është thjesht kureshtje filologjike të kujtojmë se një nga kuptimet e fjalëve “persona” në gjuhën latine do të thotë maskë dhe nga fjala ‘’persona’’ me gjasë burojnë edhe fjalët personazh, personalitet. Dikush vuri mbi sy një maskë saldimi apo maskën kundra gaz dhe e pranoi fatin si detyrim apo thjesht si fat. Ndokush e zgjidhi duke vënë mbi fytyrë maskat e përshtatjes. Në duhej të mbroja veten dhe për këtë më lipsej një maskë.

Zhytja nën ujë u duk një farë shpëtimi. Nëndeti u bë një lloj bunkeri i lëngshëm ku, megjithëse e kujtesën e merrje me vete, rrezatimin ideologjik nuk ishte aq i fortë Ishim një grup shokësh, që pjesën më të madhe të ditës verore e kaluam të zhytur në det. Në mos arrati, ishte një formë naive e largimit nga realiteti. Ndiheshim më të sigurt nën ujë? Ishim më të mbrojtur nga brohorimat, nga euforia dhe nga britmat e gjyqeve politike, që vërshonin përmes altoparlantëve nga kinematë drejt shesheve ku luanim ne? Aspak. Zhytja ishte shmangie, jo shpëtim.

Veçse kërkimi i parajsave vetjake në komunizëm doli po aq jetëshkurtër sa mbajtja e frymës nën ujë me mushkëri. Kushdo që ka vënë në sy një maskë detare e di se ajo zmadhon gjithçka. Guriçkat të duken shkëmbinj, gropat përngjajnë me shpellat dhe peshqit e vegjël bëhen përbindësha detarë. Humbja e peshës krijon mashtrimin se ikja ishte e lehtë dhe se gjithçka bëhej e mundur. I zhytur nën ujë ndjen se diçka heroike, sfiduese të mbështjell si mantel dhe të jep fuqi. Kur del në breg manteli është zhdukur, heroi të ka lënë vetëm, mbi dy këmbë, me po atë shpirt dyshues, por jo të bindur dhe trim sa të mendoje se fabrikat, shkollat dhe spitalet mund t’i kishim më të mira edhe pa bunkerët dhe burgjet. Arsimi falas mund të mos vinte i kushtëzuar urdhërat “mos fol”, “mos dëgjo muzikë të huaj”, “si ata mos u vish”.

Zhytjet nën det nuk kishin heroizëm, as patetikë. Heroika, si çdo element tjetër i jetës, ishte shtetëzuar, nuk kishte për të gjithë. Heroizmi nuk ishte për këdo. Heroizmin e kryenin të besuarit dhe të pëlqyerit. Zhytja mbeti një akt shpëtimi. Nëndeti ishte placenta, jeta platonike në shpellë. Mund të kem qenë kundër mungesës së drejtësisë, por nuk kam qenë kundështar, ndonëse kundërshtoja të bëja atë që bënin të gjithë.

Ideologjia ia behte, të gjente edhe zhytur nën det. Gjithë sa linim mbi tokë kur zhyteshim i rigjenim sapo nxirrnim kokën për të marrë frymë. Pallatet e punëtorëve, ndërtuar mbi prona të konfiskuara me kontribut vullnetar, kisha e kthyer në teatër kukullash dhe xhamia e shndërruar në birrari për të rinjtë ateistët, këta hedonistë politikë. Aty ishin rrugët që të çonin drejt portit të rrethuar me tela gjembaçë, drejt detit të ruajtur me bunkerë, ushtarë dhe fuçi.

Por nën ujë gjendej edhe vetmia, intimiteti dhe heshtja të cilat, njëlloj si porti dhe lundrimet, ishin gjendje të kontrabanduara. Ndaj dhe lirizmi i kuajve dhe kandilat detarë, që ngjanin me kërpudha lundruese, i lulezambakëve si prej mermeri të bardhë apo tufave e leshterikëve të zinj e të gjatë, që tundeshin si flokët e Meduzës, venitej aq shpejt.

Nuk notova për të ikur larg. U zhyta, sërish, ndërkohë që në krye dolën ata që nuk e kishin njohur kurrë fundin dhe ata që nuk kishin ndenjur ndonjëherë në bisht. Për shkak mungesave dhe pengimeve refuzimin e notit nuk mundem ta paraqes si mosbindje, indisiplinim dhe dalje nga rreshti.

Në një ligjëratë mbi kohën, Borges përmend asgjësimin e shqisave. Të tillë ishin ne – brezi i parë i fëmijëve ideologjikë. Ndryshe edhe nga moshatarët tanë në Perëndim ne nuk ushqeheshim nga goja. Ushqimin e merrnim nga veshët dhe nga sytë. Vitaminat e rritjes ishin shkronjat kapitale të sloganeve dhe zërat që mbërrinin nga altoparlantët e lajmeve, sloganeve dhe fjalimeve.

Ai fëmijë lexoi një tabelë e madhe, vendosur përballë detit: ALBANIA, THE UNIQUE AND UNBREAKABLE CASTLE ON THE ADRIATIC COAST. Ishte një parullë aq e madhe sa për ta lexuar, të huajt mund ta lexonin me sy të lirë edhe nga vendet e tyre në brigjet matanë. E veçanta e sloganit ishte, se qe e vetmja parrullë e shkruar në gjuhë të huaj në të gjithë vendin. Edhe në kohën e krizës më të thellë, porti shërbente për diçka. Vendosja e atij slogani buzë detit, përballë shteteve fqinjë, nuk ishte naiv dhe sa ç’u duk kur u shfaq. Ishte superprodukti që persona si ne, eksportuam drejt Perëndimit. Dhe e bëjmë sërish. Fjala persona në latinisht ka edhe kuptimin maskë.

perëndimi artificial dhe falsEuropa

Por kishte dhe raste kur deti bëhej i mirë. Sidomos kur pas lundrimeve im atë sillte “klandestinë” në shtëpi. Nuk i fshihni i vendosnim në vende të dukshme. Ishin objekte të rëndomta, por më fort se vetë objektet e zbrazura nga lënda, ne adhuronim vendlindjet e tyre.

“Made in Italy”. “Made in France”. “Made in Germany”. Deti dhe objektet që solli ai u bënë fjalorë xhepi, prej të cilëve krijova përfytyrimet e para mbi europianët: Gjermanët janë të fortë! Po italianët? Italianët kanë shije të holla! Francezët? Francezët janë elegantë! Holandezët, futbollistë shtatlartë! Jugosllavët, slloboda! Anglezët, udhëtarë…! Europianët janë… – Europianë të vërtetë jemi vetëm ne, që kishim biblioteka kur europianët ishin në shpellë…Edhe pamjen e kanë ndryshe. Gjithë lesh. Si Bajlozi i Zi. E dimë përmendësh Bajlozin, apo jo, fëmijë? – Po si t’i njohim, mësuese? – Bajlozi i Ri////// do kërkojë një bazë ushtarake për çdo krahinë dhe nga një vajzë të re, për ta çuar në qytetet e tyre me drogë e krim. Kuptuat, fëmijë?

Historia përsëritej. Katallanë do shfaqeshin sërish në brigjet tona për të rekrutuar djemtë në divizionin luftarak të FC Barcelonës, që luftonte në Camp Nou.

Bajlozi i Zi do të merrte ushtarë në trupat paqeruajtëse në Afganistan. – Homo homini lupus est! Përsërite! Njeriu për njerin, ujk! Ky ishte leksioni i parë. Jo në orën e latinishtes. Në orën e ekonomisë politike brenda letërsisë së realizmit kritik.

Ndonëse nuk është shënuar, eksodi i parë ka ndodhur në vitet ’60. Nuk ikëm ne. Erdhën europianët. Ishin grupe të rinjsh nga Gjermania, Franca, Italia, Portugalia, Anglia, Belgjika, Spanja, Austria, Holanda, Danimarka, Zvicra madje edhe nga SHBA dhe Australia e kangurit të kuq. Perëndimi i vërtetë kishte mbërritur.

Veçse ndryshe nga ç’prisnim dhe kishim ëndërruar, këta europianë ishin të rruar, të qethur, pa mustaqe mbi buzë, pa flokë të gjatë. Nuk kishin bluxhinse të ngushta.

Nuk kishin as T-shirt me stampa dhe fjalë. Nuk ishin aspak të shpenguar. Nuk ishin snobë apo indiferentë. Na përshëndesnin me mirësjellje dhe tregonin kureshtje për sharjet në gjuhën shqipe.

Nuk u desh shumë kohë për t’u kuptuar se turistët ishin grupe të rinjsh me bindje marksiste, të cilët Shqipëria i paguante për shërbime imazhi nga “Fondi i solidaritetit”. Vakanca politike. Pushime ushtarake pa pagesë. Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni në Durrës! Pranvera shqiptare dhe ai liberalizëm jetëshkurtër mes viteve ’60-’70, kishte lule artificiale. Përveçse me vonesë, liria europiane mbërriti dhe e klonuar.

fuçitë e shpëtimit dhe minat e detit

Jazz. Seks. Drogë. Gjuha kishte këto tri fjalë që nuk i shqiptonim dot në publik. Në det nuk kishte fjalë: ishin tri linja fuçish. Fuçia e parë. Fuçia e dytë. Fuçia e tretë. Ishin kode të një alfabeti minimalist. Fuçitë ishin gjuha e parë e huaj që kam mësuar. Shkronjat latine të alfabetit shqip dhe notat muzikore i mësova më vonë.

Fuçitë të para, që ndodheshin vetëm pak metra larg bregut, ishin “fuçitë këshilluese”. Fëmijët, por dhe ata që notonin disi, mund të shkonin, madje mund të çlodheshin duke u kapur pas tyre. Ajo ishte zona komforte e notimit – hapësira e pëlqyer. Gjithçka në rregull me çdo gjë dhe me të gjithë.

Rreshti i “fuçive të dyta” ndodhej disi më thellë. Kordoni i tyre ishte rreshti i “fuçive paralajmëruese”. Pluskonin rreth 200 metra larg bregut dhe ishin për notarët e mirë. Deri aty lejohej. Për të sfiduar veten, por jo tjetërkënd.

Por më e rëndësishmja mes radhëve të fuçive ishte rreshti i tretë. Pakkujt i shkonte mendja ta shpërfillte këtë radhë fuçish. Ata që i kapërcyen guxuan, por nuk patën fat të mirë.

Asgjë nuk e pasqyronte më qartë izolimin e Shqipërisë se ato fuçi të vetmuara, mbërthyer pas fundit ranor të detit. Prania e tyre ishte e frikshme, agresive, si të luaje mbi mina detare. Përtej “fuçisë së tretë” ishte deti i hapur dhe se pas detit të hapur ishin “botët e lira” të cilat, si të ishin vise përrallash, shfaqeshin në ekran vetëm pas mesnate, kur kthenim antenat prej bakrit drejt detit.

regjistri i të mbyturve tanë

Një Shqipëri tjetër, veç asaj që rri mbi brigje dhe rrëzë maleve, është mbytur dhe është fundosur tashmë prej shekujsh dhe historikisht nën det. Në këtë kontekst më vjen ndërmend një imazh poezie, në të cilën shqiptarët, në vend të këpucëve dhe opingave mbathin në këmbë varka, anije, sanallë dhe çdo mjet lundrimi, për të nisur në arrati. Imazhi i njerëzve që largohen nga vendet të tyre, duke mbathur këpucë-gomone apo duke lundruar mbi fuçi, është bërë i shpeshtë. Sa herë që antenat apo satelitet sa sjellin pamje eksodesh në ekrane, ne nuk takojmë njerëz, por emigrimet, ikjet, humbjet në det dhe menimin se këto nuk janë kujtesë e largët për shqiptarët që, prej 25 vjetësh, vazhdojnë të ikin.

Shqiptarët e eksodeve të marsit dhe të gushit 1991 janë afrikanët që mbyten sot në det. Dhe jeta që vazhdon të imitojë letërsinë. Gratë që humbën jetën e tyre në Mesdhe, në detin Egje, në Adriatik, në detin Tirren, në Jon, në gjirin e Korintit apo të Mesinës, mund të kenë parë të njëjtat makthe dhe ëndrra si Ofelia e mbytur e Shakespeare-it. Fëmijët që u mbytën me lodra në dorë, do të kenë qeshur me siguri me mendimet e çuditshme të Pinocchio-s në barkun e balenës. Jo pak nga burrat që lanë vendet e tyre janë si hijet e Javert të Hugo-it, që u mbytën të rënduar nga dyshimet se bashkë me ta fundosën shpresat, iluzionet dhe detyrat dhe detyrimet. Emrat e vajzave të mbytura në detet tona rëndojnë si gurët në xhepat e Virginia Woolf, që fundoset dhe çdo i mbytur në brigjet e Ligurias bëri sfidën e Percy Bysshe Shelley, që humbi jetën gjatë një stuhie detare në gjirin pranë Livornos, pasi kishte shkruar “Në detin e thellë të mjerimit”.

Naufragus të përjetshëm. Dënimi ka mbetur i njëjtë: miniera të errta, prej nga nxirren diamante, mineral për kupolat e satelitëve dhe fundosje nën det. Edhe parajsa artificiale ku takohemi të gjithë ka mbetur e njëjta.

Ekrani i televizorit – e vetmja rrafshinë ku të humburit në det, renditen të parët në edicionet e lajmeve dhe të kryelajmit të gazetave. Edhe pse të humbur dhe të mbytur, ata ndihen të barabartë mes të barabartëve. Për herë të parë në jetë. Po aq të rëndësishëm sa terroristët dhe kriminelët. Po aq të njohur sa vrasësit serialë. Njëlloj me përdhunuesit dhe banditët. Janë bashkë me të famshmit që grabisin banka. Në të njëjtën lartësi me politikanët. Për këtë çdo aventurë e rrezikshme tundimi ia vlen. Askush nuk doli i humbur. Në fund e në krye të gjithë zunë faqen e parë – kryet e vendit. Aty ku proletarët e të gjitha vendeve bashkoheshin dikur.

Neymar zbulon: Në vitin 2015 isha afër Real Madridit

0

Ylli i Barcelonës, Neymar ka zbuluar se në vitin 2015 ka qenë afër transferimit në Real Madrid.

Ish-ylli thotë se kishte refuzuar ofertën e madrilenëve pasi që ai ishte vetëm 13 vjeç.

Neymar thotë se është i lumtur që tani është pjesë e

Barcelonës dhe synon të rrite akoma në mënyrë që të jetë 100 përqind i gatshëm për futbollin evropian. “Në atë kohë kam qenë 13 vjeç dhe ende nuk isha i përgatitur të jetoj larg Brazilit, por Real Madridi me donte mua”, ka thënë Neymar.

“Tani jam i lumtur dhe prioriteti im është të rritëm sa më shumë dhe të përgatitem 100 përqind për futbollin evropian”, ka theksuar ish-ylli i Santosit

Këngëtarja shqiptare “kapet” nga policët

0

Xhesika Ndoj ka qenë shpesh herë në qendrën e miave rozë për shkak të thashethemeve të shumta dhe të bujshme që e rrethojnë. Këtë herë ajo është futur në “telashe” që vetë këngëtares i pëlqejnë.

Xhesika ka postuar një fotografi në Instagram, ku shfaqet në shoqërinë e disa policëve të cilët kanë “kapur” këngëtaren. Në fakt, po ta shikojmë mirë, Xhesi duket sikur i ka kapur ata.

Nuk dihet arsyeja e kësaj fotografie, e për më tepër publikimi në profilin zyrtar në Instagram të Xhesikës, por ndoshta kjo është një shenjë e bashkëpunimit të mirë dhe marrëdhënies miqësore që Xhesika ka me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

“Me shtetin dhe patriotet e mi”, – shkruan këngëtarja seksi përbri fotos.

E dashura e Bartosz Kaputskas

0

E dashura e Bartosz Kaputskas është quajtur si “mbretëresha e të gjitha të dashurave të futbollistëve polakë” dhe kur shikoni fotot do të kuptoni se e meriton plotësisht epitetin.

19-vjeçari Kapuska iu bashkua kampionëve anglez të Leicester, dukë u bërë një “dhelpër”, ashtu quhet ndryshe kjo skuadër. Por, “dhelpra” që po tërheq më tepër vëmendje në ishull është Klaudia Adamczyk.

Falë formave të saj, 25-vjeçarja është shndërruar në një yll në Poloni, ndërsa kërkon të zërë një vend edhe në Angli, por në ishull konkurrenca është shumë e fortë.

Zbulohet ‘Diamanti’ i Leonora Jakupit

0

Këngëtarja Leonora Jakupi së shpejti e sjellë projektin e saj më të ri muzikor, shkruan “Kosovarja”.

Këngëtarja e famshme e bukuroshe, prej kohësh i ka lënë adhuruesit në pritje dhe me sa duket pritjes i ka ardhur fundit.

Me gjasë kënga e re e Leonores do te titullohet “Diamant”, e këtë e le të në kuptohet edhe vetë këngëtarja përmes këtij postimi.

Nxirren viktimat e para nga përmbytjet në fshatin Hasanbeg të Maqedonisë

0

Pas rreshjeve të mëdha të shiut gjatë ditës së djeshme, fshati i Hasanbegut pësoi më së shumti. Si pasojë e rreshjeve të mëdha, liqeni afër fshatit Kamenik doli nga shtrati dhe shkaktoi edhe viktima në njerëz.

Ky liqen ndodhen në afërsi të magjistrales “Nëna Terez”, dhe pas daljes nga shtrati pikërisht në magjistrale u shënuan edhe viktimat e para.

Ekipe të policisë, ushtrisë, njësitë speciale, si dhe prej Higjienës Komunale dhe prej Rrugëve të Maqedonsië kanë dalë në teren, por megjithatë, banorët ankohen për reagimin e vonshëm.

Dëmet materiale janë të mëdha, shumë shtëpi janë tërësisht të mbushura me ujë. Kanali për ujëra të zeza që kalon në mes të fshatit ishte rrezik permanent për banorët që jetojnë në afërsi.

Jozyrtarisht thuhet se janë mbi pesë viktima.

Çfarë shkruante Fan Noli për Luftën dhe Enver Hoxhën në 1947 dhe 1949

0

Debati për rolin e partizanëve, ballistëve dhe nacionalistëve në Luftën e Dytë Botërore është kthyer sërish në vëmendje të opinionit pas disa replikave në DITA nga disa prej emrave të njohur të publicistikës. Andrea Stefani ka replikuar disa herë me Pëllumb Xhufin, Arben Dukën, bashkëpunëtorë e lexues të gazetës si dhe veteranë të LANÇ duke theksuar se roli i partizanëve dhe komunistëve nuk është ai që është shkruar deri më tani nga historiografia.

Në shkrimin e tij të djeshëm Stefani këmbëngul te teza e “tradhëtisë së Hoxhës ndaj nacionalistëve” dhe nxirrte disa dokumente të Plenumit të Beratit.

Profesor Nasho Jorgaqi, një nga miqtë e DITA-s duke mos dashur të replikonte drejtpërdrejtë me zotin Stefani na mundësoi dy shkrime të Fan Nolit të botuara në fund të viteve ‘40 ku bëhet një përshkrim i hollësishëm i ballistëve dhe bashkëpunëtorëve të pushtuesve.

Në shkrimin e botuar në Dielli, Noli thekson se: “ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste, dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ngjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare. Pra, mos u varni torbën, po u tregoni vendin, dhe vendi i tyre është në varret e fashizmës”.

***

FAN S. NOLI

DY FJALË PËR BALLISTËT

Si të gjithë reaksionarët e tjerë në botë, ashtu edhe ballistët tanë, të emigruar në Itali e gjetkë, kanë marrë ofensivën, në mos me armë, po të paktën me pendë dhe me propagandë. Si duket, besojnë seriozisht që për së shpejti do të kërcasë një luftë ruso-amerikane, e cila do t’i shpjerë nga syrgjyni në Tiranë. Shpresat e tyre më duken fare të kota. Ballistët tanë kanë vdekur moralisht, edhe nuk munt të ngjallen më. Nga ana tjetër, lufta nga e cila kanë shpresë të ngjallen nuk munt të ngjajë aq shpejt sa t’u hyjë në punë.

Nuk ka shqiptar aq budalla sa të mos dinjë që ballistët tanë vdiqnë një herë e mirë posa falimentoi politika e tyre. Bashkëpunuan me fashistët italianë dhe me nazistët gjermanë me shpresën që do të fitonin luftën tok me ta. Me këtë taktikë jo vetëm vranë veten, por mënt e vranë edhe Shqipërinë, të cilën e nxinë para botës si proitaliane dhe progjermane. Si e këtillë, Shqipëria do të ishte copëtuar pa dyshim. Desh perëndia, duallnë në shesh partizanët me Enver Hoxhën në krye dhe jo vetëm e nxuarrnë Shqipërinë nga hendeku i vdekjes, po e vunë në radhën e të gjallëve pranë shteteve aliate.

Guverna e Enver Hoshës jo vetëm që e shpëtoi Shqipërinë nga vdekja, po tani i vë themelet të patundura shtetit me reformat dhe me veprat konstruktive. Këto vepra munt t’i bëjnë vetëm një guvernë homogjene, e qëndrueshme, me një program të caktuar përparimtar. Ballistët tanë janë një grup heterogjen dhe nuk kanë asnjë program fare. Nuk mundin të organizojnë askurrë një guvernë të qëndrueshme, dhe ca më pak të hedhin themelet e një shteti dhe të bëjnë reforma. Sikur të ngjante e pangjara dhe ballistët tanë të kishin qëndruar në fuqi pas disfatës gjermane, përfundimi do të ishte një anarki e plotë, më e keqe se ajo e Greqisë, e cila do ta shpinte Shqipërinë ose në një diktaturë reaksionare ose në copëtimin final. S’ka shqiptar në Shqipëri e jashtë Shqipërisë aq budalla sa të mos i kuptojë këto gjëra elementare. Pra, s’ka shqiptar me pesë para mënt që t’i përkrahë ballistët që ta shpien Shqipërinë në buzë të varrit për një herë të dytë.

Atëherë mbetet vetëm një shpresë për ballistët tanë. Amerika bën një yrysh, e sheshon Rusinë me pesë a gjashtë bomba brenda në tri a katër javë, dhe me një yrysh tjetër ballistët tanë kthehen në Tiranë me triumf. Kjo është ëndrra e gjithë reaksionarëve të botës, dhe nuk çuditem aspak që edhe ballistët tanë shohin natë e ditë këtë ëndërr. Do të bëjnë mirë të zgjohen, të heqin dorë nga ëndrrat, edhe t’i shihnin faktet. Vetëm strategët e kafeanëve munt të besojnë se një luftë ruse-amerikane munt të marrë funt në tri a katër javë. Strategët e zanatit janë të mendjes që një luftë e atillë do të zgjatet më tepër se çdo luftë tjetër, napoleoniane a hitleriane, dhe nuk dihet se kush do të dalë i gjallë nga kjo katastrofë. Pra, këshilla që u pëshpëritin në vesh politikanëve është: urtë e butë e plot tigani. Se tani për tani as Amerika, as Rusia nuk munt t’i përvishen një lufte të gjallë. Përpara se të mejtohen për një luftë të re, popujt e botës duhet të mbledhin veten nga lufta e vjetër, e cila posa mbaroi dje. Për këtë çështje duhen të paktën nja pesëmbëdhjetë a njëzetë vjet.

Po atëhere ç’kuptim kanë dekllaratat e Trumanit? Përgjigjja është dhënë nga ata që diç dinë se ç’ngjan prapa perdes. Këtu po kopjojmë nja tri si për mostër: 1. Profkë për të fituar votat e reaksionarëve amerikanë; 2. Manovrë diplomatike, e cila nis në Greqi dhe në Turqi, po pastaj mbaron kudo gjetkë; 3. Një meze e vogël për fabrikat amerikane që të bëjnë topa dhe xhephane për evazonët dhe për anadollakët. Ka edhe të tjera hipoteza pak a shumë të bazuara dhe llogjike si këto. Po sidoqoftë, asnjë prej këtyre nuk parashikon seriozisht një luftë mithollogjike, e cila kërcet nesër dhe mbaron pasnesër për të plotësuar ëndrrën fantastike të reaksionarëve të botës dhe të ballistëve tanë.

Vijmë në konkluzionin: ballistët tanë ranë si shahitë të luftës fashiste, dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ngjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare. Pra, mos u varni torbën, po u tregoni vendin, dhe vendi i tyre është në varret e fashizmës. Nga ana tjetër, guverna e Enver Hoxhës e rrëmbeu Shqipërinë nga thonjtë e vdekjes me sakrifica heroike në periudën e luftës. Tani vepron dhe triumfon me reforma dhe me punë konstruktive. Ka përpara një të pritme të shkëlqyer se periuda e paqes do të zgjatet të paktën nja pesëmbëdhjetë a njëzet vjet. Pra meriton përkrahjen e patundur të çdo shqiptari të mirë, që dëshiron të mirën e atdheut.

Botuar në “Dielli” (Boston), 1947, 26 mars, nr. 5767.

DEKLLARATË PËRMI BALLISTËT

Tani në funt kanë ardhur në Amerikë disa ballistë dhe kanë nisur të çvillojnë një aktivitet të fortë në disa qytete, dhe veçanërisht në Nju-Jork dhe në Detroit. Qëllimi i tyre është ta rrëzojnë guvernën demokratike të Shqipërisë dhe ta marrin përsëri fuqinë ata në dorë. Shqiptarët e Amerikës duhet të marrin masa kundër këtyre provokatorëve reaksionarë për arsyet pasonjëse:

E para, ballistët janë a bejlerë, a vegla të bejlerëve, të cilët e kanë shtypur dhe robëruar popullin nja katër qint vjet me radhë në periudën e dominantës turke.

E dyta, ballistët, në bashkëpunim me italianët dhe gjermanët, e kanë djegur, e kanë shkretuar dhe ekanë mbytur Shqipërinë nq gjak në periudën e luftës së funtme.

E treta, ballistët si në kohën e shkuar, ashtu dhe në të pritmen janë gati të lidhen me armikun që ta copëtojnë Shqipërinë dhe ta skllavërojnë popullin për fitimin e kllapit të vetë.

Nga të sipërmet merret vesh se shqiptarët e Amerikës nuk kanë asnjë punë me aventurierët ballistë. Përkundër, e kanë për detyrë ta kundërshtojnë lëvizjen e tyre, e cila ka për qëllim copëtimin e Shqipërisë dhe robërimin e popullit prej feudalëve, fashistëve dhe nazistëve. Nga ana tjetër, e kanë për detyrë ta përkrahin guvernën demokratike të Shqipërisë, e cila është garantia më e shigurtë e indipendencës kombëtare, e tërësisë tokësor dhe e lirisë popullore. Të gjithë shqiptarët e Amerikës duhet të jenë të bashkuar në këtë qëndrim patriotik në krizën e sotme.

Botuar në “Dielli”, 1949, 21 dhjetor, Nr. 5908.

Kuvendi i paaftë mbush me zemërim qytetarët

0

Kuvendi i Kosovës në vazhdimësi është përcjellë me probleme e skandale të shumta, por veçmas legjislatura e tashme po tregohet tërë- sisht e padenjë për ta përfaqësuar popullin. Një pjese të deputetëve të kësaj legjislature duket se nuk u intereson fare mirëqenia e qytetarëve, por vetëm interesat e tyre dhe favoret që mund të përfitojnë e ngritja në pozita të ndryshme. Analistët në këtë drejtim kanë thënë se kësisoj Kuvendi është bërë burim i shkaktimit të pakënaqësive të mëdha tek qytetarët dhe njëkohësisht edhe urrejtjes së publikut ndaj deputetëve të shitur dhe të shantazhuar, të cilët kanë harruar krejtësisht interesin qytetar, dhe janë vënë në shërbim të klikës kriminale që udhëheqin partitë kryesore në pushtet dhe Kosovën.

Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se si duket dhe duke u bazuar në ato që shihen çdo ditë, Kuvendi i Kosovës është shndërruar në institucion zyrtar, ku rrjedhin dhe prodhohen të gjitha pakënaqësitë e qytetareve, teksa kjo, sipas tij, po shihet nga seancat e diskutimeve dhe siç tha “po merret vesh niveli se deputetët vuajnë për mungesë të theksuar morali, madje fyerjet e dallkaukëllaku në mes vete ua ka qitur të palarat, sidomos kur flasin në emër të popullit. Por, asnjëherë nuk është shtruar pyetja nëse deputetët me votat e kontrabanduara mund të flasin në emër të popullit, pasi merret vesh se ata janë të kontrabanduar për të zbatuar urdhrat e shefave të tyre”.

Skandalet nuk i skuqin pushtetarët Dibrani më tej shton se tashmë pas publikimit të dokumentarëve, “vjedhje në kohë lufte” dhe publikimit të përgjimit të bisedave telefonike të krerëve të shtetit nuk e di se ku e gjejnë atë moral për të folur në emër të popullit, derisa nuk dihet as fakti se përse nuk po vepron Prokurori i Shtetit dhe Prokuroria Speciale e Kosovës, qoftë për t’i prangosur protagonistët. Kjo Prokurori do të duhej të merrej seriozisht me sajuesit dhe publikuesit e informacione të tilla, pasi, siç tha, dihet se dy të vërteta kundërthënëse nuk mund të përkojnë për një çështje kaq esenciale për të cilën flitet shumë. ” Nëse shikojmë në retrospektivë dhe i analizojmë disa zhvillime politike, ngjarjet në vendin tonë duken të kurdisura dhe të shpifura nga vetë aparati shtetëror, i cili sikur mëton për ta tërhequr vëmendjen e qytetarëve tek skandalet e kurdisura sesa tek problemet e mëdha sociale, që tashmë nuk do të kenë zgjidhje të përshpejtuar. Po të shikojmë se si u organizua emigrimi masiv dhe po të shikohet tani sjellja dhe fodullëku i zyrtarëve shtetërorë, konkluzioni do të dalë i dhembshëm dhe rishtues”.

Më tej, Dibrani nënvizon se një skenar i ngjashëm ka qenë edhe me ngjarjet në universitet, e deri tek çështja e Asociacionit dhe Demarkacionit, derisa siç tha “jemi dëshmitarë të kësaj kohe se këto ngjarje nuk e tronditën as lëkundën ndërgjegjen e kësaj Qeverie, e cila e udhëheq vendin me duar të ndyta, sepse të sulmohet Parlamenti me mortaja dore, dhe të mos gjenden fajtorët në një Kosovë sa një grusht vend, lihet përshtypja se janë skenarë të përgatitur nga strukturat e shtetit dhe të Qeverisë për ta orientuar në probleme sekondare vëmendjen e popullsisë. Kësisoj, Parlamenti i Kosovës udhëhiqet nga njeriu më i apostrofuar për luftën e nëntokës që ka pasur Kosova, gjersa hiç më i mirë nuk është as morali i kryeministrit dhe i presidentit, prandaj siç e kemi Parlamentin e kemi edhe shtetin, i cili është kapur nga grupet mafioze, veprimet e të cilëve janë mbi ligjin dhe mbi Kushtetutën e Kosovës”. Dibrani tha tutje se Kuvendi i Kosovës është shndërruar në një fabrikë që prodhon urrejtje dhe klasifikon tradhtarë, të cilët duhet të gjenden vetëm tek opozita dhe tek disa deputetë që nuk po shiten kollaj.