Home Blog Page 5934

Masakra e Gjeneralit Zerva, dëboi me dhunë nga Çamëria 25 mijë veta

0

Historiani dhe diplomati Pëllumb Xhufi është shprehur se problemi i çështjes çame ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke.

Në një intervistë për gazetën Panorama , Xhufi shprehet që sheh avancim në trajtimin e çështjes çame pasi tani të paktën tani pranohet të flitet për të, por nuk është dakort me kategorizimin që ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i bëri popullsisë çame gjatë vizitës së tij dyditore.

Xhufi kujton se ikja masive e çamëve rreth 25 mijë veta nga Çamëria nuk ishte zgjedhje, por dëbim nga dhuna e gjeneralit Zervas. Xhufi kujton gjithashtu se në gjyqin e Janinës pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 1 mijë çamë u dënuan dhe kjo u bë në mënyrë arbitrare, dhe mbi baza etnike dhe fetare.

Xhufi u shpreh se ky problem mund të zgjidhet siç u zgjidh çështja e italianëve të Istrës të Riekës. “Pra ka një referencë dhe që është në tone shumë më minore se çështja çame, sepse italianët e Istrës i përkisnin një kombi pushtues, invazor në Luftën e Dytë botërore, kurse çamët tanë ishin viktimë e fashizmit, ishin një popullsi e pushtuar siç ishin edhe grekët.”-shprehet studiuesi.

Deklaratat e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në lidhje me çështjen çame, mund të konsiderohen një hap përpara në qasjen e Greqisë ndaj kësaj çështjeje, kur nga një çështje që nuk ekzistonte fare për të, ai në Tiranë pranoi që ka një problem çam, por e ndau në disa kategori. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Pa dyshim ka një zhvillim pozitiv që nuk fillon sot, por dita e djeshme e bisedimeve zyrtare në Ministrinë e Jashtme mund të konsiderohet një ngjarje pozitive në marrëdhënien shqiptaro-greke, qoftë dhe për faktin se tani pranohet të flitet. Mos harrojmë se para 10 viteve në vitin 2005, Presidenti Papulias, një njeri shumë i nderuar dhe pjesëmarrës në Luftën e Dytë Botërore, u kthye nga rruga kur mësoi se në vendin e takimit me presidentin e asaj kohe, Alfred Moisiu, kishte një grup çamësh që në mënyrë shumë miqësore e prisnin para hotelit ku do të bëhej takimi, madje do të thosha me parulla mjaft miqësore, duke shprehur shqetësimin e një popullsie me një konsistencë shumë të madhe. Fakti pozitiv është që për këtë çështje diskutohet dhe nuk lihet në mes biseda dhe aq më shumë, takimi i sotëm me studentët dhe profesorët pranohet të diskutohet edhe me opinionin publik dhe jo të mbyllet problemi thjesht në nivelet e larta të politikës. Por problemi çam ka nevojë për një zhvendosje në binarët e duhur nga politika greke. Interpretimet që zoti Kotzias bëri në lidhje me çështjen çame, në gjykimin tim nuk qëndrojnë.

Përse, nuk qënrojnë politikisht apo historikisht?

Në gjykimin e çamëve që janë gjallë, përkufizimi është arbitrar, metafizik, nuk është real, nuk është historik, sepse ai foli për çamë të cilët kanë ardhur në Shqipëri qysh përpara Luftës së Dytë Botërore. Është e vërtetë që disa familje çame kanë ardhur në Shqipëri, por pas masakrave që ka kryer ushtria greke në Çamëri në vitin 1913 dhe kanë ardhur për të shpëtuar jetët e tyre. Këta çamë që u vendosën në Shqipëri, kryesisht afër kufirit, në Sarandë, Delvinë edhe në kushtet kur u bllokua kufiri, veçanërisht pas Luftës së Parë Botërore, rrezikonin jetën për të kaluar kufirin matanë për të parë familjet e tyre në Çamëri. Pra, nuk ka qenë një zgjedhje, por një dëbim i detyruar ashtu siç ndodhi edhe në Luftën e Dytë Botërore. Për sa u përket çamëve që paskan qenë të krishterë dhe në shekullin e 17-të i janë kthyer islamizmit, kjo ka ndodhur me të gjithë popullin shqiptar, që nga Kosova dhe në Veri të Kosovës, akoma e deri në Çamëri. Ashtu si dhe Labëria, Dibra, Shkodra kanë qenë të ndarë në të krishterë dhe në shqiptarë që lanë fenë e parë dhe morën fenë myslimane. Këtu nuk ka asgjë të re dhe kjo nuk thotë asgjë. Kjo mund të thotë nëse edhe zoti Kotzias mendon se të gjithë të krishterët shqiptarë janë grekë. Kam frikë se zoti Kotzias i konsideron çamët si grekë që kanë qenë të krishterë, që më pas u islamizuan dhe u kthyen në shqiptarë. Si historian i Mesjetës dhe që merrem pikërisht me shekullin e 17-të, e di shumë mirë që shqiptarët në atë shekull kanë qenë në Çamëri, në Paramithi, në Mazrek, në Filat, në Igumenicë dhe kanë qenë edhe të krishterë, edhe myslimanë.

Ministri Kotzias evidentoi edhe një kategori çamësh që kanë bashkëpunuar me pushtuesin e huaj dhe duket se është ky grup që prish të gjithë marrëdhënien e Greqisë me çamët…

Kjo është një tezë e vjetër dhe nuk ka ndonjë zhvillim të ri që e lidh ikjen e çamëve si një ikje vullnetare të disa kriminelëve që kishin bërë krime në Greqi, kishin bashkëpunuar me nazistët gjermanë dhe që ikën vullnetarisht për t’i shpëtuar gjyqit. Absolutisht kjo është një e pavërtetë e madhe. Çamëria ka nxjerrë gjatë Luftës së Dytë Botërore kolaboracionistët e saj, si dhe Greqia ka pasur kryeministra kuislingë, si Ralis, Tzolagoglou, të cilët patën pozicione të nderuara në jetën politike greke dhe nuk u dënuan siç i dënoi gjykata e Janinës disa çamë, që thuhej se kishin bashkëpunuar me gjermanët. Ka pasur vetëm një çetë, Nuri dhe Vasar Dino, djem xhaxhallarësh, që në kohët më të mira të saj ka pasur 300 veta, si paraushtarakë dhe kjo çetë ka vepruar, sipas dokumenteve gjermane, kryesisht në Shqipëri. Ka luftuar kundër partizanëve shqiptarë në Zagorie, në Delvinë dhe Gjirokastër. Ajo lokalizohej në Shqipëri gjatë të gjithë kohës së luftës, sepse gjermanët e hoqën nga territori grek për të evituar edhe përplasjet me popullsinë e krishterë greke në Çamëri.

Zoti Kotzias kërkoi zbatimin e vendimeve të gjykatave për të zbatuar parimin e reciprocitetit…

Këtu duhet bërë një sqarim se jo të gjithë kanë njohuri. Vendimi i gjykatës së Janinës që dënoi rreth 1 mijë çamë me emra, si kriminelë dhe bashkëpunëtorë me gjermanët, është një vendim i bërë mbi baza të qarta paragjykimi etnik dhe fetar, për të krijuar një bazë ligjore për dëbimin përfundimtar të çamëve. Por edhe sikur ta pranojmë që këta 1 mijë çamë kanë qenë të tillë, po ata 25 mijë të tjerë që ikën pikërisht në vitet e Luftës së Dytë Botërore të dëbuar nga hordhitë e Zervas, përse duhet të dënoheshin dhe dëboheshin?! Lind edhe pyetja tjetër, përse fëmijët e tyre, qoftë edhe të atyre 1000 nuk u jepet e drejta t’i kthehet shtetësia greke siç e kanë pasur? Përse qeveria greke në vitin 1982 bëri një ligj të posaçëm për të drejtën e të ikurve nga Lufta e Dytë Botërore për t’u kthyer, ish-luftëtarët e AMI-t, të majtë që pas 1949 që u arratisën në vendet ish-socialiste, ka pasur dhe Shqipëri të tillë. Qeveria e PASOK-ut i lejoi të ktheheshin të ikurit për arsye politike nga Greqia. Por ai ligj ishte selektiv dhe u jepte të drejtë të ktheheshin vetëm qytetarëve grekë që kishin kombësinë greke dhe jo çamëve që kishin kombësi shqiptare. Ky ligj është bërë në 1982, kur Greqia ishte vend anëtar i Bashkimit Europian. Është një ligj diskriminues dhe antieuropian. Pra, çështja çame ka shumë pikëpyetje, të cilat, për fat të keq, qëndrojnë nga ana greke. Çamët kanë luftuar kundër nazistëve si në Shqipëri, edhe në Greqi, ka pasur luftëtarë nga familje të shquara patriotike, ekzistojnë dëshmorët çamë. Në këtë çështje pala greke ka një ngërç, një vështirësi të madhe.

Si mund të zgjidhet kjo çështje?

Ka zgjidhje që u kanë dhënë këtyre çështjeve vendet europiane, siç është çështja e italianëve të Istrës të Riekës. Zgjidhja është bërë para pak vitesh mes kroatëve dhe italianëve. Pra ka një referencë dhe që është në tone shumë më minore se çështja çame, sepse italianët e Istrës i përkisnin një kombi pushtues, invazor në Luftën e Dytë botërore, kurse çamët tanë ishin viktimë e fashizmit, ishin një popullsi e pushtuar siç ishin edhe grekët.

Pati edhe një deklaratë kontradiktore të ministrit Kotzias kur tha se reagimi i Ministrisë së Jashtme greke lidhur me deklaratat e Kryeministrit Rama për çështjen çame nuk ishin të tij, por të disa qarqeve në këtë ministri. Si e vlerësoni këtë qëndrim?

Edhe kjo tregon atë ngërçin në të cilën ndodhet çdo qeveri greke, por do të thosha edhe kjo qeveri, e cila mendoj se shënon një progres në kuptimin e trajtimit të marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm me Shqipërinë, por dhe me Turqinë. Ka një përmirësim në këto marrëdhënie që tregon për një vullnet të mirë. Sigurisht këtu bëhet fjalë për Shqipërinë e vogël, jo për Turqinë dhe është më e vështirë që të merret kthesa në këto marrëdhënie. Por me Shqipërinë pozicioni është shumë më i vështirë, sepse gjërat e mbetura pezull janë skandaloze.

Ligji i Luftës është vërtet skandaloz, statusi i marrëdhënieve strategjike që ne e kemi shpallur me Greqinë nuk u përgjigjet qëndrimeve që ka mbajtur Greqia. Zoti Kotzias tha se kemi mbështetur Shqipërinë për integrimin në NATO. Në fakt, Greqia është vendi i fundit që ka kaluar në parlamentin e saj ratifikimin e marrëveshjes për hyrjen e Shqipërisë në NATO, edhe atë me kushte shumë të rënda, me një marrëveshje deti që rezultoi se çfarë ishte, por që la shije të hidhur dhe mes popujve tanë. Ne mund të kemi qeveri të korruptuara, të cilat bëjnë çfarëdolloj marrëveshjesh, por politikanët tanë dhe grekë duhet të llogarisin që janë popujt në fund të fundit dhe te ta duhet të kultivojnë respektin reciprok. Ato që bëjnë politikanët dhe me celularë shpeshherë dhe pa lënë gjurmë, marrëveshje dhe ka të tilla, ato mund të zgjidhin një problem të çastit, qëndrimin tënd në pushtet, por krijojnë probleme shumë të rënda mes dy vendeve.

Haxhi Avdyli: Kam me qenë zëri i afaristëve

0

Kandidatët e LDK-së për deputetë, Haxhi Avdyli e Sadije Osaj- Jakupi, të enjten kanë vizituar lokale afariste në qytet si dhe Shoqatën e Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit.

Avdyli, premtoi se me angazhime konkrete përmes bashkëpunimit të mirëfilltë, do të zgjidhen problemet me të cilat ballafaqohen.

Suksese në këto zgjedhje , kandidatëve të LDK-së ju uroi kryetari i SHZAP, Sami Dida.

Më pas u zhvillua një bashkëbisedim i gjatë i kandidatëve të LDK-së dhe drejtuesve të SHZAP-së, të cilët njoftuan mysafirët për shumë gjëra që i preokupojnë /TV Prizreni/

Arrest me burg për amerikanen; akuzohet se dhunoi fëmijët e birësuar

0

Gjykata e Tiranës caktoi ditën e enjte masen e sigurisë arrest me burg për shtetasen amerikane, Andrea Grace Bailey-Key, e cila akuzohet për dhunë ndaj të miturve.

47-vjeçarja u ndalua nga policia pasi dy nga fëmijët e saj të birësuar e kanë akuzuar se ushtronte dhunë. Këtë dëshmi, të miturit e dhanë pasi u gjetën nga policia, e cila po i kërkonte pas denoncimit të 47-vjeçares se dy fëmijët e saj ishin larguar nga banesa.

Por të miturit i kanë pohuar policisë së ishin larguar vetë nga banesa, pasi ndaj tyre nëna që i kishte birësuar ushtronte dhunë. Ata kanë pohuar se Bailey_Key mban shtatë fëmijë, nga të cilët 3 i ka fëmijët e saj biologjikë dhe katër të birësuar. Vetë 47-vjeçarja ka dëshmuar se nuk ka ushtruar dhunë ndaj fëmijëve, por i ka qëlluar në një rast kur i ka kapur në shtepi duke vjedhur para.

Përveç dëshmisë së minorenëve, Prokuroria ka konstatuar në trupat e tyre shenja dhune në pjesët e këmbëve, të cilat dyshohet se janë krijuar nga goditjet me rrip.

Kaq ka mjaftuar që pas një seance që ka zgjatur disa orë, për shkak të përkthimit, gjykata të caktojë ndaj 47-vjeçares amerikane masën e sigurisë arrest me burg deri në përfundimin e plotë të hetimeve.

/ Top Channel

Veseli në Rahovec thotë se ai ka arritur ta implementojë filozofinë e Ukshin Hotit

0

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka mbajtur një takim elektoral në Rahovec, të cilin e ka quajtur qytetin më punëtor në Kosovë, por nuk është mjaftuar me kaq.

Ai u ka thënë qytetarëve se është i lumtur që gjendet në Rahovec e mbi të gjitha për faktin se ky qytet është baza e filozofisë së shtetndërtimit të Kosovës, duke iu referuar politologut të zhdukur qysh nga lufta e fundit në Kosovë, Ukshin Hoti.

I biri i Hotit, Andin Hoti, është kandidat për deputet nga PDK-AAK-NISMA.
E Veseli ia ka dhënë vetës një epitet të rëndësishëm në këtë tubim. Tha se ai është implementues i filozofisë së Ukshin Hotit.

“Jam i lumtur që kam arritur ta implementoj strategjinë e heroit të gjallë, heroit të përjetshëm Ukshin Hoti, për Kosovën dhe vizionin e saj”, ka thënë Veseli, raporton Insajderi.

Më pas ai u ka dhënë një premtim.
“Kjo filozofi e Ukshin Hotit, do të bëhet komplet realitet dhe nuk do të guxojë që të cenohet nga askush”, ka thënë Veseli në Rahovec./Insajderi.com

PAN gjobitet me 3 mijë e 200 euro për posteret në Kinemanë Lumbardhi

0

Koalicioni i OJQ-ve ‘Demokracia në Veprim’ që monitoron fushatën zgjedhore ka njoftuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka miratuar ankesën e shoqërisë civile lidhur me panon me porosi promovuese zgjedhore, e cila ishte vendosur në mënyrë të jashtëligjshme në murin e jashtëm të Kinemasë Lumbardhi në Prizren. Sipas DnV-së subjekti politik që ka vendosur këtë pano është gjobitur me mjete financiare.

“PZAP ka pranuar si të bazuar ankesën tonë dhe ka shqiptuar gjobën në vlerë prej 3 mijë e 200 euro. PZAP ka marrë si rrethanë lehtësuese tërheqjen e posterit nga subjekti politik brenda afatit të caktuar”, thuhet në njoftimin e DnV.

Në murin e jashtëm të Kinemasë Lumbardhi, që është monument i mbrojtur, ditë më parë qe vendosur një pano e madhe, që promovonte kandidatin e listës PDK-AAK-NISMA, Enver Hoxhaj.

Panoja me porosi promovuese zgjedhore, e cila ishte vendosur në mënyrë të jashtëligjshme në murin e jashtëm të Kinemasë Lumbardhi, është larguar të martën në mëngjes. Sipas autoriteteve lokale një veprim i tillë është realizuar në mënyrë vullnetare dhe inspektorët nuk kanë pas nevojë për reagim.

Nezir Çoçaj: Do të angazhohem në finalizimin e shtegut të peshkimit në Gjonaj

0

Kandidati për deputet i PDK-së nga Hasi, Nezir Çoçaj,ka premtuar se do të angazhohet në finalizimin e shtegut për peshkim në fshatin Gjonaj.

Ai, po ashtu, ka thënë se do të angazhohet në mbrojtjen dhe rregullimin e shtratit të lumit “Drini i Bardhë”

Postim në Facebook

Ditën e fillova me një vizitë në Shoqatën e Peshkatarëve Sportiv-Rekreativ “Drini i Bardhë”, ku përveç Kryetarit të shoqatës takuam edhe Sekretarin e Federatës.

Gjithmonë, angazhimi im politik dhe institucional ka qenë në mbrojtjen dhe rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë, si një resurs i çmuar natyror dhe ekonomik.

Sot, poashtu para peshkatarëve u zotova që do të angazhohem në finalizimin e shtegut për peshkim sportivo-rekreativ në Gjonaj, si hapësirë e domosdoshme për aktivitetet e peshkatarëve në nivel të vendit.

#PDK12 #KadriVeseli1 #NezirÇoçaj67

U martua kur ishte vetëm 13 vjeç

0

Jie sapo kishte nisur adoleshencën, kur u martua tre ditë pasi ishte takuar me 18-vjeçarin Wen.

Ata u takuan në një festival pranveror, ndërsa 13-vjeçarja po vizitonte familjen e bashkëshortit të ardhshëm.

Ai e bindi të qëndrojë dhe ajo u bë bashkëshortja e tij.

Për shkak se nuk i njihte praktikat e kontrollit të lindjeve, ajo mbeti shumë shpejt shtatzënë dhe la shkollën.

Ky është një nga mijëra e mijëra raste në Kinë, kur fëmijët martohen në moshë të vogël.

Edhe pse mosha ligjore e martesës është 20 për femrat dhe 22 për meshkujt, familjet e injorojnë këtë rregull dhe i regjistrojnë martesat më vonë.

Fotografi Muyi Xiao ka vendosur të dokumentojë këto raste.

Martesat në moshë fare të vogël po krijojnë atë që njihet si gjenerata e fëmijëve të humbur.

Kjo për shkak se kur çifti rritet, largohen në qytetet e mëdha, duke ua lënë fëmijët gjyshërve.

Studentët e UPZ-së, mbështesin Andin Hotin për deputet (Foto)

0

Djali i atdhetarit dhe intelektualit, Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban Universiteti Publik i Prizrenit(UPZ), Andin Hoti, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së për Kuvendin e Republikës së Kosovës të enjten ka takuar strukturat e Parlamentit Studentor të UPZ-së.

Studentët e këtij universiteti, i kanë premtuar Andin Hotit, se do të mbështesin atë në rrugëtimin për deputet.

Ndërsa, Hoti i falënderoi studentët për mbështetjen dhe i siguroi se do të punojë me ndershmëri dhe se do të jetë zë i tyre dhe të gjithë të rinjve në Kuvendin e Republikës së Kosovës./PrizrenPress.com/

Kastriot Jahaj shpalos gjashtë alternativat për reformimin e gjyqësorit kosovar

0

Kastriot Jahaj, kandidati për deputet i subjektit më të ri politik në Kosovës, Alternativa, e cila është në koalicion parazgjedhor me LDK-në dhe AKR-në ka vazhduar fushatën në qytetin e Prizrenit.

Jahaj ka shpalosur disa nga arsyet pse duhet të votohet “Koalicioni i Shpresës” duke vendosur si prioritet sundimin e ligjit.

Ai ndër të tjerash ka pohuar se shumë flitet për korrupsionin, po pak flitet për shkaktarët, transmeton Telegrafi.

Ai më tutje ka treguar edhe gjashtë alternativat se si duhet të reformohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.

Më poshtë keni edhe postimin e plotë të Jahajt në Facebook.

Sot kemi prezantuar disa nga arsyet pse duhet të votohet koalicioni i shpresës.

Sundimi i rendit dhe ligjit në Kosovë mund të ndodhë vetëm me vullnet politik, vullnet i cili nuk është dëshmuar deri më tani. Shumë flitet për korrupsion, por pak flitet për arsyet që e shkaktojnë atë dhe gjendjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Gjykatave në Kosovë u ndahet vetëm 1.1% e buxhetit vjetor të Kosovës, apo vetëm 20 milion euro.
Buxheti shumë i ulët ka kufizuar rritjen e numrit të stafit profesional dhe administrativ. Kjo ka shkaktuar zvarritje të proceseve gjyqësore dhe numër të madh të lëndëve të papërfunduara.

Në raportet vjetore të Avokatit të Popullit përmendet shumë shpesh mungesa e resurseve njerëzore si shkak për vonesën dhe mos zgjidhjen e lëndëve, ndërkohë që numri i stafit mbështetës ka mbetur pothuajse i njëjtë, kurse numri i lëndëve të pazgjidhura nuk është zvogëluar.

Alternativa 1: Dyfishim i buxhetit për sistemin gjyqësor dhe prokurorial
Alternativa 2: Rritje e stafit profesional dhe administrativ
Alternativa 3: Përmirësimi i infrastrukturës së gjykatave
Alternativa 4: Rritja e transparencës – publikimi i të dhënave të proceseve gjyqësore
Alternativa 5: Krijimi dhe publikimi i databazës me të dhëna sipas standardeve Evropiane
Alternativa 6: Rritja e llogaridhënies përmes raportimit vjetor në Kuvendin e Kosovës të Kryeprokurorit dhe Kryetarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. /Telegrafi/

Prizren: I dëmtuari dëshmon se si është përleshur me të akuzuarin për vjedhje

0

I dëmtuari, Ahmet Çertik nga Prizreni, të mërkurën, në seancën gjyqësore ndaj të akuzuarit për vjedhje grabitqare, Fabijan Gjugja, ka thënë se kur është kthyer në shtëpi rreth orës dy pas mesnate, ka hasur në të akuzuarin, me të cilin më pas është përleshur.

Dëshmitari Çertik, ka thënë se fillimisht  e kishte pyetur të akuzuarin se kush është, ndërsa ai nuk i ishte përgjigjur dhe kishte dashur të ikë, por ai nuk e ka lejuar duke e tërhequr dhe e kishte goditur në fytyrë dhe trup, duke i shkaktuar edhe lëndime të lehta. Ai ka thënë se gjatë përleshjes nga xhepi i të akuzuarit ka rënë telefoni i llojit, “Sony Ericsson”, të cilin e kishte vjedhur nga dhoma e vëllait të tij, ndërsa ai së bashku me vëllain e tij, e kanë mbajtur në oborr të shtëpisë derisa ka ardhur policia.

Para se të deklarohej dëshmitari Çertik, prokurori i rastit, Metush Biraj  e ka lexuar aktakuzën, ndërsa i akuzuari Fabijan Gjugja, nuk e ka pranuar fajësinë, ashtu si e ngarkon aktakuza.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se klienti i tij nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohet, por se do të vërtetohet se ai është zënë në rrugë, është mbajtur me dhunë dhe është rrahur.

Avokati Qelaj, po ashtu ka kërkuar që klientit të tij t’i ndryshohet masa e sigurisë, nga ajo e paraburgimit, në ndonjë masë tjetër alternative.

Me këtë rast, i dëmtuari Çertik ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike, për shkak se të akuzuarit ia njeh familjen që shumë vite dhe më vonë e ka kuptuar që i akuzuari është nga një familje që e njeh. Po ashtu, ka thënë se familjet kanë biseduar dhe gjithçka është rregulluar, andaj ka kërkuar që i akuzuari të mos dënohet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, kanë miratuar kërkesën e mbrojtjes, ku të akuzuarit ia ka zëvendësuar masën e paraburgimit në masën e lajmërimit në stacion policor, një herë në javë.

Seanca  e radhës është caktuar për 17 korrik 2017, duke filluar nga ora 10:00.

Ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, e cila e akuzon Fabijan Gjugjajn, se më 4 dhjetor 2012, rreth orës dy pas mesnate, ka vjedhur një telefon dhe në momentin kur po largohej nga shtëpia është ndeshur me pronarin, Ahmet Çertik. Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari me qëllim që të mbajë sendin e vjedhur, ka përdorur forcën fizike dhe dhunën me qëllim që të largohet nga shtëpia.

Ky rast, për disa vite nuk ka filluar, sepse i akuzuari ka qenë i pakapshëm për forcat e rendit, pasi që i njëjti ka qenë jashtë Kosovës./betimiperdrejtesi/