Home Blog Page 5986

Telat e rrymës mbysin disa krerë dhi në Malishevë (Foto)

0

Rreth 5 krerë dhi i kanë ndodhur një fermeri në fshatin Kërvasari të Malishevës. Kjo si pasojë e këputjes së një teli nga shtyllat elektrike.

Ndonëse kishte kohë që banorët e këtij fshati e kishin lajmëruar KEDS’in për gjendjen e shtyllave elektrike, këta të fundit nuk i kanë dal në ndihmë. Banorët po ankohen për mosefikasitetin nga ana e KEDS’it për t’i riparuar këto shtylla elektrike, shkruan Gazeta Express.

“.. në vend të këtyre ka mundur të jetë një jetë njeriu. Me këtë ne kuptojmë se KEDS’i sikurse edhe politika luftojnë dhe punojnë për interesat dhe bizneset e tyre por jo edhe për interes të popullit dhe shtetit të Kosovës”, thuhet në reagimin e qytetarëve.

Policia ia ndalon rahovecianit bashkëjetesën me të miturën

0

Policia në Rahovec, dje është informuar për një rast të bashkëjetesës me femër të mitur, nën 16 vjet.

“Raportohet se i dyshuari mashkull K-Shqiptar ka vendosur të jetojë me viktimën –të miturën femër K-Shqiptare. I dyshuari dhe viktima janë intervistuar në prezencë të punëtorit social”, njofton PK.

Viktima, sipas Policisë, është kthyer tek familjaret ndërsa me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt

’Të drejtët’ e Albert Kamy vjen premierë në Teatrin e Prizrenit

0

Në Teatrin e Prizrenit do të vijë premierë shfaqja “Të Drejtët” nga Albert Kamy. Kjo shfaqje do të jetësohet në skenë nga regjisori Mahir Musliu.

Në këtë shfaqje luajnë aktorët: Rifat Smani, Fetah Paçarizi, Xhevdet Doda, Edona Sopaj, Alban Morina, Zanë Duraku, Alban Krasniqi, Alban Çelaj dhe Ernest Malazogu.

Skenografia është realizuar nga Qamil Morina, ndërsa kostumografe është Semka Ferri.

Drama “Të drejtët” e autorit Albert Kamy është himn i sakrificës për liri. Në këtë dramë bëhet fjalë për problemin e ndërgjegjes individuale në realizimin e detyrave revolucionare.

Shfaqja do të vijë premierë më datë 10 maj në ora 20:00 në Teatrin e Prizrenit. Ndërsa repriza e parë vjen më datë 12 maj në ora 20:00. /KultPlus

“Deputetët e PDK-së do të votojnë pro-mocionit”

0

Java e ardhshme pritet që të jetë vendimtare për mandatin e Qeverisë së Kosovës, sepse sipas paralajmërimeve të hënën është caktuar seanca për votimin e Demarkacionit me Malin e Zi. Ndërsa të mërkurën ajo e mocionit e iniciuar nga partia NISMA, e cila pretendon se i ka nënshkrimet e mjaftueshme të deputetëve të kuvendit, për rrëzimin e Qeverisë.

Lidhur me këtë, analisti i çështjeve politike Nexhmedin Spahiu ka treguar se marrëveshja e demarkacionit nuk do të kalojë, dhe sipas tij nuk është aspak mirë që kjo të kalojë.

Ndërsa sa i përket mocionit të iniciuar nga opozita, Spahiu thotë se një pjesë e deputetëve të PDK-së e kanë nënshkruar, andaj kjo na bënë të mendojmë se mocionin do ta votojnë edhe deputet tjerë të kësaj partie.

“Për mocionin e rrëzimit të qeverisë nuk e di por besoj që megjithatë ka një numër të madh i deputetëve të cilët janë nga Partia Demokratike e Kosovës që e kanë nënshkruar mocionin. Atëherë kjo na bënë të mendojmë që edhe deputetët tjerë të kësaj partie do ta votojnë këtë mocion dhe Qeveria do të bije”, ka thënë Spahiu për Indeksonline.

Ai ka përmendur edhe disa nga të arriturat që kjo qeveri i ka bërë, ku sipas tij Ministria e Punës, sidomos Ministria e Financave e cila është treguar më e suksesshmja prej të gjitha ministrive.

“Por kjo nuk është e mjaftueshme që një Qeveri të qëndrojë edhe më tutje, pasi që ajo ka dështuar në gjërat kruciale për Kosovën”, ka përfunduar ai./Indeksonline/

Krasniqi: Kjo Qeveri duhet të bie

0

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Krasniqi në një opinion të tij, ka theksuar se mocioni është kërkesë dhe mjet demokratik në të gjitha vendet që shquhen me demokraci të konsoliduar, të cilin mund ta përdorë opozita, sa herë që ajo mendon se vendi po qeveriset keq, e zgjidhja e së keqes janë zgjedhjet.

“Edhe pozita e ka të drejtën t’i përgjigjet me mjete demokratike, me kulturë e edukatë njerëzore kërkesës së ligjshme parashtruesve të mocionit të mosbesimit, duke ofruar fakte e dëshmi që tregojnë të kundërtën. Konsideroj se vetë mënyra sesi qeveritarët po e kundërshtojnë mocionin e mosbesimit, si vendorët e po ashtu edhe jovendorët, duhet ta kuptojnë se kjo qeveri duhet të bie e vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Krasniqi.

Ju kujtoj

0

Skender Berisha 

* Shokëve dëshmorë

Rodhën kohë e kohë
Vitet nuk e pritën njëri-tjetrin
Ju mbetët të njëjtit
Petritë se petritë

Tashti rrini gatitu në sheshet e lirisë
Dhe një dritë e kuqrremtë bie
Sheshit ndrit përditë

Ju zemra e të ritë tim
Që më flitni ditë e përditë
E më thoni qetë me pëshpërimë
Për fillim e mbarim

Krejt për një stinë
Kur endet lis për lis
Një murmurimë e pambarim
Si fillim o fillim

5 maj 2017

Zafir Berisha: Hashim Thaçi ka dalë nga rruga e Zotit

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha, ka thënë se ish-kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka devijuar nga rruga të cilën e kishte nisur që nga koha kur ishte përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në emisionin “Personale” në TV Dukagjini, Berisha ka dhënë detaje për jetën dhe vdekjen e komandant Drinit por edhe të bashkluftarëve të tjerë të UÇK-së.

“Unë kam shumë fjalë për të, por do ta them së është një njeri që ka dalë nga udha e zotit dhe nuk është duke e ditur as çka është duke bërë. Deri në vitin 2002 apo 2003, ai ka qenë krejt tjetër njeri”, ka thënë shkurt Zafir Berisha.
Ai ka rrëfyer se si ishte përjashtuar nga shkolla për shkak se e kishte shkruar parullën ‘Kosova Republikë’.

Zafir Berisha më herët kishte qenë bashkpartiak i Hashim Thaçit në Partinë Demokratike të Kosovës

Ditët e fundit të Qeverisë “Mustafa”

0

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të thërrasë seancë plenare për votimin e mocionit të opozitës për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të mërkurën, më 10 maj. Janë 42 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 30 nga partitë opozitare dhe 12 nga partitë e tjera, përfshirë edhe ato në pushtet dhe deputetë të pavarur, që kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Qeverisë aktuale. Nënshkrues të mocionit janë edhe tetë deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës janë paraqitur para medieve menjëherë pasi kanë proceduar mocionin në Kryesinë e Kuvendit. Ndërkaq, kjo e fundit ka caktuar seancën për datën 10 maj.

Shefja e Grupit Parlamentar të partisë Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami tha se ka edhe deputetë të tjerë që nuk e kanë nënshkruar mocionin, por presin që ata në seancë ta përkrahin rrëzimin e kësaj Qeverie. Rrëzimi i Qeverisë mbetet ekskluzivisht çështje e partive të koalicionit, pasi nevojiten edhe 19 vota të deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, tha se është evidente që nuk ka vendimmarrje të duhur në Kosovë. Andaj, ai tha se ndërkohë do të bisedohet edhe me Lidhjen Demokratike për të parë se si do të veprohet deri të mërkurën.

“Gjendja në Kosovë nuk është ajo që duhet të jetë. Nuk është gjendje e kënaqshme. As unë nuk jam i kënaqur dhe as qytetarët e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, unë do ta vazhdoj komunikimin me partnerin e koalicionit (LDK-në). Nuk është opozita ajo që e rrëzon Qeverinë, e thashë do të bisedojmë me partnerin e koalicionit”, ka thënë Veseli.

PDK-ja, e pakënaqur me vendimmarrjen

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës e ka shqyrtuar gjendjen politike në vend, por nuk ka dalë ende me një qëndrim të prerë rreth çështjes së zgjedhjeve të parakohshme. Pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie politike, nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi tha se do të diskutohet edhe me partinë partnere në koalicion, Lidhjen Demokratike të Kosovës për hapat që do të ndiqen. Ai nuk e ka mbështetur as kundërshtuar mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë. Kurse nënshkrimet e tetë deputetëve të PDK-së në mocionin e opozitës, Kuçi i ka cilësuar si vendime individuale dhe jopartiake. Kuçi, megjithatë, ka pranuar që vendimmarrja nga ana e Qeverisë nuk ka qenë në nivelin e pritur.

“Ka munguar vendimmarrja e plotë, kurse opozita ka qenë jo çdo herë konstruktive”, ka thënë Kuçi. PDK-ja, ka shtuar ai, do të marrë vendimin duhur në ditët në vijim, duke mos përjashtuar as zgjedhjet. Po ashtu, Kuçi e ka konfirmuar interesimin e PDK-së dhe kryetarit të saj, Kadri Veseli, që në të ardhmen të ketë nën drejtim postin e kryeministrit të Kosovës. “Secili që është kryetar partie në këtë vend përgatitet që të bëhet kryeministër”, ka thënë Kuçi. Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, tha se gjithçka mbetet të vendoset mes partnerëve të koalicionit, ngase opozita, sipas tij, nuk e ka fuqinë e ndryshimeve apo rrëzimit të Qeverisë. Në anën tjetër, nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, tha se tash gjithçka mbetet të vendoset në seancë plenare, ku deputetët duhet të deklarohen për apo kundër mocionit. Edhe shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj tha se tre vjet të kësaj Qeverie e dëshmojnë se është i domosdoshëm një mocion i tillë, pasi për këto tre vjet, sipas tij, kishte vetëm keqqeverisje.

Zgjedhje në prag të furtunës së Speciales

Futja e mocionit të opozitës parlamentare në procedurën kuvendore, dhe nënshkrimi i tij edhe nga disa deputetë të pozitës, kryesisht nga radhët e PDK-së, nga analistët politikë po shihet si një situatë shumë delikate para së cilës gjendet Qeveria “Mustafa”. Profesor Riza Smaka thotë se, pavarësisht kalkulimeve dhe paragjykimeve të ndryshme, kjo Qeveri jofunksionale ka kohë që është dashur të rrezohet, prandaj është shumë optimist që ky proces do të realizohet tani përmes këtij mocioni të iniciuar nga opozita.

“Gjasat janë se PDK-së i përshtatet rënia e Qeverisë aktuale, ashtu sikundër edhe opozitës parlamentare të mbështetur fuqishëm nga pjesë e konsideruar e qytetarëve tejet të pakë- naqur me keqqeverisjen dhe shumë dështime e papërgjegjësi të saj. Sa më parë, aq më mirë do të ishte për vendin tonë që kjo Qeveri të rrëzohej dhe të shpalleshin zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme”, tha Smaka për “Kosova Sot”.

Edhe analisti politik, Naim Kelmendi shpreh mendimin e tij se në këtë situatë të zhvillimeve shumë komplekse në mes partive në pushtet dhe opozitës, është sidomos PDK-ja e interesuar për ta prishur koalicionin dhe që të shkojnë në zgjedhje, pikërisht pse po pritet një furtunë brenda PDK-së nga Gjykata Speciale, e që sikur dihet potencialisht se janë disa personalitete të kësaj partie që gjenden në krye të raportit të Dik Martit, nga i cili edhe do të ketë nismën kjo gjykatë, e që sot janë në krye të institucioneve të shtetit. “Mendoj se nisma për mocionin nga Nisma për Kosovën duket se do të arrijë ta bëjë numrin e mjaftueshëm të deputetëve për rrëzimin e kësaj Qeverie, kështu që numri i deputetëve nga koalicioni do të vazhdojë të rritet pro mocionit të opozitës. Mund të them se për tre vjet të qeverisjes së këtij koalicioni asgjë të mirë nuk i ka sjellë vendit, përkundrazi në asnjë drejtim nuk ka arritur të jetë e suksesshme, mbase edhe më keq se është kreatore e dy projekteve shumë të dëmshme për shtetin, siç janë Asociacioni i komunave serbe dhe Demarkacioni”, theksoi Kelmendit.

Përfundoi festivali “Hasi Jehon 2017” – këto janë çmimet

0

Në natën e tretë në festivalin “Hasi jehon” u paraqitën 5 ShKA ndërsa mbylljen e bëri ShKA “Malësori”.

Derisa u paraqit në skenë ShKA “Malësori”, juria në përbërje të Dilaver Kryeziut, Sami Pirajt dhe Hysen Didës, vendosën për çmimet tradicionale të festivalit, shkruan PrizrenPress.

“Publik i mrekullueshëm si zakonisht. E meritoni notën më të lartë për qëndrueshmërinë dhe për kulturën që e keni si publik”, tha Dilaver Kryeziu kryetar i jurisë.

Juria i ndau këto çmime:

Çmimi e parë “Malësorin” juria ia ndau Ansamblit “Mati” nga Burreli

Çmimi i dytë “Malësorja” iu nda ShKA “Bajram Shabani” nga Kumanova

Çmimi i tretë “Lahuta” sipas jurisë iu takoi ShKA “Januz Ramadani” nga Smira dhe Ansamblit “Rugova” nga Peja

Çmimi “Nazmije Tota” iu nda trios së këngëtareve nga Mati

Valltari më i dalluar u vlerësua Muhamet Sinani i ShKA “Bresana” nga Bresana

Valltarja më e mirë Elizabeta Zeneli nga ShKA “Prishtina”

Dyshja më e mirë e valltareve Vjollca Hajrullau dhe Ermira Sheta nga Kruma e Hasit

Koreografia më e mirë u shpall ajo e koreografit Mehmet Xhemajli nga ShKA “Prishtina”

Loja më e mirë popullore ShKA “Katarina Josipi”

Kostumet ShKA “Rapsha” nga Tuzi

Rituali më objektiv iu nda Ansamblit Muharrem e Xhevat Qenaj nga Ramaja

Çmimi rapsodi më i mirë i festivalit iu nda raspodes Xhevrije Vataj

Grupi i rapsodëve më të mirë Hamit Kastrati e Përparim Brati nga Hasi i Shqipërisë

Orkestra më e mire ShKA “Shote Galica” nga Drenasi

Instrumentisti më i dalluar klarinetisti nga Kavaja

Krejt në fund, drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, çmimin e parë të festivalit ia “ndau” publikut.

“Juria ndau çmimet për Ansamblet ndërsa unë them se çmimi i parë si zakonisht ju takon juve që e përcillni me kujdes paraqitjen e çdo grupi”, tha Hodaj. /PrizrenPress.com/

Goranët e Dragashit nuk e njohin Kosovën si shtet

0

Goranët kanë festuar sot ditën e Shën Gjergjit në Dragash. Dita e Shën Gjergjit festohet për ta përjetuar ndaljen e dimrit dhe ardhjen e stinës së verës.

Në këtë manifestim ka marrë pjesë edhe zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Dushan Kozarev dhe deputeti goran në Kuvendin e Kosovës, Adem Hoxha.

Në këtë ditë është mbajtur edhe një seancën e të ashtuquajturës Komunë e Gorës, ku është folur për “mundësinë që Qeveria e Serbisë t’i ndihmojë goranët në ruajtjen e identitetit të tyre”, transmeton lajmi.net.

E deputeti Adem Hoxha, i cili bënë pjesën në Grupin Parlamentar të Listës Serbe ka thënë:

“Do t’i falënderoj të gjithë miqtë tonë, dua të falënderoj shtetin e Serbisë dhe drejtorin e Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq i cili na ka dërguar urime për Ditën e Goranëve. Po ashtu dua ta falënderoj edhe kryeministrin (Vuçiq). Kjo tregon se nuk ka qëndrueshme të goranëve dhe Gorës pa shtetin e Serbisë”.

Dita e Shën Gjergjit karakterizohet me lojëra të shumta, me fluks të madh të shqiptarëve në fusha të gjëra, pranë tyrbeve, apo ndonjë vendbanimi të lashtë.