5.6 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 6047

Drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, paraqet provë të re në rigjykim

0

Drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, të hënën, gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin e kthyer në rigjykim ndaj tij dhe ish-drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Prizren (DKA), Nexhat Çoçajt, ka paraqitur një provë të re.

Buduri ka propozuar që të administrohet si provë, një shkresë e tij, dërguar DKA-së me të cilën e kishte njoftuar për mësimdhënësit të cilët janë punësuar sipas konkursit. Me të njëjtën shkresë, DKA-ja është njoftuar se profesori Besnik Krasniqi është duke mbajtur orët mësimore të lëndës “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”, pa vendim të DKA-së.

Buduri ka thënë se kjo shkresë është e protokolluar në librin e protokollit të shkollës dhe është dorëzuar në sektorin e financave të DKA-së, sepse nuk ka pasur zyre të pranimit.

Ndërsa i akuzuari tjetër, ish-drejtori i DKA-së, Nexhat Çoçaj, ka deklaruar se prej themelimit të kësaj drejtorie, ekziston zyra për pranimin e shkresave, andaj ka thënë se as ai e as DKA-ja nuk kanë qenë të informuar për një shkresë të tillë.

Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ka kundërshtuar administrimin e kësaj prove, duke thënë se i akuzuari të njëjtën mund ta ketë pasur edhe gjatë gjykimit të parë por nuk e ka prezantuar. Sipas prokurorit Sefa nuk ka prova tjera që e mbështesin besueshmërinë e një prove të tillë.

Në këto rrethana, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, kanë vendosur që zyrtarisht të kërkojnë nga zyra e protokollit të DKA-së, nëse një shkresë e tillë është protokolluar në librat e tyre, e pastaj të vendosin për administrimin ose jo të saj.

Seanca e radhës është caktuar për 22 shkurt 2017, me fillim në ora 09:30.

Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj akuzohen se kanë punësuar profesorin Besnik Krasniqi, në gjimnazin “Gjon Buzuku”, pa konkurs publik.

Sipas aktakuzës, Buduri duke qenë drejtor i shkollës në fjalë, ka lejuar, profesorin Krasniqi, të japë mësim për pesë muaj, pa kontratë të punës.

Ndërsa Çoçaj akuzohet se ia ka lidhur Besnik Krasniqit, kontratën e punës në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ka shpallur konkurs publik për atë vend të punës.

Shaip Buduri, në maj të këtij viti, është dënuar nga kjo gjykatë me një vit burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër Nexhat Çoçaj ishte liruar nga akuza.

Por, Gjykata e Apelit, ka prishur një aktgjykim të tillë, me arsye se nuk është vërtetuar në tërësi gjendja faktike. Sipas Apelit, gjykata nuk ka arritur të arsyetojë përgjegjësinë e drejtorit të shkollës, në punësimin e profesorit, pasi që punësimin e bënë DKA-ja.

Apeli, poashtu ka gjetur se nuk qëndron arsyetimi se drejtori i DKA-së, ka lidhur kontratën në bazë të UA 08/14, pasi që lidhja e kontratës është bërë me 2 shkurt 2014, ndërsa UA ka hyrë në fuqi me 25 shkurt 2014./betimiperdrejtesi/

Policia heton çështjen e Pallatit të Kulturës në Zhur

0

Janë ngritur dyshime për parregullsi, lidhur me një projekt kapital në Prizren. Fjala është për projektin e ndërtimit të Pallatit të Kulturës në Zhur. Ndaj policia është duke e hetuar në bazë të një autorizimi të lëshuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit.

Tashmë kanë kaluar 6 muaj prej se është lëshuar ky autorizim për grumbullimin e provave, për shkak të dyshimeve mbi rregullsinë e zbatimit të projektit, për të cilin janë shpenzuar afro një milion euro, shkruan sot “Koha Ditore”. Pallati i Kulturës në Zhur ka filluar të ndërtohej në vitin 2009 dhe ende nuk është funksionalizuar. Së fundmi përmes një peticioni të nënshkruar, banorët e këtij lokaliteti kanë kërkuar nga autoritetet komunale që të bëhet ekspertiza për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e objektit.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Admir Shala, ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë çështje ende janë në vazhdim e sipër.

Ndonëse ky projekt është nën llupën e hetuesve policorë, pak muaj më parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nuk ka hezituar që të alokonte mjete nga buxheti i saj për të. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit lokal pati pranuar se realizimi i këtij projekti kapital ka zgjatur shumë. Paraprakisht ka kërkuar që drejtori i Kulturës, Arhim Ajazi, të raportojë se në cilin stad ka mbetur finalizimi i këtij projekti. Ajazi ka shpjeguar se MKRS-ja ka alokuar 100 mijë euro për këtë objekt kulturor.

Opozita dominon në inicimin e çështjeve të trajtuara në Kuvendin e Komunës së Suharekës

0

Opozita në Kuvendin e Komunës së Suharekës ka shënuar një performancë shumë më të mirë në ngritjen e çështjeve gjatë vitit 2016 krahasuar me pozitën.

Ndërkaq anëtarët e Kuvendit të Komunës me performancën më të mirë gjatë vitit që lamë pas del të jenë Alush Shala (PDK) me 14.9 %, Leonard Shala (LVV) me 13.2 %, Bajram Tershani me 6.1 % dhe Ardian Kotorri (AAK) me 5.7 % të vlerësimit të përgjithshëm, thotë kumtesa nga KDI.

Këto të dhëna dalin nga “Fletënotimi” i KDI-së për këtë komunë që përmban analizë dhe notim për punën individuale të 31 anëtarëve të këtij kuvendi komunal dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë institucion për periudhën janar-dhjetor 2016, bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Gjatë vitit që shkoi anëtarët e Kuvendit të Komunës së Suharekës kanë ngritur gjithsej 171 çështje, prej të cilave vetëm 47 % nga fushat me interes për qytetarët e Suharekës ndërkaq 53 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Suharekës. Nga këto të dhëna rezulton se anëtarët e AAK-së prijnë për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 36.3 % të çështjeve të ngritura, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së me 23.4 % të çështjeve të iniciuara.

Lidhur me ngritjen e çështjeve, anëtari i Kuvendit të Komunës së Suharekës Alush Shala (PDK), ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve të ngritura me gjithsej 17.5 % i përcjellë nga Leonard Shala (LVV) me 13.5% dhe Bajram Tershani (PD) me 8.2 % të çështjeve të ngritura.

Gjatë vitit 2016 ky institucion ka shqyrtuar dhe miratuar rregulloren për vendosjen e ndërtimit dhe largimit të objekteve të përkohshme në pronën publike dhe private. Krahas kësaj, Leonard Shala (LVV) ka propozuar për miratim në këtë institucion rregullore komunale për menaxhimin e mbeturinave.

Anëtarët e PDK-së në Kuvendin e Komunës së Suharekës prijnë me numrin e pyetjeve të bëra gjatë kësaj periudhe me gjithsej 35.6 % të pyetjeve, të pasuar nga anëtarët e LDK-së me gjithsej 20.6 % të pyetjeve të përgjithshme. Anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Suharekës janë Leonard Shala (LVV) me 16.9 %, Alush Shala (PDK) me nga 15.6 % dhe Jeton Rrakaqi (PDK) me 8.8 % të pyetjeve të përgjithshme.

Në Kuvendin e Komunës së Suharekës gjatë vitit 2016 është vërejtur një mos pjesëmarrje e anëtarëve në seanca ku janë shënuar 9 raste të mungesës së anëtarëve në seancat e këtij institucioni.

Përfaqësues të Vraniqit padisin kryetarin dhe Kuvendin e Dragashit

0

Përfaqësues të fshatit Vraniq (Vranishte) kanë bërë padi kundër kryetarit dhe Kuvendit të Komunës së Dragashit në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në Departamentin e çështjeve administrative, lidhur me një vendim të organit më të lartë komunal, të miratuar në gusht të vitit 2012.

Vendimi në fjalë, që është i publikuar në ueb faqen e Komunës së Dragashit, ka të bëjë me “shpalljen e interesit të përgjithshëm – për ndërtimin e tubacioneve të ujërave në një gjerësi prej 4 metrave nga vepra e marrjes e deri te hidrocentralet dhe për disa hidrocentrale që kërkojnë dalje në rrugë, mbi ngastrat kadastrale Brod, Dikancë, Baçkë, Mlikë, Kukalane, Vraniq, Krushevë, Restelicë dhe Glloboçicë, si edhe largpërçuesit nga çdo hidrocentral, deri në rrjetin kryesor në Dragash”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Komuniteti i Vraniqit përmes rrjeteve sociale ka njoftuar se gjatë kësaj jave është dorëzuar padia në Gjykatën në Prishtinë. “Kënaqësia e banorëve të fshatit Vranishte, por edhe tërë komunitetit goran është e madhe për arsye se lufta për një Gorë të pastër ekologjike ka kaluar në rrafshin e drejtësisë”, shkruan në postimin e tyre, teksa është publikuar edhe fotografia e padisë së protokolluar në gjyqësor.

Gjithashtu në emër të këshillit të fshatit i është shprehur mirënjohja deputetes së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, për mbështetjen në aspektin ligjor, teknik dhe logjistik

Hapet konkursi për bursa për studentë të Malishevës

0

Drejtuar nga nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, është mbajtur mbledhja e rregullt e Këshillit të Drejtorëve, ku është raportuar për punët dhe planifikimet e drejtorive. Në këtë mbledhje, u bë e ditur se është hapur konkursi për ndarjen e bursave për studentët e Komunës së Malishevës, për vitin 2017.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Avdi Morina, konkursi është i hapur deri më 11 shkurt 2017, dhe konkursi është hapur sipas Rregullores së Kuvendit të Komunës dhe me vendim të Kryetarit të Komunës. Drejtori Morina, bëri të ditur se do të ndahen pesëdhjetë bursa, për pesëdhjetë student të Komunës së Malishevës, të cilët studiojnë në Universitetet Publike në Republikën e Kosovës.

Përndryshe në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve, edhe drejtorët e drejtorive tjera, kanë raportuar për përgatitjet e tyre për fillim e procedurave për realizimin e projekteve për këtë vit, në të gjitha sektorët ku janë planifikuar investime, sipas listës së projekteve kapitale të miratuar në Kuvendin e Komunës.

Përkujtohen të vrarët në masakrën e vitit 1990 në Malishevë

0

Sot, në Malishevë, me homazhe dhe nderime, janë përkujtuar të rënët e “Masakrës së Malishevës”, e 30 janarit të vitit 1990. Në këto homazhe dhe nderime, krahas familjarëve, morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, z.Rexhep Mazreku, i shoqëruar nga drejtorët e drejtorive komunale, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti, ish kryetari i Komunës së Malishevës, në atë kohë, Daut Krasniqi dhe personalitete e qytetarë të tjerë.

Më 30 janar të vitit 1990, në qendër të Malishevës, gjatë protestave popullore, për të drejtat e popullit shqiptar në Kosovë, kundër regjimit serb dhe kundër sistemit të asaj kohe, policia serbe, ka hapur zjarr mbi popullatën, ku janë vrarë Hysni Mazreku dhe Ali Kryeziu, derisa dhjetëra të tjerë janë plagosur, torturuar dhe maltretuar.

Në fjalën e rastit, për këtë ngjarje ka folur nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku, i cili, pasi nderoi dëshmorët Kryeziu e Mazreku, tha se “kjo ishte një prej ngjarjeve më të rëndësishme të asaj kohe, pasi për herë të parë, është shënuar edhe reagimi institucional ndaj sistemit”.

Komuna e Malishevës, nën drejtimin e Daut Krasniqit (ish kryetar i Komunës), në mënyrë institucionale, kanë reaguar ndaj vrasjes së qytetarëve të saj, duke kërkuar përgjegjësi për ngjarjen dhe këtë çështje e kanë ngritur në institucionet më të larta në ish Jugosllavi, dhe në organet tjera ndërkombëtare.

“Bohemian Rhapsody”, hiti i gjimnazit dhe jetës

0

Një fotografi e tij i shpreh njëmijë fjalë, por kësaj here ai ka zgjedhur që përmes fjalëve dhe jo pamjeve, të flas për shijet e tij muzikore. Në rubrikën javore të Gazetës Zëri, “Rrëfej përmes muzikës”, artisti i fotografisë, Fahredin Saphija, flet për ditët e rinisë së tij, muzikantët e grupet që e kanë impresionuar, por edhe udhëtimet mbresëlënëse. Nga “House Of The Rising Sun” e grupit The Animals, e deri tek “The Sounds of Silence” e Simon dhe Garfunke. Lexojeni rrëfimin muzikor të Faherdin Spahisë.

The Animals – House Of The Rising Sun (1964)

Është ndër këngët e para që i kam dëgjuar në dhomën e vëllait tim të madh Farukut, pas kthimit të familjes sonë nga Maqedonia në Mitrovicë, në vitin 1968.

The Beatles – Don’t Let Me Down (1969)

Kjo këngë ma kujton pllakën e parë të gramafonit nga vinili që kam kapur në dorë, por ishte edhe kënga që më bëri të lidhem shpirtërisht me grupin “The Beatles” dhe me muzikën rok, qysh kur isha në shkollën fillore.

Deep Purple – Child in Time (1970)

Kënga “Child in Time” ma kujton periudhën e adoleshencës sime të hershme, kur bashkë me shokun tim të ngushtë të fëmijërisë, Shemsi Halilin, krijonim “instrumente” nga paketat e dërrasat dhe mbanim “koncerte të hapura’ në lagjen tonë. Kjo ishte njëra nga këngët e “repertorit” që e këndonim me shumë zell!

Queen – Bohemian Rhapsody (1975)

Gjatë kohës sa isha gjimnazist (1975/78) shija ime për rok muzikën ndryshoi dhe grupi britanik “Queen” u bë idhulli im muzikor i radhës. Një tjetër shok fëmijërie, Agron Kalludra, e kishte blerë albumin e tyre “A Night At The Opera” dhe më ftoi në shtëpinë e tij për ta dëgjuar. “Bohemian Rhapsody” ishte kënga që më impresionoi shumë dhe ajo ka mbetur edhe sot ndër këngët e mia më të përzgjedhura të rok muzikës.

Barbra Streisand – Woman In Love (1980)

Sa herë e dëgjoj këtë këngë më sjell ndërmend ëmbëltoren e “Bororamizit” dhe takimin e parë me vajzën që dashuroja kur isha student i vitit të dytë në Akademinë e Arteve, në drejtimin e grafikës. Isha i ri dhe i dhënë i tëri pas artit dhe studentes së ndërtimtarisë!

Hair (Film) – Let The Sunshine In (1969)

Në vitin 1984, bashkë me tre shokë mitrovicas, ndërmorëm një udhëtim të tipit Auto-Stop (hitch-hiking) nga Mitrovica deri në Londër. Të frymëzuar shumë nga lëvizja hipike e viteve të gjashtëdhjeta, që si himn të saj e kishte këngën “Let The Sunshine In”, ne udhëtuam për dy javë me vetura të huaja që i ndalonim nëpër autostradat evropiane. Flinim nëpër parqe, stacione trenash dhe afër pompave të benzinës në “thasët” për fjetje. Me çanta shpine, të parruar dhe me flokë të shpupuritur imitonim hipikët anglezë dhe amerikanë që ishin simbolika e Woodstock-ut.

Scorpions – Still Loving You (1984)

Kjo këngë e rok-grupit gjerman “Scorpions” ma kujton një udhëtim të mrekullueshëm në Gjermani, në dimrin e vitit 1985. Përjetimet në Munih, në Tegernsee, në Nyrnberg dhe në Erlangen rifreskohen sa herë e dëgjoj këtë këngë.

Santana – Europa (1976)

Në vitin 1990 emigrova në Zvicër dhe atje, një ditë, duke pa CD muzikore në një market të madh të Cyrihut, hasa në kompletin e CD-ve të Carlos Santanës, një kitarist meksikan që e kisha dëgjuar edhe më herët në valët e radios dhe që e adhuroja pikërisht shkaku i kryeveprës së tij “Evropa”. E bleva kompletin e tij dhe që atëherë ai qëndron në vitrinën ku mbaj muzikën time të zgjedhur.

Pink Floyd – Shine On You Crazy Diamond (1975)

Ky rok-grup për mua përfaqëson ajkën e historisë së rokut botëror, kurse këngën “Shine On You Crazy Diamond” e konsideroj një nga kryeveprat e tyre muzikore. Dashuria ime për muzikën e tyre është rritur dukshëm nga informatat dhe ligjërimet e njohësit më të madh shqiptar të këtij grupi, Agron Shala.

Simon & Garfunkel – The Sounds of Silence (1964)

Është kënga që e kam dëgjuar në të gjitha moshat e mia e që për mua paraqet njërën ndër këngët më të dashura që kam dëgjuar ndonjëherë. Për vlerat e saja të rëndësishme estetike, historike dhe kulturore kjo këngë është arkivuar në Regjistrin Nacional të Regjistrimeve në Bibliotekën e Kongresit Amerikan.

Kë e fajëson Zafir Berisha për vjedhjen në shtëpinë e tij? (VIDEO)

0

Në orët e mbrëmjes të datës 26 janar pasi u kthye në shtëpi nuk e gjeti derën ashtu si e kishte lënë kur doli gjatë ditës.

Deputetit të Nismas, njëherësh edhe anëtar i komisionit për siguri, Zafir Berishës, i kishin hyrë hajnat, njofton Klan Kosova.

Në atë kohë nuk ishte askush në shtëpinë e tij.
Megjithatë, ish-pjesëtari i UÇK-së thotë se më shumë është i shqetësuar për fëmijët e tij.

Për këtë Berisha fajëson politikat e dobëta të qeverisë.

 

Qeveria “djeg” janarin për rrëzimin e murit

0

Institucionet e Republikës së Kosovës po e lënë me të shpejtë në harresë Rezolutën e Kuvendit për rrënimin e murit ndarës në veri të Mitrovicës, e cila rezolutë e obligon Qeverinë që këtë veprim ta bëjë gjatë muajit janar. Tani duke u deklaruar që një mundësi e tillë veprimi mbetet në afatizimin e ri, pa e pyetur fare Kuvendin, përgjatë muajit shkurt, analistët politikë dhe njohësit e së drejtës konsiderojnë se kjo është një lojë e rrezikshme me injorimin e Rezolutës së Kuvendit, dhe ka për prapaskenë bërjen e murit në veri të Mitrovicës pjesë të dialogut me palën serbe në bisedimet e Brukselit. Një projekt i tillë mund të jetë kurdisur si “Kali i Trojës” për faktin se jo vetëm kjo rezolutë e fundit, pot edhe shumë të tjera para saj nuk janë përfillur nga Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e vendit tonë, nëse nuk është e dalluar për punë e aktivitete afirmative të theksuara, ndër të tjera, është e njohur për neglizhimin e rezolutave të Kuvendit, i cili të njëjtën e zgjedh dhe po ashtu mund ta shkarkojë! Nuk është vetëm rezoluta referuar imperativit dhe terminit të rrënimit të murit ndarës të qytetit të Mitrovicës, por janë edhe disa të tjera, të cilat Qeveria deri sot i ka neglizhuar. Në anën tjetër edhe Kuvendi e manifeston dobësinë e vet që nga Qeveria asnjëherë deri sot nuk kërkoi përgjegjësi politike për neglizhimin e akteve të legjislativit, të detyrueshme për të – Qeverinë!”, theksoi profesor Riza Smaka për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se sikur me këtë rezolutë për murin po veprohet edhe me rezolutën për kufijtë e shtetit të Kosovës. “Edhe Komisioni i vendit tonë për Demarkacion ishte i obliguar për të përfillur rezolutën e Kuvendit, por të njëjtën e neglizhoi, e Qeveria në vend që të ndërmarrë masa kundër komisionit të tillë, të njëjtin e përkrah, madje fuqishëm edhe pse linja kufitare e propozuar nga ato institucione është në dëm të integritetit territorial dhe nuk përfillë delimitacionin historik nga viti 1945”, theksoi profesor Riza Smaka, shkruan gazeta Kosova Sot.

Burjani: Muri, cirku i dialogut

Analisti politik, Blerim Burjani, pohon se muri është vetë cirku i këtij dialogu, ngase gjithë kohën e negociatave, që gjashtë vjet, para se të vijë fundi shpesh ka ndodhur që dialogu të kthehet në fazën fillestare, dhe kjo është loja qesharake serbe që bën me Brukselin, me BE-në SHBA dhe Kosovën. Por, njëkohësisht një përgjegjësi për lejimin e lojës së tillë e kanë dhe ndërkombëtarët, që janë pjesë e ndërmjetësimit në bisedime. “Muri është një turp dhe një cirk, që vetëm perëndimi e toleron, nuk e kemi të qartë për çka të lejohet cirku dhe rezistenca e vazhdueshme serbe përballë normalizimit, por përherë veprohet njëjtë. Loja politike serbe është herë e relaksuar, e herë e tensionuar, gjë që në vazhdimësi është praktikuar kjo politikë nga Serbia, por akoma s’ka pasur qëndrim të qartë as nga BE-ja dhe nga SHBA-ja që t’i thonë jo përfundimisht, dhe të marrin masa ndëshkimi për Serbinë”, theksoi Blerim Burjani. Ai thotë se edhe tani nëse insistohet që tema e murit të bëhet pjesë e vazhdimit të dialogut, kjo nuk duhet të pranohet, sepse hyhet në një proces të rrezikshëm, rrugë pa krye. “S’ka çka të flitet për mur në Bruksel, ai mur duhet rrënuar, është caktuar një afat deri më 31 janar nga institucionet e Kosovës dhe pa marrë parasysh dialogun duhet ta rrënojnë murin, dhe kuptohet që pas rrënimit të murit dialogu duhet të vazhdojë”, u shpreh Burjani për “Kosova Sot”.

Analisti Arsim Haziri thekson se sa i përket rezolutës së miratuar nga Kuvendi për çështjen e murit në Mitrovicë, ajo çështje është vetëm formale dhe e cila pavarësisht fuqizimit nuk do të arrijë të kryejë misionin për të cilin edhe ishte nxjerrë, sepseumë shumë është bërë vetëm sa për sy e faqe. “Ajo rezolutë më shumë ka qenë sa për t’i dhënë përshtypje opinion kosovar se janë institucionet, të cilat do ta ruajnë sovranitetin e vendit në çdo skaj dhe jo provokimet dhe tendencat serbe. Rezoluta parlamentare është rezolutë, e cila nuk do të kryejë obligimin për të cilin edhe ishte prodhuar, mbase vetë kemi ata që kanë qenë iniciatorë për krijimin e një akti të tillë dhe tashmë pranojnë të jenë pjesë e rangut tjetër dialogues, pra nivel presidentesh. Institucionet kosovare pavarësisht ndalesës që realizuan përmes forcave policore, ende mbajnë epitetin e përgjithshëm qytetarë, si institucione, të cilat pranojnë të shkelët sovraniteti dhe integriteti, si dhe mbi të gjitha lejojnë ndërtimin e një muri, i cili më shumë gjasë sot do të jetë subjekt i diskutimin ndërkombë- tar. Me liderët aktualë, vështirë është të krijohet dozë besimi, pasi janë të njëjtën ata që tolerojnë Serbinë në Kosovë, dhe janë të njëjtët që kinse përpiqen t’i japin zgjidhje vendit”, është shprehur ai. Haziri shpreh dyshimin se muri në Mitrovicë është ngritur me presionin dhe pretendimet serbe, dhe nga kjo gjendje e tensionuar është parë edhe si e domosdoshme që kjo temë të kalojë në nivele trepalëshe të bisedimeve vijuese në Bruksel

Sundimi i ligjit udhëhiqet me duart e krimit

0

Ashtu sikurse më herët ishte ideali për ta bërë Kosovën shtet të pavarur, tani vepër patriotike cilësohet të jetë fuqizimi dhe ngritja e sistemit të drejtësisë të mirëfilltë dhe të pavarur. Kështu të paktën kanë vlerësuar njohësit dhe analistët e kësaj fushe ngase, sipas tyre, bashkëpunimi dhe mosndëshkimi i nëntokës kriminale dhe klaneve të korruptuara të instaluara gjithandej nëpër institucione e parti politike i ka bërë qytetarët të pashpresë e paperspektivë për jetë në këtë vend. Ndaj në këtë drejtim është shtruar edhe çështja se përse po e injorojnë sundimin e ligjit tërë klasa politike në Kosove, qoftë pozitë apo edhe opozitë. Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se kjo klasë politike e ka pushtetin në duart e veta dhe atë vetëm për interesa kryekëput të tyre dhe asnjëherë për interes të jetës së qytetarit. Tutje, sipas tij, me bekimin e kësaj klase politike që nga paslufta e deri më sot ka lulëzuar krimi i organizuar, derisa korrupsioni ka marrë përmasa shqetësuese për zhvillimet e shoqërisë, gjersa në anën tjetër nëntoka kriminale gjithashtu, njerëz të inkriminuar në parti e institucione të shtetit ia kanë zgjatur jetën krimit e kriminalitetit. Kelmendi shprehet se kjo nëntokë ka humbur dhe mbytur edhe shpresën qytetarit për një jetesë më të mirë apo për perspektivë të jetës në këtë vend.

“Kjo klasë politike është kreatore e së keqes, dhe s’mund të shkarkohet nga barra e fajit dhe përgjegjë- sisë për të gjitha dështimet, derisa nëntoka e krimit e ndërlidhur me mafio- politikën e inkriminuar udhëheqin Kosovën dhe bëjnë ligjin dhe qeverisin vendin me duart e krimit, ndërsa siç u tha më lart qytetarit i është vrarë edhe shpresa për jetën dhe perspektiven jetësore në këtë vend. Pra, kjo është e pafalshme për jetën dhe mirëqenien e qytetarit, i cili në shtetin e vet nuk ka asfarë perspektive dhe as të ardhme”, është shprehur analisti Naim Kelmendi, shkruan gazeta Kosova Sot.

Musa: Drejtësia duhet të shtrohet si çështje imediate në Kuvendin e Kosovës

Avokati Skender Musa thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovë me të vërtetë ndodhet në një situatë shumë të rëndë, me vetë faktin, siç tha, që institucionet qeveritare, por edhe partitë politike opozitare asnjëherë nuk e ngritin çështjen e ngritjes së nivelit të përgjegjësisë të gjithë zyrtarëve që merren me zbatim të ligjit në Kosovë, duke filluar nga bashkësitë lokale, pastaj komunat, Qeveria, institucionet e hetuesisë, prokuroria, gjykata, por edhe aktorët e tjerë të drejtë- sisë, siç janë avokatët, në mënyrë që kësisoj të ngritët niveli i llogaridhënies së aktorëve në fjalë. Përveç kësaj, sipas Musës, institucionet shtetërore, por edhe partitë politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës duhet ta shtrojnë një çështje, që është imediate për zhvillimin e drejtësisë, siç është rritja e numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha nivelet e sistemit të drejtësisë, e sidomos numrin e atyre që merren me vepra korruptive. Musta thotë se pa u zhvilluar sistemi i drejtësisë, dhe pa u dënuar ata që kryejnë krime ekonomike të të gjitha niveleve dhe jo vetëm korruptive (për shkak se krimet ekonomike kryhen edhe në nivele të tjera, duke krijuar kështu edhe monopole në tregje të ndryshme të sektorëve ekonomik), nuk mund të ketë zhvillim ekonomik, ku për rrjedhojë nuk mund të ketë as rritje të numrit të punësuarve”.

Ai tutje ka shtuar: “Në këtë drejtim si duket politika është e interesuar që ta mbajë drejtësinë në këtë gjendje, ngase në pamundësi për t’i shqyrtuar të gjitha rastet e shumta që ndodhin në vendin tonë, me theks të veçantë rastet kriminale, atëherë është më lehtë që zyrtarët e korruptuar të shpëtojnë nga institucionet e hetuesisë, por edhe nga drejtësia në tërësi. Në këtë aspekt mendoj se është e rëndësisë së veçantë që të rritet niveli i kapaciteteve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, por edhe hetuesve të specializuar në këto fusha, në mënyrë që të ketë kuadro të mjaftueshme për ta luftuar sistemin korruptiv që ekziston në Kosovë, si dhe sistemin e monopoleve në ekonominë dhe në tregtinë e Kosovës, ku përveç kësaj është e nevojshme që të ngritet edhe niveli i performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve”, ka shtuar ai