14.7 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6068

RoMed i dhuron 30 shtretër Spitalit të Prizrenit

0

Nga mbrëmë, Spitali Rajonal i Prizrenit ka 30 shtretër më shumë, donacion ky i ardhur nga Klinika gjermane RoMed nga qyteti Bad Aibling, afër Rosenheimit në Gjermani.

Drejtuesit e Spitalit të Prizrenit, që kanë pranuar donacionin, kanë falënderuar donatorin, spitalin RoMed dhe organizatorin e kësaj ndihme humanitare, humanistin dhe aktivistin e Shoqatës Nëna Tereze të Mynihut, Haqif Gashi si dhe Presidentin e UBT-së Edmond Hajrizi, i cili kishte marrë përsipër të gjitha shpenzimet e transportit.

Mjeku nga Kosova Haqif Gashi, i cili ka vite që është i angazhuar në këtë klinikë, është i njohur për aktivitete humanitare edhe në Afrikë, ku me grupe mjekësh vullnetarë kryejnë aktivitete humanitare në vendet e varfra. Në Kosovë, humanisti Haqif Gashi ka ndihmuar edhe herë të tjera. Janë disa raste kur ai bashkë me shoqatën “Nëna Tereze” në Mynih, kanë organizuar mjekimin e fëmijëve nga Kosova në Gjermani, kur trajtimi i tyre ka qenë i pamundur në Kosovë.

Ndërkaq, në vitin 2013 ai kishte sjellë në QKUK 110 shtretër spitalorë dhe shumë aparate mjekësore si donacion. Gjithashtu, 10 shtretër si donacion kishin shkuar edhe për spitalin e Tepelenës në Shqipëri. Vlera e donacionit për spitalin e Prizrenti kalon rreth 60 mijë euro. Donacion është mbështetur edhe nga drejtuesit e Spitali RoMed, Hr. Marburger dhe Dr. Pfeiffer.

Po kështu e njëjta klinikë nga Gjermania ka dhuruar donacion disa aparate mjekësore në shërbim të studentëve të degës Infermieri në Universitetin UBT./rtklive.com/

 

 

 

Drejtoresha e Arsimit në Rahovec nuk i zbaton vendimet e Ministrisë

0

Drejtoria komunale e arsimit në Rahovec përkatësisht drejtoresha Vjollca Vuçitërna nuk i zbaton vendimet Ministrisë së Arsimit përkatësishtë të Zyres së Inspektoriatit të Arsimit në Gjakovë, shkruan Gazeta InfoPress.

U bënë një vit e gjysmë që Inspektoriati i Arsimit i regjionit të Gjakovës lëshon dokumente të njëpasnjëshme, nga Rekomandimi deri në Vendim, duke ja kujtuar DKA-së në Rahovec se dikujt i kanë mohuar të drejtën ligjore por këto dokumente DKA-ja nuk i përfill fare. Për ta banalizuar çështjen edhe më shumë, drejtoresha e arsimit zn. Vjollca Vuçitërna, ankesave të punëtores në fjalë, sikundër edhe të punëtorëve tjerë të arsimit, nuk i përgjigjet fare me shkrim kurse përgjigjiet verbale që jep janë tejet fëmijërore.

Pasi shfrytëzova pozitën e anëtarit të Kuvendit Komunal të Rahovecit për të kërkuar qëndrimin zyrtar të DKA-së në raport me problemin në fjalë, përgjigjja e drejtoreshës injoron problemin duke kthyer përgjigjje shumë naive karshi dokumenteve zyrtare. Rrjedha e ngjarjes; – Para një viti e gjysmë, në shkollën fillore “Hamëz Thaqi” në Xërxë, u liruan orët e lëndës së Kimisë. Adelina Kryeziu, mësuese e kësaj shkolle për 11 vjetë, e kualifikuar në fakultetin e Edukimit drejtimi Biologji – Kimi / 240 kredi, e kualifikuar me rreth 600 orë seminarike për mësimdhënie, shembullore në punë, punonte me orë zgjedhore dhe katër orë biologji, në dy shkolla. Drejtoria komunale e arsimit / drejtoresha Vjollca Vuçiterna, në vend se t’ia kalonte lëndën e kimisë Adelina Kryeziut, shpall konkurs të hapur dhe e pranon një punëtore të re, pa përvojë pune, e paliçensuar dhe me notë mesatare më të ulët.

Derisa konkursi ishte i hapur deri me 10 shtator, Adelina, me 3 shtator 2015, i drejtohet me Ankesë DKA-së nga e cila zyre nuk merr përgjigjie asnjëherë. Rezultatet e inspektimit të rastit nga Zyra e Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë ishin në favor të Adelinës, gjithsej katër dokumente. Të gjitha këto i injoron drejtoresha Vjollca Vuçitërna, përfshirë edhe Ankesat dhe Kërkesat që i’a drejton Adelina, derisa unë, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal, në seancën e Kuvendit të muajit nëntor i kërkoj përgjigjje me shkrim në raport me Vendimin e Inspektoriatit, në lidhje me rastin në fjalë. Në seancën e dhjetorit drejtoresha ma solli Përgjigjien e cila, përveç defekteve në përgaditje, është përgjigjie mjaftë naive në vetvete dhe e injoron realitetin e paraqitur nga dokumentet e Inspektoriatit.

Vendimi i Zyres së Inspektoriatit të Arsimit në Gjakovë thotë;-“Drejtoria Komunale e Arsimit në Rahovec, për sistemim në vendin e punës si mësimdhënëse e Kimisë të znj. Adelina Kryeziu, të vepron konform legjislacionit në fuqi për sistemim, bazuar në përgaditjen e saj shkollore.”, për të vazhduar;-“Kërkesa e sajë (Adelina Kryeziut) për sistemim në vendin e punës, mësimdhënëse e Kimisë, për 14 orë mësim në javë në SHFMU “Hamëz Thaqi” në Xërxë, është e arsyeshme, sepse këtë të drejtë ja mundëson ligji Nr. 03/L-212 i punës dhe UA 14/2011 (MPMS). Pyetjes time në seancën e Kuvendit, drejtuar drejtoreshës Vjollca Vuçitërna;-“Kërkoj përgjigjje me shkrim se;- Cili është qëndrimi zyrtar i DKA-së për Vendimin e Zyres së Inspektorëve të Arsimit në Gjakovë, me Nr.649/10?”, drejtoresha më ktheu përgjijen siç vijon; “-…supozimi juaj se orët janë marrë padrejtësisht bashkëshortes suaj nuk qëndron, sepse Adelina Kryeziu është pranuar në punë për orët e mësimit zgjedhor në vitin 2004, dhe ka punuar si mësimdhënëse e mësimit zgjedhor ku edhe vazhdon, ndërsa orët të cilat i pretendoni ju, janë orë të kimisë dhe për to është shpallur konkurs konform legjislacionit në fuqi. Paraprakisht, Adelina është dashur të bëjë kërkesë me shkrim në DKA, se është e interesuar për tiu plotësuar norma dhe kjo nuk ka ndodh.

Megjithatë DKA-ja ka bërë përpjekje të sistemimit të Adelinës për tia plotësuar normën dhe i është ofruar mundësia ti merr orët e kimisë në Krushe të Madhe (zëvendësim lehone), por verbalisht ajo nuk ka pranuar. Ne si DKA kemi obligim të bëjmë sistemimin e punëtoreve me kërkesa të tyre paraprake, e edhe Adelina do të sistemohet në momentin e parë kur do të jetë e mundur.” Komentimi i përgjigjjes; Drejtoreshë, kunkursi për orët e Kimisë në fjalë është i paligjshëm për faktin se; Së pari, sipas inspektorëve të arsimit, është hapur pa kërkesë zyrtare të drejtorit të shkollës, pa kontaktuar me punëtoren e cila ka pasur nevojë për këto orë. Dy ditë pas hapjes së konkursit ju kemi kontaktuar në zyren tuaj dhe ju kemi sqaruar se konkursi është i paligjshëm ku edhe kemi kërkuar anulimin e konkursit. Me 3 shtator Adelina ju ka drejtuar zyrtarisht një Ankesë me shkrim, ku ka sqaruar se është e kualifikuar për lëndët Biologji-Kimi me 240 kredi, është punëtore e rregullt e kësaj shkolle që nga 1 shtatori 2004, që konkursi është hapur 6 ditë pa skaduar kontrata e fundit derisa Adelina kishte nevojë për këto orë, se Adelina nuk është kontaktuar nga askush për ta marr mendimin se a është e interesuar apo jo, se Adelina qysh në muajin qershor 2015 kishte kërkuar orët nga drejtori Murat Kryeziu i cili i kishte premtuar verbalisht se do t’i jipen orët sapo të lirohen.

Së dyti, është e vërtetë se Adelina është punësuar si punëtore e mësimit zgjedhor në vitin 2004 por që nga ajo kohë ajo nuk e ka shkëputur asnjëherë kontratën e punës, ka përfunduar edhe dy vite studime, ka bërë rreth 600 orë seminare për mësimdhënie dhe ka qenë mësimdhënëse shembullore. Prandaj, ligjërisht, pas një pune të suksesshme 11 vjeçare DKA-ja ka qenë e obliguar t’ia plotësojë normën e punës, sidomos kur orët janë liruar në të njëjtën shkollë ku ajo punon dhe nuk ka pasur konkurencë të brendshme. Së treti, është e vërtetë se Adelinës i keni ofruar 8 orë zavendësim të një lehone por aktualisht ajo është e angazhuar në dy shkolla për vetëm 12 orë. Angazhimi i një nëne në tri shkolla, me nga dy ditë angazhim, është i papërballueshëm. Pse nuk e dërguat Dianën që të zavendësojë në Krushe meqë ajo është e angazhuar vetëm në Xërxë?! Apo ajo është e paprekshme! Së katërti, pse Vendimi i inspektorëve saktëson se ;-“Kërkesa e sajë (Adelina Kryeziut) për sistemim në vendin e punës, mësimdhënëse e Kimisë, për 14 orë mësim në javë në SHFMU “Hamëz Thaqi” në Xërxë, është e arsyeshme, sepse këtë të drejtë ja mundëson ligji Nr. 03/L-212 i punës dhe UA 14/2011 (MPMS)?”.

Nëse kjo kërkesë është ligjore sipas ligjit dhe udhëzimit administrativ të lartëshënuar atëherë si është e mundur që edhe ju të keni të drejtë që këto orë ti shpallni në konkurs dhe t’ia jepni një punëtori tjetër?! E di se, derisa e lexoni këtë pyetje, vetëmevete përshpëritni;-LIGJI ËSHTË SI LLASTIKU O XHAFERO! Për një çështje të caktuar nuk mund të ketë dy të drejta drejtoreshë dhe se ligji nuk është si llastiku. Fatkeqësisht disa zyrtarë si puna juaj ushtrojnë autoritet duke e lakuar ligjin si llastiku por kjo nuk do të thotë se edhe drejtësia qëndron në anën tuaj. Edhepse ligjin e ke bërë llastik, unë do ta vazhdoj betejën time. Prof. Dr. Sali Bytyçi thotë;-“ Edhe nëse e ke të qartë se në fund do ta humbasësh luftën me të keqën, mos u dorëzo! Dëshmoje se nuk erdhe kot në këtë botë!” prandaj mendoj se ja vlenë ta vazhdoj betejën për drejtësinë.

Drejtoreshë e DKA-së zn. Vjollca Vuçitërna. Më vjen keq që po ju drejtohem në këtë mënyrë por kjo është shkelje e pastër ligjore. Ju keni lejuar të nëpërkëmbeni nga përfiterë të ulët siç është Murat Kryeziu&CO të cilët tërë këtë skenar e kanë bërë në llogari të vetes, për të cilin do t’ju sçarojmë po në këtë mënyrë, ditëve në vijim. Duke e parë se me sa vullnet e keni shkelur ligjin dhe normat e tij në këtë rast, kam fituar përshtypjen se ju keni bërë edhe shkelje tjera ligjore! Më vjen keq që i keni zhgënjyer të gjitha ato femra që kërkojnë më shumë hapësirë për femrën në qeverisje derisa ju jeni bërë shembull i keq i qeverisjes lokale të Rahovecit dhe ju keni mbyllur gojën këtyre femrave veçanërisht anëtareve të Kuvendit Komunal. Uroj që ta qoni deri në fund këtë madat që keni dhe pas tij të mos keni nevojë t’i nënshtroheni drejtësisë! Për fund, po ju rikujtoj dy pyetjet që ju parashtrova në Kuvend dhe për të cilat pres përgjigjje në seancën e radhës; ”1.- Nëse në një shkollë lirohen orë mësimore për të cilat ajo shkollë ka punëtor të kualifikuar i cili ka nevojë për to, orët nuk e jepen punëtorit por shpallen në konkurs të hapur dhe i jepen një personi tjetër, a është shkelje ligjore?” dhe “2.-Nëse një punëtor punësohet me konkurs të afatizuar për zavendësim për pushimin e lehonisë 6 deri 9 muaj, pas skadimit të kësaj kontrate, pa konkurs i ofrohet kontratë e rregullt, a është shkelje ligjore?”.

Ky publikim përcillet me të gjitha dokumentet zyrtare që është përcjellur kjo problematikë. /Gazeta InfoPress/

Sot nuk fillon gjysmëvjetori i dytë në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren

0

Gjysmëvjetori i dytë nuk fillon sot në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren.

Drejtori Shaip Buduri tha se arsyeja e mosfillimit të mësimit është plasaritja e gypit të nxehjes.

“ I njoftoj të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit se nesër nuk fillon mësimi në gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, për shkak të pamundësisë për t’i eliminuar defektet në nxehjes qendrore që është shkaktuar nga acari”, tha Buduri për PrizrenPress.

Ai tha se mësimi në këtë shkollë do të fillojë të martën./PrizrenPress.com/

Aksident trafiku në magjistralen Prizren – Gjakovë

0

Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Prizren – Gjakovë, në mes një veture dhe një traktori.

Aksidenti ka ndodhur si pasojë e kushteve të dobëta dhe ngricave në rrugë, ku në momentin e përplasjes asnjëra nga dy mjetet nuk kanë mundur të frenojnë.

Në këtë aksident nuk ka pasur të lënduar në njerëz por vetëm me dëme materiale./indeksonline/

Dragashi, komunë e dimrave të ashpër

0

Rrugët brenda Komunës së Dragashit kanë marrë pamje të bardhë, edhe pse janë të hapura për qarkullim. Gjerësia e tyre është ngushtuar, për shkak të borës që ka mbuluar këtë zonë. Prandaj edhe qarkullimi i automjeteve është rralluar.

Peizazhi natyror anash këtyre rrugëve ofron bukuri, megjithëse e tëra nganjëherë mbështillet edhe me ndjenjën e trishtimit, për shkakun e kujtimit të ngjarjes tragjike të pesë vjetëve më parë, kur një masiv bore në periferi të Restelicës kishte shkaktuar vdekjen e dhjetë anëtarëve të familjes Reka, shkruan sot “Koha Ditore”.

Qarkullimi nëpër këto segmente rrugore është i vështirësuar dhe pajisjet dimërore janë të domosdoshme. Madje rrugët lokale që dërgojnë kah fshatrat e thella të kësaj komune malore në gjerësinë e tyre e zënë vetëm një automjet.

Po ashtu është nevojitur mobilizim dhe angazhim disaditor i autoriteteve lokale dhe kompanive private që të zhbllokohen rrugët e fshatrave të kësaj komune, me ç’rast ka qenë i domosdoshëm edhe intervenimi i Ministrisë së Infrastrukturës me angazhimin e kompanive që posedojnë buldozerë me rrota të dhëmbëzuara për depërtim në fshatra të caktuara, që për disa ditë kanë qenë të bllokuara, pas reshjeve të borës që kishin nisur të enjten e javës së kaluar.

Ndërkohë temperaturat e ulëta që kanë shkuar deri në -28 gradë celsius kanë qenë pengesë shtesë. Qëndrimi jashtë makinerive në këto kushte është i mundshëm vetëm për pak minuta.

Berisha e pyet Qeverinë: Pse nuk po e ndalë Serbinë edhe në fushat tjera

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovës Zafir Berisha përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka pyetur se pse duhet me u lavdëru se kush e ndali trenin serbo-rusë, raporton Gazeta Kosova Sot Online.

Ai ka thënë se Liderët e institucioneve po guten me dal në media me tregu se kush e ndali trenin. Berisha ka pyet se pse këta nuk po e ndalin Serbinë edhe në fushat tjera po harrojnë që Ramushi vazhdon të mbahet në arrest.

Më poshtë mundë ta lexoni statusin e tij të plotë:

Logjikë primitive politike!
Pse duhet me u lavdru me respektimin e Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës në ndalimin e trenit serbo-rusë!?
Mentaliteti provinciale me simptome mesjetare në politikën kosovare të bënë me u ndie keq për nivelin e ulët që kan ra liderët institucional.
Meqenëse vetëm një herë janë sjellë si shtet në raport me provokimet serbe ndajë Kosovës, na e thinjën… tu ngutë me dalë në medija me na tregu se kush e ndali trenin!
Po harrojnë se nuk kanë bë namin këta esadist nëse e kanë ndalë një tren, nuk munden me i lan në hije kthimin e Serbisë në Kosovë përmes bisedimeve në Brukselë, po harrojnë se Ramushi vazhdon të mbahet i arrestuar në Francë me flet-arreste të Serbisë.
Pse Serbin nuk po e ndalni në fusha tjera?

Haradinaj, i sigurt në Francë

0

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, po qëndron i lirë në shtetin francez, duke u siguruar nga autoritetet atje. Ish-komandantit të UÇK-së për Dukagjin nuk i duhet mbrojtje e afërt sa po qëndron në Francë, duke pritur vendimin e ri të gjykatës në Colmar, sepse është siguria franceze që e garanton Haradinaj.

Ai u lirua me kusht nga drejtësia franceze, por duhet të qëndrojë në Francë derisa të përfundojë në tërësi procesi gjyqësor ndaj tij.

Sipas bashkëpartiakëve të tij si dhe njohësve të çështjeve së drejtësisë në vend, Haradinaj nuk ka nevojë që të ketë mbrojtje të afërt, për arsye se ai nuk ndihet i rrezikuar nga ndonjë sulm, dhe vetë lirimi i tij nga masa e paraburgimit dëshmon se ndihet i sigurt.

Duke e vlerësuar qëndrimin e Haradinajt të sigurt në Francë, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se ish-kryeministri është qytetar i lirë dhe nuk ka nevojë për ndonjë mbrojte të afërt. “…mendoj se Haradinaj është qytetar i lirë dhe nuk nevojë për ndonjë mbrojtje. Tash mendoj se është koha e fundit që Kosova duhet të sillet si shtet dhe të jetë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit, sepse tek e fundit e kanë obligim Kushtetues”, ka thënë Kadriaj.

Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë që ata ka thënë se sigurinë e nevojshme Ramush Haradinajt ia ofron shteti i Francës, për arsye se ai është në duar të tyre.

Në anën tjetër, deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se Franca duhet të kujdeset për Haradinajn, sepse ka përgjegjësi ndaj tij.

“Fatmirësisht kemi të bëjmë me një njeri që ‘ujku e kryen punët e vet sepse ka qafën e trashë’”. Ramushi di të ruajë vetveten dhe të tjerët. Sa për shtetin tonë ne nuk jemi të sigurt as në Kosovë e lëre më në Francë. Franca nuk është një shtet si Kosova, së cilës i vdesin njerëzit në burgje. Por, mendoj se ka edhe forca që kujdesen sepse në fund të fundit ndaj Ramushit ka përgjegjësi shteti francez. Në këtë drejtim nuk duhet të na shkojë mendja që ai të jetë i rrezikuar”, ka deklaruar Berisha.

Në anën tjetër, Ehat Miftaraj, nga Insitutit Kosovar i Drejtësisë, ka deklaruar se vetë lirimi i Haradinajt nga masa e paraburgimit dëshmon se siguria e Haradinajt gjatë qëndrimit në Francë nuk është e rrezikuar.

“Z. Haradinaj është subjekt i procedurave gjyqësore për ekstradim në Francë. Vetë fakti se gjykata në Francë i ka shqiptuar masën e sigurisë, e cila është paraqitje pranë autoriteteve në Francë dy herë në javë dhe moscaktimi i masës së paraburgimit dëshmon se siguria e z. Haradinaj nuk është e rrezikuar dhe se i njëjti do t’iu përgjigjet kërkesave të organeve gjyqësore në Francë”, ka thënë Miftaraj.

“Zëri” ka provuar që të marrë ndonjë informacion nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Drejtësisë, në lidhje me atë se kush po kujdeset për sigurinë e Ramush Haradinajt gjatë qëndrimit të tij nën masën ligjore në Francë, mirëpo, kontakti më zyrtarë të këtyre ministrive ka qenë i pamundur.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten është liruar me kusht nga Gjykata e Apelit në Colmar të Francës.

Në bazë të vendimit për lirim me kusht, Haradinaj detyrohet që mos ta lëshojë shtetin francez dhe të paraqitet në polici dy herë në javë deri në zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje gjyqësore. Mirëpo, lirimi me kusht i Haradinajt nuk nënkupton edhe lirimin e tij nga kërkesa e Serbisë, të cilën e ka ushtruar nëpërmjet INTERPOL-it për kinse krime të supozuara të luftës.

Hardinaj ishte arrestuar me datën katër janar në aeroportin e Bernit, në bazë të një fletarrestimi ndërkombëtar të lëshuar nga INTERPOL-i, më kërkesë të Serbisë, për krime të supozuara të luftës.

Thaçi, Serbisë: Shpresoj se e kuptuat mësimin

0

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar edhe njëherë çështjen e sjelljeve të Serbisë në raport me Kosovën duke iu referuar trenit të nisur nga Beogradi për në veri të Kosovës.

Thaçi ka thënë se shpreson që Serbia ka marr një mësim rreth provokimeve që po bën në drejtim të shtetit të Kosovës.

”Shpresoj që të keni marrë mësim nga ky provokim. Fqinjët e mirë nuk shpalosin projekte ekstremiste, ata dialogojnë”, ka shkruar Presidenti Thaçi në llogarinë e vet në Twitter.

Nesër fillon gjysmëvjetori i dytë

0

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), nëpërmjet një njoftimi për media, ka bërë të ditur të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit se gjysmëvjetori i dytë i vitit shkollor 2016/2017 në të gjitha shkollat e Kosovës fillon të hënën (16 janar 2017).

MAShT në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit ka vendosur ditë më parë të shtyjë deri në këtë datë fillimin e mësimit për shkak të motit të lig dhe temperaturave të ulëta të këtyre ditëve, si dhe epidemisë së Gripit AH3V.

Barcelona – qyteti më i mirë në botë!

0

Nga Simon Fletcher

Nuk ka asgjë objektive në lidhje me këtë artikull. Unë e dua Barcelonën, dhe çdo gjë që shkruaj mbi këtë qytet do të jetë përherë pozitive. Natyrisht, unë kam përjetuar edhe kohëra të vështira në këtë qytet, por ai gjithmonë vetëm sa më tërheq nga pas. Dhe jam shumë i sigurtë se kështu do të ndodhë gjithmonë.

Për ata që s’kanë qenë mjaftueshëm me fat për ta vizituar Barcelonën më herët, unë shpresoj që këto fjalë t’i frymëzojnë për të shkuar atje për herë të parë. Nëse keni qenë tashmë, shpresoj që kjo t’i bëjë të doni të rriktheheni. Qoftë hera e parë apo e dhjeta që e vizitoni, Barcelona nuk do t’i tradhëtojë kurrë.

Barrio-t e Barcelonës

Në 15 vjet, unë kam qenë mjaftueshëm me fat për ta quajtur Barcelonën shtëpinë time, kam jetuar në më shumë se 20 apartamente të ndryshme dhe pothuajse në çdo lagje (barrio) brenda qytetit. Born, ishte dhe mbetet ende një nga vendet më të frekentuara nga turistët dhe studentët, kur ata vijnë sot në Barcelonë.

Sheshet e Gracia-s janë gjithashtu klasike, dhe shpesh kujtimi i preferuar i shumë njerëzve kur ata lënë qytetin. Megjithatë gjatë viteve të fundit, shumë prej lagjeve fqinje dikur jo të famshme, janë bërë shumë më interesante dhe emocionuese. Poble Sec dhe blloku pranë i rrugëve të njohura si Shën Antoni, kanë bare dhe restorante

që mund t’iu argëtojnë gjatë gjithë ditës, dhe kjo është padyshim pjesa e qytetit ku unë ndihem më rehat këto ditë. Raval ka qenë shtëpia ime për vite me rradhë, dhe do të jetë përherë një vend ku unë do të rrikthehem. Mund të tingëllojë disi e egër për shijet e disa njerëzve, por ajo është ende një nga pjesët më autentike të jetës reale, që gjendet në qendër të qytetit.

Arkitektura

Ju nuk mund të shkruani mbi Barcelonën, pa folur për arkitekturën. Kryevepra e saj, Sagrada Familia, mbetet një projekt në punë e sipër, por  Antoni Gaudi është ende djali i preferuar i Barcelonës. Ndikimi i Gaudit në qytet është i madh, me vizitorët por edhe banorët që ndihen njëlloj në një lloj borxhi të përhershëm me njeriun e madh, që la pas një gjurmë të tillë magjike mbi një pjesë shumë të madhe të qytetit.

Ndërtesat në të gjithë qytetin janë mbresëlënëse, por nuk janë vetëm këto struktura që e bëjnë Barcelona një vend kaq mikpritës. Planifikuesit e vjetër të qytetit, të cilët vendosën ta ndajnë atë në blloqe, meritojnë vëmendje të veçantë për shkak se e bënë këtë vend shumë të lehtë për t’u shëtitur, dhe me një numër të madh sheshesh të hapura që thjesht ju ftojnë të uleni për një moment dhe të relaksoheni nën diell, janë diçka me të vërtetë e veçantë.

Shtoni kësaj përzierje, të gjithë ndërtesat fantastike që janë shtëpia e disa prej muzeumeve më të mira të qytetit, si dhe katedralen dhe të gjitha kishat e bukura, dhe është tejet e pamundur që të mos largoheni nga ky vend me një ndjenjë frymëzimi.

Kultura

Barcelona është unike në atë që është ndoshta qyteti më i njohur në Spanjë, por për shumë banorë, kjo është Katalunja, jo Spanja. Ky konflikt vazhdon ende dhe është i hapur, por historia që qëndron pas kësaj ndjenje, ose e kundërta te saj, përbën një pjesë shumë të madhe të asaj që e bën aq interesante jetën aktuale në Barcelonë.

Ne jemi në Katalunja, por jemi padyshim edhe në Spanjë, dhe në shumë aspekte, kjo kontradiktë është ajo që duket se ushqen shumë pasion artistik brenda qytetit.

Nga Muzeu Pikaso me fantastikun Muzeun Kombëtar të Katalunjës (MNAC) deri në anën e Montjuic, Barcelona ka diçka për të ofruar nga shijet e të gjitha kulturave. Kjo kulturë e gjallë nuk ndalet vetëm tek arti. Ushqimi, sporti, filmi, muzika, letërsia, dhe çdo gjë tjetër që gjendet në trashëgiminë kulturore të një qyteti të madh, mund të ndodhet në enën e mahnitshme të shkrirjes që është Barcelona.

Diversiteti

Ky tipar domethënës është ndoshta për shkak se qyteti është aq i ngatërruar sa i përket historisë dhe vendit të tij në kuadër të Spanjës, sa që shumë njerëz nga jashtë ndjehen këtu si në shtëpi. Katalanasit dhe spanjollët mund të përplasen se kujt i takon vërtet ky qytet, por ne të huajt, thjesht mund të kënaqemi nga të qënit këtu.

Nga të gjitha qytetet që kam vizituar në Spanjë, Barcelona është më e ndryshmja si në aspektin e vizitorëve ashtu edhe banorëve. Ky është një qytet katalan. është një qytet spanjoll, por është gjithashtu edhe një qytet filipinas, pakistanez, arab, dhe shtëpia e përhershme apo e përkohshme e njerëzve nga e gjithë bota.

Këtu ju mund të vini për festat më të mira të organizuara ndonjëherë, por po këtu mund të gjeni vetveten, dhe të ndërtoni një jetë krejtësisht të re. Si një i ri nga Mançesteri, që nuk ka jetuar kurrë më herët larg shtëpisë, Barcelona vodhi zemrën time. Unë jam i sigurt se ajo ka bërë të njëjtën gjë për të paktën një person tjetër sot, dhe se do bëjë sërish këtë nesër. Dhe pasnesër. Mos u bazoni vetëm tek fjala ime, por shkoni vetë dhe gjejeni veten tuaj. /“Lifehack” – bota.al