14.7 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6069

Barcelona – qyteti më i mirë në botë!

0

Nga Simon Fletcher

Nuk ka asgjë objektive në lidhje me këtë artikull. Unë e dua Barcelonën, dhe çdo gjë që shkruaj mbi këtë qytet do të jetë përherë pozitive. Natyrisht, unë kam përjetuar edhe kohëra të vështira në këtë qytet, por ai gjithmonë vetëm sa më tërheq nga pas. Dhe jam shumë i sigurtë se kështu do të ndodhë gjithmonë.

Për ata që s’kanë qenë mjaftueshëm me fat për ta vizituar Barcelonën më herët, unë shpresoj që këto fjalë t’i frymëzojnë për të shkuar atje për herë të parë. Nëse keni qenë tashmë, shpresoj që kjo t’i bëjë të doni të rriktheheni. Qoftë hera e parë apo e dhjeta që e vizitoni, Barcelona nuk do t’i tradhëtojë kurrë.

Barrio-t e Barcelonës

Në 15 vjet, unë kam qenë mjaftueshëm me fat për ta quajtur Barcelonën shtëpinë time, kam jetuar në më shumë se 20 apartamente të ndryshme dhe pothuajse në çdo lagje (barrio) brenda qytetit. Born, ishte dhe mbetet ende një nga vendet më të frekentuara nga turistët dhe studentët, kur ata vijnë sot në Barcelonë.

Sheshet e Gracia-s janë gjithashtu klasike, dhe shpesh kujtimi i preferuar i shumë njerëzve kur ata lënë qytetin. Megjithatë gjatë viteve të fundit, shumë prej lagjeve fqinje dikur jo të famshme, janë bërë shumë më interesante dhe emocionuese. Poble Sec dhe blloku pranë i rrugëve të njohura si Shën Antoni, kanë bare dhe restorante

që mund t’iu argëtojnë gjatë gjithë ditës, dhe kjo është padyshim pjesa e qytetit ku unë ndihem më rehat këto ditë. Raval ka qenë shtëpia ime për vite me rradhë, dhe do të jetë përherë një vend ku unë do të rrikthehem. Mund të tingëllojë disi e egër për shijet e disa njerëzve, por ajo është ende një nga pjesët më autentike të jetës reale, që gjendet në qendër të qytetit.

Arkitektura

Ju nuk mund të shkruani mbi Barcelonën, pa folur për arkitekturën. Kryevepra e saj, Sagrada Familia, mbetet një projekt në punë e sipër, por  Antoni Gaudi është ende djali i preferuar i Barcelonës. Ndikimi i Gaudit në qytet është i madh, me vizitorët por edhe banorët që ndihen njëlloj në një lloj borxhi të përhershëm me njeriun e madh, që la pas një gjurmë të tillë magjike mbi një pjesë shumë të madhe të qytetit.

Ndërtesat në të gjithë qytetin janë mbresëlënëse, por nuk janë vetëm këto struktura që e bëjnë Barcelona një vend kaq mikpritës. Planifikuesit e vjetër të qytetit, të cilët vendosën ta ndajnë atë në blloqe, meritojnë vëmendje të veçantë për shkak se e bënë këtë vend shumë të lehtë për t’u shëtitur, dhe me një numër të madh sheshesh të hapura që thjesht ju ftojnë të uleni për një moment dhe të relaksoheni nën diell, janë diçka me të vërtetë e veçantë.

Shtoni kësaj përzierje, të gjithë ndërtesat fantastike që janë shtëpia e disa prej muzeumeve më të mira të qytetit, si dhe katedralen dhe të gjitha kishat e bukura, dhe është tejet e pamundur që të mos largoheni nga ky vend me një ndjenjë frymëzimi.

Kultura

Barcelona është unike në atë që është ndoshta qyteti më i njohur në Spanjë, por për shumë banorë, kjo është Katalunja, jo Spanja. Ky konflikt vazhdon ende dhe është i hapur, por historia që qëndron pas kësaj ndjenje, ose e kundërta te saj, përbën një pjesë shumë të madhe të asaj që e bën aq interesante jetën aktuale në Barcelonë.

Ne jemi në Katalunja, por jemi padyshim edhe në Spanjë, dhe në shumë aspekte, kjo kontradiktë është ajo që duket se ushqen shumë pasion artistik brenda qytetit.

Nga Muzeu Pikaso me fantastikun Muzeun Kombëtar të Katalunjës (MNAC) deri në anën e Montjuic, Barcelona ka diçka për të ofruar nga shijet e të gjitha kulturave. Kjo kulturë e gjallë nuk ndalet vetëm tek arti. Ushqimi, sporti, filmi, muzika, letërsia, dhe çdo gjë tjetër që gjendet në trashëgiminë kulturore të një qyteti të madh, mund të ndodhet në enën e mahnitshme të shkrirjes që është Barcelona.

Diversiteti

Ky tipar domethënës është ndoshta për shkak se qyteti është aq i ngatërruar sa i përket historisë dhe vendit të tij në kuadër të Spanjës, sa që shumë njerëz nga jashtë ndjehen këtu si në shtëpi. Katalanasit dhe spanjollët mund të përplasen se kujt i takon vërtet ky qytet, por ne të huajt, thjesht mund të kënaqemi nga të qënit këtu.

Nga të gjitha qytetet që kam vizituar në Spanjë, Barcelona është më e ndryshmja si në aspektin e vizitorëve ashtu edhe banorëve. Ky është një qytet katalan. është një qytet spanjoll, por është gjithashtu edhe një qytet filipinas, pakistanez, arab, dhe shtëpia e përhershme apo e përkohshme e njerëzve nga e gjithë bota.

Këtu ju mund të vini për festat më të mira të organizuara ndonjëherë, por po këtu mund të gjeni vetveten, dhe të ndërtoni një jetë krejtësisht të re. Si një i ri nga Mançesteri, që nuk ka jetuar kurrë më herët larg shtëpisë, Barcelona vodhi zemrën time. Unë jam i sigurt se ajo ka bërë të njëjtën gjë për të paktën një person tjetër sot, dhe se do bëjë sërish këtë nesër. Dhe pasnesër. Mos u bazoni vetëm tek fjala ime, por shkoni vetë dhe gjejeni veten tuaj. /“Lifehack” – bota.al

Mediat botërore: Nisi me Haradinajn, Kosova dhe Serbia në prag të ‘luftës’!

0

Agjencitë kanë raportuar se treni i ndaluar kishte për qëllim që pas 18 vjetësh të hynte për herë të parë në Kosovë.

Ato kanë raportuar për reagimet nga Kosova dhe Serbia me vlerësimin se kjo ngjarje ka pasuar tensionimin që ishte shkaktuar me rastin e arrestimit në Francë të ish kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj.

Agjencitë e vënë në dukje faktin se treni është dhuratë Rusisë dhe i njëjti është i pasur me motive nacionaliste serbe dhe fetare, si dhe në 20 gjuhë, përfshirë edhe shqip, është shkruar “Kosova është Serbi”.

Agjencia amerikane e lajmeve, AP, thekson se ndalimi i trenit ka “nxitur eskalim dramatik të tensioneve ndërmjet ish armiqve të luftës”.

AP dhe AFP po ashtu raportojnë edhe për urdhrin e presidentin Thaçi që të dërgohen forcat speciale për të parandaluar hyrjen e trenit.

Po ashtu citohet edhe kryeministrit serb, i cili ka thënë se e ka ndalur trenin në Rashkë për t’i “ikur konfliktit dhe humbjes së jetëve”.

AP thekson se deri të tensionimi i sotëm i situatës ka ardhur pas tensioneve paraprake ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me arrestimin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj në Francë me fletëarrest të Serbisë.

AFP raporton se incidenti me tren koinçidon me provokimet e Serbisë që Haradinaj të ekstradohet nga Franca.

“Raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë në nivelin më të ashpër që nga nënshkrimi i marrëveshjes ‘historike’ të Brukselit në vitin 2013”, thekson AFP.

Edhe Reuters ka raportuar për tentim agresionin e Serbisë ndaj Kosovës.

Një letër e ndaluar dhe dashuritë e Kasoruhos

0

“Shkëndijëzat mes errësirës”, poezitë e panjohura të Amik Kasoruhos dalin për herë të parë, të përzgjedhura dhe redaktuara nga Meri Lalaj, drejtpërdrejt nga dosja me dorëshkrime që ka lënë Amiku, të besuara pas vdekjes nga Xhovana, bashkëshortja e Kasoruhos. Janë poezi me mendime të mbyllura, edhe pse lirika për dashurinë, njerëz e miq…një cikël kushtuar mikut të tij, përkthyesit Robert Shvarc

Është një mrekulli skena kur Amiku  i dënuar, e detyronin të tërhiqte karrocën me dru, në vend të kalit…kur përballë i shfaqet ish e dashura e gjimnazit, dhe atij në mënyrë të beftë i vjen fuqia…Ishte vetëm 17 vjeç, në burg. Këtë fragment jetësor – që i ka mbetur shkrimtares e përkthyeses, Meri Lalaj nga leximi i rrëfimit autobiografik “Ikja nga trilli…”  i Amik Kasoruhos – e mendon si një moment të psikës së poetit, prej të cilit jo rastësisht kanë marrë fuqi edhe poezitë…një moment që nuk u lejua nga familjarët, edhe pse Meri do donte ta shënonte në parathënien e librit me poezi, krejtësisht të panjohura të Kasoruhos, të titulluar “Shkëndijëzat mes errësirës”, botim i Institutit të Studimit dhe Krimeve Komuniste. “Më pat bërë shumë përshtypje kjo jetë e burgut të Amikut, e një djali të ri, ndaj e pata shënuar në parathënie, por me botimin e librit nuk është më, u hoq”, thotë Lalaj. Por, ajo thotë se në poezitë e Amikut nuk ka parë ndonjë varg që të ketë përputhje me këtë skenë reale…Këto poezi dalin për herë të parë, të përzgjedhura dhe redaktuara nga Lalaj, drejtpërdrejt nga dosja me dorëshkrime që ka lënë Amiku, të besuara pas vdekjes nga Xhovana, bashkëshortja e Kasoruhos.

Janë poezi me mendime të mbyllura, edhe pse lirika për dashurinë, për njeriun dhe miqtë…Një kronikë shqetësimi, se si Amiku njeri vuante jo vetën e tij.

“Ishte një befasi e këndshme kur në pranverë, zonja Xhovana Kasoruho, bashkëshortja e Amikut, pasi patëm biseduar më parë, më solli një dosje të mbushur plot me fletë të shkruara me dorë dhe me makinë shkrimi. Fillova të lexoj dhe të njoh Amikun poet, nuk e prisja që të gjeja poezi aq të fuqishme në mendim dhe në ndjenjë, poezi të shkruara në moshë fare të re 18 apo 19 vjeç..”

Njohja e Merit me Amikun vjen nga viti i herët, 2003 kur sapo ishte kthyer në Shqipëri, duke u bashkuar në Fshatin e Paqes, në Shkodër në një takim letrar me përkthyes të huaj e shqiptarë. Një rast tjetër, njohja mes dy përkthyesve u thellua, kur në vitin 2010 iu bashkuan promovimit të librit mbi Fehmi Bej Zavalanin, monografi e prezantuar në Korçë, përgatitur nga Meri, dhe Amiku pati fjalën e tij mbi librin.

Edhe pse poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit në vitin 1953 dhe më tej gjatë viteve deri më 1995, Lalaj mbi “Shkëndijat…” thotë se Amiku nuk ka folur kurrë për poezitë, duke e mbajtur të fshehur. Del e përmendur vetëm në një rast, në një intervistë të paidentifikuar, se ku Amiku të jetë shprehur për botimin e poezive se: “Janë disa poezi. Një pjesë i takojnë moshës së re. Por pa kaluar disa kohë, nuk mund të quhesh poet. I ruaj. Unë nuk kam botuar asnjë vjershë deri sot. Mbase para se të më mbarojë “15 ditëshi” që më ka dhënë perëndia, do t’i botoj, edhe pse nuk janë shumë. Mund të jetë një vëllim i vogël me 30 apo 40 poezi. Janë poezi lirike, që trajtojnë situata shpirtërore të caktuara. Nuk janë poezi olimpike, janë thjesht shprehje lirike”.

Nuk mbaj mend në ndonjë rast tjetër të ketë folur për poezitë në të gjallë, thotë Meri, duke treguar se vetëm një vit pas vdekjes e kërkoi bashkëshortja e Kasoruhos, Xhovana që të shikonte një dosje me poezi për të dhënë një mendim mbi to, sa mund të vlenin për botim.

Dikur Amiku vetë, ka qenë shprehur se “po të më japë perëndia ditë do botoja poezitë e mia”. Ai kishte hezitim të madh nëse ishte poet, për pasojë edhe për t’i botuar ato, thotë Meri dhe nuk ishin pak, dhe jo të vona.

“Në gjithë punën time me këtë dosje nuk e kam ndeshur faktin pse Amiku hezitonte t’i botonte poezisë. Madje me aq sa di, në duzinën e punëve të tij me përkthimin, nuk rezulton në asnjë rast të ketë përkthyer poezi”.

Meri tregon se i ka parë fillimisht poezitë pa e ditur se do të merrej me to, derisa një ditë bashkëshortja e Kasoruhos ia besoi duke ditur se ishin miq të hershëm.

Puna me poezitë e Kasoruhos, Meri tregon se nisi, fillimisht, përmes emaileve pasi familja e tij vazhdon të jetojë në Itali. Mirëpo nga dorëshkrimi në email Meri tregon se kishte vërejtur mjaft gabime pasi shumica e poezive janë të lëna me shkrim dore, dhe pak të daktilografuara, dhe këto të fundit të zbehta nga vitet.

Për këtë arsye nuk ishte problem vetëm saktësia e transliterimit, siç thotë Meri të kalosh poezitë germë për germe, por dhe gegnishtja. Dialekti që përdori Kasoruho në këtë krijimtari. Pse? Meri Lalaj, që përgatiti dhe redaktoi poezitë e Kasoruhos hidhet në të shkuarën e tij. Ishte vetëm 17 vjeç kur Kasoruho hyri në burg, në vitin 1951, kur ishte kulmi i eliminimit të intelektualëve. “Amiku 17-vjeçar burgoset pa mbaruar shkollën e mesme, po për fatin e tij të madh në burgun e Burrelit takohet dhe bën miq shumë personalitete të kombit shqiptar si: Suad Asllani, Ibrahim Biçaku, At Klement Miraj, Kudret Kokoshi, Arshi Pipa, At Donat Kurti, Pashko Gjeçi, Gaspër Çuni, Andon Frashëri e të tjerë. Në shoqërinë e këtyre njerëzve të jashtëzakonshëm ai u rrit u burrërua, në këtë shoqëri do mësojë gjuhë të huaja, do thithë nga kultura e tyre. Ndërsa lexoja e përzgjidhja poezitë e Amikut vura re se përveç mendimeve filozofike, ndjenjave të holla, figurave artistike, gjuhës së pasur, formës së soneteve me dy strofa katërvargjëshe dhe dy të tjera trevargjëshe më bëri shumë përshtypje që një gjirokastrit si Amiku shkruan në një gegërishte të mirëfilltë duke iu përmbajtur drejtshkrimit të para vitit 1972 dhe më vonë sipas normave të drejtshkrimit standard”.

Për të parë nga afër dorëshkrimet, Meri tregon se është nisur për Itali, ku ka jetuar Kasoruho, ndërkohë që bënte këtë udhëtim për poezitë, rilexonte “Ikja nga trillet…” rrëfimi autobiografik i shkrimtarit. Në këtë rast të pamundur redaktorja e librit thotë se kërkoi të ndërpriste emailet për të pasur në dorë të gjitha dorëshkrimet, të fotokopjuara.

Poezitë datojnë herët, që nga vitet e burgut, vazhduar më 1953 deri më 1995. Pse titulli “Shkëndijëzat mes errësirës”? Meri thotë se mes dorëshkrimeve gjeti një fletë ku ishin palosur disa poezi dhe në krye shkruhej: Shkëndijëzat mes errësirës!. “E pëlqeva, mendova se ky titull mund të ishte vullneti i Amikut. Poezitë ishin shumë të shpërndara, edhe pse të mbledhura në një dosje. I mora të gjitha dhe i ndava në cikle duke menduar gjithë kohën se çfarë do të mendonte vetë Amiku”. Shumica e poezive i takojnë viteve ’50-të, të cilat në libër janë ndarë në pesë cikle. Në disa raste Meri tregon se janë gjetur në dy variante, duke iu referuar e qëndruar besnike të dyjave. “Kam punuar me lupë për identifikimin e germës. Duhej të bëja një punë skrupuloze siç ishte Amiku”.

Violeta Murati

 

Botohet për herë të parë nga “Mapo” 

Kur Amik Kasoruho i shkruante revistës “NËNDORI” për poezitë 

Ekziston mes dorëshkrimeve që ka lënë Amik Kasoruho edhe një letër, e shkruar me dorë që i drejtohet redaksisë së revistës “Nëntori”, pa identifikuar datën, dhe vitin, ku mes saj, poeti i ri donte të botonte krijimet e para në poezi, që siç duket nga përmbajtja e letrës mund të ketë dërguar edhe një sasi nga poezitë e para. Në dosje nuk është gjetur përgjigja nga kjo letër, që jepet e plotë për herë të parë në gazetën Mapo. Duket rast pa përgjigje edhe fakti, se kjo letër është lënë jashtë botimit të librit me poezi, “Shkëndija mes errësirës”. Duke menduar se duhej përfshirë bashkë me poezitë, në një farë mënyrë kjo “letër e ndaluar” do të na jepte përgjigjen pse Kasoruho hezitoi dhe u mbyll në gjithë jetën e tij me vendimin: për të mos i botuar poezitë. Kjo është dëshmia e vetme që vjen për hershmërinë e poezive, dhe ndoshta dëshirën e parë të poetit, për të parë dritën e botimit. Po si duket, ky mund të ketë qenë rasti, që e ka ndalur Kasoruhon të botojë, duke hezituar në njohjen e tyre deri sot, edhe pse nuk e kishte një dëshirë të tillë në të gjallë.

Letra e plotë:

Shokë të nderuem:

Në rast se kto vjersha, për nji arsye se për nji tjetër, do të gjykohen të pagoditme për t’u botue në revistën “NENDORI”, do tu lutesha fort, përgjigjen, cilado qoftë, të ma nisni n’adresën: AMIK KASORUHO-LAGJA STANE-15 –LUSHNJE.

Edhe nji dishirë: kishte me m’u duke nji ndihmë e mirë nga ana e juej, pot ë që se përgjigja e juej do t’ishte ma shumë nji kritikë se sa një përgjigje e thjeshtë.

Ju përshendes

A.Kasoruho 

 

Kushtim 

Më lindi jeta.

I këndova rrugëve të fatit.

Le të jehojnë zërat e njerëzve.

Atyne u kushtohen: njerëzve qi i kam

dasht aq fort sa t’harroj edhe se  më

kanë ba me vuejtë

1956, Amik Qemali

 

Amik Kasoruho – poeti

Nga Meri Lalaj

…Poezitë e para zënë fill në burgun e Burrelit në vitin 1953 dhe më tej gjatë viteve deri më 1995. Siç e përmenda, Amiku gjatë tërë jetës nuk ka botuar asnjë poezi, madje ndihet paksa dyshues nëse poezitë e tij mund të vlerësohen. Ne njohim Amik Kasoruhon, përkthyesin e talentuar, vijues i denjë i plejadës së brezit të përkthyesve që e ngritën gjuhën shqipe në lartësinë që e meritonte. Edhe Amiku në mënyrë të mrekullueshme me një vullnet dhe përkushtim të pashoq ka shqipëruar sa e sa autorë. Para viteve ’90 nuk mund të botonte as shqipërimet, siç shkruan në librin e tij autobiografik “Ikje nga trilli i Perëndive”, ndonëse përmend që “Drago Siliqi u bë copë për të”, Ismail Kadare përpiqet që Amiku të botojë një libër të përkthyer nga anglishtja, ndërsa Naum Prifti mundohet për t’i botuar diçka tek revista “Ylli”.

***

Jetën e Amikut që nga fëmijëria e deri në fund e ka përndritur një miqësi e pashoqe, një miqësi e rrallë si nëpër libra, një miqësi midis zotërinjsh ajo miqësi me përkthyesin tjetër të shquar nga gjermanishtja të madhin Robert Shvarc, ai, Roberti është i madh sepse është Mik dhe Njeri. Kur Amiku lirohet nga burgu dhe nuk ka të drejtën për të qëndruar në Tiranë, Roberti e mban në shtëpinë e vet në një kohë kur secila familje kishte libër shtëpie në të kontrollohej për çdo vizitor që i vinte dhe duhej të raportonte në polici nëse i vinin miq.

Ndonëse poezitë e Amikut përshkohen nga zymtësia, ato ndrijnë nga fijet e shpresës, nga dashuria për njerëzit, për jetën, për dashurinë, për të bukurën. Poezitë i ndava në pjesë, kështu pjesa e parë i përket burgut dhe ashtu siç kishte shkruar Amiku tek një fletë i lashë titullin “Shkëndijëzat përmes errësirës”. Në këto poezi ai u drejtohet me vargje shokëve të tij bashkëvuajtës si: Teufik Gabranit, Lorenc Vat Dedës, miqve S. A. dhe K. K. po ashtu edhe “Nji malcueri qi i njof veç zanin”. Në një poezi tjetër ai shkruan:

“…natën, në terr, un hekrat s’i paç shque

e as të zbem’t qi f’tyrat na i mblon;

e tash, o mik, qe tash qi agu u çue

un prap mendoj se jasht përtrihet jeta,

Ai shkruan për njerëzit që ka njohur:

“… i kam dasht aq fort edhe se më kanë ba me vuejtë”.

Tek pjesa e dytë janë renditur poezi për nënën dhe atin e tij. Babai i Amikut, Qemal Kasoruho u pushkatua me të ashtuquajturin incident të bombës në Ambasadën Sovjetike në kohën kur Amiku vetë ishte i burgosur. Në poezinë “Atit tem” ai shkruan:   “Ti shkove: larg t’u tret ty hovi i dlirtë;

ndër qiej të tretun pagjën e amshueme,”

Nëna e tij jeton e vetmuar në një dhomë të ftohtë pa zjarr, ai i drejtohet nënës: “Ti qan për dhimba t’mia?

un qeshem, nanë, me jetën,”

Këtu përfshihen edhe poezi për birin e tij dhe Nensin e vogël. I kam bërë vend edhe poezive të Amikut drejtuar mikut të tij shpirtëror Robert Shvarc, ndihet fare mirë se ata këmbejnë me njëri tjetrin mendime për jetën, për dashurinë, për të ardhmen, ata urojnë njëri tjetrin për gëzimet e pakta, për ditëlindjet dhe janë të pamposhtur nga përleshjet me jetën. “Prehja na është e huej” titullohet kjo pjesë sepse ata të dy nuk mund të rreshtin duke punuar për gjuhën shqipe, nuk mund ta kuptojnë jetën, sado e vështirë të jetë ajo, pa u përpjekur për të dhënë atë që dinë të bëjnë më të mirën e tyre. Dhe ta përfytyrosh në një kohë kur gjithnjë mbi kokë të rrinte rreziku i të nesërmes i burgosjes për një fjalë a një mendim.

“Kur rrokja penën për të shkruar fjalët

që mbenë ndër buzë tharë etjes jetë,

o mik i mirë, më dridhej dora e ndalej

në varg të parë: unë vreja para vetes.”

Në pjesën e katërt kam vendosur poezitë që i këndojnë dashurisë përshkruar me mendime të kthjellëta, të sinqerta për ulje ngritjet sipas rastit duke e rrëfyer veten se është njeri dhe di të dashurojë i kam lënë titullin “Në vjeshtën time erdhe si pranverë” sipas njërës prej poezive. Nga shumë vargje shkruar për këtë ndjenjë kam zgjedhur:

“Kur rrezja e fundit e diellit

t’i lëbyri sytë e etur për dritë,

mendomë.”

Në pjesën e pestë kam vendosur “Kushtime”, poezi kushtuar Migjenit, Qemal Stafës, Skënder Aranitit e të tjerë. Amik Kasoruho i lindur në vjeshtë, arrestuar dhe burgosur në vjeshtë, liruar në vjeshtë dhe ky libër po përurohet në vjeshtë, vetëm vdekjen e pati në pranverë.

(Marrë nga parathënia) /Mapo 

Zgjimi i këngës arvanite

0

Ishte vërtet diçka jo e zakontë ta ridëgjoja këto ditë të njëjtin disk me këngë të vjetra arvanitase që kisha dëgjuar njëzet vjet më parë në shtëpinë e mikes sonë franko-shqiptare Solange d’Angely, disk që ajo e kishte blerë në fundin e viteve ’80 në dyqanet e FNAC të Parisit. Në fakt ishin dy disqe të shoqëruara me një broshurë me tekstet e këngëve dhe biografitë e këngëtarëve dhe instrumentistëve. Ajo që të mrekullonte ishte magjia dhe origjinaliteti i atyre këngëve që të çonin në një kohë të largët që mbartëte nostalgji, dhimbje, mungesë, drama njerëzore, luftra epike dhe dashuri të mëdha. Më kujtohet që atëherë, sa herë ajo na mblidhte, darkave vonë, unë i kërkoja të vinte diskun me «Këngën e Moresë», diskun me këngët e arvanitasve, pasi ato këngë më çonin menjëherë në vendin tim dhe në tokën e varreve të pararendësve të mi. Ishin këngë që këndoheshin nga një zë disi arkaik, të përmalluar, që ngjizte dhimbje e shpesh klithte në pamundësinë e gëzimit, këngë me një shqipe të vjetër nga këngëtari i grupit, Thanasis Moraitis. Një nga këngët ishte Do të pres gërshetat (kacidhet), e cila pasohej nga Manushaqe e egër, ku në këtë të fundit këngëtari këndonte :«Ah, moj manushaqe po çmendem nga dashuria, / ah moj manushaqe buzë greminës jam, / ah, kjo aroma tënde që aq shumë e dua./ – Merre shtegun, unë atje do të pres, / nxirre briskun dhe preji gjembat / eja të mos humbim kohë…»

Albumi kishte një kopertinë mjaft impresionuese, pasi në të ishte imazhi me ngjyra i një grupi këngëtarësh popullor, apo ahengxhinjsh të arvanitasve me mandolinat dhe tamburatë e tyre nëpër duar. Ç’moshë kishin ato këngë. Kush vallë i kishte kënduar fillimthi? Si kishin shtegtuar ato nga Peloponezi në Atikë e nga Atika drejt Evias e Thivës e deri lart në malet e Parnasit? Një gjë ishte e qartë: të gjitha ato këngë lirike e epike, ato vaje të trishta, vinin nga thellesitë ek ohrave, ashtu siç kishte qenë dhe kënga e Moresë, që kur shqiptarët që shtegtuan nga Peloponezi në jug të Italisë, kujtonin me mall Morenë e tyre, ku kishin varret gjyshërit dhe etërit e vjetër, të cilët dhe ata, ishin vendosur aty nga shumë shekuj të tjerë më parë. Por kënga pra kishte jetuar. Revolucion i Pavarësisë i bashkoi ngushtësisht grekët e shqiptarët e Greqisë, por me kalimin e dekadave e më pas të shekujve, për mungesë të shkollave, gjuha arvanite zuri të harrohej, të bëhej arkaike dhe të zhbëhej, edhe pse jetonte veç në brezin e vjetër tashmë. Por sidoqoftë kënga jetonte, siç e tregonte dhe ai disk që na sillte atë zgjim të çuditshëm të këngës së vjetër, të këngës së harruar.

Lica moj lica / kur u rrite kështu? / Kur u bëre vajzë?/ Ah, ti, lulja ime, trëndafili im!/ – Nëna ime më ka ushqyer me mollë/ Ja pse jam rritur kaq shpejt / Nëna ime më dha të ha dardha: prandaj dhe lëkura ime është kaq e bardhë!…”

Padyshim, një meritë e madhe ishte ajo e Thanasis Moraitis që këto këngë që këndoheshin në popull në festa, dasma e vdekje, më së fundi do të regjistroheshin.

Kënga e përmalluar e Moraitis

Moraitis është nga Vaja, një fshat i Thivës, por 13 vjeçar, ai dhe prindërit e tij, si shumë e shumë të tjerë e braktisi Vajan dhe u vendosën në një lagje të Athinë. Nga studimet për Shkencat Politike më 1984, ai ishte hedhur në fushën e muzikës duke studjuar muzikën bizantine në Katedralen e Athinës me mjeshtrin e njohur Spiro Peristeri, madje duke kënduar dhe në korin e katedrales. Një vit më vonë ai u njoh me Mikis Teodorakis, duke u bërë një bashkëpuntor shumë e afërt i tij, së pari duke kënduar në diskun e tij “Dionisos” e më pas duke marrë pjesë në turnetë e tij muzikore nëpër botë në Amerikë, Kanada, Francë, Gjermani, Austri, Itali, etj… Në vitin 1987, Moraitis nxorri diskun e tij të parë “Kujtesa e gurit» me muzikë të Teodorakis dhe tekste të Mihal Burbulis. Në dhjetor të vitit 1986, Moraitis, Kolias dhe Demetrios Lekas prezantuan para publikut athinas 25 këngë arvanitase nga rajone të ndryshme të Greqisë dhe të Italisë së jugut. Në gusht të vitit 1987, duke iu prezantuar publikut të huaj, ai u tregon atyre rreth rrënjëve të tij dhe pse iu kushtua këngëve arvanitase:

Unë kam lindur e jam rritur në një fshat arvanitas, – shkruante në këtë brochure të albumit Moraitis. – Gjyshja ime nuk e fliste greqishten. Ajo fliste vetëm gjuhën arvanite. Prindërit e mi arvanitas flisnin të dy gjuhët. Në shkollën fillore e kisha vështirë të flisja, pasi ngatërroja gjuhën greke me atë arvanite. Në festat popullore në fshatrat ngjitur, më pëlqente të dëgjoja muzikantët shëtitës për të cilët kisha një simpati të veçantë. Më kujtohet që për orë të tëra  rrija me ballin pështetur pas xhamit të kafenesë duke dëgjuar. Gjatë këtyre festave dëgjova për herë të parë një orkestër tradiconale me këngë arvanitase që unë tashmë i njihja nga nëna dhe njerëzit e tjerë të familjesMë pas në vitet 1970 familja ime iku në Athinë dhe unë shkova bashkë me ta. Ishte koha e zhvendosjeve të mëdha bfrenda Greqisë. I mbyllur brenda në shtëpi dhe në atë lagje ku banoja, unë fillova ta harroj gjuhën dhe këngët arvanite, pasi në atë kohë, një student që studionte Shkencat Politike dhe që këndonte këto këngë të vjetra të fshatarëve quhej i prapambetur. Por koha kalonte dhe unë fillova të merrem seriozisht me muzikën dhe në këtë periudhë u njoha me Mikis Teodorakis, ku këndova në diskun e tij “Dionisos”. Pak më vonë, Teodorakis më kërkoi t’i përgatisja muzikën e një filmi që do bënte televizioni hungarez për të me titullin “Greqia e Teodorakis”. Më 1985 fillova të studjoj sekretet e muzikës bizantine dhe muzikën europiane (teorinë dhe harmoninë). Në koleksionin e disqeve të një mikeshe gazetare, një ditë zbulova një disk të regjistruar nga Zyra e Studimeve Etnografike të Peloponezit ku kishte këngë nga Italia e jugut dhe mes tyre dhe këngë arvanite. U preka dhe u habita shumë kur dëgjova këto melodi të panjohura të kënduara në gjuhën e nënës time. Menjëherë mësova këngën “Ah, e bukura Moré!” Një vit më pas ëndrra ime do të realizohej. Për herë të parë do të regjistronim këngë arvanitase. Megjithatë, unë s’do ta arrija këtë po të mos kisha njohur Aristidh Kolias, shkrimtar e historian, i cili merrej me këtë temë. Ai kishte botuar më parë “Arvanitët dhe origjina e grekëve” dhe kishte mbledhur këngë arvanite në të gjithë Greqinë e në Kalabri. Që ta bënte të njohur këtë punë ai kishte filluar dhe një emision në Radio në bashkëpunim me producenten Memi Spiratu. Pikërisht në këtë kohë u lidha me të dhe sëbashku, secili në lëmin e vet, ne filluam një punë serioze mbi këngët arvanite. Kështu, dy vjet më vonë, pas koncertit në teatrin “Orfeu” dhe përgatitjes së dy disqeve, ne krenohemi që i bëmë të njohura këngët arvanite, siç janë kënduar gjatë shekujve. “Opinionet e çuditshme” mbi “disa minoritete” (që kishin penguar për një kohë të gjatë prezantimin e këngëve arvanite) tashmë konsiderohen si gjepura, dhe kjo në sajë të disa të “çmendurve” si ne që deshën të rrëmojmë në të kaluarën dhe të njihnin se çfarë ishte shkruar e kënduar për ta në mënyrë që dhe ata të shtonin diçka për gjeneratat që do të vinin, (Shekujt që vijnë gjithnjë u janë mirënjohës të “çmendurve”).

Lexoja këto rradhë dhe ridëgjoja Moraitis tek këndonte atë këngë-vaji, shoqëruar në violinë, për trimat që shkonin në luftë dhe që luftën e cilësonin «dasëm», siç thuhet dhe në këngën «Tej ga mali»:

«Ndë thiste mëma ç’u bë djali / u martua lia ga mali / ndë thiste mëma çë nuse muar / koqe plum në krah muar… »

Teodorakis

Krahas Moraitis, ishte i madhi Teodorakis që na ka mrekulluar gjithnjë me muzikën e kompozuar të tij, shpesh të bazuar mbi traditën muzikore popullore, i cili do të shkruante dhe për këngët arvanitase dhe bashëpunimin e gjatë të tij me arvanitasin Moraitis. Ja çfarë shkruante ai: «Shtëpia e disqeve «Julianos», në sajë të diskut «Kënga arvanitase», sapo ka inaguruar një seri regjistrimesh të veprave muzikore në bazën e muzikës sonë tradicionale. Natyrisht, fakti që interpreti kryesor dhe menaxheri i këtij disku është Thanasis Moraitis, një nga bashkëpuntorët e mi më intimë, nuk është rastësi. Ajo që kam vlerësuar në këtë nismë është puna serioze e plot dashuri e atyre që kanë marrë pjesë në realizimin e diskut. Madje mund të flitet për «fanatizëm» pasi në mos gabohem është e para herë që dikush po kujdeset kaq hapur e me kurajo për traditën muzikore të një kategorie të popullit grek që në veçanti kanë ruajtur gjuhën e zakonet e tyre.  Kur e dëgjon këtë lloj muzike për herë të parë është e vështirë ta dallosh nga këngët e tjera të traditës greke. Në shumë raste gjejmë të njëjtën melodi, që kësaj rradhe këndohet në gjuhë arvanite. Duket se muzika arvanite ka qenë influencuar nga muzika bizantine dhe në disa raste nga muzika e vjetër greke, nëse krahasojmë gamën e tyre. Kam shpresë dhe bindjen se publiku grek do ta pëlqejë këtë punë të bukur muzikore që na rilevon mes të tjerash burimet muzikore që kanë frymëzuar të riun nga Thiva, Thanasis Moraitis, në artin e këngës

Trishti i madh i Aristidh Kolias

Por siç shkruante Moraitis, këto këngë nuk do të ishin egjistruar po të mos ishte bashkëpunimi i madh me Aristidhis Kolias, i cili për vite me rradhë jetën e tij ia kushtoi kulturës së arvanitasve, hjistorisë dhe kontributit të tyre në rrjedhat e historisë së Greqisë, të pavarësisë, lirisë e progresit të saj. Madje, albumi hapet pikërisht me tekstin e Kolias, i cili shkruante:

«Kënga arvanitase zë një vend të rëndësishëm në traditën kulturore e politike të popullit grek. Nëse kjo e vërtetë e pakundërshtueshme grekëve të sotëm u duket si një teori estravagante, ky nuk është faji i tyre, dhe as faji im. Grekët e sotëm njohin antologji të ndryshme të këngëve popullore greke në sajë së pari të Fauriel, i cili kurrë nuk vuri këmbët në Greqi e pastaj në sajë të Nikos Politis që është përpjekur në mënyrë metodike të mbledhë këngët e popullit grek, pa treguar natyrisht madje dhe një këngë të vetme arvanite. Mendoj se situata e grekëve të shekullit XX është për të ardhur keq nëse ata ende nuk janë të bindur se etnografët tanë të mëdhenj nuk kanë vendosur në katalogët e tyre gjithë këngët popullore greke, pasi në këto koleksione jo vetëm që nuk ka as edhe një këngë të vetme arvanitase por as dhe një fjalë për marrëdhënien dialektike midis këngëve popullore arvanitase nga njëra anë dhe asaj që veçanërisht quhet këngë popullore klefte nga ana tjetër. Pra si mund të pretendojmë që etnografia jonë përpiqet të shkojë gjer në origjinat e traditës sonë kulturore, kur ajo shmang jo vetëm mbledhjen e këtyre këngëve por dhe treguesin e thjeshtë të origjinave reale të këtyre kulturave. Si mund të besosh se në të vërtetë kemi mbledhur krijimet muzikore e poetike popullore p.sh. të suljotëve heroikë, të banorëve të Çamërisë, të ishujve Argosaronikos, të Evias, të Atikës e Beotisë, të Argolidhës e Trifilit (ku kanë jetuar e jetojnë ende «dredet» heroikë me të cilët Theodor Kolokotroni ose Bythguri siç ishte emri i tij i vërtetë, kreu lëvizjet e tij revolucionare, në një kohë që në koleksionet e këngëve popullore nuk ekziston asnjë këngë e shkruar në gjuhën e nënës të këtij populli heroik? Atëherë ata që i kanë varrosur veprat muzikore e poetike autentike të Greqisë dhe që i kanë zëvendësuar me përkthime apo adaptime të mëvonshme, a mund të pretendojnë ata se në realitet i kanë shërbyer interesit kombëtar ?… Arvanitasit, ky popull luftarak e shumë liberal, kanë krijuar këngë të karakterit të tyre, d.m.th. këngë veçanërisht epike e lirike. Një vend të rëndësishem në krijimet e tyre poetike e muzikore zë kënga funebre, ajo e vajit («miroloi»), sepse pikërisht çmimi i përditshëm i lirisë dhe dinjitetit të tyre social e individual ishte vdekja në luftë apo në zënkat mes tyre. Por ajo që dallon shumë mes këngëve arvanitase të vajit dhe këngëve të popujve të tjerë është mungesa totale e fatalizmit që zakonisht shoqëron vdekjen. Këngët «Miroloi» janë të ndarë në «vajtime» dhe «lingurime». Të parat këndohen në rast vdekje, veçanërisht nga gratë, ndërkohë që të dytat, që janë krijuar në një kohë më të vonshme, flasin për jetën dhe historinë e të riut që ka vdekur. Këto këngë të fundit mund të quhen «elegji epike», ku një shembull është kënga «Tei ga mali» («Tej nga mali»)…»

Një nga këngët në këtë disk ishte dhe ajo e Katerinës që tjerrte, ku spikaste figuracioni i shpirtit popullor në një mënyrë të jashtëzakonshme: “Ti tjerr Katerinë e vogël / dhe kjo i ka bërë xheloze fqinjet e tua / do të bëhem zog blu të ulem në gërshetat e tua / do të bëhem një gërshet i bardhë të ulem mbi faqet e tua / do të bëhem një zog i kuq të ulem mbi sundukun tënd!…”

Dëgjoja atë disk, siç kasha dëgjuar gratë arvanitase në Vilia një vit më parë në Greqi dhe mendoja për zgjimin e këngës, për atë këngë që ishte krijuar nëpër shekuj dhe që vinte deri tek ne me atë shqipe të vjetër që nuk ishte shuar ende. Dëgjoja atë disk dhe kuptoja se ç’ndodhte në shpirtin e Moraitis, kuptoja revoltën e Aristidh Kolias dhe mendoja se përse ato këngë, ajo gjuhë, ajo kulturë e një populli ishte mbajtur në heshtje dhe në një lloj klandestiniteti. Vallë pesha e Kishës greke? Pesha e nacionalizmit?… Mësimi grek duhet të jetë gjithashtu dhe për ne shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët, turqit, bullgarët e rumunët, pra për gjithë ballkanasit, ku historia e vjetër shekullore, luftrat mes tyre dhe paktet e mëdha të paqes i kanë mpleksur fatet dhe kulturat e popujve, këngët e vallet e tyre. A nuk ishte kuptimplote ai film dokumentar me titull “E kujt është kjo këngë?” ku regjisorja bullgare të njëjtën këngë e gjente të këndohej tek të gjithë popujt e Ballkanit e ku secili thoshte se ishte ai që e kishte krijuar atë?… /Shqip/

Aksident i rëndë në Malishevë

0

Një aksident trafiku ka ndodhur herët në mëngjes në rrugën Malishevë-¬Prishtinë, saktësisht në fshatin Carrallukë.

Siç raporton Malisheva.net, ky aksident ka ndodhur si pasoj e ngricave.

Nuk dihet ende për të lënduar nëse kishte apo jo në këtë aksident.

Ja sa aksidente kanë ndodhur në Kosovë 24 orët e fundit

0

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit në vend kanë ndodhur 45 aksidente komunikacioni.

Prej tyre, 38 ishin pa të lënduar kurse 7 me lëndime në njerëz, shkruan Indeksonline.

Ndërsa, gjatë kësaj periudhe janë shqiptuar 738 tiketa për kundërvajtësit e trafikut.

Vritet një person në Suharekë

0

Një person është arrestuar në Suharekë, pasi i njëjti nga pakujdesia me kallash ka qëlluar një person.

Viktima nga plagët e marra ka ndërruar jetë. Njësia policore ka konfiskuar armën AK-47.

Me urdhër të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në obduksion, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Po jetojmë në frymën e antivlerave

0

Në rubrikën “Jepi Zërit” sjellim Veli Sahitin, shef i grupit “Trix” dhe kantautor nga Ferizaj. Sahiti është autor i 20 albumeve muzikore si solo këngëtar dhe si kompozitor. Ishte themelues i Festivalit të parë të rokut të njohur si “Kitariada”, në vitin 1987. Pastaj themelues i Festivalit të muzikës argëtuese “Ferfest”, në vitin 2005. Veli Sahiti është një këngëtar i njohur dhe i pëlqyer jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha hapësirat shqiptare.

Cilën pyetje më shpesh i bëni vetes?

Është në natyrën e njeriut që të ngjet në një det të trazuar, për më tepër krijuesi, i cili me dilemat e tij i ngjet një deti me valë të trazuara. Pyetja që më sillet më shpesh vërdallë është ajo që ka ë bëjë me karrierën time prej këngëtari: Mos vallë më mirë do ta kisha në një vend ku era e rokut mund të nuhatet edhe nëpër kalldrëme të vjetra rrugësh dhe nëpër gurë të objekteve të vjetra me një traditë të theksuar të muzikës, ndërsa në këtë qytetin tim të ri më është dashur të përballem me shumë sfida, madje edhe aso të keqkuptimit. Por si ngushëllim kam ndjenjën se i kam dhënë një frymë moderne qytetit tim të ri dhe kam ndikuar sadopak në krijimin e një atmosfere qytetare.

Cili është udhëtimi juaj i zakonshëm brenda një dite?

Zakonisht zgjohem herët. Kafenë e mëngjesit e pi para orës 8 dhe atë në kafeterinë “Nostres”, apo në “Rut 66”, që ndodhen poshtë pallatit ku banoj. Zakonisht kafenë e mëngjesit e pi duke shfletuar gazetat e ditës, një shprehi e vjetër kjo e imja. Pastaj përgatitem për nxënësit, meqë bëj punën e mësimdhënësit në shkollën e qytetit “Vezir Jashari”. Pasditen e kaloj duke punuar në studion time të vogël, në kompozim apo orkestrim të ndonjë kënge. Në mbrëmje shkoi në fitnes, ku marrë energji të mjaftueshme për ditën tjetër. Natën vonë nuk e preferoj të dalë. Kjo më ndodhë vetëm kur kam angazhime muzikore.

Cili libër qëndron më dukshëm në vitrinën e kujtesës suaj?

Janë disa, por unë do ta veçoja romanin “Emri i trëndafilit”, të Umberto Eco. Si ndiheni në këtë krizë të thellë morale, përkatësisht identitare? Kjo nuk është kohë as për krijuesit e mirëfilltë, por as për njerëzit e ndershëm. Është zor të shohësh si në jetën tonë është shthurur gjithçka. Kriza morale po shpërfaqet në të gjitha dimensionet e jetës dhe po krijon një ambient të kontaminuar, nga i cili edhe nuk po mund të ikim, sepse kemi mbetur të getoizuar brenda kësaj Evrope, gjithashtu e ngarkuar me kriza të mëdha. Në bazë të muzikës që më shumë servohet tek ne, zor e ke të besosh se jeton në një tokë të shqipeve. Pastaj kurrë më shumë nuk ka pasur tendenca që të rrënohen figurat emblematike të identitetit tonë kombëtar. Këto figura sulmohen edhe publikisht dhe për fat të keq institucionet tona nuk reagojnë në masën si duhet. Për këtë arsye është shumë e nevojshme që të krijohet hapësirë më e madhe për njerëzit tanë që me vlerat e tyre përfaqësojnë identitetin evropian të shtetit tonë të ri, i cili ka nevojë të njihet në fytyrën e vërtet të tij identitare. Emra përfaqësues për fat të mirë po kemi gjithnjë e më shumë. Të tillët janë ambasadorët tanë më të mirë për të na përfaqësuar, prandaj duhet t’i përkrahim dhe t’i afirmojmë si shembuj të mirë.

Çfarë mund të thuash për kulturën dhe zhvillimet e saj?

Sot vendin tonë e ka përfshirë një frymë e antivlerës, e cila po ngushton gjithnjë e më shumë hapësirën e vlerave. Tani muzika nuk dëgjohet, por shikohet. Personazhe publike janë bërë edhe ata që nuk dinë çka janë akordet a notat muzikore dhe që nuk kanë fije talenti as për të kënduar. Kësaj fryme të antivlerave po i kontribuojnë shumë mediet tona, madje edhe televizioni publik, i cili do të duhej që të kishte kujdes, ndërsa mbahet nga taksat tona. Kundër kësaj fryme duhet angazhuar në mënyrë institucionale, sepse kultura mësohet edhe në shkollë. Duhet provuar që të identifikohen vlerat në çdo fushë të jetës e jo të ngulfaten ato nga antivlerat. Kulturën duhet shkëputur nga politika. Kultura është arteria kryesore e një kombi, prandaj duhet një kujdes dhe përkushtim i madh për të. Askush nuk ka mund ta paramendojë një gjendje kështu të çoroditur si e kemi krijuar duke stimuluar dhe përkrahur antivlerat. Antivlerat po kultivohen edhe në sferat tjera të jetës, sepse po përkrahen edhe nga institucionet. Kështu kemi ardhur në një nivel të degradimit të përgjithshëm të shoqërisë sonë, e cila nga kjo pozitë e ka shumë të vështirë të krijojë një sistem vlerash, pa të cilat nuk mund të prosperojë një shoqëri.

Si ishte dje, si është sot dhe si do të jetë nesër?

Për dje mund të them se kishte më shumë frymë miqësie ndërmjet njerëzve. Raportet e tyre ishin shumë më të sinqerta, gjë që na bënin të ndjeheshim më njerëzorë. Sot ke bindjen se gjithçka është hedhur në tezgë për shitje, sipas një logjike të kapitalizmit të egër, ku si shoqëri konsumi sillemi si të çoroditur. Për nesër të shpresojmë dhe besojmë se do të bëhet më mirë. Gjërat natyrshëm lëvizin, ndërsa e rëndësishme është që nëse nuk mund t’i lëvizim më shpejt, së paku të mos i ndalim në lëvizje, siç po bëjmë tash. Madje shpesh të krijohet bindja se gjërat po i lëvizim nga prapa.

Një pikturë, një poezi, një këngë dhe një film që do ta kishit veçuar?

Meqë hobi kam pikturën, me të cilën mbushi kohën e lirë, ka shumë sosh, por unë ende nuk kam arritur të ndahem nga misteri i magjishëm i “Monalizës” së Leonardo da Vinçit. Në përgjithësi nga poetët më shumë pëlqej Lasgushin, ndaj kisha veçuar poezinë e tij “Ndjenja dhe njeriu”. Nga filmat nuk mund të mos e veçoj “Odiseun” me aktorin tonë të madh Bekim Fehmiun./Zeri/.

Zgjedhjet e reja, rrugëdalja e vetme

0

Derisa Kosova detyrimisht duhet të shkojë sivjet në zgjedhje të rregullta lokale, analistët dhe përfaqësuesit e partive politike në opozitë janë shumë të bindur që po në këtë vit, paralelisht me zgjedhjet lokale, do të imponohet nevoja edhe për zgjedhje të parakohshme të nivelit qendror, ngase është vetë mungesa e lidershipit të fortë qeverisës dhe paaftësia e koalicionit për të mirëqeverisur vendin, së bashku me ndikimet që do të ketë ndërhyrja e Gjykatës Speciale tek individë të caktuar, që e bëjnë të domosdoshëm një proces të tillë. Aq më tepër zgjedhjet e reja për nivelin qendror imponohen edhe nga fakti se lidershipi i tanishëm qeverisës vazhdimisht po merr vërejtje dhe mesazhe të qarta ndërkombëtar se derisa nuk luftohet krimi dhe korrupsioni, Kosova do të vazhdojë të mbetet vendi i izoluar dhe njollë e zezë e Evropës.

Një mesazh të tillë presidenti Thaçi gjatë qëndrimit të tij në SHBA e mori nga zëvendëspresidenti i Amerikës Joe Biden. Ai i dërgoi mesazh Qeverisë së Kosovës jo vetëm që të vazhdojë dialogun me Serbinë, por edhe të zbatojë reformat për të adresuar korrupsionin dhe për të nxitur rritjen ekonomike në Kosovë, sundimin e ligjit, si parakushte kryesore të zhvillimit të vendit dhe hapjes së perspektivës evropiane për qytetarët kosovarë. Kjo Qeveri e tanishme nuk po tregohet e gatshme për një ballafaqim të tillë, shkruan gazeta Kosova Sot

Kosova, ende vrimë e zezë në Evropë

Sipas analistit Florim Zeqa, për shkak të mungesës së kredibilitetit të lidershipit dhe paaftësisë qeverisëse të koalicionit aktual, gjithnjë e më tepër po bëhet e domosdoshme dhe e pashmangshme mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, më së largu në gjysmën e dytë të këtij viti.

“Po ashtu edhe legjislativi i vendit në masë të madhe e ka humbur besimin e qytetarëve, shkaku i servilitetit të deputetëve ndaj liderëve partiakë dhe papërgjegjësisë ndaj kërkesave të qytetarëve të vendit, të cilëve votën ua kishin marrë nën premtimin se do të mbrojnë interesat e tyre e jo të liderëve partiakë”, theksoi ai.

“Gjatë vizitës së stërzgjatur në SHBA, presidenti Thaçi mori vërejtje serioze nga zv.presidenti amerikan Joe Biden rreth ngecjes së Kosovës në procesin e shtetndërtimit dhe plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, me theks të veçantë në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Biden po ashtu presidentit Thaçi i kërkoi thellimin e reformave në sistemin e drejtësisë, për sundimin më efikas të ligjit si parakusht për sigurinë e investimeve dhe nxitjen e rritjes ekonomike, shkaqe këto që determinojnë perspektivën evropiane dhe liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, vijoi më tutje Zeqa. Sipas tij, pa përmbushjen e këtyre kushteve, Kosova do të mbetet edhe më tej vrimë e zezë në Ballkan dhe vendi më i izoluar në Evropë. Zgjedhjet i sheh si zgjidhje edhe prof. Muhamet Kelmendi, sado që pret rezistencë të madhe nga koalicioni qeverisës. “Gjithsesi është e udhës të shkohet në zgjedhje të njëkohshme për të dyja nivelet, për ta ndërruar në substancë gjithë këtë mentalitet të deritanishëm politik dhe qeverisës, por dyshoj se interesat e pushtetarëve janë aq të mëdha, prandaj nuk mendoj se do të kemi zgjedhje të jashtëzakonshme për nivelin qendror në të njëjtin vit”, tha për “Kosova Sot” Kelmendi.

Demarkacioni nuk e bllokoi liberalizimin e vizave

Në analizën e tij, Kelmendi thotë se është një mal i madh i dështimeve të kësaj kaste politike që po qeveris vendin, në dy vjetët që po mbeten pas, gjithsesi do të duhej ndëshkuar me zgjedhje të reja, sa më shpejt, aq më mirë për vendin, sepse krimi dhe korrupsioni kanë bllokuar çdo frymëmarrje të jetës.

“Çështja kryesore pse nuk ka ardhur deri te liberalizimi i vizave për Kosovën nuk ka qenë Demarkacioni, por kryesisht korrupsioni dhe krimi i organizuar nga bazat shtetërore. Më vonë, me ndikimin dhe me problemet e krijuara nga Qeveria dhe Kuvendi, erdhi deri te futja edhe e Demarkacionit si kusht për liberalizim të vizave”, theksoi ai. Sipas Kelmendit, baza kryesore për mosliberalizim të vizave janë dhe mbeten tri çështje kryesore “1. Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbi bazat e shtetit, jo në kuptimin e luftimit vetëm të dukurive të nivelit terciar, por të nivelit qendror, ku atje kemi kryesisht krim dhe korrupsion, keqpërdorim të buxhetit të shtetit dhe veprim kryesisht politik dhe grupor në drejtim të vendosjes së kuadrit politik nëpër borde dhe të punësimit në vend. 2. Sundimi i ligjit, apo shprehur më qartë, shteti ligjor është faktori i dytë që ndërlidhet me krim dhe me korrupsion, e ku kemi çrregullim të ashpër në polici, në prokurori dhe nëpër gjykatat e vendit…dhe 3. Mosnjohja e 5 shteteve të UE të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës që gjithashtu është faktor shumë i rëndësishëm i mosliberalizimit të vizave. Dua të theksoj se në Kosovë ka edhe fakte të tjera që merren për bazë për mosdhënien e liberalizimit të vizave, por koma nuk thuhen”, tha prof. Kelmendi. Ai pohon se krimi dhe korrupsioni janë pengesë mbi pengesa. “Krejt kjo bëri që të kemi kërkesa konkrete edhe nga zëvendëspresidenti amerikan, kërkesa të ashpra ndaj Hashim Thaçit në Uashington”, potencoi Kelmendi

Berisha: Serbia po kthehet pas 18 viteve, me tren

0

Deputeti i Nisma-s për Kosovën, Zafir Berisha e ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe kryeministrin, Isa Mustafa, duke thënë se atë që është fituar me luftë po e humbin në paqe.

”Serbia e cila me 1999 iku nga Kosova e mundur nga lufta e UÇK-së dhe NATO-s, po kthehet pas 18 viteve me tren. Turp H.TH e I.M, duke shkelur mbi gjakun e derdhur për Kosovë po e rrezikoni atë që është fituar me luftë dhe po e humbeni në paqe”, ka shkruar ai në Facebook.