14 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6074

Gjetja arkeologjike në Sheshin e Lidhjes pa masa mbrojtëse kundër ngricave

0

Gjetja arkeologjike në Sheshin e Lidhjes në Prizren edhe gjatë këtij dimri ka mbetur pa masa mbrojtëse kundër ngricave. Kjo gjetje, ka mbetur e hapur prej vitit 2015, duke iu nënshtruar kushteve të jashtme, ndërkohë që ditëve të fundit është mbuluar nga bora dhe moti i ftohtë përkatësisht ngricat.

Instituti Arkeologjik i Kosovës gjatë vitit 2016 ka vazhduar gërmimet me karakter shpëtimi në Sheshin e Lidhjes dhe ka konstatuar se bëhet fjalë për një mbetje arkitektonike të periudhës klasike romake, përkatësisht të shekullit II-III. Njëkohësisht ka paralajmëruar mbulimin provizor të monumentit për ta mbrojtur gjatë stinës së dimrit.

Bazuar në vëzhgimin në terren, në këtë hapësirë nuk është vërejtur zbatimi i ndonjë mase mbrojtëse kundër borës e ngricave.

EC Ma Ndryshe përkujton se edhe një vit më parë pat reaguar, duke kërkuar aplikimin e masave mbrojtëse në këtë lokalitet arkeologjik, i cili qe zbuluar në fund të vitit 2014, gjatë punimeve infrastrukturore në Sheshin e Lidhjes. Vitin e kaluar si pasojë e motit të ftohtë pat ardhur deri te shpërthimi i gypave të ujit që kalojnë nëpër këtë hapësirë, duke mbuluar kështu me ujë pjesë të caktuara të lokalitetit.

Prandaj, EC sërish i bën thirrje institucioneve përgjegjëse që këtë vlerë të trashëgimisë kulturore ta trajtojnë me seriozitet, të ndërmarrin veprime adekuate për mbrojtje gjatë të ftohtit, dhe në kohën më të shkurtër të fillojë trajtimi profesional i lokalitetit konform legjislacionit dhe praktikave të mira për mbrojtjen e trashëgimisë arkeologjike, në mënyrë që ai të vihet në shërbim të publikut dhe vizitorëve të Prizrenit.

Mafio-politika shuan shpresën për drejtësi

0

Sistemi i drejtësisë në përgjithësi thuajse tanimë është “dorëzuar” krejtësisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar. Kështu të paktën kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë veçuar se një drejtësi e tillë, veç të tjerash, po e rrënon edhe ardhmërinë e vendit dhe duke hedhur përtokë imazhin e tij si dhe nuk po e lë Kosovën që të ecë para në asnjë aspekt, pa zhvillim ekonomik dhe pa mirëqenie për qytetarët.

Ndaj, është shtuar edhe dilema se a janë njerëzit e politikës dhe mafiooligarkisë ata të cilët e ‘bëjnë’ ligjin, e shkelin atë pa pasur kush t’u dalë para, por edhe shpeshherë qëndrojnë mbi ligjin, ngase kemi një sistem të drejtësisë të ‘kalbur’, që nuk ofron asnjë shpresë e perspektivë për vendin dhe qytetarët e tij ? Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se mungesa e shtetit ligjor është pasojë e sundimit të krimit të organizuar dhe mafisë politike jo vetëm në drejtësi, por edhe në të gjitha sferat e tjera të jetës në Kosovë.

” Një sistem i korruptuar i drejtësisë shuan çdo perspektivë në Kosovë, sepse ai përfshin institucionet e shtetit, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike dhe çdo sferë tjetër të jetës, derisa sistemi i drejtësisë, mafio- politika, krimi i organizuar dhe oligarkët janë të lidhur ngushtë dhe e pamundësojnë perspektivën e jetesës në Kosovë”, ka potencuar deputeti Adem Salihaj.

Drejtësia e ndikuar

Analisti Naim Kelmendi shprehet se kjo gjendje e gjyqësorit, por edhe përgjithësisht e sistemit të drejtësisë është për t’u rishikuar se ku duhet shëruar ‘sëmundjen’ e tij, dhe kjo, sipas tij, duke u reformuar me njerëz e kuadro të afta e të përgjegjshme dhe me integritet moral e profesional, duke hequr kësisoj, siç tha Kelmendi, nga këto institucione ata gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë inkuadruar që një kohë të gjatë nëpër sektorë të ndryshëm të sistemit të drejtësisë, derisa e kaluara e tyre, përveçse është e dyshimtë, ata nuk kanë bërë thuajse asgjë në drejtim të avancimit dhe të zhvillimit të drejtësisë, ngase, veç të tjerash, kanë dështuar edhe në zgjidhjen e shumë lëndëve që po ‘flenë’ në sirtarë tash e një kohë të gjatë. Por, sipas tij, njerëzit e tillë po ashtu nuk i japin askujt llogaridhënie për mospërgjegjësitë e tyre dhe për mospunën e tyre, duke e sjellë për rrjedhojë gjendjen thuaja kolapsike të mosgjykimit të lëndëve. Nisur nga kjo, Kelmendi nënvizon se thuajse tanimë sikurse sistemi i drejtësisë përgjithësisht është “dorëzuar” krejtë- sisht përballë politikës dhe pushtetarëve interferues e kërcënues, të cilët po riciklohen për të mbajtur drejtësinë të dominuar nga interesat e tyre të inkriminuar.

” Pra, mjerisht gjendja e tillë lë shumë për të dëshiruar në funksionimin, efikasitetin dhe zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, derisa në anën tjetër ky është edhe treguesi më i mirë se sa larg standardit evropian është drejtësia jonë”, tha ai

Suharekë: Kanoset infermieri

0

Në komunën e Suharekës është arrestuar mashkulli shqiptar, pasi i njëjti kishte kanosur një person gjatë orarit të tij të punës.

Sipas raportit të policisë tashmë i arrestuari, kishte dërguar për trajtim mjekësor një familjar dhe ka këmbëngulur që punëtori medicional ta kontrollojë atë.

Njësitet policore në Suharekë, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kontrolluar të dyshuarin dhe veturën e tij, por nuk kanë gjetur asgjë të dyshuar.

Prizren: Punimi i saçeve mbetet zeje jo shumë e leverdishme

0

Prizreni është njëri ndër qytetet më të vjetra të Evropës Juglindore e më gjerë. Të dhënat arkeologjike dëshmojnë për ekzistencën e hershme të jetës njerëzore në këto vise. Nënshtruar lëvizjeve të mëdha shoqërore gjatë periudhave të ndryshme kohore kanë mbetur edhe gjurmë të shumta, që dëshmojnë për baticat e zbaticat e zhvillimit ekonomik, social e kulturor. Profesori Sylejman Randobrava shprehet se shënimet historike flasin se lulëzimin më të madh të zhvillimit Prizreni e kishte gjatë shek. XIV dhe XIX, ku njihej si qendër e fortë tregtare. “Prodhimi i saçeve thuhet se ka ardhur që nga periudha e sundimit osmane, atëherë ka ardhur edhe pjekjes me saç, por që atëbotë kanë shërbyer për të pjekur vetëm për pite”, tregon Sylejman Randobrava, njohës i traditës. Ai tregon se ato janë punuar kryesish nga farkëtarët. Rexhep Çukiqi tregon se farkëtarët i kanë punuar saçet, për një kohë, por kohëve të fundit shihet se nuk ndonjë llogari në këtë drejtim.”Është i lehtë për t’u punuar, por përfitimi ishte i pakët”, shprehet ai për “Kosova Sot”.

Punimet unike

Profesori Randobrava shprehet se nëse dikur Prizreni ishte i njohur si “shehër” (qytet) për artizanate, tanimë i ngjan një qyteti që po i humb artizanalet e vjetra. “Ato mrekulli të dikurshme që i krijonte dora e njeriut, tani mund të prodhohen ndoshta në Kinën e largët. Dallimi është se prodhimet e tanishme të thuash gati të gjitha janë njëpërdorimshme, kurse ato të zanatlinjve prizrenas me fanatizëm ende ruhen nëpër muzetë e botës apo në shtëpitë tona. Sa herë që shihen duken unikate. Edhe rasti i punimeve të saçeve që shqiptarët i kanë ruajtur si traditë të ardhur ne kohën osmane i kanë përdorë për të pjekur kryesisht bukë dhe veçanërisht specialitetin e Kosovës, flitë”, tregon profesori Randobrava për “Kosova Sot”.

Fitimet e pakta

Farkëtari Rexhep Çukiqi tregon se ka punuar gjatë në zejen e farkëtarit. “Por, fitimi nga këto ishte i dobët, andaj edhe tani punohen, por kërkesat janë zvogëluar shumë dhe kjo nuk konsiderohet zeje”, shprehet ai. Edhe briskaxhinjtë dikur kanë punuar saçe të mira dhe kualitative që u kanë shërbyer pastaj atyre familjeve që kanë pasur shumë anëtarë e shumë mysafirë. Kurse në qytet tanimë kanë mbetur vetëm edhe dy briskaxhinj, të cilët po e kultivojnë këtë zanat të trashëguar nga pesë a gjashtë brezni. Sipas ustait Nuredin Tamniku, kjo zeje është e trashëguar në familje jo më pak se 150 vjet. Ai shpreson se ka arritur që zejen ta kultivojë edhe tek i biri. “Është zeje që po vdes, por tradita e familjes sonë nuk lejon që ajo të zhduket lehtë”, shprehet ai. Tamiku tregon se nuk mban mend që kur këta zejtarë të kenë punuar ‘saxhe’, siç i quante ai saçet.

Saxhe apo saçe

Sabrije Berisha tregon se për herë të parë kur ishte vajzë në fshatin Brestovc patën dalë për herë të parë “saxhet”, ashtu ajo i quante saçet. “Deri atëherë ne bukët i piqnim në çerep, njëfarë tepsie dheu. Por kur dolën saxhet, ato i ruanin që aty t’i piqnin vetëm pitet. Bile ishin pak saxhe dhe ato i lypnin të tjerëve gjithë fshati për t’i pjekur pitet. Ma përpara pa pasur saxhe, pitet i piqnim me dy çerepë, por kur dolën saxhet na dukej më lehtë”, shprehet Berisha. Asaj i dhimbset që ngadalë po zhduket edhe tradita e punimit të saçeve.”Tash ende ato prodhohen por më shumë për kuriozitet sesa për përdorim praktik”, shprehet ajo. Ajo që është trend i ri në rajonin e Prizrenit, është përdorimi i saçeve nga restorantet e zonës për gatime tradicionale por edhe për pjekjen e mishrave të ndryshme në saçe. Sipas zejtarëve prizrenas, në Prizren prodhohen saçe që dërgohen pastaj edhe në qytetet e tjera të Kosovës e më gjerë.

AAK-ja në Prizren fton qytetarët në protestë

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) në Prizren, ka ftuar bashkëqytetarët në protestë për lirimin e liderit të saj, Ramush Haradinaj. Protesta mbahet të mërkurën në “Shatarëvan”, ora 11:55.

“Vetë fakti i reagimit shumë komod dhe përplot neglizhencë i diplomacisë, qeverisë dhe presidencës së Kosovës, të jep të kuptosh se dikujt më shumë i ka ardhur mirë se sa që është shqetësuar për këtë rast jo të mirë për shtetin e Kosovës”,ka thënë kryetari i Degës së AAK-së në Prizren, Lulëzim Kabashi./TVPZ/

Një person gjendet i vdekur në Landovicë të Prizrenit

0

Në rrethana të pa njohura, një person është gjetur pa shenja jete në fshatin Landovicë të Prizrenit.

Policia e Kosovës dyshon se ka qenë person i pa strehë. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes.

Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion. Nuk raportohet për të dyshuar.

Sylë Hoxha bëhet Prokuror Special

0

Pasi nuk arriti të rizgjedhej kryeprokuror në Prizren, Sylë Hoxha është zhvendosur në Prishtinë duke marrë pozitën e prokurorit në Prokurorinë Speciale.

Ish kryeprokurori i Prizrenit Sylë Hoxha, i cili në garën e fundit për kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Prizren u mund nga prokurori special Admir Shala, sot konfirmoi për KALLXO.com se është transferuar në Prokurorinë Speciale në Prishtinë.

“Nesër do të fillojë punën në Prokurorinë Speciale” tha Hoxha.

Sylë Hoxha ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren për një mandat të plotë katërvjeçar. Brenda kësaj kohe ai ka qenë edhe ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit deri në zgjedhjen e Aleksandër Lumezit në këtë pozitë.

Gjatë muajve të fundit, Hoxha ka qenë i përfshirë në polemika me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje pas vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar.

Zhduket një vajzë në Prizren

0

Një vajzë e re është zhdukur në Prizren. Rasti është lajmëruar nga familjarët e saj.

“Ankuesi ka raportuar se, për arsye të pa njohura vajza e tij, ka dalë nga shtëpia që nga data cekur dhe nuk është kthyer më. Njësitet policore janë duke hetuar rastin”, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com/

Opozitarët akuzojnë Komunën e Prizrenit për kushtet e rënda të zjarrfikësve

0

Shërbimi Zjarrfikës dhe i Shpëtimit në Komunën e Prizrenit vazhdon veprimtarinë me burime të kufizuara njerëzore dhe teknike.

Një gjë e tillë ka bërë që qytetarët, në raste të caktuara të intervenimit, të adresojnë kritika sa i përket efikasitetit të kësaj brigade, shkruan sot “Koha Ditore”.

Zyrtarët komunalë pranojnë se në këtë shërbim ka sfida të shumta, ku si çështje kryesore veçojnë numrin e pamjaftueshëm të zjarrfikësve dhe pajisjet e automjetet e vjetruara. Por këshilltarë të Kuvendit të Komunës nga radhët e subjekteve opozitare theksojnë se përgjegjësinë për këtë situatë të rënduar nuk mund ta mbajë ky shërbim, por Komuna e Prizrenit që nuk është angazhuar mjaftueshëm që me nivelin qendror të ofrojë kushte të duhura për punën e zjarrfikësve.

Anëtari i KK-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në disa raste gjatë seancave plenare të organit më të lartë vendimmarrës lokal ka ngritur shqetësimin rreth kapaciteteve të kufizuara të zjarrfikësve.

Trekëndëshi që i rrjep qytetarët

0

Trekëndëshi – avokatë, prokurorë dhe gjykatës, i cili do të duhej të ishte njëra nga shtyllat më të forta të shtetit të ri të Kosovës në luftimin e të këqijave dhe vendosjen në mënyrë meritore të drejtësisë për të gjithë qytetarët e vendit njësoj, për fat të keq që nga paslufta e deri më sot ka vazhduar të çalojë, duke mos qenë në nivel asnjëra nga këto tri hallka me rëndësi për secilin shtet. Të paktën, kështu vlerësojnë analistët dhe njohësit e kësaj fushe. Analisti dhe njohësi i fushës së drejtësisë në vend, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se të tre mekanizmat, sikurse është prokuroria, gjykatat dhe avokatia në Kosovë janë instrumente, të cilat në një mënyrë apo tjetrën gjenden në duart e shtetit dhe veprojnë mbi bazat, të cilat i ka pushteti shtetëror, derisa, sipas tij, edhe keqpërdorimet e pozitave të tilla janë të mundshme, pikërisht nga fakti se te mekanizmat në fjalë përfshirë edhe policinë ndërlidhen njëra me tjetrën dhe i ndihmojnë njëra-tjetrës.

“Dyshohet se ka raste kur një gjykatës, një prokuror apo një polic ose hetues i drejtohet klientit të vet, duke i thënë se është mirë të shkosh ta marrësh këtë apo atë avokat, pasi ka lidhje me të dhe nëpërmes këtyre pastaj është ajo përqindja që ndahet midis strukturave të tilla të institucioneve, gjë që e dokumenton se kemi të bëjmë kryesisht me instrumente, të cilat nuk janë të lira, po ashtu nuk janë të pavarura, por janë me njerëz, të cilët duhet domosdo të mënjanohen nga skenat e tilla”, theksoi Kelmendi.

Forca e parasë dhe rrjeteve klienteliste

Sipas Kelmendit, kjo dukuri negative mund të shmanget nëpërmes Ligjit mbi spastrimin e figurave të tilla, por, sipas tij, nuk mund të bëjmë spastrimin në polici, pastaj në kuadër të avokatisë, të prokurorisë dhe Gjyqësorit. Ai thotë se këto instrumente dhe këta mekanizma varen nga politika, e që kjo e fundit nëpërmes formave të ndryshme ndikojnë tek ta dhe pastaj kemi çrregullime të tilla ligjore, ku nuk sundon ligji, por sundon fuqia, sundon klientelizmi, oligarkia dhe sundon paraja, ku ai që ka para natyrisht e blen “drejtësinë”.

“Drejtësia nuk blihet, por zgjidhet në dhe mbi baza të ligjit çfarë është e mirë dhe çfarë e dëmshme”, është shprehur profesori Muhamet Kelmendi. Analisti dhe profesori universitar, Mazllum Baraliu, thotë se në shoqëritë tranzicionale dhe post-konfliktuoze të pasluftërave, siç është edhe shteti ynë, është e natyrshme në një mënyrë dhe në një masë që të mos këtë konsolidim të rrjetave të këtyre trendeve demokratike dhe trendeve të mirëfillta të konsolidimit të institucioneve, veçanërisht atyre të drejtësisë dhe gjyqësisë dhe për rrjedhojë, siç tha, të ketë edhe moskonsekuencë, po ashtu të ketë abuzime dhe të ketë korrupsion e papërgjegjësi, ashtu siç po ndodh në shtetin tonë fatkeqësisht.

“Pra, pikërisht ato hallka të ndërlidhura institucionale të lartcekura, trekëndëshi i mësipërm pa dyshim që percepcioni i përgjithshëm pothuajse i opinionit publik dhe i sondazheve të caktuara që mund të jenë bërë në ndërkohë e që janë bërë tregojnë se në raste dhe segmente të caktuara ka edhe ndërlidhje të bashkëpunimit, me qëllim abuzimi në dëm të qytetarit, në dëm të realizimit të të drejtave të qytetarëve në institucionet gjyqë- sore dhe të drejtësisë në mes të shërbimit të avokatisë, natyrisht edhe këtyre hallkave të tjera të gjyqësisë e prokurorisë”, ka theksuar ai/kosova sot/