11.2 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6080

Ramadan Muja, formon komision për situatën e krijuar nga bora

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka formuar Komisionin për mbarëvajtjen e situatës të shkaktuar nga reshjet e borës. Anëtarë të këtij komisioni janë : Sulltan Badallaj, drejtor i DSHP-së- kryesues, Bedria Ejupagiç, drejtor i DES,Bajram Berisha, zyrtar në DSHP, Galip Belallari, zyrtar në DSHP,Idaim Kryeziu, zyrtar në DES, dhe Fail Hoxhaj, Kordinator, DI-së.

“Detyrat e Komisioni nga pika 1 i këtij Aktvendimi janë: të bëjë vlerësimin dhe mbarëvajtjen e situatës të shkaktuar nga reshjet e fundit të dëborës, Inspektimin e situatës dhe nevojave të emergjencës. Detyrat tjera të komisionit janë paraparë edhe në dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera, nr. 04/L-027, dhe të ligjeve dhe akteve të tjera në fuqi”, thuhet në vendimin e Mujës.
“Komisioni për çdo situatë dhe vlerësim të gjendjes në teren të shkaktuar nga dëbora dhe fatkeqësitë tjera natyrore, do të mbajë të informuar Kryetarin për gjendjen e sigurisë të qytetit dhe qytetarëve, komisioni do ti raportoj me shkrim kryetarit të Komunës”.

“Autorizohet komisioni, i përshkruar si në pikën 1 të këtij aktvendimi, që në bashkëpunim me kompanitë publike si dhe Institucionet tjera përkatëse si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qëndror, të koordinohen dhe ti ndërmarrin të gjitha veprimet për t’u dalë në ndihmë qytetarëve në situatën e rënduar të shkaktuar nga reshjet e fundit të dëborës”./PrizrenPress.com/

Në Prizren sekuestrohen dy armë

0

Gjatë ditës së djeshme, hetues policorë kanë sekuestruar dy armë të zjarrit në dy lokacione: njëra në rrugën “Bazhdar hane” dhe tjetra në rrugën “Xhevat Berisha”.

Në “Bazhdar Hane” është sekuestruar një pushkë gjahu e prodhimit rus me 110 fishekë pas dyshimeve se i dyshuari gjatë natës së Vitit të Ri kishte krehur dy fishekë në ajër, njofton Policia e Kosovës.

Në rastin e dytë ka ndodhur një kanosje me ç’ rast i biri e kishte kanosur babën e tij. Gjatë mbledhjes së informatave për personin e dyshuar, policia ka arritur të sigurojë një informacion të besueshëm i cili bënte me dije se i njëjti posedonte një pushkë automatike.

Gjatë intervistës i dyshuari i ka treguar policisë për armën e cila më pas është sekuestruar me 13 fishekë. Të dyshuarit, në të dy rastet, janë liruar sipas procedurës së rregullt. Provat materiale dhe shkresat e lëndëve i kalojnë prokurorisë për procedura të mëtejme.

127 aksidente brenda ditës

0

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Kosovës kanë ndodhur 127 aksidente trafiku, prej të cilave 27 kanë përfunduar me persona të lënduar dhe 100 me dëme materiale.

Numri i madh i aksidenteve ka ardhur si pasojë e borës dhe ngricave të mëdha në rrugë.

Aksidentet kanë ndodhur në të gjitha komunat e vendit ndërsa policia rrugore ndaj pjesëmarrësve që kanë thyer rregullat e trafikut ka shqiptuar 376 gjoba kundërvajtëse.

Bashkim Shehu: Enver Hoxha personazh interesant

0

Alda Bardhyli

Bashkim Shehu nisi ta shkruante romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, në ditët e para të korrikut 2013. Kishte rreth një vit që nuk shkruante, kur në mëndje i orvatet idea e një romani. Nuk mund ta planifikosh asnjëherë kohën e shkrimit. Çdo libër ka jetën e tij, jo vetëm të kohës që rri me lexuesin, por dhe të kohës mbi tryezën e punës së shkrimtarit. Dhe fjalinë e fundit të këtij romani, Bashkim Shehu do ta hidhte në vitin 2014-të. E shkruara vjen në këtë libër në një përballje me të tashmen.

I shkruar në formë fjalori, lexuesit i paraqitet një galeri personazhesh e situatash: një ish-punonjës i çmendur i Arkivit sekret, një gazetar investigativ, një sozi i Enver Hoxhës dhe Pasardhësi i Enver Hoxhës, një projekti për ndërtimin e Bllokut të nëndheshëm, një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri…Të gjitha këto, ndërthurur me motive mitologjike nga më të ndryshmet, lidhen me njëra-tjetrën si shtigjet e një labirinti, në qendrën e të cilit është misteri i dosjeve, shprehje të marrëzisë së kontrollit totalitar. Më poshtë Shehu vjen në një bisedë mbi shkrimin e këtij libri…

“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, duket që e shkuara vijon të grishë letërsinë tuaj. E kujtoni kohën kur nisët ta shkruanit këtë roman?

Po. E kam filluar në ditët e para të korrikut 2013. Kisha pothuajse një vit që nuk shkruaja dhe papritur fillova të ndjeja një si boshllëk dhe nuk vonoi të më vinte ideja e këtij romani.

Si ndodh me ju procesi i shkrimit të një romani. Ju e vendosni që në fillim kohën kur duhet të përfundojë shkrimi? Ka rregulla që janë tuajat?

Përvoja e të shkruarit më ka mësuar tashmë se nuk mund ta planifikoj kohën e përfundimit të një romani.

Me këtë roman si ndodhi…Kur e shkruat fjalinë e fundit?

Në nëntor 2014. Po data e saktë nuk më kujtohet. Kisha menduar se do ta mbaroja goxha më shpejt, mirëpo, sa më shumë zhytesha në të, aq më kompleks bëhej. Dhe çuditërisht, ose ndoshta aspak çuditërisht, aq më shumë kënaqësi më jepte. Dhe ndoshta kjo kënaqësi më ka bërë që ta ngadalësoja ecurinë e punës në mënyrë të pavetëdijshme.

Duket sikur që në titull paralajmëroni atë çfarë ky roman trajton, të shkuarën… Si vjen tek ju një titull?

Së pari, një saktësim: titulli nuk paralajmëron vetëm të shkuarën, po edhe të tashmen, apo më saktë periudhën post-komuniste, së paku kështu më duket mua dhe këtë kam dashur. Ndërsa mënyra se si vjen një titull, domethënë mënyrat se si vjen, sepse janë të shumëllojshme, nuk jam në gjendje t’i shpjegoj. Gjetja e titullit është nga ato gjëra që shkrimtari di t’i bëjë, por nuk di t’i shpjegojë. Nga ana tjetër, tek unë titulli është një nga elementet kyç, një nga elementet që e orientojnë të shkruarit. Zakonisht, e gjej në fillim titullin, sikurse për këtë roman, ose aty nga fillimi, sikurse me disa libra të tjerë. Për sa kohë nuk e gjej, nuk jam i qetë.

Keni zgjedhur të përballeni me ish diktatorin si personazh në këtë libër. Një përballje jo e lehtë. Ju e keni kthyer atë në një personazh… Cili është raporti juaj me Enver Hoxhën personazh?

Është po ai raport që kam me çdo personazh tjetër, ose më mirë me çdo personazh tjetër interesant. Në lidhje me trajtimin e këtij personazhi konkretisht, mendoj se më ndihmon edhe humori.

Pothuajse pjesa më e madhe e librave tuaja kanë në qendër histori nga komunizmit… Ka ende histori midis teje dhe të shkuarës që do ti hedhësh në libër?

Nuk e di, sepse nuk janë histori të gatshme dhe nuk mund ta parashikoj se çfarë mund të më sjellë imagjinata. Ndërkaq, libri që jam duke shkruar nuk e ka në fokus atë periudhë.

Kundera e quan letërsinë thjesht imagjinatë, megjithatë realiteti, përvojat jetësore duket se janë të qenësishme për shkrimin. Cila nga këto dy gjendje është më e fortë tek ju?

Janë e njëjta gjë. Në letërsi, realiteti bëhet imagjinatë dhe anasjelltas. Të vetmet gjëra të paprekshme për imagjinatën janë disa të vërteta historike themelore, që janë të pakta, por që përbëjnë themelin apo armaturën e njohjes poetike të asaj që mund të quajmë “realitet”.

Historia juaj personale në raport me komunizmin, babai juaj, a janë një arsye që ju vijoni të shkruani për komunizmin?

Ka arsye të tilla, sigurisht, dhe nuk mendoj se kryesorja qëndron te babai. Qëndron ku e ku më tepër te krejt njohja e përjetuar e atij realiteti dhe te natyra e atij realiteti, një natyrë që e bën shumë të përshtatshëm për letërsinë, sidomos për letërsinë që synon të rrokë dimensionet absurde të jetës dhe që synon gjithashtu ato kufij ku realiteti takohet me imagjinatën, apo edhe me marrëzinë. Burimi i lëndës së parë të artit të romanit është kujtesa, nuk e kam fjalë te kujtime ngjarjesh të caktuara, po te një botë apo një atmosferë e depozituar në kujtesë dhe ku imagjinata ndihet në habitatin e saj, funksionon natyrshëm në të, kështu që dalëngadalë dhe vetvetiu e rikthen të tranformuar sipas trilleve të saj të pashpjegueshme. Dhe pjesën më të madhe të jetës kur tek unë është përftuar kujtesa si botë, kujtesa e objektivuar, e vështrueshme së jashtmi prej meje për shkak të largësisë kohore, është ajo e së kaluarës komuniste të Shqipërisë. Prandaj, është e natyrshme që kjo të shfaqet në një pjesë të mirë të librave të mi, po sigurisht në një pjesë të konsiderueshme të tyre bëhet fjalë për të tjera gjëra.

Cili është ndikimi i babait tuaj në letërsinë tënde?

Më duket se po më ngatërroni me Ben Blushin: ai e ka babanë shkrimar, jo unë.

Ju jeni angazhuar jo vetëm si shkrimtar por dhe si kurator për projektin muzeor të ish sigurimit. Më lejoni tju bëj një pyetje që shkrimtari Bernardo Atxaga juaj bën ju në librin më të ri me letërkëmbime që ju keni botuar bashkë: a jeni shumë ju që interesoheni për kujtesën?

Kësaj pyetjeje më duket se i jam përgjigjur në mënyrë të plotë në letrën që më kërkuat për botim. Në plotësim të saj, do të shtoja se ekipi i projektit ka bashkëpunuar me organizata të shoqërisë civile, sikurse Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, Qendra Shqiptare e Rehabilitimit për Viktimat e Torturës dhe të Traumave, Projekti Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, se dhe është mbështetur edhe në sugjerime të kryetarit të Shoqatës së ish-të Përndjekurve, zotit Bilal Kola. Ndërkaq, kurator i projektit nuk jam më, e kam lënë atë detyrë. Dhe, natyrisht, po pati ndryshime të rëndësishme në skenarin që tashmë kam shkruar për këtë muze, nuk duhet kurrsesi të paraqitet si skenari im. Gjithashtu, me që ngulmuat në faktin se një pjesë e mirë e librave të mi bëjnë fjalë për të kaluarën komuniste të Shqipërisë, mund të them se gjatë kohës që kam punuar për projektin e muzeut, duke pasur më shumë kontakt me Shqipërinë, kam parë dhe kuptuar që kjo e kaluar vazhdon të rëndojë mbi të sotmen më tepër nga sa e mendoja.

Malishevë, rrugët e hapura por me ngrica

0

Komuna e Malishevës njoftoi se të gjitha rrugët kryesore që lidhin fshatrat me qendrën komunale, janë të hapura, por ka vështirësi në qarkullim për shkak të ngricave dhe për shkak të erërave të forta, të cilat kanë bartë borën në rrugë.

Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka bërë të ditur se është punuar intensivisht në largimin e borës nga rrugët, por reshjet e vazhdueshme, kanë krijuar vështirësi në qarkullim.

“Në mëngjesin e sotshëm jam në Pagarushë (fshat i thellë malor), dhe rruga kryesore është e hapur, sikur edhe në fshatrat tjerë, ndërsa gjatë natës së mbrëmshme, bashkë me kryetarin Begaj, kemi qëndruar në Berishë, ku gjithashtu rruga është e hapur dhe është punuar edhe gjatë natës në hapjen rrugëve, me gjithë vështirësitë që po sjellin temperaturat e ulëta”, ka bërë të ditur Morina.

Sipas njoftimit, asnjë rrugë nuk ka qenë e mbyllur dhe asnjë fshat nuk është i izoluar, por vështirësitë janë normale, për shkak të reshjeve të vazhdueshme dhe temperaturave të ulëta.

“Gjatë ditës së djeshme, me kërkesë të një qytetari, është dërguar një autoambulancë në fshatin Gollubovc, ku është bartë një pacientë për trajtim mjekësor, ndërsa edhe shërbimi i bartjes së pacientëve në dializë është kryer pas asnjë problem, sikur edhe sot që është duke u kryer ky shërbim pa asnjë problem, ndërsa pacientët janë nga vendbanime të ndryshme të komunës”, thuhet në njoftim.

Vdes aktori i famshëm indian

0

Aktori veteran indian, Om Puri, ka ndërrue jetë në moshën 66 vjeçare, njoftoi nji pjesëtar i familjes së tij.

Puri ka pësue atak në zemër në rezidencën e tij në Munmbai, të Premten (sot) herët në mëngjes.

Ortekë të shpeshtë në Brezovicë

0

Qemajl Jonuzi, udhëheqës i divizionit për mirëmbajtje, ka deklaruar për koha.net se kjo nuk duhet të përbëjë shqetësim për qytetarët, por ata duhet të kenë kujdes dhe të dinë se në atë rrugë nuk mund të kalohet.

“Ka shumë ortekë dhe sonte nuk mund të hapet rruga, për shkak të shpeshtësisë së ortekëve. I kemi rekomanduar edhe më herët qytetarët, që të mos nisen drejt Brezovicës”, ka thënë ai duke shtuar se qytetarët që janë atje kanë disa opsione rrugësh për të dalë nga Brezovica.

Jonuzi ka bërë të ditur se qarkullimi do të lehtësohet nesër.

25 mijë padi në kosh, drejtësia e dorëzuar para krimeve të Serbisë

0

Derisa nëpër gjykatat e Republikës së Kosovës, në të gjitha nivelet e tyre, po vazhdojnë të hidhen poshtë si të palejuara denoncimet individuale të qytetarëve dhe të bizneseve të ndryshme për krimet dhe dëmet që ka shkaktuar shteti serb në Kosovë në periudhën e luftës, Ministria e Drejtësisë dhe Gjykatat nuk po japin arsye bindëse, sipas së cilave do të shpjegohej kjo mënyrë e veprimit dhe e mosgjykimit të këtyre rasteve. Shifrat sillen diku në rreth 25 000 padi të qytetarëve dhe bizneseve kundër shtetit të Serbisë, që janë adresuar për gjykim dhe kompensimin e dëmeve të luftës. Në pyetjen e gazetës drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, përgjigjja ka qenë refuzuese, duke udhëzuar gazetën që një përgjigje e tillë të kërkohet nga gjyqësori i Kosovës.

“Duke të falënderuar për bashkëpunimin me Ministrinë e Drejtësisë, të njoftojmë se këto pyetje duhet t’ia drejtoni Këshillit Gjyqësor të Kosovës ose gjykatave që i kanë marrë vendimet përkatëse”, ka qenë përgjigjja e Zyrës për komunikim me medie nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës. Gazeta u është drejtuar me pyetjet përkatëse edhe të gjitha instancave të drejtësisë në Kosovë, duke filluar nga Gjykata Themelore e Prishtinës, që ka një numër të madh lëndësh të tilla, KGJK-së, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës.

Mungesë totale e transparencës

Përgjigje pa materie të plotë sqaruese i është dhënë gazetës nga Gjykata Themelore e Prishtinës dhe nga ajo e Apelit.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar edhe më herët, ju kemi njoftuar se Gjykata nuk mund të prezantojë të dhëna të sakta se sa është numri i rasteve të padive të qytetarëve që kanë dorëzuar padi në gjykatë për kompensime të dëmeve të luftës, sepse evidenca e padive mbahet sipas bazave të padisë, e jo arsyeve përse ushtrohet një padi. Është në kompetencë dhe detyrim të Gjykatës që të konstatojë se a është apo jo një padi e lejuar dhe të merret vendimi përkatës. Nëse Gjykata konsideron një padi si të palejuar, atëherë palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Se cila është baza ligjore për konsiderimin e padisë si të palejuar e gjeni të shkruar në aktvendimin e Gjykatës, me të cilin padia është konsideruar si e palejuar “, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Një përgjigje i është dhënë gazetës nga Gjykata e Apelit, e cila ka dërguar një vendim të kësaj gjykate lidhur me një prej këtyre rasteve të refuzuara, sipas të cilit thuhet se në rastin konkret kemi të bëjmë me shtet të huaj, gjegjësisht me Qeverinë e Republikës së Serbisë, e cila ka imunitet dhe ndaj saj nuk mund të zhvillohet procedura gjyqësore në gjykatat e Republikës së Kosovës, për kontestet e kësaj natyre.”Sipas të drejtës ndërkombëtare, shteti i huaj në rastet e ushtrimit të funksioneve publike, si bartës i sovranitetit të pushtetit publik, gëzon imunitet dhe është i përjashtuar nga juridiksioni i gjykatave të shtetit tonë. Çështja e imunitetit të shtetit ndaj proceseve gjyqësore në gjykatat e shtetit tjetër është e rregulluar edhe me konventa ndërkombëtare”, thuhet aty.

Shteti u shmanget përgjegjësive

Njohësit e fushës së drejtësisë, analistët dhe përfaqësues të subjekteve politike, këtë lloj të administrimit të këtyre padive nga gjykatat vendore e cilësojnë veprim skandaloz, që vjen si pasojë e kapjes së sistemit të drejtësisë nga politika, një politikë qeverisëse në dëm të shtetit, që temën e dëmeve të luftës nuk po insiston ta futë për trajtim as në procesin e filluar të bisedimeve në Bruksel me palën serbe. Profesori i së drejtës, Riza Smaka, konsideron se me këtë veprim Gjyqësori i Kosovës po ik nga përgjegjësia ligjore e kushtetuese që ka para vetes dhe kjo është një padrejtësi e madhe që u bëhet qytetarëve të Kosovës të dëmtuar nga shteti serb. “Ius Rei Sitae është parim juridik ndërkombëtarisht valid, referuar aplikimit të ligjit të vendit në çështjet juridike kontestimore të natyrës civile, administrative e veçanërisht penale! Në rastin konkret, për dëmet materiale e morale më se të ndryshme e të shumta të kryera në vise të ndryshme të Kosovës (por edhe gjithandej) nga militarët e politarët e shtetit serb në dëmin e shqiptarëve të Kosovës ekskluzivisht nga lajtmotive antishqiptare, përkatësisht anticivilizuese , do të duhej që konform me parimin Ius Rei Sitae e në analogji juridike edhe me Ius Soli e Ius Sanguinis, çështjet juridike për rimbursime të dëmeve materiale e morale, konform me nenet 102- 111 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, t’i gjykonin organet e sistemit të drejtësisë së Kosovës”, ka thënë Smaka. Sipas tij, gjykatat vendore të Kosovës deri tani pothuajse apriori dhe për aq padrejtësisht kanë refuzuar dhjetëra-mijëra raste juridike përkitazi me kërkesat për rimbursimet e dëmeve materiale e morale të kryera kundër dhjetëra-mijëra qytetarëve kosovarë nga forcat militare e paramilitare serbe, veçanërisht gjatë viteve 1997-99. “Praktika e tillë juridikisht është e paprecedentë, e padrejtë dhe e paqëndrueshme. Edhe në këtë sferë, ndër të tjera, rezulton se prokuroritë dhe gjykatat e vendit tonë gjithnjë vuajnë nga interferencat e padrejta të strukturave qeveritare dhe për aq dalin të jenë të varura nga ekzekutivi”, deklaroi Smaka

Bora e zë në gjumë Ramadan Mujen, rrugët në Prizren të bllokuara (Foto)

0

Bora që po vazhdon të bie nga mbrëmë ka shkaktuar probleme në qarkullim në komunën e Prizrenit, raporton Gazeta Kosova Sot Online.

Disa banorë në email të Gazetës Kosova Sot kanë darkuar disa foto ku shihet se rrugët në Prizren nuk janë pastruar ku si pasoj e kësaj po ka vështersi në qarkullim, ndërsa në disa vendbanime malore banorët me vetë iniciativë po e largojnë borën

“Bora ka ra pa paralajmërim dhe e ka zënë në gjumë kryetarin Ramadan Muja, pushteti në Prizren edhe këtë herë i pa përgatitur” tha njëri nga banorët.

(Kosova Sot)

 

Image
Image

Gëzofët e xha Alirizës nga Prizreni, dikur ishin në modë

0

Prizreni njihet për shumë zeje të njohura, por njëra ndër to ishte edhe punimi i gëzofëve për dimër. Punimet bëheshin nga lëkura e bagëtive, sidomos atyre të egra, sepse kishin një qëndrueshmëri më të madhe, tregon profesor Syljem Randobrava. Ai shprehet për gazetën “Kosova Sot” se njëra nga rrugët e Tabakahanës së Prizrenit që çonte drejt “Shadërvanit” ka pasur 70 dyqane që punonin gëzofë të bukur nga lëkura e ariut, lepurit, qengjit e kështu me radhë. Sipas tij, ajo rrugë tash ka mbetur si kujtim, sepse në atë rrugë më nuk ekziston asnjë dyqan i tillë. Zeja e gëzoftarit, pra, ishte ndër zejet e para në Prizren.

Sipas Muhamed Shukriut, në vitin 1591, në qytetin e lashtë kanë ekzistuar pesë familje të gëzoftarëve. Këtë zeje nga viti 1934 e këtej e ka kryer familja e Aliriza Shpejtit, e tani i biri tij Fitim Shpejti e ruan këtë zeje me fanatizëm. Baca Aliriza Shpejti, tani 81-vjeçar, tregon se kanë qenë të vetmit në Kosovë që janë marrë me këtë zeje. Ai shpjegon se për vite të tëra ka punuar gëzofë, xhamadanë, xhubleta, këpucë e opinga lëkure. “Unë kam qenë përpunuesi më i mirë e lëkurës. Më duhet të them se leshi i qengjave bashkë me lëkurën e butë si dhe lëkurat si e dhelprës apo ndonjë kafshe tjetër është e shëndetshme për trupin e njeriut. Por, tani ka ardhur kohë e pakohë dhe njerëzit në vend të këtyre lëkurave të shëndetshme, ata përdorin plastikë dhe lëkurë artificiale”, shprehet Shpejti.

Edhe kryetarët e shteteve i vishnin gëzofët e Prizrenit

Shpejti thotë për “Kosova Sot” se në vitin 1947 patën formuar kooperativën e gëzoftarëve të Prizrenit. Shpejti tregon se përpunimi i lëkurës bëhet në formë speciale, kurse ajo që duhet pasur kujdes, sipas tij, është fakti se lëkura e qengjit apo e deles, ose e ndonjë kafshe tjerët lihet 15 ditë me krunde e miell misri dhe pastaj me një brisk prehet sipas trupit dhe qepet me një gjilpërë trekëndëshe.

“Janë të mira lëkurat e qengjit, viçit, ogiçit, ujkut, ariut, kaprollit, edhit të butë apo të egër, maces së egër, lepurit a ndonjë tjetër”, shpjegon ai. Shpejti thotë se plastika e goma janë shkaktarët kryesorë të dëmtimit të shëndetit të rinjve. “Jemi të vetëdijshëm se tash nuk paguan kush mbi 100 euro për një palë këpucë, por ato këpucë kurrë nuk e dëmtojnë këmbën. Me ato këpucë mund të ecësh me kilometra e mos të lodhesh, Derisa këto këpucët e gomës e të plastikës janë shumë të dëmshme”, shprehet ai. Shton se meqë është i vetmi në Kosovë që merret me këtë zanat i duhet një përkrahje institucionale. Edhe Ilir Hodaj, zejtar, tani këpucë- tar, rrjedh nga një familje e gëzoftarëve. Ai tregon se ka dëgjuar nga të moshuarit se dikur gëzofët e Prizrenit ishin të njohur në gjithë botën dhe dinastitë e asaj kohe. Ai tregon se kishte dëgjuar se gëzofët e Prizrenit kanë veshur bile edhe kryetarë të shteteve, sepse ishin të kualitetit të lartë dhe të punuar me shije të veçantë.

“Vishni më shumë rroba lëkure”

Ustai Aliriza Shpejti tregon se tashmë këtë zeje po e trashëgon i biri i tij, Fitimi. Kjo zeje tani është zhdukur, pos kjo familje po e ruan këtë zanat me fanatizëm. “Do të mundohemi ta ruajmë edhe më tej, por kërkohet që Komuna e Prizrenit të bëjë më shumë për ta ruajtur këtë zeje, të vetmen në Kosovë”, është shprehur Fitim Shpejti. Kurse Aliriza Shpejti ka një porosi për të rinjtë që të orientohen kah zeja e gëzoftarit dhe të veshin më shumë rroba lëkure, e të përdorin më shumë leshin e deles, sepse është më i shëndetshëm.

” Të shpresojmë se ky informacion dhe ky realitet do të reflektojë tek udhëheqja e Komunës së Prizrenit, që në të ardhmen të mendojnë e të bëjnë investime më shumë në zejet e kësaj natyre”. Shpejti shprehet se nga kjo zeje vështirë sot mbijetohet, porse shton se është mëkat të zhduket tërësisht. “Vdekja e kësaj zeje besoni se do ta dëmtojë shëndetin e përgjithshëm”, është shprehur ai.

(Kosova Sot)