9.9 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6081

Vermicë: Kapet me 10 kg drogë, tenton t’u japë mito policëve

0

Afër pikës kufitare në Vermicë patrulla policore ka ndaluar shtetasin B.M., të cilit i janë gjetur 10 kg substancë narkotike të llojit marihuanë. I njëjti ka tentuar që policëve t’u japë mito 100 euro.

Policia Kufitare e Kosovës në afërsi të pikës kufitare të Vërmicës mbrëmë rreth mesnatës gjatë patrullimit ka vërejtur një person të dyshuar afër rrethojës së autostradës dhe në afërsi një veturë të ndaluar me targa gjermane.

Sipas një komunikate të Policisë, patrulla policore gjatë kontrollit të personit, të veturës dhe hapësirës përreth gjen një çantë me 20 qese substancë narkotike që dyshohet të jetë e llojit marihuanë.

Pastaj, patrulla kufitare njofton Njësinë e Antidrogës të DRP Prizren, e cila vazhdon me procedura të rastit.

Sasia e substancës narkotike e gjetur është: 10.068 kg.

Gjatë marrjes në pyetje, i dyshuari tenton t’u ofrojë 100 euro mito zyrtarëve policorë.

Policia njofton prokurorin kujdestar të Prokurorisë së Prizrenit për rastin e gjetjes së substancës narkotike dhe për ofrimin e mitos dhe me urdhër të tij i dyshuari B.M., lindur më 1987, shtetas i Kosovës, dërgohet në ndalim policor për 48 orë.

Po ashtu, policia sekuestron si provë materiale: substancën narkotike (10 kg e 068 g.), veturën e të dyshuarit dhe dy kartëmonedha nga 50 euro.

Rahoveci intervenon me kohë për pastrimin e rrugëve nga bora

0

Reshjet e borës të cilat kanë filluar gjatë ditës së mërkurë dhe që janë duke vazhduar edhe gjatë ditës së sotme nuk kanë paraqitur probleme të mëdha për qarkullim nëpër të gjitha rrugët e Komunës së Rahovecit.

Muhamet Behra, drejtor i Drejtorisë së Shërbimeve Publike shprehet se nga informacionet të cilat i ka nga tereni, të gjitha rrugët në Rahovec janë të kalueshme, dhe kompania e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror është në teren me gjithë makinerinë të cilën e posedon dhe në vazhdimësi është duke e bërë pastrimin e borës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Behra apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.

Policia apelon për kujdes në komunikacion

0

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor të shtojnë vigjilencën e tyre dhe t’u përmbahen rregullave në trafik gjatë qarkullimit të tyre nëpër rrugë pas situatës së krijuar nga të reshurat e borës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Duke iu referuar informacioneve zyrtare të pranuara nga të gjitha drejtoritë rajonale policore, përkundër këtyre të reshurave të borës të gjitha rrugët rajonale, magjistrale dhe ato urbane në Kosovë janë të kalueshme edhe pse në disa prej tyre kalimi është më i vështirësuar dhe kryesisht për mjete të rënda të transportit. Rrugët në të cilat janë paraqitur vështirësi për qarkullim janë kryesisht rrugët ku përfshihen zonat malore por edhe disa rrugë dytësore, në fshatra të komunave të ndryshme”, thuhet në komunikatë

Policia thotë se është duke përcjellë në vazhdimësi ndryshimin e kushteve atmosferike dhe gjendjen e sigurisë së qytetarëve, e posaçërisht gjendjen nëpër rrugët e vendit, ndërsa apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor që të jenë të kujdesshëm gjatë qarkullimit në rrugë, t’u përmbahen rregullave të trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe të kenë pajisjet e nevojshme dimërore në pajtim me ligjin mbi trafikun rrugor, në mënyrë që edhe ata të kontribuojnë në reduktimin apo shmangien e aksidenteve në trafik.

Sipas të dhënave zyrtare policore në Republikën e Kosovës, brenda 24 orëve të kaluara kanë ndodhur 15 aksidente trafiku me të lënduar, ndërsa numri i aksidenteve pa lëndime ka shkuar në 45.

Gjatë kësaj periudhe 24 orëshe, Policia ka shqiptuar 977 tiketa trafiku për kundërvajtje të ndryshme dhe në vazhdimësi aty ku vërehen shkelje të rregullave nga pjesëmarrësit në trafik masa të vazhdueshme ligjore do të ndërmerren nga zyrtarët kompetent policorë, me të vetmin qëllim reduktimin e aksidenteve dhe krijimin e një sigurie më të madhe në trafikun rrugor.

Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi shpërfillë Kuvendin e Prizrenit

0

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Prizrenit kanë theksuar se Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi nuk ka raportuar asnjëherë para organit më të lartë vendimmarrës lokal, shkruan sot Koha Ditore.

Për këtë shkak këshilltarët e subjekteve më të votuara kanë pohuar se nuk janë në dijeni nëse KKSB-ja funksionon apo nëse është takuar ndonjëherë. Sipas legjislacionit, kryesuesi i këtij këshilli, që është kryetari i komunës, duhet që dy herë brenda vitit të njoftojë KK-në për aktivitetet e KKSB-së.

Shqetësimin për mosraportimin për aktivitetet e KKSB-së, në seanca të ndryshme plenare të KK-së e kanë ngritur këshilltarët e LDK-së dhe ata të PDK-së. “KKSB-ja asnjëherë s’i ka raportuar Kuvendit për sigurinë në komunë”, ka thënë Haziz Hodaj i LDK-së, për të shtuar më pas se “hajnat po operojnë lirshëm gjithandej Komunës së Prizrenit, ndërkohë që raste të shpeshta ka edhe në trevën e Hasit”,

Malishevë: Rrugët e hapura, por ka telashe në vendbanimet malore

0

Të gjitha rrugët në Komunën e Malishevës, janë të hapura, mirëpo në disa fshatra të thella malore, ka probleme për shkak të ngricave, rënies së vazhdueshme të borës dhe erërave, të cilat vende vende e bartin borën në rrugë.

Nga fillimi i reshjeve rrugët kanë filluar të hapen dhe nuk ka asnjë rrugë të bllokuar.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, sipas të cilit kompania përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë dimrit, është në terren dhe po largon borën nga rrugët, edhe pse ka reshje të vazhdueshme të borës.

Fshatrat e thella kanë më shumë probleme në rrugë, pasi sasia e borës është më e madhe dhe për shkak të specifikave të terrenit, siç janë fshatrat Llapçevë, pastaj Berisha dhe Fshati i Ri.

Këto dy të fundit, kanë më shumë telashe në rrugë, për shkak të ngricave, por rrugët janë të kalueshme.

Sekuestrohen dy armë në Prizren dhe Suharekë

0

Rreth mesdite, hetues të Stacionit Policor “Veriu” në Prizren, gjatë intervistës me një person të dyshuar, kanë kuptuar se i njëjti posedon një armë zjarri të llojit kallashnikov.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit me ç’rast janë marrë pëlqimet nga prokuroria dhe gjykata për bastisje.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren Hazir Berisha njofton se gjatë bastisjes është gjetur arma- pushkë automatike- me gjashtë fishekë në karikator e cila është sekuestruar dhe e njëjta së bashku me shkresat e lëndës do t’i kalojë Prokurorisë për proceduar të më tejme.

Ndërkaq Policia e Suharekës e ka sekuestruar një pistoletë të llojit TT M 57ngase i dyshuari në cilësi të krushkut – pasi po martonte nipin – ka shkrehur nëajër 8 (shekë nga pistoleta në fshatin Bukosh e që krismat i kishte dëgjuaredhe një patrullë policore e cila ka reaguar.

I dyshuari është gjetur në fshatinDobërdelan dhe është pyetur për ngjarjen. I njëjti ia ka dorëzuar një pistoletëpolicisë. Në të dy rastet, të dyshuarit janë lënë të lirë ndërsa kallëzimet penaledo të procedohen sipas procedurës së rregullt.

Sulmohet rëndë një banor i fshatit Nagavc të Rahovecit

0

Dy persona kanë sulmuar fizikisht një banor të fshatit Nagavc të Rahovecit. Policia ka arrestuar njërin prej sulmuesve, ndërkaq i dyti është në arrati.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti së bashku me një person tjetër, i cili gjendet në arrati, kanë sulmuar fizikisht viktimën”, njofton Policia e Kosovës.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i është ofruar trajtim mjekësor, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/

57 vjet nga vdekja e Albert Kamysë

0

Data 4 janar e vitit 2017 shënon 57 vjetorin e vdekjes së filozofit, shkrimtarit e gazetarit Albert Kamy.

Nobelisti Kamy u largua nga kjo botë në moshën 46 vjeçare. Ai ishte nga ata francezë të vendosur prej kohësh në koloninë e dikurshme franceze, në Algjeri.

I sëmurë nga tuberkulozi që në adoleshencë, kjo sëmundje do ta ndiqte Albertin dhe në rininë e tij, duke e penguar më vonë për të pasur një jetë si gjithë të tjerët.

Pasioni i tij ishte gazetaria, ku filloi që në Algjeri, përmes Alger Republicain, Ce Soir e gazeta të tjera, duke vazhduar më pas me gazetën Combat në Francë, e cila do ta bënte një njeri të njohur të Rezistencës franceze.

Që në vitin 1935 ai ishte anëtar i Partisë Komuniste franceze, por në vitin 1937, meqë ai kishte mbrojtur qëndrimet nacionaliste të disa algjerianëve, e cilësuan trockist dhe e përjashtuan nga Partia.

Sigurisht që në kujtesën e adhuruesve të letërsisë ai vjen gjithmonë si autori i kryeveprës me titull “I huaji”.

Në këtë përvjetor të vdekjes së tij ne sjellim në Gazetën Zëri një nga letrat që Kamy i shkruante dikur nënës së tij.

“Ti nuk më kupton, e, megjithatë, je e vetmja, e cila mund të më falë. Janë të shumtë ata, që bërtasin në të gjitha mënyrat e mundshme, se unë jam fajtor; dhe, kur ma thonë një gjë të tillë, e kuptoj se nuk është e vërtetë. Janë të tjerë ata, që kanë të drejtën për të ma thënë; dhe e kuptoj se është e arsyeshme të përpiqem të fitoj faljen e tyre. Po faljen ua kërkoj atyre, të cilët e di se mund të falin. Thjesht kështu. Të të falin, pa të kërkuar që ta meritosh këtë, që të presin. Por puna është që thjesht të flasësh me ta, të rrëfesh çdo gjë e të marrësh faljen e tyre. Atyre, të cilëve mund t’ua kërkoja, e di mirë se, në ndonjë kënd të zemrës, me gjithë vullnetin e mirë, fshehin pamundësinë e mungesën e dijes për të falur. Një njeri i vetëm mund ta bënte këtë, të kishte forcë të më falte, po kundrejt tij nuk kam qenë kurrë fajtor dhe i kam dhënë tërë zemrën; e sidoqoftë mund të nisesha për tek ai, e kam bërë shpesh këtë në heshtje, por ai tani ka vdekur e unë jam i vetëm. Ke mbetur vetëm ti, im më, po ti nuk më kupton e nuk mund të më lexosh. Kështu që po të flas, po të shkruaj, vetëm e vetëm ty; dhe kur të kem mbaruar rrëfimin, do të të kërkoj falje, pa dhënë shpjegime se përse. Dhe ti do të më buzëqeshësh”. /ZËRI/

Prizren: Të pish ujë me kambanë për t’u bërë i pasur

0

Në mesin e shumë zejeve që kanë ushtruar zejtarët prizrenas ishte edhe ajo e kambanave e zileve që vendosen edhe sot e kësaj dite në qafë të deleve apo të bagëtive të tjera. Profesor Dr. Nexhat Çoçaj, etnolog, është shprehur për “Kosova Sot” se kambana ose kumona, siç njihet në popull, vendoset për ta orientuar vathen. “Ajo i vihet ogiçit, lopëve e gjedheve, të cilat u prijnë deleve ose kopesë së lopëve dhe kjo për arsye që ato kope të mos kalojnë nëpër ara për shkaktuar dëmeve të fqinjëve. Sipas Çoçajt, kambanat e zilet kanë edhe një rol tjetër të rëndësishëm dhe ai është që ato largojnë syrin e keq.

Sipas tij, ato kryesisht janë punuar nga bakri që kanë pasur rëndësi të mos e lëndojë qafen e bagëtisë dhe për faktin se kurrë nuk ndryshken. Profesor Adem Morina shpjegon se kambanat (kumonat) kanë pasur rëndësi edhe në rajonin e Hasit për bagëtinë që mos të humben ato dhe të gjenden më lehtë. “Janë tradita shumë shekullore, ku banorët brez pas brezi trashëgojnë bile edhe muzikën baritore me fyej, cyla, longari dhe zilet e bagëtive”, shprehet ai. Çoçaj shpjegon se karvanëve ia kanë vënë zilet edhe për faktin se shtigjet ishin të ngushta dhe duhej pritur që ato mos të binin honeve. Sipas tij, në Has e Përdrini për kambanat (kumona) ka pasur edhe një rit se nëse fëmijët pinë ujë nga ajo apo zilja e një vathe të madhe në jetë do të jenë të pasur. Kambanat janë një simbolikë e besimit të lashtë ilir.

Prizreni dikur ka pasur shumë kambanarë

Sipas profesor Sylejman Randobravës, Prizreni dikur ka pasur disa kambanar që janë marrë me këtë zeje. Ai tregon se kambanat apo zilet i punonin shumë farkëtarë të Prizrenit, por, sipas tij, më të njohurit ishin farkëtarët e familjes Çukiqi. Farkëtari i kësaj familjes Rexhep Çukiqi tregon se ata kishin bakrin e mirë dhe punonin shumë kambana (kumona), por ato tash pak kërkohen. Shadan Shinik tregon për gazetën se dikur kishte shumë llogari të merreshe me prodhimin e kambanave, dhe, sipas tij, deri para lufte një kumonë e apo zile shitej deri në 40 marka gjermane. Shton se tash kërkesat janë më të vogla. Shiniku thotë se pos turistëve që i blejnë ato, blegtorët i blejnë secilën herë e më rrallë. Kurse farkëtari Rexhep Çukiqi tregon se tashmë nuk i punojnë më, ngase produktet e tilla i sjellin tregtarët nga Turqia. Thotë se dikur kishin përfitime të mëdha nga ky zanat. Çukiqi shprehet se për të tingëlluar kambanat sa më shumë, ato duhej bërë sa më të holla. “Pastaj duhej vënë edhe një rrumbullak çeliku që e dërgonte zërin deri në largësi. Mirëpo, pasi nevojat janë reduktuar shumë, tash edhe prodhimin e bëjmë vetëm me porosi, ngase materiali i bakrit është mjaft i shtrenjtë”, tregon Çukiqi.

Ujë nga kambana që fëmijët të bëheshin të pasur kur të rriteshin

Kambanat (kumonat) edhe në besimin e traditës kanë pasur një rol dhe rëndësi të veçantë, tregon Nexhat Çoçaj. Plaka Besire Berisha tregon për gazetën se dikur edhe fëmijëve të vegjël u vinin nga një zile të vogël, që ata të bëheshin të parët më të dalluarit dhe iu vihej fëmijëve për t’i larguar nga syri i keq. Berisha thotë se, sipas traditës, fëmijëve të vegjël rreth tre muaj u jepnin tri ditë ujë nga zilja apo kumonat, që të bëhen të pasur e të dalluar e apo që të mos i përcjell ndonjë e keqe. Sipas saj, edhe sot e kësaj dite kur lindin fëmijët e hasretit vazhdojnë t’u vendosin nga një zile të vogël. “Në Has bile u vendosen këto zile që fëmijët të jenë të zgjuar, të zëshëm dhe të aftë për të jetuar me sukses”, shprehet Berisha. Leme Fejzullahu tregon se këtë traditë edhe sot e bëjnë në shumë familje. “Ka plot familje që zilet në secilën festë tradicionale apo fetare i vendosin kambanat apo zilet në dyert e hyrjeve”, është shprehur ajo. “Mirëpo, tani prodhimi i këtyre kambanave apo zileve në Prizren është i pakët dhe është vështirë të gjenden”, tregon ajo. Dyqani që i ka prodhuar dikur këto produkte në Prizren, i familjes Shinik, i sjellin nga Turqia e i shesin me çmime më të kapshme për blerësit.

(Kosova Sot)

Presidentja e Speciales nis punën pas dy javësh

0

Ekaterina Trendafilova, presidente e Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale, edhe zyrtarisht nis punën nga mesi i janarit të këtij viti, përderisa rekrutimi i stafit për Zyrën e Dhomave të Veçanta dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar do të përfundojë nesër.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Zëri”, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Avis Benes.

“Procesi i rekrutimit për Zyrën e dhomave të veçanta dhe Prokurorisë ka qenë dhe është duke u zhvilluar në mënyrë intensive. Thirrja e fundit për kontributet për stafin e ri është publikuar në dhjetor, me afat prej 6 janar 2017”, ka sqaruar Benes.

Ajo ka konfirmuar se edhe marrëveshja e vendit nikoqir, Holandës, ka hyrë në fuqi prej 1 janarit 2017. /Zëri/