Home Blog Page 6147

Arrestohet një person në Vërmicë, prezantoi letërnjoftimin me emër tjetër

0

Në pikë kalimin kufitar në Vërmicë është arrestuar një mashkull, pasi që i njëjti ka prezantuar letërnjoftimin me emër të një personi tjetër, thuhet në raportin e Policisë, përcjellë PrizrenPress.

Policia ka bërë me dije se me vendim të prokurorit dokumenti është konfiskuar, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Kafshohet nga qentë, rahovecasi përfundon në spital

0

Një person është kafshuar nga 4 qenë në fshatin Hoqë e Vogël, të Komunës së Rahovecit.

“Viktima mashkull K/Shqiptar ka njoftuar se derisa ka qenë duke ecur në fushë është sulmuar nga 4 qenë dhe si pasojë e kafshimit nga qentë ka pësuar lëndime trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në spitalin e Gjakovës”, njofton Policia, përcjellë PrizrenPress.

Policia ka bërë me dije se, lidhur me rastin, është intervistuar pronari i qenve dhe i njëjti ka deklaruar se qentë i mban për t’i ruajtur delet.

Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Arrestohet në Prizren, dërgohet në burgun e Dubravës

0

Një person është arrestuar në rrugën “Ulqini” në Prizren. Arrestimi i tij është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren.

“Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, është arrestuar një mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në burgun e Dubravës”, njofton Policia e Kosovës, përcjellë PrizrenPress.

Prizren: Poston foto me armë në Facebook, ia konfiskon policia

0

Në Prizren, Njësiti policor me urdhëresë nga gjykata ka bastisur shtëpinë e një të dyshuarit shqiptar, pasi i njëjti kishte postuar në rrjetin social Facebook disa foto ku ekspozonte një armë.

Sipas Policisë, nga i dyshuari është konfiskuar një pushkë automatike AK-47, përcjellë PrizrenPress.

Me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Zvarritja e Policisë gjyqësore zbeh drejtësinë

0

Formimi i Policisë gjyqësore tanimë është bërë thuajse imperativ i kohës dhe shumë i domosdoshëm për ecurinë e zhvillimeve pozitive në fushën e drejtësisë, duke u paraqitur tashmë si nevojë ashtu siç ekziston në shumë shtete të tjera, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Të paktën, kështu kanë vlerësuar analistët dhe njohësit e kësaj fushe, të cilët kanë thënë po ashtu se kësisoj Policia gjyqësore veç të tjerash do të ishte nën ombrellën e ‘Prokurorisë’, dhe do t’i raportonte kësaj të fundit, ku për rrjedhojë do ishte edhe larg ndikimeve eventuale të politikës. Prokuroria e ka të vështirë që të ketë sukses në punën e saj pa e pasur Policinë gjyqësore nën urdhrat strikte të saj. Por, a do të ndodhë ky ndryshim që do të ishte në favor të Prokurorisë, tani për tani mbetet mister, ani pse do të ishte më se i nevojshëm për punën e Prokurorisë që të jetë sa më e pavarur dhe e pandikuar, por edhe e papenguar nga politika.

Sipas analistëve, policia merr urdhra dhe i raporton MPB- së, e që ka dyshime se mund të jetë edhe e ndikuar, duke paraqitur kësisoj një pengesë për hetimet dhe përzierje të rrezikshme kompetencash për hetimet e mirëfillta.

Shtimi i efikasitetit në luftën kundër krimit

Analisti Naim Kelmendi në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se vetë mungesa e Policisë gjyqësore është një hendikep për Prokurorinë, derisa kjo polici do të plotë- sonte më mirë kompetencat dhe përgjegjësitë në raport me veprat penale. Kjo po ashtu, sipas Kelmendit, sigurisht se krahas prokurorit do të ndihmonte edhe në kryerjen e hetimeve paraprake, sikur ekziston çdokund Policia gjyqësore, mbledhjen e provave dhe fakteve dhe në hetimin e veprave penale, ato të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Andaj, ky do të ishte një ndryshim në favor të Prokurorisë dhe në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar të të gjitha formave. Konsideroj se Prokuroria do të duhej të jetë tejet e pavarur në zhvillimin e hetimeve ndaj veprave penale dhe po ashtu me një Polici gjyqësore totalisht të pavarur dhe të pandikuar e jo sikur është tani, ku kjo polici që merr urdhra dhe i raporton MPB-së, pra që do të thotë se mund të jetë edhe e ndikuar, nga kjo e fundit”, është shprehur analisti Naim Kelmendi. /Kosova Sot/

Familja e katër dëshmorëve nga Prizreni, tregon se si u mashtrua për një vend të punës

0

Anëtari i familjes së katër dëshmorëve, Fidan Shala, ndjehet i mashtruar nga pushtetarët. Ai thotë se që 18 vite është mashtruar për një vend të punës.

“Fillimisht më thanë “kur e kryen Fakultetin nuk ka diskutim, ti do të jesh i pari. Pasi që diplomova më thanë që nuk ke përvojë të punës, edhe pse kisha mbi 5 vite përvojë të punës”, rrëfen ai.

Fidani është anëtari i familjes Shala, që Kosovës, ia ka dhënë katër dëshmorë; babin, dy vëllezër dhe axhën.

Ai, në një postim në Facebook, tregon se si janë mashtruar në mënyrë më bizare nga pushtetarët për një vend të punës.

“Ndihem shumë i shqetësuar me këtë gjendje, ku unë Fidan Shala tash e 18 vite, nuk e kam gjysmën e familjes. Sa herë ulem në sofër për të ngrënë bukë, mua më mungon një sofër njerëz, që dhanë jetën për këtë liri e pavarësi të Kosovës,që 18 vite pas luftës, ende bredhim rrugëve të pa punë”, rrëfen ai.

Shala tregon se djali i vetëm i vëllait dëshmor është detyruar të emigrojë për shkak mungesës së një vendi të punës në Kosovë.

“Është i vetmi djalë që ma ka lënë dëshmori, dhe sot ky djalë i vetëm i dëshmorit, i dëshpëruar është detyruar që të bëj një zgjidhje për ekzistencën e tij dhe ka bërë një vizë pune dhe me datë 24 të këtij muaji po ikë për në Gjermani”.

“ A ka ma turp se kaq, ku edhe fëmijët e vetëm të dëshmorëve i detyrojnë të emigrojnë nga ky vend?!”.

“Babai i tij në vitin 1998, e la Perëndimin dhe u kthye për të dhënë jetën në Kosovë”.

“Turp ju qoftë!”

“Zoti herët apo vonë do të i dënojë, sepse historia e shqiptarëve, gjithmonë u fitua me luftë, por më pas ajo u rikthye, sepse si popull harrojmë shumë shpejt të kaluarën dhe mendojmë vetëm për veten dhe ata që ju shërbyen armiqve tanë”.
“Këtë brengë e mora vetëm si shembull për veten dhe familjen time. Mirëpo, unë si nënkryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve – Dega në Prizren, dëgjoj edhe më keq, kur ka fëmijë të dëshmorëve që tashmë nuk e kanë edhe të drejtën për pension, sepse i kanë kaluar 18-të vite dhe nuk e kanë asnjërin prindër dhe ata sot kërkojnë edhe lëmoshë”.

Kryetar i Shoqatës së Invalidëve të Luftës të UÇK-së (SHIL ) në Prizren, Burim Shala, ka akuzuar ndërkaq bashkëluftëtarët e tij, se nuk kanë bërë asgjë për fëmijët e dëshmorëve.

Ai thotë se fëmijët e dëshmorëve janë të vetmit që nuk janë punësuar, pas përfundimit të luftës.

“Disa bashkëluftëtarë tanë që sot janë në politik kanë punësuar fëmijët e spiunëve, vëllezërit e motrat e tyre, kurse kanë harruar fëmijët e dëshmorëve”, tha Shala,shkruan PrizrenPress.

Sipas tij, fëmijët e dëshmorëve janë lënë anash, “sepse dëshmorët janë harruar”.

“Fëmijët e bashkëluftëtarëve tanë që sot janë dëshmorë i kemi lënë në lëmosh dhe kemi dëshirë të vinë të luten tek ne, për ndonjë vend pune”,
“Nuk ka ma turp se ti thuash dikujt ky është djali ose vajza e dëshmorit që ti e ke pasur kinse shok në luftë dhe po këta fëmijë janë ende të pa punë”, shprehet Shala./PrizrenPress.com/

Limaj: Akuzat ndaj meje për vrasjen e dy shqiptarëve janë bizare

0

Fatmir Limaj i ka cilësuar si bizare, akuzat e ngritura ndaj tij për vrasjen e dy shqiptarëve.

Ai ka potencuar se abuzimi me drejtësinë është krimi më i madh që mund t’i bëhet një vendi.

“Unë dhe bashkëluftëtarët e mi jemi të njohur për mbrojtjen e qytetarëve. Nuk i kam ikur asnjëherë ftesës së drejtësisë, por kjo mënyrë dhe kjo qasje është tepër. Që të abuzohet me drejtësinë është krimi më i madh që mund t’i bëhet një vendi” ka thënë Fatmir Limaj për Klan Kosova.

Reagimi i tij ka ardhur pas akuzave për vrasjen e dy shqiptarëve në fshatin Bellanicë të Malishevës.

Një muaj paraburgim për babë e bir nga Vlashnja e Prizrenit

0

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarve për falsifikim të dokumenteve, babë e bir nga fshati Vlashnje.

Zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj tha se vendimi është marrë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit.

“Të pandehurit D.H. dhe S.H. dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse prej datës së pavërtetuar e deri më datën 27.12.2016, në Prizren, në marrëveshje paraprake mes vete, i ndryshojnë letrat me vlerë me qëllim të përdorimit si të vërteta dhe për t’ia dhënë tjetrit për t’i përdorë”, tha ajo,shkruan PrizrenPress.

Sipas saj, të dyshuarit në Agjencinë e tyre “Geosmart Consulting”, kanë falsifikuar dokumentet duke ndryshuar edhe aktgjykimet.

“Me këtë veprim të pandehurit me inicialet D.H dhe S.H. dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale falsifikim të letrave me vlerë dhe instrumenteve të pagesës”, tha Kicaj/PrizrenPress.com/

Vehapi dëgjon hallet e qytetarëve

0

Komuna e Rahovecit, nëpërmjet një komunikatë për media ka bërë të ditur se kryetari i kësaj komune, Idriz Vehapi, ka pranuar qytetarë e kësaj komune në zyrën tij dhe i ka dëgjuar hallet e tyre.

Sipas zyrtarëve të kësaj komune thuhet se kjo është mënyra më e mirë, për të qenë më afër qytetarëve dhe për të dëshmuar se të gjithë qytetarët e komunës së Rahovecit para kryetarit janë të njëjtë.

Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarve për korrupsion të Komunës së Prizrenit

0

Gjykimi i paraparë të mbahej të hënën, ndaj të akuzuarve, Bashkim Krasniqi, Bedri Bytyqi, Ilaz Susuri dhe Faton Hoxha, është shtyrë për muajin tjetër. Kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka konstatuar se nuk i është dorëzuar prova e saktë të cilën e ka kërkuar nga Komuna e Prizrenit.

Gjyqtari Elshani ka sqaruar se paraprakisht mbrojtja ka kërkuar nga gjykata që në mënyrë zyrtare të sigurojë nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Urbanizimit, dëshmi se janë bërë ankesa ndaj vendimeve të kësaj drejtorie dhe se nëse janë përfunduar lëndët. Krejt kjo për të dëshmuar se ngritja e aktakuzës ka qenë e parakohshme pasi që procedurat administrative nuk janë shteruar, të cilat do të dëshmonin nëse ka pasur parregullsi.

Mirëpo gjyqtari ka thënë se atij i është dorëzuar një fotokopje nga regjistrat intern të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku dëshmohet se i akuzuari Faton Hoxha ka atakuar konkluzionin e Komunë së Prizrenit për rrënimin e objektit afarist të tij.

Avokati Florin Vertopi, ka thënë se edhe në kërkesën e hedhjes së aktakuzë ka cekur se aktakuza në fjalë është e parakohshme, pasi që nuk janë shterur të gjitha shkallët brenda institucioneve administrative.

Prokurori Metush Biraj ka thënë se ankesat ndaj konkluzioneve të Komunës së Prizrenit, kanë të bëjnë vetëm me ndërrimin e pronarit dhe e jo me vendimet e Komunës së Prizrenit.

Në këto rrethana, kryetari i trupit gjykues, Xhevdet Elshani, ka thënë se nuk mund të procedohet më tutje pa sqaruar këtë çështje, andaj ka shtyrë shqyrtimin për 13 shkurt 2017, në ora 13:00.

Aktakuza e përfaqësuar nga prokurori Metush Biraj, i ngarkon të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohet se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Ndërsa i akuzuari, Ilaz Susuri akuzohet se ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën ku është ndërtuar objekti, ku të njëjtën, pa fletë-poseduese, ia ka shitur të pandehurit Faton Hoxha për 35 mijë euro.

Poashtu i akuzuari Faton Hoxha akuzohet se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga i pandehuri, Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë./betimiperdrejtesi/