Home Blog Page 6221

Familja e Astrit Deharit padit ata që dhanë pamjet e burgut ku ai vdiq

0

Tomë Gashi, avokati i familjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje Astrit Deharit, ka deklaruar se kjo familje ka bërë kallëzim penal kundër përgjegjësve që lejuan që pamjet e burgut ku ai vdiq, të publikohen në media.

Pasi ka bërë padinë te Kryeprokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi, Gashi ka thënë se ka ngritur padi kundër katër institucioneve përgjegjëse për këtë publikim.

“Dorëzuam në prokurorinë e Shtetit Kallëzim Penal kundër personave përgjegjës: Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kundër Agjencisë së Forenzikës dhe Prokurorit të Prizrenit, Sylë Hoxhës”.

“Kallëzimi penal ka të bëjë me pamjet e publikuara në media të pamjeve të burgut ku ka vdekur astrit Dehari”, ka thënë Gashi.

Sipas tij provat që janë siguruar nga vendi i ngjarjes, janë hedhur në publik në mënyrë të paligjshme dhe Prokurori Hoxha, dështoi t’i mbronte ato.

“Ka pasur deklarata të Sylë Hoxhës dhe të të tjerëve zyrtarë kompetentë, që provat janë të sigurta dhe në asnjë mënyrë nuk mund të publikohen dhe se ato po ruhen të sigurta. Në media janë publikuar pamje, pavarësisht a janë të vërteta, të rrejshme apo të montuara. Me këtë akt, ka filluar kontaminimi i provave, gjë që është vepër penale”, ka deklaruar Gashi.

Kallëzimi Penal i Familjes Dehari, ngrehë katër akuza penale, Zbulimin e Paurtorizuar të Provave, Manipulimin me Prova, Zbulimi i Fshehtësisë Zyrtare dhe Keqpërdorim i Autoritetit Zyrtar, raporton Klan Kosova.

“Prokurorin e kemi njoftuar që ka të drejtë të hetojë për vepra të tjera penale që identifikohen në këtë rast”, ka theksuar Tomë Gashi.

“Në emër të familjes Dehari kërkojmë që të eliminohen nga hetimet prokuroria e Prizrenit dhe policia e Prizrenit”, ka thënë ai.

Gashi në deklaratën dhënë gazetarëve, nuk ka akuzuar në asnjë moment mediat për publikimin e pamjeve të brendësisë së burgut ku ka vdekur Dehari, duke theksuar se përgjegjësinë e kërkojnë tek ata të cilët lejuan që provat të binin në duart e mediave.

“Nuk po i akuzojmë mediat, por ata që i zbuluan provat para se të kryhen hetimet. Tani ka filluar një luftë speciale, duke u publikuar në media të dhëna shumë konfidenciale të cilat nuk do të duhej t’i kishte askush, përpos hetuesve policorë”.

I pyetur nga Klan Kosova se si e dëmton hetimin publikimi i këtyre provave, ai nuk ka dhënë përgjigje.

Gashi ka thënë po ashtu se Sylë Hoxha, i kishte thënë atij se është shokuar kur ka parë se provat u bënë publike, pasi ai vetë kishte deklaruar se janë shumë të sigurta.

VV: Hetimet për rastin e Astritit po administrohen në mënyrën më të keqe

0

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se hetimet për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme, thuhet në një komunikatë të kësaj lëvizjeje.

Deputetja Albulena Haxhiu në një konferencë për media tha se mbrëmë hetuesia kishte vendosur që xhirimet e kamerave nga korridori i Burgut në ditën e vdekjes t’i plasonte opinionit publik përmes mediave.

“Ky publikim i xhirimeve e tregon tendencën e hetuesisë për ta drejtuar opinionin publik drejt propagandës së tyre, e kështu larg të vërtetës. Pse kanë nevojë hetuesia e prokuroria të bëjnë propagandë mediatike me rastin? Çfarë po duan të fshehin?” theksoi Haxhiu.

“Këto inçizime asnjëherë nuk iu dorëzuan as avokatit të angazhuar nga familja për rastin e aq më pak familjes. Por u plasuan në publik. Pjesë – pjesë. Për të drejtuar opinionin publik”.

Haxhiu u shpreh se i njëjti avaz po vazhdon me hetuesinë e policisë e prokurorinë policore. Gjykimin po e bëjnë në publik. Ky nuk është hetim.

“Hetuesia e prokuroria nuk po e zbardhin rastin, por po duan ta ndërtojnë atë. Ashtu siç atyre ua do mendja e zemra. Njësoj ka ndodhur edhe me rastin e arrestimit të aktivistëve tanë, për veprën e terrorizmit, ku u munduan kinse me anë të fotografive që nuk thonë asgjë, t’i mbajnë të mbyllur për më shumë se dy muaj aktivistët tanë”.

“Njëjtë sikur me deklaratën e menjëhershme të policisë, Nexhmi Krasniqit, për shkakun e vdekjes që doli të jetë gënjeshtër”.

“Ky duket të jetë rast i qëllimshëm i kontaminimit të provave. Publikimi i mbrëmshëm i xhirimeve flet zëshëm për profesionalizmin dhe paanshmërinë e hetuesisë e prokurorisë në këtë rast. Kjo edhe një herë e dëshmon se hetimi i tyre nuk mund të jetë as kredibil e as i paanshëm”.

“Kjo nuk është zbardhje e rastit. Prandaj një hetim i besueshëm për këtë rast që do ta zbardhte të vërtetën për vdekjen e Astritit është vetëm një hetim i kryer nga hetues të pranueshëm për familjen dhe me kredibilitet profesional e etik”, tha deputetja Haxhiu.

“Policia e Nexhmi Krasniqit, e prokuroria e Sylë Hoxhës, këto institucione të shtetit të kapur e të klanit “Pronto” nuk janë as të paanshme, as kredibile, as profesionale as të besueshme”. /PrizrenPress.com/

Gashi: Kallëzim penal ndaj personave që ua dhanë mediave pamjet nga burgu i Prizrenit

0

Tomë Gashi, avokati i familjes së Astrit Deharit do të dorëzojë kallëzim penal në Prokurinë e Shtetit kundër personave përgjegjës për publikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në burgun e Prizrenit e që kanë të bëjnë me rastin e vdekjes së Astrit Deharit.

“Sot, në orën 14:00 avokati i familjes Dehari do të dorëzojë kallëzim penal në prokurinë e shtetit kundër personave përgjegjës për publikimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë në burgun e Prizrenit e që kanë të bëjnë me rastin e vdekjes së Astrit Deharit”.

“Kallëzimi penal ka të bëjë se si është e mundur që të rrjedhin informata të tilla, tejet të ndjeshme, para se të bëhet analizimi i këtyre pamjeve dhe hetuesia të jep mendimin për këtë”, thuhet në një njoftim për media të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kallëzimi penal dorëzohet në Prokurorinë e Shtetit që ndodhet afër stacionit policor “Qendra”. /PrizrenPress.com/

Theret një burrë në Prizren, arrestohet i dyshuari

0

Policia e Kosovës njofton se në Prizren është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti për shkaqe të panjohura ka sulmuar fizikisht duke e goditur me mjet të prehtë viktimën mashkull K-Shqiptar, shkruan PrizrenPress.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një e mitur në Prizren për vjedhje të arit

0

Të enjten në Prizren është arrestuar një femër e mitur pasi që e njëjta kishte vjedhur stoli ari nga një grua tjetër.

“Raportohet se njësiti i hetuesisë me 10.11.2016 ka arritur që ta identifikojë dhe ta arrestojë të dyshuarën femër K-Shqiptar – e mitur, pasi që e njëjta kishte vjedhur stoli ari nga viktima femër K-Shqiptare. Me urdhër të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës. /PrizrenPress.com/

30 ditë paraburgim ndaj dy të dyshuarëve për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Mamushë

0

Gjyqtari  i  Procedurës  Paraprake nga Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit vendosi që ndaj të pandehurve me iniciale Y.M. nga Mamusha, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KP-së dhe i pandehuri i dytë me iniciale N.K. nga Mamusha për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale falsifikim i dokumenteve nga neni 398 par.2 të KP-së, iu caktohet masa e arrestit shtëpiak.

Në njoftim të Gjykatës Themelore të Prizrenit thuhet se, masa e arrestit shtëpiak do të llogaritet në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditëve prej datës 09.11.2016 nga ora 11:00 dhe do të zgjasë deri me datën 09.12.2016.

Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, se në kohën e pacaktuar i pandehuri me iniciale Y.M. në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi dhe Kadastër duke e shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër, duke aplikuar për nxjerrjen e listave poseduese në emër të qytetarëve me iniciale S.M dhe I.M., i cili fakt është vërtetuar në kopjen e librit për regjistrim dhe pasi këto lista poseduese janë marr nga referenti i Drejtorisë së Kadastrit të njëjtat janë ndryshuar nga ana e të pandehurit me iniciale Y.M. dhe janë nënshkruar nga ana e tij ku më pas të njëjtat janë vërtetuar nga ana e zyrtarëve kompetent. Po ashtu i pandehuri i dytë me iniciale N.K. ka aplikuar pranë Drejtorisë për Kadastër në Komunën e Mamushës për nxjerrjen e listave poseduese për tetë persona e të cilat më pas i ka ndryshuar në bashkëpunim me Drejtorin e Shërbimeve Publike pranë Komunës së Mamushës. /PrizrenPress.com/

Ikja e Legjendarit

0

Një tjetër legjendar është larguar nga kjo botë. Leonard Cohen, një nga këngëtarët më të mëdhenj, ka vdekur në moshën 82 vjeçare.

I njohur për zërin e tij të thellë, me të cilin frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën, këngëtari kanadez kishte folur për vdekjen në një intervistë për New Yorker.

“Jam gati të vdes, Shpresoj se nuk është shumë e parehatshme”, kishte thënë ai.

Lajmi për vdekjen e tij është dhënë në profilin e tij në Facebook, ndërsa detajet e tjera nuk janë bërë të njohura.

“Me dhimbje të thellë njoftojmë se poeti legjendar, kantautori dhe artisti, Leonard Cohen ka ndërruar jetë. Kemi humbur një nga muzikantët më të shpërblyer dhe një vizionar të madh”, thuhet në njoftim.

https://youtu.be/Di-etRm4cN8

Hipokrizia e Thaçit dënohet ashpër

0

Politikanët kryesorë të shtetit të Kosovës, që për disa vjet rresht janë në krye të shtetit dhe janë treguar si qeveritarët e dështuar në instalimin e shtetit ligjor, po vazhdojnë që për dështimet e veta ta fajësojnë Bashkimin Evropian që po e mban akoma Kosovën si një geto të izoluar pa liberalizim vizash edhe pas Raportit të fundit të Progresit. Edhe reagimin e djeshëm tepër të ashpër të presidentit Hashim Thaçi karshi BE-së, përfaqësues të subjekteve të ndryshme politike dhe ekspertë të sundimit të ligjit, njohësit e politikës, e shohin si një reagim tepër hipokrit. Ai tha se BE-ja, në mungesë të unitetit përbrenda, kinse ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në trajtimin e Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE dhe si pasojë e kësaj qasje Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva e anë- tarësimit në BE mbetet tepër e paqartë. Tepër joserioz e ka cilësuar këtë justifikim të presidentit deputeti i LDK-së, Adem Salihaj. “Hashim Thaçi po mundohet ta shfajësojë veten dhe të paraqitet mbrojtës i interesave të Kosovës, e në fakt është krejt e kundërta e gjithë kësaj.

Është fakt që BE-ja i ka vënë Kosovës kushte të rënda dhe diskriminuese, të cilat nuk ia ka vënë asnjë shteti tjetër,shkruan gazeta Kosova Sot.
Por, është fakt gjithashtu se Thaçi me kompani e ka ngulfatur Kosovën me korrupsion dhe krim të organizuar dhe ia ka shkatërruar asaj perspektivën evropiane”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

Ish-lideri i PDK-së thelloi degradimin e shtetit

Po të njëjtin gjykim e ka edhe Teuta Haxhiu, deputete nga AAK-ja. “Pikërisht reagimi, jo vetëm tani ndaj Raportit të Progresit, nga ana e presidentit Hashim Thaçi, por edhe me shumë reagime të tjera, të cilat po i bën kohët e fundit, po tregojnë se ai vetëm sa po pretendon ta nxjerrë të pafajshme e të pastër për dështimet e deritashme të qeverisjes figurën e vet”, u shpreh ajo. Sipas saj, më së shumti fajtor është pikërisht presidenti i tanishëm i vendit, Hashim Thaçi, i cili gjatë gjithë qeverisjes së tij në dy mandate, duke qenë në pozitën e kryeministrit dhe në këtë mandat fillimisht si zëvendëskryeministër e tani si president, Kosova vetëm sa e ka thelluar degradimin në çdo fushë dhe çdo sektor institucional. “Për fat të keq i njëjti trend po vazhdon edhe tani në bashkëqeverisjen PDK -LDK, ngase përkundër faktit që Thaçi është president i vendit prapë ndikimet direkt i ka në PDK dhe në telekomandimin e politikave të qeverisjes së vendit, pavarë- sisht që nga ana formale ka dhënë dorëheqje nga drejtimi i partisë”, tha deputetja Haxhiu për “Kosova Sot”.

Asnjë politikan i lartë nuk u dënua për afera

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, thotë se në Raportin e Progresit të BE-së për Kosovën janë dhënë shumë vërejtje, të cilat lidhen drejtpërdrejt me dështimet e Qeverisë së kaluar dhe të tashme të Kosovës dhe këto dështime nuk mund të mbulohen para opinionit, duke akuzuar strukturat e BE-së. “Ne jemi dëshmitarë se në Kosovë kemi një dështim të lartë të shtetit ligjor. Sa e sa herë kemi shkruar dhe është thënë se kemi qeveri të korruptuar dhe të kriminalizuar. Dhe, në këtë anë çfarë bëri vendi i ynë, organet e shtetit për të luftuar këto dukuri shumë të dëmshme. Tani ajo që është ngarkesë plus dhe e vetme për Kosovën, kundruall vendeve tjera, është edhe demarkacioni. Por, edhe këtu, si në rastin e parë, shkaktar është drejtpërdrejt Qeveria, kryesisht ish-kryeministri Thaçi dhe tash Mustafa”, u shpreh ai. “Në Kosovë kemi dështim tepër të madh dhe deri më tani askush nuk është përgjigjur nga niveli qendror për këso veprimtarish kriminale. Asnjë politikan, udhëheqës i ndonjë bordi, gjykatës a prokuror, person që e ka krimin ekonomik apo tjetër në dorë nuk është dënuar. Kemi vetëm disa dënime të nivelit të ulët dhe të karakterit qesharak”, tha Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”.

Pamje duke nxjerrë trupin e Astrit Deharit nga qelia e burgut (Video)

0

Klan Kosova ka siguruar pamje nga Qendra e Paraburgimit në Prizren ku ka vdekur në rrethana ende të paqarta aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Dehari ka vdekur të shtunën e kaluar me pesë nëntor nga asfiksia, ose mbetja pa frymë. Por, ende nuk ka një vendim përfundimtar se a ka bërë vetëvrasje Dehari, apo është vrarë.

Vetëvendosje thotë se janë të bindur se Dehari nuk e vrau veten, por atë e bëri dikush tjetër.

Këto pamje ekskluzive tregojnë pamje kur Dehari nxirret nga qelia e tij e burgut dhe nuk dihet nëse është ende gjallë, apo pa shenja jete.

Pamjet janë pikërisht të datës pesë nëntor, njofton Klan Kosova.

https://youtu.be/Tc6DA-YCcaY

Kështu u gjet në qelinë e tij Astrit Dehari (VIDEO)

0

Klan Kosova ka siguruar pamje nga Qendra e Paraburgimit në Prizren ku ka vdekur në rrethana ende të paqarta aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Në këtë video shihen të burgosurit e parë që e kanë gjetur Astrit Deharin në qelinë e tij në burg.

Në video shihet edhe kur në qelinë e Deharit futet një person nga personeli shëndetësor.

Dehari vdiq me pesë nëntor të shtunën e kaluar, njofton Klan Kosova.

 

https://youtu.be/_yehX04iG5M

 

Ende nuk është bërë e qartë se si vdiq aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, të shtunën e kaluar me pesë nëntor.

Ai ndërroi jetë në qendrën e paraburgimit në Prizren dhe Klan Kosova ka siguruar pamje të kësaj qendre.

Ajo që dihet deri më tani për vdekjen e Deharit është se shkaku ishte asfiksia, ose mbetja pa frymë, njofton Klan Kosova.

Kjo është vetëm një pjesë e shkurtër e pamjeve nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.

Pamjet janë pikërisht të datës pesë nëntor, njofton Klan Kosova.

https://youtu.be/C15byQPnKMw