Home Blog Page 6250

Veseli takon kryetarët e degëve, kërkon intensifikim të punës në teren

0

Në mbledhjen e rregullt me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj, Kadri Veseli, u shqyrtuan dhe trajtuan çështje të ndryshme nga aktualiteti politik dhe organizativ.

Në takim, diskutua veçanërisht angazhimi për shënimin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, që do të mbahet më 10 tetor 2016, thuhet në njoftimin e lëshuar nga PDK, transmeton Telegrafi. 

Po ashtu, u vlerësua si shumë i rëndësishëm aprovimi i Ligjit për Trepçën duke iu rikthyer si aset shumë i rëndësishëm ekonomik Republikës së Kosovës dhe minatorëve. 

Kryetari Veseli vlerësoi angazhimin e vazhdueshëm dhe çmoi lartë punën e kryetarëve të degëve, duke theksuar se do fuqizuar komunikimi i brendshëm dhe intensifikimi i punës në terren. /Telegrafi/

Ky banor i Rahovecit ka 37 vite pa gjumë

0

Eshref Berisha nga Komuna e Rahovecit ka plot 37 vite që nuk fle fare dhe kështu gjumin e konsideron ëndërr të parealizueshme.

Secili njeri ka ëndrra të ndryshme, disa duan të bëhen të pasur, disa duan të arrijnë në karrierë, ndërsa disa duan vetëm të jenë të lumtur. Mirëpo, është interesant fakti kur ëndrra e vetme e një njeriu është të fus sadopak gjumë në sy.

Eshref Berisha, banor i Komunës së Rahovecit, fshati Kramovik ka një ëndërr që ndonjë njeriu tjetër do t’i dukej e çuditshme. Berisha vetëm dëshiron të flejë sikur njerëzit normal, t’i bëj 8 orë gjumë dhe të mos shoh ëndrra fare.

Ëndrrat ndonjëherë janë të parealizueshme dhe iluzionare, e tillë është edhe ëndrra e tij.

Eshref Berisha ka plot 37 vite që nuk fle fare dhe kështu gjumin e konsideron ëndërr të parealizueshme.

Ai duket sikur gjithë njerëzit normal! Po ta shikosh ke përshtypjen se ai ka fjetur e pushuar mjaftueshëm dhe ka energji për jetë. Nëse vështrohet, në fytyrën e tij nuk ka shenja lodhjeje, as sytë nuk i ka të skuqur, nuk ka rrathë të zinj poshtë syve edhe pse ka thuajse gjithë jetën që nuk bën gjumë.

Narkoza e tepruar gjatë operacionit e la pa gjumë për gjithë jetën.

Eshref Berisha i lindur më 11 gusht 1963, sikur çdo njëri tjetër ka bërë gjumë të mjaftueshëm dhe ndonjë herë edhe më shumë gjumë se sa duhet, mirëpo krejt kjo deri në moshën 16 vjeçare. Në këtë moshë ai është bërë operacion nga veshkat dhe jeta e tij ka pësuar një ndryshim të madh.

Ai ka rrëfyer ekskluzivisht për gazetën Bota Sot gjithë ngjarjen, se sa ka kohë që nuk ka fjetur dhe gjithë historinë.

“Unë kam bërë një gjumë rëndë shumë deri në moshën 16 vjeçare e atëherë kam pësuar një ndryshim të madh të gjumit, pasi jam bërë operacion në veshkë dhe narkozën që ma kanë dhënë ka qenë më tepër se sa duhet. Pastaj aty kam pa një lloj ëndrre dhe prej atij moment që jam zgjuar nuk kam pasur më ndjenja që unë duhet me fjetë në gjumë, asnjëherë” tregon Berisha.

Ai tregon se ky operacion ka qenë i vështirë sepse shumica e pacientëve aty nuk kanë mundur të ecin për muaj të tërë,por, ai është zgjuar menjëherë pas tre ditësh dhe kjo gjë i ka habitur edhe doktorët të cilët kanë provuar edhe ta studiojnë rastin e tij.

Berisha pagjumësinë e tij e lidhë me këtë operacion, pasi që thotë se prej asaj dite gjumi i tij nuk është më i programuar.

“Për shembull kam fjetur një orë pastaj nuk kam fjetur më për 24 orë, pastaj ndoshta kam fjetur 1 minutë dhe nuk kam fjetur më me ditë të tëra”, rrëfehet Berisha.

Berisha ka jetuar një kohë në Gjermani, atje ka punuar dhe ka pasur edhe rast të njoftohet me një mjek për t’i treguar rastin e tij mirëpo as ai nuk ka ditur çfarë t’i thotë.

“Në 92-ën kam punuar në Gjermani me ato makina shumë precize lëvizëse. Zhurma që bënte makina ndikonte që shumica e punëtorëve të thoshin se i bën të flenin ajo zhurmë, mirëpo te unë nuk ndikonte asgjë. Unë nuk fle as ditën as natën, nuk fle me javë nuk fle me muaj”, shprehet ai.

5 ditë në gjumë të thellë

Mirëpo, Berisha tregon se një ditë ishte lodhur nga kjo pagjumësi, ishte lodhur që nuk bënte gjumë fare dhe dëgjoi këshillën e një të afërmi të tij i cili i kishte thënë se nëse do të pijë një medikament për gjumë me ujë ka efekt, kurse nëse e pi atë me raki atëherë efekti është 100 herë më i lartë.

“U mërzita një ditë prej pagjumësisë, pa familje atje i vetëm në banesë larg familjes larg të gjithëve dhe kështu mu ka kujtua rasti që me marrë hap të gjumit me raki dhe kam pi dy hapa gjumit me një gotë raki”, tregon Berisha.

Interesant është pjesa që i ka ndodhur pastaj. Berisha nuk është zgjuar prej gjumit 5 ditë. Ai ndoshta nuk do të zgjohej fare nëse në banesën e tij nuk do të shkonte ta shikonte motra e pronares së banesës, pasi që e kanë kuptuar se ai nuk ka dalë në punë.

“Prej të premtes që më ka marrë gjumi e deri të martën unë nuk jam zgjua hiç e s’kam ditë asgjë. Kur m’ka dalë gjumi e kam parë motrën e shefes përmbi kokë e cila m’ka pyet a jam në rregull. Unë i kam thënë që jam në rregull pse çka ka ndodhë?. Ajo m’ka pyetur cilën ditë je unë i kam thonë është e shtunë, kur m’ka treguar që është e martë unë nuk kam besuar”

“Ata kur kanë ardhur më kanë kthjellur, s’di a më ka dhënë ndonjë gjë me pi s’di hiç ama unë kam qenë në komë”, tregon ai.

Prej asaj dite, Eshref Berisha nuk ka pirë më medikamente për gjumë, as të shoqëruara me ujë apo me raki.

Ai tregon se edhe lufta në Kosovë ka ndikuar që ai të mos flejë fare.

Ai thotë gjatë gjithë luftës, gjatë ikjes për në perëndim, ai ka qenë i lënduar mirëpo edhe gjithë kjo lodhje nuk ka ndikuar që ai të flejë fare.

“Gjatë luftës unë 4 muaj ditë nuk kam fjetur asnjë sekondë. Unë edhe kam qenë i palëvizshëm pas goditjes që më kanë bërë para-militarët, ata më kanë godit në kurriz edhe kjo ka ndikuar në gjumë. Gjatë krejt kësaj kohe unë nuk kam bo asnjë sekondë gjumë, as kur kemi ik, as kur kam shkuar në Gjermani” , rrëfen Berisha.

Ai vazhdon duke treguar edhe rastet tjera kur njerëzit tashmë filluan ta kuptonin që ai nuk bën gjumë fare.

“Kam marrë me ja riparu shtëpinë e vëllait komplet krejt vetëm. Unë sa punën e kam bërë, se krejt shtëpia komplet plus moti i keq prapë s’kam fjetur. Një shok më ka thënë në rregull shkencëtarisht është mos me flejt 7 ditë por qysh pa fjetë krejt aq gjatë”.

Berishën e kanë këshilluar të lexojë libra apo të shikojë natyrën e lumenjtë në mënyrë që njeriu të lodhet e pastaj të flejë mirëpo në rastin e tij nuk ndikon asgjë.

“Unë kur lexoj libra lodhem edhe ma shumë, por kur shoh video lumenj apo natyrën më qetëson ose kur dëgjoj muzikë p.sh. Bethovenin apo ndonjë melodi të mirë unë qetësohem” tregon ai.

Eshref Berisha ka familje, dy fëmijë të moshës madhore dhe bashkëshorten. Ai thotë se gruaja dhe familja e tij nuk e kanë problem, pasi që ata prej kur bien të flenë nuk zgjohen deri në mëngjes më.

“Unë kur ata flenë rri, mendoj, bëj plane, ndonjë poezi apo ndonjë skenar në mendjen time”

Çfarë e karakterizon tjetër Eshref Berishën?

Ai sheh ëndrra. Përkundër faktit që ai nuk fle fare ai sheh ëndrra.

“Unë rri ulur ashtu, shikimin e kam si në infinit edhe tani them e kam pa një ëndërr. Gruaja thotë qysh ëndërr, po unë e di që ishte ëndërr edhe pse nuk kam fjetur”.

Njeriu që nuk fle asnjëherë nuk e vëren as kur është i sëmur, kur ka temperaturë apo tension të lartë të gjakut.

“Nuk vrej asgjë se pagjumësia ndikon që unë mos me vrejt a jam i sëmurë. E kuptoj kur skuqem tepër në fytyrë, kur kam ethe apo edhe kur pi ndonjë pije alkoolike si raki apo venë e nuk ja ndiejë shijen”, shprehet ai.

Berisha tash është 53 vjeçar ndërsa thotë se prej kur i ka bërë 48 vjet trupi i tij ka filluar të lodhet dhe nëse nuk shtrihet për tu qetësuar atëherë nervozohet shumë dhe e humb edhe durimin. Kur humb durim që ai nervozohet dhe bërtet ndonjëherë pa kontroll.

Eshref Berisha, vazhdoi duke treguar edhe gjërat tjera interesante që i ndodhin si pasojë e pagjumësisë, gjërat që ndikojnë që ai të qetësohet p.sh. vera, po ashtu edhe paragjykimet e njerëzve se pse ai rrinë zgjuar.

Mirëpo ai kërkon vetëm një gjë, vetëm një ëndërr e dëshirë, e ajo është të flejë si njerëzit e zakonshëm.

“Kam pasur qejf gjithmonë kam qejf edhe sot, sikur dikush që ka një ëndërr të madhe me realizu, unë kam pasur qejf me fjetë ndoshta të paktën një muaj, bile 8 orë në ditë edhe mos me pa ëndrra, kjo dyja janë ëndrrat e mija me fjetë gjatë edhe mos me pa andrra” , përfundon rrëfimin e tij njeriu i cili nuk bën gjumë.

Këto janë 6 asetet e Prizrenit në mbrojtje të përhershme

0

Nga 23 asetet e trashëgimisë kulturore të cilat kanë marrë statusin e monumentit në mbrojtje të përhershme, në këtë fazë 6 prej tyre janë nga regjioni i Prizrenit.

“Kalaja e Prizrenit, Kalaja e Korishës, Xhamija e Sinan Pashës, Hamami i Gazi Mehemd Pashës, Kisha e Shën Premtës si dhe Hidroelektrana, janë asetet e regjionit të Prizrenit që kanë fituar statusin e monumentit në mbrojtje të përhershme”, ka treguar drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, raporton PrizrenPress.

Me këtë rast, Hoxha ka falënderuar për angazhimin maksimal bashkëpunëtorët profesional të QRTK-së, në Prizren, sipas tij, për punën e pakursyer dhe profesionale të tyre në hartimin dhe përpilimin e dosjeve, si dhe Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore të cilët kanë bërë përzgjedhjen e propozimeve tona.

“Gjithashtu me këtë rast i uroj edhe qytetarët e Komunës së Prizrenit për këtë të arritur të veçant”, shkruan Hoxha në llogarinë e tij në Facebook.

Më tutje, ai shkruan: “Të përkushtuar në mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore edhe përkundër sfidave që na dalin para do vazhdojmë tutje”. /PrizrenPress.com/

Hynë ilegalisht, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë në Dragash

0

Në fshatin Rapqë të Dragashit janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj shqiptarë, shtetas të Shqipërisë, pasi që të njëjtit janë takuar duke hyrë ilegalisht në Kosovë.

Pas inicimit të rastit, siç njofton Policia, me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë depërtuar përmes pikës kufitare në Shqipëri. /PrizrenPress.com/

Rrihen për pronë në Dragash, arrestohet një person

0

Në Dragash është arrestuar një mashkull shqiptar i Kosovës, pasi i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një kontesti pronësor ka sulmuar fizikisht një mashkull tjetër.

Siç njofton Policia, shkruan PrizrenPress, viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.

Me urdhër të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar. /PrizrenPress.com/

Vidhen rreth 30 profile prej metalit të zinkuara në Rahovec

0

Policia e Kosovës njofton se dje rreth orës 12:00 ka ndodhur një vjedhje në Rahovec, shkruan PrizrenPress.

Në njoftim të Policisë thuhet se ankuesi mashkull K-Shqiptar raporton se persona të panjohur kanë vjedhur rreth 30 profile prej metalit të zinkuara të cilat shërbejnë për shtylla të tensionit të lartë. /PrizrenPress.com/

Shpallen 23 asete të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme

0

Këshilli Kosovës për Trashëgimi Kulturore në mbledhjen e mbajtur, bazuar në kompetencat ligjore ka bërë shpalljen e 23 aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme, të cilat janë propozuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në një njoftim për media thuhet se procesi i shqyrtimit të aseteve të propozuara është zhvilluar në disa faza, duke përfshirë analizën e dosjeve të propozuara, kualifikimin dhe vlerësimin e gjendjes së tyre.

“Ky proces është finalizuar me shpalljen e 23 aseteve në mbrojtje të përhershme pas shqyrtimit, vlerësimit dhe kualifikimit të propozimeve nga MKRS. Këto asete të shpallura bëjnë pjesë në dy kategori, trashëgiminë arkeologjike dhe arkitekturale.Procesi i shpalljes në mbrojtje të përhershme zhvillohet për herë të parë në Republikën e Kosovës dhe me të drejtë konsiderohet zhvillim historik për trashëgiminë e vendit tonë duke e afruar në këtë mënyrë edhe më shumë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO si dhe mekanizmat e nismat e tjera ndërkombëtare. Njëkohësisht ofron mbrojtje ligjore të nevojshme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore duke u bazuar dhe mbështetur në kriteret profesionale të përcaktuara në legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Vehapi priti një delegacion të EPA-s Amerikane

0

Sot, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, ka pritur në takim një delegacion të EPA-s Amerikane në përbërje prej: Jose Zambrana, Lan Alexis, Cairns Maryann, Clayton Cox . Në takim u diskutua për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i Komunës së Rahovecit si një nga Komunat buzë pellgut të lumit Drin”.

Jose Zambrana, zyrtar nga delegacioni i EPA-s, tha se “jam këtu me ekipin nga SHBA-të dhe para 25 viteve është themeluar Qendra për Mbrojtje të Ambientit. Gjatë këtyre viteve EPA, ka qenë partner kryesor për mbrojtjen e ambientit, ne si delegacion jemi nga pjesa shkencore e agjencionit për hulumtime ne resurse”.

“Ne kemi punuar me qendrën rajonale për zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë , dhe për këtë ne kemi ofruar shkencën tone, por gjithashtu, ne jemi këtu që të mësojmë të angazhohemi në këtë drejtim”, tha Zambrana.

Kryetari Vehapi i falënderoi anëtarët e delegacionit të EPA-s, për vizitën dhe për përzgjedhjen e Komunës së Rahovecit për projektin “Zhvillimi i qëndrueshëm i Komunës së Rahovecit si një nga Komunat buzë pellgut të lumit Drin”. Ai i njoftoi edhe për gjendjen e mjedisit në Komunën e Rahovecit, duke thënë se gjendja mjedisore në Komunën e Rahovecit, nuk bënë përjashtim prej asaj që është në përgjithësi në Kosovë.

“Kemi ligje për mjedisin, strategji por buxheti i cili duhet të ndahet prej Qeverisë për çështjen mjedisore edhe ma tutje nuk është në plan të parë, por që besoj që shumë shpejtë edhe kjo do të jetë në agjendë e institucioneve qendrore”, tha Vehapi

“Ende na përcjellin probleme me menaxhim të mbeturinave në përgjithësi, por sidomos të mbeturinave inerte të cilat janë mbet edhe më tej pa ndonjë veprim konkret që do të zgjidhnin këtë problem. Përveç mbeturinave të ngurta kemi probleme edhe me ujëra të zeza, për trajtimin e ujërave të zeza Komuna ka përgatit një projekt për trajtimin e tyre, por që zbatimi i tij kap kosto të madhe. Për zbatimin e projektit, jemi duke kërkuar donator që të mundësohet realizimi i këtij projekti të rëndësishëm për banorët e Komunës së Rahovecit”, tha ai.

Pas takimit me kryetarit në zyrën e tij, delegacioni i EPA-s, patën takim me të gjithë drejtorët e drejtorive komunale dhe morën informacione e duhura për secilin sektor nga drejtori përkatës.

Delegacioni i EPA-s Amerikane vizitën e tyre në Komunën e Rahovecit, do të vazhdojnë edhe me datën 8 tetor me vizitat në teren, ku janë planifikuar të vizitën shumë vende që konsiderohen si pika kritike ku ndodhin vërshimet, vendet me tokat që përmbyten shpesh dhe që kanë nevojë për sisteme të kullimit erozionet e tokave, erozioni i shtratit të lumit Drin, vendet me mbeturina .

Në kuadër të vizitës informatat që do të merren nga kjo vizitë do të trajtohen në Ohër të Maqedonisë (10 deri 14 tetor), në një punëtori me përfaqësues nga të gjitha Komunat Kosovës dhe të Shqipërisë të cila janë pjesë e këtij projekti. /PrizrenPress.com/

Policia arreston Naser Shatrin

0

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se sot policia ka arrestuar aktivistin e saj, Naser Shatri, në kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, i cili kishte kryer aksionin për rrëzimin e xhipave të EULEX-it në vitin 2009.

“Në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, në orët e paradites së sotme, Policia e klanit “Pronto” ka arrestuar aktivistin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Naser Shatrin”, thuhet në njoftimin e VV-së.

“Aktivisti Shatri, njëkohësisht ish – ushtar i UÇK-së, është arrestuar në lidhje me aksionin protestues të rrotullimit të xhipave të EULEX-it, në vitin 2009, me të cilin Lëvizja VETËVENDOSJE! paralajmëronte se ky mision ndërkombëtar nuk do të sillte drejtësi. Një gjë e cila u vërtetua më përfshirjen e zyrtarëve të këtij misioni në korrupsion, për luftimin e të cilit edhe thirren”.

“Klani “Pronto” në vazhdimësi është duke e përdorur Policinë si mjet për ta luftuar opozitën, teksa aferat e këtij klani sa vijnë e shtohen. Kërkojmë lirimin e menjëhershëm të aktivistit Naser Shatri dhe kërkojmë që të pushojnë përndjekjet ndaj aktivistëve tanë. Ashtu siç u dëshuma se misioni i EULEX-it është i padrejtë e i korruptuar, po aq e qartë është nevoja për largimin e klanit “Pronto” nga pushteti, këtij organizimi kriminal që po e shkatërron vendin”.

“Përpjekja jonë për çlirimin e institucioneve, vendosjen e drejtësisë dhe Republikën e së drejtës nuk do të ndalet asnjëherë. Lufta jonë për drejtësi do të vazhdojë. Çlirimi i Kosovës nga klani “Pronto” do të ndodhë”. /PrizrenPress.com/

Aksident i rëndë në Malishevë (Foto)

0

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Malishevë, ku besohet se janë tri vetura të përfshira.

Ende nuk dihet nëse ka ndonjë person të lënduar, edhe pse veturat janë mjaft të dëmtuara, shkruan Express.

Shkaku i aksidentit është i panjohur.