30.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
Home Blog Page 6282

Momenti i ri, qasje e re

0

Pas zgjedhjes së Hashim Thaçit në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, analistët politikë konsiderojnë se është krijuar një situatë e re e cila mund të ndikojë në agresivitetin e partive politike opozitare, por ka edhe elemente që mund të ndikojnë në ridizajnimin e kërkesave të tyre politike.

Driton Selmanaj, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se tani mund të ketë një qasje më agresive të Opozitës.

“Kauzat që ato kanë ngritur për 5 muaj dhe së fundmi të artikuluar edhe me qartësisht me (kauzën kundër) të presidentit, dolën të pasuksesshme. Sidomos rasti i fundit. Kjo ndjenjë e betejës së humbur mund ta rrisë agresivitetin e tyre në veprime politike. Kjo i bie që mund të tensionohet skena politike. Mund të kemi qasje më agresive të opozitës karshi pushtetit. Kjo mund të ketë element tjetër, i cili mund të ndikojë ndoshta në rishikimin e pozicioneve politike që i kanë partitë politike opozitare karshi situatës”, thotë Selmanaj.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj, thotë se situata politike mund të rrëshqasë edhe më shumë drejt një krize me zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Konsideroj se opozita do të vazhdojë që të mos e njohë zotin Thaçi si president të vendit dhe natyrisht në një krizë të tillë politike, marrë parasysh këtu edhe paralajmërimet e opozitës se do të vazhdojë me veprimet e veta parlamentare demokratike, siç i quajnë, dhe të tjera, unë besoj se kriza vetëm sa do të vijë duke u thelluar”, thekson Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se të dy taborët politikë, si të partive të koalicionit qeverisë, por edhe të atyre në opozitë, duhet të mendojnë për një qasje të re për dalje nga gjendja e krijuar.

“Nuk e besoj se [opozita] do të vazhdojë ashtu siç ka vazhduar deri tash, pasi që tash ka një situatë të re. Ka një momentum të ri politik që besoj se kërkon një qasje të re nga të gjitha palët”, vlerëson Mushkolaj.

Ndërkaq, Selmanaj thotë se nëse ka ekzistuar një mundësi e vogël për të bashkuar liderët politikë dhe për të gjetur një zgjidhje për krizën, ka qenë dera e hapur në Presidencë.

Por, tash, sipas tij, edhe ajo mundësi me zgjedhjen e Hashim Thaçit president, është mbyllur.

“Krejt kjo krizë politike vjen si rezultat i rolit politik që ky protagonist ka pasur. Demarkacioni është nënshkruar nga zoti Thaçi. Çështja e asociacionit është negociuar për dy, tre vjet nga zoti Thaçi.

Keq-qeverisja në Kosovë është sinonim i zotit Thaçi dhe tash është vështirësuar jashtëzakonisht shumë qasja e opozitës te ky institucion. Unë mendoj se tash mund të kemi një rol më pro-aktiv të faktorit ndërkombëtar”, thekson Selamanaj.

Liderët e opozitës, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë theksuar se Hashim Thaçi, i cili në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur për president të ri të Kosovës, “nuk mund të jetë president i Republikës”.

Mungesa e reflektimit nga ana e liderëve të partive më të mëdha politike në Kosovë, për gjetjen e një zgjidhjeje politike rreth gjendjes së krijuar, sipas analistëve politikë, dëshmon se tash për tash, në skenën politike kosovare, nuk ka ndonjë ide se si të dilet nga kriza.

Partitë politike të opozitës e kanë kundërshtuar gjatë zgjedhjen e Hashim Thaçit president.

Ato vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen ndërmjet Kosovë?s dhe Serbisë? në? Bruksel, të arritur më 25 gusht, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, dhe atë të shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi. /REL/

Raufi: Ka prova për likuidimin e 4 pjesëtarëve të grupit të Kumanovës

0

Avokati i grupit Kumanova Naser Raufi thotë se ka prova që dëshmojnë likuidimin e disa prej prestarëve të Grupit të Kumanovës pas dorëzimit, ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme nuk beson të ketë ngjarë diçka e tillë, sidomos jo në ambientet e stacionit policor.

Avokati Raufi, thekson se denoncimi i bërë nga pjesëtarët e grupit në gjykatë, do të mbështetet edhe me prova shtesë.

“Jo që kam informacion, por kemi edhe dëshmi. Dëshmitë janë nga ana e këtyre të akuzuarve që unë i prezantoj. Domethënë janë në vendin e ngjarjes kanë konstatuar, bëhet fjalë për 4 persona që janë dorëzuar tek Ministria e Punëve të Brendshme. Kemi dëshmi prej vetë të akuzuarve që kanë qenë në grup me këta që praktikisht janë likuiduar. Ne do ta argumentojmë dhe kemi prova, pavarësisht se Prokuroria e mohon këtë, sepse e kemi pritur ne si palë mbrojtëse që do të jetë e mohuar. Nënkuptohet arsyeja e mohimit, pasi duhet të ketë përgjegjësi nga personat e involvuar”, ka deklaruar Naser Raufi, avokat në emisionin Intervista,raporton shenja.

“Pas publikimeve dhe hetimeve brenda Ministrisë së punëve të Brendshme, nuk kemi njohuri të tilla, as raste të dokumentuara. Nuk besoj të ketë mundur të ndodhë një gjë e tillë brenda stacionit policor. Megjithatë këtyre pyetjeve duhet të ju përgjigjen njerëz nga shtabi, pra ata që e kanë udhëhequr aksionin e Kumanovës në atë moment”, është shprehur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Avokati Raufi pohon se e gjithë ngjarja në Kumanovë ka zgjatur vetëm disa orë, ndërsa është mbajtur artificialisht tensioni me qëllim që të përfshihen palë të ndryshme dhe të destabilizohet vendi.

“Nuk është e vërtetë që ka qenë konflikt disa orë siç u tha fillimisht, 38 orë. Tërë ky konflikti është prej orës 5 të mëngjesit dhe ka mbaruar për 5-6 orë, pra rreth orës 11. është pjesë e skenarit që kinse luftohet edhe më tutje, për arsye sipas meje që të destabilizohet jo vetëm lokaliteti por tërë Republika e Maqedonisë, por për fat të mirë nuk u involvua asnjë strukturë, nuk u keqpërdor ky aksion artificial dhe skenar i shërbimeve sekrete”, ka thënë më tej avokati Raufi.

Raufi tha se do të kërkojë edhe obduksionet e Mjekësisë Ligjore të Kosovës, për shkak të dyshimeve se nuk përputhen me obduksionet e Maqedonisë.

Ai gjithashtu paralajmëroi se me kërkesë të avokatëve mbrojtës, për dëshmi në gjykatë do të ftohen ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ish shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov dhe disa pjesëtarë të tjerë të shërbimit sekret.

Hatim Baxhaku: Nuk tërhiqem nga qëndrimet për Hashim Thaçin

0

Deputeti i LDK-së Hatim Baxhaku thotë nuk tërhiqet nga qëndrimet e fundit të tij për zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës. Ai tregon se postimet e fundit në Facebook i janë fshirë nga njerëz të panjohur

Postimi i plotë në Facebook

Të dashur miq.
Ju njoftoj se mbrëmë më është sulmuar llogaria ime në Facebook dhe më janë fshirë dy postim e mia të fundit.
Me këtë rast dua të deklaroj se qëndroj fortë prapa prononcimeve të bëra në ato shkrime.
Faleminderit

Si e vrau Enver Hoxha shoqen e klasës!

0

Sabiha Kasimati ishte 39 vjeç kur një togë pushkatimi qëlloi mbi të pa pasur asnjë dënim me vdekje dhe asnjë vendim gjykate që e njihte fajtore. Plumbat nuk e kapën, por ushtarët e vranë me kondakët e pushkëve.

Ishte një nga 22 personat që u pushkatuan për atë që njihet si bomba e Ambasadës sovjetike. Asnjë nuk kishte faj. Sabiha Kasimati ishte shkemcëtare, kishte studiuar në Itali.

Por ajo kishte një problem. Kishte qënë shoqe klase me Enver Hoxhën dhe njihte të shkuarën e tij. Ajo u pushkatua më 22 Shkurt 1951.

Viktor Kasimati, nipi i saj e komenton kështu dënimin e hallës së tij.

Z. Viktor, halla juaj është një prej 22 personave që u pushkatuan mesnatën e 26 shkurtit, pas bombës në ambasadën ruse në Tiranë. Si e mbani mend Sabiha Kasimatin, që në atë kohë keni qenë rreth 16 vjeç?

Ka qenë një vajzë e zgjuar, energjike dhe tepër prerë, nga sa kujtoj unë. Ajo nuk u martua kurrë dhe për këtë po përdor fjalën vajzë. Në ato vite të para të pasluftës, kur unë isha ende fëmijë, dëgjova në familje që hallës i ishte ofruar një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga miqtë e saj me të cilët kishte studiuar në Torino. E dëgjoja kur fliste me babanë dhe i tregonte që e kishte refuzuar këtë mundësi, sepse dëshironte të punonte në vendin e saj në Shqipëri. Menjëherë në këtë kohë, me kthimin në Shqipëri, u emërua në Institutin e Shkencave që ishte institucioni më i lartë shkencor i atyre viteve, me drejtor Selaudin Toton dhe ku bashkëpunoi me disa nga emrat më të njohur të shkencës së atyre viteve si Suad Asllani, profesor Zuber, (një polak që jetonte dhe punonte në Shqipëri, etj.). Në këtë kohë u largua nga banesa ku jetonte me ne dhe u shpërngul në një apartament më vete, për të qenë më e lirë për të punuar.

Pra duket se në këto vite të para të pasçlirimit, Sabiha Kasimati ka pasur një pozicion të vlerësuar në shkencën shqiptare. Si ndodhi që pozicioni i saj ndryshoi? Cila qe arsyeja?

Ç’është e vërteta, deri në vitet 1945-1946 duket se gjërat po shkonin mirë, por nje fillim të viteve 1947-1948, lufta e klasave në vend nisi të ashpërsohej. Dhe ky ishte një qëndrim, me të cilin Sabihaja nuk u pajtua kurrë. Gjërat u rënduan më tepër kur filloi të dënohej dhe të goditej elita e intelektualëve, një pjesë e të cilëve ishin shokët e saj. Sidomos pushkatimi i Selaudin Totos krijoi tek ajo një zhgënjim të madh dhe e bëri të krijonte një bindje tërësisht kundër regjimit komunist. Shpesh vinte dhe bisedonte me babanë, duke u shprehur që të gjitha këto që po bëheshin ishin të padrejta dhe se shteti nuk mund të ndërtohej mbi vrasje dhe dhunë. “Kurrë nuk i kam besuar doktrinës komuniste, – shprehej ajo, – por tashmë po bindem se nuk isha gabuar!”. Kishte një guxim të jashtëzakonshëm dhe i thoshte hapur mendimet. Për më tepër ajo njihej nga afër me Enver Hoxhën.

Ku ishte njohur Sabihaja me Enver Hoxhën dhe pse mendoni që ndëshkimi i saj do të vinte nga kjo njohje e hershme?

Kishin qenë në një klasë në Liceun e Korçës. E njihte mirë kapacitetin e tij intelektual dhe shumë nga veset e rinisë së tij të hershme. Kjo më ka bërë gjithmonë të besoj që Enver Hoxha personalisht kishte një arsye më tepër për të kërkuar eliminimin e saj. Sigurisht qëndrimi i Sabihasë, që e fajësonte hapur ish-shokun e klasës për krimet që po kryheshin në vend, i krijoi diktatorit mundësinë që të gjente shkak për eliminimin e saj, e pse jo edhe ta përfshinte në veprimtari terroriste, ashtu siç veproi. Të mbushje dosje në atë kohë, rezulton që nuk paska qenë edhe aq e vështirë, e sidomos për t’i nxirë ato ishte tepër e thjeshtë. Fare mirë në dosjen e saj mund të jetë shënuar edhe fakti se shoqëroi një gazetar laburist anglez që kishte ardhur për të vizituar vendin tonë, duke qenë se Sabihaja njihte disa gjuhë perëndimore. Por më vonë, askush nuk i pengonte organet tona të inteligjencës që ta interpretonin këtë fakt si “veprimtari agjenturore”.

Më thatë më sipër se besonit që Enver Hoxha kishte një arsye më tepër për ta eliminuar hallën tuaj. Cila qe kjo arsye?

Gjithmonë kam menduar që Enveri i ruhej asaj. Dhe ky nuk është vetëm një hamendësim. Fakti që ajo dinte jo vetëm shkallën e tij intelektuale, për të cilën nuk kishte ndonjë konsideratë të veçantë, por edhe moralin e tij si njeri dhe si burrë, e përforcon këtë fakt. Ndonëse në praninë time halla rezervohej në bisedat rreth Enverit, kisha dëgjuar ndërsa bisedonte me tim atë se: “Udhëheqësi nuk ishte ai që shfaqej. Se, nuk ishte dhe aq tipi i luftëtarit se sa tipi i Don Zhuanit, që nuk shquhej për ndonjë moral me vlera…”. E kishte njohur drejtuesin e vendit gjatë viteve të tij të rinisë, atëherë kur ishte edhe më e lehtë për të gabuar dhe me sa duket, rinia e Enverit kishte gjëra që duheshin fshehur. Jo vetëm kaq. Enver Hoxha me shumë nga sjelljet amorale të viteve të liceut, kishte bërë një figurë jo të mirë edhe në mjediset e qytetit. Ishte kjo jetë tjetër e “udhëheqësit të lavdishëm”, për të cilën halla fliste shpesh në rrethet e afërta shoqërore dhe intelektuale. Ndërkaq, më vonë ajo filloi të fliste hapur për Enver Hoxhën, duke e akuzuar si fajtorin kryesor për goditjet që po merrte elita shqiptare. Rebelimi i saj filloi sidomos pas pushkatimit të grupit të deputetëve…

Pra ju mendoni që vetë Enver Hoxha është përgjegjësi kryesor dhe protagonisti që kërkonte eliminimin e Sabiha Kasimatit. Ju thoni që ai u trembej fakteve që njihte halla juaj nga rinia e tij, si është e mundur që duhej të priste deri në vitin 1951 për ta eliminuar?

Sepse së pari mendoj që duhej gjetur një shkak dhe së dyti, në Shqipëri pati një periudhë kur lufta e klasave njohu një lloj relaksi, sidomos pas rrëzimit të Koçi Xoxes dhe grupit të tij. Shkurti i vitit 1951 dhe bomba e vendosur në ambasadën sovjetike në Tiranë do të shënonin një moment të përshtatshëm për të dhënë një goditje tjetër të madhe. Dhe natyrisht pushkatimi i 22 personave brenda një nate ishte një mënyrë e mirë.

Si e kujtoni momentin e ndalimit dhe të pushkatimit të Sabiha Kasimatit?

Ju thashë që në ato vite ajo jetonte në një apartament më vete. Një natë pas shpërthimit që ndodhi në ambasadën sovjetike, ku ishin thyer disa xhama, në apartamentin e saj kishte qenë e ftuar një mikeshë. Pikërisht atë mesnatë Sabihanë e kishin arrestuar. Të nesërmen në mëngjes shoqja e saj trokiti në shtëpinë tonë. Doli babai e pas tij edhe unë. “Mbrëmë kam qenë tek Sabihaja dhe atë e arrestuan”, – tha ajo.?Nuk dinte të thoshte asgjë më tepër. Askush nuk kish dhënë motivet e arrestimit. I kishin hedhur prangat dhe e kishin marrë në Degën e Brendshme, pa asnjë sqarim.

Si reagoi babai juaj, çfarë menduat në atë kohë?

Fillimisht besonim që mund të kishte qenë ndonjë ngatërresë dhe as mund të mendonim ndonjë motiv për të cilin ishte kryer arrestimi. Ato ditë u ndaluan më tepër se 300 persona për verifikime dhe për t’u marrë në pyetje, ndaj besuam që edhe Sabihaja mund të ishte një prej tyre, por kurrë nuk na e mori mendja që do të përfundonte deri në ekzekutim. Ndërkohë nga ana tjetër diçka na linte të dyshonim: Nëna ime disa herë kishte shkuar në Degën e Brendshme për t’i çuar ushqime, por ushqimet ishin kthyer mbrapsht dhe veç kësaj, ne nuk arrinim të merrnim dot kontakte me të. Megjithatë, në radhët e miqve që kishim po përpiqeshim të mësonim diçka më tepër se si ishte puna dhe çfarë mund të bënim për ta liruar. Shumë e vështirë të merrje vesh ndonjë të re. Atëherë gjyshja ime vendosi të shkonte dhe të takohej me Omer Nishanin, me të cilin njihej personalisht. Por përgjigja e saj i zbehu shpresat dhe mendimin se kishte qenë një gabim. Fjala e Omerit kishte qene e prerë: “Nuk kam ç’të bëj. Ajo fliste shumë për komandantin!”. Atëherë e kuptuam se ku rrihte çekani. Gjërat ishin shumë më të thella nga sa dukeshin. Gjithçka ishte personale, nuk kishte pikë dyshimi. Me sa duket zemërimi i Enver Hoxhës kishte arritur kulmin. Për më tepër, ai nuk mund të lejonte që një femër, ish-shoqja e tij e klasës, të fliste për të, të tregonte hapur gjithçka që dinte dhe të dilte kundër tij, duke e akuzuar poshtë e lart për gabime e faje, të vjetra e të reja. Me këtë ndëshkim ai do të tregonte që ishte i fuqishëm dhe nuk duhej të dilnim kundër tij. Dua të shtoj, që për më tepër nuk mund të jetë aspak i rastësishëm fakti që pjesën më të madhe të atyre që u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951, Enver Hoxha i njihte personalisht. Gjithsesi nuk u ndalëm. Ndoshta kishte ndonjë mundësi shpëtimi, që të paktën gjërat të zbuteshin. Menduam që të provonim një herë me xhaxhanë tim, i cili kishte studiuar së bashku me Omerin. Ndoshta ai do të arrinte të nxirrte ndonjë gjë në dritë. Të mësonte më saktësisht se si ishin punët dhe deri ku rrezikonte Sabihaja. Ato ditë më kujtohet që xhaxhai po përpiqej të merrte kontaktet me ish-shokun e tij të shkollës për të lënë një takim. Por në këto përpjekje disa miq të afërm kishin mësuar se çfarë kishte ngjarë: Sabihanë e kishin pushkatuar së bashku me 21 persona të tjerë. Pra, nuk kishim ç’të bënim më tepër. Gjithçka kishte marrë fund, brenda 2-3 ditëve. Sigurisht kohë e shkurtër për të pyetur dhe për të çuar drejt vdekjes 22 persona, megjithatë, kishte marrë fund.

A pati ndonjë njoftim zyrtar në media për këtë çështje? Po juve si familje, a ju dhanë sqarime për ngjarjen?

Asnjë sqarim. Asgjë publike. Ishin pushkatuar dhe kaq. Me një gjyq të zhvilluar në mungesë, nga sa morëm vesh vite më vonë, falë dekretit firmosur nga Omer Nishni, po ato ditë, në mos pas pushkatimit, ku lejohej të kryhej gjyqi në mungesë, për personat që akuzoheshin për veprimtari terroriste. Vendim, për të cilin fqinji ynë i atëhershëm jurist u shpreh: “Ky vendim është një dëshpërim”. Dhe ky vendim i dëshpërueshëm, disa muaj më vonë u pasua nga fjala e Enver Hoxhës: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza”…

Presidenti shkon në Kushtetuese!?

0

Zgjedhja e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, në postin e presidentit mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, pasi vlerësohet se janë shkelur procedurat në seancën për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Subjektet opozitare thonë se janë duke i shqyrtuar aspektet juridike dhe nuk e mohojnë mundësinë që ata t’i drejtohen Kushtetueses për ta vlerësuar kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Thaçit.

Madje, sipas analistëve politikë dhe juristëve, nëse merret parasysh vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentit, Behgjet Pacolli, atëherë edhe zgjedhja e Thaçit mund të hidhet poshtë, pasi në atë vendim thuhet se në sallë duhet të jenë të pranishëm të gjithë deputetët (120) me përjashtim të atyre që kanë leje nga Kuvendi. E në seancën kur u zgjodh Thaçi president kanë marrë pjesë 81 deputetë.

Përderisa, në Nenin 86, pika 4 të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e ish-presidentit, Behgjet Pacolli, thuhet në sallë duhet të jenë të pranishëm të gjithë deputetët.

“Lidhur me këtë, Gjykata vëren se lidhur me numrin e votave që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, Neni 86-4 i Kushtetutës siguron se presidenti i Republikës së Kosovës do të zgjidhet me dy të tretat (2/3-at) e ‘votave të të gjithë deputetëve’ të Kuvendit, që do të thotë së të gjithë 120 deputetët duhet të votojnë, minus ata deputetë të cilët kanë marrë leje nga kryetari i Kuvendit…”, thuhet ndër të tjera në këtë vendim të gardianit të Kushtetutës së vendit. /Zëri/

Presidentja që nuk ktheu goditjet

0

Atifete Jahjaga gjatë mandatit të saj presidencial asnjëherë nuk u mor me ato që u thanë për të, edhe kur mund të jetë ndier e fyer rëndë.

Më 7 prill të vitit 2011 Atifete Jahjaga nga pozita numër 2 e hierarkisë policore të vendit u ngjit në postin e numrit një të shtetit.

Zëvendësdrejtoresha e Policisë së Kosovës, deri atëherë thuajse krejtësisht e panjohur për opinionin, u bë Presidente pas një marrëveshjeje të katër politikanëve burra-tre liderëve kosovarë dhe një ish-ambasadori amerikan.

Atëherë, në konferencën për shtyp të 6 prillit 2011 në një anë dolën Isa Mustafa, Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli si nënshkrues të marrëveshjes dhe në anën tjetër qëndroi ish-ambasadori Christopher Dell-i si garantues i saj.

Zgjedhja e Jahjagës tejkaloi krizën politike në të cilën kishte hyrë Kosova, pas dorëheqjes së Presidentit Fatmir Sejdiu dhe zgjedhjes së Behgjet Pacollit në këtë pozitë që u kontestua nga Gjykata Kushtetuese.

Ish-ambasadori Dell kur prezantoi Jahjagën si Presidente, pas bërjes publike të marrëveshjes me liderët, tha se as ajo nuk e ka ditur se do të vinte në krye të shtetit.

“Atifete Jahjaga është zgjuar sot në mëngjes pa ditur gjë që jeta e saj do të ndryshonte. E di shumë mirë se ajo kurrë nuk e ka kërkuar këtë nder. Megjithatë, në përputhje me mënyrën si ka jetuar ajo, kur detyra e thërret, ajo i përgjigjet asaj pa ngurrim,” tha atëherë Dell.

Por Jahjaga nuk e nisi detyrën e saj të re e të panjohur me trimërinë që i karakterizon pjesëtarët e forcave të rendit. Ajo u mbyll për një kohë në “kullën” e Presidencës, duke mos pranuar intervista për mediet.

Megjithatë, kur mbajti fjalimin e saj të parë vjetor në Kuvendin e Kosovës, të obliguar me kushtetutë në dhjetor të 2011-ës, Jahjaga nuk i harroi miqtë ndërkombëtarë kur përmendi dialogun me Serbinë.

“Së bashku me miqtë tanë ndërkombëtarë ne kemi nisur një proces dialogu me Serbinë… Pasi nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, ne do të ndërtojmë të ardhmen… Dialogu do të ketë sukses,” tha atëherë Jahjaga.

Në fjalimin e fundit në Kuvend më 17 dhjetor 2015 Jahjaga veshi rroba të bardha.

Ngjyra e bardhë nënkupton fillim të ri, pastërti, pafajësi, përsosshmëri e plotni. Por Presidentja që ka pagën më të lartë në rajon e dhjetëfishoi pasurinë gjatë mandatit.

Në vitin 2011 ajo deklaroi 7 mijë e 849 euro në bankë dhe një makinë të vlerës 6 mijë euro.Pesë vjet më vonë ajo ka 86 mijë euro në llogaritë bankare.

Megjithatë, po të shikohen deklarimet e pasurisë së liderëve tjerë institucionalë, sidomos vlera e pronave dhe shtëpive të tyre, Jahjaga mund të konsiderohet edhe e varfër në raport me ta.

Përfaqësimi jashtë vendit

Ish-këshilltari i Presidentes Jahjaga dhe deputeti i tashëm i “Vetëvendosjes” Ilir Deda thotë se ajo e përfaqësoi mirë vendin në daljet jashtë shtetit.

“Është shumë herët të vlerësohet se me çfarë do të mbahet mend Presidentja Jahjaga. Një pikë ku duket se ka pajtim është se ajo do të mbahet në mend për përfaqësim shumë të mirë në sferën ndërkombëtare dhe me heshtje në disa raste shumë të rëndësishme të brendshme,” shpjegon Deda.

Jahjagës gjatë tërë mandatit nuk i mungoi ndihma amerikane dhe ajo i pati të shpeshta takimet me zyrtarë të këtij shteti.

Në dhjetor të vitit 2011 u prit përzemërsisht nga sekretarja e atëhershme e shtetit Hillary Clinton. E trimëruar nga kjo vizitë, pas kthimit në Kosovë Jahjaga paralajmëroi luftim më të ashpër të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Dy muaj më pas, pikërisht në Ditën e të Dashuruarve-më 14 shkurt 2012 Presidentja themeloi Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit që nuk i dha ndonjë goditje atij që konsiderohet “kancer i shoqërisë”.

“Kosova është në një fazë të hershme të luftës kundër korrupsionit. Një qasje më gjithëpërfshirëse dhe strategjike është e domosdoshme për të siguruar rezultate reale në luftimin e korrupsionit endemik në Kosovë,” thuhet në Raportin e Progresit të vitit 2015 për Kosovën të publikuar më 10 nëntor të vitit të kaluar.

Në 69 faqe të këtij raporti fjala korrupsion përmendet plot 66 herë.

Në shtator të vitit 2014 Jahjaga u nderua me çmimin për “Lidership në Sferën Publike” dhe krijim të paqes nga “Iniciativa Globale Clinton” e themeluar nga ish-Presidenti amerikan Bill Clinton në vitin 2004.

Nëntorin e vitit të kaluar Jahjaga përsëri zhvilloi vizitë disaditëshe në Amerikë, e ftuar nga Presidenti Obama në kuadër të hapjes së punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Pas kthimit nga kjo vizitë në samitin Brdo-Brioni që organizohet bashkërisht nga Kroacia e Sllovenia, Jahjaga zhvilloi një takim shumë miqësor me nënkryetarin amerikane Joe Biden. Ky takim zgjati më shumë se sa pritej, duke vonuar foton e përbashkët të liderëve shtetërorë të pranishëm.

Gjatë këtij samiti kur Jahjaga po nënshkruante deklaratën e përbashkët, Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq, ktheu kokën në anën tjetër, duke mos mundur ta përballojë si duhet praninë e Kosovën si vend i barabartë me të tjerët.

Jahjaga u duk se nuk u lëndua nga ky gjest. Tha se është një veprim që nuk ia vlen të komentohet.

Presidentja vitin e kaluar vizitoi edhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Nga atje u kthye me një donacion prej 22 milionë eurosh për një spital fëmijësh.

Punët e pakryera

Por brenda vendit Jahjaga vazhdimisht u shikua me sy tjerë. Ilir Deda ia zë asaj për të madhe pse nuk ndikoi që blloku “Vetëvendosje”, LDK, AAK e Nisma i krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2014 ta merrte pushtetin.

“Në fushën e politikës së brendshme dështimi më i madh i Presidentes është mospranimi i VLAN-it si vullnet politik për tranzicion politik në Kosovë, vullnet ky i bazuar në gati 70% të elektoratit në Kosovë. Si pasojë kishim ikjen e njerëzve në fund të vitit 2014 e fillim të 2015,” thotë Deda.

Jahjaga u angazhua ta pengojë edhe këtë lëshim të vendit. Ajo zhvilloi një turne nëpër komunat kosovare, duke u nisur nga më të prekurat prej migrimit, por nuk mundi të bëjë asgjë.

Vala e këtij migrimi u qetësua vetë kur kosovarët e morën vesh se nuk ka azil për ta. Atëherë migruan një numër i madh i njerëzve, ndërsa 18 mijë prej tyre tashmë janë riatdhesuar.

Jahjaga më 9 shkurt të këtij viti u takua me disa nga liderët e vendit për të gjetur zgjidhje rreth krizës politike. I pranishëm nga opozita ishte vetëm Ramush Haradinaj, ndërsa nga koalicioni qeveritar në takim morën pjesë Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Ish-këshilltari i Jahjagës Ilir Deda thotë se Presidentja nuk shfrytëzoi të gjithë mekanizmat e postit që mban.

“Kriza e tanishme kërkon propozime. Kompetencat presidenciale janë të mëdha, por nuk janë shfrytëzuar, e as autoriteti i zyrës gjithashtu. Presidentja është dashur të dalë me propozime për dalje nga kriza. Nuk kisha thënë që kjo e bën Presidente të brishtë, por të kufizuar me autoritet politik, më së shumti për shkak të pafuqisë në përballje me shtetin e zaptuar nga ana e PDK-së,” shpjegon Deda.

Solidariteti gjinor

Jahjaga u angazhua edhe për përfaqësim dhe të drejta të barabarta të grave. Ajo më 7 mars të vitit 2014 themeloi edhe Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, por edhe ky këshill nuk dha ndonjë rezultat për viktimat e këtij krimi.

Viktimat e kësaj së keqeje ende nuk kanë filluar të identifikohen, edhe pse kanë hyrë në kuadër të grupeve të personave që duhet të kompensohen për vuajtjet e përjetuara.

Jahjaga ishte përkrahëse e madhe e instalacionit “Mendoj për Ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa që iu kushtua viktimave të dhunimit. Kjo artiste pas grumbullimit të fustaneve dhe fundeve nga shumë gra e vajza i vendosi në stadiumin e Prishtinës si vetëdijesim për ata që përjetuan dhunën seksuale në luftë.

Jahjaga dha një fustan për këtë aktivitet dhe përçoi porosinë se përjetuesit e këtij tmerri nuk duhet të ndahen nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Moskthimi i goditjeve

Gjatë mandatit të saj Presidentja Jahjaga u përball edhe me situata të pafavorshme. Në vitin 2013 teksa po vizitonte një tempull fetar, një foto që qarkulloi nëpër medie e nxori atë në pozitë të papërshtatshme.

Për këtë rast Presidentja u ankua në gjykatë me anë të përfaqësuesit të saj ligjor, duke pretenduar se fotoja ishte e montuar.

Në janar të këtij viti Jahjaga u vizatua në një grafit me rroba të brendshme dhe xhaketë policie të hedhur krahëve. Po në janar në medie rodhën notat që Jahjaga kishte gjatë shkollimit të mesëm.

Presidentja nuk i komentoi me të njëjtën gjuhë këto ndodhi. Për notat tha se e kaluara e saj nuk është nën dry, ndërsa grafiti që e paraqiste në pozitë të papështatshme u fshi nga aktivistet e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës.

Ilir Deda veprimet e ulëta ndaj Jahjagës i konsideron frikë të politikanëve tjerë nga forcimi i mundshëm i saj.

“Përçmimi ka qenë i pandershëm, më së shumti i shfrytëzuar nga ata që e kanë kapur shtetin për shkak të frikës nga forcimi i saj. E megjithatë ajo me dinjitet i përballoi përçmimet, që flet shumë për të,” thotë Dedaj.

Ish-këshilltari i Presidentes është i bindur se Jahjaga nuk bëri gabime të pafalshme gjatë mandatit.

“Jahjaga nuk ka pasë gafa të pafalshëm, gafat e pafalshëm i kanë bërë Thaçi e Mustafa, të cilët – mos të harrojmë – as që e dinë gjuhën angleze,” përfundon Deda. /Gazeta JNK/

Thaçi ofron dorëheqjen nga posti i kryetarit të PDK-së dhe zëvendëskryeministrit

0

Hashim Thaçi i cili është zgjedhur ditën e djeshme në postin e Presidentit të vendit ka ofruar dorëheqjen nga pozita e tij në PDK dhe në Qeveri.

Burime të Express thonë se Thaçi ka ofruar dorëheqjan nga posti i tij si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Nga ana tjetër dorëheqje ai ka ofruar edhe në Qeverinë e Isa Mustafës ku Thaçi ka pozitën e zëvendëskryeministrit të parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme.

Në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës Thaçi u zgjodh President i katërt i Kosovës në rundin e tretë me 71 vota.

Kurteshi e Pantina në arrest shtëpiak

0

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar përmes një komunikate se ka marr vendim që dy deputetëve të opozitës Ismajl Kurteshi (VV) dhe Shqipe Pantinës (VV) t’iu shqiptojë masën prej 30 ditësh arrest shtëpiak, kurse për deputetin e AAK-së, Bali Muharremaj, shqiptohet masa e paraqitjes në stacionin policor.

“Departamenti i Krimeve të Rënda, duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore – Departamenti për krime të rënda, për caktimin e masës Arrest shtëpiak kundër të pandehurit Ismajl Kurteshi dhe caktimin e masës Paraqitje në stacion policor kundër të pandehurit Bali Muharremaj, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit, secili veç e veç kanë kryer veprën penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK, dhe veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1 të KPK, ndërsa kundër te pandehurës Shqipe Pantina për caktimin masës arrest shtëpiak, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale”, thuhet në komunikatë.

“Kundër të pandehurit Ismajl Kurteshi shqiptohet masa e arrestit shtëpiak e cila do të llogaritet që nga data e ndalimit të tij, gjegjësisht prej datës 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016, në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, ka bërë të ditur Gjykata Themelore.

Ndërsa kundër të pandehurit Bali Muharremaj, Gjkyata ka thënë se shqiptohet masa e paraqitjes në stacionin policor e cila do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar që nga data 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016.

“Kundër të pandehurës Shqipe Pantina shqiptohet masa e arrestit shtëpiak e cila llogaritet që nga data e arrestimit të saj, gjegjësisht prej datës 26.02.2016, deri me datën 26.03.2016, në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në komunikatë.

Gjykata Themelore ka bërë të ditur se, “ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 375 par.1 të KPK, veprën penale Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 par.1 të KPK , veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPK, dhe veprën penale Sulmi i personave zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par.1 të KPK”.

BBC shkruan mbi filmin ‘Shok’

0

Që historia e tij ka nisur me një ngecje në Kosovë, shkruan edhe BBC. Jamie Donoughe nga Leeds ka arritur që nga një producent i videove muzikore ta qojë historinë kosovare në Oscars.

Nesër është ndarja e çmimeve ndërsa BBC vetëm një ditë më herët ka realizuar një intervistë me Jamie. Ai vetë thotë se nominimi në Oscar ishte diçka e papritur, një vorbull ere i papritur në karrierën e tij si regjisor.

“Është sikur zgjedhje presidenciale. Duhet të lobosh për veten, të shfaqesh në sa më shumë filma dhe të mund të arrish suksesin” thotë Jamie për BBC në një intervistë ekskluzive.

Jamie tanimë gjendet me një pjesë të ekipit në Amerikë, për të pritur nëse nesër mbrëma ai shënon historinë duke e sjellë trofeun për filmin “Shok”.

“Nëse fitoj do të duhet të falënderoj shumë njerëz. Nuk po e mendoj shumë” tregon Jamie. /KultPlus.com/

Mashtruesi italian lihet në burg

0

Shtetasi italian, Aleksandër Donadon, 59 vjeç, i dyshuar se ka tentuar të përdorë Shqipërinë për pastrim të 640 mijë eurove, u la nga gjykata nën masën arrest me burg.

Prokurori i tha gjyqtares Teuta Hoxha se Donadon kishte depozituar çeqe në një bankë të nivelit të dytë, të sjella nga një bankë e San Marinos, një vend i njohur si parajsë fiskale. Këto çeqe në vlerën e 640 mijë eurove dyshohet se nuk kanë burim të pajustifikuar, ndërsa Donadon priste që pas mbarimit të afatit 45-ditor, këto çeqe t’i konvertoheshin nga banka në Tiranë.

Sipas organit të akuzës, dokumenti justifikues i burimit të këtyre fondeve është i paqartë. Gjithashtu prokuroria thotë se janë të falsifikuara edhe dy faturat e paraqitura nga i dyshuari me jusifikimin se do t’i tërhiqte depozitat për të blerë pajisje dentare që do t’i shiste në një kompleks spitalor në Tiranë.

Prokuroria thotë se ka dyshime që shtetasi italian të jetë pjesë e një grupi italian të proceduar për mashtrime financiare, por avokati i tij, i cili deklaroi se do ta apelojë çështjen, këmbëngul se Aleksandër Donadon është një biznesmen që kishte zgjedhur Shqipërinë të investonte për shkak të krizës në vendin e tij.

Mbi Donadon rendon vepra e pastrimit të parave dhe falsifikimit të dokumentave. /Top Channel/