8.3 C
Prizren
E hënë, 4 Maj, 2026
Home Blog Page 6554

Konfliktohen 3 kushërinj, përfundojnë në pranga

0

Policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona të të njëjtit fis, të cilët janë konfliktuar me njëri-tjetrin ditën e diel, pranë xhamisë së Farkës së Madhe. Xhevdet Aga, 61 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë trup shërbimi pranë stacionit të Policisë Farkë u arrestua së bashku me të birin Shkëlqim Aga, 37 vjeç dhe bashkëshorten V. Aga, 61 vjeçe.

Tre anëtarët e familjes përfunduan në pranga pas një konflikti që djali i efektivit, Shkëlqimi, pati me djalin e xhaxhai të tij H. Aga.

“Më datë 15.05.2016, në Farkë të Madhe, shtetasi H. Aga, duke udhëtuar me mjetin e tij, pranë xhamisë në Farkë të Madhe, është goditur nga mbrapa nga mjeti tip ‘Audi’, me drejtues shtetasin Shkëlqim Aga (kushërinj të parë), ku më pas janë konfliktuar me mjete të forta, si pasojë H. Aga është dërguar në QSUT, për mjekim”, njofton policia.

Por Shkëlqim Aga nuk është mjaftuar vetëm me dhunimin e djalit të xhaxhait. Mësohet se ai ka shkuar në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip automatik dhe ka shkuar tek banesa e shtetasit A. Aga, babai i të dëmtuarit, njëkohësisht dhe xhaxhai i tij.

Pas konfliktit verbal me xhaxhain dhe bashkëshorten e tij shtetasen S. Aga, ka qëlluar me armë muret rrethuese të banesës së A. Aga dhe është larguar. Më pas ka vijuar konflikti midis shtetasve Xhevdet Aga me të vëllain A. Aga dhe nusen e tij S. Aga, ku kjo e fundit është dhunuar fizikisht nga Xhevdet Aga.

Nga hetimet e kryera si dhe nga kqyerja e vendit të ngjarjes është faktuar se shtetasja V. Aga (e ëma e shtetasit Shkëlqim Aga), ka mbledhur gëzhojat e armës në vendin e ngjarjes dhe ka bërë fshehjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar: një armë zjarri tip kallashnikov me dy krehra dhe 21 copë fishekë

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Evropa kushtet, Kosova talentin

0

Tri skuadra kosovare do të dalin në Evropë

“E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane e çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte të mira, ndërsa ne e kemi cilësinë. Për të arritur rezultate çfarë po kërkojmë, duhet organizim i mirë, shumë punë e mbi të gjiha disiplinë, pasi në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka thënë Liridon Leci,shkruan gazeta Kosova Sot.

Të gjithë futbolldashësit kosovarë gjatë verës sytë do t’i kenë nga skuadrat, që do ta përfaqësojnë për herë të parë futbollin tonë në arenën ndërkombëtare, për ta parë kështu nivelin tonë karshi atij evropian. Pa dyshim se kjo mund të sjellë presion te lojtarët, të cilët në rast të paraqitjeve zhgënjyese, mund t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit dhe sigurisht pastaj edhe entuziazmi mund të vijë duke u shuar. Megjithatë, futbollistët e dy skuadrave, që pritet të dalin në garat evropiane, Feronikeli e Hajvalia, Mentor Zhdrella e Liridon Leci, janë të bindur se do të tregojnë nivel të lartë, dhe se nuk i frikë- son rivaliteti i skuadrave evropiane.

Ish-futbollisti i Kalmar-it të Suedisë, por edhe disa skuadrave në kampionatit shqiptar, Liridon Leci, e di shumë mirë nivelin e ekipeve evropiane, pasi pati rastin të marrë pjesë në kupat ndërkombëtare. Ai, në një bisedë për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se klubet tona nuk kanë pse të frikësohen nga forca e kundërshtarëve, por gjithsesi se duhet shumë punë, që të paraqiten siç po pretendojnë. Njëjtë mendon edhe futbollisti aktualisht më i miri në Kosovë, Mentor Zhdrella, i cili beson se rezultatet nuk do të mungojnë.

Zhdrella: Nuk do të zhgënjejmë

Njëri nga futbollistët më të mirë, që ka nxjerrë Superliga e Kosovës pas luftës, pa dyshim është mesfushori i Feronikelit, Mentor Zhdrella. Ish-lojtari i disa skuadrave kosovare sivjet feston titullin e kampionit me “Niklin”, gjë të cilën e kishte bërë me herët edhe me Hysin. Zhdrella është shumë i lumtur që më në fund edhe klubeve tona do t’u jepet mundësia të luajnë në garat ndërkombëtare derisa është i bindur se prezantimi i tyre do të jetë në nivelin më të lartë. “Nuk u frikësohemi aspak garave ndërkombëtare, edhe pse për ne do të jetë hera e parë që do të luajmë në ato gara. Do të japim gjithçka që të prezantohemi sa më mirë dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë, pasi kemi ekip cilësor dhe me përvojë”, ka thënë Zhdrella, i cili e ka të qartë për përgjegjësinë e madhe që kanë këtë herë. “Është e vërtetë që i gjithë opinioni këtë herë do të drejtohet nga ne, por kjo aspak nuk na jep presion dhe nuk frikësohemi se mund t’i zhgënjejmë. Gjithsesi, për rezultate të mira do të varet shumë edhe nga shorti që do ta kemi”, ka përfunduar Mentor Zhdrella.

Leci: Mungojnë kushtet, por jo edhe cilësia

Hajvalia këtë vit ka shënuar suksesin më të madh në histori të klubit. Skuadra prishtinase do të përfundojë si nënkampion i Raiffeisen Superligës dhe, sipas të gjitha gjasave, do ta prezantojë futbollin tonë në garat e Ligës së Evropës. Futbollisti kryesor i kësaj skuadre, Liridon Leci, ka thënë se ekipi po përgatitet për të pasur paraqitje sa më të mira në Evropë. “Vendi i dytë në kampionat është vërtet sukses për ekipin e Hajvalisë, sepse unë nuk mbaj mend që Hajvalia të ketë qenë në nivele të tilla”, ka thënë Leci, sipas të cilit për të pasur rezultate në arenën ndërkombëtare duhet shumë punë.

“Normalisht se duhen investime, duhen lojtarë me kualitete të larta për t’u ballafaquar me ekipet evropiane. Unë mendoj se si Hajvalia, ashtu edhe Feronikeli, që marrin pjesë në Evropë, nuk do t’i dëshpërojnë adhuruesit e futbollit, përkundrazi ne kemi mundësi dhe shanse të mira që të kemi rezultate edhe në Evropë. E di shumë mirë se çka kanë ekipet evropiane dhe çka kemi ne. Ata kanë shumë profesionalizëm dhe kushte shumë të mira, ndërsa sa i përket cilësisë jemi afër tyre, mirëpo thashë edhe më herët që duhet organizim, punë e shumë disiplinë, sepse në Evropë gabimet nuk falen, siç falën këtu”, ka përfunduar Liridon Leci.

Turqia, Gjeorgjia dhe Azerbajxhani, ushtrime të përbashkëta ushtarake

0

Ministrat e Mbrojtjes së Gjeorgjisë, Azerbajxhanit dhe Turqisë janë takuar në qytetin Qabala në Azerbajxhan, për të diskutuar rreth ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.

Pas takimit të djeshëm, ministri i Mbrojtjes i Azerbajxhanit, Zakir Gasanov, tha se vendet janë pajtuar që të mbajnë ushtrime të përbashkëta ushtarake, për t’i shtuar kapacitetet dhe gatishmërinë e trupave të tyre.

Nga ana tjetër, homologia nga Gjeorgjia, Tina Khidasheli, tha se qeveria e saj ka shprehur gatishmëri që disa nga këto ushtrime t’i ofrojë në Gjeorgji në vitin 2017 dhe se vendi do të bëhet gati për pranverën e vitit të ardhshëm që t’i organizojë ato.

Takimi vjen në kohën kur presidentët e Azerbajxhanit dhe Armenisë, bashkë me ndërmjetësuesit nga SHBA, Rusia dhe Franca, pritet të takohen sot në Vjenë, për të diskutuar për rajonin e trazuar të Nagorno – Karabakhut.

Edhe PSG e do Sanchezin

0

Klubi francez, PSG i është shtuar garës për ta blerë sulmuesin e Arsenalit, Alexis Sanchez.

Kiliani duket se në fund të këtij sezoni, do të largohet nga “Emiratës”.

Ai është duke u kërkuar nga Juventusi, por sipas mediave franceze, tashmë në garë për ish-sulmuesin e Barcelonës është futur edhe PSG-ja.

Kampionët e Francës janë duke kërkuar pasardhësin e Zlatan Ibrahimoviçit, i cili ka konfirmuar largimin nga Parisi.
Dhe Sanchez është përfshirë në listën e gjigantit francez.

 

Politikanët ushqehen nga krimi, nuk duan reformë në drejtësi

0

Sado që në retorikën e tyre i dëgjojmë partitë politike si nga pozita, po ashtu edhe nga opozita se janë për fuqizim të shtetit, pavarësisht përçarjeve që kanë, ato në fakt nuk bëhen bashkë, kur është fjala për interesin e vendit dhe të qytetarëve. Kjo klasë politike nuk ulet së bashku, të tejkalojë dallimet për të bërë një reformë në drejtësi, e cila përfundimisht do ta pastronte drejtësinë nga të korruptuarit,shkruan gazeta Kosova Sot.

Se janë këto vetëm deklarime mashtruese për opinionin publik të painformuar sa duhet, nga fakti që askush nuk po e merr iniciativën me kalendar dhe agjendë konkrete për këtë reformë, e nxjerrin si një përfundim real analitik edhe analistët e fushës së politikës dhe sundimit të ligjit. Sipas tyre, kjo lojë për publikun që vjen qoftë nga pozita, apo edhe nga opozita, nënkupton qartë frikën e të dyja palëve si nga njerëzit e pozitës, ashtu edhe ata të opozitës për ta sjellë një drejtësi të pastër, ngase të dy palët ushqehen e mbahen nga oligarkia e inkriminuar, korruptuese dhe kriminale, që është shtrirë gjithandej në institucionet e Kosovës.

Pushteti frikësohet se i humb privilegjet

Analisti politik, Florim Zeqa, i tha gazetës se pavarësisht kundërthënieve dhe raporteve të “acaruara” që kanë, pozita dhe opozita ishte dashur të ulen së bashku, për të hartuar një strategji të qartë veprimi për reformimin e sistemit të drejtësisë, mirëpo arsyeja e qasjes joserioze e subjekteve politike ndaj sistemit të drejtësisë në vend, është tek fakti se liderët e partive politike pushtetare dhe atyre opozitare, së bashku me klanet e tyre, ushqehen dhe mbahen nga oligarkia e inkriminuar, e korruptuar, e shantazhuar dhe kriminalizuar në sistemin e drejtësisë së kapur nga lidhjet e tyre kriminale.

Ai vlerëson se vetëm ndërrimi gjeneral i kësaj klase politike ngjall shpresën edhe për reformën e thellë në drejtësi. “Nga frika e humbjes së privilegjeve pushtetore dhe ruajtjes së sferave të interesit përmes zinxhirit korruptiv, liderët partiakë, përveç deklarimeve për konsum të brendshëm partiak, nuk mund të shkojnë tutje me iniciativat për reformimin e sistemit të drejtësisë. Madje, është iluzive vetëm të mendohet, që me këtë klasë politike kaq të papërgjegjshme, të korruptuar dhe shantazhuar të realizohet ndonjë lloj reformimi substancial në sistemin e drejtësisë. Prandaj, reformat në sistemin e drejtësisë janë të mundshme të arrihen vetëm me një klasë të re politike, të guximshme, me përkushtim dhe dashuri ndaj atdheut dhe së ardhmes prosperuese të Republikës së Kosovës”, u shpreh analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Flet gruaja e Shukri Xhelilit: Tregon bisedën me burrin natën kur doli video

0

”Asnjëherë nuk e kam menduar të divorcohem nga bashkëshorti. Ai është një njeri i mrekullueshëm, punëtor dhe korrekt”. Kështu shprehet në një intervistë bashkëshortja e kryebashkiakut të Peshkopisë, Shukri Xhelili, i cili në ditët e fundit ka përjetuar një situatë të vështirë, pas videos që qarkulloi nëpër media.

Për Tefta Xhelilin, nuk ka qenë e lehtë të përballojë gjithë këtë histori, por siç ajo shprehet, tashmë është e qartë se gjithçka që ka ndodhur është një inskenim për të goditur politikisht të shoqin dhe për t’i marrë atij Bashkinë.

“Natën e publikimit të videos Shukes iu drejtova me fjalët: ‘Ngrije kokën lart. Do të më kesh në krah deri në vdekje”, shprehet Tefta Xhelili.

Duke folur zonja e parë e Peshkopisë shprehet se bashkëshorti i saj po goditet nga persona me pushtet politik, ekonomik dhe ndoshta më tej, të cilët synojnë të marrin Bashkinë e Dibrës.

“Pas kësaj që ndodhi, familja Xhelili do të jetë më e bashkuar, më e fortë dhe më solide. Jam e befasuar kur shoh në disa media kolegë dhe vartës të Shukriut që çfarë nuk thonë e sajojnë, ndërkohë që kur ai ishte në detyrë, i serviloseshin dhe i rrinin pas ngado”, shprehet më tej ajo.

Gjatë gjithë reagimit, bashkëshortja e kryebashkiakut shprehet në krah të të shoqit. Edhe gjatë këtyre ditëve, sipas të njohurve të saj, ajo e ka demonstruar më së miri këtë mbështetje, duke pritur e përcjellë mjaft miq të familjes, të cilët i kanë qëndruar afër Shukri Xhelilit. Tefta Xhelili, nëna e dy djemve, vjehrra e dy nuseve dhe një mbese, thotë se i shoqi i ka kërkuar ndjesë me mënyrën e tij, pas publikimit të kësaj videoje.

(Kosova Sot)

Malisheva qohet në këmbë për Limajn

0

Malisheva e ka festuar në një mënyrë të veçantë vendimin e Gjykatës së Apelit, ku Fatmir Limaj e të tjerët u shpallën të pafajshëm në lidhje me rastin “Kleçka”, raporton portali Malisheva Magazine.

Malishevasit në qendër të Malishevës, kanë ndezur fishekzjarre në nder të Komandant “Çelikut” dhe për bashkëluftëtarët e tij.
Përveç fishekzjarrëve në qendër të qytetit, Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka organizuar një festë duke shtruar darkë për malishevasit e shumtë dhe deputetë e anëtarë të Nismës për Kosovën. /Malisheva Magazine

Demarkacioni e kthen opozitën në Kuvend

0

Opozita paralajmëron rikthim në Kuvendin e Kosovës në ditën kur pritet të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi. LVV-ja thotë se me çdo kusht do të angazhohet për ndalimin e këtij aprovimi. Qeveria, ndërkaq këtë Marrëveshje pritet ta procedojë në Kuvend në fillim të muajit qershor
Me të dëgjuar lajmin se Qeveria “Mustafa” po bën plane që në muajin qershor ta procedojë në Kuvendin e Kosovës Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi për ratifikim, partitë opozitare kanë paralajmëruar rikthim në Kuvend, për ta pamundësuar miratimin e kësaj Marrëveshjeje.

Opozita paralajmëron një kundërshtim të ashpër, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit, duke besuar se kjo Marrëveshje është e dëmshme për vendin dhe duhet ndaluar, shkruan sot gazeta ‘Zeri’.

Në anën tjetër, Qeveria gjatë dy seancave të ardhshme nuk do ta vërë në rend të ditës këtë çështje, që konsiderohet problematike, por diku ka fillimi i qershorit. Ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, i hap rrugë miratimit të rekomandimit të Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë është përmendur si njëri ndër kushtet e Bashkimit Evropian.

Unë mbreti, Messi princi

0

Pele, i mbiquajtur nga të gjithë si “O Rei” (Mbreti), ka thënë se Lionel Messi është lojtari më i mirë i kohës së tij dhe e ka përkufizuar yllin e Barcelonës si “princi” i futbollit.

Ish-numri 10-të braziliane është i bindur se argjentinasi ka të njëjtën rëndësi që ka pasur edhe ai gjatë karrierës së tij, pavarësisht se beson se “Pleshti” nuk është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave i Argjentinës.

“Nëse unë jam mbreti, atëherë Messi ka qenë princi për 15 vitet e fundit”, ka thënë Pele për “La Vanguardia .

“Nuk mund ta quaj mbreti, sepse ka vetëm një mbret. Besoj se Alfredo Di Stefano ka qenë lojtari më i kompletuar argjentinas. Ai ka qenë më i kompletuar se Maradona dhe Messi. Unë jam i kënaqur për faktin se kam luajtur në epokën time, edhe pse është vërtetë se tani gjërat janë më të lehta. Lojtar si Di Stefano nuk janë aq të njohur sepse nuk ka shumë materiale filmike nga paraqitjet e bëra në atë kohë”, ka thënë Pele.

Shesheli, kandidati i radikalëve për President

0

Lideri i Partisë Radikale të Serbisë, Vojislav Sheshel, është caktuar nga partia e tij që të jetë kandidat për të parin e Serbisë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, shkruan Vecernje Novosti.

Radikalët po ashtu kanë zgjedhur anëtarët e rinj të komitetit ekzekutiv dhe pozitat tjera të partisë.

Të gjithë anëtarët ishin të pajtimit që Sheshel t’i përfaqësojë në zgjedhjet e ardhshme Presidenciale të Serbisë.

Për momentin President i Serbisë është Tomislav Nikoliq.