26.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 6596

Shkullaku: Komunikimi i fundit nuk e tensionon situatën

0

Analisti politik Armand Shkullaku e ka vlerësuar normal komunikimin e fundit ndërmjet përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje! dhe kryeministrit Isa Mustafa.

Ai ka thënë se fyerjet verbale ndërmjet kryeministrit Isa Mustafa dhe udhëheqësve të VV-së janë në suaza të komunikimit demokratik.

Në në intervistë për “Epokën e re”, Shkullaku ka mohuar mundësinë se kjo mënyrë e komunikimit ta tensionojë skenën politike në Kosovë.

“Në suaza të komunikimit demokratik, mendoj se është normale. Them se kjo mënyrë e komunikimit është e kuptueshme. Nuk mund të themi se është e pranueshme”, ka thënë Shkullaku.

Ai ka bërë me dije se tensionet politike ndërmjet pozitës dhe opozitës lindin vetëm atëherë kur mungojnë hapësirat demokratike.

“Mendoj se çdo formë proteste, çdo mënyrë e komunikimit, për sa kohë është brenda një hapësire dhe norme demokratike, nuk mendoj se përbën ndonjë shqetësim. Besoj se tensionimet nuk lindin për shkak të tensionimit apo protestave, por në atë çast kur mungojnë hapësirat demokratike”, ka thënë Shkullaku, duke shtuar se mazhoranca e fuqishme ka imponuar një reagim të fortë të opozitës.

Duke folur për protestën e paralajmëruar nga Lëvizja Vetëvendosje! për ta kundërshtuar asociacionin e komunave me shumicë serbe, ai ka thënë se protesta do të jetë e suksesshme vetëm nëse ka përkrahje të madhe të qytetarëve. Sa i përket kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje! për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, Shkullaku ka thënë se është në të drejtën e tyre të kërkojnë diçka të tillë, duke shtuar se mosrealizimi i kësaj kërkese, VV-së mund t’i kushtojë me kosto elektorale.

“Nëse VV-ja është e bindur se Isa Mustafa duhet të largohet, është në të drejtën e saj ta kërkojë këtë gjë, por nëse nuk ia arrin qëllimit, pra dështon në këtë objektivë, sigurisht se kjo do të ketë edhe një kosto elektorale në llogari të Lëvizjes Vetëvendosje!”, ka thënë Shkullaku.

Opozita koordinohet për protesta gjithëpopullore

0

Tri partitë opozitare, “Vetëvendosja”, AAK-ja dhe “Nisma”, edhe pse nuk kanë arritur ta krijojnë një front opozitar siç ka kërkuar Fatmir Limaj, janë duke i koordinuar veprimet në terren për ta organizuar një valë protestash gjithëpopullore kundër Qeverisë “Mustafa”. Protestat, siç kanë deklaruar përfaqësuesit e këtyre partive, do të mbahen në kundërshtim të dy marrëveshjeve të fundit, asaj për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacion me Malin e Zi.

Më aktive në terren duket se është Lëvizja “Vetëvendosje”, e cila po mban tribuna me qytetarë, me qëllim që ta bindë elektoratin e saj për t’i kundërshtuar më zëshëm marrëveshjet e fundit që konsiderohet, sipas tyre, të dëmshme për vendin. Mirëpo edhe AAK-ja, që ka qenë një zë kundër Qeverisë, do të deklarohet sot për veprimet e radhës.

Këto protesta, sipas analistëve, konsiderohen si matësi vendimtar i opozitës karshi pushtetit. /Zëri/

Rishfaqet AKSH-ja: Ky është urdhëri për Mustafën e Thaçin (Dokument)

0

Armata Kombëtare Shqiptare përmes një deklarate shprehet e shqetësuar për marrëveshjen e fundit të cilën Kryeministri Mustafa e nënshkruajti në Bruksel.

”Deklarajojmë se ne AKSH ndihemi të zhgënjyer nga Kryeministri Mustafa dhe Ministri i punëvë të Jashtme Hashim Thaçi lidhur me të ashtuquajturen nënshkrimin e marrëveshjes për decentralizimin e komunave duke i dhënë mundësi të formojnë komuna të reja në Republikën e Kosovës”, thuhet në deklaratën e AKSH, të cilën e ka siguruar Gazeta NewBorn.

AKSH shprehet ashpër kundër Zajednicës dhe nënshkrimit të marrëveshjes për t’i dhënë mundësi shtetit serb që ta kontrollojë Republikën e Kosovës. Kjo armatë urdhëron Thaçin e Mustafën ti tërheqin nënshkrimet e tyre.

”Ju kishim urdhëruar ti hiqeni nënshkrimet e juaja”, shkruhet mes tjerash në kë deklaratë.

Në fund AKSH deklaron se janë të gatshëm edhe të ndërhyjnë në çdo moment.


AKSH-deklarateAKSH-apel

Rrëfimi i familjarëve për vrasjen e Hekuran Morinës: Drejtësia dështoi

0

Bernard Perlazri, katër net pasi u lirua nga paraburgimi, dyshohet se bashkë me katër persona tjerë, në një përleshje me armë në Bazhderhane të Prizrenit, e la të vrarë Hekuran Morinën, personin që në muajin janar e denoncoi atë në polici për zhvatje dhe haraç.

Gjatë këtij incidenti, të plagosur mbeten vëllai i Hekuranit, Fadil Maloku, një shoqërues i tyre dhe një tjetër kalimtar i rastit. Dy të fundit janë në gjendje stabile, përderisa Fadili ende po lufton me jetën në QKUK. Ky është versioni i familjes Morina. Prokuroria i konfirmon këto dyshime. Ndërkohë Gjykata Themelore e arsyeton vendimin e tyre se pse u lirua i dyshuari nga paraburgimi. E Policia po kryen bastisje për t’i kapur të dyshuarit. Ndërsa familja Morina, të martën, i jep lamtumiren e fundit djalit të tyre në orën 18:00, duke e varrosur në varrezat e qytetit të Prizrenit.

Një karrige e mbuluar me peshqir të bardhë dhe mbi të një buqetë lule, janë të vendosura përpara derës së shtëpisë së familjes Morina në lagjen Ortakoll të Prizrenit. Aty nuk mungon as fotografia me shirit të zi e Hekuran Morinës. Familjarë, miq dhe të afërm tjerë vazhdimisht po hynë e dalin në të pamën e Hekuranit, i cili mbeti i vrarë të hënën mbrëma në një konflikt me armë te rrethi i lagjes Bazhderhane. Ata, po ashtu, po i luten Zotit për shëndet dhe jetë të Fadilit, vëllait tjetër, i cili mbeti i plagosur rëndë në këtë ngjarje.

Vetëm Emini, kushëriri i tij, i përmbahet dhimbjes dhe pranon të rrëfejë versionin e familjes Morina. Ai thotë se ky konflikt kishte nisur që në Janar të këtij viti. Sipas tij, i dyshuari kishe shkuar dhe kishte kërkuar 70 mijë euro te viktima, e që gjoja ky është borxh që djemtë e kanë trashëguar nga babai i tyre, Beg Morina, i cili kishte ndërruar jetë vetë muaj më parë.

“Këta djemtë e kanë kuptuar që baba i tyre nuk ka lenë kurrfarë borxhi dhe kanë thanë se parat nuk i japin. Ata kanë thanë kemi dëshmi, e qato kanë dalë të rrejshme edhe në gjykatë”, rrëfen Emini për Gazetën Express.

“Tani (në Janar) ata kanë dalë e ja kanë nxanë rrugën Hekuranit me katër kerre dhe e kanë rrahë e i kanë thanë prapë se gjoja ata kanë dëshmi për borxh”, tregon kushëriri i viktimës, duke pretenduar se të njëjtat dëshmi janë bërë ekspertizë edhe në Kroaci dhe kanë rezultuar të falsifikuara.

“Ata janë të njohur në Prizren. Janë të njohur për Policinë, prokurorinë edhe gjykatat në Prizren”, rrëfen tutje Emini, duke ju referuar të dyshuarave për vrasjen.

Se Bernard Perlazri është i njohur për Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat e Prizrenit, e konfirmojnë zyrtarisht edhe të tria këto organe.

Bernard Përlazri nga fshati Velezhë e Prizrenit ishte arrestuar në Mars të këtij viti, bashkë me dy persona tjerë, të dyshuar për mitmarrje (ryshfet), zhvatje dhe haraç. Ndaj dy të fundit prokuroria nuk kishte caktuar asnjë masë, ndërsa Perlazrit iu caktua ajo e paraburgimit, e cila i zgjati gjashtë muaj. Ai u lirua në mbrojtje në liri, të enjten, me 03 Shtator, me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, e 4 ditë pas, dyshohet se doli dhe qëlloi me plumba duke e lënë të vrarë Hekuran Morinën, e duke i plagosur tre të tjerë, njëri prej tyre kalimtar i rastit. Nga ky konflikt i së hënës rreth orë 20:30, mbeti i plagosur rendë edhe vëllai i tij Fadili, i cili vazhdon të jetë në gjendje të rendë e në rrezik për jetë, nga plagët e marra.

Përlazri në vendin e krimit në lagjen Bazhderhane të Prizrenit, dyshohet se ishte i shoqëruar edhe nga 3 persona tjerë. A.P., dhe L.P., të dy familjarë të të dyshuarit kryesorë për vrasje dhe një tjetër person i cili ende nuk është identifikuar. Në vendin e ngjarjes sipas Prokurorisë janë gjetur dy armë zjarri, ndërsa të martën në mesditë është gjetur edhe vetura e tipit “Jeep” e cila dyshohet se u përdor kur u krye vrasja.

“Sipas dyshimeve të para ka pasur shkëmbim zjarri mes viktimave deh të dyshuarve të cilët për momentijn janë të pa kapshëm nga ana e Policisë”, sqaron rastin Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

“Sipas informatave që kemi nga makina e të dyshuarve kanë zbritur tre persona të armatosur dhe një tjetër për të cilin nuk dihet nëse ka qenë i armatosur ose jo”, tregon tutje Syla, duke përmendur faktin se i dyshuari kryesor ishte liruar vetëm pak ditë më parë nga ana e Gjykatës Themelore e Prizrenit.

“I dyshuari kryesor është liruar javën e kaluar pasi ka qenë në akuzë. Gjykimi po vazhdon. Por në seancën e fundit është ndërpre masa e paraburgimit edhe pse Prokurori i rastit e ka kundërshtuar këtë kërkesë të mbrojtjes. Por gjykata është e pavarur dhe e ka marrë një vendim të tillë”, thotë kryeprokurori i Prokurorisë Themelorë të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Nga ana tjetër Afërdita Kicaj, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prizrenit ka sqaruar për Gazetën Express se si ka ardhur deri të vendimi për lirim nga paraburgimi i të dyshuarit Bernard Përlazri.

“B.P. prej datës 23 mars deri me 3 shtator ka qenë nën masën e paraburgimit. Prej 3 shtatorit atij iu është caktuar masa e paraqitjes në stacionin policor, dhe është paraqitur në njërën seancë, ndërsa ishte caktuar edhe data për seancën tjetër”, thotë Kicaj.

“Vepra penale që ngarkohej i dyshuari ishte detyrim në bashkë kryerje në tentativë nga neni 340 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 dhe 28 të kodit penal të Kosovës”, sqaron tutje për Gazetën Express zëdhënësja Afërdia Kicaj.

Por, që i dyshuari Berndar Përlazraj ishte liruar nga masa e paraburgimit, togeri i Policisë së Kosovës në Rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, thotë se nuk kanë qenë në dijeni.

“Policia nuk e ka pasur këtë informacion për lirimin e këtyre personave që me parë janë arrestuar për dyshimet për detyrim dhe zhvatje”, thotë Gashi.

Ai konfirmon se pikërisht, tashmë i ndjeri, Morina e kishte denoncuar Përlazrin në Polici për të njëjtin rast për të cilin dyshohet se edhe ndodhi vrasja.

Gashi, po ashtu, tregon se Policia e Kosovës po vazhdon të marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe ta hetojë deri në fund rastin. Sipas tij, deri me tash nuk kanë rezultuar me ndonjë të dyshuar të arrestuar edhe pse kanë kryer bastisje në 4 lokacione të ndryshme.

Përderisa organet e drejtësisë po e kryejnë punën e tyre, janë familjarët Hekuran Morinës ata që tashmë e kanë humbur besimin në drejtësinë në vend.

“Drejtësisë ja kemi besu rastin. Por dështoj”, thotë i zhgënjyer kushëriri i tij, Emin Morina.

Ndryshe, viktima e këtij konflikti të armatosur në Prizren, 40 vjeçari, Hekuran Morina varroset të martën në varrezat e qytetit të Prizrenit. /GazetaExpress

Vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri: Zbulohet raporti sekret

0

Zbulohet dhe bëhet publike për herë të parë në faqet e ‘Gazeta Shqiptare’, raporti sekret i Sigurimit të Shtetit i realizuar nëpërmjet Drejtorisë së Zbulimit pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i cili mban datën 15 maj 1972, ku agjentët e shërbimit të fshehtë shqiptarë që kamufloheshin si diplomatë pranë atij dikasteri, survejuan, përgjuan dhe incizuan me “teknikë operative”, të gjitha bisedat e aktorit të famshëm shqiptar nga Kosova, Bekim Fehmiu, gjatë periudhës dyjavore që ai qëndroi në Shqipëri

RAPORTI I SIGURIMIT
Sot për herë të parë, ekskluzivisht për “Gazeta Shqiptare”, botohet i plotë dokumenti i Drejtorisë V të Sigurimit të Shtetit (në Ministrinë e Jashtme) lidhur me survejimin dhe përgjimin e vazhdueshëm që iu bë aktorit shqiptar me famë botërore Bekim Fehmiu, gjatë vizitës së tij dyjavore në Shqipëri. Fundi i viteve ‘60 dhe fillimi i viteve ‘70, do të shënonin një “shkrirje të akujve” për sa u përket marrëdhënieve politike, ekonomike dhe sidomos atyre kulturore midis Tiranës dhe Beogradit.

Sulmi i forcave të Traktatit të Varshavës ndaj Çekosllovakisë në vitin 1968 si dhe garancia e plotë që udhëheqësi komunist i Jugosllavisë, Josip Broz Tito i dha Enver Hoxhës se Jugosllavia nuk do të bëhet një territor trampolinë në rast pushtimi të Shqipërisë nga trupat sovjetike, dhe përfundimi me sukses i demonstratave të shqiptarëve të Kosovës në vitin 1968, pas dhënies së autonomisë së zgjeruar dhe hapjes së Universitetit të Prishtinës, do të ndikonin pozitivisht në përmirësimin e këtyre raporteve, shpeshherë tejet të tensionuara.

Gjatë kësaj periudhe, midis Shqipërisë dhe Kosovës do të niste si kurrë më parë një etapë e rëndësishme e shkëmbimit të ndërsjellë të delegacioneve qeveritare të rangjeve të larta, arsimit dhe shkencës, grupeve të ndryshme kulturore dhe artistike, këngëtarëve dhe aktorëve të mirënjohur, si dhe sportistëve të mirënjohur nga të dyja anët e kufirit. Shkëmbime të tilla do të ndodhnin jo vetëm midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe midis Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë,

Malit të Zi dhe Serbisë.
Në këtë kuadër bashkëpunimi, në 20 prill të vitit 1972 vjen për një vizitë dyjavore në Tiranë, aktori shqiptar (kosovar) me famë botërore Bekim Fehmiu. Gjatë kësaj vizite, Bekim Fehmiu do të shoqërohej nga personalitetet më të larta shqiptare të artit dhe kulturës në të gjithë axhendën e takimeve të tij në vendin tonë, si zv/ministri i Kulturës, Mantho Bala, Drejtori i Kinostudios, Todi Bozo, regjisori Dhimitër Anagnosti, shkrimtari i famshëm Ismail Kadare, Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqi, shkrimtari dhe poeti Dritëro Agolli, regjisori i Teatrit Popullor Esat Oktrova etj.

Bekim Fehmiu, pa dyshim deri atëherë ishte shndërruar në një idhull të padiskutueshëm jo vetëm për shqiptarët e Shqipërisë, por edhe për ata jashtë saj, deri në kufijtë e diasporës. Aktori shqiptar me famë botërore do të bëhej i njohur fillimisht në kinematografinë jugosllave dhe pastaj në atë europiane e botërore me kryeveprat e tij “Morgan: A Suitable Case for Treatment” (1966), “Odissea (1968), përkrah aktores greke (me origjinë shqiptare) Irene Papas, “The Adventures” (1970), “The Deserter (1971), “Permission to Kill” (1975), “Black Sunday” (1977) dhe të tjera kryevepra me famë botërore, si “Disperamente Giulia” (1989).
Por Bekim Fehmiu, gjatë gjithë vizitës së tij në Shqipëri dhe konkretisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, Kinostudion “Shqipëria e re”, Galerinë e Arteve, Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitën “Shqipëria Sot”, Teatrin e Operës dhe Baletit etj., do të survejohej dhe përgjohej vazhdimisht nga njerëzit e kudondodhur të Sigurimit të Shtetit, të kamufluar si diplomatë, gazetarë dhe shoqërues të tij. Sigurimi i Shtetit, në raportin që i dërgon Drejtorisë V të saj, me drejtor Jonuz Mersinin (në Ministrinë e Jashtme), vëren me imtësi të gjitha bisedat dhe qëndrimet personale të aktorit të madh, për të gjithë ecurinë e marrëdhënieve politiko-ekonomike dhe kulturore midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, e veçanërisht midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Në këtë raport të hollësishëm përmenden dashamirësia dhe sinqeriteti që Bekim Fehmiu tregon për çdo lloj ecurie pozitive në marrëdhëniet midis Tiranës dhe Prishtinës. Por, edhe me gjithë këto lavdërime dhe qëndrime dashamirëse të tij ndaj Shqipërisë, Bekim Fehmiu do të vëzhgohej rreptazi me mosbesim nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit, pasi “nuk duhej harruar” se ai vinte nga Jugosllavia, një nga shtetet më të atakuara politikisht nga regjimi i Enver Hoxhës deri në atë kohë.

Gjatë gjithë vizitës së tij në Shqipëri, dhe deri në largimin e tij nga Tirana në 4 maj 1972, Bekim Fehmiu nuk e mori vesh kurrë se ai do të survejohej dhe përgjohej, në të gjitha takimet dhe shëtitjet e tij, nga Sigurimi i Shtetit. Dhe kjo sepse deri në këtë kohë, nuk është bërë publik asnjë dokument zyrtar që ta dëshmojë më së miri këtë fakt. Dhe, sipas të gjitha gjasave, ai iku në jetën e përtejme pa e mësuar kurrë këtë fakt. Vetë Bekim Fehmiu do të rikthehej tashmë në Shqipëri në vitin 2000, si i ftuar nderi në një koncert në Pallatin e Kongreseve, por kësaj radhe i pasurvejuar nga askush.
Aktori i madh shqiptar me famë botërore do t’i botonte kujtimet e veta në librin “Shkëlqim dhe tmerr” (të përkthyer nga diplomati dhe njëkohësisht njohësi më i mirë i gjuhëve sllave në Shqipëri), Xhelal Fejza, në 2012-ën, dy vite pas vdekjes së Fehmiut në shtëpinë e tij në Beograd. Në këto kujtime Fehmiu i kushton një kapitull të tërë vizitës së rëndësishme të tij në Shqipërinë e vitit 1972, si dhe kujton me nostalgji marrëdhëniet kulturore të Tiranës me Prishtinën në periudhën e komunizmit.

Raportin e Sigurimit të Shtetit mbi përgjimet e Bekim Fehmiut, të realizuar nëpërmjet Drejtorisë V të Ministrisë së Jashtme, po e botojmë të plotë, së bashku me raportin e Sektorit të Kulturës, ndërsa nga libri me kujtime “Shkëlqim dhe tmerr”, të botuar në vitin 2002 në Beograd, kemi përzgjedhur disa fragmente, kryesisht ato që kanë të bëjnë me vizitën e tij në Tiranë dhe disa rrethe të tjera të vendit ku ai u prit me nderime të mëdha.
Raporti i Sektorit të Kulturës për Bekim Fehmiun – Informacion nga takimi me artistin kosovar Bekim Fehmiu

Gjatë këtyre tri ditëve ai ka pasur takime në Kinostudio, në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, ka parë disa filma artistikë shqiptarë, Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, ekspozitën e madhe “Shqipëria më 1971”, Galerinë e Arteve, Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare dhe Arkeologjik të Durrësit etj. Në takimin me shokun Mantho, për të gjitha këto që pa dhe mësoi gjatë këtyre ditëve në vendin tonë, ai u shpreh me fjalë të ngrohta.

Për realizimet tona ai tha se janë me të vërtetë të mëdha, sidomos kur i krahason me gjendjen e mjeruar të Shqipërisë në periudhën e Zogut, të cilin e quajti feudalizëm primitiv. Ai u shpreh për Kosovën se do ishte e mjaftueshëm të arrinte gjendjen ku ka arritur sot Shqipëria në fushën e Arsimit dhe Kulturës. Duke folur për të kaluarën e vendit tonë, tha se nuk ka pasur kush fat më të hidhur se Shqipëria dhe shqiptarët, nuk ka pasur luftë ballkanike dhe botërore që nuk i kanë kaluar këto treva kryq e tërthor Shqipërisë. Dhe, megjithatë, shqiptarët jetojnë me emër në botë. Shtoi se për nga vitaliteti dhe zotësia nuk ka popull tjetër në botë si populli shqiptar.

Vlerësoi lidhjet e shumta, rritjen e popullsisë shqiptare dhe të moshës mesatare në vendin tonë. Pasi foli për numrin e sotëm të popullsisë në vendin tonë, ai i shtoi këtij numri edhe një milion shqiptarë të Kosovës (sipas regjistrimit të fundit, të cilin e quajti pak a shumë objektiv). Duke dashur të shprehë kënaqësinë për shtimin e shqiptarëve, vuri në dukje me humor se vetë do të bëjë 12 fëmijë. Tha se “shumë është folur dhe thuhet rreth teorisë së Marksit, Engelsit dhe Leninit, por Shqipëria është një shembull në këtë drejtim. Juve iu karakterizon një modesti që imponohet”. Duke folur për luftën plot suksese kundër analfabetizmit në Shqipëri, nënvizoi gjendjen e rëndë në Jugosllavi, ku problemi i analfabetizmit po bëhet gjithnjë dhe më i mprehtë. Vuri në dukje se në Beograd tani janë rreth 40 për qind analfabetë.

Në bisedën e tij theksoi se në shkëmbimet me Kosovën duhen pasur parasysh rrethanat konkrete, dhe përsëriti se në grupet që vijnë në Shqipëri, duhet të pranohen edhe elementë serbë dhe malazezë. La të kuptohet se kjo është e nevojshme në marrëdhëniet me Kosovën. Në bisedën me shokun Mantho, ai përdori disa herë shprehjen: “të punojmë me kopili”. Me këtë ai donte të thoshte se ne duhet të përdorim një taktikë elastike, e cila të sigurojë një bashkëpunim të nevojshëm për çështjen shqiptare. Për këtë çështje ai la të kuptojë se ishte i shqetësuar. Shoku Mantho i tregoi se në grupet kosovare që kanë ardhur në Shqipëri, kanë bërë pjesë edhe serbë etj. Vlerësoi lart qëndrimin dhe punën e pedagogëve tanë në Universitetin e Prishtinës (ka një vëlla pedagog në këtë universitet). Me punën e tyre të mirë, thjeshtësinë dhe seriozitetin, ata kanë ndikuar dhe te pedagogët vendas që të kuptojnë si duhet rolin e tyre.

Me këtë la të kuptohet nevojën e predominimit tek ata të ndjenjës patriotike. Gjatë gjithë bisedës ai la të nënkuptohej se ushqente ndjenja të thella patriotike. Foli me dashuri për punën e të atit të tij si mësues, pionier i shkollës shqipe në atë krahinë, të motrës së tij, gjithashtu mësuese etj. Përmendi se kur vajti për të marrë vizën, i kishin thënë se s’ka ç’mëson në Shqipëri. Me këtë rast ai theksoi se edhe Aleksandër Moisiut i thanë: “Ç’e do Shqipërinë”, dhe përpiqeshin të tregonin se ai s’ishte shqiptar. Përmendi se ai vetë e ka bërë të qartë kombësinë shqiptare dhe nuk ka pranuar kurrsesi prapashtesën “viç”.
Plenumin e katërt e vlerësoi pozitivisht; sipas tij, ndihmoi për çështjen e Kosovës. Për gjendjen në Jugosllavi, ai vuri në dukje se veprojnë në një forcë të madhe dollari dhe dinari. Përmendi raste të shumta të vjedhjes nga drejtues ndërmarrjesh. Përmendi se këta vjedhës të miliona dollarëve nuk ndëshkohen, dënohen lehtë, dalin dhe përsëri kthehen në punë me përgjegjësi.

Vlerësoi lart filmat tanë nga pikëpamja teknike dhe bëri vërejtje nga ana artistike. Tha se filmi duhet të ketë sa më pak karakter deklarativ, të ndihet më mirë dhe më fort shqiptari i sotëm, të intensifikohen ritmi i filmit dhe dinamika e tij. Duke dalë, ai përmendi fjalën e urtë se “peshku qelbet nga koka”. Me këtë rast vuri në dukje se me realitetet e shënuara, Shqipëria po ecën përpara. Me këtë rast ai deshi të vërë në dukje se kur ecën Shqipëria në rrugë të drejtë, kjo është edhe në interes të Kosovës.

Gjatë bisedës, Bekimi pyeti për rrugët e përgatitjes së kuadrove të artit në vendin tonë, si sasi dhe cilësi, vuri në dukje nevojën që ndihet sot në Kosovë, dhe kërkoi që në këtë fushë të ndihmohet dhe nga vendi ynë. Shoku Mantho, gjatë këtij takimi i foli gjerësisht për sukseset e arritura në fushën e Arsimit dhe Kulturës, vështirësitë që janë hasur dhe rrugët që janë ndjekur për kapërcimin e tyre. I foli për traditat e lashta në fushën e artit dhe të kulturës të popullit tonë, për kujdesin që tregohet për këtë, për perspektivat e mëdha në fushën e arsimit e të kulturës.

Ai i foli gjithashtu për realizimet e mëdha në fushën ekonomike e shoqërore si edhe rrugët dhe format e punës që janë përdorur te ne në përgatitjen dhe kualifikimin e kuadrit, sidomos të atyre të kulturës dhe artit. Shoku Mantho i foli edhe mbi shkëmbimet që janë realizuar në fushën e Arsimit dhe Kulturës në marrëdhëniet me Kosovën, dhe shprehu kënaqësinë e gatishmërinë tonë për forcimin e mëtejshëm të tyre.

24.IV.1972, F. Hobdari J. Mato
– Raporti i Sigurimit të Shtetit
Informacion mbi qëndrimin në vendin tonë të aktorit kosovar Bekim Fehmiu
Prej datës 20 prill deri më 4 maj qëndroi në vendin tonë, i ftuar nga Kinostudio, aktori kosovar Bekim Fehmiu. Gjatë kësaj periudhe me të u realizua ky program: Pritje në Drejtorinë e Kinostudios, ku morën pjesë dhe disa punonjës artistikë, mbas takimit vizitoi disa reparte të Kinostudios si dhe asistoi në sheshin e xhirimit të një filmi artistik. Takimi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve me shokun Dhimitër Shuteriqi, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Llazar Siliqi etj. Shikimi i shfaqjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe bisedoi me artistët e ansamblit, mbas shfaqjes. Shikimi i filmave artistikë “Malet me blerim mbuluar”, “Kur zbardhi një ditë” dhe “Vallëzimi i shqipeve”.

Vizitën në Galerinë e Arteve dhe bisedën me piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza etj.
Vizitë në ekspozitën “Shqipëria më 1971”. Në Muzeun e Luftës Nacionalçlirimtare, në Mauzole në Durrës, si dhe në Muzeun Arkeologjik.
Në datën 24 u organizua pritje në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës nga shoku Mantho Bala.
Vizita në Krujë, në kala dhe muzeun e kalasë. Vizita në Gjirokastër dhe në shtëpinë-muze të shokut Enver, në Muzeun e Armëve dhe nëpër qytet. Shikimi i shfaqjes “Shtëpia në bulevard”, interpretuar nga teatri profesionist i Gjirokastrës.
Vizitë në Sarandë, Butrint dhe Vlorë. Në Fier vizitoi Azotikun dhe Apoloninë. Vizitë në Shkodër, në Uzinën e Telave dhe në Vaun e Dejës. Takim dhe bisedë me aktorët e teatrit “Migjeni” dhe vizitë në shtëpinë e gruas së Bajram Currit.
Pas kthimit nga Shkodra në Tiranë, ai asistoi në premierën e filmit “Yjet e netëve të gjata”. Asistoi në paradën e 1 Majit. Pati një intervistë televizive. Në datën dy, shëtiti në parkun e madh, ku zhvillohej manifestimi popullor.
Në Kinostudio u shfaq për pedagogët dhe studentët filmi “Odisea”. Mbas filmit u zhvillua një bisedë, thjesht për probleme profesionale. Pa shfaqjen e Institutit të Arteve, “Ylli pa emër”.
Ditën e fundit pati një bisedë me kolektivin krijues të Kinostudios, mbi problemet profesionale, dhe pasdite asistoi në provën e pjesës “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Mbas provës pati një takim të shkurtër me kolektivin e Teatrit Popullor, ku kryesisht u bisedua rreth spektaklit, dhe Bekim Fehmiu bëri disa vërejtje profesionale e artistike, të cilat shokët e teatrit i gjetën me vend.
1.Nga gjithë qëndrimi i tij më parë dhe nga shprehjet e tij gjatë kohës që qëndroi këtu, dukej një ndjenjë e thellë e shqiptarizmit. Në librin e përshtypjeve të Muzeut të Armëve të Gjirokastrës, ku ai gjeti të ekspozuar dhe një fotografi të ngritjes së flamurit në Vlorë, në të cilën dukej dhe i ati, shkroi:
“Jam krenar që jam shqiptar”. Këtë ndjenjë krenarie që është shqiptar e shfaqi vazhdimisht. Mbas shfaqjes së Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, u shpreh: “Dilni bre vasha dhe djem e tundeni dhe ta marri vesh e gjithë bota se kush jemi ne…”. “Do të ishte mirë të vijshit dhe atje në Beograd dhe të jepshit shfaqje që të mbushej stadiumi më i madh i Beogradit”. Çmonte shumë, dhe këtë e shprehte vazhdimisht, kujdesin që tregohet te ne për njeriun, për shëndetësinë dhe arsimin. Ishte shumë entuziast për sukseset e tilla të vendit tonë, siç janë zhdukja e analfabetizmit, elektrifikimi etj. (në këto raste nuk ngurronte të sillte shembuj të shumtë negativë për vjedhjet dhe korrupsionin, diferencat e mëdha të rrogave, analfabetizmin, që tani në Beograd zë 40 për qind të popullsisë, dhe të tjera për Jugosllavinë e sotme).
Ai thoshte: “E duam shumë Kosovën tonë, por ma shumë duam nënën tonë Shqipëri dhe duhet, që në çdo lamë të na e kaloni ne në Kosovë”.
Gjatë bisedave të ndryshme për përparimin e vendit tonë, fliste me dashuri për udhëheqësit tanë. Kishte dëshirë të madhe të shihte shokun Enver Hoxha dhe i ngeli merak që në festën e 1 Majit nuk e pa ashtu si duhet. Vlerësonte shumë kujdesin dhe shpenzimet që bënte shteti për zbulimet arkeologjike, për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e veprave të artit, muzeve etj.
Ishte shumë i etur që të mësonte sa më shumë nga historia e lashtë dhe përparimet e sotme të vendit tonë. Gjithmonë shprehej entuziast për çdo gjë që i pëlqente. Kur pa Butrintin dhe Sarandën, tha: Këto janë vende të mrekullueshme, do t’u them të gjithë kosovarëve të vijnë dhe të pushojnë këtu’“.(Vijon) /gazetashqiptare

Rasti “Muja” shkon në Gjykatën Supreme

0

Sipas burimeve të Indeksonline merret vesh se Prokuroria e EULEX-it ka ushtruar ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës konform nenit 416 të KPPS-së, në të cilin rasti ‘Muja’ ka shkuar në rigjykim.

Sipas njohësve të çështjeve juridike, ankesa kundër aktvendimit të Gjykatës së Apelit nuk është lejuar dhe pritet që e njëjta të hidhet poshtë si e refuzuar në bazë të ankesës së Prokurorisë.

Ndryshe, Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit është duke u hetuar për tjetërsim të pronave shtetërore në private, dhe gjykimi i tij është duke vazhduar tash e disa vite./Indeksonline/

Policia kryen bastisje për vrasjen e mbrëmshme në Prizren

0

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në 4 lokacione të ndryshme në kërkim të dyshuarve për vrasjen e mbrëmshme në Prizren. Kjo është konfirmuar për Gazetën Express nga rreshter Vesel Gashi

“Deri me tash nuk ka asnjë të arrestuar dhe policia po merr të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme”, ka thënë Gashi.

Në Prizren mbrëmë është vrarë një person i moshës rreth 40 vjeç, Hekuran Morina, ndërsa 3 të tjerë u plagosën. Njëri prej tyre ishte kalimtar i rastit. Në mesin e të plagosurve është edhe vëllai i viktimës Fadil Morina, gjendja e te cilit ishte raportuar te ishte e rëndë. Megjithatë Gazeta Express merr vesh se gjendja e tij tashmë është stabile dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.

I dyshuar për vrasje dhe plagosje është Bernard Prelazri nga fshati Velezhë komuna e Prizrenit i cili ka pasur një aktakuzë në polici për veprën penale, raporton Gazeta Express.

I dyshuari për vrasjen në Prizren kishte aktakuzë në polici

0

Dje rreth orës 20:30 minuta në Prizren ka ndodhur një incident i armatosur ku si pasojë ka humbur jetën shtetasi i Kosovës, Hekuran Morina dhe ka mbetur i plagosur vëllai i tij Fadili.

Motivi i këtij krimi sipas policisë është zhvatja ndërsa gazeta “Zëri” sot ka mësuar se njëri nga dy të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Hekuranit quhet Bernard Prelazri dhe i njëjti ka pasur një proces gjyqësorë me aktakuzën e ‘detyrimit;.

Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar kryeprokurori i prokurorisë themelore në Prizren, Sylë Hoxha.

“I dyshuari për vrasjen e Hekuranit ka pasur një aktakuzë në polici për veprën penale të detyrimit”, ka thënë Hoxha.

I dyshuari ende mbetet në arrati dhe policia është në kërkim të tij./Zeri/

Ja pse ndodhi vrasja në Prizren

0

Të dhënat e policisë se vrasja e Hekuran Morinës mbrëmë në Prizren dhe plagosja e vëllait të tij Fadilit ka ndodhur për shkak të zhvatjes del të jetë i vërtet.

Këtë për “Zërin” e ka konfirmuar edhe kushëriri i viktimës, Emin Morina. Sipas tij grupi i cili dyshohet për vrasjen e Hekuranit, i kanë kërkuar një shumë prej 70 mijë eurosh, të cilat sipas tyre ua kishte pasur borxh babai i ndjerë i viktimës.

“Konflikti në mes të viktimës dhe vrasësit ka filluar menjëherë pas vitit të ri, 2 muaj pasi që kishte ndërruar jetë babai i viktimës (Hekuranit). Me këtë rast grupi i cili dyshohet për vrasjen e Hekuranit, i kishte kërkuar atij një shumë të hollash prej 70 mijë eurosh me arsyetimin se këtë borxh ua kishte babai i tyre që kishte ndërruar jetë”, rrëfen Emin Morina.

Ai thotë se me këtë rast familja edhe pse nuk e kishte pranuar dokumentin të cilin grupi i dyshuar për vrasjen ua kishte prezantuar, rastin e kishin raportuar në polici për të shikuar vërtetësinë e dokumentit.

“Ekspertiza e policisë ka treguar se dokumenti të cilin grupi e kishin prezantuar ishte i këtij viti dhe jo i një viti më herët siç pretendonin grupi i dyshuar për vrasje. Pra ishte fals”, rrëfen ai.

Në ndërkohë njëri nga të dyshuarit për vrasjen e Hekuranit, Bernard Plerazri ishte arrestuar nga policia mbi aktakuzën e “detyrimit”.

Por dy ditë pasi që ka dalë nga paraburgimi ai kishte reaguar dhe e ka kryer vrasjen e Hekuranit dhe ka plagosur vëllain e tij Fadilin.

Sipas kushëririt, Emin Morina gjendja e Fadilit është stabile tani dhe jashtë rrezikut për jetë. Ndërkohë ai njofton se familjarët e të dyshuarve për vrasje deri më tani as nuk i janë lajmëruar familjes së viktimës. /Zeri/

Bresa kërkon reformatizimin e “Qeverisë Muja”

0

Këshilltari i AKR-së në Prizren, Naser Bresa, ka sugjeruar kryetarin e Komunës, Ramadan Mujën, që të bëjë reformatizimin e Ekzekutivit. Ai thotë se disa drejtorë të ‘Qeverisë Muja’, duhet të ndërrohen.

“Është mirë që kryetari Muja të bëjë reformatizimin e Ekzekutivit, pasi që disa drejtorë nuk po kanë vullnet as të përgjigjen në pyetjet e këshilltarëve të Kuvendit”, thotë Bresa. Sipas tij, drejtorët e Ekzekutivit, janë të obliguar që të përgjigjen në pyetjet e këshilltarëve të Kuvendit.

Edhe këshilltari i VV-së, Arbër Rexhaj, tregon se disa drejtorë të Ekzekutivit të Prizrenit, nuk përgjigjen në pyetjet e këshilltarëve të Kuvendit.

“Disa drejtorë përgjigjen, por ka edhe prej tyre që nuk përgjigjen”, thotë Rexhaj. Ai kërkon nga drejtorët që të përgjigjen në pyetjet e këshilltarëve, ”pasi që pyetjet po i bëjmë për të marrë përgjigje”. /PrizrenPress.com/