10.3 C
Prizren
E shtunë, 25 Prill, 2026
Home Blog Page 6714

Nishani kërkon nga Bosnje e Hercegovina njohjen e Kosovës

0

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, pas takimit me anëtarët e Presidencës së BeH vuri në dukje se dëshira e Shqipërisë, të cilën ia përcolli edhe anëtarëve të Presidencës, Dragan Çoviçit, Mladen Ivaniçit dhe Bakir Izetbegoviçit është që Bosnja dhe Hercegovina të njohë Kosovën sepse kjo, siç tha, do ti shërbente gjithë rajonit.

“Diskutuam shumë çështje të interesit dypalësh, por edhe të interesit rajonal. Besoj se marrëdhëniet e BeH me Kosovën janë të interesit dypalësh, por edhe të interesit rajonal. Gjatë këtij takimi ndava me tre anëtarët e Presidencës së BeH dëshirën e Shqipërisë që edhe BeH të njohë pavarësinë e Republikës e Kosovës si një realitet të pakthyeshëm”, tha Nishani gjatë konferencës për media.

Ai përsëriti qëndrimin se njohja e Kosovës është një akt që i shërben stabilitetit, paqes dhe mirëkuptimit në rajon.

Nishani vuri në dukje se njohja e dokumenteve të Kosovës është në interes reciprok të të dyja vendeve dhe se kjo çështje ka të bëjë me dimensionin human, që ka të bëjë me parimin themelor të të drejtave për lëvizje të lirë, dhe është e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve. Lidhur me këtë Nishani shprehu kënaqësinë për mirëkuptimin që kishte nga tre anëtarët e Presidencës së BeH për të trajtuar këtë çështje.

Presidenti i Shqipërisë kërkoi që në frymën e re të krijuar në marrëdhëniet ndërmjet vendeve të rajonit të jepet konsensusi edhe nga BeH për anëtarësimin e Kosovës në Kartën e Adriatikut. /AA/

Mbyllet seanca

0

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka mbyllur seancën plenare, pasi kanë përfunduar të gjitha pikat e parapara për rendin e ditës, duke u thënë deputetëve “mirupafshim në seancën e radhës”.

Pa Opozitën dhe pa gaz lotsjellës, deputetët e Pozitës sot punuan në qetësi.

Në këtë seancë, u miratuan një varg projektligjesh, si ai për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin e rehabilitimit të rrugës hekurudhore 10.

Po ashtu, u miratua Projektligji për Arsimin e Lartë, propozim-amendamenti nr. 25 në Kushtetutën e Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria, raporti për Ligjin për Policinë, si dhe raporti për Ligjin për Inspeksionin bujqësor

Deputetët nuk e miratuan Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.

Ndërsa shqyrtimi i raportit të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për standardizimin, është shtyrë për një seancë tjetër.

Prizren: Mashkulli rrah një femër në mes të rrugës

0

Një mashkull ka sulmuar fizikisht një femër në rrugën “Tregu i ri”, në Prizren.

Viktima ka pranuar trajtim mjekësor në spitalin rajonal në Prizren, raporton PrizrenPress.

Policia e Kosovës njofton se i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit pas intervistimit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Në Prizren arrestohen katër persona për trafikim me njerez dhe prostitucion

0

Në Prizren janë arrestuar katër të dyshuar, dy femra – njëra prej tyre shtetase e Shqipërisë dhe dy meshkuj – shtetas të Kosovës, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale ‘trafikim me njerëz’ dhe ‘shërbime seksuale të trafikimit’, raporton PrizrenPress.

Policia e Kosovës njofton se të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit dy prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një zyrtar në QKMF të Suharekës

0

Në QKMF të Suharekës një zyrtar u merrte pacientëve pagesën për participim, por nuk u lëshonte dëftesa.

Policia njofton se dje rreth orës 20:30, është arrestuar një i dyshuar mashkull, shqiptar, shtetas i Kosovës, i cili gjatë orarit të tij të punës, kur shumica e kategorive të pacientëve bëjnë pagesën në emër të participimit, ai nuk lëshonte dëftesë-pagesa duke i përvetësuar mjetet në mënyrë të kundërligjshme, duke falsifikuar të dhënat në librin e regjistrit, raporton PrizrenPress.

Sipas raportit të sotshëm të Policisë së Kosovës, ai pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Tentim vrasje në Rahovec: Qëllohet me armë zjarri një person

0

Në Rahovec ka ndodhur një tentim vrasje që ka kaluar vetëm me plagosjen e një qytetari,  i cili është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gjakovës.

 Policia e Kosovës bën të ditur se viktima është qëlluar me armë zjarri nga persona të panjohur, raporton PrizrenPress.

Në vendngjarje janë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja të cal. 9 mm.

Njësitë policore janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com/

“Kalimi i fundit” prangos doganierin në Morinë të Kukësit

0

Në sajë të operacionit të koduar “Kalimi i fundit” është arrestuar një doganier i shpallur në kërkim.

Është ndaluar kështu ditën e djeshme Dardan Elezi, 29 vjeç, banues në Kukës, me detyrë doganier pranë doganës Morinë, pasi Prokuroria e Kukësit në 16 shkurt ka urdhëruar ndalimin e tij për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

Ngjarja për të cilën akuzohet Elezi ka ndodhur më datë 17 shkurt, ku u finalizua operacioni i koduar “Kalimi i fundit”, gjatë të cilit u bë ndalimi i gjashtë doganierëve si dhe u shpallën në kërkim tre persona të tjerë.

Doganierët akuzohen se duke qenë në detyrë nuk kanë kryer veprimet doganore ndaj mjetit me targa AA 169 CG, në pronësi të shtetasit N.F., i cili ishte i ngarkuar me një sasi prej 226 bidonë të mbushur me lëng, i dyshuar si ujë për bateri, me peshë totale prej 5650 litër. Ky automjet dyshohet se ka kaluar kontrabandë nëpërmjet doganës së Morinës.

Bajrami: Ata që i kanë djegur veturat, të dalin para drejtësisë

0

Deputetja e Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami, ka theksuar se njerëzit vazhdimisht po e përkrahin protestën e opozitës.

Bajrami në emisionin “Info – Box”, ka thënë se shumica e deputetëve të opozitës janë të suspenduar, dhe nuk do të mund të marrin pjesë në vazhdimin e seancës e cila pritet të mbahet sot në ora 14:00.

E pyetur rreth djegies së veturave të familjarëve të dy ministrave të Qeverisë së Kosovës, Memli Kransiqit dhe Bajram Gecaj, ka theksuar se “nuk e përkrahim dhunën dhe kush do që i ka bërë ato veprime, duhet të dalin para drejtësisë”.

Edhe gruas së Bajram Gecajt i digjet vetura

0

Mësohet se edhe bashkëshortes së zëvendësministrit të Administrimit të Pushtetit lokal, Bajram Gecajt i është djegur vetura.

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar edhe vetë Gecaj.

“Po është e vërtetë se dikush i ka thyer xhamat dhe ia vënë flakën brendisë së veturës së bashkëshortes sime në afërsi të ambasadës britanike në Prishtinë”, tha ai.

“Aktualisht jam me policinë dhe po e denncoj rastin”, ka shtuar Gecaj.

Për detaje të tjera rreth kësaj ngjarjeje do t`ju informojmë në vazhdim.

Vdes vëllau i Fidel Castros

0

Ramón Castro, vëllau i madh i Fidel dhe Raul Castros, ka vdekur të martën në moshën 91 vjeçare.

Vdekja e tij u njoftua në një raport të shkurtër të gazetës zyrtare të Partisë Komuniste, Granma.

Castro nuk iu bashkua vëllezërve të tij në lëvizjen guerile që i parapriu revolucionit të vitit 1959, i cili revolucion përmbysi qeverinë e Presidentit Fulgencio Batista.

Por ai kishte qenë i burgosur i qeverisë Batista në vitin 1953, në të njëjtin vit që Fidel dhe Raul sulmuan një kazermë të ushtrisë në Santiago. Sulmi kishte dështuar, dhe të dy Fidel dhe Raul ishin burgosur, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Poashtu sipas kësaj gazete, Ramón kishte ndihmuar përpjekjet e vëllezërve të tij, kur revolucioni i tyre kishte nisur të përparojë.

Fidel Castro dha dorëheqjen si president i Kubës në vitin 2008, ndërkaq Rauli është udhëheqës aktual i këtij vendi.