9.9 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6829

Forcohen monopolet nga bizneset kriminale të lidhura me pushtetin

0

“Pas një viti bashkëqeverisjeje, premtimet për punësimin e 200 mijë qytetarëve për 4 vjet, lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, eliminimin e monopoleve nga bizneset oligarkike, kanë mbetur vetëm iluzione politike, gënjeshtra dhe mashtrime të këtij pushteti, i cili përveç akomodimit në qeverisje të dy figurave politike, Isa Mustafa në krye të Qeverisë dhe Kadri Veseli në krye të Kuvendit, dhe akomodimin e qindra njerëzve të inkriminuar, nuuk solli asnjë ndryshim”, thotë politologu Faik Krasniqi

Në njëvjetorin e kësaj qeverisjeje të keqe është treguar e dëshmuar pafuqia e Isa Mustafës për t’i ndryshuar sekretarët militantë të Qeverisë ‘Thaçi 2’, të cilët mbajnë vulën e dallavereve, korrupsionit dhe parregullsive në kundërshtim me ligjin. Emërimet politike kanë vazhduar edhe nën qeverisjen ‘Mustafa’, që përveçse nuk janë larguar të korruptuarit e të inkriminuarit, janë emëruar e po emërohen nëpër borde edhe njerëz të tjerë puro politikë e militantë, kësaj radhe edhe të LDK-së për të kapur e zhvatur sa më shumë shtetin. Analistët dhe politikanët nuk kanë shpresë se gjendja mund të ndryshojë, kur kihet parasysh se kush e udhëheq Kosovën. Analisti Shefqet Dibrani shprehet se Isa Mustafa vullnetarisht e ka marrë këtë funksion, qoftë partiak a shtetëror për ta devijuar e degraduar sistemin deri në këtë masë.

“Ai nuk e paska ditur fuqinë e tij pse i ka hyrë garës, dhe kur e ka ditur se me këtë koncept nuk do t’i heqë militantët e Qeverisë ‘Thaçi 2’, atëherë çfarë iu desh të futej në këtë batak. Sipas kësaj, Isa Mustafa del tepër i padijshëm pse ka hyrë, dhe nëse i ka ditur është vetë ai pjesë e atyre dallavereve. Isa Mustafa ka qenë ministër për Ekonomi dhe Financa në Qeverinë e ‘Bukoshit’. E dinë mërgimtarët, po veçmas degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani se si ka udhëhequr Isa Mustafa. Ata që nuk e di duhet ta kenë të qartë se ka udhëhequr po me këtë kaos që arriti ta bëjë tërë Kosovën. Edhe atëherë ka pasur shkarkime dhe emërime, sabotime e përçarje prej më primitiveve dhe më antiligjore, por atëherë kishim të tjera halle, sepse Isa merrej me dallavere e në diasporë merreshin me Serbinë që e kishim në Kosovë”, thotë ai… /kosova sot/

Opozita po synon pushtetin përmes destabilizimit

0

Qëllimi i partive opozitare në Kosovë është që të vijnë në pushtet përmes destabilizimit të situatës në vend, e cila strategji është shumë e dëmshme për vendin.

Kështu ka deklaruar ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se një iniciativë e tillë nuk përkrahet as nga qytetarët e as nga ndërkombëtarët.

Sipas tij, pavarësisht një agjende të dominuar nga vendime të mëdha dhe bllokada që i është bërë Kuvendit, shumica e programit të Qeverisë është zbatuar në vitin e parë.

Ai ka shtuar se agjenda e ekzekutivit po ecën sipas parashikimeve dhe të gjitha premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore po jetësohen çdo ditë.

“Gjatë vitit të parë të qeverisjes janë bërë reforma rrënjësore në fushën e ekonomisë, gati janë trefishuar investimet e jashtme, kemi forcuar subjektivitetin ndërkombëtar duke u anëtarësuar në disa organizata ndërkombëtare dhe rajonale, kemi rritur investimet në bujqësi, kemi rritur 25% përkrahjen e asistencës sociale, rritjen e pensioneve”, ka thënë Abrashi.

Zëdhënësi i ekzekutivit në këtë intervistë ka folur për të arriturat kryesore të kësaj Qeverie në 12 muajt e parë të saj, ndërsa ngecjet kryesore, sipas tij, kanë qenë të natyrës politike për shkak të bllokimit të Kuvendit nga opozita..

Thaçi: Qeveria nuk pranon dialog me kushte

0

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi thotë se partitë opozitare duhet ta pranojnë ftesën për dialog dhe se vetëm përmes dialogut mund të gjendet zgjidhja për situatën e krijuar. Tha se Qeveria nuk e ka ndërmend të pranojë dialog me kushte.

“Janë disa rregulla në politikë që dialogu nuk bëhet me kushte por dialoguar bëhet me vullnet të mirë dhe përgjegjësi kushtetuese ligjore dhe politike dhe çdo vullnet i mirë do të respektohet nga ana e Qeverisë prej kujtdoqoftë. Ftesa është që të ndërpriten veprimet që nuk janë në traditën, as si qytetarë të Kosovës, as të politikës kosovare të këtyre 15-16 viteve të demokracisë, prandaj mendoj që ka hapësirë që të gjithë ta dhënë kontributin e tyre dhe të bëjnë një vështrim të këtij procesi”, tha Thaçi për RTV21.

Enver Hoxhaj: Thaçi president, ose zgjedhje të reja

0

Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj është i bindur se vitin e ardhshëm,lideri i partisë së tij, Hashim Thaçi, do të bëhet president i Kosovës. Ai thotë se nëse Thaçi nuk bëhet president, Kosova do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kemi një marrëveshje mes PDK-së dhe LDK-së, që Hashim Thaçi, të bëhet president i vendit. Nëse me këtë rast dikush nga deputetët e LDK-së siç ishte deklarata e Arben Gashit, apo dikujt tjetër nga LDK-ja, bëhet realitet, atëherë edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet të shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë Hoxhaj për TV Besa në Prizren.

“Ne si PDK nuk jemi aspak për zgjedhje të jashtëzakonshme,prandaj besoj se këtë nuk e duan as vetë qytetarët”.

Hoxhaj, shprehet i bindur se Thaçi do të jetë president i Kosovës.

“Hashim Thaçi,do të bëhet president”. /PrizrenPress.com/

Shënohet 40 vjetori i ShKA “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe

0

Shoqëria Kulturore dhe Artistike (ShKA) “Bajram Curri” nga Krusha e Madhe ka shënuar sot 40 vjetori e themelimit të saj.

Kryetari Sejfullah Sejfullahu,tha se SHKA “ Bajram Curri” gjatë 40 viteve është shquar me aktivitete të bujshme në kultivimin e vlerave kulturore dhe ruajtjen e traditave popullore.

Ndërkaq, kryetari i fshatit, Selami Hoti, tha se veprimtaria e deritanishme e atyre që e mbajtën dhe po e mbajnë gjallë këtë organizëm kulturor, “na bënë krenar të gjithë neve banorëve të Krushës së Madhe”

Në këtë aktivitet është përkujtuar edhe figura e atdhetarit, Ukshin Hoti./TVPZ/

Marc Delouze dhe orët e fundit me Ali Podrimen

0

Takohemi në një kafene në “Goutte d’Or”, në një lagje pranë Montmartre të Parisit, diku pranë shtëpisë së tij, në një kafene të rrethuar nga librat. Marc Delouze është një punëtor i poezisë, një dashnor dhe një animator i poezisë, pra që i jep asaj frymë, pasi krahas këngëve të tij poetike, ai është dhe organizator festivalesh, si Festivali i Përhershëm Poetik i Parisit 18, i Festivalit “Les Parvis Poetiques” (“Pragjet poetike”) apo i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Zëri i Mesdheut” të Lodevës, në jug të Francës, ku më 1990-n ai ishte bashkëthemelues i tij dhe ku përgjatë shumë viteve në këtë festival u ftuan shumë poetë shqiptarë, të cilët janë njëkohësisht miqtë e tij. Ne u takuam meqë ai më kishte kërkuar përkthimin e një teksti për Ali Podrimen dhe unë ia solla, një tekst për mikun intim të tij. Ali Podrimja jetonte ende në sytë e tij, dhe në zemër, ngjizur. “E kisha vëllam të poezisë!” – më thotë ai, duke më treguar historinë e ditëve të fundit të poetit të madh të Kosovës në Lode, kur për ditë me radhë ai e kishte kërkuar derisa më në fund, katër ditë më vonë, e kishin gjetur në një shpat me sytë nga qielli.

“Donte të shkonte!” – më tha ai. – “Ku? Në qiell?” – i thashë unë. Ai uli kokën dhe e mori mes dy duarve, ndërsa unë mendoja për qiellin e Podrimes dhe tokën e tij që nuk e mbante më, për tokën mbi të cilën ai nuk mund të ecte më, pasi ai jetonte në dhembje, prandaj dhe kërkonte qiejt, diku larg, larg dhembjes, për të qetuar shpirtin. Fjalët e tij tashmë shtegtonin nëpër qiell … Marc Delouze ishte kthyer nga Kosova, ku kishte lexuar poezitë e tij për Podrimen. I dhashë përkthimin e atij teksti në shqip, ndërsa ai më dhuroi një nga vëllimet e tij poetike “Epouvantails” (Dordolecët, 2002), duke më treguar njëkohësisht për jetën e tij, për vëllimin e tij të parë poetik, njohjen me poetin e madh Louis Aragon, dhe pastaj për ditën kur ai papritur, i nxori librat poetikë jashtë shtëpisë, në rrugë, duke i mbyllur portat e poezisë meqë dyshonte nëse ishte një poet i vërtetë … porta që do t’i hapte 20 vjet më vonë … E ndërkohë ne kujtonim hapat e parë, të botuar në një nga vëllimet e fundit poetikë.

“Janar i vitit 1971. Në mbrëmje bie telefoni.

– Mirëmbrëma, jam Louis Aragon. Dëshiroj të flas me Marc Delouze.

– Unë jam …

Në fillim mendova se mos ishte një shaka. Isha gati të shpërtheja me të qeshura.

– I mora poezitë e tua. Doja t’u merrja leje për t’i botuar në numrin e ardhshëm të revistës Les Lettres Françaises.

Përgjigjem:

– Sigurisht, patjetër …

Nuk e di si e mbylla telefonin. Vështrova nga S.

– Ishte Aragon! …

E pabesueshme. Isha në një gjendje të jashtëzakonshme. Një javë e kaluar si në mjegull, kujtesë.

Të mërkurën që erdhi bleva revistën Les Lettres Françaises. Në faqen e parë lexoj emrin tim …”

Në parathënien e botimit të librit të parë poetik të Delouze, shkruar nga Aragon, me titullin “Si një lloj testamenti”, poeti i madh e paraqet Delouze si një shprehje të testamentit të tij poetik. Jo si një vazhdues i veprës së tij, por si një e ardhme e poezisë pas tij. Aragon shkruante mes të tjerash: “Në shtëpi kam një grup librash kryesorë, që i marr në duar me një emocion të veçantë … një nga ata dhe libri i Marc Delouze, emrin e të cilit duhet ta mësoni ashtu siç dikur mësonim emrat e Nerval e të Rimbaud. Ah, ju lutem, mos më thoni se po e ekzagjeroj! A nuk e kuptoni se i dua këto poezi dhe ai që do, nuk ekzagjeron kurrë! … Ky zë i ri që dëgjoj të lartësohet, të forcohet dhe të triumfojë në sajë të vetvetes, ky libër i parë, mbetet gjithnjë para syve të mi si diçka prekëse, pas kësaj jete të gjatë të jetuar … Diçka tjetër fillon këtu, diçka që unë nuk do ia shikoj fundin, por që nxitoj ta paralajmëroj me forcat e fundit të moshës sime …” Më 17 shkurt 1970, Delouze shkruante një lloj kredoje të tij poetike:

“Jam poet nga forca e gjërave

nga forca e fjalëve, dora jonë mbi gjërat

nga forca e lidhjeve

për çdo fjalë një dorë

shumë gjëra shfaq pëllëmba jonë dhe sekretet e saj

shkruhen në statuja si buda enigmatike

nga teoria në teori thoi e ka të vështirë të shënojë

si vraga e kohës që kalon

dhe më kërcënon me shkarjen e fjalëve

si brishtësia e një letre të përdorur tashmë …”

Sigurisht, mund të flasim gjatë për Delouze, për vëllimet e tij poetike (Kënga e tokave, 14975 ditë midis poezive në fazë përfundimtare, Yeou – këmbësori i tokave etj.) dhe ato me tregime (Është bota që flet, Rruga e martirëve, Njeriu që mbyllte sytë pa ulur qepallat etj.), por ne u takuam atë ditë për Podrimen dhe fjalët e tij, madhështinë e fjalës poetike dhe vështrimin e tij të humbur në qiell, larg njerëzve, që tashmë e imagjinoj shpesh: Si mund të vdesë kështu një poet? – pyes unë … E megjithatë u ktheva me idenë se poetët nuk vdesin …

Xhirim i rrallë i Ukshin Hotit: Bëje ose vdis

0

Është publikuar një fjalim i rrallë i Ukshin Hotit, që sipas atyre që e kanë bërë këtë gjë është mbajtur në fshatin Nagavc.

Në një xhirim të papublikuar më parë shihet Ukshin Hoti duke bashkëbiseduar me njerëzit që ishin prezent në një odë burrash.

Hoti flet për një shkrim me titull “Bëje ose vdis” të cilin thotë se e ka dërguar në shtyp për botim.

Interesant është fakti se si Ukshin Hoti u thotë bashkëbiseduesve të tij, që çdo vërejtje në lidhje me shkrimin, mund t’ia thonë atij.

https://youtu.be/2LL0di2a_rc

Në Prizren maskat grabisin rreth 40 mijë euro

0

Tre persona të maskuar dhe të armatosur, të enjten pas mesnate, janë futur në ambientet e një lokali të lojëravë të fatit në rrugën “Jusuf Gërvalla” në lagjen “Ortakoll”, me ç’rast kanë kërcënuar dy punëtorë të cilët i kanë lidhur, dhe nga arkat kanë grabitur rreth 40 mijë euro, njoftuan burime të Televizionit të Prizrenit.

Ngjarjen në fjalë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë rajonale të Prizrenit, kapiten Hazir Berisha, i cili thotë se tre sulmues të dyshuar me maska të cilët me vete kishin një pistoletë, një thikë dhe një shufër metali, kanë kanosur dy të punësuar në këtë objekt, të cilët më pas janë lidhur dhe janë dërguar në bodrum. Pas kësaj, ata nga arkat dhe pajisjet e këtij objekti kanë grabitur dhjetëra mijëra euro.

Berisha thotë se policia është vënë në kërkim të autorëve të kësaj vepre penale, ndërsa shton se e gjithë ngjarja është vëzhguar nga kamerat e sigurisë , por identifikimi i të dyshuarve është i vështirë për shkak se ata ishin të maskuar.

Kjo nuk është hera e parë që lagjja “Ortakoll” është në shënjestër të grupeve të ndryshme por edhe individëve, të cilët prej kohësh grabisin nën kërcënimin e armëve objekte të ndryshme, por edhe qytetarë të rëndomtë, sidomos janë të njohur për grabitje të çantave dhe stolive të çmuara për femra. /TVPZ

Suharekë: Në gjykatë penguesit e dyshuar të punës së gurthyesit

0

Shtatë të akuzuar për pengim të punës së një gurthyesi në Dobërdelan të Suharekës dolën dje para gjykatës.

Banorët e këtij fshati në vitin 2013 kundërshtuan me protestë hapjen e një gurthyesi, ndërsa ndaj shtatëve prej tyre u zhvillua sot seanca fillestare në Gjykatën Themelore të Prizrenit-Dega në Suharekë.

Hysni Gallapeni, Nexhat Cikaqi, Ramadan Balaj, Azem Shala, Fadil Balaja, Isaja Gallapeni dhe Qazim Shala, akuzohen për asgjësim apo dëmtim të pasurisë dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Ata akuzohen se me datën 10.09.2013, rreth orës 09:00, në hyrje të fshatit Dobërdelan në vendin e punishtes së kompanisë “Seti Comerc”, në bashkëveprim e bëjnë të papërdorshme pasurinë e personit tjetër, duke mbyllur 300 vrima që ishin hapur për minim(shpërthim), me ç’rast të dëmtuarit i shkaktojnë dëm në shumën prej 30. 000 euro.

I akuzuari dhe kryetari i fshatit Dobërdolan Hysni Gallapeni, për KALLXO.com mohoi se atë ditë u mbyllën vrimat me qëllim.

“Atë ditë firma ka qenë duke i bërë shpimet, tu e përgatit fushën për me minuar për ditën e mërkurë, atë ditë kanë qenë mbi 100 banorë, të cilët janë tubuar para se me shkuar te punishtja në pronën e ‘Seti Komerc’ dhe janë shkuar të revoltuar për m’i larguar makinat, për mos me lejuar me bë shpimin, derisa të zgjidhet problemi, i cili ishte ne kontest me dokumentacion dhe është e vërtetë që kanë hi nëpër fushë, por qe e ka paraqit lëndë që i kanë dëmtuar vrimat nuk është e vërtetë,” tha Gallapeni.

Banorët e fshatit Dobërdelan kundërshtuan hapjen e gurthyesit me arsyetimin se është i kundërligjshëm dhe në dëm të qytetarëve pasi ndodhet shumë afër shtëpive.

Komuna e Suharekës më 5 qershor 2013 i kishte dhënë pëlqimin kompanisë “Seti Komerc” për gurthyesin, por këtë pëlqim e kishte tërhequr më 11 shkurt 2014, pasi sipas komunës nuk ishin përfillur kushtet e veçanta të përcaktuara nga Komisioni i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve.

Përveç për mbylljen e vrimave të minave, shtatë banorët e Dobërdelanit akuzohen edhe për pengim të policisë për hetimin e dëmit të shkaktuar ndaj kompanisë që hapte gurthyesin.

“Me datën 27.09.2013, rreth orës 08:30 min, në oborrin e Stacionit Policor në Suharekë, në bashkëveprim me kanosje serioze pengojnë personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare duke organizuar bashkëvendësit për të penguar kryerjen e hetimeve nga policia,” thuhet në aktakuzë.

Seanca e ardhshme u caktua më 28 dhjetor. /Kallxo.com

Pushkët e UÇK-së, midis Beogradit (Foto)

0

Në Kalanë e Beogradit është një muze ushtarak, ku janë ekspozuar eksponate rreth historisë ushtarake serbe nga kohët mesjetare të partizanëve, deri te luftërat e fundit në ish-Jugosllavi.

Pjesë e muzeut është edhe Lufta e Kosovës, ku shihen disa pushkë dhe një uniformë e UÇK-së.

Në këtë muze është një pjesë e bombarduesve të NATO-s, kundër Serbisë të vitit 1999, shihet edhe një uniformë e pilotit dhe disa bazuka.

Muzeu ushtarak e Beograd1 Muzeu ushtarak e Beograd2