14.7 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6842

Oscars 2016: ‘Amy’ prin listën për dokumentarë

0

Dokumentarët “Going Clear: Scientology and the Prison of Belief” dhe “Amy” janë kandidatët kryesorë për t’u nominuar për “Oscars 2016”.

“Amy”, një dokumentar kontroversial për Amy Winehouse, është një hap më afër që të nominohet për “Oscar”.

“The Academy of Motion Pictures Arts and Sciences” shpalli listën e shkurtër të 15 filmave dokumentarë që do të konsiderohet për nominim në “Oscars”.

Këtë vit konkurrenca në kategorinë dokumentarëve është shumë e fortë, ku kanë konkurruar 124 filma. Lista e ngushtë u përcaktua nga një raund paraprak i votimit dhe anëtarët tani do të zgjedhin pesë kandidatë për në listën e shkurtër.

Emërimet do të shpallet më 14 janar, një muaj para ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscars”, më 28 shkurt. “Amy” ka marrë një furi të komenteve nga kritikët. Robbie Collin tha se në dokumentar shihet “rritja e lavdishme dhe të thyen zemrën rënia me mallëngjim që është dokumentuar” në film. Dokumentari i Asif Kapadia është kritikuar edhe nga babai i Winehouse, Mitch Winehouse, i cili tha se fokusi në betejën e vajzës së tij me drogë ishte “lëndues”.

Dokumentari i Alex Gibeny “Going Clear: Scientology and the Prison of Belief”, ka marrë shumë vëmendjen e medieve gjatë këtij viti dhe është një tjetër kandidat potencial për tu nominuar për “Oscars”. “The secretive Church of Scientology” i ka kushtuar një shumë të pabesueshme të burimeve për të parandaluar shfaqjen e dokumentarit. Filmi është i bazuar kryesisht në librin e gazetarit Lawrence Wright dhe paraqet kreun aktual të kishës David Miscavige në një dritë veçanërisht të pafavorshme.

Fituesit e mëparshëm “Oscars” janë të përfaqësuara në listë të rëndë. Michael Moore, i cili fitoi në vitin 2002 me dokumentarin “Bowling for Columbine”, mund të marrë një tjetër nominim për “Where to Invade Next”, që heton politikën e jashtme amerikane.

Një dokumentar mbi jetën e aktivistit Malala Yousafzai po kështu mund të bëhet pjesë e listës së shkurtë “Oscars”. David Guggenheim, i cili ka marrë një “Oskar” në vitin 2006 për “An Inconvenient Truth”, është gjithashtu në listën e ngushtë me “He Named Me Malala”, rreth aktivistes së re nga Pakistani, Malala Yousafzai.

Lisa e plotë e dokumentarëve që synojnë “Oscars 2016” përbëhet nga: “Amy i Asif Kapadia”, “Best of Enemies” nga Morgan Neville dhe Robert Gordon, “Cartel Land” me regji të Matthew Heineman, pastaj “Going Clear: Scientology and the Prison of Belief”, nga regjisori Alex Gibeny, “He Named Me Malala”, nga David Guggenheim, “Heart of a Dog” me regji të Laurie Anderson, “The Hunting Ground” i Kirby Dick, “Listen to Me Marlon” nga Stevan Riley, “The Look of Silence” i Joshua Oppenheimer, “Meru” me regji të Jimmy Chin dhe Elizabeth Chai Vasarhelyi, po kështu edhe “3 1/2 Minutes, Ten Bullets” i Marc Silver, “We Come as Friends” nga Hubert Sauper, “What Happened, Miss Simone?” i Liz Garbus, “Where to Invade Next”, me regji të Michael Moore, si dhe “Winter on Fire: Ukraine’s Fight for Freedom” prej Evgeny Afineevsky.

Jahjaga: S’mund të lejojmë që dialogu të imponohet me dhunë

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se nuk mund të lejohet që dialogu të imponohet me dhunë dhe demokracia të sfidohet çdo ditë.

Jahjaga këto komente i bëri gjatë konferencës së pestë vjetore Gjyqësore, duke i komentuar zhvillimet e fundit politike mes Pushtetit dhe Opozitës.

Ndërsa duke folur për sistemin gjyqësor, ajo tha se një shtet ligjor, bëhet me njerëz profesionist që nuk lejojnë që askush të jetë mbi ligjin preferenca.

“Qytetarët tanë kërkojnë më shumë nga ne, ata kërkojnë një drejtësi të pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe institucioneve dhe ne duhet ta kthejmë besimin e qytetarëve tonë në sistemin e drejtësisë, duke bërë reforma dhe duke mos u ndikuar nga asnjë forcë politike, kemi forcë të luftojmë korrupsionin sepse askush nuk duhet të jetë mbi ligjin“, ka thënë ajo.

Ajo u ndal edhe te përkrahja e Kosovës në luftën ndaj terrorizmit, ku janë arrestuar disa persona të dyshuar, megjithatë shtoi se kjo luftë nuk përfundon këtu dhe ne duhet të jemi më efektiv në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Kosova kurrë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vatër e terrorizmit, duke prishur harmonizimin fetar”, ka thënë ajo.

Dialogu s’duhet të kushtëzohet

0

Diplomati shqiptar Lisen Bashkurti ka thënë se pozita dhe opozita duhet të dialogojnë, por në këtë proces nuk duhet të ketë kushtëzime.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Bashkurti ka bërë me dije se as mazhoranca nuk mund të diktojë kushte për imponimin e marrëveshjeve e as opozita nuk mund të diktojë kushte për rrëzimin paraprak të tyre. Ai ka thënë se nëse palët hyjnë me kushte paraprake ultimative dhe përjashtimore, atëherë dialogu do të ishte i panevojshëm.

“Të dyja palët kryesore të politikës së Kosovës, mazhoranca dhe opozita, lypset t’i rikthehen dialogut dhe vetëm dialogut”, ka thënë Bashkurti.

Diplomati Bashkurti ka shtuar se është koha që politika në Kosovë t’i lexojë mirë dhe t’i respektojë në mënyrë rigoroze mesazhet e sekretarit amerikan John Kerry. Për të dyja marrëveshjet, të cilat po i kundërshton opozita, Bashkurti e ka fajësuar edhe diplomacinë e BE-së, e cila, sipas tij, ka qëndruar pasive në këtë proces. Ai ka thënë se marrëveshja për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe kërkon zgjidhje tjetër.

“Janë pesë arsye themelore që bëjnë të domosdoshme rinegocimin e kësaj marrëveshje”, ka deklaruar Bashkurti, duke shtuar se edhe marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi i ka të gjitha mundësitë për ta rinegociuar.

Intelektualët nga Shqipëria, me peticion kundërshtojnë marrëveshjet dhe kërkojnë lirimin e Albin Kurtit

0

Një peticion me nënshkrimet e 73 intelektualëve, pedagogëve, artistëve e studentëve, nga Shqipëria, në të cilën bëhet thirrje për lirimin e deputetit të Vetëvendosjes Albin Kurti, dhe kundërshtohet krijimi i Asociacioni i Komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni me Malin e Zi, u është dërguar medieve.

Kjo është letra e plotë e tyre, bashkë me të nënshkruarit:

Ne qytetarë të Tiranës, intelektualë, pedagogë, artistë, studentë, me besimin se vullneti i popullit do të frymojë politikat kombëtare, shprehim sot mbështetjen e plotë për luftën dhe përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për forcimin e shtetit në luftë të papajtueshme me çdo shfaqje të autoritarizmit dhe të korruptimit të institucioneve.

Sot ne deklarohemi kundër Marrëveshjeve për Zajednicën me Serbinë dhe Demarkacionin me Malin e Zi, të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës, të cilat cenojnë integritetin territorial dhe dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve. Arrestimi i Albin Kurtit në 28 Nëntor, ditën e shenjtë të Pavarësisë, kujton kohët më të errëta të sundimit serb kur patriotët dhe rinia e Kosovës dhunoheshin dhe burgoseshin për çështje kombëtare.

Ne gjykojmë se, në kuadrin e një bashkëpunimi luajal mes Qeverisë së Tiranës dhe asaj të Prishtinës, dhe mbi bazën e Marrëveshjeve të nënshkruara ndërmjet tyre, do të shmangeshin veprime të cilat cenojnë jo vetëm interesin kombëtar, por në një vështrim afatgjatë, paqen dhe stabilitetin në Rajon. Albin Kurti dhe të gjithë të Burgosurit Politikë duhet të lirohen një orë e më parë, sepse ata kanë dalë në mbrojtje të Republikës dhe aspiratave Kombëtare.

Tiranë, 3 dhjetor 2015

Nënshkruesit

1. Pëllumb Xhufi
2. Moikom Zeqo
3. Brizida Gjikondi
4. Krenar Zejno
5. Kujtim Çashku
6. Enis Sulstarova
7. Abdi Baleta
8. Iliada Korçari
9. Elvis Hoxha
10. Gjergj Zefi
11. Etleva Nallbani
12. Ksenofon Krisafi
13. Rudina Xhunga
14. Muntaz Dhrami
15. Sokol Shameti
16. Artur Zheji
17. Bora Ylli
18. Lutfi Dervishi
19. Anastas Kostandini
20. Ermira Qosja
21. Artan Shabani
22. Behar Gjoka
23. Alba Malltezi
24. Klement Kolaneci
25. Alment Muho
26. Olsi Lelaj
27. Beti Njuma
28. Saimir Shpuza
29. Arben Bajo
30. Sofokli Meksi
31. Nadire Buzo
32. Gjergji Gjuraj
33. Mandeta Minxhozi
34. Ardian Isufi
35. Ilir Yzeiri
36. Tefta Spirollari
37. Vlash Prifti
38. Dritan Sulçebe
39. Ina Kasimati
40. Klejd Këlliçi
41. Marin Mema
42. Arlind Qorri
43. Anika Dokle
44. Ledian Rusta
45. Enida Bozheku
46. Blendi Çeka
47. Keti Banushi
48. Lulzim Alushaj
49. Gentian Xhenga
50. Bashkim Rodoni
51. Blerta Lazebeu
52. Erion Kristo
53. Eda Elbasani
54. Lura Demiri
55. Pavio Gjini
56. Albana Rista
57. Aleksandër Josifi
58. Evi Veliu
59. Junilda Karameta
60. Agim Janina
61. Genti Gjikola
62. Ketiana Klosi
63. Genc Shehu
64. Haxhi Kalluci
65. Flutura Baleta
66. Hasan Matjani
67. Edvin Pacara
68. Liridona Hoxha
69. Xhenis Gjini
70. Gentian Aliaj
71. Armando Zamaj
72. Ermir Hoxha
73. Denis Muka

Opozita fillon manifestimet “Për Republikën”, sot në Gjakovë

0

Kundërshtimet e opozitës përveç në kryeqendër do të zhvendosen edhe në qendrat tjera të Kosovës.

Tri partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën, të cilët po kundërshtojnë nënshkrimin e marrëveshjeve për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, do të manifestojnë sot (e shtunë) kundër marrëveshjeve në Gjakovë, duke filluar nga ora 13:00.

Manifestimi “Për Republikën”, do të mbahet në sheshin “Nënë Tereza”, të qytetit të Gjakovës, ku pritet të flasin Visar Ymeri, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj.

Ky është manifestimi i dytë i përbashkët i partive opozitare, pas atij të 28 nëntorit në Prishtinë. Megjithëse pas manifestimit në Prishtinë pasuan arrestimet e deputetit Albin Kurti dhe rreth 100 aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, pas një aksioni që ndërmori Policia e Kosovës, në selinë e Vetëvendose!-s në kryeqytet.

Rrecaj: S’ka asnjë provë kundër Fatmir Limajt, procesi është politik

0

I ftuar në “Ballë për Ballë” sonte ishte avokati mbrojtës i Fatmir Limaj, Tahir Rrecaj.

Me të është diskutuar në lidhje me akuzat për rastin “MTPT”.

Rrecaj është shprehur se nuk ka prova që do ta dënonin Limajn për këto akuza.

“Prokurori nuk ka paraqitur asnjë provë që Limaj i ka kryer këto vepra për të cilat akuzohet”.

“Gjithsej janë hetuar 50 tenderë e tani si objekt shqyrtimi janë 6 tenderë”.

Avokati mbrojtës i Limajt është shprehur se jo vetëm ekspertët shqiptarë, por edhe ata të huaj nuk kanë hasur në asnjë parregullsi.

“As ekspertët ndërkombëtarë nuk kanë arritur të gjejnë asnjë shkelje të vetme lidhur me tenderët”.

Rrecaj tha se mesazhet telefonike të paraqitura si provë janë të falsifikuara.

“Ne pretendojmë se sms-ët janë të falsifikuar”.

“Kemi kërkuar që të bëhet verifikimi i tyre, sepse ato sms janë shkruar në një letër të bardhë A4, dhe ne kemi kërkuar zyrtarisht nga PTK Vala t’i analizojnë dhe nga ata është konstatuar se përmbajtja e mesazheve nuk përputhet, që do të thotë se ata sms janë të falsifikuar”.

Rrecaj më pas tha se ky proces ndaj klientit të tij nuk është i drejtë.

“Është proces politik sepse ka filluar në vitin 2010 me një pompozitet të paparë”.

“Në fillim është pretenduar se Limaj ka keqpërdorur 80 milionë euro”.

“Tani akuza ka ardhë për një shumë prej 250 mijë euro dhe prapë nuk ka asnjë provë”.

Ai u shpreh se prapa këtij procesi mund të qëndrojë ndonjë person i fuqishëm.

“Me mënyrën se si është filluar hetimi kundër Limajt dhe si është paraqitur në opinion tregon se ky është një gjykim politik e mbrapa këtij rasti qëndron një person shumë i rëndësishëm. Por, unë nuk mund të paragjykoj se kush mund të jetë”.

Nëse Limaj shpallet fajtor, Rrecaj është shprehur se dënimi mund të jetë shumë i lartë.

“Nëse shpallet fajtor, dënimi mund të jetë minimm nga 6 deri në 20 vjet”.

Avokati tha se nuk ka asnjë dyshim që Limaj do të shpallet i pafajshëm.

“Unë besoj fuqishëm vetëm nga aspekti profesional e jo vetëm pse jam avokat i tij, por me vlerësimet e mia, se Limaj do të lirohet nga çdo akuzë”. /Klan Kosova

Molliqaj: Qeveria rrëzohet vitin e ardhshëm (Video)

0

Duhet të kalohen disa dyer e disa oborre të fshatit Beleg të Deqanit për të arritur tek Sekretari Organizativ i Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj.

Zyrtari i lartë i partisë është duke u ruajtur të mos u bie në dorë policëve dhe shpreson që do qëndrojë larg burgut deri në realizimin e kauzës së opozitës për rrëzimin e pushtetit dhe anulimin e marrëveshjeve për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Pasi ka kryer ceremoninë e varrimit të gjyshes, Molliqaj pranoi të flasë për KALLXO.com në intervistën e parë të tij pas protestave të cilat ia dhanë atij ilegalitetin.

Shkak për këtë u bë momenti kur Molliqaj u pa gjatë protestës duke e larguar nga vetura zyrtare një këshilltar qeveritar,para se vetura të demolohej.

Në nisje të intervistës Molliqaj lë të nënkuptohet se nuk u ka rënë pishman fjalëve të tij para Kuvendit të Kosovës ku kishte deklaruar “o të gjithë në burg, o do lirohen të gjithë”.

“Në përpjekjen tonë për t’u çliruar nga mendësia politike që shteti i Kosovës të ndërtohet nga koncesionet dhe dialogu me Serbinë dhe për t’u çliruar nga bandat kriminale të Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit, kjo përpjekje do jetë ose të gjithë në liri, ose të gjithë në burg”, thotë Molliqaj.

Ditët e fundit Dardan Molliqaj thotë se ishte në Deçan, për të mobilizuar qytetarë për manifestimin e nesërm në Gjakovë, të organizuar nga opozita.

“Kam qenë nji kohë, këto dy-tri ditë në Dukagjin në mobilizimin e qytetarëve para manifestimit”, tha ai.

I pyetur pse nuk po del publikisht në aktivitetet e Vetëvendosjes, Molliqaj thotë që nuk ka asnjë thirrje prej policisë, por nuk është i gatshëm të kidnapohet, siç ai shprehet nga bandat kriminale.

“Unë nuk kam ftesë prej policisë as në shtëpi e as në zyre. Unë si çdo aktivist i Vetëvendosjes jam duke e bërë aktivitetin tim, por jam duke u kujdesur për shkak se nuk jam gati e ua lehtësu kidnapimin politik këtyre bandave kriminale. Kontributi i secilit aktivist është më i madh në liri se në burg”, thotë ai.

E me këto aktivitete kundërshtuese, Molliqaj po e sheh fundin e pushtetit aktual.

“Jo më larg se vitin e ardhshëm pushteti ka me u ndërru”, thotë Molliqaj.

Por, pse nuk ishte Dardan Molliqaj prezent në manifestimin e 28 Nëntorit?

“Unë do të jem në aktivitete, por jo në të gjitha. E për 28 Nëntor kam mungu sepse është vlerësu që është më e rëndësishme që atë ditë mos me qenë aty. Kam qenë nëpër komuna në mobilizim. E rëndësishme ka qenë që unë mos me u arrestu”, rrëfen Molliqaj.

Ai tregon për një nivel organizimi në Vetëvendosje ku sipas tij diskutohen edhe pjesëmarrja ose jo e dikujt në protesta. Për mos-pjesëmarrjen e tij më 28 Nëntor, Molliqaj thotë se ka vendosur kryesia dhe grupi parlamentar i VV-së.

Sipas tij, qëllimi i këtyre vendimeve është ruajtja e forcave dhe masivizimi i aktiviteteve.

“Qëllimi i organizatës tonë është qysh me i rujt forcat sa ma shumë. Qëllimi jonë është me i masivizu aktivitetet tona, me e goditë këtë pushtet kriminal dhe një ditë me e rrëzu komplet. E unë jam i bindun që kjo do të ndodhë”, thotë Molliqaj.

Duke folur për deklaratat e fundi të ndërkombëtarëve, Molliqaj është i bindur se tashmë është dëshmuar se vlerësimet e Vetëvendosjes kanë dalë të drejta.

Molliqaj ka folur edhe për paraqitjen e Albin Kurtit në protestën e 28 nëntorit duke i vënë kapak fjalëve se paraqitja e Kurtit ishte e planifikuar.

“Liderët opozitarë kanë qenë të njoftuar për fjalimin e Kurtit dhe është bërë në koordinim. Nuk ka qysh me pas çarje. Çdo tradhti e secilit prej neve në këtë proces përveç se është tradhti ndaj Kosovës, është edhe tradhti ndaj vetes”, thotë Molliqaj.

Ai parashikon edhe arrestime tjera të deputetëve.

“Unë mendoj qe ka me pas ende deputetë të arrestuar… Po sigurisht që do të ketë gaz, protesta e arrestime”, thitë ai.

Herën e fundit kur policia hyri në selinë e Vetëvendosjes për ta arrestuar Kurtin, nga aty doli me gjësende tjera e material të përdorur në protesta, përfshirë edhe bombola gazi lotsjellës.

Molliqaj thotë se nuk është asgjë befasuese ajo që gjeti policia.

“Ne kemi gjuajt gaz lotsjellës, ne kemi gjuajt sfera me ngjyrë në eskortën e kryeministrit Mustafa, kemi gjuajt Molotov nuk është asgjë. Ka pasur edhe miell sepse ka qenë e paraparë që pas aksionit me ve, ta gjujmë kryeministrin me miell”, thotë ai.

Ai flet edhe për aktivitetin e nesërm në Gjakovë, në të cilin thotë se nuk do të marrë pjesë.

Ai thotë se sado që nuk u përmbahet “urdhrave politikë” për t’iu dorëzuar policisë, dënimet e komunikacionit i paguan.

“Unë e asnjë aktivist i Vetëvendosjes nuk kemi asnjë rast tjetër të hapur të shkeljes së ligjeve, përveç aktiviteteve publike. Edhe dënimet e komunikacionit të gjithë i paguajmë”, thotë ai. /Kallxo.com

Gratë e Rahovecit dhe Mamushës diskutojnë për barazinë gjinore

0

Në ambientin e motel restaurantit “Esra Palace” në Rahovec, në organizimin e GIZ- it Gjerman, Agjencionit për barazi gjinore dhe Rrjetit të grupeve të Grave të Kosovës, u mbajt një tryezë me temën “Barazia gjinore dhe Korniza Ligjore”, ku morën pjesë gratë nga Rahoveci dhe Mamusha. Në këtë tryezë kanë morë pjesë edhe nënkryetari i komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, si dhe drejtorët komunal, Fehmi Hoxha, Lulzim Sylejmani dhe Kujtim Q. Popaj.

Përfaqësuesja profesionale e projektit për barazi gjinore, Nebahate Maqedonce, tha se ligji për barazinë gjinore promovon vlerat themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, dhe përcakton masat e përgjithshme dhe të veçanta për mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të barabarta të femrave dhe të meshkujve si dhe përgjegjësitë e institucioneve.

Nicole Frantworth, eksperte për barazinë gjinore, e elaboroi Kornizën ligjore, dhe në vazhdim thotë se ky ligj vlen për meshkujt, femrat dhe personat që kanë një karakteristikë të mbrojtur identitetin gjinor apo të seksit, si dhe garanton mundësi dhe trajtim të barabartë në sferën publike dhe private të jetës shoqërore, duke përfshirë jetën politike dhe publike, punësimin, arsimin, shëndetësinë, ekonominë, përfitimet shoqërore, sportin, kulturën, dhe sferat tjera të përcaktuara me këtë ose ligj tjetër.

Shumë gra të pranishëm nuk janë pajtuar me trendin momental sa i përket barazisë gjinore, duke thënë se pak janë ato gra që posedojnë biznese private, ose pjesëmarrjen në vendimmarrje, ndërkaq ato të Mamushës theksuan se në komunën e tyre asnjë grua nuk ka biznesin privat.

Me diskutime të tyre kanë kontribuar edhe nënkryetari Xhemali Haxhimustafa, tre drejtorët në qeverinë komunale Fehmi Hoxha, Lulzim Sylejmani, Kujtim Q. Popaj, si dhe Habibe Haxhimustafa, zyrtare komunale për barazinë gjinore. /PrizrenPress.com

Mision në moshën e turbullt

0

Tregim nga Hajdar Mallaku

Është thënë për moshën e adoleshencës se është moshë e bardhë, moshë me krahë, moshë shpërthyese, moshë e urës kalimtare nga një çmenduri e lehtë në moshën e arsyeshme, por dhe moshë e trazuar që i ngjet një uji të turbulluar, që, sado që duket i kthjelltë, nuk dihet çka nxjerr në sipërfaqe.

Puna me nxënës më provoi në shumë raste. Isha profesor dhe prind që profesionin e arsimimit të brezit të ri e doja shumë. Por në këtë punë delikate puna e donte që të jem edhe qortues, edhe paditës, edhe ndëshkues, aspak me dëshirë dhe gjithnjë i matur që ta zgjidhja problemin sa më mirë dhe pa dhimbje për nxënësin. Të gjitha këto detyra ishin obligim për secilin nxënës e veçmas për ata nxënës që luhateshin të dilnin jashtë normave dhe etikës shkollore. Ata vinin nga rrethe të ndryshme, me edukatë, me standard jetësor dhe njohuri të ndryshme dhe këto shërbenin për bazë të ndërtimit të mëtutjeshëm të qëndrimit ndaj tyre, por të gjithë ishin në moshën shpërthyese të adoleshencës kur duhej ruajtur një baraspeshë në mes gjërave të mundshme dhe atyre imagjinare. Më brengoste sidomos edukata e tyre, sepse arsimimin kush më shumë e kush më pak do ta arrinin.

E kisha në klasë nxënësen Erleta B. që vinte nga një fashat i Dukagjinit, ku përtheheshin fushat e pëlleshme buzë lumit me bjeshkët e thepisura që kafshoheshin si i kafshojnë dhëmbët buzët kur habitemi.

Jeta në fshatin e lindjes së saj i kishte, si çdokund, katër stinë: atë të punëve në fushë që zgjaste deri në qershor, atë të verimit në bjeshkë që zgjaste prej korrikut e deri në shtator, atë të vjeshtës që zgjaste prej tetorit e deri në dhjetor, kur zbritnin nga bjeshka me bagëti dhe bulmete dhe i vilnin pemët në kopshtet rreth oborreve dhe atë të dimrit që lidhej me mbylljen në shtëpi dhe dimërimin mbytës. Secila i kishte bukuritë e saj, por ajo më e dashura ishte koha e verimit në bjeshkë. Atje kryesisht shkonin barinjtë, bareshat, gratë e moshuara që merreshin me punët e bulmetrave, vajza, fëmijë, gra të veja… Fëmijët mblidhnin boronica me të cilat siguronin pije për dimër apo i shitnin për të siguruar para për shkollim. Kishte dhe të rritur që mblidhnin bimë mjekësore dhe i shitnin në fabrikë.
Erleta thua se s’kishte askënd në familje. Po përfundonte dhe viti i tretë në gjimnaz dhe askush nuk ishte dukur për t’u interesuar se çfarë suksesi kishte, a vijonte me rregull, çfarë sjellje kishte me shokë e shoqe e me profesorë. Thoshte njeriu se kish ardhur nga jetimorja. Vërtet prindërit e saj kishin filluar një punë të re, merreshin me një tregtizë të vogël, por si të lejohej që prindi ta barazojë fëmijën me paranë, duke i dhënë përparësi parasë, pa e menduar se paraja humbet sot, por fitohet nesër, ndërsa fëmija i humbur nuk kthehet më. Dhe kush ishte fëmija i tyre? Ç’ kishte sjellë Erleta nga vendlindja, nga fshati në qytet ? Sigurisht lirinë e bjeshkëve, hapësirën e pafund ku përthureshin fluturimet e shqiponjave që shkëputën nga shkrepat, pasi i kanë mprehur sqepat dhe i çajnë si disk luginat duke i piketuar pretë që fshihen kreshtave apo gjetheve. Kishte sjellë vajtimin e lahutarit, magjinë e fyellit, dridhërimat e gajdexhinjve apo këngët me gisht në fyt të vajzave dhe atë të shuplakave si burizan të burrave për ta marrë me çdo kusht lidhjen imagjinare shpat më shpat. Kishte sjellë shtatin e bëshëm si çetinë, rritur në përkujdesje të gjyshe Nazes me mazë deleje, me fluçkë djathi, freskuar atë gushën e bardhe me shtambën mbushur me borë e qumësht të freskët.

Kishte sjellë një harmoni zërash që formonin një orkestrim, një ritual gazmor, pingërimin e zogjve, zërat e bagëtive, ulërimën e qenve, jehonën e thirrjes së barinjve që i depërtonte majat e thepisura në rezonimin hyjnor. Kishte sjellë tisin e vezullimit të tbanëve në dritë dielli a hëne, me maje të thepisura llamarine, foletë e zjarrta ku pushonin njerëz e bagëti, ku vejushat trazonin bjeshkën, ndërsa vajzat thurnin ëndrra për djem sokola. Flinin këtu dhe të rinj që tash vizionin e drejtonin nga qyteti, atje prej nga vinte dituria.

Kishte sjellë nga fushat kryerjen e punëve të verës, sidomos kositjen e luadheve, kur fantazia kalëronte me galop hapësirave gjelbëroshe, vajtje-ardhjet në shkollë, larjen lakuriq në Lumëbardhë me shoqe në pikën e vapës, hangarizjen dhe të folmet e shkujdesura, kur djemtë sypetritë i vërenin fshehtas dhe ua përmendnin pastaj se ç’kishin parë.

Kishte sjellë nga vjeshta vjeljen e mollëve dhe dardhave dimërore kur mbi lëvozhgën e mollëve shkruheshin fjalët “Të dua, shpirt !” dhe gjuheshin në kopshtet fqinjë drejt të dashurave apo të dashurve.

Ndërsa nga dimri kishte sjellë fantazinë përrallore, bisedat e grave për rrengjet me meshkuj lapërdharë apo me ndonjë pusht të harbuar.

Pa i bërë mend këto, ai asnjëherë nuk qe dukur në shkollë. Vonë i kish shkuar në vesh çdo gjë për të, e kish përcjellë dy a tri herë…por… Kishte marrë vesh se nuk flinte me shoqen e saj në banesë, por me pronarin e shtëpisë që ishte një lolo pesëmbëdhjetë vjeç më i vjetër, me qëndrim në Suedi. Bëri pastaj ç’ish dashur e ç’nuk ishte dashur. E kish rrahur edhe me litar të lagur. Në shkollë mungonte. Shihej gjatë orëve të mësimit herë me dikë e herë me dikë tjetër.

E zura në befasi dhe e qortova. Nuk u skuq aspak, por ma përplasi fytyrës shprehjen:

-Profesor, po kush nuk e ka sot një të dashur!?

-Unë, – i thashë.

-Ti je i martuar, por edhe mund të kesh,- më tha.

– Gruan e kam të ligjshme, grua zemre, më tepër se të dashur. Si s’të vjen turp. Mendon se tërë bota janë të përdala si ti ?

E qortova dhe për veshjen, por u pendova kur më tha pa turp:

-Ani po ta shihje, profesor, nënën time si vishet.! Unë jam veshur shumë mirë.

– Nënën tënde nuk e kam nxënëse, unë po flas për ju.

Ishte kthyer kjo vajzë në një koketë të pastandardizuar.

E ndala gjuhën të mos nxirrja ndonjë shprehje të paqenë. Më zu inati sa s’plasa. Ditën tjetër hyra në postë, formulova numrin e saktë të prindit të saj dhe prita. U lajmërua i ati në anën tjetër.

-Zotëri Vegji, keni në gjimnaz një vajzë me emrin Erleta ?

-Po,- tha. Ç’ka ndodhur ?

E zbrita receptorin dhe e krisa duke e mbërthyer përmbys në bazament, vazhdova orën vijuese dhe, posa dola në pushim, m’ u afrua një i panjohur dhe m’ u prezantua:

-Jam Vegjiu, babai i Erletës, – më tha. Erdha se më keni ftuar. Më thanë se ju jeni kujdestar i saj.

-Kot më ka shkuar mundi si kujdestar me të. Ajo s’ka asnjë kujdestar, përpos rrugës, si duket. Më vjen keq që kështu po shprehem. Unë madje nuk ju kam thirr, por vajza juaj e ju nuk keni ardhur që tre vjet.

U zbeh si zbehen të sëmurit kur bëjnë dergjë të gjatë. M’u bë se ishte hera e parë që po e ndiente veten si prind i Erletës dhe e filluam bisedën për të.

-Pasi keni ardhur, po ju njoftoj se vajza juaj ka dalë krejt jashtë rregullave shkollore: shihet rrugëve me djem dhe vajza edhe kur ka orë mësimi, zihet pa arsye me profesorë, me nota nuk qëndron mirë. Fjala “Përjashtim”për ne ka peshë të dhimbshme, hedhje në rrugë dhe këtë s’e bëjmë. Merrni masa ju lutem, ka pak kohë deri në fund të vitit shkollor, ose merreni që këndej.

– Profesor, (foli çka nuk e prisja) do të thuash se vajza ime është k..vë?

-Unë nuk e thashë atë fjalë, as nuk e them dot kurrë. Nuk ma mban etika ime njerëzore as ajo e pedagogut.

-E di, profesor se ajo do ta bënte këtë punë edhe në fshat. Por e kemi sjellë në shkollë që të bëhet k..vë me shkollë. Atje do të mbetej k..vë analfabete.

-Zotëri Vegji, nuk më pëlqejnë këto fjalë, ju tash ratë në binarë të vajzës suaj. Këto fjalë nuk kontribuojnë në përmirësimin e situatës. Më mirë do të doja të mos ishim takuar fare. Tek e fundit vajza është jotja. Por po e shoh se më fort më dhimbset ajo mua se juve. E mbarojmë bisedën këtu. Më s’ flas.

Nuk e ndjeva vetën mirë terë ditën. Sa papërgjegjësi prindërore e tij! Sa profesion i vështirë me këtë moshë të turbullt rinore, kur mundin, nijetin e mirë dhe përkushtimin ta përmjerrin të marrët me të cilët duhet të merresh! Sa njerëz të pacipë!

“Dardha pik nën dardhë, por e ka bishtin prapa” – thotë fjala e urtë e popullit. Defiloi Erleta ditët dhe muajt e fundit ashtu si nuk i ka hije një nxënëseje. Të gjithë e vërejtëm dhe e mbajtëm tabu shtatzëninë e saj. Vetëm aty-këtu shokët e saj çapkënë shpotitnin: “Paska ngrënë shalqi vironja”- thoshte njëri. “ Sa krenare fatbardha, e ka bërë pikën e qejfit”- thoshte tjetri. E ajo si me krenari s’ia varte askujt. Në fillim u mundua ta mbulojë barrën me fund panço, por më vonë barra e pushtoi hapësirën dhe s’ia vari më kësaj pune. Tha se do të bënte dasmë dhe do të më ftonte dhe mua si kujdestar. I thashë prerazi “Jo !” Në dasmë do të vija në rrethana të tjera, kështu duhet të turpërohen edhe prindërit tuaj e lëre më unë. Në testin e gushtit ajo diplomoi. Më tha se e ka lënë në shtëpi djalin e porsalindur dhe sa t’i rregullojnë dokumentet do t’ia mësyjnë Suedisë. Pashë që si prind i dytë ende nuk kisha hequr dorë nga misioni i shenjtë: i urova rrugë të mbarë që të fluturojë si erë e lehtë nga Bjeshkët e Kelmendit, që prekin qiellin, kjo shqiponjë me një sokol të vogël dhe me një grabitqar, të kalojë detra e oqeane deri në Suedi. E atje, dhëntë Zoti e ta pjekë mosha: të plakët më shpejt duke e parë të shoqin e vjetër, e ai të përtërihet duke e parë të shoqen të re. Do të takohen në një mes që i përthur ëndrrat e tyre për një familje të lumtur. Në ndodhtë ndryshe, goja mos e thashtë e veshët mos e dëgjofshin.

Vdes në gjumë Scott Weiland

0

Scott Weiland, ish-këngëtari i grupit amerikan të rokut Stone Temple Pilots, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare. Lajmin e konfirmoi menaxheri i tij, Tom Vitorino, mbrëmjen e së enjtes.

Në një komunikatë të postuar në Instagram, ai shkroi se muzikanti vdiq në gjumë në Minnesota, ku ndodhej për turin e koncerteve me grupin e tij The Wildabouts.

Weiland ka pasur gjithmonë probleme me drogën.