12.6 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6889

Vetëvendosje! reagon për lirimin e Nexhat Çoçajt

0

Lëvizja Vetëvendosje! në Prizren, ka shprehur shqetësimin e thellë për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj Drejtorit të Arsimit Nexhat Çoçaj.

“Një veprim i tillë i hap rrugë rrezikimit, shantazhimit dhe frikësimit të dëshmitarëve kryesor në këtë proces”, thuhet në reagimin e VV-së.

“ Gjithashtu, vendimin e Gjykatës së Apelit për lirimin e të akuzuarve nga paraburgimi e konsiderojmë si vendim të ndikuar drejtpërdrejtë nga qarqet e pushtetit, pasiqë të arrestuarit tashmë kanë kërcënuar qeverinë Muja se në rast të mos lirimit nga masat e sigurisë, do t’i publikojnë të gjitha aferat korruptive të qeverisjes lokale në Prizren”.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren konsideron se institucionet e drejtësisë po shkelin mbi misionin e vetë duke u vënë në dispozicion të kërkesave antiligjore dhe agjendave politike të pushtetit”.

“ Mirëmbajtja e një pushteti kriminal duke ia lehtësuar betejat me drejtësinë është thellësisht kontradiktore me qëllimin e drejtësisë. Prandaj, për çdo kanosje, shantazhim, rrezikim të dëshmitareve apo zhdukje dhe dëmtim eventual të dëshmive, përgjegjësia do të rëndojë drejtpërdrejtë mbi kolegjin e gjyqtarëve që e morën këtë vendim”./PrizrenPress.com/

Ohajo, avioni përplaset me një shtëpi, 9 të vdekur

0

Një avion i vogël është përplasur kundër një shtëpie në Ohajo në SHBA. Sipas autoriteteve amerikane, bilanci i të vdekurve është nëntë persona: shtatë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit.

Sipas burimeve të para, avioni i vogël ka përfunduar kundër mbi tel elektrik pranë një banese dhe ka marrë menjëherë flakë pas kontaktit.

Në brendësi të banesës nuk ka pasur asnjë njeri në momentin e shpërthimit. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes

Turqi, mbytet varka me emigrantë, mes të cilëve 7 fëmijë

0

Është 14 të vdekur, mes të cilëve 7 fëmijë, bilanci provizor i fundosjes së një varke me refugjatë në brigjet turke të Ayvacik, në detin Egje sipas asaj që referon agjencia e lajmeve “Anadolu”.

Sipas kësaj të fundit, roja bregdetare turke ka arritur të shpëtojë 27 persona.

Varka është përmbysur para se të arrinte në ishullin grek të Lesbos, ku ishte drejtuar. Mes personave që kanë shpëtuar, është edhe një grua shtatzënë. Gazeta turke “Hurriyet”, thotë që emigrantët e mbytur duhet të jenë sirianë ose irakianë.

Kim Mehmeti, në një rrëfim për letërsinë dhe Shqipëritë tona…

0

Kim Mehmeti, një nga personazhet më të njohura të letërsisë shqipe këto tri dekadat e fundit do të jetë sot në një diskutim të hapur përballë lexuesve, mbi romanin e tij të fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, botuar nga “Saras”. Aktiviteti do të zhvillohet në orën 13.00 në sallën ovale, në Pallatin e Kongreseve, ku sot hapet sipari i 18 i Panairit të Librit. I shkruar në një stil të veçantë, romani në të përfshin që në faqet e para, duke të bërë pjesë të historisë, e cila ngjason si një rrëfim autobiografik i shkrimtarit. Një rrëfim i cili papritur i ngjason historisë tënde ose historive që ke dëgjuar shpesh në diskutime familjare. Kjo, pasi subjekti i këtij romani, është i lidhur fort me identitetin tonë historik. Një nga zërat më aktivë për sa i përket çështjes shqiptare, sidomos në Maqedoni, Mehmeti ka bërë me këtë roman një “kushtetutë shpirtërore të shqiptarëve”.

Përmes rrëfimeve të gjyshes së tij imagjinare, që u ngjan aq shumë gjysheve të secilit prej nesh, portretizohet mendja femërore shqiptare, e cila gjithnjë ka qenë e aftë të ruajë kujtesën. Në një kohë kur arkivat nuk ekzistonin, dhe kur gjithë memoria historike dukej se kishte humbur bashkë me zhvillimet që ndodhnin në Ballkanin e trazuar, femrat shqiptare ditën me mprehtësinë dhe aftësinë për të parashikuar të ardhmen, atë çfarë sot quhet historia jonë. Ky roman është kthimi i një borxhi të madh që ne i kemi gruas, përshkruar me tonet më të ndjera, dhe dashurinë më të madhe që një shkrimtar mund t’u japë personazheve të tij. Mehmeti e di që për të bërë letërsi të madhe nuk duhen subjekte të mëdha.

Mjafton të marrësh një histori nga mëhalla jote, ashtu siç e merr ai nga fshati i tij i lindjes. Personazhet orvaten të gjithë aty, dhe kanë qenë pjesë e rrugëtimit të jetës së shkrimtarit që në fëmijëri. Ai di çdo lëvizje dhe mendim të tyrin, dhe me kujdes ia ravijëzon në libër. Për vetë Mehmetin, ky është një roman i rëndësishëm. Një roman që siç e tregon nuk ka përfunduar me mbarimin e shkrimit, por ka mbetur gjatë në sirtarë për t’iu rikthyer sërish gjatë dy viteve. Një roman, që mbart brenda gjithë dashurinë e tij për vendin që duket nuk e ka gjetur ende rrugën drejt progresit.

I ndërpritet paraburgimi Nexhat Çoçajt

0

Një kolegj penal i Gjykatës së Apelit të Kosovës ka aprovuar pjesërisht ankesat e mbrojtësve të të pandehurve N.Ç, R.E., E.SH., dhe F.K., duke e ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të datës 03 nëntor duke i ndërprerë paraburgimin Drejtorit të Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçajt.

Kolegji vendosi që të pandehurit Çoçaj t’i ndërpritet paraburgimi dhe e njëjta masë t’i zëvendësohet me atë të ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar, deri me 02.12.2015.

Vendim i njëjtë u mor edhe për personat e tjerë, të cilëve u ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak.

Të gjithë këta po dyshohen nga ana e prokurorisë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par.1 dhe 2 nënpar.2.1 dhe 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës, del se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit të lartcekur janë kryes të veprës penale për të cilën edhe dyshohen.

“Mirëpo nuk ekziston rreziku i ikjes, pasi që të pandehurit janë njerëz familjarë, kanë vendbanim të caktuar, jetë të rregullt të gjertanishme, janë shtetas të Republikës së Kosovës, ndërsa nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim që do e bënte frikën “abstrakte” të prokurorit të bazuar për arratisjen e tyre”, thuhet në vendimin e ri të Gjykatës së Apelit të Kosovës

Po ashtu, Gjykata thotë se pretendimi se këto vepra penale kanë marrë hov në të gjitha poret e shoqërisë “nuk mund të jetë kusht për caktimin e paraburgimit”, ndërsa konstatimin e Gjykatës së shkallës së parë se kemi të bëjmë me recidivist të veprave penale, një vlerësim i tillë nuk është argumentuar dhe arsyetuar me prova bindëse.

“Megjithatë Gjykata e Apelit vlerëson së është i bazuar pretendimi i prokurorit të shtetit vetëm nga frika e bazuar se ata eventualisht mund të ndikojnë në të dëmtuar, dëshmitarë dhe bashkëpandehur dhe në këtë mënyrë mund të dëmtohet procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tyre”, përfundon njoftimi për media i Gjykatës së Apelit

Kërcënimi i Emilija Rexhepit, veprim kriminal

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) dhe “Ec Ma Ndryshe” në Prizren, kanë dënuar denoncimin nga ana e kryetares së NDS-së, Emilija Rexhepi në lidhje me rrëmbimin dhe më pas lirimin e vajzës së saj.

“Kjo kanosje paraqet një ngjarje që ka ngjallë shqetësim serioz te organizatat e shoqërisë civile në Prizren”, thuhet në reagimin e përbashkët të këtyre dy organizatave joqeveritare në Prizren.

“Sipas deputetes Rexhepi rrëmbyesit me këtë akt i kanë kërkuar vajzës së saj që t’i përcjellë porosi të ëmës “që të ketë kujdes se çfarë po bënë”, duke e kërcënuar me pasojat që mund t’i bartë në rast të ndryshimit të bindjeve të saja politike”.
“E gjithë kjo ngjarje sipas saj ka ndodhur një ditë pas mosmarrëveshjeve që subjekti politik NDS, ka pasur me partnerin e koalicionit PDK-në në qeverisjen lokale në Prizren”.

“KDI dhe ‘Ec Ma Ndryshe” dënojnë ashpër veprimet kriminale të shprehura në formë të kërcënimeve dhe shantazheve për shkak të bindjeve politike. Politika dhe pushteti duhet të ndahen dhe të distancohen nga kjo formë e veprimit. Gjithashtu, shprehemi të shqetësuar me mungesën e reagimit shoqëror karshi këtij rasti të kanosjes dhe rrëmbimit të një vajze të pafajshme”.

“Ju bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që sa më parë të zbardhin këtë rast, dhe të shqiptojnë dënimin meritor. Veprimet e tilla kërcënuese dhe kriminale për arritje të qëllimeve politike nuk guxojnë të jenë pjesë e jetës tonë institucionale”.

Emilija Rexhepi, e cila është edhe deputete në Kuvendin e Kosovës, ka shprehur dyshimin se konflikti me PDK-në në Prizren është bërë shkas që persona të panjohur ta rrëmbejnë vajzën e saj për disa minuta.

“Vajzën time e kanë rrëmbyer dy persona dhe e kanë lëshuar mëpas në mënyrë që ajo të më përciellë porosinë se “nëna jote duhet të ketë kujdes se çfarë po bën”, ka thënë Rexhepi/PrizrenPress.com/

Kundërkandidatja konteston zgjedhjen e kryetarit të Odës së Avokatëve në Prizren

0

Kryetar i Odës Regjionale të Avokatëve në Prizren është zgjedhur Hajrip Krasniqi.

Krasniqi u votua nga 29 avokatë nga 45 sa ishin të pranishëm gjatë votimit.

Ai pati për kundërkandidate Bahrije Besimin që fitoi besimin e 15 avokatëve.

Besimi kontestoi zgjedhjen e Krasniqit, duke bërë të ditur se i zgjedhuri kryetar i Odës Regjionale mban edhe një pozitë tjetër.

Hajrip Krasniqi, është zgjedhur kryetar Degës Regjionale të Avokatëve ne Prizren.

“Hajrip Krasniqi për momentin është zëvendëskryetar i Odës së Avokatëve në nivel Kosove dhe konsideroj që është bërë një shkelje procedurale me guximin e tij që ia ka paraqitur kandidaturën degës rajonale këtu. Ai nuk do t’i realizojë dy postet, a do të ketë të drejtë ligjore t’i ketë dy poste, edhe si zëvendëskryetar i Odës së Avokatëve, edhe si kryetar i degës?” shtroi pyetjen Besimi.

Por Hajrip Krasniqi thotë se mbajtja e këtyre dy posteve nuk i kontestohet as me Ligjin mbi Avokatinë, por as me rregullore.

“Më 16 nëntor më skadon faktikisht posti i zëvendëskryetarit. Zgjedhjet që bëhen fillimisht në degët regjionale, pastaj do të pasojnë edhe zgjedhjet e Odës së Avokatëve të Republikës së Kosovës dhe që ligjërisht dhe me statut, me Ligjin mbi Avokatinë dhe rregulloren mbi punën e degëve regjionale, nuk kufizohet e drejta ime për kandidim,” tha Krasniqi.

Ai zgjedhjen në pozitën e kryetarit e lidhi me punën që ka bërë.

“Sot u rikonfirmua puna ime me vetë besimin që ma dhanë gjithë kolegët për këtë post të degës regjionale në Prizren,” tha Krasniqi.

Mbledhja ku u zgjodh kryetar Hajrip Krasniqi pati edhe debate në lidhje me çështje tjera.

Avokatët Rexhep Kabashi dhe Esat Gutaj thanë se mbledhja ka nisur mbrapsht, pasi kryesia e kaluar nuk ka dorëzuar ndonjë plan të punës së odës. Avokati Naim Qelaj kërkoi që votimi për kryetar të bëhet me vota të hapura, por një propozim i tillë nuk kaloi dhe u votua me vota të fshehura.

Dega Regjionale e Avokatëve në Prizren ka si anëtarë 62 avokatë./kallxo.com/

Rrahje në Serbicë të Prizrenit, përfshihet edhe një femër

0

Tre persona janë përfshirë në një rrahje në fshatin Serbicë e Poshtme të Prizrenit.

“Janë arrestuar tre të dyshuar, dy meshkuj dhe një femër, pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje familjare janë përleshur fizikisht në mes vete me ç’rast kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit kanë pranuar tretman mjekësor”,njofton Policia e Kosovës.

Me urdhër të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

BE: Marrëveshja për Asociacionin të implementohet

0

Gjykata Kushtetuese e Kosovës dje ka nxjerrë dhe ka publikuar Vendimin për Masë të përkohshme, me të cilin suspendon implementimin e çfarëdo veprimeve të mëtejshme ligjore në bazë të këtyre “parimeve të përgjithshme/elementet kryesore” të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, deri në vlerësimin e përputhshmërisë së këtyre Parimeve me Kushtetutën nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur më këtë çështje gazeta “Zëri” ka kontaktuar Bashkimin Evropian për të marrë një reagim të tyre në këtë drejtim.

Zëdhënësja për Ballkanin në BE, Maja Kocijancic, ka thënë se BE nuk i komenton proceset të cilat janë në proces. Megjithatë ajo ka shtuar se BE pret që marrëveshja e 25 gushtit lidhur më krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të implementohet.

“Ne nuk i komentojmë proceset gjyqësore të cilat janë në procedurë e sipër. Ne presim që marrëveshja e 25 gushtit të implementohet. Të dy palët janë përgjegjëse për pjesën e tyre gjatë implementimit të kësaj marrëveshje”, ka thënë Kociajncic.

E pyetur nëse suspendimi i përkohshëm i kësaj marrëveshje apo anulimi eventual i saj pas dy muajsh, do të mund të rrezikonte Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim që Kosova nënshkroi me BE-në, Kocijancic nuk ka dashur të komentoj./Zeri/

Nisin hetimet ndaj të fuqishmëve të Prizrenit

0

Prokuroria e Prizrenit është aktivizuar pas publikimit nga Gazeta Jeta në Kosovë të hulumtimit “Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë”. Sylë Hoxha, kryeprokuror në Prizren, ka urdhëruar intervistimin në cilësinë e të dyshuarve të pronarëve të hoteleve dhe zyrtarëve komunalë.

Sylë Hoxha kryeprokur i Prokurorisë Themelore në Prizren ka konfirmuar se ka autorizuar Njësinë policore për Hetimin e Krimeve Ekonomike për të hetuar çështjet e ngritura në hulumtimin “Prizreni i Sunduar nga të Fuqishmit e Hotelierisë”, të publikuar nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Artikulli i publikuar më 22 tetor të këtij viti tregonte për biznesmenë të fuqishëm nga Prizreni kanë ndërtuar në Qendrën Historike duke shpërfillur autoritetet lokale.

Hoxha, në shkresën drejtuar autoriteteve policore, ka shënuar se artikulli i publikuar jep informacionin se ekziston dyshimi i arsyeshëm se pronarët e hoteleve “Kaqinari”, “Centrum”, “Shadërvani” dhe “Classic”, kanë kryer vepren penale-punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Po ashtu Hoxha ka shënuar se po ashtu edhe zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë së Inspektoratit në Prizren dyshohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Të intervistohen në cilësi të të dyshuarve, pronarët e: Hotel ‘Kaqinari’, Hotel ‘Centrum’, Hotel ‘Shadërvani’ , Hotel ‘Classic’ dhe zyrtarët e Drejtorisë së urbanizmit dhe Drejtorisë së inspektoratit në Prizren,” thuhet në shkresën e kryeprokurorit Hoxha drejtuar Policisë së Kosovës, përkatësisht njësisë në Prizren.

Në shkresën e Hoxhës nuk përmenden pozitat dhe emrat e përgjegjësve komunalë./Jeta ne Kosove/