8.3 C
Prizren
E hënë, 6 Prill, 2026
Home Blog Page 6906

Opozita: Kushtetuesja e ka humbur besueshmërinë

0

Tri subjektet opozitare kanë deklaruar se nuk janë të qëndrimit se do t’i besojnë shumë verdiktit që do ta nxjerrë Gjykata Kushtetuese në lidhje me një interpretim ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel, atë të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

Ditë më parë presidentja Atifete Jahjaga kishte dërguar në Kushtetuese këtë marrëveshje për të vlerësuar nëse ka ndonjë shkelje ligjore apo kushtetuese.

Mirëpo subjektet opozitare thonë se kjo gjykatë do të nxjerrë praktika të ngjashme si ato të më hershmet. Ata thonë se kjo gjykatë nuk është e pavarur dhe është e njëanshme., transmeton zeri.info.

Frashër Krasniqi nga Vetëvendosje thotë se ky subjekt patë dërguar edhe në vitin 2013 marrëveshjen e 19 prillit por pa ndonjë efekt.

“ Në vitin 2013 ne e patëm dërguar në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen e 19 prillit, dhe kjo Gjykatë as nuk e pat marrë në shqyrtim, duke thënë se marrëveshjet e tilla janë jashtë fushëveprimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra, është institucion i kapur dhe tashmë e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin” ka thënë Krasniqi.

Edhe AAK mendon se nuk do të ketë ndonjë rezultat të mirë nga kjo Gjykatë.

Muharrem Nitaj nga ky subjekt, për “Zërin” thotë se Presidentja është dashtë të intervenoj më herët. Ai thotë se Kushtetuesja është e kapur nga pushteti.

“ Në të shkuarën gjykata ka ditur të jetë instrument në duart e urdhërdhënësve politikë. Nëse ndodhë edhe kësaj here e njëjta gjë, më mirë të mos e kishin dërguar ne kushtetuese fare”ka thënë Nitaj.

I një mendimi të tillë është edhe deputetja nga radhët e NISMA për Kosovën, Shukrije Bytyqi e cila thotë se Kushtetuesja do të jetë e një anshme, shkruan Zeri.info.

“Dihet tashmë qëndrimi i gjykatës kushtetuese, kemi pasur edhe praktika të më hershme ku edhe e ka dëshmuar cilësinë e vet kjo Gjykatë. Ne si subjekt nuk presim diçka të mirë nga ky aspekt sidomos nga Gjykata Kushtetuese” ka thënë Bytyqi./ZËRI

A është në pikëpyetje ratifikimi i MSA-së?

0

Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit nuk është i sigurt se mund të ndodh gjatë seancës së nesërme.së hënës.
Për t’u ratifikuar kjo marrëveshje duhen 2/3 e votave të deputetëve, mirëpo tri partitë opozitare ende nuk kanë vendosur se a do të marrin pjesë në këtë seancë.

Ata do të takohen në mëngjesin e së hënës për të vendosur për këtë çështje.

Këtë e ka konfirmuar për Tribuna Channel, Bilall Sherifi nga Nisma për Kosovën.

Sipas tij, ratifikimi i MSA-së nuk do të pengohet nga deputetët e opozitës, por ai nuk ka dhënë detaje se a do të marrin pjesë në këtë seancë, ngase sipas tij kjo mbetet që të vendoset nga liderët e partive.

“Për shkak të rëndësisë, nuk do ta bllokojmë seancën. Të hënën, drejtuesit e grupeve parlamentare të partive opozitare do t’i japin detajet rreth qëndrimit të përbashkët në lidhje me MSA-në”, ka thënë Bilalli.

Kurse, Tinka Kurti, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se të tri partitë opozitare kanë vendosur më herët që mos të jenë prezentë në seancë për të ratifikuar MAS-në, për shkak se kanë shumë vërejtje për këtë marrëveshje, por sipas saj pjesëmarrja në seancë e deputetëve është duke u diskutuar.

Këtë seancë pritet ta bojkotojë edhe Lista Serbe

15 vjeçarja tenton të hidhet nga pallati pasi e la i dashuri

0

Një 15-vjeçare nga qyteti i Korçës ka tentuar të hidhet nga tarraca e një pallati 10 katësh pas ndarjes nga i dashuri.

Vajza për thuajse 3 orë ka refuzuar të zbresë nga tarraca e pallatit, duke qëndruar e ulur në muret mbajtëse nën kërcënimin e vetëvrasjes, ndërsa ka pranuar të zbresë vetëm pasi ka shkuar i dashuri dhe ka negociuar me të.

Forca të shumta policie, zjarrfikëse, por edhe kalimtarë janë grumbulluar në vendin e ngjarjes duke u përpjekur të bindin adoleshenten që të mos vetëvritet, ndërsa ajo për tre orë ka bërë rezistencë.

Pak momente para se të zbriste dhe përpjekjesh nga punonjësit e policisë dhe shërbimit social në tarracë, është ngjitur i dashuri i vajzës i cili ka folur me të dhe e ka zbritur nga parvazi para se ajo te rrëzohej.

Menjëherë e reja është dërguar në spitalin rajonal të Korçës për ndihmë mjekësore.

Erdogani prin në rezultatet e para, merr 53.2% të votave

0

Përfundon procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Turqi, ndërkohë ka filluar procesi i numërimi i votave në rang vendi

Sipas vendimit të Bordit të Lartë Zgjedhor (YSK), procesi i votimit në 32 qytete në lindje të Turqisë – i cili kishte nisur në orën 7:00 – përfundoi në orën 16:00. Ndërsa në qytetet e tjera ku procesi zgjedhor kishte nisur në orën 8.00, ka përfunduar në orën 17:00, sipas kohës lokale.

Votuesit kanë votuar në 175006 vendvotime në të gjithë Turqinë.

Ndër të tjera, ka përfunduar edhe procesi i votimit në pikat doganore për shtetasit turq jashtë vendit.

Mësohet se votimi për qytetarët turq jashtë vendit kishte filluar me 8 tetor dhe kishte përfunduar me 25 tetor në kutitë e votimit të ngritura në 113 përfaqësi në 54 shtete jashtë vendit. Fletët e votimit në këto qendra janë dërguar në Turqi nëpërmjet aeroplanëve dhe postave diplomatike. Këto vota të ruajtura në Bordin e njësive zgjedhore jashtë vendit, do të numërohen me votat e tjera

Në adresën e internetit secim.aa.com.tr do të tregohen në kohë reale rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme. Gjithashtu rezultatet do të paraqiten të shoqëruara nën formën e hartave dhe të grafikëve.

Sipas rezultateve të deritashme prin Partia për Drejtësi dhe Zhvillim e presidentit Recep Taiyyp Erdogan.

Zgjedhjet e sotme në Turqi kanë qenë të dytat në pesë muaj, pasi partia e Erdoganit ka dështuar të sigurojë shumicën në zgjedhjet e qershorit, ndërsa përpjekjet për të formuar koalicion qeveritar kanë qenë po ashtu të pasuksesshme. /AA/Telegrafi/

Veseli letër opozitës: Të jetë e nesërmja ditë e unitetit

0

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli u ka dërguar një letër tri partive opozitare përmes së cilës ka kërkuar unitet në seancën e nesërme të Kuvendit.

Nesër në Kuvend do të vij për ratifikim marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, dhe kryetari Veseli ka apeluar te opozita për një seancë të qetë për të dërguar mesazh në botë se Kosova di të krijoj shtet./Zeri/

Lexoni letrën e plotë:

Drejtuar partive opozitare të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.

Sikurse jeni në dijeni, nesër do të kemi një seancë të veçantë në Kuvendin e Kosovës. Në këtë seancë do të ratifikohet Marrëveshja e Stabilizim – Asociimit e nënshkruar të martën e kaluar në mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Me besimin e plotë se të gjithë pajtohemi se kjo marrëveshje shënon një hap të rëndësishëm pozitiv dhe konkret të vendit tonë në rrugën e integrimeve evropiane, si dhe me besimin e plotë se, përkundër dallimeve politike që kemi, e që janë legjitime në kontekstin e demokracisë, ne të gjithë bashëkohemi rreth projektit tonë shtetëror të integrimit në familjen e demokracive evropiane, ju ftoj që nesër të merrni pjesë në seancën kushtuar ratifikimit të MSA-së dhe të jepni kontributin tuaj në ecjen përpara të Republikës së Kosovës, ashtu sikurse e keni dhënë edhe në shumë e shumë raste dhe momente tjera, gjatë përpjekjeve tona të përbashkëta për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

Të nderuar deputetët të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Nisma për Kosovën.

Nesër duhet të jetë ditë e unitetit, ditë e bashkëpunimit dhe e veprimit të përbashkët, ditë kur të gjithë ne, që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojmë, para qytetarëve dhe para botës, se në veprimin tonë politik, mbi të gjitha, udhëhiqemi nga interesat madhore të vendit tonë dhe nga vizioni i përbashkët që kemi për të ardhmen e vendit tonë.

Ejani, të bëjmë sëbashku historinë tonë.

Me respekt,

Kadri Veseli,

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Nesër varroset Sefer Rexhaj, në fshatin Korishë

0

Të hënën(nesër) do të varroste anëtari i Kryesisë së LDK-së në Prizren, Sefer Rexhaj, i cili dje ndërroi jetë në Spitalin e Shkupit të Maqedonisë. Varrimi i tij do të bëhet pasdite në ora 14;00 në fshatin Korishë

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli konfirmoi se në shkollën e fshatit Korishë, do të mbahet edhe një mbledhje komemorative në ora 13;00. /PrizrenPress.com/

Femrat ruajtën kujtesën tonë

0

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë/ Kim Mehmeti flet për romanin e tij të fundit “Shpërngulja e të vdekurve”

kim mehmeti“Mos ma ço djalin atje, se do të bëhet shka, dhe do më harrojë gjuhën”. Kim Mehmeti e kujton ende këtë fjali të thënë nga i ati, teksa përgatitej të nisej për studime në Beograd. I rritur në një vend ku gjuha e “shtëpisë” nuk mësohej në shkolla, ai e njohu letërsinë përmes gjuhëve të tjera si maqedonishtja, serbishtja, apo kroatishtja. Por forca e gjuhës së “shtëpisë”, gjuhës përmes së cilave dëgjonte historitë e treguara prej nënës së tij, ishte më e fortë dhe drejtonte ashtu së brendshmi gjuhët e tjera. “Mos ke nisur me shkaje atje?”. Një tjetër pyetje e bërë nga nëna pas çdo kthimi në shtëpi gjatë kohës së studimeve i vjen sërish në mendje sot, jo si një shqetësim se vajzat e shkaut nuk ishin të bukura, por si diçka e lidhur me gjuhën. Me fjalët e thjeshta të një gruaje që asnjëherë s’ka dalë nga mëhalla e vet, nëna i kujtonte atij se gjuha ashtu si familja, ishte diçka e cila nuk mund të ndërrohej. Do të vinte ashtu natyrshëm nevoja për të shkuar më tej në gjuhën e “shtëpisë”. Sot Kim Mehmeti kujton sesi e mësoi autodidakt shkrimin e shqipes, teksa hidhte në fletore “Lumin e vdekur” të Jakov Xoxës. “Kam jetuar në mjedise sllave, dhe letërsinë e kam prekur përmes këtyre gjuhëve.

Më dukej çudi sesi mund të shkruaje në shqip. Gjithë biblioteka e shtëpisë sime ishte e mbushur me libra në gjuhë të tjera. Shekspirin e kisha në katër përkthime të ndryshme dhe asnjë në shqip”, kujtoi dje Kim Mehmeti i ftuar përballë auditorit të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë që po mbahet në Tiranë. Në një bisedë të moderuar nga gazetarja Elsa Demo, Mehmeti duhet të ishte përballë shkrimtarit nga Mali i Zi, Andrei Nikolaidis, i cili mungoi në këtë event. Kontakti me letërsinë shqipe do të vinte në vitin 1974, në atë kohë kur edhe “Rilindja” e Kosovës nisi të botonte libra shqip, duke dhënë një kontribut në njohjen e një pjese të letërsisë sonë, në pjesën tjetër shqiptare. Konicën e ka njohur përmes leximeve në gjuhë të tjera ndërsa takimi me të tjerë personazhe të njohur të letërsisë shqipe do të ndodhte në një moshë madhore. Ai ka lexuar Mitrush Kutelin, Sterjo Spasen, Ismail Kadarenë, pasi kishte lexuar klasikët. Shkrimtari lexoi pjesë nga romani i tij i fundit botuar nga shtëpia botuese “Saras”, “Shpërngulja e të vdekurve”.

“Jam mësuar të lexoj në heshtje, nuk kam lexuar asnjëherë me zë”, do të shprehej Mehmeti, teksa nisi më pas të lexonte një pasazh nga kjo vepër. Romani mund të konsiderohet si një sagë familjare, ku takon personazhe dhe jeton ngjarje që orvaten rreth të njëjtit vend. Një histori që ndodh aty në fshatin Suka, në Maqedoni, së cilës Kimi në këtë vepër i jep një dimension më të gjerë, duke e kthyer në një fshat që mund të qëndrojë në çdo kënd të botës. Një histori në dukje shumë personale, ku mund të gjejë veten çdo ballkanas, përmes së cilës kupton atë çfarë ka ndodhur me shqiptarët jo vetëm në Maqedoni. I thellë, dhe tepër prekës, Mehmeti depërton me këtë roman në skutat më të thella të shpirtit të vendit të tij, duke u përballur dhe me dhimbjen, e duke mos pasur frikë nga ajo. Ai kërkon ta gjejë të vërtetën aty ku është, dhe ta sjellë prej andej përmes rrëfimeve të një gruaje, që në këtë libër është gjyshja. Mehmeti tregoi se që kur e kishte projektuar këtë libër në mendje, rrëfimtarja kishte qenë gjyshja. Sigurisht që në libër gjyshja është një personazh imagjinar, megjithëse ngrohtësia e saj ngjan me atë të gjyshes së tij, aromën e së cilës ende e ndjen tek gjërat e mira në jetë.

“Romani është prodhim i imagjinatës, nuk është një roman autobiografik. Bota që na mbante gjallë ne shqiptarëve në Maqedoni, ku institucioni politik nuk funksiononte ishte familja. Ne s’kemi qenë një popull institucional, dhe institucioni i vetëm për ne ishte familja… Ne jemi ëndrra e prindërve tanë, ata çfarë ata kanë projektuar në mënyrën e tyre”, tha Mehmeti. Ndryshe nga librat e tjerë të cilët i ka mbaruar shumë shpejt, ky libër ka qëndruar dy vjet mbi tryezën e punës. Kishte diçka ky roman nga i cili nuk shkëputej dot. “Fillimisht nisa ta shkruaja si një tregim. Tregimi tek unë nis nga një titull dhe unë i kisha gjetur dhe titullin që do ta quaja “Rrëfimi i gjyshes”. Por ky rrëfim u bë i gjatë, i kaloi faqet që mban një tregim, kështu që edhe titullin do t’ia ndryshoja në “Shpërngulja e të vdekurve”, tha Mehmeti. E ka shkruar gjatë dy dimrave dhe natën. Pasi vera dhe dita për të nuk janë kohë të mira për shkrimin. Libri është si një histori që nuk do të mbarojë. Dhe pse rrëfimtari na çon në kohë të largëta, ato janë kohë interesante të mbushura me ngjarje të cilat shpjegojnë të tashmen. Fatushja është një prej personazheve interesantë në këtë libër, fqinja përmes së cilës Mehmeti projekton të vërtetën mbi fatin e gruas në Maqedoni. “Gjithmonë më është dhembshur gruaja në Maqedoni. Ato nuk mund të shkonin në shkollë, nuk mund të bënin gjërat që ne djemtë bënim. Në njëfarë mënyre ne kemi jetuar dhe jetën e tyre…”, tha Mehmeti, duke shtuar se “botën shqiptare e ka shpëtuar graria”. Ndrydhjen e dëshirave të Fatushes në libër, apo lëvizjen e personazheve të tjerë, autori tha se e ka vendosur në kontekstin e kohës në të cilën zhvillohen ngjarjet.

Personazhet janë të vërtetë në lëvizjet dhe mendimet e tyre, duke mos ndryshuar shumë nga personazhet realë që ndiejnë të njëjtat gjëra. Por nuk është vetëm Fatushja, personazhi që tregon besimin e tij te femrat. Në një shoqëri që gjithnjë ka qenë peng i zhvillimeve historike, kanë qenë femrat ato që kanë mundur të bëjnë çlirimin, duke mbajtur gjallë kujtesën. Ndaj gjyshja vjen si një personazh që mbart brenda arkivën e plotë të një vendi, që nuk ka pasur arkiva, por që është ruajtur bukur në mendjen e grave të tij. Ato me urtësinë dhe mençurinë e tyre kanë ditur të mbajnë jo vetëm familjen, por dhe të mbrojnë identitetin e tyre duke ruajtur e forcuar gjuhën, përmes rrëfimeve. “Jo pa qëllim kam zgjedhur gjyshen si rrëfimtare. Gjyshja dhe varrezat janë nyja ku lidhen e kaluara, e sotmja dhe e nesërmja. Njeriu, në njëfarë mënyre, është një album me kujtime. Për atë çfarë ka qenë dhe çfarë do të bëhet. E kaluara është gjithnjë një botë ku qëndron e sotmja, dhe në realitetin shqiptar të kaluarën e kemi ruajtur përmes grave. Ato kanë qenë të afta që me zgjuarsinë e gruas të shohin larg duke na ruajtur kujtesën”, tha Mehmeti. “Shpërngulja e të vdekurve” është një roman që të fut në një histori dhe kohë nga e cila nuk do të ndahesh, por kur përfundon të lë shijen e librave të mrekullueshëm me të cilët takohesh rrallë. Kim Mehmeti është një nga personazhet më të njohur në realitetin shqiptar. Tepër i ndjeshëm ndaj çështjes shqiptare, ai është aktiv me opinione në të përditshmet në Maqedoni. Si shkrimtar Mehmeti është përkthyer në disa gjuhë.

Poetët që shkruajnë në gegnisht, në ballë të krijuesve

0

Për poetin Primo Shllaku, gegnishtja është dega më e madhe jo vetëm e gjuhës por edhe e letërsisë shqipe. “Koineja letrare gege asht dega e madhe e gjuhës dhe letërsisë shqipe.

Në të janë shkrue monumentet e mëdha të gjuhës dhe po në të janë realizue një pjesë e madhe e inovacioneve letrare të letërsisë shqipe”, – rrëfen Shllaku, i cili do të jetë nesër i pranishëm në aktivitetin e titulluar “Gheg Poetry”.

“Kaq e gjatë dhe e thellë në histori, ajo ka krijue nji traditë të fuqishme që nuk mund të ndalohet administrativisht. Kjo traditë ka energji të madhe dhe 45 vjetët e komunizmit kanë qene vetëm nji aksident për të. Vazhdimi i kësaj tradite përmes poetësh e shkrimtarësh të rij tregon se gegnishtja dhe e gjithë shqipja i kanë kalue në histori këto vahe dhe kane fitue edhe imunitet. Pasi kalon shtrëngata ajo shpërthen me lang e kërthndezje të re” –vijon Shllaku, i cili mendon se gegnishtja nuk bën gjë tjetër veçse pasuron. “Gegnishtja asht pjese e shqipes dhe kush asht shqiptar pasuninë e ka aty.

Gegnishta pasunon shum’ prozodinë, ofertën poetike, formën dhe parametrat e një poezie me ting’llim të thellë e spiritual. Mitra gege ka qene prodhuese në të gjithë shekujt. Ajo u tërhoq në vitet e diktaturës, sepse fryma e saj historike nuk përputhej me panegjirikët dhe marrjen përsipër të detyrave te propagandës. Ajo u tërhoq nga piazza, por emra të njohur e vazhduen shkrimin pa shpresë botimi imediate, por me besimin se komunizmi ishte një periudhë kalimtare, ashtu sikurse rezultoi. Pa këtë bindje askush nuk do të kishte shkrue as për vete, as për të tjerët. Unë i shoh poetët qe shkruajnë në gegnisht në ballë të krijuesve, sa me temat, aq me delikatesën dhe eteritetin e tyne”, – përfundon Shllaku që e sheh këtë festival si një ngjarje të rëndësishme që meriton të përgëzohet.

Tirana lexon… jo për herë të parë
Kushdo mund të ndihet shkrimtar e të lexojë diçka me zë…ishte kjo ideja e organizatorëve të festivalit të letërsisë për të ftuar qytetarët e kryeqytetit t’i bashkoheshin maratonës së leximit më 29 tetor, e cila nisi qysh në tetë të mëngjesit për t’u përmbyllur në orën pesë pasdite në libraritë-kafene si; Hemingëay Bar, Tirana Friend’s Book House, E7E, Ejona, Zenit, Tirana Times e Ëoodstok. Megjithëse kjo nismë shfaqej për herë të parë në festivalin “Deti i Bardhë” një aktivitet i ngjashëm me lexime të njëkohshme në pesë librari-kafene të Tiranës është zhvilluar dy vite më parë në kuadrin e festivalit “Poeteka”, duke pasur në fokus moton se “leximi nuk e dëmton seriozisht shëndetin. Kultura e leximit- qoftë edhe atij publik- që duket sikur mungon në vendin tonë, ka histori që nis thuajse një shekull më parë me Gjerasim Qirjazin, i cili organizonte takime leximesh në sheshet e kafenetë e Korçës librin e tij “Pengu i Kaçakëve”, pasi i shpëtoi torturave të Çetës së Shahin Matrakut. Mbetet vetëm të shpresohet që aktivitete të ngjashme të përsëriten sa më shpesh.

Të shkruash me gjuhën e vendit mik

Jo vetëm rasti i shkrimtares Ornela Vorpsi, e cila ka zgjedhur të shkruajë në gjuhët e vendeve ku ka jetuar –fillimisht italisht e më pas frëngjisht –por edhe dy shkrimtarë të tjerë shqiptarë pjesëmarrës të këtij festivali Arben Dedja e Ilir Ferra shkruajnë në gjuhë të huaj. I pari në italisht e i dyti në gjermanisht. Një tjetër rast është ai i Ahmet Dursun, me baba dhe nënë me origjinë shqiptare, i lindur në Mersin të Turqisë, prej 22 vitesh jeton në Shqipëri dhe shkruan letërsinë e tij në shqip. Më 2008-ën ai botoi librin “Pena e Gardianëve”, duke u bërë i pari shkrimtar që nuk ka lindur në Shqipëri, por që shkruan në shqip.

Albulena Haxhiu thotë se nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë

0

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka vendosur të mos i përgjigjet Prokurorisë së Shtetit, e cila i ka dërguar ftesë për intervistim lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Parlament.

Deputetja ka komentuar edhe lajmet që nuk po i pëlqejnë Vetëvendosjes, duke thënë se ato janë vënë në shërbim të pushtetit dhe kundër përfaqësuesve të popullit.

Lexojeni të plotë reagimin:

Duket qartë se prokuroria po i jep prioritet arrestimit të neve deputetëve që protestuam në Kuvendin e Republikës kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë dhe faljes së 9.000 hektarëve Malit të Zi. Një fushatë mediale, sidomos e disa portaleve të afërta me regjimin, është vënë në shërbim të prokurorisë dhe policisë kundër neve përfaqësuesve të popullit.

Më lejoni ta sqaroj përfundimisht se unë nuk do t’i përgjigjem këtyre thirrjeve politike të prokurorisë për biseda informative. Për më tepër, pas kidnapimit të Albin Kurtit nga Policia e Kosovës në mbrëmjen e 12 tetorit 2015, pres që tani të hetohen, gjykohen e dënohen ata nga policia dhe politika e Kosovës që e planifikuan, urdhëruan dhe zbatuan kidnapimin. Tashmë ka një kallëzim penal të Albin Kurtit ndaj Policisë së Kosovës i cili ndodhet në sirtarët e Prokurorisë Themelore dhe asaj të Shtetit.

Gazetarët evropian u njohën me vlerat turistike të Malishevës

0

Një grup i madh gazetarësh, nga nëntë vende të ndryshme të Evropës, gjatë këtij vikendi kanë vizituar Komunën e Malishevës, ku janë njohur me një pjesë të vendeve më atraktive turistike të Malishevës. Kjo vizitë e gazetarëve të huaj, u realizua në kuadër të promovimit të turizmit rajonal përmes medieve ndërkombëtare, ndërsa në këtë vizitë, ishin të pranishëm gazetar nga Italia, Franca, Anglia, Çekia, Kroacia, Turqia, Maqedonia dhe Bullgaria.

Fillimisht, gazetarët janë pritur nga i pari i Malishevës, Ragip Begaj, në muzeun e qytetit “Jahir Mazreku”. “Është një kënaqësi e veçantë, për vizitën që ju sot i bëni Malishevës”, tha kryetari Begaj, i cili më pas i njoftoi me Malishevën, përmes një përshkrimi të shkurtër. Ndërsa drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi, i njoftoi me kapacitetet turistike të Malishevës. “Përveç që jemi një trevë shumë e pasur arkeologjike, një pjesë të së cilës e shihni edhe në këtë muze, Malisheva është e pasur edhe me trashëgimi kulturore dhe shpirtërore, bukuritë natyrore dhe shumë atraksione, që e bëjnë të veçantë Malishevën”, tha drejtoresha Krasniqi.

Pas muzeut, gazetarët u njohën me “Shpellën e flladit” në Panorc, nga u ndanë të mahnitur me bukuritë e shpellës, ndërsa shumë të kënaqur u ndanë edhe me afërsinë e banorëve të Panorcit, të cilët edhe ju ofruan ushqim tradicional, si flija, kërlanë, djathë, turshi dhe të tjera, nga kuzhina tradicionale shqiptare.

Pas kësaj, gazetarët vizituan edhe bukuritë mahnitëse të “Ujëvarave të Mirushës”, në kanionin e lumit Mirusha, pastaj u njoftuan edhe me pjesën e vetme në botë ku rritet “Lulëkuqja e Kosovës”, e cila rritet pikërisht në pjesën e maleve përreth Panorcit dhe Llapqevës. Përgjatë rrugës, duke u kthyer, gazetarët janë njoftuar edhe me pishinat e Banjës. Gazetarët kanë marrë edhe informacione për kullat, mullinjtë dhe shumë atraksione tjera që janë në Malishevë.

Gazetarët, u ndanë shumë të kënaqur, si me kapacitetet turistike të Malishevës, ashtu edhe me mikpritjen nga vendasit në çdo vend që kanë vizituar, si dhe me pritjen nga ana e kryetarit të Malishevës dhe me zyrtarëve tjerë komunal, të cilët i kanë shoqëruar gjatë gjithë ditës.

Këtë vizitë, gazetarët e medieve të ndryshme nga këto vende evropiane, pritet ta pasqyrojnë në mediet ku punojnë dhe përmes kësaj edhe promovimin e vendeve turistike të Malishevës, në vendet e tyre.