10.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Prill, 2026
Home Blog Page 6936

Anarki për t’i shpëtuar Speciales

0

Një nga arsyet, e pathënë publikisht, për këtë krizë politike që po vuan vendi, sipas analistëve, mund të jetë edhe improvizimi i paramenduar i vetë liderëve politikë që t’i nxjerrin jashtë funksioni të gjitha institucionet e shtetit, për të shpëtuar veten sa më gjatë nga Gjykata Speciale, e cila pritet të akuzojë disa nga ish-drejtuesit e UÇK-së, që sot kryesisht janë pjesë e PDK-së.

“Anarkia është e gatshme dhe duket se ka shkuar kohë e gjatë pa eskaluar situata. Qeveria me pozicionin e saj duket se është kundër anarkisë dhe është në gjendje të marrë masa të dhunshme, por e vërteta qëndron te gjendja e padurueshme ekonomike e sociale, të cilën po e intensifikon gjithnjë e më shumë vetë Qeveria me papërgjegjësinë e saj. Qeveria po ndërmerr veprime provokuese, siç ishte rasti i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, me qëllim që të nxisë reagime”, tha analisti politik, Isa Mulaj për Kosova Sot.

Sipas tij, opozita dhe qytetarët nuk kanë se si t’i shmangin këto provokime të dëmshme, përveç të reagojnë me forcë.

“Në këtë mënyrë Qeveria e gjuan gurin dhe fsheh dorën, do të thotë duke u bërë shkaktar i trazirave të dhunshme, e në anën tjetër zotohet se nuk do të lejojë skenarin e trazirave si në Shqipëri më 1997”, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, tha per Kosova Sot thotë se anarkia do të krijonte situatën kur nuk mund të finalizohet Gjykata Speciale.

“Anarkia po ashtu do të krijonte situatën kur nuk mund të finalizohet Gjykata Speciale. Disa jetojnë me shpresë se anarkia mund të jetë shpëtimi i tyre nga drejtësia. Kosova akoma është peng i lëkurës së kapove të krimit”, tha deputeti Adem Salihaj për Kosova Sot.

Nëpunësit nën hetime të pezullohen

0

Derisa në institucionet e Kosovës ka shumë zyrtarë që hetohen nga Prokuroria apo Policia, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime, korrupsion apo për përfshirje në vepra të ndryshme penale, në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil (KPMSHC) thonë se ligji e definon qartë se ata nuk mund të jenë pjesë e Shërbimit Civil dhe duhet të suspendohen.

Megjithatë, Këshilli, sipas kryetarit të saj Lulzim Aliaj, nuk ka mandat në këtë fazë që të ndërhyjë në lidhje me këta zyrtarë, që janë objekt hetimesh.

Deri më tani, sipas Aliajt, kryetar i KPMSHC-së, nuk ka ndonjë zyrtar të lartë që është larguar nga puna për shkak të hetimeve që janë zhvilluar ndaj tij.

Institucionet, sipas tij, po shkelin ligjin duke lënë me muaj të tërë ushtrues detyre në pozita të rëndësishme, pavarësisht se kanë tërhequr vërejtjen në lidhje me këtë çështje.

Zëri: Z. Aliaj, një numër i madh i zyrtarëve të Shërbimit Civil të Kosovës, përfshirë edhe sekretarë permanentë, janë duke u hetuar për vepra të ndryshme. A do të duhej që shërbyesit civilë që janë nën hetime t’i kryejnë këto funksione?

Aliaj: Ligji është shumë i qartë. Kërkohet vetëm zbatimi i tij dhe ne vetëm këtë e kërkojmë. Sa herë që kemi zyrtarë, qoftë të nivelit të lartë drejtues, qoftë të nivelit profesional, udhëheqësit më të lartë të institucioneve janë të obliguar që ndaj zyrtarëve të marrin masa përkatëse. /Zëri

“Poetry Slam Kosova”, gara e poezisë

0

Në shkollën amerikane në Kosovë (American school of Kosovo) organizohet gara e poezisë, Poetry Slam Kosova, për të gjithë krijuesit e rinj e dashamirët e letërsisë.

Më 24 tetor me fillim nga ora 15:00, në amfiteatrin e ASK në Prishtinë do të lexohen 15 poezitë e zgjedhura nga krijuesit e rinj, të cilat do të vlerësohen nga juria.

Ngjarja organizohet nga YES Alumni Kosovo, inspiruar nga shumë ngjarje të ngjashme që organizohen nëpër botë.

Paralajmërohet bllokimi i Qeverisë (Video)

0

Fatin e Kuvendit shumë shpejt mund ta ketë edhe Qeveria e Kosovës. Kjo për faktin se partitë opozitare shumë shpejt pritet të përshkallëzojnë veprimet e tyre.

Opozitarët kanë deklaruar për Tribuna Channel se përveç bllokimit të Kuvendit synojnë edhe bllokimin e Qeverisë. Këtë gjë do ta bëjnë duke i ftuar qytetarët që të protestojnë para hyrjes se Qeverisë, gjë e cila do të ndikonte në bllokimin e funksionimit të Qeverisë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje thotë se zbatimi i këtyre marrëveshjeve në Republikën e Kosovës e zhbën Republikën dhe në këto rrethana, qytetarët sipas tij, nuk do të qëndrojnë duarkryq dhe nuk do të lejojnë zhbërjen e saj.

Ai thotë se pjesë e kundërshtimit në mënyre të pashmangshme do të jenë edhe protestat.

Thaçi: Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi vlerëson se bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita nuk po bëhet për të kundërshtuar marrëveshjet e Qeverisë, por – sipas tij, – opozita po dëshiron të marrë pushtetin përmes dhunës.

Në një intervistë për Top Channel, Thaçi tha se nuk do të lejojë, që në Kosovë të përsëriten ngjarjet e dhunshme të vendeve të rajonit.

“Përdorimi i gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, mund të them lirisht se është një veprim i shëmtuar, irritues dhe neveritës prej udhëheqësve opozitarë në Kosovë. Pushteti nuk fitohet me gaz lotsjellës, as me thika dhe shufra metalike, e as me njerëz të armatosur në Kuvendin e Kosovës. Nuk do të lejojmë, që të përsëriten rastet e këqija të vendeve tjera të rajonit. Prandaj, mesazhi im është për një unitet mes të gjithë qytetarëve të vendit,”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Duke folur në emër të partisë më të madhe në vend, Thaçi tha se, ngjarjet e fundit në Kuvend nuk do të ndikojnë as në marrëdhëniet brenda koalicionit, e as në përshpejtimin e zgjedhjeve parlamentare.

“Mund të konfirmoj se, nuk do të ketë as zgjerim të koalicionit, as qeveri teknike, as zgjedhje të parakohshme. Por do të ketë funksionim të instutucioneve në kuptimin normal. Zgjedhjet e ardhshme do të jenë në qershor të vitit 2018. Udhëheqësit opozitarë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për ato zgjedhje”, tha Hashim Thaçi.

Thaçi u shpreh gjithashtu se angazhimi i Presidentes Atifete Jahjaga, për të diskutuar me përfaqësuesit e partive për të gjetur zgjidhje për daljen nga bllokimi i Kuvendit, është i mirëpritur, ndërsa ai konfirmoi gatishmërinë e partive të koalicionit për t’u ulur dhe për të diskutuar me opozitën.

Kryediplomati kosovar tha se, deputetët duhet t’i kthehen punës së tyre parlamentare për të miratuar ligjet e nevojshme, që i hapin rrugën vendit për anëtarësime më të shpejta në organizata të tjera, për liberalizmin e vizave dhe për anëtarësimin në Këshillin e Europës.

Një ditë para udhëtimit të tij në Paris, ku do të ndjekë nga afër procesin e votimit për në UNESCO, Thaçi u shpreh i bindur se Kosova do të marrë mbështetjen e merituar, pavarësisht fushatës së dëmshme të Serbisë.

“Jemi në prag të votimit nga Bordi Ekzekutiv, ku presim të fitojmë një mbështetje të gjerë prej vendeve anëtare. Pas tri javësh do të mbahet edhe Asambleja e Përgjithshme, ku gjithashtu presim edhe një lobim shtesë nga ana e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës. Jam optimist se, votimi kurdo të ndodhë, të mërkurën apo të enjten, do të jetë pozitiv për Kosovën”, tha Hashim Thaçi.

Thaçi deklaroi se anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të hapë një perspektivë të re në fushën e arsimit dhe të kulturës për të rinjtë e Kosovës. /TCH/

Përfundon takimi maratonë në UP, Këshilli Drejtues lë për më vonë vendimin për rektorin

0

Ka përfunduar takimi i përbashkët maratonik, prej më shumë se 9 orësh, në mes të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, Senatit dhe menaxhmentit të universitetit më të madh publik në vend.

Këshilli Drejtues, i cili kishte thirrur këtë takim të përbashkët ka dëgjuar gjatë gjithë ditës sfidat me të cilat ballafaqohet tash UP-ja. Aty është folur edhe për kërkesën e 28 senatorëve të UP-së, për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

Me të përfunduar mbledhja ka dal kryetarja e KD-së, Shefkije Islamaj.
“Siç e dini sot kemi pas një takim të gjatë. Mendoj se është mirë që kemi pasur rastin të dëgjojmë palët në kërkesat e tyre. Kemi dëgjuar edhe argumentet e senatorëve që kërkojnë shkarkimin e rektorit. Por natyrisht nuk ka vendim. Këshilli Drejtues ka krijuar një përshtypje, por kjo nuk ka qenë mbledhje në të cilën merren vendime. Nuk mund të paragjykoj sot vendimin, na lejoni të gjykojmë mbi ato që kemi dëgjuar”, ka thënë Islamaj para gazetarëve, raporton Koha.net.

Ajo ka thënë se në mbledhjen e kërkuar nga Këshilli që ajo e drejton është diskutuar edhe për shumë sfida e probleme të tjera me të cilat ballafaqohet sot UP-ja.
“Ky takim u zhvillua në frymë shumë konstruktive. U shtruan shumë shqetësime e probleme. Aty u shtruan shumë çështje që lidhen me funksionimin, lidhur me avancimet, me infrastrukturën e më shumë çështje të cilat lidhen me Universitetin e Prishtinës”, ka thënë Islamaj.

Opozita në Suharekë: Sali Asllanaj në mbrojtje të Isës e “Zajednicës”

0

Partitë opozitare që veprojnë në Kosovë kanë vazhduar avazin e bashkëpunimit qendror edhe në atë lokal. Më poshtë lexoni komunikatën e plotë të LVV-së, AAK-së dhe Nismës, degët në Suharekë, transmeton TherandaPost.

Kjo është komunikata:

Ditë më parë dega e LDK-së në Therandë, kryetari i saj Sali Asllanaj, kishte lëshuar një komunikatë për shqetësimin mbi ngjarjet e fundit në vend. Në këtë komunikatë kritikoheshin veprimet e fundit të opozitës kinse ato po e ndalin zhvillimin dhe integrimin e Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare. Është shumë mirë që z. Asllanaj shpreh shqetësimet për ngjarjet në vend, mirëpo ato duhet të jenë edhe në vendin e duhur. Do të ishte mirë të shprehnit shqetësimin edhe kur u nënshkruan marrëveshjet mes Isa Mustafës e Vuçiqit, për dëmet që i shkaktojnë ato marrëveshje Republikës, dhe jo për protestat e metodat e opozitës.

Ai ka përmendur sesi ngjarjet e fundit po e bllokojnë Kosovën për integrim në UNESCO. Duhet t’ia bëjmë me dije që është Daçiqi, pikërisht ai me të cilin po dialogon z.Mustafa, që lidhur me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO e krahasoi vendin tonë me ISIS-in. U tha që opozita po e penguaka marrëveshjen e MSA-së dhe Liberalizimit të vizave, e në anën tjetër asnjëherë nuk u shqetësua kur lëshuan vendin mbi 100 mijë qytetarë të Kosovës.

Asllanaj ka akuzuar opozitën që, kinse po ushtron dhunë ndaj Parlamentit, Qeverisë, Policisë e Prokurorisë. Për çfarë dhune ndaj institucioneve flet z.Asllanaj? Parlamentit ku kthehet në rivotim Gjykata Speciale vetëm pse nuk u kaloi herën e parë? Për Qeverinë që premtoi mbi 200 mijë vende pune? Për Policinë që djemtë e partnerit tuaj të koalicionit e rrahin dhe nuk burgosen? Për prokurorinë që ndërprenë gjykimet e djalit të Kryeministrit, për Prokurorinë që mbyllë lëndë si në rastin tuaj para kandidimit për Kryetar Komune? Kjo është dhuna që po i bëhet institucioneve dhe vendit përditë, nga pushteti.

Megjithatë në komunikatën e z.Asllanaj nuk pamë asnjë argument në mbrojtje të “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi. Kjo tregon dy gjëra, që z. Asllanaj është i vetëdijshëm çka ka nënshkruar Isa Mustafa,dhe nuk ka asnjë argument ta mbrojë “Zajednicën”, si dhe di që vetë anëtarët e degëve dhe nëndegëve të LDK-së po e nënshkruajnë peticionin dhe janë kundër këtyre marrëveshjeve. Mirëpo ne nuk po e kuptojmë një gjë se pse ky vrull që ka z. Asllanaj që të bëhet ndër të parët në mbështetje të vendimeve të Kryeministrit? Mbase kjo qenka kostoja për të, që për ndërprerjen e hetimeve në Prokurori dhe për rehatimin e vajzës në media publike.

Ne i bëjmë thirrje z.Asllanaj që të distancohet nga vendimet e dëmshme të Isa Mustafës dhe të shpreh shqetësimin për humbjen e territorit të Republikës së Kosovës. E meqenëse ne nuk pamë asnjë argument në mbrojtje të “Zajednicës”, atëherë ne nuk mund ta shkëpusim atë nga Isa Mustafa. Ju keni ende kohë të rreshtoheni në anën e së drejtës dhe të largoheni nga vendimet e dëmshme të Kryeministrit. Qytetarët e Therandës janë shprehur kundër “Zajednicës”. Ju duhet të shprehni vullnetin e tyre e jo të z.Mustafa.

Haradinaj tregon kërkesat që do t’ia paraqesë opozita Jahjagës

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë para takimit me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur qëndrimet që ai dhe kolegët e tij opozitarë do t’i mbajnë brenda në takim

Duke folur nga Peja, Haradinaj tha se ka marrë ftesë nga Presidentja e vendit për të biseduar për situatën politike në vend, mirëpo, ka shtuar së qëndrimet e opozitës karshi marrëveshjeve të arritura mbesin të njëjta.

“Qëndrimi ynë është mos-thirrja e seancës dhe tërheqja e marrëveshjeve të qeverisë. Pra mos të thirret seanca para tërheqjes së marrëveshjeve të qeverisë. Ky është qëndrimi dhe do të jemi bashkë nesër”, tha Haradinaj për KALLXO.com.

Kreu i AAK-së këto komenti i bëri gjatë vizitës që i ka bërë pasdite gjatë vizitës që i ka bërë strukturave partiake në Pejë.

Gjatë ditës së sotme, Presidentja Jahjaga u takua me dy liderët e partive që përbëjnë koalicionin qeveritar- Isa Mustafën e LDK-së dhe Hashim Thaçin e PDK-së- të cilët dolën nga takimi me qëndrimin se “nuk ka krizë politike në vend dhe se opozita duhet të heq dorë nga aktet e dhunshme”.

Gani Elshani akuzon Ramadan Mujën

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Ashkalive në Prizren Gani Elshani, ka akuzuar kryetarin e Komunës Ramadan Mujën për moskrijim të hapësirës në vendimmarrje të komunitetit “REA”.

“Duhet punuar më shumë në këtë drejtim për t’i siguruar të drejtat ekzistenciale, të shkollimit dhe të avancimit të komunitetit ashkali”, tha Elshani.
Organizata “Caritas Kosova” në Prizren, ka organizuar sot tryezë të diskutimi për të drejtat komuniteteve romë, ashkali, egjiptas.

Në këtë takim u diskutua rreth zhvillimit të aksioneve që janë paraparë nga kjo organizatë për komunitetin RAE. Temë diskutimi ishin edhe të drejtat dhe hapësira që po i jepet këtij komuniteti në shoqëri dhe në instucionet vendimmarrëse.

Kryesuesi i zyrës rajonale “Caritas Kosova” në Prizren ,Orhan Myftari ,tha se kjo organizatë po mundohet që me anë të organizimeve të ndryshme të ngrit zërin e komunitetit RAE për të drejtat e tyre, duke pasur parasysh sfidat e shumta me të cilat po përballet ky komunitet./TVPZ/

Kanë filluar vizitat sistematike shëndetësore në shkollat e Malishevës

0

Duke filluar nga sot, mjekët dhe stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Malishevës, kanë filluar me vizitat sistematike, shëndetësore, në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës, me qëllim të rritjes së kujdesit shëndetësor, identifikimi dhe parandalimi i anomalive të ndryshme te fëmijët.

Për këtë qëllim, drejtori Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, z.Hajdin Berisha, i shoqëruara edhe nga drejtori i QKMF-së në Malishevë, Besim Zogaj, i kanë vizituar ekipet mjekësore në SHFMU “I.Mazreku” në Malishevë, ku edhe ka filluar realizimi i këtij projekti.

Drejtori Berisha, pas vizitës në këtë shkollë, tha se “projektin e vizitave sistematike-shëndetësore, në shkollat e Komunës së Malishevës, e financon Komuna e Malishevës dhe e mbështetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, zyra në Prishtinë”.

“Ne si komunë, në kuadër të përpjekjeve tona, në të gjitha fushat, edhe shëndetësia, vazhdon të mbetet prioritet me rëndësi të veçantë, dhe ne do ta mbështesim çdo formë të tillë të kujdesit shëndetësor, me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve, e në veçanti fëmijëve tanë”, tha Berisha.

Drejtori i QKMF-së, z.Besim Zogaj i cili ka angazhuar një staf të mjaftueshëm në numër, me qëllim të realizimit të vizitave sistematike shëndetësore, tha se “në projekt, janë përfshirë tët gjitha shkollat dhe nxënësit që do t’ju nënshtrohen këtyre kontrolleve, janë paraparë nxënësit e klasave të nënta, të pesta dhe klasat e para, ndërsa kontrolli bëhet nga mjekët e praktikës së përgjithshme dhe stomatologu”.