Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur sot një delegacion nga Qendra e Rehabilitimit “Handikos” në Malishevë.
Kjo vizitë e Handikos, është bërë në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara dhe me këtë rast, ky delegacion i Handikos-it, e ka falënderuar kryetarin Begaj për mbështetje.
“Ne si komunë, jemi përpjekur gjithmonë që brenda mundësive buxhetore, t’ju ofrojmë mbështetje dhe të krijojmë kushte më të mira për qendrën e rehabilitimit, por kufizimet buxhetore, po na kufizojnë edhe neve si komunë, që ndoshta edhe të mos ju përkrahim sa duhet”, tha Begaj.
Ndërsa menaxherja e Qendrës së Rehabilitimit “Handikos” në Malishevë, znj.Feride Hoxha, e falënderoi kryetarin Begaj, për mbështetjen e vazhdueshme. “Ne ju falënderojmë për përkrahjen që na jepni dhe falë kësaj ne po përpiqemi t’ju ofrojmë shërbimet e nevojshme personave me aftësi të kufizuara”, tha Hoxha.
Në këtë datë, menaxherja e Handikos-it në Malishevë, shfrytëzoi rastin të shpreh pakënaqësinë e saj, për moskrijimin e kushteve në disa institucione, për qasje në objekte, për rreth 70 persona nga Malisheva, të cilët lëvizin me karrocë. /PrizrenPress.com/