33.4 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025
Home Blog Page 7438

Komuna anulon tubimet zgjedhore për këshillat e fshatrave të Rahovecit

0

komuna e rahovecitKomuna e Rahovecit ka njoftuar qytetarët e komunës së Rahovecit, se anulohen tubimet zgjedhore për zgjedhjen e këshillave të fshatrave, të caktuar më parë sipas orarit të publikuar në ueb faqen zyrtare të komunës.

Duke e marr parasysh kërkesën e përfaqësuesve të projektit “DEMOS”- Helvetias , ku komuna jonë është përfituese e projektit, të cilët kërkojnë që të jenë pjesëmarrës në tubime zgjedhore si dhe angazhimi i tyre në përgatitjen e këtyre tubimeve, duke angazhuar studentë për t?i sensibilizuar qytetarët që të marrin pjesë në mënyrë sa më masovike në këto tubime.
Përjashtim të anulimit të mbajtjes së tubimeve bënë fshati Hoçë e Madhe, ku tubimi zgjedhor do të mbahet sipas orarit të mëparshëm.

Komuna ka njoftuar se për kohën dhe orarin e mbajtjes së këtyre tubimeve zgjedhore do të njoftoheni me kohë./RahovecPress/

PDK-ja në pritje të prishjes së Bllokut

0

BasriMusmurati6-06Partia Demokratike i është përgjigjur negativisht kërkesave të bllokut për thirrjen e vazhdimit të seancës konstituive të kuvendit.

Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Basri Musmurati ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit nuk mund të thirret pa marrëveshje paraprake mes partive.

PDK-ja thotë se si fituese e zgjedhjeve do të përfshihet gjithsesi në qeveri, raporton KTV.
Musmurati ka thënë se brenda javës së ardhshme vendi do ta tejkalojë këtë krizë. Ai beson që ndonjëra prej partive politike, pjesë e bllokut, do t’i bashkohet PDK-së.

Ai ka theksuar se PDK-ja do të presë deri pas takimit të liderëve me presidenten dhe pastaj do t’iu dërgojë edhe ftesa zyrtare partive politike.

Konferencë shkencore për De Radën në 200-vjetorin e lindjes

0

Jeronim De RadaNë Universitetin “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës u zhvillua konferenca shkencore “Jeronim de Rada 1814-2014, personalitet i shquar i kulturës kombëtare”.

Folësit, mes të cilëve Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, Prof. Dr. Nexhip Mërkuri, studiuesi himariot Foto Bixhili, pedagogia Enkelejda Billa, shkrimtari Çlirim Hoxha nga Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj”, shkrimtarët Eqerem Canaj, Dr. Leka Skëndaj, u ndalën në ata elementë të veprës së De Radës, që e bëjnë atë një nga korifejtë e Rilindjes Kombëtare.

“Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë lartësohen malet e rilindjes sonë kombëtare”, theksuan referuesit, sipas të cilëve, Jeronim de Rada është padyshim një nga korifenjtë e kësaj Rilindjeje, një nga figurat më emblematike të letërsisë dhe kulturës sonë, që vazhdon të rrezatojë me të njëjtin shkëlqim të mahnitshëm prej 200 vjetësh. Në këtë konferencë u evidentua se, De Rada vjen në kohën tonë si një meteor i zbritur nga yjet, i cili përgjatë dy shekujve të udhëtimit të tij shpirtëror ka frymëzuar me dhjetra breza arbërorësh të gjakut të tij të shprishur, me fytyrë kthyer nga lindja e diellit, atje në brigjet ku këndohen këngët e mëmëdheut.

Referuesit theksuan se, De Rada vjen mes nesh me veprën e tij gjigante, vjen me “Këngët e Milosaos”, me “Serafinën e Topisë”, me Skënderbeun e Pafan, me Parimet e Estetikës (mendime rreth jetës dhe qëllimeve të saj), apo me përmbledhjen “Këngë popullore arbëreshe” etj. Ndërkohë, studentë të Universitetit “Ismail Qemali” recituan vargje nga krijimtaria e De Radës.

Zgjedhën tre prorektorë të UPZ-së

0

UPZ 45Këshilli Drejtues i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, në mbledhjen e mbajtur sot, me votim unanim ka zgjedhur tre prorektorët, në përputhje me dispozitat e nenit 36 të Statutit të Universitetit.

Prorektor për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, është emëruar Prof. Ass. Dr. Malush Mjaku, Prorektor për Buxhet, Financa dhe Infrastrukturë, Prof. Ass. Dr. Florie Govori, ndërsa Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ngritje të Cilësisë, Profesor Sadik Idriz.
Me këtë vendim të Këshillit Drejtues është kompletuar menaxhmenti i Universitetit, që udhëhiqet nga Rektori, Prof. Dr. Ramë Vataj.

Me këtë rast, Kryetari i Këshilli Drejtues të UPZ-së, Prof. Dr. Avdulla Aliu, u uroi suksese dhe përkushtim në punë prorektorëve të universitetit.

AAK i kundërpërgjigjet fuqishëm LDK-së: Kryeministër Ramushi dhe pikë!

0

Ramush haradinaj ne zgjedhjePas deklaratave të njëpasjnëshme të zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, se atyre u takon posti i kryeministrit, ka ardhur edhe një reagim i fuqishëm i AAK-së. Zyrtarë të lartë të kësaj partie kanë thënë se AAK nuk do të lëshoj pe, për faktin se ky rezultat është që nga 8 qershori, kur edhe është arritur marrëveshja.

Anëtari i Kryesisë së AAK-së, Avni Arifi ka thënë për Gazetën Blic se insistimi befasues i LDK-së për postin e kryeministrit është kundër Bllokut.

“Insistimi befasues dhe arrogant i LDK-së për Kryeministër është kundër Bllokut. Nuk do të ketë marrëveshje të re ku parashihet spostimi i Ramushit vetëm pse nuk u zgjodh Isa kryeparlamentar. Të njëjtat parti jemi nga qershori, me të njëjtin rezultat zgjedhorë”, ka thënë Arifi për Gazetën Blic.

Sipas këshilltarit të Ramush Haradinajt, marrëveshjet serioze dhe të sinqerta nuk bëhen duke qitur partnerët para aktit të kryer.

Ky reagim i Avni Arifit ka ardhur pas deklarateve të deputetit të LDK-së, Abdullah Hoti se atyre u takon posti i kryetarit të qeverisë.

Që nga e premtja shumë zyrtarë të LDK-së deklaruan se me lëshimin pe nga posti i kryetarit të Kuvendit nga Blloku LVAN, atyr u takon posti i kryeministrit.

Avdullah Hoti: Isa Mustafa Kryeministër

0

AvdullahHoti-LDKBllokada tashmë është tejkaluar. Presidentja Jahjaga, si garantuese e funksionimit të institucioneve, duhet të kërkojë nga Flora Brovina thirrjen e seancës. Marrëveshja e koalicionit LDK, AAK, NISMA dhe VV duhet të pësojë ndryshime. Kandidat për Kryeministër do të jetë Isa Mustafa. Udhëheqja e LDK’së po kërkon mbështetjen evropiane për qeverisjen e re të Kosovës. Anëtari i Kryesisë dhe Deputeti i LDK’së, Avdullah Hoti, flet për Express
Express: Deri kur do ta prisni PDK-në për të thirrur seancës për të përfunduar konstituimi i Kuvendit?

A.Hoti: Ne presim që kryesuesja Brovina shumë shpejt të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive. Pasi koalicioni LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje do të votojnë kandidatin e PDK-së për Kryetar të Kuvendit, mendoj se është tejkaluar ngërçi politik dhe nuk ka më arsye të shtyhet seanca e Kuvendit. Me këtë veprim, koalicioni i ka hapur rrugë formimit të institucioneve të vendit në përputhje me kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, sado që vendimi i Gjykatës lidhur me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit nuk është në frymën e demokracisë parlamentare.

Express: Si duhet të sillet në këtë rast Presidentja Jahjaga?

A.Hoti: Presidentja është garantuese e funksionimit të institucioneve sipas kushtetutës. Ne presim që ajo të kryejë obligimin e saj kushtetues, të sigurojë se seanca thirret dhe mbahet në përputhje me rregulloren e Kuvendit. Ne presim se Presidentja do të kërkojë nga kryesuesja që të thërrasë seancën nëse zonja Brovina nuk e bënë një gjë të tillë. Përvojat e deritanishme që i kanë deputetët e kësaj legjislature me zonjën Brovina nuk janë premtuese. Sjellja e saj në seancat e kaluara ka qenë jo demokratike, arbitrare dhe në interes të subjektit të saj politik. Kjo sjellje e saj e ka dëmtuar frymën e demokracisë në Kosovë dhe ka vendosur një standard të keq se si nuk duhet të sillet asnjë zyrtar publik.

Express: Pasi Blloku hoqi dorë nga pozita e Kryeparlamentarit LDK ka kërkuar ta udhëheq Qeverinë. Është Isa Mustafa kandidat i LDK’së apo ka ndonjë emër tjetër?

A.Hoti: Koalicioni e ka shumicën parlamentare për të formuar qeverinë. Pas heqjes dorë nga pozita e Kryetarit të Kuvendit, është e natyrshme që partisë më të madhe në koalicion, që është LDK-ja, t’i takojë posti i Kryeministrit. Sigurisht, Kryetari Isa Mustafa do të jetë kandidati për kryeministër pasi ai është kryetar i LDK-së, ka barrën e implementimit të programit qeverisë të koalicionit dhe ka përgjegjësinë para elektoratit të LDK-së.

Express: Zyrtarët e AAK’së kanë thënë se Marrëveshja s’ka ndryshuar dhe se Ramush Haradinaj mbetet kandidat për Kryeministër. Ka rrezik të prishet Blloku nëse LDK e kërkon pozitën e Kryeministrit?

A.Hoti: Nuk ka asnjë rrezik të prishet koalicioni, ose blloku siç e quani ju. Koalicionin e mban fort së bashku qëllimi i përbashkët, që është ndërrimi i qeverisjes në Kosovë dhe ofrimi i një qeverie të shpresës, zhvillimit dhe punësimit për qytetarë dhe integrimi evropian i Kosovës. Të gjithë partnerët e koalicionit janë pajtuar që të votohet kandidati i PDK-së për Kryetar të Kuvendit. Rrjedhimisht, është e natyrshme që LDK-së, si partia më e madhe në koalicion, të udhëheqë me qeverinë pasi e ka barrën më të madhe brenda koalicionit me 30 deputetë sa ka.

Express: PDK po i përmend zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse nuk ka marrëveshje mes partive. Cili është qëndrimi i LDK sa i përket mundësisë për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme?

A.Hoti: Nuk ka asnjë arsye të shkohet në zgjedhje. Kosova nuk është në ngërç politik. Në seancën e radhës të Kuvendit, do të zgjidhet Kryetari i Kuvendit dhe strukturat e tjera të Kuvendit. Pas kësaj, në përputhje me vendimit e Gjykatës Kushtetuese për mandatarin për Kryeministër, ne presim që PDK-ja të shfrytëzojë të drejtën e saj që brenda 15 dite të paraqesë në Kuvend për votim qeverinë ose të dorëzojë mandatin. Presim që në përputhje me këtë vendim dhe me kushtetutën, Presidentja herën e dytë të mandatojë LDK-në për të formuar qeverinë. Ne jemi të gatshëm që në afat rekord të paraqesim në kuvend propozimin për qeverinë e re dhe programin qeverisës. Kjo qeveri e koalicionit do të jetë qeveri e standardeve evropiane, qeveri që do të mandatohet për të kthyer normalitetin në vend dhe për të përmbushur standardet evropiane në mënyrë që në afat rekord të lëvizet pa viza.

Express: Në mbledhjen e fundit të Kryesisë së LDK është përmendur nisja e procedurave për zgjedhjet e brendshme partiake. Kur pritet të përfundojë ky proces?

A.Hoti: LDK-ja ka filluar përgatitje e saj për zgjedhjet e brendshme partiake. Ky është një proces normal që e zhvillon LDK-ja çdo katër vite në përputhje me statutin e saj. Mendoj se në këtë drejtim, LDK-ja ka vendosur standarde të larta se si duhet të funksionojë një parti politike e qendrës së djathtë. Sigurisht ju e dini, LDK-ja është vetmja parti nga Kosova që është anëtare e Partive Popullore Evropiane dhe ne kemi për obligim që të sigurojmë standardet më të larta demokratike në zgjedhjet e brendshme partiake.

Express: Është përmendur se kandidatë të mundshëm për kreun e LDK’së janë edhe Lufti Haziri, Vjosa Osmani, Arben Gashi e Bujar Bukoshi. Janë këta kandidatët potencial për të udhëhequr me LDK’në dhe a jeni edhe ju kandidat për të qenë në krye të kësaj partie?

A.Hoti: Në zgjedhjet e saj të brendshme, LDK-ja është shumë demokratike në respektimin e të drejtës që ka secili anëtar i LDK-së për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur në strukturat e LDK-së, në cilindo nivel. Zgjedhjet do të organizohen në përputhje me statutin e LDK-së dhe Rregulloren për zgjedhje të LDK-së. Unë nuk komentoj se çfarë shkruhet nëpër medie për persona të caktuar. Unë mund të flas për veten time se nuk jam kandidat për kryetar të LDK-së. Duhet të them me këtë rast se LDK-ja ka standarde tepër të larta për kryetar të partisë, sepse është parti me traditë, e përgjegjshme, parti institucionale dhe parti që ka përgjegjësi të madhe para qytetarëve të Kosovës dhe anëtarësisë së vet.

Express: Isa Mustafa dhe disa zyrtarë të tjerë të LDK’së po qëndrojnë në Berlin. A e ka marrë mbështetjen lideri i LDK’së për pozitën e Kryeministrit?

A.Hoti: Kryetari Isa Mustafa dhe zyrtarë të lartë të LDK-së po qëndrojnë në Berlin në takime të rëndësishme me zyrtarë të CDU-së dhe institucioneve gjermane. Gjermania është partner i rëndësishëm i Kosovës, sikurse që është CDU-ja partnere e rëndësishme strategjike e LDK-së. Ne kemi pasur mbështetje të fortë në vazhdimësi nga CDU-ja. CDU-ja dhe LDK-ja janë të dyja anëtare e Partive Popullore Evropiane. Na presim shumë punë në Kosovë, në themelimin e shpejtë të institucioneve, në zbatimin e reformave për të mundësuar aplikimin e standardeve evropiane me qëllim të integrimit sa më të shpejtë në BE dhe në NATO. Ndihma e Gjermanisë është e pazëvendësueshme në këtë drejtim. Kjo vizitë në Berlin është në këtë frymë, që të konsultohemi me partnerët tanë evropiane dhe të sigurojmë mbështetjen e tyre në veprimet tona të ardhshme.

Katundari dhe gomari

0

Avdi IbrahimiShkruan: Avdi Ibrahimi

Ishte praku i dimrit, rrezet e para të diellit ranë mbi katundin Gurrë. Ky katund ndodhej nja tri orë larg qutetit Therranjet. Por në qafën e grykës malore mbi katundin Gurrë ndodhej nja një orë larg katundi Grykas.

Eh, mu në katundin Gurrë, në mes banorësh të tjerë, jetonte Gurashi me gruan e ti Lumtën dhe pesë djem.
Gurashi edhe pse një bujk e bari i zellshëm, me atë cope tokë që kishte s’mund ta siguronte bukën për tanë vitin. Për këtë nxori nga ahuri gomarin dhe mbi shpinë i ngarkoi samarin se duhet të shkonte në qytet në pazar për te blerë drithin.

Pa e bërë të gjatë vuri në tarrçuk dy kokrra vezë të ziera, një cope djathë, një spec djegës, një cope bukë misri, dhe ca kripë. Kështu hipur mbi gomar u nis për në Therranjet.
Ndërsa ecte përmes pazarit të drithrave, nxori shaminë prej mëndafshi dhe fryu hundët pa vështruar rretheqark. Befas u dëgjua zëri i mprehtë i imamit të xhamis që po thërriste drekën majë minarës. Gurashi shqiptoi fjalën “O, Zot”, e shpejtoi këmbët për ta blerë drithin.

I lehtësuar që bleu drithin, e ngarkio mbi shpinën e gomarit, mori rrugën drejtë shtëpisë, rrugës pasi kish lënë qytetin bie një shi i rrëmbyer e kokërmadh i fundit të vjeshtës, por pushoi shpejt. Më të ndjerë se kalio rrëbeshi, natyra nis të zgjohet, zogjtë dualën nga foletë e ja nisën cicërrimave. Gurashi mbushi gjoksin me ajër të freskët e ashtu paksa të lodhur ai dhe gomari vazhduan të ecin grykës së maleve, që retë e zeza po përhapëshin përmbi katundet Gurrë e Grykas, i dukej se ngadale po ecte gomari, e ai kishte frikë se mos po fillon te bie bore e do ta zinte nata rrugës.

Befas i ra në mend speci djegës, nxori nga tarrçuku e ja djegu me spec prapanicën gomarit. Gomari e shpejtoi hapat, ecte me të katrat, por Gurashi filloi të lodhej e nuk po mund ta nxinte gomarin, atëherë djegu me spec edhe prapanicën e vetë, kështu shpejtoi ai hapin dhe arriti të ecte prapa gomarit.

Ai e mori me mend se gruaja e tij Lumta po e priste në oborr të shtëpisë kthimin e tij nga qyteti. Më të vërtet si ju afrua oborrit Lumta i doli përpara me ecjen e saj prej malësoreje:
– E, more Gurash? – Ç’i ke bërë gomarit e vetes ashtu, që nuk po zini vend?!
– Hiç, mos më pyet Lumta!
– Mirë moj grua, – i pëshpëriti Gurashi. – Tashti e di vetë se çfarë dua unë. Shkarkoje drithin nga gomari, se unë po vazhdoj të ecën për në katundin Grykas.

Rahovec: Është gjetur personi i raportuar dje si i humbur

0

rahovec-euml-sht-euml-gjetur-personi-i-raportuar-dje-si-i-humbur_hdBurime të Telegrafit kanë treguar se ky person është gjetur në fshatin Kramovik të Rahovecit.

“Sot, rreth orës 14.30 është gjetur personi i cili është raportuar si i humbur. Ai është gjetur në binarët e trenit në fshatin Kramovik nga familjarët e vet”.

Familja Morina nga fshati Ratkoc i Rahovecit që nga dje ishte në ankth. I zoti i shtëpisë, Salih Morina, nga dje konsiderohej si i zhdukur.

Ai nuk është kthyer në shtëpinë e tij në Ratkoc pasi ka dalë mëngjesin e së hënës teksa familjarët brengoseshin për fatin e tij sepse, sipas tyre, ai është edhe i sëmurë.

PDK befasohet me ‘taktikën’ e Bllokut

0

thaci, veseli,hasaniPartia Demokratike e Kosovës ishte e përgatitur që nëse nuk do të thyhej Blloku LVAN, vendi do shkonte në zgjedhje të reja. Drejtuesit e PDK-së nuk besonin se Blloku do të hiqte dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit, dhe tërë përgjegjësinë për krizën politike në vend ta bartin te partia e drejtuar nga Hashim Thaçi.

“Në PDK ishin të bindur se bllokada për kryetarin e Kuvendit do ta çonte më shpejt vendin në zgjedhje dhe i tërë faji do t’i adresohej Bllokut LVAN dhe ky do të ishte një avantazh i madh për ne gjatë fushatës elektorale”, i ka thënë Gazetës Blic një zyrtarë i lartë i PDK-së, në kushte anonimiteti. Sipas këtij burimi, tani ka ndryshuar situata.

Sipas këtij zyrtari, heqja dorë e Bllokut nga posti i kryetarit të Kuvendit, e ka zënë PDK-në të papërgatitur për këtë situatë.

Zyrtarisht nga PDK nuk kanë dashur të flasin duke thënë se tashmë janë deklaruar dhe se sipas tyre nuk ka institucione pa marrëveshje me ta.

Drejtuesit e PDK-së dhe Flora Brovina para se të filloj të qarkulloj ideja që posti i kryetarit të Kuvendit t’i jepej partisë së Hashim Thaçit, deklaronin se seancë konstituive nuk do të ketë pa marrëveshje për kryetarin e Kuvendit. Mirëpo, tani kur Blloku u zotua se do të votoj kandidatin e PDK-së, partia më e madhe në vend, insiston se nuk do të ketë seancë pa marrëveshje edhe për qeverinë.

Pavarësisht kësaj krize, duket se as e para e vendit nuk do të veproj.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ende nuk është deklaruar nga e premtja se cilët do të jenë hapat që duhet të ndërmarrë ajo për tejkalimin e kësaj bllokade, sidomos tani pas heqjes dorë nga posti i kryetarit të Kuvendit.

I vetmi që deri më tani ka reaguar ndaj këtij veprimi të Bllokut është ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ian Cliff, i cili tha se ky hap është një sinjal i mirë për tejkalimin e ngërçit politik.

Ndërkohë, ambasadorja amerikane, Tracy Ann Jackobson në një ligjëratë që ka mbajtur javën e kaluar ka thënë se nëse ka marrëveshje për kryetarin e Kuvendit, atëherë nuk ka asnjë arsye që kjo çështje të zvarritet. Por, PDK kësaj radhe duket se nuk do tu bindet as amerikanëve.

Kosova tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë që kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit dhe ende nuk janë krijuar institucionet.

Isa Mustafa promovon vetën si Kryeministër

0

Isa mustafa ne berlinLideri i LDK’së, Isa Mustafa, është duke e promovuar vetën si Kryeministër të ri të Kosovës. Sipas një njoftimit të LDK’së, Mustafa gjatë qëndrimit në Berlin, ka prezantuar platformën qeverisëse para zyrtarëve gjermanë.
Pas Berlinit, Mustafa pritet të shkojë në Bruksel, por nuk është sqaruar se çfarë takimesh do të ketë në shtetin belg.

Lexojeni të plotë njoftimin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, së bashku me një delegacion të LDK-së, me ftesë nga partia simotër në Gjermani, Unioni Kristian Demokratik (CDU), po qëndron në vizitë disaditore në Berlin të Gjermanisë. Kryetari Mustafa është i shoqëruar nga, znj. Teuta Sahatqija, z. Lutfi Haziri dhe z. Agim Veliu.

Kryetari Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, gjatë ditës së sotme ka takuar zyrtarë të lartë partiak, z. Bertil Wenger, Sekretar i Internacional i CDU-së, z. Frank Priess nënkryetar i Fondacionit

Konrad Adenauer dhe z. Andreas Schockenhoff Nënkryetar i Grupit Parlamentar CDU/CSU.

Vizita është shenjë e bashkëpunmit të ngushtë që po ndërton LDK-ja me CDU-në Gjermane, ku Kryetari Mustafa bisedoi për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe regjion, procesin e themelimit të institucioneve dhe prezantoi platformën qeverisëse.

Kryetari Mustafa dhe delegacioni i LDK-së, gjatë ditës së nesërme do të zhvillojnë takime tjera me zyrtarë të Kancelarisë Gjermane.

Pas vizitës në Berlin, Kryetari Mustafa do të udhëtoj për në Bruksel.