32.1 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025
Home Blog Page 7439

Mbi 250 mijë tiketa të shqiptuara

0

Policia-StopGjatë nëntë muajve të këtij viti nga Policia e Kosovës (PK) janë shqiptuar 250 735 tiketa që, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ky numër ka shënuar rritje për 21 512 tiketa të shqiptuara më shumë.

“Numri i tiketave të shqiptuara nga Policia e Kosovës për periudhën janar-shtator të këtij vitit është 250 735 tiketa. Ndërkaq, për periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ky numër ishte 229 222 tiketa”, është bërë me dije për gazetën “Epoka e re” nga zyrtarë të Zyrës për Informim në Policinë e Kosovës.

Sipas zyrtarëve të kësaj zyre, numri i tiketave të shqiptuara, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, është rritur për 9.38 për qind, ndërkaq numri i aksidenteve gjatë së njëjtës periudhë ka shënuar rënie për 2 926 raste, apo shprehur në përqindje 19.22 për qind. “Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti janë shënuar 12 300 aksidente, ndërkaq gjatë vitit të kaluar për të njëjtën periudhë ishin 15 226 aksidente”, është saktësuar nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

Sa i përket çështjes së pagesës së tiketave dhe mjeteve të grumbulluara nga gjobat e shqiptuara, Zyra për Komunikim me Publikun në PK ka treguar se ato janë të rregulluara në bazë të Ligjit mbi Sigurinë në Komunikacionin Rrugor nr. 02/L-070. Sipas kësaj zyre, këto të hyra sipas ligjit në fjalë grumbullohen në buxhetin e konsoliduar të Republikës së Kosovës, gjegjësisht komunës përkatëse në të cilën është shkaktuar kundërvajtja. “Policia e Kosovës nuk përfiton nga këto mjete, pasi nuk derdhen në buxhetin e PK-së”, është thënë nga Zyra për Informim e PK-së.

Inxhinieri i Komunikacionit, Gazmend Hoti, ka thënë se rritja e numrit të gjobave në trafik mund të jetë rrjedhojë e rritjes së importit të automjeteve. Sipas tij, indikator i rritjes së numrit të gjobave është dhe fushata për siguri e lansuar nga PK-ja. “Aktualisht gjatë një viti në Kosovë importohen rreth 23 mijë automjete apo rreth 6.1 për qind, kemi rritje të importit të automjeteve me vitet paraprake. Krahasuar me këtë, në rritjen e numrit të gjobave kanë ndikuar edhe javët e sigurisë të shpallura nga Policia e Kosovës, të cilat besoj se kanë qenë shumë të suksesshme në vetëdijesimin e ngasësve. Po gjatë këtij viti në rritjen e numrit të gjobave ka ndikuar edhe mobilizimi i Inspektoratit Rrugor, sidomos të automjeteve transportuese për moslejimin e tejkalimit të ngarkesave në automjete, si dhe shqiptimi i gjobave nga ana e Policisë për shkak të gjendjes teknike jo të mirë të automjeteve në rrugë”, është shprehur Hoti, duke shtuar se në rënien e numrit të aksidenteve kanë ndikuar disa faktorë, por padyshim vetëdijesimi i ngasësve të automjeteve mbetet faktori kyç. “Faktorë të tjerë në rënien e aksidenteve janë edhe kushtet klimatike, pasi dihet se dimri i kaluar ka qenë pa të reshura të dendura të borës, andaj moti i mirë ka bërë të kemi aksidente më pak”, ka deklaruar ai.

Hoti ka shtuar se në rënien e aksidenteve të komunikacionit ka ndikuar edhe infrastruktura e mirë rrugore, mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor, ngritja e kritereve të kontrolleve teknike dhe vetëdijesimi në mirëmbajtjen e gjendjes teknike të automjeteve.

Nis zbatimi i sistemi për menaxhimin e dokumenteve

0

Ministria e Administratës PublikeMinistria e Administratës Publike në epiqendër të fushëveprimtarisë se vet ka qeverisjen elektronike, nëpërmjet të cilës përpiqet të ngrit cilësinë e shërbimeve administrative.

“Ministria e Administratës Publike në epiqendër të fushëveprimtarisë se vet ka qeverisjen elektronike, nëpërmjet të cilës përpiqet të ngrit cilësinë e shërbimeve administrative dhe digjitalizimin e proceseve administrative. Në kuadër të shumë projekteve elektronike që ka realizuar është edhe ai për Sistemin e Menaxhimit të dokumenteve.

Ky projekt, që ka filluar kaherë, ndodhet në fazën e zbatimit. Si i tillë, projekti nis të zbatohet në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit e më pastaj edhe në Ministrinë Administratës Publike. Nëpërmjet këtij projekti digjitalizohen – automatizohen këto veprime: regjistrimi i lëndës, aprovimi, klasifikimi, vlerësimi, ruajtja, shfrytëzimi dhe publikimi i dokumenteve të institucioneve të Republikës së Kosovësdhe menaxhimi i gjatë i procesit të punës me këto dokumente, deri te dorëzimi në arkiv.

Ky projekt i e-Qeverisjes, do ta ndihmojë administratën shtetërore të vendit, qoftë në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal,që të jetë shumë më efikase dhe transparente. Projekti nis me paneline njoftimeve, për të vazhduar me regjistrimin e lëndëve, lëndët në shqyrtim dhe procedurat përkatëse që kanë të bëjnë me dokumentet, që nga faza e pranimit deri te finalizimi dhe arkivimi i tyre.

Në këtë projekt janë zhvilluar edhe modulet nëpërmjet të cilave në mënyrë elektronike qytetarët mund të bëjnë kërkesa për qasje në dokumente zyrtare dhe të marrin përgjigje po ashtu në mënyrë elektronike”, thuhet në njoftim.

Kur magjia e da Vinçit i fshihej Hitlerit

0

Da Vinci-HitleriNjë nga autoportretet më të famshme në botë, ai i Leonardo da Vinçit, ka gjetur strehim në Torino të Italisë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore vizatimi me shkumës të kuq iu fsheh Hitlerit, sepse mendohet se ka një ‘magji’ të fuqishme.

Ekziston një mit në Torino, sipas të cilit, shikimi i Leonardo da Vinçit në autoportretin e tij është aq i thellë saqë ata që e vështrojnë atë, mbarsen me fuqi të madhe. Disa thonë se ishte kjo fuqi magjike, jo vlera kulturore apo ekonomike e vizatimit, që nxiti një zhvendosje sekrete nga Torino drejt Romës gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të mos rënë në duart e Hitlerit e për ta ndaluar fuqinë që mund t’i jepte atij. Për këtë arsye, kjo ishte vepra e vetme nga koleksioni i vizatimeve dhe dorëshkrimeve të Leonardo da Vinçit, që u zhvendos nga Biblioteka Mbretërore e Torinos në atë kohë.
Drejtori aktual i bibliotekës, Xhovani Saçani, thotë se askush madje nuk e di se ku u fsheh me saktësi. “Për të parandaluar që ta merrnin nazistët, një operacion i shërbimit sekret e transportoi atë në mënyrë sekrete dhe anonime drejt Romës”, thotë ai.
Në rrethana të tilla të vështira, ruajtja me kujdes nuk u mendua mirë qoftë prej mungesës së dijeve, qoftë prej asaj të teknikave. Sigurisht se kjo e rëndoi gjendjen e mirëmbajtjes së vizatimit.
Brenda Bibliotekës Kombëtare shtrihet një tapet i kuq që të çon për te vizatimi dhe përreth ka dyer të sigurisë së lartë. Kjo ndërtesë ka qenë shtëpi e autoportretit të Leonardos dhe mijëra vizatimeve dhe dorëshkrimeve të paçmuara që prej vitit 1998. Trajtimi që u bëhet tani këtyre veprave me ndikim të madh për njerëzimin dhe zhvillimin e shkencave, është shumë i ndryshëm nga ai që i bëhej në gjysmën e parë të shekullit të 20-të.
Ndriçimi është ekskluzivisht me fibra optike – drita natyrale nuk mund të hyjë në këtë dhomë – dhe temperatura mbahet në një konstante 20 gradë Celsius, ndërsa lagështia në 55 për qind.
“Vitrinat” ku shfaqen veprat janë të përbëra nga xhami që Saçani e përshkruan si ‘anti-gjithçka’ dhe e gjithë zona është e pajisur me alarme dhe kamera sigurie.
Duke përdorur një ndriçues mirëmbajtës, Saçani hedh dritë në sipërfaqen e vizatimit për të treguar shtirjen e dëmit të njohur si procesin e njollave të kuqërreme që shfaqen në letrat e vjetra.
“Ky rast është veçanërisht i rëndë”, psherëtin ai – 200 vite më parë ky proces ishte më pak i dukshëm. “Në fund të anës së majtë të vizatimit, kishte një mbishkrim latin që shkruante Leonardus Vincius, por tani është zhdukur plotësisht”.
Meqë dëmi është i shtrirë dhe letra e brishtë, restaurimi do të jetë shumë i ndërlikuar. Analizat e lodhshme dhe diskutimet nga ekspertët botërorë në restaurim, kanë çuar në “vendimin për të ruajtur status quo-në”, thotë Saçani.
Dhe që prej ardhjes në këtë bibliotekë në vitin 1998, gjendja e vizatimit nuk është përkeqësuar. “Kjo na bën të ndihemi më mirë, sepse e dimë se po e trajtojmë siç duhet tani. Duhet të kemi parasysh se është 500-vjeçare. Vizatimet që kemi bërë në shkollë, ndoshta nuk ekzistojnë më; dhe ky vizatim i bërë në një letër normale vazhdon të rrojë, ndaj mendoj se është e mahnitshme që kemi arritur ta ruajmë deri më sot”.
Njëlloj e jashtëzakonshme është historia sesi ky autoportret përfundoi në Torino. Ishte pjesë e një koleksioni të gjerë, të blerë në 1839 nga Mbreti Karlo Alberto i Savojës.
Një koleksionues i pasionuar, ai e bleu atë nga Xhovani Volpato, një tregtar arti dhe murator, i cili ka udhëtuar shumë nëpër Europë. Sesi ai arriti të shtinte në dorë Leonardon është një mister, por dihet se ai i kërkoi mbretit një shumë prej 70000 lirash piemonteze për koleksionin e vizatimeve. “Një doktor që fitonte 1.000 lira në vit në atë kohë, ishte një shumë astronomike”, buzëqesh Saçani. “Mbreti arriti t’i jepte atij 50.000 lira, dhe iu deshën tetë vite që të paguante këstet.
Por Saçani thotë se Volpato nuk ishte një biznesmen aq i cekët, sa ç’mund të duket. “Qëllimi i Volpatos nuk ishte vetëm financiar, në shkëmbim të uljes së çmimit për mbretin, ai kërkoi që të bëhej murator pa pagesë i vizatimeve në Bibliotekën Mbretërore. Dhe që atëherë, Torino mbeti shtëpi e portretit me shkumës të kuq”.

Është vërtet një autoportret?

Vizatimi besohet se daton nga viti 1515. Disa ekspertë besojnë se ai i përket stilit të Leonardos në vitet 1490, megjithatë, subjekti është një plak.
“Ai nuk ishte shumë i dhënë pas idesë së autoportretit”, thotë James Hall, autor i librit ‘Autoportreti: një histori kulturore’. Ai nuk beson se autoportreti i përket Leonardo da Vinçit. “Atij nuk i pëlqente shumë ideja se arti duhej të ishte një portret i artistit. Ai donte që arti të përfaqësonte një ideal”.
Hall mendon se ky vizatim është bërë i famshëm, të paktën prej mungesës së autoportreteve të Leonardos. “Njerëzit i janë dhënë kësaj ideje dhe i kanë qëndruar deri në fund”.
Por të tjerë janë më pak skeptikë. “Jam shumë e lumtur të besoj se është një autoportret, por mendoj se çdo person vendos vetë nëse e ka bërë Leonardo, apo ia kanë bërë atij, kur e sheh nga afër”, thotë Liz Rideal, autore e dy librave mbi autoportretet dhe një lektore në Galerinë Britanike të Portreteve në Londër.
Ajo thotë se shumica e njerëzve duan të besojnë se është e Leonardos, “sepse ai ka status supermeni… mendoj se kemi të bëjmë me një gjeni dhe për këtë arsye e respektojmë autoportretin e tij, pasi duam të dimë si dukej”.
Si drejtor i Librarisë Mbretërore, Xhovani Saçani nuk ka dyshime: “Është një autoportret, çdokush që qëndron përballë këtij vizatimi, e ndien fuqinë. E para gjë që thonë kur e shohin, është se shikimi në fytyrën e tij është me shumë emocion dhe ka një cilësi që e gjen vetëm në veprat e Leonardo da Vinçit”.
Ky autoportret konsiderohet kaq i çmuar, saqë është objekt i një dekreti shtetëror për pronat e patundshme. Ai mund të zhvendoset vetëm me leje ministrore. Në vitin 2011, u çua në një ekspozitë që festonte 150-vjetorin e bashkimit të Italisë. “Transportimi përfshiu një ‘kuti speciale klimatizuese’, të aftë të ruajë të njëjtin sistem ajrimi që është në vendin ku mbahet vizatimi zakonisht”, thotë Saçani.
Kjo kuti e veçantë, më pas u fut në një tjetër kuti, që mbështillej nga një mjet që ndalonte dridhjet. Vizatimi u shoqërua nga një eskortë e armatosur dhe u monitorua vazhdimisht me teknologji moderne.
Një zhvendosje e ndërlikuar, delikate dhe shumë e shtrenjtë që nuk besohet se do ndërmerret shpesh në të ardhmen.
Në javët në vijim, 50 njerëz do lejohen të hyjnë në Bibliotekën Mbretërore nga ora 09:00 deri në 18:00 për të parë autoportretin. Temperaturat e dhomës do të jenë shumë të ulëta për të mbajtur në baraspeshë nxehtësinë që çlirojnë trupat.
Megjithëse ka më shumë se 80 kryevepra në ekspozitën e Thesareve të Mbretit, përfshirë edhe punë të tjera të Leonardos, Rafaelit, Rembrandit, Peruxhinos dhe Van Duk – për shumicën e vizitorëve, kryesorja është të shohin fytyrën e përskuqur të mjeshtrit Leonardo.
Dhe ata mund të kenë në mendje një mit të fundit, sipas së cilit përpara një provimi, studentët duhet të vizitojnë Bibliotekën Mbretërore për të marrë pak nga magjia e Leonardos. Mendohet se kjo u sjell fat shumë studentëve.
Por përtej legjendave, mjeshtri i madh i artit dhe shkencës, mbetet një nga figurat kryesore të shekullit ku jetoi, dhe një nga të përkëdhelurit e koleksionuesve të artit. /BBC/Epoka e re/

Mbyllen 12 lokale të lojërave të fatit në Malishevë

0

Lojrat e fatit-aparateKomuna e Malishevës dhe Agjencioni Tatimor i Kosovës (ATK), kanë marrë një aksion për mbylljen e lokaleve të lojrave të fatit.

Gjatë këtij aksioni kanë mbyllur 12 lokale afariste, në territorin e komunës së Malishevës, që kanë zhvilluar aktivitete të lojërave të fatit, të cilat nuk kanë respektuar ligjin në fuqi lidhur me lojërat e fatit.
Më saktësisht, këto lokale, nuk kanë respektuar largësinë nga institucionet publike, e paraparë me ligj, e cila duhet të jetë, me një rreze veprimi prej 500 metra.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit në Malishevë, Sejdi Paçarizi, tha se “ky aksion është zhvilluar nga ATK-ja, e cila është përgjegjëse për lojërat e fatit, ndërsa inspektorët komunal, kanë asistuar gjatë këtij aksioni dhe i kanë ndihmuar zyrtarët e ATK-së”./PrizrenPress.com/

Buzhala jep dorëheqje nga PDK-ja

0

Berat BuzhalaBerat Buzhala ka dhënë dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK-së. Lajmin e ka konfirmuar vet Buzhala në profilin e tij në “Facebook”.

Deklarata e Berat Buzhalës:

Jap dorëheqje nga pozita e anëtarit të Këshillit Drejtues të PDK-së

Në ketë mënyrë, tash e tutje, e konsideroj veten vetëm votues normal të Republikës sonë. Arsyet për largimin tim janë te shumta, por unë tash nuk do t’i numëroj ato. Sigurisht se largimi im nga PDK nuk do te paraqes kurrfarë humbje për këtë subjekt, e sidomos jo për politiken kosovare.
Patjetër që dëshiroj ta falënderojë përzemërsisht Kryetarin e PDK-së për bashkëpunimin. Gjithashtu deshifroj ta falënderoj edhe zëvendëskryetarin Kadri Veseli për përkrahje.

Kurse një falënderim i veçantë shkon për Kryetarin e Skenderajit, mikun tim të çmuar, Sami Lushtakun. Ky i fundit jam i bindur thellë se padrejtësisht po torturohet për krime të luftës. Unë dhe familja ime, duke qene përafërsisht nga rajoni i njëjtë me atë te z. Lushtaku, kemi njohuri të thella edhe për vlerat e kristalta të UCK-së, por edhe për aktet kriminale te kryera nga pjesëtarë eminent të kësaj force çlirimtare.

Jam i bindur thelle se z. Lushtaku bën pjesë patjetër në pjesën e ndritshme të UCK-së. Për veprimtaritë e pasluftës nuk dëshiroj të komentoj as për Lushtakun e as për asnjë tjetër.
Ajo çfarë dëshiroj të them është se për rastin që po gjykohet Lushtaku është krejtësisht i pafajshëm. Ndërsa partia qe i takon Lushtaku ka bërë pak ose aspak për te ndihmuar në zbardhjen e te vërtetës. Mirëpo kjo le te jetë brengë e PDK-së. Simpatia ime për Samiun do të vazhdoj.
Pra, miq, deri këtu paska pas qenë e shkruar.

Agim Zogaj: Blloku po e humb betejën

0

Agim ZogajKompromisi për qeverinë, i pashmangshëm, analistët e kritikojnë mungesën e strategjisë.

Njohësit e zhvillimeve politike në vend konsiderojnë se vetë qasja e gabuar e koalicionit paszgjedhor opozitar, LAN, është një avantazh i fuqishëm për partinë fituese të zgjedhjeve, që e bën të pashmangshëm përfshirjen në krijimin e qeverisë së re, madje edhe duke e favorizuar atë në pozitën e ofertuesit për subjektet e tjera politike që do jenë pjesë e kontributit për ndërtimin e institucioneve të reja.

Ligjëruesi i Shkencave Politike në UP, prof. Agim Zogaj, ish-kandidat për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se mosthemelimi i deritanishëm institucioneve të Kosovës nuk është rezultat i politikës bllokuese të PDK, por i atyre subjekteve që, duke qenë humbëse, u mblodhën dhe krijuan një klub politik pa program , me të vetmin mision t’ia pamundësojnë që PDK-ja si parti fituese ta drejtojë Qeverinë e koalicionit dhe që Thaçi të mos rizgjidhet kryeministër i vendit.
Mirëpo, pas bindjes së LAN-it ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese Zogaj konsideron së gjërat do të bien në vendin e vet dhe të gjithë do të bëhen pjesë e respektimit të ligjeve dhe Kushtetutës së vendit për të krijuar institucionet../Kosova Sot/

Ahmet Zogu i Blendi Fevziut, 5 mijë kopje të shitura

0

Ahmet Zogu-liberKa vetëm pak ditë që ka dalë në treg dhe ka shitur 5 mijë kopje deri tani, duke premtuar rekordet e thyera me librin “Enver Hoxha”. Libri është shkruar jo nga një historian, por nga një gazetar që ka afro 20 vjet që trajton tema historike. Duke mos qenë historian, libri lexohet me kënaqësi nga të gjithë

Ahmet Zogu libri blendi fevziuLibri më i fundit i Blendi Fevziut “Ahmet Zogu, Presidenti që u bë Mbret”, ka pak ditë që ka dalë në qarkullim dhe ka shitur 5000 kopje. Për shtëpitë botuese që operojnë në Shqipëri, një shifër e tillë kopjesh të shitura do ishte përtej pritshmërive sikur të shiteshin edhe për pesë vjet dhe jo më për disa ditë. Por pas një botimi tjetër të ngjashëm po nga Fevziu, me titull “Enver Hoxha, e para biografi e bazuar në dokumentet e arkivit personal dhe në rrëfimet e atyre që e njohën”, me afro 50000 kopje të shitura, kureshtja është e përgjithshme: a do arrijë edhe ky titull i ri të shesë të njëjtin tirazh?

Personalisht i përkas një brezi që edukimin formal e kam kryer përpara viteve ’90 dhe për Ahmet Zogun nuk kishim parë më shumë se një foto, ndërkohë që epitetet e përgjithshme që përdoreshin për të në librat tanë të historisë, ishin gjithmonë të natyrës stigmatizuese. Veprimtaria e tij, në rastin më të mirë, ka qenë thjesht e shtrembëruar.

Fevziu me këtë botim jo vetëm është në një terren që e njeh mirë, por tregon se edhe di të zgjedhë, çfarë kërkon lexuesi shqiptar, çfarë mungon në serinë e librave që ofrohen për ditë nga shtëpitë e shumta botuese.

Libri mbush një zbrazëtirë në historinë politike të shtetit shqiptar, ose kërkon t’i japë vendin që i takon një njeriu që ka qenë pjesë e ngjarjeve kryesore politike ose iniciues i tyre për 27 vjet (1912-1939).

Libri është shkruar jo nga një historian, por nga një gazetar që ka afro 20 vjet që trajton tema historike. Duke mos qenë historian, libri lexohet me kënaqësi nga të gjithë, jo vetëm sepse janë hequr të gjitha referencat akademike, të cilat gjenden në fund të librit, në trajtën e një bibliografie, por sepse vetë figura e Zogut është trajtuar në të gjitha dimensionet e saj: politikan, ambicioz, kundërshtar i të gjithëve dhe shpesh edhe i vetes, aleat, joshës e arrogant, inteligjent por me kulturë të kufizuar, “i vluar”, bashkëshort e baba. Duke qenë gazetar, Fevziu ka mendim të qartë, kërkon faktin dhe paraqet gjithë dinamikën e ngritjes së pushtetit të Zogut, me fakte e dokumente, me foto e intervista të shumta, faksimile revistash e botimesh.

Të sfidoje pushtetin e Ahmet Zogut ka qenë pothuaj e pamundur. Blendi Fevziu është në një sfidë me veten me këtë botim.

Ambasadat në krizë financiare

0

Enver HoxhajjNjë pjesë e stafit të këtyre ambasadave ka tre muaj që nuk i kanë marrë pagat. Kjo situatë ka ardhur si pasojë e krizës politike në vend. Burime të sigurta brenda stafeve në ambasadat e Kosovës bëjnë të ditur se ka tre muaj që pagesat në këto ambasada nuk janë kryer me rregull. Sipas këtyre burimeve vonesa ka pasur në segmente të ndryshme. “Vonesa ka pasur edhe rreth pagesave për stafin e ambasadave”, ka thënë ky burim i gazetës Tribuna.

Po ashtu sipas burimeve të gazetës kjo situatë ka ardhur si rezultat i ngërçit politik. Por në Ministrinë e Punëve të Jashtme kanë mohuar se ka vonesa në pagesën e stafit diplomatik. Këshilltari politik, i ministrit Enver Hoxhaj, Bashmir Xhema, ka thënë se gjithçka në misionet diplomatike të Kosovës është duke shkuar siç duhet dhe se kriza politike nuk ka reflektuar në to.

Sipas tij, pengesat që kanë ndodhur ne kryerjen e obligimeve financiare tani janë tejkaluar me vendimin e qeverisë për alokimin e një milion eurove në adresë të MPJ-së.

Sonte në TKK “Gjashtë personazhe…” me telashet e përditshmërisë

0

gjashte persona kerkojne autorinMe gjithë vonesat e telashet për sigurimin e buxhetit, “Gjashtë personazhe kërkojnë autorin” e regjisorit Orhan Kerkezi sonte ( e mërkurë) do të shfaqet për publikun.

Ani pse projekti është finalizuar për të dalë në skenë, menaxhmenti i Teatrit Kombëtar nuk ka sqaruar se ku janë marrë 17 mijë euro, që e kishin zvarritur për një muaj premierën e shfaqjes. Teksti i italianit Luigi Pirandello do të pasqyrojë në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës natyrën tragjike e komike të ekzistencës së njeriut.
Në një konferencë për media të martën, stafi i TKK-së dhe ai i shfaqjes kanë thënë se çdo gjë është gati që drama ku do të luajnë 23 aktorë të shfaqet para publikut.

“Unë e kam kryer punën time. Realiteti skenik është më i vërtetë sesa realiteti i përditshëm”, ka thënë regjisori Orhan Kerkezi. Tek ka qëndruar bashkë me gjithë ekipin në ulëset e publikut e gazetarët kanë qenë të vendosur në skenë, Kerkezi ka thënë se do të thirret edhe një konferencë tjetër për të treguar se shfaqja e tij do të thyejë rekordin e shikueshmërisë në TKK.
Anipse ka qenë fjalëpakë gjatë konferencës, Kerkezi ka thënë se i ka vendosur gazetarët në skenë për t’i ballafaquar ata me realitetin skenik.

Drejtori i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Valdet Avdiu, e ka nisur konferencën duke folur për problemet financiare që janë bërë shkak i shtyrjes së premierës.
“Gjashtë…” që përmes realitetit skenik zbulon dimensione të ndryshme të realitetit jetësor, ka qenë e paraparë të jepej premierë në ditën e 16-të të muajit të kaluar. Fillimisht ishte shtyrë për katër ditë e më pas ishte paralajmëruar se premiera do të jepej më 12 të këtij muaji.

Menaxhmenti i TKK-së fillimisht kishte kërkuar 77 mijë euro buxhet për inskenimin e shfaqjes. Pas refuzimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të paguajë këtë shumë, TKK-ja e kishte zbritur shifrën për 10 mijë euro. Por MKRS-ja javën e kaluar e ka financuar shfaqjen me vetëm 50 mijë euro.

“Shfaqja reflekton gjendjen e kulturës në vend që lë shumë për të dëshiruar në aspektin e autonomisë”, ka thënë drejtori Avdiu.
Sipas tij, problemet financiare kanë quar deri në atë dimension sa shfaqja gati sa nuk është titulluar “Gjashtë personazhe dhe regjisori kërkojnë buxhetin”. Por Avdiu nuk e ka treguar burimin e 17 mijë eurove që nuk i ka paguar MKRS-ja.

“Ne do t’i sigurojmë mjetet nga donacionet dhe të hyrat vetjake. TKK-ja ka shumë miq, por ata janë heronj të heshtur. Njerëzit që e duan kulturën investojnë në të”, ka thënë Avdiu.
Kryetari i Këshillit Drejtues të TKK-së, Haqif Mulliqi, ka thënë se këtë vit në institucionin më të lartë teatror të Kosovës janë inskenuar dy ndër dramat më të mira të shekullit XX.
“Të mërkurën kemi festë. Kjo shfaqje do të hyjë në memorien e Tetarit dhe do të kujtohet gjatë”, ka thënë Mulliqi.
Udhëheqësi artistik Emin Emini, tha se “Gashtë…” – ku ndër të tjerë luajnë Sunaj Raça, Njomza Ibraj Fetiu, Vlora Nikçi, Artan Geca, Muhamed Arifi- sjell fatet dhe historinë e personazheve nga realiteti jetësor në atë skenik.

“Realiteti skenik është nganjëherë edhe më i fuqishëm sesa ai njerëzor”, ka thënë Emini. Sipas një sinopsisi që TKK-ja i ka bërë dramës, “Gjashtë…” është dramë e historive që rrëfehet nga vetë personazhet pjesëmarrëse, ndërsa është edhe komedi që vjen nga konfliktet me kthesa të humorit.
Regjisori Orhan Kerkezi derisa përballej me problemet buxhetore kishte thënë për gazetën se në rast se MKRS-ja nuk ndan mjete, aktorët do të luajnë të zhveshur.

“Mundemi me e dhënë shfaqjen cullak nëse ministri ka qejf me e pa. Pse jo. Nëse pranojnë artistët, kjo do të ishte përgjigjja e duhur”, kishte thënë ai. “Gjashtë…” që është premiera e tretë për këtë vit, ishte ballafaquar me probleme organizative qysh në hapat e parë të realizimit. Aktorët Enver Petrovci e Luan Jaha kishin braktisur shfaqjen qysh në ditët e para të fillimit të realizimit. I pari kishte ikur pasi nuk ishte pajtuar me shumën e pagesës, kurse i dyti kishte dhënë si arsye angazhimet e shumta./koha ditore/

VV’ja kërkon marrëveshje të re për postin e kryeministrit

0

VV-logo9-09Përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) të Isa Mustafës, edhe Lëvizja Vetëvendosje (VV) e Albin Kurtit ka kërkuar arritjen e një marrëveshje të re në mes të bllokut LDK-AAK-Nisma dhe VV.
Deputeti i kësaj lëvizjeje, Visar Ymeri, ka thënë për “Epokën e re” se Vetëvendosje! do të jetë pjesë e bisedave për ta plotësuar marrëveshjen e 10 shtatorit me arritjen e dy marrëveshjeve të tjera. “Ne nuk jemi bërë bashkë në VLAN-in për emrin e përveçëm të kryeministrit tonë, por që ta heqim Thaçin dhe këtë regjim nga pushteti. Në këtë drejtim ne jemi unikë, kurse sa iu përket posteve, Vetëvendosje! nuk ka qenë pjesë e asaj marrëveshjeje të 10 qershorit kur janë ndarë postet në mes të LAN-it. Mirëpo, do të jemi pjesë e bisedave për ta plotësuar marrëveshjen e 10 shtatorit me edhe dy marrëveshje të tjera: Një për programin qeverisës të qeverisë së re, tjetra për postet në qeveri që do ta zbatojnë atë program, përfshirë këtu edhe postin e kryeministrit”, ka deklaruar Ymeri.

Edhe lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka vlerësuar se partitë e bllokut duhet të bëjnë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktonin përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka zhvlerësuar edhe marrëveshjen tonë sa iu përket përgjegjësive. Tash duhet, mbi marrëveshjen e deritanishme, të bëjmë një marrëveshje të re, me të cilën do t’i përcaktojmë përgjegjësitë e reja qeverisëse dhe objektivat qeverisëse. Në këtë marrëveshje do të përcaktojmë se cili, në rrethana krejtësisht të reja, do të jetë kandidat për kryeministër nga ky koalicion. Ne nuk jemi të lumtur që duhet të bëjmë një marrëveshje të re, sepse ky nuk ka qenë vullneti ynë, por kjo është pasojë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht se çdo marrëveshje ka për bazë themelore fuqinë e subjekteve politike, përkatësisht numrin e deputetëve. Ky është edhe qëndrimi i LDK-së për marrëveshjen e re dhe pozitën e kryeministrit”, ka thënë Mustafa në një intervistë për “Epokën e re”.

Duke iu kundërpërgjigjur kësaj deklarate të Mustafës, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Lajçi, ka thënë se LDK-ja me këtë kërkesë ndoshta është duke bërë taktikë për të shkuar kah PDK-ja. Ai ka thënë se një marrëveshje e re në mes të bllokut, për çfarë ka deklaruar Mustafa, nuk është shtruar në organet e partisë, por Lajçi ka thënë se personalisht nuk e përkrah Isa Mustafën për kryeministër. Po ashtu, ai ka thënë se AAK-ja, pas propozimit të Mustafës për marrëveshje të re mes bllokut, ndihet e tradhtuar dhe ka bërë me dije se puna e bllokut, pas lëvizjes së LDK-së me bllokun, është e kryer. “Nuk e kemi shtruar këtë çështje në AAK, por dëgjohet se LDK-ja po lëviz. Mirëpo, mendoj se është dekomponim i marrëveshjes në qoftë se LDK-ja mendon ashtu. Nuk e kemi diskutuar ende, por nëse është ashtu, atëherë do të jetë një tjetër qasje. Kjo është jashtë formulës dhe jashtë marrëveshjes. Kjo ndoshta është taktikë e LDK-së për të shkuar kah PDK-ja”, ka theksuar Lajçi.

Ndërsa anëtari i Kryesisë së Nismës për Kosovën, Fitim Selimi, duke i komentuar kërkesat për marrëveshje të re, ka thënë se çdo kërkesë e tillë apo ambicie duhet t’i nënshtrohet vlerësimit të gjithanshëm të partnerëve brenda bllokut. “Është një bllok që ka të njëjtin synim dhe çdo kërkesë duhet realizuar në pajtim më të gjithë. Përndryshe, është normale dhe legjitime që të shtrohen kësi kërkesa apo të dalin ambicie të kësaj natyre, por natyrisht se ato duhet t’i nënshtrohen vlerësimit të gjithanshëm të partnerëve të bllokut. Koalicioni nuk është bërë për të dështuar, por për ta gjetur vetveten secila palë tek njëri-tjetri në mënyrë që të ekzistohet fuqishëm si një bashkim i cili dëshiron ta ndryshojë situatën”, është shprehur Selimi për “Epokën e re”.