19.8 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025
Home Blog Page 7446

PDK fton liderët e LDK-së dhe AAK-së në takim

0

Kryesia e PDKAtë që nuk po arrinë ta bëjë presidentja Atifete Jahjaga, do të synojë ta bëjë partia e Hashim Thaçit.

Burime të ORAinfo brenda PDK-së bëjnë të ditur se kjo parti nga e hëna do t’i nisë ftesat në adresë të LDK-së dhe AAK-së, por ftesat do të mungojnë për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nismën.

Sipas këtij burimi, PDK do të kërkojë takim me liderët e këtyre dy partive me orjentim të djathtë në përpjekje të arritjes së një marrëveshje për dalje nga kriza.

“Kemi vendos që t’i ftojmë partitë në takim. Shpresojmë në një përgjigje positive”, ka thënë ky burim.

Thirrjen në takim të liderëve të LDK-së dhe AAK-së, PDK e sheh të nevojshme pasi kjo parti vazhdojnë të insistojnë se nuk do të këtë krijim të institucioneve të reja pa një marrëveshje paraprake me këtë parti.

Madje, partia e Hashim Thaçit ka paralajmruar se nuk do të lejoj thirrjen e seancës konstituive pa një kompromis në mes të PDK-së dhe partive të Bllokut për krijimin e institucioneve.

Java e ardhshme pritet të jetë vendimtare për arritjen e një marrëveshje për dalje nga kriza politike në të cilën është future vendi që nga zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. /ORAinfo/

Ja deklaratat e Enver Hasanit, që e bënë Bllokun të tërhiqet

0

Enver Hasani-gjykata kushtetueseKryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani në dy raste ishte përkujdesur që t’ia shpjegonte publikisht Bllokut vendimin e dytë të instancës më të lartë gjyqësore në vend Gjykatës Kushtetuese, për çështjen e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Pas paralajmërimeve të Bllokut se në pikën 127 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese gjendet zgjidhja që ta kenë kryeparlamentarin nga radhët e Bllokut, kishte reaguar Enver Hasni, duke e qartësuar se vetëm PDK-së, i takon posti i kryekuvendarit.

Sipas Hasanit, as pika 127 nuk i jep të drejtë Bllokut që të zgjedh kryetarin e Kuvendit.

Hasani ishte përkujdesur që t’i përgjigjet Bllokut edhe për Flora Brovinën. Paralajmërimet e Bllokut se do t’i mbledhin nënshkrimet, madje nënshkrimet e 2/3 të të gjithë deputetëve për ta thirrur seancën e Kuvendit, kishte shtyrë Enver Hasanin që të reagoj publikisht, duke thënë se Brovina nuk mund të shkarkohet e as të zëvendësohet. Ai në një ligjëratë të mbajtur, kishte sqaruar se pozita e kryesuesit me automatizëm i takon vetëm deputetit më të vjetër dhe sipas tij vetëm Brovina e ka të drejtën ekskluzive që të thërras seancën.

Të dy këto deklarata të Enver Hasanit bën që Blloku të tërhiqet.

Siç kishte marrë vesh Gazeta Blic nga burime të saj, partitë e koalicionit ishin marrë vesh që të mblidhnin nënshkrimet e 2/3 të deputetëve për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme në mënyrë që të zgjidhnin kryetarin e Kuvendit nga radhët e veta dhe të vazhdonin me hapat tjerë për formimin e qeverisë. Mirëpo, këto deklarata të Enver Hasanit bënë që të tërhiqej Blloku.

Tashti kemi edhe një situatë të re. Të premten Blloku mori vendim që të lëshojë pe për pozitën e kryetarit të Kuvendit, duke shprehur gatishmëri që ta votoj kandidatin e PDK-së. Mirëpo, kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi thotë se ai e do edhe postin e kryeministrit. Ndryshe, Thaçi ka paralajmëruar se le të harrojnë seancën konstituive. Pra, ka paralajmëruar paralizim edhe të mëtutjeshëm të institucioneve në Kosovë.

Tash Hsani e ka rendin që të dalë me një sqarim shtesë sikurse në të dy rastet e para. Poashtu do duhej të sqarojë se deri ku shkon fuqia e Flora Brovinës.

Ndërkohë, njohësi i fushës së drejtësisë, Dastid Pallaska në një debat në RTK të premten në mbrëmje ka thënë se edhe deputetja më e re e Kuvendit, në këtë rast Teuta Rugova e ka të drejtën që të thërras seancën Konstituive dhe se pasojat e mosthirrjes së Seancës nga PDK do të ishin të “paparashikueshme” për këtë subjekt politik.

Sidoqoftë, dje janë bërë pesë muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe vendi vazhdon që të mos ketë institucione. Shumë analistë dhe Blloku e ka akuzuar pikërisht Enver Hasanin për marrjen e vendimit të dytë në kundërshtim me të gjitha praktikat demokratike në botë dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit./Gazeta Blic/

Ahmeti dhe Hysa diskutojnë kalimin e kufirit me letërnjoftim

0

Ahmeti dhe HysaKosova u shpreh e interesuar që sa më shpejtë të firmoset marrëveshja për kalim të kufirit me Maqedoninë vetëm me letërnjoftime.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa është pritur në Tetovë në një takim nga kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim në Maqedoni ku biseduan për rëndësinë që ka rruga midis Shkupit dhe Bllacës, për kalimin e kufirit me letërnjoftime nga qytetarët e të dy vendeve e edhe vendosjen e pikave të përbashkëta kufitare dhe doganore, si dhe mbajtja e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare.

Kosova u shpreh e interesuar që sa më shpejtë të firmoset marrëveshja për kalim të kufirit me Maqedoninë vetëm me letërnjoftime. Hysa tha se, pala kosovare mirëpret synimin e qeverisë së Maqedonisë për ndërtimin e rrugës Shkup-Bllacë me shpresë që punimet të fillojnë sa më shpejtë, thuhet në një njoftim për media.

Ata diskutuan për situatën politike në Maqedoni dhe Kosovë. Gjithashtu për një bashkëpunim midis Prishtinës dhe Shkupit ku biseduan për projektet konkrete që do të afronin edhe më tepër qytetarët e këtyre dy shteteve.

Në këtë takim u tha, se marrëdhëniet e ngushta politike dhe ekonomike me Kosovën duhet të thellohen edhe më tepër nëpërmjet zbatimit të marrëveshjeve ekzistuese bilaterale, por edhe të firmosjes së marrëveshjeve të reja.

Kryetari Ahmeti uroi që liderët politik të Republikës së Kosovës të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejt dhe gjithëpërfshirëse për ngërçin politik të krijuar pas zgjedhjeve të qershorit.

Hasani flet në Berlin për një botë pa mure

0

Fejzullah Hasani-gjykata supremeNë shënim të 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit, Kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, po merr pjesë në Konferencën Vjetore për Diplomaci Kulturore 2014, që po mbahet në Gjermani.

Gjatë konferencës së titulluar “Një botë pa mure: Festimi i 25 vjetorit të rënies së Murit të Berlinit”, kreu i Gjykatës Supreme, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve duke nënvizuar rëndësinë e kësaj ngjarjeje historike për gjithë Evropën dhe botën.

Ai u ka kujtuar të pranishmëve se momente gëzimi e lirie si në Berlin, i ka përjetuar, së fundmi, edhe vendi i tij.

“Dhe vërtetë, rrëzimi i mureve e ndërtimi i urave ka qenë mesazhi të cilin ne e kuptuam nga zhvillimet që pasuan rënien e murit të Berlinit”, ka theksuar ndër të tjera ai, përcjell Koha.net.

Komuna e Suharekës paditet për konkursin për arsimtarë

0

Komuna e suharekesBlerim Bajrami kishte konkurruar në konkursin e fundit për mësimdhënës për lëndët e Juridikut, në shkollën e mesme profesionale në Shirokë të Suharekës.

Ai ishte thirrur edhe në listën e ngushtë për intervistë, por nuk ishte pranuar, pasi sipas komisionit, kushtet i kishte plotësuar kundër kandidatja e tij, e cila ishte me kualifikim të njëjtë.

Pasi që kishte marrë përgjigje negative nga komisioni se nuk është pranuar në këtë pozitë, Bajrami ka bërë padi në Gjykatën Themelore, dega Suharekë, me kërkesë për anulimin e konkursit.

Sipas tij, ka pasur shkelje të procedurës dhe ai nuk është vlerësuar drejt në intervistë.

Gjykimi për këtë çështje u mbajt të premten.

Në këtë seancë, Blerim Bajrami, në cilësinë e paditësit, paraqiti faktet e tij me të cilat arsyetoi kërkesën për anulimin e konkursit.

I njëjti tha se ky konkurs duhet të anulohet, pasi në intervistë janë thirrur 14 kandidatë për këtë pozitë, ndërsa sipas udhëzimit është dashur të ftohen vetëm 3.

“Nga ky udhëzim administrativ nuk janë respektuar dispozita e nenit 4, e cila thotë taksativisht se në intervistë duhet të ftohen 3 kandidatë, në listë të ngushtë, ndërsa komisioni i DKA-ës nuk i ka zgjedhur vetëm 3 në intervistë, por i ka zgjedhur 14 persona, çka është shkelje e udhëzimit”, tha Bajrami.

Ai kritikoi edhe mënyrën e vlerësimit nga komisioni, pasi sipas tij, është vlerësuar për diçka që nuk është pyetur fare.

“Çuditërisht, vlerësimi i konkursit, të paktën atë çka me kanë vlerësuar mua, është i çuditshëm, se unë jam poentuar për gjërat që nuk jam pyetur nga ana e komisionit. Një pyetje është bërë për shkathtësitë organizative, një tjetër për metodat e mësimdhënies bashkëkohore, ndërsa unë pyetje të tilla nuk kam pasur nga ana e anëtareve të komisionit”, tha Bajrami.

Ndërsa avokati i komunës, Selajdin Gollopeni, në seancë i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e paditësit, me arsyetimin se përzgjedhja e kundërkandidatit në këtë shkollë, është bërë konform kritereve të përcaktuar me konkurs.

Paditësi Blerim Bajrami dhe komuna e Suharekës, përsëri do të ballafaqohen më 27 nëntor në gjykatë, për t’i prezantuar provat e tyre. /Kallxo.com/

Të rinjtë vazhdojnë të ikin nga Kosova

0

Te rinjte ikinPavarësisht fushatave të shumta të lansuara nga autoritetet kompetente për të mos migruar në mënyrë të paligjshme, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të kenë interesim për të ikur në ndonjë nga vendet perëndimore. Hulumtime të shumta të bëra nga Organizatat Joqeveritare në Kosovë, kanë treguar se numri i të rinjve të cilët dëshirojnë të ikin nga Kosova për një jetë më të mirë vazhdimisht është në rritje.

Në anketën e fundit të Agjencisë se Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar, ishte thënë se deri në 25 për qind e qytetarëve janë të interesuar të migrojnë apo kanë plane të tilla.

Arsyet që nuk kanë zbehur interesimin e qytetarëve për të migruar, sipas sociologut Fadil Maloku, profesor në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, janë papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike dhe sociale të shumë familjeve.

“Duke pasur parasysh parametrat ekonomik dhe social në të cilët gjendet Kosova, me një papunësi kaq alarmante me një vizion të paqartë për të ardhmen e tyre dhe familjeve të tyre është e natyrshme që do të rriten ambiciet e njerëzve që të dalin jashtë Kosovës”, thekson Maloku.

Sipas tij, pamundësia e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur lirshëm, pa viza në zonën evropiane, është edhe një faktor tjetër që ka bërë shumë të rinj të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit.

“Në një hulumtim që e kemi bërë në shoqatën e sociologëve, del se mbi 70 për qind e të rinjve fare nuk e kanë imazhin se si duken vendet evropiane. Ata kanë informacione që kanë marrë vetëm përmes internetit apo rrjeteve sociale, por në fakt nuk e dinë si është jeta në perëndim apo si jetohet në ato vende”, tregon Maloku.

Në anën tjetër, sipas statistikave të Policisë së Kosovës sa i përket kontrabandimit me emigrantë dhe trafikimit me njerëz, në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, në bazë të Kodit Penal, janë të hapura 14 raste për kontrabandim me emigrantë, kurse sa i përket trafikimit me njerëz, janë të hapura 17 raste.

Derisa gjatë kësaj jave, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar e Policisë së Kosovës kishte njoftuar se në dy raste janë arrestuar 15 persona të dyshuar për “kontrabandim të imigrantëve, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës tashmë sa herë kanë deklaruar se koha e migrimit të paligjshëm ka përfunduar dhe Kosova është në proces të liberalizimit të vizave, për lëvizje të lirë në shtetet anëtare të Bashkimin Evropian.

Sidoqoftë, të rinjtë në Kosovë pavarësisht deklaratave të zyrtarëve qeveritarë për të mos migruar, disa të rinj nuk i marrin në konsideratë, por sugjerojnë që ky fenomen të parandalohet duke krijuar kushte më të mira për të rinjtë.

Ardian Beha një i ri nga Prishtina, ka thënë se duke parë se kriza ekonomike çdo ditë e më shumë po thellohet në Kosovë do të migronte edhe në mënyrë të paligjshme.

“Kushtet më të mira për jetesë janë atje, punësim, rroga më të larta e shumë gjëra të tjera”, shton ai.

Ngjashëm shprehet edhe Zana, një e re nga qyteti i Gjilanit, e cila studion në Universitetin e Prishtinës.

“Në Kosovë jeta nuk është e mirë për të rinj, kushtet nuk janë të mira, Kosova nuk të ofron vende pune e as arsimim të mirë”, thotë ajo.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i qytetarëve të Kosovës, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës është mbi 700 mijë. /Rel/

Thaçi: Ta eliminojmë më shpejt ‘murin’ e shengenit

0

Thaci-qeveriaKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e kujtuar 25-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, ka thënë se tash shumë shpejt duhet të eliminohet edhe ‘muri’ i shengenit nëpërmjet procesit të liberalizimit të vizave.

“Si sot 25 vite më parë u rrëzua muri famëkeq i Berlinit i cili ishte simbol i ndarjes së kontinentit evropian dhe sundimit të komunizmit në gjysmën lindore të tij. Kjo ngjarje emblematike shënoi tatëpjetën e totalitarizmit komunist, i dha fund Luftës së Ftohtë dhe nisi përhapjen dhe konsolidimin e lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut anembanë botës duke përfshirë në një kohë të dytë edhe Kosovën. Megjithatë për ne ngelet ende një mbeturinë e padukshme e atij muri të dikurshëm për të rrëzuar, bëhet fjalë për ‘murin’ e shengenit që ne presim ta eliminojmë sa më shpejtë nëpërmjet procesit të liberalizimit të vizave”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.

“Zazen”, novella e re e Ag Apollonit

0

Ag Apolloni-ZazenNga nesër në libraritë shqiptare vjen libri më i ri i Ag Apollonit, novella “Zazen”.

“Zazen” trajton fatin e një të riu kosovar që pasi mbaron studimet, kthehet në vendlindje, por ky kthim bëhet tragjik për të, pasi që ai si shkollar shpërfillet nga komuna, keqkuptohet nga katundi, shpallet i çmendur nga familja. “Zazen” ndërlidh një shumësi temash: sociale, filozofike, politike, nacionale, religjioze etj, transeton KultPlus.

“Zazen” rrëfen ankthin dhe jetën tragjikomike të Zen Zabelit, i cili ka shumë ide, pak kërkesa e aspak mundësi.

Ag Apolloni është shkrimtar, studiues dhe profesor në Univeristetin e Prishtinës. Në vitin 2010-të ai fitoi çmimin kombëtar për librin më të mirë me poezi – “Zomb”, ndërsa vitin e kaluar morri çmimin për kritikën më të mirë letrare dhe çmimin “Rexhai Surroi” për romanin “Ulurima e Ujkut”.

Marrëveshja në pako zhbllokon krizën

0

Thaci-Mustafa-Limaj-Haradinaj-KurtiHeqja dorë e Bllokut për kryeparlamentarin nuk e zgjidh ngërçin. Pavarësisht lëvizjeve apo reflektimit të fundit të VLAN-it, ende mbetet diskutabile çështja e tejkalimit të krizës politike. Kjo, për faktin se PDK-ja, e cila ka dalë fituese në zgjedhjet e 8 qershorit, insiston se para procedurave legjislative për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e qeverisë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të spektrit politik.

Zyrtarët e VLAN-it thonë se tashmë ka marrëveshje për të votuar kandidatin për kryetar të Kuvendit nga radhët e PDK-së, dhe se nuk ka çka të bisedohet tjetër, shkruan Kosova Sot.

“Thirrja e seancës varet nga kryesuesja e seancës, Flora Brovina, ajo mund ta thërrasë, por mund edhe të mos e thërrasë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa sa i përket asaj se cilat mund të jenë zhvillimet dhe çfarë qëndrimi kemi, ne e kemi bërë publik qëndrimin e partisë. E ka bërë edhe kryetari i PDK-së. Si parti politike kërkojmë që të ulemi dhe të bisedojmë të gjithë së bashku për krijimin e institucioneve funksionale në interes të vendit dhe të Kosovës”, ka thënë për “Kosova Sot” nënkryetari i PDK-së Xhavit Haliti.

VV: Nuk e votojmë kandidatin e PDK-së për kryeparlamentar

0

Kurti-Haradinaj-MustafaAmbiciet e LDK-së për të marrë postin e kryeministrit, duke hequr dorë nga pozita e kryeparlamentarit, kanë filluar të prodhojnë shenjat e para të thyerjes së bllokut VLAN. Derisa në AAK ngurrojnë të flasin për atë se çfarë mund të ndodhë në ditët në vijim dhe për marrëveshjen tashmë të ridizajnuar, në Vetëvendosje nuk hezitojnë të tregojnë se nuk e kanë ndërmend ta votojnë kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës për kryeparlamentar, shkruan Tribuna.

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj, ka thënë se subjekti i tij, ndonëse vazhdon marrëveshjen e parimeve me LAN, kur është fjala për ta votuar kryeparlamentarin nga radhët e PDK-së, do të veprojë ndryshe prej tyre.

“Ditët në vazhdim duhet të kërkohet nga PDK që të thërrasë seancën. Ne nuk do ta votojmë kandidatin e PDK-së, sepse mendojmë që nuk duhet të ketë kryetar nga PDK-ja”, ka thënë Molliqaj. Pavarësisht kësaj, Molliqaj vazhdon të insistojë se blloku vazhdon të mbetet i pathyer, sidomos atëherë kur bëhet fjalën për ndaljen e qeverisjes së Thaçit.