Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, ende nuk ka nxjerrë rezultatet e fituesve të bursave për këtë vit akademik. Ndërkohë, konkursi për ndarjen e bursave ka qenë i hapur për të aplikuar nga 20 dhjetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti, por ende studentët nuk kanë marrë përgjigje. Vonesat për ndarjen e bursave janë bërë për shkak të vakuumit institucional. Nga rektorati thonë se gjatë kësaj jave do të vihen në vi të gjitha punët e lëna përgjysmë.
Studentët të cilët kanë aplikuar për të përfituar bursa për vitin akademik 2013-2014, ende nuk kanë marrë përgjigje se kush janë përfituesit. Ata janë ankuar disa herë, por ende nuk e dinë se kur mund të shpallen rezultatet.
“Jam studente e Fakultetit të Edukimit. Kam aplikuar për bursë në fillim të këtij viti, mirëpo ende nuk kemi marrë ndonjë përgjigje adekuate nga krerët e fakultetit”, thotë një studente.
Nënkryetari i Parlamentit të Studentëve, Besart Morina, tha për Radio Kosovën, se në takimin që kanë zhvilluar me ushtruesin e detyrës së rektorit, kanë kërkuar që të përshpejtohet procedura e bursave për studentët. Ai arsyetoi se është zgjatur ky proces, për shkak të problemeve të fundit që ndodhën në Universitetin e Prishtinës.
“Në ditën që është emëruar ushtruesi i detyrës, në takimin e parë kemi kërkuar që sa më shpejt të formohet komisioni i cili të bëjë përgatitjen e duhura sa më shpejt, në mënyrë që të dalë rezultati i studentëve bursistë. UP, siç e dinë të gjithë pat hyrë në krizë institucionale dhe nuk ka pasur mundësi që të shqyrtohen aplikacionet.”
Ndërkohë, këshilltari për media në rektoratin e Universitetit të Prishtinës, Ardian Gola, tha për Radio Kosovën, se tashmë prorektorët kanë filluar punën e tyre dhe pritet që gjatë kësaj jave të vihen në vi të gjitha punët e lëna për gjysmë, pasi dihen edhe arsyet e vonesave. Universitetit të Prishtinës, në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues, të datës 20 dhjetor 2013, ka shpallur konkurs për ndarjen e bursave universitare për vitin akademik 2013/2014, të cilat ndahet për studentët e studimeve bachelor dhe master. Studentët të cilët do të përzgjidhen nga komisioni do të përfitojnë nga 900 euro bursa për këtë vit akademik.